• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RËNDËSIA E VOTËS – 23 QERSHOR, 2013

June 21, 2013 by dgreca

“Vota e lirë e popullit është instrumenti më racional dhe më paqësor për bërjen e reformave.” Tomas Xhefersoni

Shkruan: Frank Shkreli/

Fushata elektorale në Shqipëri po merr fund dhe 23 qershori shënon ditën kur votuesit shqiptarë do të hedhin votën e tyre për partinë dhe kandidadin që ata preferojnë.   Ky shkrim nuk ka për qëllim rekomandimin për mbështetjen e ndonjë partie ose një tjetre, ose të ndonjë kandidati të përkrahur nga partitë e ndryshme. Por ka të bëjë me personin më të rëndësishëm tani në fund të kësaj fushate – me votuesin shqiptar — dhe me rëndësinë që vota e tij ka për ‘të personalisht dhe për të gjithë shoqërinë dhe kombin shqiptar.

Çdo zgjedhje është me rëndësi, por zgjedhjet e 23 qershorit janë të një rëndësie të vecantë, pasi do të vendoset zgjedhja e një kuvendi të ri dhe rrjedhimisht e një qeverie të re që do vendosë të ardhmen e vendit, të pakën për katër vjetët e ardhëshëm dhe mund të lejë pas një trashëgimi — të mirë ose të keqe — për një periudhë edhe më të gjatë për fatet e Shqipërisë dhe për për fëmijtë dhe familjet shqiptare.

Të demoralizuar nga proceset politike gjatë 20-vjetëve të fundit, dhe polarizimet e tanishme politike,  shumë veta mund të  mendojnë se vota e tyre nuk është e rendësishme, se nuk çon kandar.  Disa mund të mendojnë se të gjithë kandidatët dhe partitë që ata pëfaqësojnë janë të njëjtë, se nuk ka kurrfarë dallimi midis tyre, as për nga programi as për nga vizioni që kanë për të ardhmen e vendit.  Mund të thotë dikush se cilido kandidat ose cilado parti të fitojë, asgjë nuk do të ndryshojë. Këjo mund të jetë e vërtetë.   Por ndryshimi fillon nga ti, votuesi shqiptar.  Të votosh për kandidatin që ti mendon se është kandidati më i mirë dhe i cili, si deputet i zonës tënde, do tu përgjigjet nevojave tua dhe të familjes tënde, duke u bazuar në kualifikimet dhe karakterin e kandidatit, si dhe në programin dhe vizionin e tij ose të saj për zonën që përfaqëson dhe për të mirën e të gjithë Shqipërisë.

Vota e lirë është një privilegj që nuk duhet të lihet pas dore dhe të mos përfidhet, si diçka e pa rëndësishme.  Shqiptarëve, këte të drejtë ua kishte mohuar kulshedra komuniste për pothuaj 50-vjetë.

Ende, anë e mbanë botës ka vende ku njerëzit nuk janë të lirë të hedhin votën sipas dëshirës, vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.  Hedhja e votës së lirë është themeli i demokracisë, por fatkeqsisht edhe në vendet me traditë demokratike, pjesëmarrja në votime është tepër e ulët.

Demokracia nuk është një dhuratë, por është diçka që duhet të ruhet dhe të mbrohet, pasi ruajtja e demokracisë, njëkohësisht siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave civile.  Si e tillë, demokracia ka nevojën tonë, nevojitë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Për më tepër,  pjesëmarrja në votime është kritike për zhvillimin dhe forcimin e sistemit politik demokratik të vendit, por edhe për mirëqenjen ose jo ekonomike dhe politike të vet votuesve.   Nëqoftse politikanët e zgjedhur venë re një apati nga ana e zgjedhësve për të marrë pjesë në procesin demokratik, ata do tu kushtojnë më pak vëmendje nevojave dhe shqetësimeve të votuesve.   Politikanët duhet të mbahen përgjegjës për mënyrën se si ata zbatojnë politikën, nëse mbajnë fjalën për zbatimin e premtimeve të dhëna, nëse  zbatojnë rregullat e lojës, duke u bazuar në faktin se si ata u përgjigjen nevojave ekonomike dhe shqetësimeve politike të zgjedhësve.  Nëqoftse nuk merr pjesë në votime, atëherë mos u anko për të bërat dhe të pa bërat e politikanëve, për abuzimet për korrupcionin, për……

Rasti unik për t’i dërguar një mesazh klasës politike — duke përkrahur ata që mund të kenë bërë një punë të mirë gjatë mandatit të tyre dhe duke ndëshkuar ata, që në sytë e elektoratit, nuk meritojnë të jenë në Kuvendin e Shqipërisë — është hedhja e votës në ditën e zgjedhjeve, pjesëmarrja sa më e gjërë e votuesve.   Merre me mendë, nëqoftse secili vendos të mos marrë pjesë në zgjedhje.    Demokracia si sistem do të merrte fund, pasi demokracia është qeverisje nga populli dhe pa pjesëmarrjen e popullit në procesin politik, pra në zgjedhje, nuk ka demokraci.   Mos pjesëmarrja në votime, në vetvete, është një votë kundër demokracisë, dhe në favor të atyre që nuk meritojnë të jenë përfaqsues të denjë të popullit. Ish presidenti amerikan Xhejms Garfield (1877) ka thënë për përgjegjësitë e votuesit, se “Tani më shumë se kurrë populli është përgjegjës për karakterin e anëtarve të Kongresit.  Nëqoftse ky trup legjislativ është injorant, i korruptuar dhe arrogant, këjo ndodhë sepse vet populli toleron injorancën, arrogancën he korrupcionin.”

Votimet, në asnjë vend, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë një proces i lehtë dhe gjithmonë kanë të meta dhe mungesa.  Por votimi është gjëja më me rëndësi tani që ka marrë fund fushata, kanë marrë fund debatet dhe kritikat shpesh të ashpëra midis partive dhe kandidatëve.  Kandidatët dhe partitë kanë shpalosur programet e tyre.  Për mirë ose për keq, edhe ekspertët e mbrendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe diplomatët, e kanë thënë gjithashtu fjalën dhe kanë dhënë këshillat e tyre në lidhje me fushatën dhe mirvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit.  Të gjitha debatet, të gjitha sharjet, britmat dhe shpërthimet emocionale në televizion dhe në median e shkruar, midis partive dhe përfaqsuesve të tyre morën fund, për t’i lënë tani radhën votuesit shqiptar ta thotë fjalën e vet duke hedhur votën e tij me ndërgjegjshmëri morale në favor të individëve me karakter dhe moral, si dhe partisë ose partive me programin më të mirë për të çuar Shqipërinë përpara, në të mirën e vendit dhe të kombit shqiptar, për katër vitet e ardhëshëm dhe më gjatë.   Përgjegjësia pra dhe pjesëmarrja e votuesit shqiptar në zgjedhjet, këtë të djelë, është tepër e rëndësishme.  Sipas njërit prej baballarëve të kombit amerikan, Samuel Adams, “Çdo qytetar duhet ta kuptojë se me votën e tij, ai nuk është duke i dhënë një dhuratë personale ose të kënaqë një kandidat për të cilin voton…por duhet të jetë i vetdijshëm se me votën e tij ai është duke ushtruar njërën prej obligimeve më solemne të shoqërisë njerëzore, për të cilin ai është përgjegjës para Zotit dhe atdheut të vet.”

“Vota e lirë e popullit është instrumenti më racional dhe më paqësor për bërjen e reformave.” Tomas Xhefersoni

“Kur një qytetar hedhë votën e vet në favor të një kandidati që njihet si i pa moralshëm, ai abuzon me obligimet e tija ndaj shoqërisë. Duke bërë një gjë të tillë, ai jo vetëm që sakrifikon interesat e veta, por edhe interesat e fqinjit, dhe njëkohsisht tradhëton interesat e kombit.” Noah Websteri – ”Nëqoftse nuk voton, e humbë të drejtën që të ankohesh”

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: 2013, 23 qershor, Frank shkreli, rendesia e votes

PATRIOT APO TRADHËTAR?

June 13, 2013 by dgreca

Ne Foto: Personi që nxorri në publik informacionet e fshehta, ishte i riu 29-vjeçar, amerikani Eduard Snouden, një ish-nëpunës me kontratë i Agjencisë super secrete të   Sigurimit Kombëtar./

Nga Frank Shkreli/

Një javë e sa më parë, gazeta britanike Guardian dhe gazeta amerikane Uashington Post botuan informacione për programin e fshehtë të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara për përgjimin e miliona telefonatave dhe komunikimeve në internet.   Personi që nxorri në publik informacionet e fshehta, ishte i riu 29-vjeçar, amerikani Eduard Snouden, një ish-nëpunës me kontratë i Agjencisë super secrete të   Sigurimit Kombëtar.Ndërsa Uashingtoni zyrtar po vlerëson dëmet e shkaktuara nga publikimi i pa-autorizuar i programeve të fshehta dhe ndërkohë që komisione të ndryshme të Kongresit Amerikan kanë njoftuar mbajtjen e seancave dëgjimore në lidhje me këtë çështje, zëdhënës të qeverisë amerikane, para Kongresit dhe në media — janë duke mbrojtur programin e mbledhjes në masë të informacioneve mbi tabulatet telefonike — duke thënë se ky veprim u ndërmor në bazë të një urdhëri të fshehtë të një gjykate që miratonte mbledhjen e informacionit nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar.   Qeveria amerikane dhe mbështetsit e këtij programi thonë se përdorimi i kësaj praktike është me rëndësi për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga sulmet dhe kërcënimet për sulme terroriste, pasi ky program ndihmon në identifikimin e personave ose grupe personash që mund të kenë kontakte me terroristë, të cilët duan të dëmtojnë këtë vend, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke filluar nga 11 Shtatori i vitit 2001.   Qeveria amerikane gjithashtu, shpjegon në deklaratat e saja,  se këto përgjime u ndërmorën bazuar në nenin 215 të ligjit federal mbi përgjimet brenda vendit, e që njohet si “Akti Patriot”, i miratuar gjatë administratës së Presidentit Xhorxh W. Bush, pas sulmeve të Al Kaidës. Qëllimi i këtij Akti është për tu dhënë kompetenca më të mëdha agjencive të fshehta për të përgjuar komunikimet elektronike për parandalimin e ndonjë sulmi terrorist.    Presidenti Barak Obama ka nënshkruar zgjatjen e afatit të këtij ligji edhe për katër vjetë të tjera. Më heret këtë javë,  ai e mbrojti programin e përgjimeve telefonike  duke thënë se “Vlerësimi im dhe i ekipit tim është se këto praktika na ndihmojnë të parandalojmë sulmet terroriste.   Ndonjë shkelje modeste e privatcisë që ndodh kur kontrollohen tabulatet, por pa dëgjuar përmbajtjen e bisedave telefonike –krahasuar me përfitimin — ia ka vlejtur,” tha Presidenti Obama.
Gjithashtu në mbrojtje të këtij programi, Drejtori i Agjencisë për Sigurimin Kombëtar, gjenerali Keith Alexander i tha dje një seance të Kongresit se të dhënat nga programi i përgjimeve kanë mundësuar parandalimin e dyzina sulmesh dhe komplotesh terroriste, duke shtuar se praktika të tilla janë jetike për mbrojtjen e atdheut.   Ai i tha gjithashtu Kongresit se dëshiron të informojë popullin amerikan se, “ne po përpiqemi të jemi transparent, të mbrojmë të drejtat dhe liritë civile si dhe privatcinë, por në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e këtij vendi”, tha gjenerali Alexander.Ky ligj, siç pretendojnë zyrtarët,  mund të lehtësojë punën e agjencive të fshehta amerikane për të mbledhur informacione mbi sulme të mundëshme terroriste, por praktikat që lejon ky ligj në këtë angazhim, janë kritikuar dhe kundërshtuar ashpër nga indidvidë dhe organizata që mbrojnë të drejtat civile dhe privatcinë individuale, duke thënë se agjencive të fshehta dhe të rendit publik u janë dhënë kompetenca tëpër të mëdha, sidomos në kryerjen e përgjimeve të vazhdueshme elektronike.    Madje, madje, në lidhje me këtë, janë njoftuar tanimë, një numër padishë kundër qeverisë federale, duke filluar nga Bashkimi Amerikan i Lirive Civile, (e njohur me inicialet anglisht ACLU), organizatë e cila e ka quajtur praktikën e grumbullimit të informacionit si tepër alarmuese.   Duke njoftuar dje padinë kundër qeverisë federale, organizata ACLU tha se programi i fshehtë i Agjencisë së Sigurimt Kombëtar shkelë seriozisht të drejtat e amerikanëve.

Ish-nëpunësi me kontratë i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Eduard Snouden, personi që pa autorizim nxorri në dritë programin e fshehtë për përgjimin e telefonatave, gjëndet tani në Hong Kong.   Lajmet bëjnë të ditur se Ministria Amerikane e Drejtësisë është duke marrë në shqyrtim padinë kundër tij për ta ekstraduar dhe për ta hedhur atënë gjyq nën akuza kriminale.   Në Hong Kong, Eduard Snoudën i dha një intervistë gazetës kineze në anglisht, “South China Morning Star”, gjatë së cilës ai u shpreh se nuk ka në mend të këthehet ë Amerikë dhe shtoi se fatin e tij ua ka lënë në dorë gjykatave dhe popullit të Hong Kongu-ut.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, publikimi i njoftimeve mbi programin e përgjimit të telefonatave dhe burimeve të tjera të internetit, ka shkaktuar një debat të ashpër në media dhe në të gjitha nivelet e shoqërisë, qoftë mbi njoftimin e këtyre sekreteve, qoftë edhe mbi personin, Eduard Snoudën,i cili pa autorizim informoi botën për ekzistencën e këtij programi të fshehtë përgjimi.   Nga një anë, një numër individësh dhe organizatash, si të majta ashtu edhe të djathta, kanë shprehur zemërimin e tyre në lidhje me ekzistencën e këtij programi përgjimesh të fshehta, ndërsa disa anëtarë të Kongresit Amerikan thonë se kanë qenë në dijeni të këtij programi dhe se e mbeshtesin atë si një mjet për të parandaluar sulmet  terroriste kundër popullit amerikan, siç tha kryetarja Komisionit të Senatit për Zbulimin, Senatorja demokrate Dajanë Fainstain.  Ndërsa Senatori republikan Lindsi Graham tha se, ai nuk i shikon veprat e Eduard Snoudën si vepra patriotike por i konsideron ato si akte kriminale dhe se si të tilla, ai “Shpreson se do ta ndjekim Z. Snoudën deri në fund të dynjasë me qëllim që ai të përballet me drejtësinë.”

Vet, Eduard Snoudën i tha gazetës kineze “South China Morning Star”, e cila botoi disa citime nga intervista në uebsajtin e saj, se ai nuk e konsideronte veten, “as tradhëtar dhe as hero, por thjeshtë një amerikan”, duke shtuar se ai gjëndej në Hong Kong, jo për të ikur nga drejtësia, por siç tha ai, “jam këtu për të zbuluar një kriminalitet”.

Nëse Eduard Snoudën është hero apo tradhëtar është ende heret të thuhet, me shpresë që njoftimet e tija pa leje, të mos kenë dëmtuar sigurimin kombëtar të këtij vendi dhe që njoftimi i këtij programi të fshehtë të mos përfundojë në humbje jete.   Por në mos asgjë tjetër, — nxjerrja në shesh dhe njoftimi për ekzistencën e programit të fshehtë të përgjimit nga ana e qeverisë amerikane të miliona telefonave të amerikanëve, —  ka nxitur një debat të ashpër, por të doemosdoshëm, siç tha edhe vet Presidenti Obama, mbi nevojën për të pasur një program të tillë të fshehtë përgjimi për parandalimin e sulmeve terroriste dhe që njëkohësisht të  mbrojë të drejtat civile dhe privatcinë e shtetasve amerikanë, të garantuara nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, PATRIOT APO TRADHËTAR?

NELSON MANDELA SI NËNE TEREZA

June 12, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Thuhet se askush nuk e njeh një komb për derisa nuk ke qënë në burgjet e tij.  Një vend nuk duhet të gjykohet duke u bazuar në faktin se si ai trajton ata që janë në maje të piramidës, por duhet të gjykohet duke u bazuar  në faktin se si ai   trajton shtreesat më të ulëta të shoqërisë.”   Nelson Mandela

Ish presidenti i Afrikës së Jugut dhe ish-i burgosuri politik më i famshëm i botës, 94-vjeçari Nelson Mandela është shtruar në një spital të Pretorias, për të katërtën herë ç’prej dhjetorit të kaluar, pasi vuan nga një infektim në mushkëri.  Në njoftimin e fundit mbi gjëndjen shëndetsore të tij, qeveria e Afrikës së Jugut tha se gjëndja e Z. Mandela, njeriut që admirohet nga mbarë bota për qëndresën e tij ndaj së keqës, mbetet ”serioze”.   Deklarata e qeverisë le të kuptohet se gjëndja shëndetsore e Mandelës po keqësohet.

Nelson Mandela, qyshë në moshë të re mori pjesë në lëvizjen kundër aparteidit dhe më vonë, më 1942 u bë anëtar i Kongresit Kombëtar Afrikan.   Për pothuaj 20 vjetë ai drejtoi një fushatë pa dhunë duke kundërshtuar në mënyrë paqësore qeverinë e atëhereshme të Afrikës së Jugut dhe politikën e saj raciste.  Pas 27-vjet burg si i burgosur politik,  për veprimtarinë e tij politike kundër aparteidit, Mandela lirohet në vitin 1990, bëhet president i partisë së tij, Kongresi Kombëtar Afrikan, parti e cila fiton zgjedhjet në mënyrë demokratike në vitin 1944.   Atij, së bashku me ish-presdientin e Afrikës së Jugut F. W. de Klerk, iu akordua Çmimi Nobel për Paqë, për meritat e tyre në shkatërrimin e sistemit aparteid racist të Afrikës së Jugut.   Në vitin 1994, Nelson Mandela, ish-i burgosuri politik u inaugurua presidenti i parë zezak në historinë e atij vendi.   Ditëlindja e e tij, 18 Korriku, është shpallur si Dita e Mandelës, e cila festohet si një ditë këjo për të promovuar paqën në botë dhe njëkohësisht për të celebruar trashëgiminë e këtij burri të madh të Afrikës.

Në një deklaratë nga fondacioni që kryesohet nga Kryepeshkopi Desmond Tutu, edhe ky një fitues i Çmimit Nobel për përpjekjet e tija paqësore në luftën kundër aparteidit në Afrikën e Jugut — heroi i luftës kundër qeverisë raciste, Nelson Mandela cilësohet si një “dhuratë e veçantë” nga Perëndia për Afrikën e Jugut dhe bëhet thirrje për lutje, “për babain e dashur të kombit tonë”, për njeriun i cili, anë e mbanë botës, edhe sot shikohet si simbol i pajtimit dhe i paqës midis njerzëve.

Dejvid Ejkmën, autor i njohur, gazetar i dalluar i revistës amerikane Tajm dhe këshilltar në fushën e politikës së jashtme, njëri i cili ka qenë dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme në botë gjatë shekullit të kaluar dhe i cili ka intervistuar personalitetet më të famëshme botërore, në librin e tij: “Shpirtrat e Mëdhej: Gjashtë të Cilët Ndryshuan Shekullin”, ndër ta përmend bijen e kombit shqiptar, nobelisten e paqës Nënë Terezen dhe Nelson Mandelën, si personalitetet që me shembullin e jetës dhe me veprat e tyre kanë ndikuar në ndryshimet pozitive të shekullit të kaluar.   Autori i njohur amerikan përmend vetitë e këtyre personaliteteve që ndikuan aq shumë në rrjedhat e historisë së shekullit të kaluar, duke nënvijuar virtytet që i dallonin ata, e të cilat janë aq të nevojshme edhe sot, si e vërteta, falja, mëshira dhe dhëmbshuria për të varfërit dhe respekti për dinjitetin njerëzor.

Me rastin e 90-vjetorit të Nelson Mandelës, gazeta britanike Telegraph pat bërë një sondazh për të zgjedhur 90-personalitetet më frymëzuese në botë me rastin e Ditës së Mandelës.   Lexueve u kërkohej që të votonin për personat — të gjallë ose të vdekur — por të cilët, sipas mendimit të tyre, kanë demonstruar në jetën dhe me veprat e tyre, karakteristikat kryesore të Nelson Mandelës, veti siç janë: kuraja, dinjiteti, përvujtënia, qëndresa, falja dhe dashuria.   Lexuesit e gazetës britanike patën zgjedhur murgeshën katolike shqiptare, Nënë Terezën si personalitetin numër një në botë që mbartë këto karakteristika të Nelson Mandelës, para të gjitha personaliteteve të tjera më të mëdha të shekullit të kaluar, përfshirë Uinston Çurçilin, Einstajnin, Martin Luter Kingun, Mahat Magandin, e të tjerë

Nelson Mandela i theksoi këto karakteristika dhe vlera në bazë të të cilave kishte jetuar dhe vuajtur gjithë jetën e tij si i burgosur politik.  Në fjalimin që pat mbajtur me rastin e inuagurimit të tij si president i Afrikës së Jugut më 1994,     megjithë vuajtjet dhe diskriminimet që kishte pësuar populli i tij nga politika raciste e qeverisë së bardhë, ai prapseparë personifikoi karakteristikat e tija njerëzore, duke iu drejtuar bashkëkombasve të vet duke thënë se, “kishte ardhur koha për shërimin e plagëve, se kishte ardhur momenti për të lënë pas ndasitë e së kaluarës, se kishte ardhur koha për të ndërtuar vendin.”   Ai  tha me atë rast se rruga drejtë lirisë do të ishte e vështirë dhe e gjatë, por ai shtoi se duke punuar së bashku, afrikano-jugorët do ta nxirnin vendin  e tyre nga errësira e së kaluarës, nepërmjet pajtimit kombëtar, duke ndërtuar një jetë më të mirë për të gjithë dhe pa dallim.   Ai përfundoi duke thënë se “kurrë, kurrë më ky vend i bukur nuk do të përjetojë shtypje nga njëri person kundër tjetrit. Le të mbretëroj liria” .

Me të drejtë, Nelson Mandela konsiderohet si një ndër personalitetet më të mëdha të shekullit të kaluar, kontributet e të cilit janë përhapur dhe njihen mirë përtej kufijve të Afrikës së Jugut dhe kontinentit afrikan.  Jeta e tij është shembull në mbrojtje të lirisë, demokracisë, të dinjitetit dhe të drejtave bazë të njeriut.   Ai i dha fund aparteidit zyrtar që ndante zezakët nga të bardhët, dhe më vonë si president i Afrikës së Jugut ai predikoi një harmoni shoqërore, bashkim kombëtar, paqë e pajtim për të gjithë banorët e vendit të tij, zezakë, të bardhë e të tjerë.  Përveçse solli paqë e pajtim në vendin e tij pas një regjimi të egër racist, Nelson Mandela dhe politika e tij pothuaj gandeske, mbetet gjithashtu simbol dhe një zë shpresëdhënës për popujt e shtypur kudo në botë.Edhe ne shqiptarët kudo, duhet të jemi krenarë, që në bazë të sondazhit të lartëpërmendur,  Nënë Tereza është frymëzuesja numër një në botë e cila ka demonstruar gjatë jetës së saj karakteristikat që dallojnë jetën dhe veprat e Nelson Mandelas e që janë: kuraja, dinjiteti njerëzor, përvujtnia, qëndresa, falja dhe dashuria.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, nelson Mandela, si Nene Tereza

TAKIMI AMERIKANO-KINEZ JO-ZYRTAR NË KALIFORNI

June 10, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Çdo takim, qoftë edhe jo-zyrtar, midis udhëheqsish të fuqive të mëdha siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kina, është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për të dy vendet, por edhe për mbarë botën, pasi takime të tilla midis këtyre dy vendeve kanë pasoja, jo vetëm për marrëdhënjet dy palëshe, por edhe për marrëdhënjet ndërkombëtare në përgjithësi dhe për stabilitetin botëror në veçanti.   Fund javën që kaloi Presidenti Obama u takua në Kaliforni me Presidentin e ri të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, që ishte takimi i parë i udhëheqsit amerikan me udhëheqsin e ri kinez.

Para takimit, zyrtarët amerikanë e cilësuan këtë takim jo zyrtar, si një rast të mirë për presidentët Obama dhe Xi për të biseduar haptas dhe sinqerisht mbi problemet në marrëdhënjet midis dy vendeve.   Shtëpia e Bardhë tha, para sesjoneve jo-zyrtare, se qëllimi i takimit ishte gjithashtu që Presidenti Obama të njihej për së afërmi me Presidentin e ri kinez, në një atmosferë jo formale, ose siç u cilësua nga disa për nga informaliteti, si në një takim me ”Këmish me mëngë të shkurtëra”.

Sipas njoftimeve të Shtëpisë së Bardhë, dy udhëheqsit e lartë biseduan mbi një seri çështjesh bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare, dhe shqyrtuan përparimet dhe sfidat në marrëdhënjet amerikano-kineze gjatë katër vjetëve të fundit, dhe biseduan mbi mënyrat e avancimit të bashkpunimit, por edhe të menaxhimit të ndryshimeve në qendrimet politike dhe ekonomike midis Uashingtonit dhe Pekinit, gjatë viteve të ardhëshme.    Gjatë bisedimeve jo formale prej dy ditësh, Presidenti Obama e siguroi udhëheqsin kinez Xi se Shtetet e Bashkuara mirëpresin rritjen paqësore të Kinës si fuqi botërore, duke thënë se, “Është në interesin e Shteteve të Bashkuara që Kina të vazhdojë rrugën e suksesit, sepse ne besojmë se një Kinë në paqë, stabile dhe e begatë nuk është vetëm diçka e mirë për Kinën, por  është gjithashtu  edhe në interesin e botës dhe të Shteteve të Bashkuara”,  tha Presidenti Obama.

Nga pikëpamja amerikane, midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara ka shumë problem – përfshirë të drejtat e nejriut dhe vlerat universal – por ndër kryesoret që  sipas lajmeve u biseduan gjatë  takimeve  fundin e javës së kaluar në Kaliforni –janë proteksionizmi tregtar,   vjedhja kibernetike dhe  resepktimi i pronësisë intelektuale.  Këto shqetsime të Amerikës, Presidenti Obama i shfaqi duke thënë se,  “Shtetet e Bashkuara përpiqen të sigurojnë një ekonomi ndërkombëtare dhe një rend ekonomik ndërkombëtar, në të cilin kombet e ndryshme zbatojnë të njëjta rregulla, dmth, një rend ekonomik që është i lirë dhe i drejtë, dhe një rend në bazë të të cilit Shtetet e Bashkuara dhe Kina punojnë së bashku për zgjidhjen e problemeve, siç është siguria hibernetike dhe mbrojtja e pasurisë intelektuale.  Kina, sipas  njoftimeve zyrtare dhe jo zyrtare, ka vazhduar të vjedhë sekretet mbrojtëse dhe tregëtare të Amerikës, nepërmjet sulmeve hibernetike, gjë që ka keqësuar tensionet amerikano-kineze dhe ka shkaktuar reagime të ashpëra edhe në Kongresin Amerikan .

Përsa i përket Pekinit, një ndër shqetësimet kryesore të Kinës është politika e re amerikane ndaj Azisë, politikë të cilën udhëheqja kineze e konsideron si një përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të penguar Kinën që të bëhet një superfuqi botërore.   Megjithëkëtë, udhëheqsi i ri kinez tha gjatë bisedimeve me Presidentin Obama në Kaliforni se ai beson se marrëdhënjet midis dy vendeve kanë arritur një pikë historike dhe se ato mund të jenë një model për marrëdhënjet midis fuqive të mëdha.

Një ndër çështjet kryesore të bisedimeve, dhe për të cilën të dy palët shfaqën të njëjtin qëndrim, ishte Koreja e Veriut dhe programi i saj bërthamor.   Si Pekini ashtu edhe Uashingtoni u angazhuan se nuk do të pranojnë që regjimi komunist i Koresë së Veriut të sigurojë  armë bërthamore.
Por duke gjykuar nga deklaratat e zyrtarëve amerikanë, pas përfundimit të takimit amerikano-kinez, siç duket, mbi çështjet kryesore dhe shqetsuese për Amerikën,  nuk u arrijtë ndonjë mirëkuptim midis palëve, dmth., përsa i përket dy çështjeve me rëndësi, ndalimit të sulmeve hibernetike kineze dhe vjedhjes së pronës intelektuale amerikane nga ana e Kinës.   Këshilltari në largim i Presidentit Obama për Çështje të Sigurimit Kombëtar, Tom Donilon megjithëse i cilësoi bisedimet si konstruktive dhe pozitive, u tha për gazetarëve se nëqoftse Kina nuk ndërmerr përpjekje serioze për të zgjidhë çështjet e sigurisë hibernetike dhe nëqoftse, Pekini vazhdon sipas tij, “vjedhjen e drejtë për drejtë të pasurisë intelektuale të Shteteteve të Bashkuara”, atëherë, shtoi ai, “këjosituatë do të krijonte një problem shumë të vështirë në marrëdhënjet e tanishme ekonomike”,  midis dy vendeve.

Siç duket,  Presidenti Obama, duke marrë iniciativën për të ftuar presidentin e ri kinez në një vizitë dhe takim jo-zyrtar në fillim të mandatit të dytë të tij si president dhe menjëherë pas ardhjes në fuqi të Presidentit të ri kinez Xi Jinping, shpresonte që të shënonte fillimin e një epoke të re në marrëdhënjet amerikano-kineze, me shpresë për të zgjidhur problemet e vjetëra dhe për të zhvilluar mundësi të reja për avancimin e marrëdhënjeve midis dy vendeve.    Këshilltarit në largim i Presidentit Obama për Çështje të Sigurimit Kombëtar, Tom Donilon,   ka thënë pak kohë më parë, në një fjalim tek Fondacioni i Azisë se qëllimi  “i politikës amerikane karshi Kinës ka qenë dhe është përmirësimi i cilësisë së marrëdhënjeve në përgjithësi midis dy vendeve, duke promovuar një konkurencë të shëndosh ekonomike, duke menaxhuar dhe kontrolluar mosmarrveshjet dhe njëkohësisht  duke siguruar që gjatë  këtij procesi të mbrohen interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të respektohen të drejtat e njeriut dhe vlerat universale.”

Ky ishte qëllimi i  Uashingtonit zyrtar për takimin amerikano-kinez fund javën e kaluar, por njëri nga disidentët kryesorë kinez në mërgim, Wei Jingsheng u citua nga Zëri i Amerikës të ketë thënë se, për derisa Kina mbetet nën udhëheqjen e një partie, asaj komuniste,  Shtetet e Bashkuara, sipas tij, nuk duhet të presin marrëdhënje serioze bashkpunimi me Pekinin.   Ai shtoi duke thënë se, “Sistemi politik dhe shoqëror amerikan është shumë tërheqës për njerëzit e thjeshtë në Kinë dhe si rrjedhim, regjimi komunist i Kinës e shikon këtë fakt si një kërcënim themelor ndaj mbijetesës së regjimit komunist në Pekin.”

Është pothuaj e pamundur që dy fuqi të mëdha me interesa ekonomike dhe gjeopolitike të ndryshme, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të jenë dakort mbi të gjitha çështjet bilaterale dhe ndërkombëtare.    Por takimi jo zyrtar fund javën që kaloi në Kaliforni midis presidentëve të Amerikës dhe Kinës tregon se — cilat do qofshin problemet midis dy vendeve, e ato janë të shumëta, sidomos në fushën e të drejtave të njeriut dhe të vlerave universale — Uashingtoni dhe Pekini, të pakën janë duke u përpjekur që të mbajnë hapur linjet e komunikimit dhe të menaxhojnë  deri diku këto marrëdhënje ashtuqë të mos dalin jashtë kontrollit.  Dhe njëkohësisht  të  provojnë se megjith ndryshimet e mëdha politike, ideologjike  dhe parimore midis tyre, ekzistojnë mundësi për një bashkpunim praktik për çështje të interesit të përbashkët.

Mbajta hapur e linjeve të komunikimit, në nivelin më të lartë midis dy vendeve është tepër e rëndësishme, pasi kemi të bëjmë me një Kinë e cila po tregon gjithnjë e më shumë tendenca ekspansioniste ushtarake në rajonin e Paqësorit dhe kemi të bëjmë me një regjim i cili e sheh të nevojshme që të shtypë  segmente të ndryshme të shoqërisë që nuk pajtohen me politikat e tij, ndërkohë që autoritetet komuniste kineze tregojnë frikën që kanë  nga populli i vet, duke bllokuar  diskutimet në internet në lidhje me përvjetorin e masakrave të 4 Qershorit, 1989, në sheshin Tiananmen të Pekinit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, Jo zyrtar, ne kalifornia, Takimi Amerikano-Kinez

LIRIA ËSHTË NË ZMBRAPSJE

June 6, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës, liria dhe demokracia janë në zmbrapsje, për të mos thënë në rrezik ekzistence.   Entuziazmi që pasoi ngjarjet e ashtuquajturës, “Pranverë Arabe” në Lindjen e Mesme, tashti është zëvendësuar me shqetësime serioze nga shumë ekspertë se lëvizjet islamiste kanë marrë peng aspiratat e popullit arab për liri dhe pothuajse njëkohësisht kanë zhdukur mundësitë dhe përspektivat për një zhvillim të vërtetë demokratik në atë rajon të botës.   Këjo vihet re më së miri në vendin më të madh arab, në Egjipt, por edhe në vende të tjera arabe, përfshirë Sirinë ku po zhvillohet një luftë e ashpër, tragjedia e së cilës po ndihet anë e mbanë rajonit dhe më gjërë.   Edhe në pjesë të tjera të botës, vala e anti-demokracisë dhe përpjekjet kundër lirisë janë në rritje e sipër.

Në Kinë, që është vendi me popullsinë më të madhe në botë, dhe që këtë javë shënon përvjetorin e masakrës në sheshin Tienenman të Pekinit 24 vjetë më parë, shtypjet kundër disidentëve dhe atyre që nuk pajtohen me regjimin komunist, janë shtuar dukëshëm vitet e fundit.   Me 4 qershor, që bie përvjetori i atij që autoritetet kineze e cilësojnë si “kryengritja kundër revolucionare” — sipas lajmeve — masat e sigurisë në Pekin ishin shumë të forta, në krahasim me vitet e kaluara. Me këtë rast, autoritetet kineze kanë ndaluar diskutimet, “online” në lidhje me ndërhyrjen ushtarake me 4 qershor 1989 në sheshin kryesor të Pekinit, ku thuhet se mund të jenë vrarë mijëra student nga ndërhyrja ushtarake.   Kështuqë, vërejtësit thonë se 24 vjet pas masakrës në sheshin Tiananman, mundësitë për reforma politike nën regjimin e Presidentit të ri kinez Xi Jinping, duken edhe më të këqia se në vitin 1989, pasi deri tani nuk ka asnjë shënjë se regjimi tij ka në mendë të ndërmarrë ndonjë reformë politike që do të kënaqëte mbështetsit e të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe demokracisë së vërtetë në Kinë.
Sipas organizatave që monitorojnë zbatimin e të drejtave të njeriut, edhe në Rusinë e Vladidmir Putinit është shënuar gjithashtu një rritje dramatike në përkeqsimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive në përgjithësi, në atë vend.   Sipas dy raporteve të reja nga organizatat e të drejtave të njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch, gjëndja e të drejtave të njeriut nën regjimin e  Vladimir Putinit është më e keqja ç’prej kohës së ish-Bashkimit Sovjetik.

Shkeljet e të drejtave të njeriut nga teokracia iraniane janë të njohura mirë nga opinioni botëror dhe rasti i ditëve të fundit në Turqi, ku forcat e sigurimit dhe të policisë përdorën forcën, duke shpërndarë me dhunë protestuesit paqësorë në Parkun Gezi të Stambollit, habiti botën për nga masat e tepëruara të përdorura nga forcat e policisë dhe të sigurimit rë shtetit turk.  Parku është i njohur si vend për protesta, por i cili siç duket  po ndryshohet  me qëllim për këtë arsye, për të mos lejuar protesta në një hapësirë të tillë të qytetit.   Qeveria turke ka miratuar  një projekt-plan të madh  për ta këthyer parkun në një zonë ndërtimesh, gjë që ka habitur arkitektët vendas dhe është kritikuar ashpër nga publiku turk.   Me reagimin e saj ndaj protestave paqësore, qeveria e Kryeministrit Erdogan tregoi kundërshtimin e tij politik të dhunshëm ndaj pjesëmarrjes në proceset demokratike të bashkombasve të vet, me pikpamjet e të cilëve, ai nuk është dakort.

Përkeqësimi i lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës vitet e fundit është i lidhur ngushtë me shkeljen e lirisë së shtypit dhe të medias, pasi pa liri të shtypit nuk  ka as liri të tjera të njeriut, e si rrjedhim as demokraci.   Si shembull, nuk është e rastit që Turqia, sipas organizatës Freedom House, të ketë numërin më të madh të gazetarëve të arrestuar. Për më tepër, në vlerësimin e saj mbi gjëndjen e lirisë së shtypit në botë, këjo organizatë thotë se vetëm një person në gjashtë veta, jeton në një vend të botës që ka media të lirë.

Shpresat dhe entuziazmi i para 20-vjetëve, se rënja e komunzimit do të sillte një shpërthim lirie e demokracie anë e mbanë botës, janë venitur. Vërehet ajo që mund të quhet një ngadalësim i veprimtarive demokratike dhe lirive, ndërsa udhëdheqsit autoritarë anë e mbanë botës — megjithëse i bëjnë homazhe demokracisë me fjalë — në të vërtetë kanë mësuar nga njëri tjeri duke përfekcionuar mënyrat për të ruajtur pushtetin e tyre, ndërkohë që organizatat që meren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, regjistrojnë çdo vit rënje të lirive demokratike ose në minimum stagnim të këtyre lirive anë e mbanë botës.   Përfshirë fatkeqsisht edhe disa nga vendet ish-komuniste, që 20 vjetë më parë frymëzuan botën me përpjekjet e tyre për liri e demokraci, duke rrëxuar pushtetin komunist anë e mbanë Evropës Lindore.   Si rrjedhim, mendohej në atë kohë se me rënjen e Murit të Berlinit, diktatorët dhe regjimet autoritare anë e mbanë botës do të zhdukeshin gjithashtu me kohë.    Por këta diktatorë, nga Rusia, Kina, Turqia, Irani, në të vërtetë nga shumica  e vendeve në botë  — të vegjël e të mëdhej — duke parë “rrezikun” që u vinte nga liria dhe demokracia, u mobilizuan në luftë me kundështarët e tyre politikë, dhe njëkohsisht  kufizuan liritë e dhe zhvillimin e demokracisë.  Dëmin më të madh nga sjelljet jo demokratike të këtyre regjimeve e pësojnë, natyrisht, banorët e këtyre vendeve, por këto regjime dhe udhëheqës autoritarë, ashtu siç ndodhte  edhe në kohën e komunizimit, përpiqen të eksportojnë, deri diku me sukses, modelin e tyre të qeverisjes autoritare edhe në vende të tjera.

Por, si gjithmonë gjatë historisë, dëshira e popujve për të jetuar të lirë dhe për të vendosur vet fatin si dhe për të ruajtur dinjitetin njerëzor është një fuqi shtytëse e pa mposhtur që nuk shuhet kurrë.   Megjithë shtypjet dhe masakrat, pa marrë parasyshë nëse ato ndodhën në Turqi ditët e fundit ku një grua u pa duke u përplasur ball për ball me policinë, apo në Kinë më shumë së dy dekada më pare, ku një student doli para kolonës së tankseve, tregon se njerëzit, për të mos jetuar në robëri, janë të gatëshëm të përballen edhe me vdekjen, duke venë në dukje se dëshira e njeriut për liri e demokraci nuk do të vdesë kurrë.

Liria dhe demokracia, natyrisht janë jetike për banorët e çdo shteti, dhe për mirëvajtjen e çdo shoqërie normale, por zbatimi dhe respektimi i tyre nga të gjitha shtetet që janë angazhuar me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për t’i mbrojtur ato, janë gjithashtu të rëndësishme edhe për zhvillimin normal të marrëdhënjeve ndërkombëtare, për paqën dhe sigurinë në botë, pasi historia është dëshmitare se vendet demokratike nuk futen në luftë me njëra tjetrën.  Është e natyrshme që zhvillimet demokratike  të pasqyrojnë kulturën dhe traditat e çdo vendi, por ama kanë të përbashkët zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e shtypit dhe  ekzistencën enjë opozite të aftë dhe të qëndrueshme.

Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs ka thënë pas sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator, 2001, se, “Për 60 vjet tani, ne kemi menduar se do të mund të vendosnim sigurinë, pa lirinë në Lindjen e Mesme.”   Më në fund, shtoi ajo, në Lindjen e Mesme, “nuk ka as siguri as liri.”   Duhet ta dimë, shtoi ish-kryediplomatja amerikane, se në çdo rajon dhe vend të botës, “liria dhe demokracia janë të vetmet garanci për një stabilitet të vërtetë dhe siguri të qendrueshme.”

Në këtë botë, do të ketë gjithmonë diktatorë dhe regjime autoritare të cilat do të kundërshtojnë lirinë, të vendosura të kufizojnë dhe  të shtypin të drejtat bazë të njeriut dhe liritë demokratike.  Prandaj, parimet e lirisë dhe të demokracisë, si dhe dhe të lirisë së shtypit kudo duhet të mbështeten nga të gjithë dhe me të gjitha mënyrat politike, ekonomike, morale dhe pse jo edhe ushtarake kur është e nevojshme, pasi abuzimi me të drejtat dhe liritë demokratike, të një kinezi, turku, rusi, iraniani, arabi, ose cilit do popull në botë, është një abuzim dhe shkelje e të drejtave themelore të secilit prej nesh, pa marrë parasyshë se ku jetojmë.

Vetëm në këtë mënyrë do të bëhet e mundur përhapja e lirisë dhe e demokracisë në çdo vend, si dhe vendosja e paqës dhe sigurisë në botë dhe të anullohet, ose të pakën të ngadalësohet, ritmi në rritje e sipër i forcës së zmbrapsjes së lirisë dhe demorkacisë në çdo kënd të këtij planeti.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, liria eshte ne zmbrapsje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJOFTIM NGA VATRA: HAPET GARA PËR KANDIDATËT PËR KRYETAR TË FEDERATËS VATRA
  • Kthesë historike për Kosovën: 19 Qershori 1998 – Legjitimimi politik i UÇK-së nga SHBA-ja
  • Join the Albanian Roots Parade & Festival
  • Kontributi shkencor i Ukshin Hotit në interpretimin e Lidhjes së Prizrenit
  • Francesco Chetta – Schirò “Kastriotët, princa të Shqipërisë në Urdhrin Sovran dhe Ushtarak të Maltës – Zanafilla e derës së Kastriotëve” – Francesco Chetta – Schirò
  • Rruga Lissus–Naissus: Arteria strategjike e Ballkanit Romak dhe roli i Mirditës në lidhjen Adriatik–Danub
  • Revolucioni i Flamingove dhe frika nga perëndimi
  • BABALLARËT E KOMBIT DHE LINDJA E AMERIKËS
  • KOSOVA NË PERSPEKTIVËN EVROPIANE: DOMOSDOSHËMËRIA JURIDIKE DHE LEGJITIMITETI SIPAS SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË DREJTËS EVROPIANE
  • Nga Judge John Ingram Monitor i Zgjedhjeve : Lidhur me Konventën dhe zgjedhjet e VATRËS
  • Kujtojmë Karlo Taljavinin, albanologun italian që studioi rrënjët indoeuropiane dhe pasurinë e dialekteve të shqipes
  • BREZI QË SFIDOI STATUS-QUO-në, TRIUMFI STUDENTOR PËR GJUHËN NË STRAZBURG
  • KUR NDËRGJEGJA VLEN MË SHUMË SE DISIPLINA PARTIAKE
  • GEORGE W. BUSH, PRESIDENTI QË E ÇOI AMERIKËN NËPËR STUHINË E 11 SHTATORIT DHE MBËSHTETI SHQIPTARËT NË MOMENTET VENDIMTARE
  • Mësimi hungarez për Shqipërinë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT