• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË JAVË E KEQE PËR ADMINISTRATËN OBAMA

May 16, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Jam i bindur se Presidenti Barak Obama dhe administrata e tij po presin me ankth fund javën. Ishte një javë tepër e vështirë për ta por edhe për sistemin politik amerikan, pasi presidenti dhe zyrtarët e tij u përballuan me akuza të ashpëra nga media dhe nga Kongresi në lidhje me zbulimin se Departmenti i Thesarit, që në të vërtetë është Agjencia Tatimore, kishte venë në shënjëstër grupe dhe organizata konservatore, të cilat gjatë dy vjetëve të fundit janë përpjekur të aplikojnë për stausin e përjashtimit nga taksat. Sipas njoftimeve, ato iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm duke mos aprovuar statusin e tyre, ndërsa, sipas gazetës amerikane USA Today, grupet me prirje liberale që kishin aplikuar gjatë të njëjtës periudhë, u aprovuan pa asnjë problem. Presidenti Obama, gjatë ditëve të fundit, i ka cilësuar këto veprime të Agjencisë Tatimore, që media amerikane po i cilëson skandaloze, si të ”patolerueshme dhe të pafalshme.” Ai gjithashtu u zotua se punonjës të kësaj agjencie që mund të jenë fajtorë, do të mbahen përgjegjës, dhe njëherazi bëri thirrje për marrjen e masave që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë më. Edhe Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder tha se çfarë ka ndodhur në këtë agjenci, ”është sigurisht skandaloze dhe e paranueshme” dhe shtoi se ka urdhëruar bërjen e hetimeve nga zyra e tij në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, Agjencia Tatimore ka kërkuar ndjesë për ato që kanë ndodhur dhe presidenti Obama njoftoi dje se si rrjedhim, kishte pranuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithëshëm të kësaj agjencie.
Çështja tjetër skandaloze me të cilën po përballet këtë javë administrata e Z. Obama është konfiskimi i të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë për një periudhë prej dy muajsh, të një numëri gazetarësh dhe redaktorësh të agjencisë së njohur të lajmeve Associated Press (AP). Megjithë zemërimet e shprehura nga media dhe nga Kongresi për këtë masë, që ekspertët ligjorë dhe anlalistët e quajnë si të pa precedencë, Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder mbrojti të drejtën e entit që ai drejton — për hetimet rreth njoftimit të agjencisë së lajmeve AP në lidhje me një operacion të agjencisë së fshehtë amerikane CIA, që kishte parandaluar një operacion terrorist në Jemen. Ai tha se këjo nxjerrje informacioni nga agjencia e lajmeve AP “ishte tepër, tepër serioze” dhe se informacioni i nxjerrë nga agjencia AP, sipas tij, “pa ekzagjerim rrezikon popullin amerikan”.
Reagimet ndajë këtyre veprimeve të administratës Obama, ishin të shpejta dhe të furishme, nga media, nga Kongresi amerikan dhe nga nga grupe të ndryshme të të drejtave civile dhe të mbështetës të lirisë së shtypit, nga spektri i majtë dhe i djathtë.
Vet agjencia e lajmeve Associated Presss, duke reaguar ndaj konfiskimit të të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë, në një letër të ashpër dërguar Prokurit të Përgjithshëm Erik Holder, më heret këtë javë, Presidenti i AP, Gary Pruitt protestoi duke thënë se, ”Nuk mund të ketë asnjë justifikim të mundshëm për një konfiskim të tillë të të dhënave të komunikimeve telefonike të agjencisë AP dhe gazetarve të saj. Këto të dhëna telefonike zbulojnë burimet konfidenciale të gazetarve dhe të operacioneve të agjencisë AP, aktivitete këto për të cilat qeveria nuk ka asnjë të drejtë të dijë për to. Ne e konsiderojmë këtë masë të Ministrisë së Drejtësisë si një ndërhyrje serioze në të drejtat konsitucionale të agjencisë AP, për të mbledhur dhe raportuar lajmet.”
Shoqata e Gazetave Amerikane, pasi mësoi për konfiskimin e të dhënave telefonike nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, të agjencisë AP, lëshoi një deklaratë duke thënë se, “këjo masë shokon ndërgjegjen amerikane dhe shkel lirinë kritike të shtypit që mbrohet nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara “. Gazeta Nju Jork Tajms tha në një editorial kritik ndaj administratës Obama, se “Këto taktika nuk do të na frikësojnë ne as agjencinë AP, por mund të frikësojnë burimet dhe kontaktet konfidenciale mbrenda në qeveri, të cilat janë ablsolutisht jetike për median, për të raportuar mbi punët e qeverisë.”
Gazeta USA Today në editorialin e saj mbi këtë çështje thotë se, “është e vërtetë se qeveria ka përgjegjësinë për të mbrojtur sigurimin kombëtar, por këjo përgjegjësi ka kufi dhe rasti i agjencisë AP është i tepruar. Këjo administratë ka nevojë të mendojë gjatë e mirë në lidhje me abuzimin e pushtetit.”
Ndërsa gazeta Uashington Post, e njohur për vijëpn e saj liberale dhe normalisht përkrahse e Presidentit Obama, në një koment kritik në lidhje me abuzimet në Agjencinë amerikane të Tatimeve kundër grupeve të djathta konservatore, u shpreh se, “Gur themeli i parimeve të demokracisë amerikane është se pushteti i qeverisë nuk duhet të përdoret kurrë për qëllime partiake.’’
Kongresi ka njoftuar se në ditët dhe javët e ardhëshme, një e treta e komisioneve të Dhomës së Përfaqsuesve dhe të Senatit, do të mbajnë séanca në lidhje me këto çështje. Kongresistët, si republikanë ashtu edhe demokratë, janë të zemëruar dhe po kërkojnë shpjegime për ato që kanë ndodhur dhe njëkohsisht i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Obama që të ndëshkojë fajtorët dhe të sigurojë marrjen e masave që aktivitete të tilla nuk do të përsëritën më. Udhëheqsi i republikanëve në Dhomën e Deputetve, John Boehner tha dje gjatë një konferencë shtypi se, “Pyetja ime nuk është se kush do të japë dorëheqjen”, pyetja ime”, shtoi ai, “ është se kush do të ndëshkohet me burg për këtë.” Në lidhje me abuzimet në Agjencinë Tatimore, Kongresisti Boehner tha se, “Për këtë lloj abuzimi ne kemi ligjet” dhe është e nevojshme tha ai të dime se cilët janë personat që abuzuan dhe nëse ata shkelën ligjin.
Edhe udhëheqsi i demokratëve në Senat dhe përkrahës i administratës Obama, Senatori Harry Reid iu bashkua kritikave të kolegëve të tij në Kongres ndaj Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e të dhënave telefonike të agjencisë AP, duke thënë se, “e kam shumë të vështirë të mbroj atë që ka bërë Ministria e Drejtësisë. “Është e pafalshme. Nuk ka asgjë që mund të justifikojë një gjë të tillë”, tha udhëheqsi demokrat i Senatit.
Këjo javë ishte me të vërtetë shumë e keqe për presidentin Barak Obama dhe për administratën e tij, sigurisht java më e vështirë e mandatit të tij deri tani. Por vera mund të jetë edhe më e vështirë dhe më e nxehtë politikisht në Uashington. Megjithëse siç duket administrata Obama ia shkaktoi vetvetes këto probleme – republikanët me zi kanë pritur për një moment të tillë, duke njoftuar menjëherë mbajtjen e një numëri seancash në Kongres për të zbuluar të vërtetën, jo vetëm për këto dy çështje, por edhe për sulmin terrorist në Bengazi të Libisë, shtatorin e vitit që kaloi, ku mbetën të vrarë katër diplomatë amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin Christopher Stevens, pasi kohët e fundit kanë dalur në shesh informacione të reja që nuk përputhen me shpjegimet fillestare të administratës së Presidentit Obama në lidhje me atë sulm. Për të gjitha këto, Kongresi dhe populli amerikan duhet të kërkojnë nga Presidenti Obama dhe administrata e tij të vërtetën si dhe pushimin nga puna ose ndëshkimin me burg të atyre që mund të kenë shkelur ligjin dhe Kushtetutën amerikane. Amandamenti i parë i kushtetutës amerikane që, ndër të tjera, garanton lirinë e shtypit, është aty dhe i pari ndër amnadamentet e tjera për një arsye. Baballarët e këtij kombi dhe hartuesit e kushtetutës amerikane e kishin paraparë rëndësinë e tij. Populli amerikan ka të drejtën dhe meriton të mësojë të vërtetën për të gjitha këto abuzime nga qeveria e tij.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, nje Jave e keqe, per administraten Obama

ERNEST KOLIQI –110 VJETORI I LINDJES

May 13, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ne Foto: At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Enest Koliqi/

110 vjetë më parë, më 20 Maj, 1903 lindi në Shkodër Ernest Koliqi. Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kujtoj si një njeri të thjeshtë dhe tepër të afrueshëm me gjithkënd. Por mbi të gjitha, ai ishte një gjigant i letërsisë dhe i kulturës shqiptare me merita të konsiderueshme.
Përveç meritave të mëdha në nivelin kulturor dhe gjuhësor, një kontribut i rëndësishëm kombëtar i mohuar i Ernest Koliqi, ose për të cilin flitet shumë pak ose aspak, është hapja e shkollave të para në gjuhën shqipe në Kosovë, nën drejtimin e tij si ministër, kur Kosova u bashkua me Shqipërinë gjatë luftës — ndëkohë që shkollat shqipe ishin të ndaluara nga okupatorët serbë. Ai ndihmoi gjithashtu edhe në sigurimin e bursave për studentë shqiptarë nga Kosova për trajnimin e tyre në Itali dhe Austri. Meritat e Ernest Koliqit, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore janë të mëdha, por fatkeqsisht gjatë periudhës së regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha, ndonëse edhe sot, Ernest Koliqi vazhdon të gjykohet për aktivitetin e tij të shkurtë politik dhe jo të vlersohet për kontributet e tija monumentale ndaj letërsisë, kulturës dhe gjuhës shqipe në përgjithësi.
E vërteta, unë nuk e ndjejë veten as të aftë dhe as të denjë të shkruaj për këtë personalitet të madh të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Por nuk mund durohem pa e kujtuar atë me rastin e këtij 110 vjetori të lindjes së tij, pasi kisha fatin ta njihja në rininë time.
Megjithse kur e kam njohur në fillim të 70-ave, ai ishte në moshë të shkuar — Ernest Koliqin e mbajë mend dhe e kujtoj si njeri të palodhëshëm dhe të papërkulshëm ndaj sfidave dhe vështirsive, dhe të gjithmonë i qeshur. Ishte themelues dhe pronar i revistës së famshme ”Shëjzat”, një ndërmarrje këjo që ai e vazhdoi së botuari deri në momentin e fundit të jetës. Revista ”Shëjzat”, në të vërtetë, ishte një pasqyrim i talentit të tij, i dashurisë për letrat shqipe dhe i atdhedashurisë, por njëkohsisht ishte edhe simbol i aftësisë së tij për të mbledhur rreth vetes bashkpuntorë e shkrimtarë, të cilët si edhe vet Koliqi, ia donin të mirën kombit shqiptar. Ernest Koliqi, duke besuar në fjalën e urtë, ”trimi i mirë me shokë shumë”, rreth ”Shëjzave”, mblodhi një numër të madh shkrimtarësh dhe eksponentash të kulturës dhe gjuhës shqipe në mërgim, të cilët për kontributet e tyre nuk kërkonin asnjë shpërblim, por që për objektiv kishin, vetëm e vetëm, përkushtimin e tyre ndaj çështjes kombëtare. Ata ishin, ajka, undyra e shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë në mërgim, të cilët i shkuan pas këtij burri të madh të letrave shqipe.
Karl Gurakuqi, njëri prej bashkpuntorëve dhe njohësve më të mirë dhe bashkohas i Ernest Koliqit, duke iu referuar bashkpunimit të gjërë të intelektualëve me revistën Shëjzat e Koliqit, ka shkruar se, ”Nuk ka ngja ndonji herë në shtypin tonë, qoftë mbrenda në Shqipni, qoftë jashtë Atdheut, që një revistë të ketë pasë nji numër kaq të madh bashkpuntorësh.” Karl Gurakuqi vazhdon me vlerësimin e tij se, “Këjo don të thotë se për Koliqin ushqehet nji nderim i posaçëm; emëni i Tij me veprat e çmueshme e të shumta ka ba që secili e ka pasë për nder me e vu nën flamur të Tij dhe bashkë me te, me u përpjekë të mbajnë gjallë flakën e dashunisë së kombit e të gjuhës shqipe.”
Këtë flakë dashurije për gjuhën dhe kombin shqiptar, Ernest Koliqi e ka shprehur në të gjithë veprat e tija, por sidomos në kryeartikujt e rëvistës Shëjzat, shumë prej të cilave kam patur fatin t’i lexoj — mendime të cilat, megjithëse të shkruara më shumë se një gjysëm shekulli më parë, mbeten edhe sot aktuale. Në ato komente, lexuesi dallon qartë ndiesitë e tija atdhetare. Në shkrimet e tija, sipas vet autorit, askush “Nuk gjenë në to asnji rresht që mos të naltësojë fisnikinë e kombit, ose që të cenojë nderin dhe idealet e gjindes arbnore.”
Në një koment në Shëjzat e vitit 1971 të titulluar, “Njerëzija”, Profesor Ernest Koliqi shkruan se me mburrje shqiptohet fjala demokraci, nga ata që ndoshta as nuk dinë preardhjen e saj etimologjike, ose nga ata politikanë që, sipas At Gjergj Fishtës, “venë kapelë në krye e lidhin kravatë në fyt.” Demokracia e vërtetë sipas, Ernest Koliqit, nuk është “Pështjellim ideshë dhe panjerzi sjelljesh”, por ajo ,“Lypë harmonizim vullnetesh e qellimesh nepërmjet bisedimesh të lira e të kthiellta. Rrahen çashtjet mirë e mirë, mandej fiton davanë shumica. Ndër ne Shqiptarët, përkundrazi, t’ashtuquejtunit demokratë duen të shtërngojnë (detyrojnë) të madh e të vogël me iu nënshtrue — arsye e pa arsye — mendimeve e qellimeve të tyne, madje edhe kur ndodhen në pakicë…….Secili grup ngujohet në kullë të ideve të veta. S’ka vend për shoshitje të kthiellta mendimesh. Kush nuk ndodhet i përfshim në një gji të grupit, ashtë anmik, njeri i urrejtshëm që duhet asgjësue, po qe e mundun, ose me e shnderue me akuza e shpifje shnjerzuese.”
Në një editorial tjetër, “Politika dhe Kultura”, të vitit 1965, duke shkruar për atdhedashurinë thotë: “Animirë, si mundet t’i thotë vetes “atdhetar”, ai bir Shqipje, që për arsye shkalle shoqnore, ja rrjedhimi shtëpijak, ja feje ja krahine, e shikon shtrembët dhe e mëninë bashkëgjaksin (bashkombasin) e vet a thue se Shqipnija nuk ashtë çerdhe e përbashkët, por llogor ku fati na dënon me kalue jetën? Pra, vetija e parë e një atdhetari qindron në dashuni për vëllaznit e një gjaku e të një gjuhe. Mos e mënijë atë edhe nëqoftse nuk të pëlqen…..po qe më i shkolluem ndriçoje, po qe ma i pasun ndihmoje….Tue përbuzun bashkombasin, cili do të jetë ai, dhe pa asnji bazë themelore, ti mohon mundësinë e bashkjetesës kombtare, vërteton fjalët e të huejve që s’na duen, e të cilët trumbetojnë se Shqiptaët s’janë të zotët t’i krijojnë vetes nji atdhe.”
Duke komentuar për kulturën politike të kohës por që pasqyron edhe gjendjen aktuale të politikës shiptare, ai thotë se “veprimtaria politike e cila nuk ndiçohet prej kulturës nuk ashtë gja tjetër veçse nji lojë kote, që argëton ndoshta ata që e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.”
Në një koment tjetër në Shëjzat e vitit 1969, Profesor Ernets Koliqi shkruan se, “Shqiptarët, pleq e të rij qofshin, ndër lëvizje turbulluese ideologjike, duhet të përpiqen me sjellë ujin në mulli të atdheut, tue u frymëzue nga mendime e idena shqiptare dhe jo prej atyne të marra nga të huajtë të cilët duen të ndreqin puntë e veta, e me zi ç’pressin të gjëjnë torollakë që ua a ngjesin falas dorën.’’
Dhe një kryeartikull drejtuar një të riu letrar, në një numër të Shëjzave të vitit 1970, Ernest Koliqi këshillon të rinjtë se si të gjitha kombet e tjera, edhe kombi shqiptar duhet t’i përshtatet zhvillimeve shoqërore të njerëzimit dhe tu bashkohet dialogjeve me përfaqsues qytetërimesh dhe kulturash të ndryshme, por ai thekson rëndësinsë e besnikërisë ndaj traditave dhe kulturës shqiptare në rend të parë, duke thënë: “Brigjet e Atdheut tonë të adhuruem njomen nga valet e kaltëra të Mesdheut, ku lulzuan besimet e qytetnimit që përfaqsohen në gjinden arbnore. Ashtë vetvrasje përpjekja me tha langjet ushqyese të qytetnimeve mesdhetare në rrajët e thella të kombësisë. Pranverat e reja të shqiptarizmit, prej atyne langjeve do të bijnë e do të hapen në mbrekulli gjethesh e lulesh. Vepra arti dalë nga mendja e zemra e Shqiptarit duhet të depërtohen nga fryma, nga ersimi i tokës s’onë, e të vrumulisin me fuqinë e humus-it të shqiptarizmit, humus ky i grumbulluem në shpirt e në gjak të fisit shqiptar gjatë mija vjetësh. “
Fjalët, veprat dhe shkrimet e Profesor Ernest Koliqit kanë qenë dhe janë visare të çmueshme dhe gjithnjë aktuale për kombin shqiptar. Duke lexuar shkrimet e tija të shfaqet pasqyra e pastër e patriotizmit dhe atdhedashurisë së tij, por edhe e shqetësimeve të tija të zemrës si një atdhetari, poet e shkrimtar, që vdiq në mërgim, i përbuzur dhe larg rrethit të familjes.
Le të shërbejë ky përvjetor, që më në fund, sipas akademikut dhe ekspertit të letërsisë shqiptare, kanadezit, Robert Elsie që , “Kritikët modernë në Shqipëri, të cilët vet kanë mbijetuar Stalinizmin gjysëm shekullor, të jenë më të kuptueshëm, më të arsyeshëm dhe më sensitivë ndaj kompromiseve, që shpesherë shkrimtarët dhe intelektualët janë detyruar të bëjnë nën urdhërat e regjimeve ekstreme. Si figurë letrare dhe kulturore, Ernest Koliqi ishte dhe mbetet një gjigant”, thotë Profesor Robert Elsie, në një shkrim për Ernest Koliqin.

Filed Under: Kulture Tagged With: 110 vjetori i lindjes, Ernest Koliqi, Frank shkreli

AMERIKA PËR ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT NË SHQIPËRI

May 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të Hënën që kaloi, më 6 Maj, Komisioni amerikan i Helsinkit mbajti një seancë ku zyrtarë të Departmentit të Shtetit, anëtarë të Kongresit dhe eskpertë të çështeve shqiptare diskutuan për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Seancën e hapi Senatori Ben Cardin , demokrat nga shteti Marilënd, i cili vuri në dukje se këjo ishte seanca e dytë për të diskutuar për një vend mik dhe aleat të ngushtë të Shteteve të Bashkuara dhe anëtar i OSBE-ës dhe njëkohsisht, një vend aleat i NATO-s. Duke thënë se seanca tjetër e Komisionit amerikan të Helsinkit ishte përqëndruar kohët e fundit mbi Hungarinë, Senatori Cardin theksoi se, “është e mundur që me vendet me të cilat jemi aleat dhe miq të ngushtë, të bisedojmë haptazi dhe sinqerisht në lidhje me përparimin e bërë në procesin e zgjedhjeve, në ndërtimin e institucioneve demokratike, si dhe mbi angazhimet ndaj OSBE-ës.” Qëllimi i kësaj seance, tha Senatori Cardin, është që të shprehim shqetsimet tona dhe të përpiqemi të gjëjmë mënyra pozitive për avancimin e duhur për zbatimin e parimeve të OSBE-ës. Këtë, tha ai, do ta bëjmë edhe me Shtetet e Bashkuara, kur mendojmë se ato nuk veprojnë në përputhje me parimet e OSBE-ës.
”Unë besoj”, shtoi ai, “se populli shqiptar meriton zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shqiptarët meritojnë zbatimin e parimeve dhe premtimeve të demokracisë, në kuptimin e plotë të fjalës, në përputhje me angazhimet e OSBE-ës.”
Anëtari tjetër i Komisionit amerikan të Helsinkit, Kongresisti Robert Aderholt republikan nga shteti Alabama, tha se në Shqipëri ka “mendje të ndritura si në radhët e shumicës ashtu edhe të pakicës, të cilët duan që vendi i tyre të shkojë përpara.” OSBE-ja tha ai i konsideron zgjedhjet e qershorit si shumë serioze dhe këjo seancë synon, shtoi ai, që të inkurajojë procesin, ashtuqë OSBE-ja të mund të thotë në fund të këtij procesi se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme.
Kongresmenët filluan dëshmitë duke ftuar Zevëndës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Filip Riker i cili foli për marrëdhënjet shumë të mira midis dy vendeve dhe identifikoi disa prej sfidave që mbeten, sidomos në lidhje me procesin zgjedhor. Z. Riker nënvijoi mbështetjen historike të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, duke filluar nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai përmendi periudhën e izolimit komunist duke thënë se ishte Zëri i Amerikës, ai që solli lajmet dhe informacionin, por edhe frymëzimin për liri e demokraci, një Shqipërie tepër tepër të izoluar.Ai nënvijoi mbështetjen e vazhdueshme të gjitha adminstratave amerikane –demokrate dhe republikane — për Shqipërinë, dhe theksoi rolin pozitiv që Tirana zyrtare luan në fushën ndërkombëtare, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë kontributet e mëdha që Shqipëria ka dhënë drejtë realizimit të objektivave të përbashkëta”.
Diplomati amerikan, gjatë dëshmisë së tij në Kongres, shprehu përkrahjen e SHBA-s për qendrimin e njohur tanimë të Komisionit Evropian se zgjedhjet e 23 qershorit janë një provë kritike për dhënjen Shqipërisë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian, duke cituar nga fjalimi i ish-Sekretares së Shtetit Hillari Klinton në Kuvendin e Shqipërisë se, “Shqipëria dhe Shqiptarët meritojnë vendin e tyre në familjen e kombeve evropiane”.Filip Riker, në emër të Departamentit të Shtetit dhe rrjedhimisht në emër të Shteteve të Bashkuara tha se, “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qendrimin e tyre se për zbatimin e standardeve ndërkombëtare, është i nevojshëm respektimi i pavarësisë së institucioneve, se diskursi politik duhet të mbetet konstruktiv dhe i qyterëruar dhe se populli shqiptar duhet të ketë besim në procesin si edhe në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, dhe shtoi se “Shtetet e Bashkuara janë posaçërisht të shqetësuara në lidhje me pavarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.”
Z. Riker tha se “udhëheqsit politikë të Shqipërisë duhet të bashkpunojnë, ata duhet të bëjnë kompromis”, ashtuqë ky institucion — që është përgjegjës për mbarvajtjen e zgjedhjeve — të forcohet dhe njëherazi të gjëndet një zgjidhje që bën të mundur që KQZ të ushtrojë mandatin e tij.”
Riker shtoi se, “ne kemi besimin se udhëheqsit shqiptarë do të bëjnë një gjë të tillë.” Diplomati amerikan , përgjegjës për politikën amerikane karshi vendeve të Ballkanit vazhdoi duke thënë se, “Mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet e 23 qershorit, do të jetë një treguesi rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë një sinjal të qartë se Shqipëria është gati për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian”.
Me një zë të patundur dhe të qartë, Filip Riker theksoi qendrimin amerikan duke thënë se ecuria e zgjedhjeve të 23 qershorit, “Do të ketë ndikim në marrëdhënjet tona dypalëshe me Shqipërinë.”
Në seancë mori pjesë edhe kongresmeni Eliot Engel, bashk-kryetar i Grupit të Çeshjteve Shqiptare në Kongres, mbështeti deklaratën e Z. Riker mbi zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri dhe si mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, ai iu drejtua klasës politike shqiptare me këto fjalë, ndër më seriozet, që kma dëgjuar prej tij: “Unë u bëj thirrje të gjitha partive politike që të zbatojnë premtimet që Shqipëria i ka bërë OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për fushatën që i paraprinë atyre. Zgjedhjet duhet të konsiderohen nga OSBE-ja si të lira dhe të drejta. Një gjë e tillë jo vetëm do t’u jepte legjitimitet rezultateve për elektoratin shqiptar dhe komunitetin ndërkombëtar, por do të ishte një mandate,ashtuqë që të gjitha partitë politike të pranonin rezultatet përfundimtare dhe të zënë vendet e tyre në parlament. Këjo fatkeqsisht nuk ka ndodhur në të kaluarën”.
Z. Engel u shpreh se “Amerika nuk ka miqë më të mirë se shqiptarët, pa marrë parasyshë se ku jetojnë ata në Ballkan. Ata kanë qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara dhe ne gjithmonë kemi qendruar pranë tyre.” Në këtë frymë, Eliot Engel, si mik i vjetër i shqiptarëve, me pasion u bëri thirrje politikanëve të pozitës dhe opozitës në Shqipëri që, ”të ushtrojnë kurajo politike dhe të bëjnë atë që është e drejtë për të ardhmen e vendit të tyre dhe të popullit të vet, që ata aspirojnë ta udhëheqin drejtë Bashkimit Evropian. Politikanëve, zyrtarëve qeveritarë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarëve të të gjitha niveleve në Shqipëri, u kërkohet që qershorin që vjen të bëjnë, as më shumë as më pak, se ç’pritet prej zgjedhjeve të vendeve të tjera, anëtare të komunitetit euro-atlantik.”
Kongresmeni Engel e pyeti diplomatin Riker nëse udhëheqsit politikë shqiptarë do të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, cila do palë të fitojë? Përfaqsuesi i Departamentit të Shtetit u përgjigj duke thënë se shpreson që zgjedhjet do të mbahen bazuar në ligjin dhe ashtu siç i ka hije një vendi anëtar i NATO-s. Politikanët shqiptarë, tha ai duhet të “tregojnë para popullit të vet, si edhe para aleatëve dhe para botës, se në të vërtetë, ata mund të bëjnë ato që pritet prej tyre dhe se janë të zotët të zbatojnë angazhimet e marra. Është detyra e udhëheqsve politikë që jo vetëm të sigurojnë ecurinë e rregulltë por edhe të pranojnë dhe të respektopjnë rezultatin.”
Zyrtari i lartë Riker përfundoi duke thënë se për Shtetet e Bashkuara, rëndësi ka procesi dhe jo se kush humb ose kush fiton, duke shtuar se, “Është e rëndësishme që të thuhet në këtë ambient të Kongresit se nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara, por edhe populli shqiptar, do të jenë shumë të zhgënjyer, nëqoftse ndodhin manipulime në zgjedhjet ose ushtrim presionesh mbi insitutcionet siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëqoftse ndodhë një gjë e tillë, ne nuk do qëndrojmë në heshtje”, paralajmëroi në dëshminë e tij në Kongres, diplomati amerikan Filip Riker.

Filed Under: Komente Tagged With: amerika, Frank shkreli, per zgjedhjet shqiptare

VOA shqiptare, një yll i largët i shpresës së lirisë për miliona shqiptarë

May 8, 2013 by dgreca

Fjalimi i gazetarit Frank SHKRELI, ish drejtor për Euro-Azinë, i cili punoi për 30 vjet në Zërin e Amerikës, me rastin e 70 vjetorit të seksionit shqip në Zërin e Amerikës, më 7 Maj 2013./

Mirëdita të gjithëve. Është bukur të shohësh të pranishëm kaq shumë miq dhe kolegë brenda dhe jashtë Zërit të Amerikës. Ashtu siç shumë nga ju e dini, unë praktikisht jam rritur në këtë ndërtesë. Prandaj kthimi këtu është gjithmonë një kënaqësi e madhe për mua. Është si të kthehesh në shtëpi.
Kam qenë i lidhur me seksionin shqip të VOA-s për rreth 25 vjet nga karriera ime 30-vjeçare këtu në Zërin e Amerikës, së pari direkt si një transmetues ndërkombëtar dhe Shef i Shërbimit dhe pastaj në mënyrë të tërthortë si Këshilltar Programi për Divizionin Evropian dhe si Drejtor i Divizionit Evropian, dhe seksioni shqip ishte një nga shërbimet nën mbikëqyrjen time.
VOA shqiptar pati një fillim shumë modest. Kur unë iu bashkova Shërbimit Shqiptar në qershor të vitit 1974, shërbimi ishte i vogël. Personeli përbëhej vetëm nga Shefi i Shërbimit dhe 4 gazetarë. Mosha mesatare e tyre ishte 62 vjeç, ndërsa unë isha 24 vjeç. Edhe pse i kisha kaluar testet e nevojshme të kualifikimit dhe u verifikova si i sigurt, nuk kisha asnjë ide se ku po hyja dhe gjatë viteve të mia të para aty, vazhdimisht e pyesja veten nëse kisha bërë zgjedhjen e duhur duke u bashkuar me Zërin e Amerikës.
VOA shqiptare e vogël, por guximtare u përball me mungesën e stafit për të paktën 45 vitet e para të historisë së saj. Duke pasur parasysh natyrën e regjimit komunist shqiptar, Shërbimi Shqiptar – ndryshe nga shërbimet e tjera të VOA-s që transmetoheshin në Evropën Lindore – nuk kishte asnjë lloj kontakti me audiencën e saj në Shqipëri. Për shkak të mungesës së stafit, na është dashur të punojmë shumë, shpesh pa ndalesë, shtatë ditë në javë për periudha të gjata kohore. Por gjithsesi kjo nuk ishte gjëja më e vështirë, ajo që ishte e vështirë gjatë këtyre viteve, ishte fakti se ne nuk kishim asnjë ide nëse dikush ishte duke na dëgjuar nga ana tjetër. Mbaj mend një prej kolegëve të mi, Xhevat Kallajxhi nga Gjirokastra, kur pasi mbaronim programin, ai kthehej nga unë dhe thonte: “E mo Shkreli, thua na dëgjoi njeri sot?”. Shqipëria ishte një shoqëri e mbyllur komuniste, si asnjë vend tjetër.
Dhe pastaj ndodhi çasti historik, Muri i Berlinit ra. Në marsin e vitit 1991, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike dhe atëherë për herë të parë, pas gati 50 vjetësh më në fund krijuam idenë që në të vërtetë ekzistonte një audiencë në Shqipëri, dhe ndoshta ishte një nga audiencat më të mëdha e transmetimeve ndërkombëtare. Ne mësuam për popullaritetin e madh të VOA-s Shqiptare gjatë vizitave tona në Tiranë – unë shkova me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit të Shtetit në Shqipëri në mars/prill të vitit 1991, dhe Elez Biberaj, shefi i Shërbimit në atë kohë, erdhi në Tiranë rreth një javë më vonë me delegacionin kongresional të Senatorit Dennis DeConcini.
Ka pasur shumë momente zbulimi të vërtetash dhe takimesh emocionuese për ne gjatë atij udhëtimi në Shqipëri, në fillim të vitit 1991. Por mendoj se, një nga momentet më të paharrueshme ka qenë kur anëtarët e të dy delegacioneve po bisedonin para hyrjes së hotel Dajtit të famshëm dhe papritur e papandehur, kalimtarët filluan të mblidheshin nga kurioziteti për të takuar vizitorët e rinj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kongresmenët tanë filluan të shtrëngonin duart me qytetarët e emocionuar të Tiranës. Në atë turbullirë, dikush duhet të ketë pëshpëritur emrin e Elez Biberaj, dhe ndërsa turma sa erdhi dhe u bë më e madhe, ata zbuluan se Elezi ishte në të vërtetë aty. Turma e zhurmshme ia plasi në ato momente një brohoritje spontane të përbashkët: “VOA-Bush, VOA-Bush”. Zoti Bush ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë në atë kohë.
Pasi turma filloi të shpërndahej, kongresmeni Bob McEuen nga shteti i Ohajos iu afrua zotit Biberaj, i cili ishte shef i Shërbimit Shqiptar, dhe i tha: “Ju keni bëri më shumë sesa kushdo tjetër për demokracinë në Shqipëri”.
Edhe pse kishim dëgjuar prej së largu që, gjatë transmetimeve të emisioneve të VOA-s rrugët e Tiranës ishin pothuajse bosh, sepse njerëzit qëndronin në shtëpi për të dëgjuar VOA-n në gjuhën shqipe, kjo vizitë na bindi se përkundër dënimeve të rënda të regjimit komunist për ata që dëgjonin Zërin e Amerikës – Shqiptarët, megjithatë ishin sintonuar në frekuencat e Zërit të Amerikës për dekada të tëra dhe në numër të madh. Ky trend ka vazhduar deri më sot, ku Shërbimi Shqiptar ende ka një audiencë mbi 50%.
Një faktor që e ka veçuar VOA-n shqiptare nga pjesa tjetër e shërbimeve gjuhësore këtu në Zërin e Amerikës, ishte audienca e madhe në numër. Mbaj mend që gjatë viteve ‘90, kur unë isha Drejtor i Divizionit Evropian, VOA shqiptare kishte arritur nivele të papara të dëgjueshmërisë dhe shikueshmërisë. Ajo kishte shkaktuar zili, jo vetëm tek shërbimet botërore në këtë ndërtesë, por edhe tek transmetuesit ndërkombëtarë në të gjithë botën.
Mbaj mend homologun tim për Evropën në BBC që më pyeste mua se, cili ishte sekreti i VOA-s në shqip- duke pasur parasysh numrin e madh të audiencës, siç tha ai,” që nuk është parë ndonjëherë në mesin e transmetuesve ndërkombëtarë”.
Për shumë vite, VOA shqiptare gëzoi dëgjueshmëri dhe shikueshmëri në rangun e 50-80 për qind, si në Shqipëri dhe në Kosovë.
Pra, kështu siç jemi mbledhur sot këtu për të festuar sukseset e VOA-s shqiptare gjatë 70 viteve të fundit, një fakt vendimtar për tu kujtuar është edhe rëndësia e VOA-s, si një organizatë, e cila me shërbime të tilla si shërbimi shqip, e ka mbështetur për dekada me radhë shprehjen e lirë, të lajmeve të pacensoruara dhe informimit të popujve në të gjithë botën që vuanin për median e lirë, ose që kishin media pjesërisht të lira. Para se Joe Biden të bëhej zëvendëspresident, si Senator, disa vite më parë, pikërisht në këtë sallë, na foli në lidhje me vlerën e transmetimeve ndërkombëtare duke thënë se, “Pasi provoi veten gjatë krizës së Kosovës, duke siguruar të vërtetën në lidhje me mizoritë në Kosovë. Fuqia e kësaj rrjedhë të qëndrueshme të së vërtetës është e qartë në situatën e shteteve diktatoriale: ata përpiqen të ndalojnë popullin e tyre të dëgjojë. Por siç kemi mësuar nga Lufta e Ftohtë, Perdja e Hekurt nuk ishte e padepërtueshme. Fjala e çau atë përmes. Audiencat që jetonin prapa Perdes morën zemër kur mësuan se bota nuk i kishte harruar ata”, tha zoti Bajden.
Amerika, përmes transmetimeve të VOA-s për 70-vjet, kurrë nuk e harroi popullin shqiptar, madje edhe në çastet e tyre më të errëta gjatë çmendurisë komuniste.
Miqë dhe kolegë të mi dua tu siguroj të gjithëve! VOA shqiptare për 70 vjet shërbeu si një yll i largët i shpresës së lirisë për miliona shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, dhe Kosovë, por në të gjithë Ballkanin. VOA shqiptare ka pasur një mision fisnik për avancimin e lirisë, dhe në mungesë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve për gati 50-vjet, VOA shërbeu edhe si ura e vetme ndërmjet popullit amerikan dhe atij shqiptar. Ajo ishte kështu, 70-vjet më parë, dhe kështu është edhe sot. Besoj se nuk është rastësi që shqiptarët janë ndër njerëzit më miqësor ndaj Shteteve të Bashkuara.

Por kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Gjatë Luftës së Ftohtë, VOA u denoncua nga komunistët si një zë kritik dhe në fakt si një zë “armiqësor” dhe “anti-revolucionar”, kundër komunizmit. Armiqësor sipas tyre, por për ne këtu, në Zërin e Amerikës, gjithçka që bëmë ishte vetëm në kërkim të së vërtetës dhe në mbrojtje të lirisë së njeriut dhe demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. Unë, si njëri prej atyre ish – “armiqve”, nuk kam ndërmend të kërkoj ndjesë për asgjë që kemi bërë gjatë gjithë historisë 70-vjeçare të VOA-s shqip.
Miqtë e mi dhe kolegë në Shërbimin e VOA-s shqiptare dhe në gjithë këtë organizatë, unë e di që shumica prej jush ndjehen si unë, që nuk ka nder dhe privilegj më të madh se sa të kesh pasur një karrierë që i ka shërbyer vendit tënd të adoptuar, këtij vendi të madh tonit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në procesin që ndihmoi vendin e origjinës sonë, në avancimin e të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë për të gjithë, si dhe mirëkuptimit ndërkombëtar. Misioni fisnik i Zërit të Amerikës vazhdon më tej, dhe unë jam krenar dhe i privilegjuar që kam qenë i lidhur me Zërin e Amerikës në përgjithësi dhe VOA-n shqiptare në veçanti, si dhe që kam punuar me kaq shumë prej jush për 30 nga këto 70-vitet e historisë së Zërit të Amerikës. Unë jam krenar për reputacionin dhe integritetin gazetaresk të VOA-s si një burim i besueshëm botëror për lajme dhe informacione, ashtu siç jeni dhe ju.
Pra, për 70 vitet e ardhshme, Zëri i Amerikës duhet forcuar dhe jo dobësuar, dhe gjatë këtij procesi bëjeni të ardhmen e VOA-s, të denjë siç ishte ato 70 vite që kaluan. Vazhdoni kështu më punën e mirë!

Unë ju uroj gjithë suksesin e mundshëm gjatë 70 viteve të ardhshme!

*Fjala e mbajtur gjatë 70 vjetorit të seksionit shqip në Zërin e Amerikës, më 7 Maj 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: fjalimi me rastin e 70 vjetorit, Frank shkreli, seksioni shqip, te Zerit te Amerikes

”JU FLET ZËRI I AMERIKËS”

May 8, 2013 by dgreca

Me rastin e 70-vjetorit të Shërbimit Shqip të VOA-s/
Nga Frank Shkreli*/

Ishte viti 1942. Lufta e Dytë Botërore ishte në kulmin e saj. Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi vend me rëndësi në atë kohë që nuk kishte një radio stacion për transmetime drejtuar botës së jashtme. Presionet e luftës dhe nevoja për ti shpjeguar kryesisht Evropës por edhe botës rolin e Amerikës në atë luftë, bëjnë që Shtetet e Bashkuara të inaugurojnë organin e parë të transmetimeve ndërkombëtare, të quajtur Zëri i Amerikës. Këjo radio filloi programin e parë prej 15-minutash në gjermanisht. Emisioni filloi me angazhimin drejtuar dëgjuesve, se “Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do të jemi me ju nga Amerika për të folur për luftën…..Lajmet mund të jenë të mira ose lajmet mund të jenë të këqia por ne Ne do tu themi të vërtetën”.
Një vit më vonë, më 1943, Zëri i Amerikës, përveç gjuhëve të tjera, fillon transmetimet e tija edhe në gjuhën shqipe. Këtë vit u mbushën 70 vjetë nga inaugurimi i transmetimit të parë me valë të shkurtëra në gjuhën shqipe. Për të festuar këtë jubilar, Drejtoria e Euroazisë dhe Seksioni i gjuhës Shqip i Zërit të Amerikës organizuan të marten një ceremoni ku ishin të ftuar presidentë, diplomatë dhe zyrtarë nga Shqipëria, Kosova dhe nga Maqedonia, anëtarë të Kongresit Amerikan si edhe personalitetete nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Ceremonia, që zgjati më shumë se dy orë, u mbajtë në sallën e madhe të selisë së Zërit të Amerikës në Uashington ku u mbajtën fjalime dhe u dorëzuan dekorime nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani për seksionin shqip të Zërit të Amerikës dhe për Dr. Elez Biberaj, ish-shefin e seksionit shqip të VOAs dhe tani drejtor
i Euroazisë pranë këtij enti.
Lista e personaliteteve që folën me këtë rast ishte e gjatë, duke filluar nga zyrtarët më të lartë të VOAs, përfshirë drejtorin e përgjithshëm Dejvid Ensor, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Filip Riker, fituesin e Çmimit Nobel për Mjekësi, shqiptaro-amerikani Dr. Ferid Murad. Përshëndetën gjithashtu edhe Kongresisti amerikan Eliot Engel, ish- senatori Denis Di Koncini, ish-ambasadori amerikan në Shqipëri Uiliam Rajerson, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Profesori Nikolas Pano i Universitetit Northuestern Illionoi dhe të tjerë. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe Presidentja e Kosovës, të cilët kishin dërguar përfaqsuesit e tyre të posaçëm për të marrë pjesë në këtë ceremoni, përshëndetën të pranishmit me video mesazhe. Presidenti shqiptar Nishani duke kujtuar këtë përvjetor tha se “Zëri i Amerikës na dha shpresë gjatë një periudhe të errët të historisë sonë.’’ Ndërsa Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha në video mesazhin e saj se, “Zëri i Amerikës ishte i vetmi zë që raportonte gjatë luftës në Kosovë si edhe për krizën e refugjatëve, e që mund të dëgjohej nga populli ynë. Shpresoj që Zëri i Amerikës të mos shuhet kurrë”, tha ajo.
Kongresisti Eliot Engel përshëndeti Seksionin shqip të Zërit të Amerikës për informimin e shqiptarëve, duke thënë se “Amerika ka gjithnjë nevojë për Zërin e Amerikës….’’, dhe ish-Senatori Denis Di Koncini shtoi se Zëri i Amerikës mbetet jetik për të transmetuar lajmet për popujt e rajonit dhe për të treguar se amerikanët kujdesen gjithnjë për ta’’. Profesor Nikolas Pano foli për rolin që ka luajtur Zëri i Amerikës në marrëdhënjet midis dy popujve, dhe ish-ambasadori amerikan në Tiranë Uilliam Rajërson kujtoi vizitën e ish- Sekretarit amerikan të Shtetit Xhejms Bejker duke thënë se pyetja e parë që i bëhej atij para vizitës së ish-zyrtarit të lartë amerikan ishte nëse Elez Biberaj, shefi i atëhershëm i Shërbimit Shqip,do vinte në Tiranë.
Ceremonia u mbyllë me një pritje koktej ku të pranishmit u shmallën me njëri tjetrin dhe shkëmbenin historira për rolin që ky institucion ndërkombëtar lajmesh dhe informacioni ka luajtur në periudha të ndryshme të historisë së kombit shqiptar gjatë 70-vjetëve të fundit. Zëri i Amerikës në gjuhën Shqipe, sipas një deklarate të VOAs, lëshuar për median me këtë rast, thotë se programet e VOAs në gjuhën shqipe mbeten gjithnjë edhe sot një prej programeve multimedia më popullore në Shqipëri ku tërheq 48% të shikuesve/dëgjuesve/lexuesve dhe shton se në Kosovë, 57% e të rriturve i marrin lajmet nga programet shqip të VOAs.
Në të vërtetë historia e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe është edhe një histori e kombit shqiptar por edhe e marrëdhënjeve shqiptario=amerikane, ashtu siç ishin gjatë 7-vjetëve të kaluara, nga Lufta e nxehtë e Dytë Botërore e deri tek mbarimi i luftës së Ftohët dhe çlirimit të Kosovës. Megjithëse nganjëherë i shtrydhur midis gazetarisë dhe diplomacisë, sidomos gjatë dekadave të para të ekzistencës së tij, Zëri i Amerikës, në radhët e Shqiptarëve por edhe në mbarë botën, brenda një kohe të shkurtër krijoi një reputacion si radio stacion lajmesh me integritet, në të cilin mund të vareshin dëgjuesit për saktësinë, gjithëanëshmërinë dhe objektivitetin. Gjatë dekadave të ekzistencës së tij, Zëri i Amerikës ka raportuar në mënyrë objektive mbi ngjarje të brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për fatin dhe të drejtat e Shqiptarëve kudo. Pothuaj nuk ka çështje që ka prekur ose që ka interesuar Shqiptarët që të mos jetë mbuluar nga Zëri i Amerikës. Gjithashtu, politikanët dhe personalitet më të ndryshme nga të gjitha fushat dhe trevat shqiptare pa dallim e kanë gjetur gjithmonë të hapur dritaren e Zërit të Amerikës për të shfaqur pikëpamjet e tyre mbi problemet e kombit shqiptar.
*Autori ka punuar për VOA-n për 30-vjetë, si gazetar, shef i Shërbimit Shqip si edhe ish-drejtor i VOA-s për Evropën.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: 70 vjetori i Zerit te Amerikes, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT