• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË KAPITULL I RI PËR ALEANCËN TRANSATLANTIKE NATO

January 26, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/ Ditën e betimit të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden dhe Zëvëndës presidentes Kamala Harris, më 20 Janar, 2021, Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës Transatlantike, NATO, Z. Jens Stoltenberg, në emër të Aleancës që ai drejton, uroi udhëheqsit e ri të Amerikës, duke u shprehur se, “Kjo ditë shënon një kapitull të ri për Aleancën transatlantike.” 

“Lidhja midis Amerikës së Veriut dhe Evropës është gurthemeli i sigurisë sonë dhe një NATO e fortë është mirë si për Amerikën e Veriut ashtu edhe për Evropën.  Për më shumë se 70-vjet, Aleanca jonë transatlantike ka garantuar lirinë, paqën dhe sigurinë për popujt tanë. Udhëheqja e SHBA” në NATO i ka shkruar Sekretari i Përgjithëshëm, Z. JensStoltenberg, Presidentit Joe Biden, “Mbetet thelbësore, ndërsa punojmë së bashku për të mbrojtur demokracitë tona, vlerat tona të përbashkëta dhe rendin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla dhe ligje.”  Në letrën e tij, drejtuar Shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, me rastin e inaugurimit të tij president i Amerikës, udhëheqsi i NATO-s përmendi disa prej sfidave me të cilat përballen, së bashku, aleatët e kësaj organizate ushtarake, sfida siç janë kërcënimi që paraqet Kina ndaj sigurisë botërore, terrorizmi, gjendja në Rusi, në Afganistan dhe në Irak.  

 “Askush prej nesh nuk mund të përballet me këto sfida vetëm, por së bashku në NATO, ne përfaqësojmë një miliard njerëz dhe gjysmën e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të botës.  Kështuqë, unë pres që të bashkpunoj ngusht me Presidentin Biden dhe ta mirëpres atë në Samitin e NATO-s në Bruksel më vonë këtë vit”, përqëndrimi i të cilit do të jetë nisma “NATO-2030”, me qëllim për ta bërë Aleancën tonë edhe më të fortë dhe më të aftë për tu përballur me problemet në të ardhmen, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Stoltenberg në urimin e tij drejtuar Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden.

            NATO Secretary General Jens Stoltenberg and then US Vice President Joe Biden at the Munich Security Conference in February 2015     (NATO Archive photo)

Siç duket, në një përpjekje për të siguruar pa vonesë aleatët e NATO-s për mbështetjen serioze të administratës së re amerikane ndaj Aleancës ushtarake transatlantike, edhe Sekretari i ri i Mbrojtjes në kabinetin e Presidentit Biden, Z. Lloyd J. Austin III, nuk humbi asnjë minutë, por me të arrijtur në Pentagon, ditën që emërimi i tij u miratua nga Senati, telefonata e tij e parë drejtuar një udhheqësi botëror ishte biseda me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg, për të rithekësuar rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë Aleancës NATO.  

Sipas një njoftimi nga Zyra e shtypit e Pentagonit, të dy udhëheqësit e lartë ushtarakë biseduan për rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, mbi gjëndjen aktuale të sigurisë në botë, mbi përpjekjet për të pasur një NATO të fortë në të ardhmen dhe mbi misionet e vazhdueshme të Aleancës në Irak dhe në Afganistan.  

Më vonë, udhdheqësi i Pentagonit, Z. Lloyd J. Austin III zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike edhe me Ministrin britanik të Mbrojtjes, Z. Ben Waallace. Sipas Pentagonit, dy zyrtarët e lartë të mbrojtjes amerikane dhe britanike ,“rithekësuan rëndësinë e marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve tona” dhe shkëmbyen mendime mbi përballimin me çeshtjet strategjike të interesit të përbashkët, përfshir kërcënimet nga Kina dhe Rusia.

Dy ditë para inaugurimit të Presidentit Joe Biden në Washington, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Jen Stoltenberg — në një takim virtual në Paris  ka folur për të ardhmen e NATO-s dhe për marrëdhëniet midis NATO-s dhe Amerikës – ndërsa është shprehur se, “NATO është e vetmja organizatë ku Evropa dhe Amerika Veriore bashkohen çdo ditë”, duke shtuar se kjo aleancë, “përbën një platformë unike”, e cila përdoret për të biseduar mbi çështje që i përkasin sigurisë së përbashkët në përgjithësi, çeshtje me të cilat — sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg — “As Amerika, as Evropa  nuk mund të përballen, vetëm”, me këto sfida pasi janë çeshtje që as njëra palë vetëm nuk mund t’i zgjidhin në mënyrë të kënaqëshme, pa bashkpunim dhe bashkrendim me njëra tjetrën. Sikur të dy palët donin të theksonin për botën rëndësinë e këtij bashkpunimi dhe hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe NATO-s,  njoftohet se sot Presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s zhvilluan një bisedë telefonike.  NATO – News: NATO Secretary General speaks with US President Biden, 26-Jan.-2021

Jam i bindur se Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Stoltenberg e di se Presidenti Joe Biden është një mbështetës i vjetër i Aleancës ushtarake NATO, si due i lidhjeve të ngushta të kësaj aleance me Shtetet e Bashkuara dhe të lidhjeve transatlantike në përgjithësi midis Shteteve të Bashkuara due Evropës.  Ekspertët besojnë se pas katër vjetë marrëdhëniesh të ftohta midis ish-administratës Trump dhe NATO-s, administrata e re në Washington e kryesuar nga Presidenti Biden pritet që të bashkpunojë ngusht me Sekretarin Stoltenberg dhe me NATO-n, në përgjithësi, për të forcuar mëtej lidhjet midis Amerikës veriore dhe Evropës.  Gatishmëria nga të dy palët, për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, vihet re nga komunikimet tepër të ngrohta dhe të sinqerta të ditëve të para midis udhëheqësve më të lartë të administratës së re në Washington dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Jens Stoltenberg. 

Ndoshta është e tepërt të thuhet se marrdhëniet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s janë edhe në interesin e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s, por edhe në interesin e Kosovës që aspiron antarësimin eventual në NATO.  Lidhjet e forta midis Washingtonit dhe NATO-s janë jetike edhe për interesat shqiptare në përgjithësi përfshir sigurinë due lirinë e tyre – kur të merret parasysh  ndërhyrja e kësaj organizate ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara – për herë të parë në historinë e saj – në luftën kundër Serbisë për të çliruar Kosovën*. 

*Ishte pikërisht 12 Prilli i vitit 1999, kur Këshilli i Aleancës së Atlantikut Verior, vendosi në një mbledhje të jashtëzakonshme në Bruksel mbi gjëndjen në Kosovë, objektivat e saja për çlirimin e Kosovës – objektiva të cilat disa ditë më vonë u miratuan nga udhëheqsit e shteteve dhe të qeverive në një mbledhje për këtë qëllim mbajtur në Washington – më 23 Prill, 1999.

Frank Shkreli


A US F-15E Strike Eagle takes off.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, kapitull i ri, Washington- NATO

PRESIDENTI DR. IBRAHIM RUGOVA, UDHËRRËFYESI I KOMBIT

January 21, 2021 by dgreca

ME RASTIN E 15-VJETORIT TË KALIMIT NË AMSHIM /

Nga Frank Shkreli/

Sot në 15-vjetorin e shkruarjes në amshim të Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, Kombi shqiptar e kujton atë si një udhëheqës ndryshe, si një udhëheqës i cili nuk humbi asnjëherë rrugën drejtë pavarësisë së Kosovës dhe realizimit të objektivave kombëtare. E kujton atë sot si udhërrëfyesin e Kombit.  E kujtojmë si diellin që gjatë viteve të kalvarit të Kosovës – kur për të dhe për bashkpuntorët e tij të ngushtë, ishte shumë lehtë që ai humbte shpresat dhe guximin nga vranësitë ndër më të errëta që kishin mbuluar ndonjëherë jetën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe  të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, të cilët ndjeknin me mërzi tepër të madhe kalvarin neper të cilin po kalonte Kosova. 

Fatkeqësisht, Presidenti Rugova iku nga kjo botë tepër heret, atëherë kur Kosova dhe Kombi kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqert, për një zëdhënës dhe për një përfaqsues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perendimore të shqiptarëve– pas një periudhe të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli, të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht — të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve.  

15-vitet e fundit të jetës së Dr. Ibrahim Rugovës ishin vendimtare në historinë e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Ishte një periudhë historike që kërkonte guxim e vendosmëri – bërtiste për një udhëheqës ndryshe për shqiptarët.  Presidenti Rugova shpesh thonte se gjatë historisë, Kombi ka patur shumë dështime megjithë përpjekjet e mëdha dhe flijimet e patriotëve shqiptarë që nga periudha e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut e deri tek rilindasit, në fillim të shekullit të kaluar.  Megjithë këtë histori kombëtare vuajtjesh dhe deshtimesh për liri, përfshir vuajtjet e tija personale dhe familjare, Dr. Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u dmeoralizua, nuk humbi shpresë as nuk ndërpreu përpjekjet e tija për lirinë e popullit të vet, por përdori çdo rast që i paraqitej, sidomos me të huajt, që të shpjegonte vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kombit shqiptar gjatë shekujve, por njëkohësisht edhe të lartësonte emrin dhe vlerat e Kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur, duke ndërkombëtarizuar,  përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi si dhe vuajtjet shekullore të shqiptarëve nga shtet terrorist serb. 

Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë që ai e artikulonte edhe me miqët perendimorë, sidomos me përfaqsues amerikanë — për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre 30-viteve të fundit, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar, nëqoftse dëshironte të hynte, ndërshmërisht, në radhën e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge për shqipztarët e sidomos në mbështetjen e të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar  në aleancat me vendet perëndimore, sipas tij, aty ku e kishin vendin e vet shqiptarët. 

Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se, natyrisht, që trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur — mbi të gjitha — edhe nderin due respektin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm edhe për sot në këtë 15-vjetor të vdekjes së tij— sidomos për politikanët e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Kjo është dhe mbetet edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e këtij 15-vjetori të vdekjes së tij – përfaqësimi me nder, burrëni dhe respekt i të drejtave dhe pëgjegjësive kombëtare, duke qenë i bindur në drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve, përball shtypjeve dhe terrorizmit shekullor sllavo-serb ndaj shqiptarëve autoktonë.  

Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – nga fundi të viteve 80-ta të shekullit të kaluar — ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga idealet e tija.  Megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballej ai dhe populli i tij, Dr. Ibrahim Rugova nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekjet e tija dhe as nga bindja e tij se me ndihmën e miqëve historikë perëndimorë të shqiptarëve, Kosova, do të çlirohej nga zgjedha serbe dhe se më në fund do të fitonte lirinë dhe do të siguronte edhe pavarësinë e saj.  Ç’prej fillimit, ai e kishte shumë të qartë objektivin përfundimtar për Kosovën si dhe mënyrat për realizimin e këtij objektivi.

Fatkeqësisht, ai vdiq pa qenë dëshmitar i shpalljes dhe i njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën e përfundote me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”.  Por epopeja e Rugovës nuk ka vdekur me të.  Edhe në këtë 15-vjetor të kalimit të tij në amshim –ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar – ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi historik të një Kombi edhe pas shkuarjes së tij në amshim.   Një udhërrëfyes, ose një, “Hero kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”, siç e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, Ish-Zëvendës Presidenti i Amerikës, gjatë një vizite në Kosovë në gusht të vitit 2016 – Z. Joe Biden, sot Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  

 Frank Shkreli 

Autori duke bërë nderimet e fundit si përfaqësues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, para arkivolit të Presidentit Ibrahim Rugova, të mbuluar me lule e flamur — Prishtinë, Janar 21, 2006

Filed Under: ESSE Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA, Frank shkreli, presidenti

JOE BIDEN (XHO BAJDËN) PRESIDENTI I DYTË KATOLIK NË HISTORINË E SHTETEVE TË BASHKUARA

January 17, 2021 by dgreca

 NGA FRANK SHKRELI/

Ditën e mërkurë me 20 Janar, 2021, në mesditë, Joe Biden betohet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Z. Biden do të jetë presidenti i dytë katolik në historinë e këtij vendi, që do të shërbejë si President i Amerikës.  Presidenti i parë që i përkiste fesë katolike ka qenë John F Kennedy, i cili pikërisht në këtë ditë — 60-vjetë më parë — me dorën e tij të djathtë mbi Bibël u betua se do të zbatonte dhe do të “mbronte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara nga armiqët e brendëshëm dhe të jashtëm”.  

Megjithëse, katolikët amerikanë përbëjnë grupimin e dytë më të madh fetar në k;t; vend, pas protestanëve — për një kohë të gjatë kishte një paragjykim ndaj tyre ndërsa mendohej, gabimisht, se një politikan katolik amerikan mund të ishte më besnik ndaj Papës se sa ndaj Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Por ishte Presidenti John F. Kenendy ai i cili, si të thuash, e zhduku këtë paragjykim fetar nga mentataliteti historik i shumicës protestane amerikane ndaj politikanëve katolikë që synonin karrigën e Presidentit të Amerikës.   

Gjatë fushatës për president 60-vjetë më parë, John F. Kennedy i kishte siguruar votuesit amerikanë për qëndrimin dhe besimin e tij të palëkundur për ndarjen e kishës nga shteti.  “Unë nuk jam kandidati katolik për president”, kishte deklaruar ai në atë kohë, “Por jam kandidati i Partisë Demokrate për President, që njëkohësisht, i përkas fesë katolike. Unë nuk flas në emër të Kishës për çështje publike dhe Kisha nuk flet për mua.”  Historianët janë dakort se gjatë 1000-ditëve të presidencës së John F. Kennedy, feja e tij katolike nuk ka pasur asnjë ndikim në vendimet e tija politike dhe publike gjatë jetës së tij politike.  Për më tepër, për gjashtë dekadat e kaluara, ç’prej inaugurimit të Presidentit John   F. Kennedy e këndej, asnjë kandidat katolik për president të Amerikës nuk është kundërshtuar nga shumica protestane, si rrjedhim i pikëpamjeve fetare ose praktikimit të besimit katolik. 

See the source image

   John F. Kennedy, presidenti i parë katolik në Amerikë i zgjedhur në vitin 1961

Kështu ndodhi edhe me kandidatin e Partisë Demokrate, Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar: përkatësia e tij fetare katolike nuk u përmend asnjëherë gjatë fushatës presidenciale, as nga kundërshtarët e tij politikë as nga media, megjithëse ish-Senatori Joe Biden njihet botërisht, jo vetëm si anëtar i Kishës Katolike, por edhe si praktikues i rregullt dhe i devotshëm i këtij besimi.

Ata që e njohin mirë Z. Biden thonë se feja katolike është pikë referenca e tij thelbësore se si e shef ai botën në përgjithësi. Sipas burimeve të ndryshme, ai mban rruzaren në xhep dhe merr pjesë në meshë çdo të djelë, megjithse mban disa pikëpamje që ndoshta nuk përputhen me doktrinën kishtare, siç është çeshtja e abortit – diçka që ai e kundërshton personalisht, por nuk beson se duhet të imponohet ligjërisht.  

Në fjalimin me rastin e fitores së tij në detyrën më të lartë të vendit, pasi u shpall fitues i zgjedhjeve Nëntorin e kaluar në Amerikë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden nuk hesitoi aspak t’i referohej rolit që mund të luaj besimi i tij në kryerjen e detyrës më të lartë të këtij vendi, duke thekësuar se ai do të jetë, “president që nuk kërkon të përçajë, por të bashkojë njeërzit”.  Duke cituar një paragraf nga Bibla, Z. Biden u shpreh se, “Për gjithçka ka një stinë: ka një kohë për të ndërtuar, një kohë për të korrur frytet; një kohë për të mbjellur dhe një kohë për të shëruar plagët”, duke shtuar se, “Tani është koha për të shëruar plagët dhe për të pajtuar Amerikën”.

Presidenti i ardhëshëm i Shteteve të Bashkuara, Z. Biden përfundoi fjalimin e tij me një thirrje për unitet duke cituar fjalët e himnit katolik “On Eagle’s Wings”, (Në krahët e Shqiponjës), me qëllim për të nënvijuar mesazhin e tij për bashkim dhe pajtim kombëtar. “Dhe tani, së bashku mbi krahët e shqiponjës, ne fillojmë detyrën që Zoti na ka thirrur të bëjmë, me kurajo, besim dhe me duar të qendrueshme, me besim në Amerikën dhe në njëri tjetrin, me dashuri për Atdheun dhe me punë për drejtësi dhe përgjegjësi individuale e shoqërore – Le të punojmë për një komb të bashkuar, për një komb të fortë dhe për një komb të pajtuar”, ka thënë në fjalimin e tij, Z. Biden. 

Udhëheqsit e Kishës Katolike në Shtetet e Bashkuara — përfshir Konferencën e Ipeshkvënore të Amerikës, e cila përfaqëson të gjithë ipeshkvijtë katolikë amerikanë due jurisdikcionet e tyre — e pritën mirë fitorën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe zevendës-presidentes Kamala Harris dhe u bënë thirrje udhëheqësve politikë, “Që të bashkohen në frymën e unitetit kombëtar dhe të angazhohen për dialog dhe kompromis, për të mirën e përbashkët.”

Në një editorial redaksional, revista e njohur katolike, “America” që botohet nga jezuitët amerikanë, komenton në numrin e muajit të kaluar, se fituesi më i madh i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ishte populli amerikan dhe shton se një shumicë e qartë e votuesve amerikanë i dha Z. Biden një mandat të bindshëm.  Një mandat, sipas revistës në fjalë, “Për të riparuar marrëdhëniet shoqërore të kombit, për të shëruar plagët dhe për të na bashkuar të gjithëve si pjesë e një kombi”. Por Z. Biden nuk ka, sipas redaktorëve të revistës jezuite, “America”, “një mandat për të vendosur një rrregull të ri legjislativ radikal në vend…Shumë votues madje edhe republikanë dhe të pavarur kanë votuar jo për partinë (e Z. Biden) por për vendin e tyre.  Z. Biden dhe kolegët e tij demokratë duhet të qeverisin duke mos harruar këtë fakt”, porosit revista në editorialin mbi fitoren e Z. Joe Biden.

Revista e njohur katolike e jezuitëve amerikanë, “America”, i bën thirrje gjithashtu presidentit të dytë katolik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të “shërojë plagët” dhe të punojë për drejtësi sociale.  Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një udhëheqës, thuhet në komentin redaksional të kësaj reviste prestigjoze katolike amerikane, ndërkohë që i kërkohet presidentit të ardhëshëm amerikan që të mbajë premtimin e dhenë prej tij se do të jetë, “President i të gjithë amerikanëve” pa përjashtim dhe se do të qeverisi, sipas fjalëve të Abraham Lincolnit, “Me keqdashje ndaj askujt dhe me bamirësi e dashamirësi për të gjithë”.

Si çdo president tjetër i Amerikës para tij, edhe Presidenti Joe Biden — pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare — pas betimit të tij të mërkurën, ai dhe administrata e tij do të gjykohen dhe vlerësohen, jo për fjalët e bukura dhe deklarata të fushatës, por për veprat konkrete dhe për angazhimet serioze gjatë mandatit të tij, të cilat duhet të çojnë drejt një pajtimi dhe uniteti më të fortë të vendit, duke pasur në qendër të vëmendjes periudhën kritike që po përjeton, aktualisht, vendi ynë si dhe pasojat, afat gjata dhe afat shkurtëra, të ngjarjeve të fundit në Washington.

Frank Shkreli

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Joe Biden, Katolik ne SHBA, Presidenti i dyte

MIRËNJOHJE PËR MËSUESIT E SHKOLLËS SË PARË NË GJUHËN SHQIPE NË RRETHIN E ULQINIT

January 10, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Kohët e fundit më ra në dorë libri monografi — Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” 1869 –2019 Katërkollë — e autorit Rexhep Lleshi, botuar në Maj të vitit 2019 në Ulqin.  Autori i librit, Rexhep Lleshi është një ndër veteranët e arsimit të Anës Malit në rrethin e Ulqinit — jo vetëm si mësimdhënës por edhe njëri prej udhëheqësve në këtë fushë, i cili ka shërbyer edhe si drejtor i shkollës fillore, që mban emrin e “Bedri Elez Aga” — shkolla e parë shqipe në këto troje shekullore shqiptare (1941-1943), për fshatrat Katërkollë, Selitë, Krythë,  Sukubinë, Amull e të tjera.

Në parathënjen e redaksisë thuhet se në monografinë kushtuar shkollës së parë shqipe në këto troje, autori ka përdorur dokumentacione arkivore të shkollës dhe të shtetit, akte, libra të botuar për këtë histori si dhe revista, fotografi dhe deklarata gojore të pjesëmarrësve që kanë luajtur role me rëndësi në mirëvajtjen e kësaj shkolle gjatë dekadave, disa prej të cilëve jetojnë ende.  Përveç rrjedhës historike të arsimit në këtë trevë shqiptare gjatë dekadave, libri “Shkolla Fillore Bedri Elezaga”, përshkruan gjithashtu edhe historinë dhe gjeografinë e rajonit që mbulonte kjo shkollë, në rrethin e Ulqinit.  Në 15 kapitujt e librit flitet për periudha të ndryshme të historikut të shkollës para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Por, për qëllime të këtij shënimi, unë do të përqëndrohem në kapitullin e pestë të librit që mbulon periudhën e vitit 1941-19143, një periudhë kjo që edhe sipas vet autorit, Rexhep Lleshit, është një periudhë që për arsye politike, “është lenë pa u përmendur deri në ditët e sotëme, e që përkon me vendosjen e parë të kurrikulës dhe punës sipas planprogramit (terësisht) në gjuhën shqipe”.   Materialin për këtë kapitull të librit mbi shkollën e parë në gjuhën shqipe në rrethin e Ulqinit, autori e bazon në “fakte të dokumentuara nga arkivat, nga fotografi, dëftesa dhe gojëdhëna nga ish-nxënsit e diplomuar nga kjo shkollë”, e të cilët më vonë kanë dhënë mësim në këtë ent arsimor.  

Autori pranon se kjo periudhë është e varfër nga pikëpamja e dokumentacionit, pasi për arsye politike që dihen, thotë se “nuk janë ruajtur dokumente pedagogjike shkollore mbi veprimtarinë e kësaj shkolle.  Por, autori përfshin disa dokumentacione shtesë në lidhje me shkollën e parë shqipe në rrethin e Ulqinit në vitet 1941-1943, duke zbardhur mëtej një histori të zhvillimit të arsimit shqip gjatë këtyre viteve, anë e mbanë trojeve autoktone shqiptare, përfshir rrrethin e Ulqinit.  “Nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, nën okupimin Italian, përkundër rrethanave që çonin drejt një gjëndjeje të rëndë jetësore, në vitet shkollore 1941/42 e 1942/43 Ministria e Arsimit e Shqipërisë — ashtu si edhe në vendet e tjera me popullësi shqiptare, edhe këtu në Anë të Malit të rrethit të Ulqinit – (ajo Ministri dërgon mësues të rinjë me bazë pedagogjike të përgatitur për punë me nxënës në gjuhën shqipe.  Kështuqë, për herë të parë mësimi organizohet dhe zhvillohet në gjuhën amtare shqipe”, shkruan autori i “Librit Shkolla Fillore Bedri Elezaga”.   

Mësimet, sipas të dhënave, u organizuan për nxënësit e disa fshtarave për rreth, përfshir Katërkollën, Ambullin, Brajshën, Këllëznën e poshtme, Selitën dhe Shasin, fillimisht, gjithsejt me rreth 30 nxënës në objektin shkollor në Katërkollë, tani shkolla e vjetër.  Në këtë kapitull jepen edhe emrat e nxënsëve të parë të shkollës shqipe dhe mësuesëve të parë të ardhur nga Shqipëria me urdhër të Ministrit të Arsimit të Shqipërisë, mësues si Prenkë Jakova, Viktor Kiçi dhe Prek Shiroka nga Shkodra, për vitin 1942/43.  Autori thekson se mësuesit kishin për detyrë zhvillimin e mësimit të rregullt e të punëdorës me nxënësit, por edhe organizimin e kurseve kundër analfabetizmit me njerëz më të moshuar. Ndërsa përgjegjës i këtyre shkollave ishte Jahja Domnori nga Shkodra, një mësues me përgatitje shkencore e kulturore, ndërkohë që shërbente edhe si drejtor i shkollës fillore në Ulqin. 

See the source image

Ish-Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi i           Prenkë Jakova, babai i operas shqiptare, 

akuzuar dhe i mohuar nga vendi i tij            viktimë e “revolucionit kultural”kinezo/enveristi 

       Fotot nga libri i autorit Rexhep Lleshi, “Shkolla Fillore Bedri Elez Aga”, mësimdhënsit e dërguar në Anë të Malit në rrethin e Ulqinit nga Ministria e Arsmit e Shqipërisë 1941-43), që në atë kohë drejtohej nga Profesor Ernest Koliqi

Nxënësit kl. I dhe mësuesi Prenkë Jakova, para gërmadhës së Kishës së Shën Gjonit në Shas – monument i lashtë i kulturës shpirtërore iliro-arbërore – afër shkollës së parë shqipe në Katërkollë –

Megjithëse jetojmë në një periudhë “lirie e demokracie”, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, të pakën komunizmit zyrtar enverist dhe atij jugosllav, gjithnjë ekziston një heshtje zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë për këtë periudhë historike të arsimit shqiptar, kur u hodhën hapat e parë dhe të pazevëndsueshëm të mësimit të gjuhës shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare, nga Sanxhaku, në Kosovë e deri në Manastir, Ulqin e Çamëri.  Ishte një periudhë kur Ministria e Arsimit të Shqipërisë, e drejtuar nga Ministri Ernest Koliqi, kishte vendosur të dërgonte nga Shqipëria, në krahinat me popullsi shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, rreth 400 mësues për hapjen e një numri të madh shkollash fillore e të mesme në trojet shqiptare.

Nuk e di se pse heshtet gjithnjë për të vërtetat e kësaj historie. Si një ish-nxënës I mësuesev të mi që kanë marrë mësimet e para nga këta arsimtarë të ardhur nga Shqipëria në vitet 1941/43, më vjen shumë keq për këtë heshtje zyrtare, pasi brezi im dhe shumë të tjerë kemi përfituar aq shumë nga këta patriotë të vërtetë, të cilët përball mundimeve dhe sakrificave të mëdha dhe kushteve jashtzakonisht shumë të vështira veprimi — me një atdhetarizëm të vërtetë due përkushtim shqiptarizmi, përhapën gjuhën, kulturën dhe historinë në rininë shqiptare të asaj kohe duke hedhur, për herë të parë, bazat për zgjimin dhe forcimin e identitetit kombëtar në trojet shqiptare.  Unë dhe brezi im si dhe breza të tërë pas nesh, kemi përfituar nga nxënsit e parë vendas të këtyre mësuesve të dërguar nga Shqipëria, të cilët vite më vonë u bënë mësuesit tanë. Nuk di se ku do kishim përfunduar — unë dhe brezi im – pa kontributin e këtyre burrave më të mirë të Kombit.  Për hir të punës së tyre, shumë prej nesh flasim dhe shkruajmë sot shqip. Prandaj, kontributi i tyre duhet të pranohet zyrtarisht dhe të kujtohet si një kapitull i ndritur në historinë e arsimit kombëtar. Libri i Rexhep Lleshit është një vepër e rëndësishme për të mos harruar kontributin e tyre historik.  Si të tillë, të gjithë këta meritojnë falënderimet tona dhe mirënjohje të thellë kombëtare për kontributet e tyre dhe jo heshtje dhe abuzim të vazhdueshëm nga Tirana dhe Prishtina zyrtare.  Heshtja ndaj punës dhe kontributit të tyre nuk na nderon si komb!

Autori Rexhep Lleshi shkruan se gjatë historisë së saj emri i kësaj (Bedri Elezaga) është ndryshuar disa herë.   Bedri Elezaga mund të ketë meritat e tija dhe mund të nderohet ndryshe, por nuk besoj që ai të ketë merita në fushën e arsimit dhe aq më pak në zhvillimin dhe program mësimin shqip në shkollat e Anës së Malit, në rrethin e Ulqinit. Prandaj, besoj se sot do të ishte me vend që këta burra të arsimit shqiptar në trojet tona që hoddhën themelet e para të gjuhës shqipe në ato troje – jashtë konsideratave politiko-ideologjike të së kaluarës — të kujtohen duke i ndryshuar emrin kësaj shkolle dhe t’i jepet emri i njërit prej atyre burrave të guximshëm që urdhëruan hapjen e saj në gjuhën shqipe ose të ndonjërit prej mësuesve të parë që kanë dhenë aty mësim në shqip, siç ishte i madhi Prenkë Jakova. 

Kujtesa dhe “Mirënjohja na ndihmon të kuptojmë më mirë të kaluarën tonë, sjell paqe për sot dhe krijon një vizion për të ardhmen”, ka thënë autorja amerikane Beattie Melodi.

Frank Shkreli

                     Disa prej këtyre mësuesve ishin edhe mësuesit e mi, përfshir mësuesin e klasës së parë, Halit Avdiqin – I përjetëshëm qoftë kujtimi i tyre. 

….

Qamil Junuzi – Shas: Dëftesa e tij e klasës së I dhe III – e lëshuar nga Prefektura Shkodër – Rrethi i Ulqinit — kur ishte bashkë Shqipëria — sa bukur tingëllon në veshë!   

Shkolla e vjetër në Katërkollë, simbol i dijes dhe vetëdijes – e para shkollë shqipe në rrethin e Ulqinit, me urdhër të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, 1941/1943

Një grup nxënsish të Shkollës Bedri Elezaga, viti shkollor, 1964/65.  Autori i këtij shkrimi, i pari (ulur), nga e djathta

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Mesuesit e shkolles, se pare ship

Përgjithmonë mirënjohje për Kongresistin Eliot Engel

January 4, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/ Kongresisti dhe miku i madh i shqiptarëve, njëri prej mbështetevse më të dalluar në Kongresin amerikan të të drejtave të shqiptarëve kudo, Eliot Engel, i dha fund karierës së tij politike në Washington, si anëtar i Kongresit dhe Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Punët e Jashtme, pas 32 vjetësh në Kongresisn e Shteteve të Bashkuara, i votuar për 16 mandate nga votuesit në zonën elektorale numër 16 në New York , për herë të parë në moshën 41 vjeçare.

Në fjalimin e tij lamtumirës që e mbajti në Kongres me 17 dhjetor, Eliot Engel tha se ishte tepër i nderuar që ka shërbyer si anëtar dhe veçanërisht, vitet e fundit, si kryetar i Komisionit të Jashtëm të Kongresit. Ai, në fjalën e tij, rrëfeu se kur e kishte filluar karieren e tij në Kongresin amerikan, në vitin 1989, Kryetari i atëhershëm i Kongresit, Tom Foley, i kishte kërkuar që të jepte tri preferencat e tij se në cilin komision të Kongresist do të dëshironte të shërbente. Ai tha se përgjiga e tij kishte qenë se dëshironte vetëm të shërbente në Komisionin e Jashtëm të Kongresit, me shpresë se, eventualisht, do të caktohej anëtar i këtij komisioni.

Ai tha se qysh në rini kishte zhvilluar një interesim për çështje ndërkombëtare, kryesisht për arsye të origjinës së tij. Ai tregoi se gjyshërit dhe gjyshet e tij ishin imigrantë nga Ukraina, të cilët kishin emigruar në Amerikë për të shpëtuar jetët e tyre dhe të familjes, përndryshe me siguri do të ishin zhdukur në holokaustin e Luftës së Dytë Botërore.

“Amerika ka qenë dhe është një strehim për njerëzit e vuajtur”, theksoi Engel.

Ai kujtoi vitet e fëmijërisë dhe ditët studentore në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur mësonte për Amerikën, si një fener i lirisë dhe demokracisë në botë, për të luftuar dhe për të kundërshtuar regjimIn dhe ideologjinë komuniste shtypëse. Por, bindjet e tij u formuan gjatë viteve të rinisë së tij nga babai i tij, një antikomunist i përbindur.

Engel tha se ka besuar dhe beson se Amerika mundet dhe duhet të jetë një forcë për të mirën në botë dhe se beson bindshëm në vlerat amerikane që mbështesin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor, kudo në botë.

Ishin këto vlera dhe bindje që në vitin 1989 e bënë kongresistin e ardhshëm që të interesohej për të drejtat dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Në fjalimin e tij lamtumirës në Kongres, Zoti Engel përmendi shumë nga arritjet dhe sukseset në karierën e tij 32-vjeçare në fushën e politikës së brendshme dhe të politikës së jashtme, duke e filluar listën e gjatë me interesimin dhe veprimtarinë e tij për çeshtjen e Kosovës, si një prej çështjeve ndërkombëtare, për të cilën qysh prej fillimit mendonte të luante një rol “për të ndryshuar gjendjen” për të mirë atje, siç u shpreh ai.

Në fjalimin e tij, z. Engel e përmendi mikun e tij prej dekadash dhe aktivistin e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, z. Harry Bajraktari, njeriun që e kishte njoftuar për gjendjen e rëndë në Kosovë, në atë kohë, njeriun që e njohu me komunitetin shqiptaro-amerikan, komunitet ky që do t’i qëndronte pranë dhe do ta mbështeste deri në ditën e fundit të karierës së tij.

Kongresisti Engel ishte dhe vazhdon të jetë ndër ata politikanë amerikanë që beson se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë në krye të përpjekjeve në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë.

“Unë gjithmonë e kam pasur një vend të veçantë në zemrën time për Ballkanin, në veçanti për Kosovën”, nënvijoi z. Engel, në fjalimin e tij lamtumirës, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

“Në vitin 1999, unë e kam mbështetur fuqimisht ndërhyrjen e Administratës së Presidentit Klinton në Ballkan, ndërhyrje që tashmë e dimë se ka parandaluar një gjenocid të vërtetë. Që atëherë, unë kam vazhduar të jem një kampion i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Ai vend ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe tani Kosova njihet nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”, tha Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës.

  1. Engel i tha gazetës “The Washington Post“ se angazhimi i tij për Kosovën ishte angazhim “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës”.

Në qoftë se më lejohet një shënim personal me këtë rast, pasi kam pasur nderin dhe privilegjin ta njihja nga afër, por edhe të punoja me z. Engel dhe me stafin e tij, sidomos gjatë kohës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Unë e kam njohur Z. Engel si njërin prej antarëve më të vendosur dhe më parimorë të Kongresit amerikan kur vinte puna tek Kosova dhe çështjet shqiptare në përgjithësi.

E kam thënë edhe herë të tjera se është e vërtetë se, sidomos gjatë 50 vjetëve të fundit, shqiptarët kanë pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane, nga të dyja partitë kryesore – republikanë e demokratë – nga presidentë e senatorë e deri tek kongresmenë, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve, kur shqiptarët ishin në një prej orëve më të zeza të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur ta vemë në dukje, nga koha në kohë. Por, mund të them me bindje të plotë se, asnjë politikan amerikan tjetër, me gjithë qëllimet e mira dhe punën e tyre të mirë që kanë bërë për shqiptarët ndër vite, nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel, i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin më të madh – si një kauzë të tij morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, si çështje të lirive dhe të drejtave themelore dhe të dinjitetit njerëzor.

Thonë se mënyra më e mirë që ta njohësh dikë është të udhëtosh me të. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC), gjatë mandatit tim, kishte vendosur që së bashku me zyrën e Kongresistit Eliot Engel të bënte një turne në trojet shqiptare, për t’u njohur më mirë me problemet e shqiptarëve në trojet e veta. Vizita, e vetmja e këtij lloji për të cilën gazeta Illyria e Nju Jorkut, (shiko foton më poshtë) pat botuar një kronikë të gjatë me foto nga takimet e shumta të delegacionit të (KKSHA) dhe Kongresistit Eliot Engel me udhëheqësit shqiptarë, i pat bërë një jehonë shumë pozitive në Shqipëri, në Kosovë dhe në Mal të Zi, nga data 2 deri më 10 korrik 2005. Në atë kohë, Kongresisti Engel e kryesonte grupin e interesave shqiptare në Kongres (Albanian Caucus) me anëtarë demokratë dhe republikanë. Duke u këthyer nga vizita që bëmë në trojet shqiptare, ndodhi që, në në fund të vizitës, në Aeroplan në rrugë për në Nju Jork të isha vetëm unë me Zotin Engel dhe me djalin e tij, ashtu që pata mundësi të bisedoja gjerë e gjatë për hallet tona, në një atmosferë më të relaksuar dhe joformale. Më kujtohet se me atë rast më ofroi ndihmën e tij të pakursyer, sidomos për marrëdhëniet e KKSHA-s me Kongresin, duke më thënë se zyra e tij ishte e hapur për mua, si drejtor i NAAC-ut, dhe se stafi i tij në Washington dhe në Nju Jork do ishin gjithmonë në dispozicionin tim, kurdo që të kisha nevojën e tyre, si organizatë dhe si komunitet.

Fatkeqësisht, me largimin e kongresiststit Eliot Engel nga Kongresi, interesat dhe çështjet shqiptare në Kongresin amerikan mbeten pa përfaqësues të nivelit dhe të interesimit siç ishte Eliot Engel për 32 vjet. Me largimin e z. Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara humbin shumë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi, jo vetëm sepse ai i njihte mirë punët e Ballkanit, por sepse kishte vërtet një përafërsi me shqiptarët dhe një përkushtim të madh ndaj të drejtave të mohuara të shqiptarëve gjatë dekadave. Mungesa e tij në Kongres, shtron nevojën urgjente për një ndërmarrje të re të komunitetit shqiptarm si edhe të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që të bëjnë një shqyrtim serioz të boshllëkut të madh që ka lenë largimi i zotit Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, një boshllëk që mund të ketë pasoja serioze për situatën e përgjithshme në Ballkan dhe për marrëdhëniet deri tani të ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe dy shteteve shqiptare.

Thank You, Congressman Engel, për gjithë ndihmën që keni dhënë dhe për kujdesin që keni treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tri dekadave të kaluara!

Falënderime dhe mirënjohje përgjithmonë, z. Engel, për miqësinë dhe për mbështetjen tuaj historike për të drejtat e Kombit shqiptar anembanë trojeve të veta shekullore!

Falënderimet tona të përjetëshme dhe mirënjohja jonë e përgjithmonëshm për Ju, z. Engel!

Faqja e parë e Gazetës Illyria 19-21 Korrik, 2005

Kronika e Gazetës Illyria 19-21 Korrik, 2005 për vizitën e delegacjonit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) dhe Kongresistit Eliot Engel

Eliot Engel ne pritje te Ibrahim Rugova, 2005

Eliot Engel në Kuvendin e Kosovës, 2005

Eliot Engel në takim me Sali Berishën, 2005

Filed Under: Featured Tagged With: Eliot Engel, Frank shkreli, Mirenjohje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT