• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SENATORI MËKEJN, MIKU I SHQIPTARËVE, NUK ËSHTË MË

August 26, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Senatori republikan, Xhon Mekejn, hero i Luftës së Vjetnamit, deputet, Senator i Shteteve të Bashkuara dhe dy herë kandidat i Partisë Republikane për president ndërroi jetë në shtëpinë e tij në shtetin Arizona, në moshën 81-vjeçare.  Ai vuante nga kanceri në tru. “Babi im nuk është më”, ka shkruar në rrjetët sociale e bija e senatorit, Meghan. “Xhon Mëkejn, hero i Republikës dhe i vajzës së tij të vogël, zgjohet sot në një botë shumë më të lumtur …Sot luftëtari fillon jetën e vërtetë në përjetësi, i përshëndetur nga ata që kanë shkuar në atë botë para tij, në ringjallje për t’u takuar me Autorin e të Gjitha Krijesave”, është shprehur vajza e vetme e Senatorit Mëkejn, Meghan, duke njoftuar vdekjen e babait të saj.

1 Joh McCainok

Reagimet dhe mesazhet posa kanë filluar t’i dërgohen familjes së tij për humbjen e madhe të kryefamiljarit të tyre dhe dhe për humbjen e madhe të Kombit Amerikan.  Ndër të parët që dërgoi mesazh ngushëllimi ishte Presidenti Trump, me politikat e të cilit Senatori Mëkejn shpeshherë nuk pajtohej, megjithse të dy ishin anëtarë të njëjtës parti, Partisë Republikane.  Menjëherë pas njoftimit të familjes për vdekjen e Senatorit Mëkejn, Presidenti Donald Trump shprehu me Twitter ngushëllimet e tij:  “Ngushëllimet dhe respektin më të thellë për familjen e Senatorit John McCain.  Zemrat dhe lutjet tona janë me ju”, shprehet Presidenti Trump në ngushëllimin dërguar familjes së Senatorit.  Ish Presidenti Barak Obama, në mesazhin e tij tha se “Megjith ndryshimet tona politike, ne ndanim besimin tonë në vlerat ndaj diçkaje më të madhe – ndaj idealeve për të cilat breza të tërë amerikanësh dhe imigrantësh kanë luftuar, kanë marshuar dhe sakrifikuar….ideale për të cilat jemi munduar t’i ruajmë këtu në vendin tonë dhe t’i përhapim edhe anë e mbanë botës…Për këtë të gjithë i kemi borxh shumë Senatorit Xhon Mëkejn”, është shprehur ish-Presidenti demokrat Obama për ish-kundërshtarin e tij politik republikan.

Senatori Mëkejn, e kishte filluar karierën e tij politike në vitin 1982 kur është zgjedhur për dy mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 1986 është zgjedhur Senator i Partisë Republikane në Senatin amerikan nga shteti Arizona, ku ka shërbyer deri ditën që ndërroi jetë.  Ai kishte ambicje të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, por fatkeqësisht nuk ia doli.  Senatori Mëkejn bëri fushatë si kandidat për president në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në vitin 2000, por humbi në garën kundër Xhorxh W. Bush-it.  Ndërsa në vitin 2004, me gjithë se siguroi emërimin si kandidat për president i Partisë Republikane, ai u mund në garën e zgjedhjeve të përgjithshme nga kandidati i Partisë Demokrate, Barak Obama.  Gjatë administratës demokrate të Z. Obama, Senatori Mëkejn mbajti qëndrime konservatore, ndërkohë që njoihej si një kundërshtar I ashpër i politikave të administratës Obama, sidomos politikat e presidentit demokrat në fushën ushtarake dhe të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.Mëkejn kishte një përvojë dhe njohuri si rrallë ndonjë tjetër ligjvenës amerikan, sidomos në punët e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme, prej më shumë se pesë dekada. Si kryetar i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, ishte, pikërisht, ky interesim i Senatorit republikan nga Arizona në zhvillimet aktuale ndërkombëtare politike dhe ushtarake, që e shtyri të zhvillonte, vitin që kaloi, një turne në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Malin eZi, Kosovën dhe Shqipërin. Një arsye tjetër e këtij turneu në atë rajon të Evropës, ishte edhe shqetësimi i thelllë që Senatori Mëkejn kishte shprehur vazhdimisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në median amerikane, në lidhje me influencën politike dhe ushtarake të vendeve jashtë rajonit, sidomos Rusisë, në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.  Senatori Mëkejn është shprehur me atë rast se në takimet me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve, ai u ka shfaqur bashkbiseduesve, “Shqetësimin e tij të thellë mbi sjelljet destabilizuese të Rusisë në Evropë, sidomos në lidhje me dhunimin flagrant të sovranitetit të Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia”.

Një objektiv tjetër i vizitës së Senatorit Republikan në vendet e Evropës Jug-lindore — si mbështetës i vendosur i Aleancës së Atlantikut Verior NATO – ka qenë për të siguruar Shqipërinë dhe Kosovën, ashtu siç bëri gjatë vizitave të tij në Kroaci dhe në Slloveni, se “Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe ndaj vizionit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë – është i pa lëkundshëm” dhe se aleanca NATO nuk do të tërhiqet nga angazhimi saj, për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat e përbashkëta të vendeve anëtare.

Senatori Mëkejn e bëri vizitën e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor në prill të vititi të kaluar,  në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Senatit që merret me punët e Forcave të Armatosura, por edhe si njëri prej politikanëve më të lartë amerikanë, i mirë informuar mbi politikat e jashtme dhe ushtarake si dhe mbi problemet dhe sfidat ndërkombëtare në përgjithësi, por edhe si mbrojtës i vendosur i interesave gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara në veçanti, përfshirë Ballkanin perëndimor.

Senatori Mëkejn tregoi me atë rast interesimin e tij për shqiptarët duke vizituar Shqipërinë dhe Kosovën.  Ai do ishte shprehur se do të shkonte gjithashtu për vizitë në Shqipëri, në Kosovë për bisedime me udhëheqsit më të lartë të këtyre vendeve, sipas tij, për të, “Ritheksuar angazhimin e të dy partive kryesore politike në Kongresin Amerikan ndaj aleatëve dhe partnerëve të Shteteve të Bashkuara dhe për të biseduar mbi çështje të rëndësishme për rajonin.”

Duhet theksuar se interesimi i Senatorit Mëkejn për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, për shqiptarët në përgjithësi si dhe për çlirimin dhe për pavarsinë e Kosovës nuk është i kohëve të fundit, por është shprehur shumë vite më parë në rastin e Kosovës, me mbështetjen e tij të fortë për sulmet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe më vonë ishte një zë i fortë në Kongesin Amerikan për pavarësinë e Republikës së Kosovës.  Senatori Mëkejn ka qenë gjithashtu një mbështetës i fortë i antarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ka mbështetur vendosmërisht pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në organizmat euro-atlantike politiko-ushtarake perëndimore.   Në kuadër të vizitës në Shqipëri dhe në Kosovë vitin që kaloi.  Gjatë atij turneu, Senatori Mëkejn është takuar me udhëheqsit më të lartë të dy shteteve shqiptare ndërsa në Prishtinë ka mbajtur edhe një fjalim para antarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.  Senatori i ndjerë iu drejtua parlamentit të Kosovës duke u shprehur se, “Megjithë përparimin që ka bërë Kosova, ende mbeten shumë punë për t’u bërë. Por në këtë punë, ju nuk do të jeni vetëm. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin për të përmbushur sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që keni përpara. Nëse më lejoni, si një mik i vjetër që dëshiron ta shohë Kosovën të ketë sukses, do të doja të ndaja me ju shpresat e mia për të ardhmen e ndritur të Kosovës.”

Në Amerikë, Senatori Mëkejn, si patriot që ishte dhe hero lufte, njihej gjithashtu edhe si një politikan që komunikonte me të gjithë, pa marrë parasyshë përkatësinë partiake ose pikëpmajet politike.   Në një shkrim që kisha bërë me ratsin e vizitës së Senatorit Mëkejnë në trojet shqiptare kam paralajmëruar autoritetet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë se me ke do takoheshin.   Bashkbiseduesit me Senatorin Mëkejn — në Tiranë dhe në Prishtinë, kisha shkruar me atë rast – duhet të jenë të vetdijshëm se do të bisedojnë me njërin prej politikanëve më të ndershëm, gjë që është një veti e rrallë ndër politikanët kudo dhe me njërin ndër senatorët më të mirë-informuar të politikës amerikane në fushën e sigurisë, të mbrojtjes dhe të interesave kombëtare të Amerikës — dhe si rrjedhim edhe si mbështetës i fortë i aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, siç janë shqiptarët me të cilët Shtetet e Bashkuara marrin me mendë se ndajnë vlerat e përbashkëta dhe miqësinë e gjatë historike, të pakën nga pikëpamja e Washingtonit zyrtar, përfshirë ligjvensit më të lartë të kërij vendi, siç ishte i ndjeri Senator Mëkejn.

Jam shprehur me rastin e vizitën së Senatorit Mëkejnë  në Tiranë dhe në Prishitnë vitin që kaloi se mund të jetë shumë e vështirë që udhëheqsit më të lartë shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, të bisedojnë me Senatorin Mëkejn për vlerat e përbashkëta, në kulmin e një krize politike që mbretëron në radhët e “partizanëve” të partive politike shqiptare, në të dy anët e kufirit, për një kohë mjaft të gjatë tani dhe pa asnjë përspektivë për daljen e saj nga ky qorrsokak që ka mbërthyer politikën dhe si rrjedhim edhe shoqërinë shqiptare, në përgjithësi.  Jam shprehur se bashkpunimi politik dhe dialogu, besoj se do jenë mesazhet e Senatorit Mëkejn për klasën politike shqiptare.  Vizita e Senatorit Mëkejn në Tiranë dhe në Prishtinë ishte jashtzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve, por edhe për faktin se, si njohës i mirë i politikave në Ballkan dhe si mik i vjetër i shqiptarëve – pas vizitës, Senatori Mëkejn – ashtu siç është traditë për vizita të tilla të nivelit të lartë, i ka raportuar Kongresit, popullit amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë, për ato që ka parë e dëgjuar në Shqipëri dhe në Kosovë.

Për dekada të tëra, Senatori Mëkejn, është dalluar si mik i shqiptarëve që ishte,   ndër mbështetësit më të fortë të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe i të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor.

Me vdekjen e Senatorit Xhon Mëkejn, shqiptarët, fatkeqsisht, humbën edhe një mik dhe mbështetës tjetër të fortë, një kampion të vendosur dhe aktiv të interesave dhe të drejtave të tyre njerëzore dhe kombëtare, prej disa dekadash.  Ndërsa Shtetet e Bashkuara humbën një patriot të vërtetë, njeriun e dialogut, të kompromisit politik dhe të marrveshjeve politike në interes të Kombit Amerikan, duke bashkpunuar me të gjithë, pa marrë parsyshë ndasitë dhe përçarjet politike partiake të këtij vendi.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, nuk eshte me, Senatori John McCain

DITA E VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT: T’I KUJTOJMË !

August 23, 2018 by dgreca

qiriu-ndezur

Nga Frank Shkreli/

23 Gushti është Dita Evropiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazismit, dy ideologjive shkatërrimtare të shekullit të 20-të që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të komunizmit dhe nazizmit.  Është një ditë e cila shënohet në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, ndërkohë që njihet edhe si “Dita e Shiritit të Zi”.   Parlamenti Evropian ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizëm/nacizmit, në vitin 2008 dhe ç’prej atëherë shënohet zyrtarisht në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkohë që kjo ditë përkujtimore mbështetet gjithashtu edhe nga Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE).  Dita e 23 Gushtit është zgjedhur si ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe të nazismit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, pikërisht më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakort për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore.

Sipas protokolleve të fshehta të Traktatit komunisto-nazist, përcaktoheshin ekzaktërisht sferat territoriale të influencës së Gjermanisë dhe Rusisë në Evropë, pas një invadimi të suksesshëm të Polonisë, për të cilin kishin rënë dakort Moska dhe Berlini.  Sipas marrëveshjes, Rusia do të kontrollonte Letoninë, Estoninë dhe Finlandën, ndërsa Gjermania do të merrte Lituaninë dhe Danzing-un, ndërkohë që Polonia do ndahej, sipas këtij Pakti-komunisto-nazist, në tre zona të mëdha të cilat do bëheshin pjesë e territorit gjerman dhe rus.  Siç dihet nga historia, forcat e Hitlerit pushtuan Poloninë nga perëndimi me 1 shtator, 1939 — ndërsa gjithashtu sipas Paktit nazisto-komunist, forcat sovjetike pushtuan territorin e Polonisë më 27 Shtator të njëjtit vit, duke i dhënë fund kështu pavarësisë së shkurtër të Polonisë, prej dy dekadash.

Siç dihet — përveç faktorëve të tjerë — nënshkrimi i paktit komunisto-nazist Molotov-Ribbentrop, ishte fillimi i krimeve dhe i gjithë të këqiave anë e mbanë kontinentit të vjetër – dhe si rrjedhim e mori djalli një pjesë të madhe të Evropës dhe historinë e saj të përgjakshme e kontrolloi komunizmi ruso-sovjetik për pothuaj 50-vjet.  Një histori kjo e kontrolluar nga këto dy sisteme kriminale si-motra, që shkaktuan miliona viktima të pafajshme anë e mbanë Evropës dhe ish-Bashkimit Sovjetik – viktima — Ditën e të cilëve e kujton sot e mbarë bota e qytetëruar, më 23 gusht 2018 dhe çdo vit.

Duhet kujtuar lexuesit se historia e kësaj “Ditë Kujtese” e ka zanafillën në  Perëndim. Në protestat që të arratisurit anti-komunistë nga vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, të vendosur pas Luftës së dytë Botërore në vendet perëndimore, mbanin çdo vit — pikërisht në këtë datë — nepër shumë qytete të perëndimit, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.   Më kujtohet se edhe Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe radio stacione të tjera ndërkombëtare perëndimore, nuk e harronin këtë ditë pëkujtimore, duke e shënuar me programe të posaçme, kushtuar viktimave dhe krimeve të komunizmit, që transmetoheshin anë e mbanë botës komuniste.  Më kujtohet gjithashtu se shumë nga gazetarët e Zërit të Amerikës me origjinë nga Evropa Lindore e Qëndrore, e sidomos ata me prejardhje nga vendet baltike, me të cilët punoja tek VOA gjatë ‘70-ave dhe ‘80-ave, vinin atë ditë në punë me shirita të zi në xhaketat e tyre, për të kujtuar, “në shënjë zije”, thoshin ata, jo vetëm ditën e zezë të nënshkrimit të Paktit komunisto-nazist, Molotov-Ribentropp por edhe viktimat e këtyre regjimeve diktatoriale që pasuan atë marrëveshje djallëzore, midis Hitlerit dhe Stalinit.                                       

Sivjet, edhe në Shqipëri me këtë rast janë kujtuar viktimat e komunizmit.  Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, ka organizuar gjatë ditëve të fundit disa aktivitete në kujtesë të vikitmave të komunizmit në Shqipëri.  Fillimisht organizoi, para disa ditësh, ekspozitën me titull, “Persekutimi Komunist në zonën e Tepelëns”, ku u paraqitën dokumente arkivore dosjesh që dokumentojnë përndjekjen e ish-Siguimit të Shtetit në zonën e Tepelenës.  Pjesë e kësaj ekspozite ishin, sipas Autoriteteit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit, edhe dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos dhe dhjetëra të tjera.

Më 23 Gusht, 2018, enti në fjalë, organizoi gjithashtu një Simpozium Shkencor mbi kuadrin historik dhe juridik të punës së detyruar, ndër të tjera aktivitete, si pjesë e aktiviteteve kushtuar “Ditës Muze/Memorial Tepelenë”. Këto veprimtari janë sponsorizuar nga projekti, “Përkujtojmë për të Shëruar dhe Parandaluar”, i PNUD të OKB-së në Shqipëri, me mbështetjen gjithashtu edhe të Qeverisë së Italisë, si dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në ceremoninë përkujtimore për të internuarit dhe vikitimat e kampit famëkeq në Tepelenë, në kuadër të “Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare” që u mbajtë në Tepelenë të ënjtën, njoftohet se mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta.  Gjatë qëndrimit të tij atje, Presidenti i Republikës, Z. Meta, sipas Zërit të Amerikës, do nderonte disa prej të mbijetuarve të atij kampi.

Dita Europiane për Përkujtimin e Viktimave të Sistemeve Totalitare”, është një ditë e cila, në të vërtetë nuk kërkon koment as shumë fjalë, por nevojitë reflektim të thellë dhe kujtesë të mëshirshme dhe të pyesim: PSE?

Filed Under: Politike Tagged With: DITA E VIKTIMAVE, Frank shkreli, TË KOMUNIZMIT: T’I KUJTOJMË !

HARRY T. FULTZ, HUMANISTI DHE DHE MIKU I SHQIPËRISË

August 22, 2018 by dgreca

1 hfultz

ME RASTIN E DITËS HUMANITARE BOTËRORE KUJTOJMË HUMANISTIN E MADH DHE MIKUN E SHQIPËRISË, AMERIKANIN DR. HARRY T. FULTZ/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli

Të djelën që kaloi më 19 gusht Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar shënuan Ditën Humanitare Botërore, në kujtim të angazhimit dhe dedikimit të puntorëve dhe zytarëve kombëtarë e ndërkombëtarë që merren me çështjet humanitare, duke u shkuar në ndihmë njerëzve më në nevojë të botës, ndërkohë që në shërbim të të tjerëve rrezikojnë çdo gjë, përfshir edhe jetën e tyre.

Në kujtim të kësaj dite, Sekretari Amerikan i shtetit, Michael Pompeo lëshoi një deklaratë në të cilën vuri u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë një histori të dalluar për të ndihmuar njerzit në nevojë dhe në kushte të vështira jetese, qoftë për shkak të konflikteve, tragjedive natyrore ose të tjera duke shpërndarë ndihma humanitare, përfshirë ushqime, strehim, arsim, shëndetësi e të tjera për miliona veta anë e mbanë botës dhe për një histori të gjatë veprimi ç’prej fillimit të shekullit të kaluar.

Në këtë Ditë të humanizmit ndërkombëtar, le të kujtojmë humanistin e madh amerikan, Dr. Harry Fultz-in, i cili nga viti 1922 e deri më 1933 ai drejtoi në Shqipëri Shkollën Teknike, të njohur për atë kohë dhe sot.  Duhet shënuar se Kryqi i Kuq Amerikan, nën drejtimin e Dr. Fulzit-it, për të gjithë ata që e kanë mbajtur mend, e disa prej të cilëve më kanë thënë se ishte me të vërtetë një ent shumë humanitar për shqiptaët e asaj, sidomos nga këndveshtrimi i sotëm edukues, ekonomik dhe shoqëror. Ai kishte vajtur në Shqipëri në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar, e pa njohur dhe tejet e varfër. Nga ato pak shkrime që kam lexuar për të, e dinte mirë Fultz-i se ku po shkonte dhe e dinte gjlndjen e mjeruar në të cilën gj[ëndej cvendi, në çdo pikëpamje. Por ai me shpirtin e një humanisti të vërtetë, nuk ngurroi, por me një frymë si të një apostulli iu përvesh punës për të kryer misjonin e tij. Ai e kishte vendosur, sipas kujtimeve të disave, që më vuajtje dhe megjith sfidat e papara, të harxhonte të gjitha forcën dhe të ndërmerrte të gjitha përpjekjet  e nevojshme ta bënte Shqipërinë një vend më të mirë se ç’e kishte gjetur. Por, siç dihet ai hasi në shumë sfida, përfshir edhe mentalitetin osmano-bizantin.  Se si shikohej suksesi i Shkollës Teknike të Fultzit në Tiranë u pa më në fund, se me largimin e Fultzit, me të mbaroi edhe Shkolla Teknike. Mbaroi fatkeqësisht, me përbuzje, mosmarrveshje e konflikte kulturash.  Dihet se Dr. Harry Fultz, së bashku me Misjonin Amerikan u përzunë nga Shqipëria në vitin 1946 dhe shumë të diplomuar nga ajo shkollë jo vetëm që e kishin shumë të vështirë të gjenin punë, por  më vonë e pësuan edhe më keq, të akuzuar si agjentë amerikanë.

Në veprën e tij poetike “Lines of Illyria” ose “Vargje Ilirisë” shkruar me të bijen e tij Xhoanën gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, por botuar në vitin 1950 në Nju Jork, ai i ka shënuar kujtimet e tija duke i kushtuar disa vjersha Ilirisë, ku sipas të ndjerit Profesor Zef Nekaj, më shumë se shije poetike, Fultz-i tregon lashtësinë dhe vrazhdësinë e vendit që e frymëzon atë.  Z. Nekaj shprehet në vlerësimin e veprës poetike “Vargje Ilirisë”, se Z. Fultz i ka kushtuar Shqipërisë mundin dhe vrullin e veprimtarisë së tij burrërore, për më shumë se një dekadë. Ai shpreh aty ankthin  për gjëndjen e shqiptarëve në atë kohë, për të arrijturat dhe të parrijturat e tyre dhe ankimin fisnik të zemrës së zjarrtë të një njeriu përparimtar që dëshiron të bëjë sa më shumë për popullin shqiptar.

Është pra Dr. Harry Fultz, humanisti i njohur amerikan, që kujtojmë në këtë Ditë Humanitare Botërore. Harry Fultz-in e Shkollës Teknike të Tiranës, i cili përveç shkollës që mbante emërin e tij, ai së bashku me studentët shqiptarë, themeloi edhe revistën me titull “Laboremus” – Të punojmë. Kujtojmë humanistin amerikan i cili, që atëherë,  kërkonte ndihmë nga vendi i tij i madh për të mbështetur Shkollën Teknike të Tiranës dhe popullin shqiptar.   Në Ditën Botërore Humanitare e kujtojmë Dr. Harry Fultz-in duke shprehur mirënjohjen tonë të thellë për punën e tij, për vetmohimin dhe urtësinë e tij — edhe në emër të atyre brezave që ai edukoi e la pas në Shqipëri, por të cilët ndoshta nuk patën kurrë rastin ta falënderonin.

***

Biografia e Harry T. Fultz/

1 Fultzi 1926

29 Dhjetor 1888 – 30 Dhjetor 1980/
Harry T. Fultz lindi në qytetin Salem të shtetit Indiana. Fillimisht ai u diplomua në kolegjin Wabash në Indiana e më pas në universitetin teknologjik “Amarou” në fushën e mekanikës. Deri në 1922 ai punoi si pedagog në institucione të ndryshme arsimore në Amerikë. Gjatë kësaj periudhe pati një shkëputje 2-vjeçare (1917 – 1919) për shkak të shërbimit ushtarak.
Në 1922, Kryqi i Kuq Amerikan e caktoi profesorin e arteve mekanike, 34 vjeçarin Harry T. Fultz, Drejtor të Shkollës Teknike, Tiranë. Nëpërmjet punës së tij Shkolla Teknike tërhoqi vëmendjen e opinionit të kohës si shkollë me cilësi të larta. Pedagogjia e tij në punë si drejtues mbështetej në moton “Learning by doing” (të mësuarit nëpërmjet praktikës) të cilën ai e zbatonte vetë i pari. Me kultin e punës u lidh edhe emri i revistës së shkollës “Laboremus” (të punojmë). Si pedagog i shquar ai diti të verë një rregull dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë, të rrënjosë dashurinë për punën, bazuar në të famshmin prakticitet amerikan. Si inxhinier me aftësi të rralla diti të ndërtojë një shkollë me një përgatitje akademike e teknike të cilësisë së lartë.

Veprimtaria e Harry Fultz është një ndërthurje e shkëlqyer e ideve pragmatiste, shpesh herë të gërshetuara edhe me elementë te edukatës, të pedagogjisë së punës ku fjala ka një unitet me veprimin, ku pasioni për punën shkrihet me profesionalizmin e lartë, përballë një personaliteti të madhërishëm të mësuesit bashkëkohor, të shkrira në një. Ai solli në vendin tonë traditën e përvojën më të mirë të shkollës amerikane, zbatoi metodat e reja të mësimdhënies dhe të mënyrës së të mësuarit, vuri në jetë dhjetra projekte, gjithçka në shërbim të përgatitjes e formimit të teknikëve të rinj.

Kujtimet e ish-nxënësve të tij janë vlera dokumentare që flasin për një model të shkëlqyer të mësuesit demokrat, i cili shquhet për nivelin shkencor, aftësitë e veçanta organizative në vënien në lëvizje të organizmave të shkollës. Ato janë dëshmi e një përvoje dhe intuite të thellë psiko-pedagogjike, e një ndjeshmërie të situatave të nxënësve e përpjekje maksimale për t’iu gjendur pranë si mësues e prind në çfaredo rrethane.Misioni i tij përfundoi më 1933 pas 11 vjetësh duke lënë një mesazh për brezat e shkollës “Përpiqu ta bësh vendin të denjë për të jetuar në të”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi 4 vjet në Departamentin e Shtetit dhe në agjensitë e tjera qeveritare të SHBA. Nga maji i vitit 1945 deri në nëntor të vitit 1946 punoi në misionin diplomatik të SHBA në Tiranë dhe në ambasadën Amerikane në Romë deri në pranverë të vitit 1947.

Në pranverë të vitit 1947 u caktua Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare, një rezidencë kryesisht pë studentët e huaj në Universitetin e Chicagos dhe qëndroi në këtë post deri sa doli në pension në vitin 1962. Gjatë këtyre viteve punoi gjithashtu sekretar i Bordit Panamerikan të Arsimit (1947 – 1962).  (Marrë nga portali Instituti Harry Fultz)

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Harry Fultz, MIKU I SHQIPTAREVE

PIKTORI I KAMPEVE TË VDEKJES….

August 18, 2018 by dgreca

…TË REGJIMIT TË ENVER HOXHËS/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/

SHËNIM: Të premtën, disa media në Amerikë dhe në Shqipëri botuan një letër që thuhet se është e nënshkruar nga ish-kongresisti Joe Dioguardi drejtuar Kryetarit Bashkiak të Tepenës, në të cilën ai shprehet së është, “I shokuardhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Kjo – ashtu siç ju e dini – lidhet me disa plane të çuditshme për të kthyer barrakat ushtarake në qytetin tuaj në një farë soj Muzeumi dhe Kompleks Memorial si “Kampi i Shfarosjes së Tepelenës”, shkruan DioGuardi dhe sipas letrës së botuar në gazetën Dielli në Nju Jork, ish-kongresisti i kërkon Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës që të, “tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan  “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës… dhe zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë”, citohet të ketë shkruar Dioguardi në atë letër.

Me të vërtetë e kam të vështirë të besoj se kjo letër është përpiluar dhe nënshkruar nga Z. Dioguardi, por për derisa ai nuk e përgnjeshtron një gjë të tillë, atëherë ai duhet të jetë përgjegjës si dhe autori vet i kësaj letre.  Se pse Z. Dioguardi me këtë rast u bashkohet manipulimeve dhe falsifikimeve komuniste të historisë, është absolutisht e pabesueshme dhe e pa kuptueshme për mua.  Është e turpshme se, Z. Dioguardi e di më së miri se mbështetjen më të madhe financiare, politike dhe morale, gjatë 30-viteve të fundit dhe më heret, ai e ka pasur, pikërisht nga bijtë edhe bijat shqiptaro-amerikanë të shumë të përndjekurve nën regjimin e Enver Hoxhës. Dhe tani të këthehet e të përgnjeshtrojë madje edhe ekzitencën e një kampi famëkeq siç ishte kampi i Tepelelnës?  Të pyes cilindo se mund t’i tregojnë për vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre të përndjekura, disa prej të cilëve kanë vuajtur në kampin e Tepelenës.

Në letrën e tij, Z. Dioguardi kundërshton krahasimin e kampit të Tepelenës me kampin nazist në Aushwitzit në Gjermani, por duket se Z. Dioguardi nuk e di se ishte vet ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman i cili kishte bërë një krahasim të tillë, pikërisht për trajtimin e tmershëm që u bëhej të internuarve në kampin e Tepelenës.  E vërteta është se ishte ambasada gjermane në Tiranë dhe Fondacioni gjerman Adenauer, ata të cilët mundësuan botimin e skicave (disa më poshtë) të ish-të përndjekurit Lek Previzi nga kampi i Tepelenës. (Shih artikullin më poshtë).  Për më tepër, ambasada gjermane në Tiranë, si asnjë tjetër, e ka dalluar veten gjatë 20-viteve të fundit duke u bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të përballen seriozisht me krimet e së kaluarës komuniste.

*Shkrimi  dhe skicat më poshtë botuar një vit më parë, hedhin pak dritë mbi debatin e tanishëm të shkaktuar nga letra e Z. Dioguardi, dërguar Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës.

***

lek-previzi-1-1-1-300x162

PIKTORI I KAMPEVE TË VDEKJES TË REGJIMIT TË ENVER HOXHËS

Frank Shkreli/

Piktori është Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pikërisht ai kampi famëkeq i Tepelenës.lek-previzi-2

Në Foto: Lek PREVIZI/

Ditët e fundit më ra në dorë numri i posaçëm i Revistës “Kuq e Zi”, një revistë euro-shqiptare online me kryeredaktor Lekë Pervizin, e cila botohet në Bruksel që prej vitit 1993. Thuhej në editorialin e numrit të parë të revistës “Kuq e Zi” se botimi i saj, synonte të shërbente si tribunë shqiptarizmi, “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysëm shekulli të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës.”  Jo të gjithë dolën të gjallë nga kampet e përqendrimit të regjimit më të egër komunist në Evropën Lindore, por ata që patën fatin të mbijetojnë mundimet dhe terrorin enverist – dëshmitarë të gjallë të atyre krimeve anti-njerëzore – sot janë në gjendje, që në emër të bijve dhe të bijave më të dalluar të kombit, të “rrnojnë për me tregue”, vuajtjet dhe vlerat reale të atyre viktimave të komunizmit shqiptar, me qëllim, “për me çue në vend nderin e kulturës dhe të historise shqiptare”.

2 ok Kampet

Njëri prej këtyre dëshmitarëve që i shpëtoi vdekjes në kampin e Tepelenës është edhe Lekë Pervizi. Për veten dhe bashkëvuajtësit e tij në kampet komuniste të Enver Hoxhës, Z, Previzi ka shkruar se, “Jemi dëshmitarë përjetues të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikueme me gjakftohtësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukun të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën.

1Ok KampiKëto iu nënshtruen falsifikimit e manipulimit, sipas strategjisë së ideologjisë marksiste të zhdukjes totale të trashigimisë sonë mijravjeçare”.

Kampi2Dëshmitari i gjallë i këtyre vuajtjeve e terrori, sidomos në kampin e Tepelenës, ku ai vetë ka kaluar dënimin si i pa dëshiruar i regjimit komunist, Lekë Pervizi vazhdon, për më shumë se një çerek shekulli pas shembjes së komunizmit, të “rrnojë” dhe të “tregojë”, për vuajtjet e veta e të familjes së tij të ngushtë si dhe të bashkëvuajtësve të tij si vëllezër e motra shqiptare, kundërshtarë politikë të regjimit enverist.   Z. Pervizi e ka dokumentuar me shkrime dhe si rrallë kush tjetër, për të mos thënë, ndoshta si askush tjetër para tij që vuanin në ish-burgjet dhe kampet komuniste të Evropës Lindore – edhe me vizatime në copa letrash — përshkroi jetën e përditshme në kampin e Tepelenës dhe vuajtjet e tmerret që ai dhe të tjerët kanë pësuar në kampin famëkeq aty.

Numri i fundit i posaçëm i revistës, “Kuq e Zi” u kushtohet pikërisht këtyre vizatimeve të piktorit të ish-burgosur Lekë Pervizi, një testament i rrallë ky, në këtë formë, i mundimeve dhe vuajtjeve në kampin e terrorit të Enver Hoxhës, në Tepelenë.   Duke i shikuar ato fotografi të vizatuara në ish-kampin e Tepelenës nga Leka, njeriu normal ndjen një shpërthim zemërimi pothuaj të papërmbajtur dhe pyet veten se, si është e mundur që njeriu, të veprojë në këtë mënyrë, kundër njeriut, e për më tepër, shqiptari ndaj shqiptarit.  Në një komunikim me Z. Pervizi, pasi lexova numrin e posaçëm të revistës online që më kishte dërguar, e pyeta se pse ka pritur gjithë këto vite që t’i botojë këto vizatime për publikun. Ja edhe shpjegimi i historisë së botimit më në fund, në një album të posaçëm.  Ai më shkruan se i mbante vizatimet për vete, në disa copa letre, sa për kujtim, megjithëse i kishte botuar herë pas here në revistën “Kuq e Zi”, që prej fillimit të daljes së saj në vitin 1993 e në vazhdim, por shton se nuk u kujtua kush që t’u jepte rëndësinë që meritonin.  Z. Pervizi i jep kredi për botimin, më në fund, të vizatimeve një miku të tij, edhe ai i ish-përndjekur politik – i cili ishte në dijeni të vizatimeve të tij në kampin e Tepelenës.   Në një mënyrë ose në një tjetër, lajmi për ekzistencën e vizatimeve të Z. Pervizi shkoi në veshët e zyrës së Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, në Tiranë, e cila i botoi vizatimet nëpërmjet Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, me drejtor Agron Tufa, shprehet Z. Pervizi.

Ishin gjermanët pra, ata që mundësuan botimin e këtyre vizatimeve me një album të posaçëm me titullin, “Rrathët e Ferrit”.  Leka shkruan se gjermanët e kishin ftuar për një javë, ndërsa kishin organizuar një mbledhje me aktivitet të posaçëm në kazermat e rrënuara në Tepelenë, ku ishin ekspozuar vizatimet e tij të zmadhuara, ku ndër të tjerë, kishte marrë pjesë dhe Ambasadori gjerman në Tiranë dhe drejtori i Fondacionit ‘Konrad Adenauer’.   “Kështu nepërmjet atyne vizatimeve të shpëtueme kot prej meje (mjaft kishin humbë), u ba i njohun kampi i Tepelenës, ashtu siç ishte i ndërtuem që e keni pa dhe ju në revistën, por që i të cilit kamp nuk ekzistonte asnjë fotografi, se ku, e si ishte.   As nuk dihej se si funksiononte e si ishin stivosun të internuemit brenda atyne kazermave vigane”.

Kjo u bë shkas edhe për mbledhje të tjera dhe tashti po mendohet që të krijohet aty një muze, e të ngrihet një memorial, më shkruan Leka.   “Merreni me mend, i dashun mik, se kishin kalue 25 vjet që askush s’donte të ia dinte për atë kamp famëkeq të Tepelenës.  Prandaj vizatimet dolën me vonesë, kur duhet të ishin ba të njohuna botënisht që në vitet e para pas shembjes së diktaturës. Kaluen gjashtë presidentë e disa qeveri, që as u shkonte mendja fare dhe as që e donin daljen në shesh të mizorive të komunizmit mbi qenie njerëzore (shqiptare) të pafajshme”, përfundon ai shpjegimin e tij, që pati mirësinë të më dërgonte në lidhje me vonesën e botimit të këtyre vizatimeve dokumentuese dhe historike me vlerë të madhe, nga një dëshmitar i gjallë i jetës dhe krimeve që bëheshin në kampin e Tepelenës nga regjimi komunist kundër popullit të vet.  Megjithëse Lekë Pervizi me modesti thotë se, nuk e bëri publikimin e këtyre vizatimeve me qëllim që të “delte si burë i mirë”, ai shpreh mirënjohjen e tij dhe falënderon gjermanët, të cilët me interesimin e tyre, e bënë të mundur daljen në shesh të këtyre vizatimeve historike nga jeta dhe e krimet në kampet shqiptare të përqendrimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat Z. Pervizi thotë se, “Ambasadori gjerman në Tiranë i kishte krahasuar me Auschvitzin, për trajtimin mizerabël që iu bahej të internuemve, pavarësisht nga përmasat strukturale më të vogla, por për nga përmasat kriminale të mëdha.”  Në një artikull dje nga Përparim Halili, botuar në gazetën Telegraf të Tiranës thuhet se, dosjet e kampit të Internimit dhe të kryengritjes antikomuniste së Zhapokikës në Tepelenë janë zhdukur më 1991.   Për më tepër Z. Halili shkruan se strukturat e kampit të Tepelenës janë hedhur për dhe, siç duket, në përpjekje për të zhdukur çdo provë i ekzistencës së kampit të tmerrit duke shtuar se “Në vitet 1994-1995 mbi varret e 175 (fëmijëve “armiq” të moshës deri në 12 vjeç) dhe 789 të rriturve të vdekur në kampin e Tepelenëns, ish-qeverisja e viteve 1993-1995 ka ndërtuar pallate banimi për strehimin e ish-të dënuarve politikë dhe kolektorin qendror të ujërave të zeza të qytetit, pa bërë zhvarrimin që u kërkua me protesta prej familjarëve të viktimave”.   Përparim Halili shkruan gjithashtu se “dosjet e kampit të Tepelenës janë zhdukur qysh në korrik të vitit 1991”.

Unë kam shkruar shumë, por më kot, gjatë këtyre viteve për mospërballjen serioze me të kaluarën komuniste të klasës politike shqiptare të të ashtuquajturës periudhë post-komuniste, një fenomen ky që në mendjen e njerëzve normal është vështirë të kuptohet ose të pranohet në një shoqëri që e konsideron veten demokratike, anëtare e NATO-s dhe aspiruese për integrim të plotë euro-atlantik.   Por, ajo që me të vërtetë prek thellë dhe ndez ndjenjat morale të njeriut është se, si edhe sot nostalgjikët e atij regjimi dhe të diktatorit, siç shkruan edhe “Piktori i Kampeve të Vdekjes”, “Të ngrenë lavde kriminelëve e xhelatëve dhe, aq më keq, atij lloj diktatori të paskrupullt e paranojak që e trajtoi popullin e vet si të ishte bagëti e jo qenie njerëzore”. Megjithëse e papranueshme, për këtë situatë të krijuar në Shqipëri, nuk është për t’u habitur kur të merret parasysh se si klasa politike, “majtas e djathtas”, e këtij çerek-shekulli post-komunizëm, po trajton sot ish-të përndjekurit politikë, duke i përjashtuar krejtësisht nga jeta politike e vendit, gjë që i bën të ndjehen si të huaj në vendin e vet. Ndërsa është i pa pranueshëm gjithashtu edhe refuzimi i tyre banal dhe i pa moralshëm për t’u përballur, njëherë e mirë, me të vërtetën e të kaluarës komuniste dhe me krimet e regjimit të Enver Hoxhës, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste të kontinentit evropian. Falë nderës Zotit që kombi shqiptar ka ende miq siç janë gjermanët, të cilët po ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës të historisë së krimeve të një sistemi totalitar e gjakatar.   Falënderojmë Zotin gjithashtu edhe për piktorin Lekë Pervizi, i cili “rrnoi për me tregue” dhe që me vullnetin e tij të fortë dhe me ndjenjën e tij të thellë, kishte vendosur herët që e keqja të kundërshtohej dhe të luftohej me çdo mjet e mundësi, madje edhe në rrethanat e një kampi përqendrimi, siç ishte ai i Tepelenës.   E falënderojmë Z. Pervizi edhe për “kokëfortësinë e mos-nënshtrimit” që ka treguar në kampin e përqendrimit që, edhe në kushte jashtëzakonisht të vështira i ka bërë dhe i ka ruajtur vizatimet – megjithëse jo të gjitha – nga jeta dhe të strukturave të kampit ku ka qëndruar e që sot i ka të botuara dhe na i sjellë si dokumentacion historik për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. “E vërteta triumfon kur bëhen sakrifica dhe mundime për ta qitur në dritë të vërtetën”, ka thënë babai i kombit amerikan, Xhorxh Washingtoni.   T’i jemi mirënjohës Lekë Pervizit që me botimin e këtyre vizatimeve nga jeta në kampin e terrorit në Tepelenë, hedh sado pak dritë mbi të vërtetën e krimeve që ndodhën në atë vend.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Lek Previzi, Piktori i Kampeve te vdekjes

50-VJETORI I “PRANVERËS SË PRAGËS”…

August 16, 2018 by dgreca

….-“ATA MUND TË SHTYPIN LULET, POR NUK E NDALOJNË DOT PRANVERËN”/1-Franku

Nga Frank Shkreli/

Ky vit shënon 50-vjetorin e pushtimit brutal të Çekosllovakisë nga ish-Bashkimi  Sopvjetik.  E ashtuquajtuara “Pranverë e Pragës” filloi me 5 Janar dhe zgjati deri me 21 gusht, 1968, me qëllim për të vendosur një “socializëm me fëtyre njerzore”, kur kjo lëvizje u shtyp brutalisht me pushtimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik dhe nga antarët e tjerë të Paktit të Varshavës, (Bashkimi Sovjetik, Hungaria, Polonia, Bullgaria dhe Gjermania Lindore),duke ndaluar kështu të gjitha reformat që kishin filluar në Çekosllovaki, nën udhëheqjen e politikanit reformist komunist, Aleksandër Dubçek, i cili sa po ishte zgjedhur Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë.  Shqipëria, (e cila teknikisht ishte ende anëtare e Paktit të Varshavës) dhe Rumania nuk morën pjesë në okupimin e Çekosllovakisë të udhëhequr nga Moska.

Autoritetet komuniste sovjetike kishin frikë nga kjo lëvizje liberalizimi të kryesuar nga Dubçeku në njërin prej vendeve të saj satelite të Evropës Qendrore sespse kjo lëvizje sipas tyre do të kërcënonte seriozisht regjimet komuniste në Evropën lindore, por mbi të gjitha do të kërcënonte kontrollin e Moskës mbi këto vende satelite të saj.  Pas disa bisedimeve me autoritetet çekosllovake për tu larguar nga rfeormat e ndërmarra,  bisedime këto të cilat më në fund dështuan, Bashkimi Sovjetik vendosi të shtypte “Pranverën e Pragës”, duke dërguar në Çekosllovaki mbi një  gjysëm milion ushtarë të Paktit të Varshavës, me mjetet ushtarake më moderne të kohës, për të pushtuar vendin.  Ndonëse sovjetikët kishin paraparë se do t’a shtypnin Pranverën e Pragës për 4-5 ditë, rezistenca çekosllovake kundër pushtuesve sovjetikë dhe forcave të Paktit të Varshavës, zgjati në të vërtetë, për pothuaj 8-muaj, duke e shtypur atë përfundimisht me 21 gusht, 1968.  Shtypja e “Pranverës së Pragës” mori fund me arrestimin e Aleksandër Dubçekut, i cili më vonë u lirua, por vizioni i tij për një “Sociaslizëm me fëtyrë njerzore” në Çekosllovaki mori fund, megjithse siç është shprehur më vonë, ai mendon se, moralisht dhe politikisht, kishte dalë fitues.

Roli i intelektualëve dhe i medias: Aleksandër Dubçeku gjatë kësaj periudhe politike, të cilësuar si “Pranvera e Pragës”, u përpoq të bënte reforma themelore të sistemit komunist, duke lejuar pikë së pari vendosjen e shumë të drejtave për qytetarët e Çekosllovakisë nëpërmjet decentralizimit të ekonomisë dhe demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi.  Në prill të vitit 1968, në mbledhjen e Presidiumit të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, Aleksandër Dubçeku njoftoi  programin e tij politikë të, quajtur “socializëm me  fëtyrë njerzore”.    Ndër liritë thelbësore që u miratuan gjatë asaj periudhe eskperimentale qeverisjeje, kryesore ishin liria e shtypit, liria e fjalës dhe liria për të udhëtuar jashtë vendit, ndër të tjera. Ishin këto ide të cilat u promovuan nga shtresa intelektuale e shoqërisë çekosllovake: nga shkrimtarët, artistët dhe gazetarët, ide këto të cilat jo vetëm që nuk u kundërshtuan por u promovuan nga Aleksandër Dubçek, ndërsa toleroi përhapjen e tyre dhe si rrjedhim, për idetë e tija liberale, ai siguroi mbështetje të madhe në radhët e medias, në qeveri dhe në mbarë shoqërinë.

Ishte pikërisht Lidhja e Shkrimtarëve të Çekosllovakisë ajo që vuri në sprovë se sa serioz ishte Dubceku, në lidhje me liberalizimin që predikonte, duke botuar për herë të parë në shkurt të vitit 1968, pa cenzurën e Partisë Komuniste, organin e saj letrar, Literarni Listy,  i cili deri atëherë kontrollohej nga elementë konservatorë të Partisë komuniste.  Deri në gusht të atij viti, ky organ i Lidhjes së Shkrimtarëve çekosllovakë kishte arritur qarkullimin më të lartë në Evropë — prej 300, 000 kopjesh.  Ishin pra përpjekjet për sigurimin e lirisë së shtypit, e promovuar nga intelektualët, si hapi më i rëndësishëm drejtë bërjes së reformave, orvatje këto që çuan më në fund në heqjen e plotë të censurës në Çekosllovaki, më 4 mars, 1968. Ishte kjo hera e parë në historinë çekosllovake që në atë vend nuk kishte cenzurë dhe liria e shtypit, konsiderohet si e vetmja reformë e “Pranverës së Pragës” që me të vërtetë u zbatua, ndonëse ishte jetë-shkurtër.

Reformat që kishte ndërmarrë Aleksandër Dubçeku gjatë lëvizjes   së “Pranverës së Pragës” garantonin për herë të parë lirinë e shtypit, përfshirë botimet e komenteve politike dhe kritikat ndaj Partisë Komuniste dhe autoriteteve shtetërore.  Liria e shtypit bëri të mundur gjithashtu që, për herë të parë, ç’prej vesojes së regjimit komunist, t’i hidhej një sy të kaluarës historike komuniste të vendit,  sidomos gjatë periudhës së Jozef Stalinit në Rusi, përfshirë spastrimet, ekszektuimet dhe burgosjet e ish-udhëheqsve komunistë dhe anti-komunistë, të cilët ishin zhdukur nga historia e vendit. Lidhja e Shkrimtarëve formoi gjatë kësaj periudhe liberalizimi një komision me qëllim për të hetuar persekutimin e shkrimtarëve nga regjimi komunist dhe për të riabilituar figurat e njohura letrare të vendit.  Ishte kjo periudha gjithashtu kur diskutohej lirisht mbi komunizmin dhe të metat e tij, por edhe për idetë abstrakte për kohën, siç ishin liritë bazë në përgjithsi dhe të drejtat e njeriut në veçanti.  Shpejt morën jetë botime të ndryshme të pavarura, ndërkohë që Lidhja e Gazetarëve Çekosllovakë siguroi të drejtën për tu abonuar në gazeta dhe revista nga bota perëndimore duke bërë të mundur kështu edhe zhvillimin e një dialogu ndërkombëtar, mbi situatën politike në botë dhe në vend.  Ente të ndryshme të shtypit organizonin diskutime dhe takime me shkrimtarë e gazetarë të njohur por edhe me intelektualë të tjerë, përfshirë viktimat që e kishin pësuar keq nga komunizmi.  Televizioni transmetonte takime midis udhëheqsve komunistë dhe ish-të burgosurve politikë drejtë për drejtë nga zyrat e policisë sekrete ose nga burgjet ku mbaheshin të arrestuar.  Roli i shtypit në promovimin e lirive të reja në Çekosllovaki gjatë kësaj periudhe kontriboi dukshëm që dialogu politik, përveç sferës intelektuale ku zhvillohej lirisht tanimë, të përhapej edhe në radhët e shoqërisë në përgjithësi.

Më kujtohet intervista e korrespondentit të Zërit të Amerikës, Xhojlin Naegele me Aleksandër Dubçekun në vitin 1988 në të cilën ai foli gjërë e gjatë për ngjarjet e vitit 1968 dhe mbi rolin e shtypit në atë lëvizje, përfshirë rolin e medias ndërkombëtare, ndërsa pranoi se gjatë gjithë kohës kishte qenë dëgjues i rregullt i Zërit të Amerikës në gjuhën çeke e sllovake.   Duke iu referuar zhvillimeve të vitit 1968, megjithë dështimin e tyre, në atë intervistë, Aleksandër Dubçeku është shprehur për Zërin e Amerikës se, duke shikuar pas në histori, “Sot e dijmë se mund të fitonim vetëm politikisht dhe moralisht.”  Megjithse “Pranvera e Pragës” u shtyp brutalisht, udhëheqsi i kësaj lëvizjeje ka deklaruar për Zërin e Amerikës, se, prap se prap, “Unë mendoj se ishte një fitore”, ka thënë ai.  Në intervistën me VOA-n në vitin 1988 — në prak të shembjes së Murit të Berlinit — Dubçeku citohet nga gazeta Nju Jork Tajms të jetë shprehur se, “Ajo që po ndodh në Bashkimin Sovjetik është mirë për demokracitë perëndimore dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi do të ndihmojë që Bashkimi Sovjetik të largohet dal nga dalë nga militarizmi stalinist dhe nga dogmatizmi dhe sektarizmi i Brezhnjevit.”

Siç dihet, Çekosllovakia vazhdoi të mbetej nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik deri në Revolucionin paqësor të vitit 1989, ashtu si edhe vendet e  tjera komuniste të Evropës Lindore, kur me shembjen e Murit të Berlinit, në vitin 1989, mori fund pushtimi sovjetik mbi Evropën Qendrore dhe Lindore.

Pranvera e Pragës nuk ishte një lëvizje anti-komuniste. Në të vërtetë vet Aleksandër Dubceku dhe familja e tij kishin lidhje komuniste. Ndonëse ai siguroi respektin e botës dhe ndërsa bota priste që idetë e kësaj lëvizjeje të përhapeshin anë e mbanë botës, një gjë e tillë nuk ndodhi me atë rast.  Megjithse Aleksandër Dubçek konsiderohet si njëri prej udhëheqsve më frymëzues të shekullit 20, ekspertët e këtyre ngjarjeve kanë thënë gjatë viteve se megjith qëllimet e mira të tija, ai ishte i gabuar të mendonte se mund të promovonte liritë bazë dhe të drejtat e njeriut mbrenda një sistemi komunist. Ai vazhdoi të përdorte komunizmin dhe idetë majtiste të kësaj ideologjie, si një agjent të reformave. Por, ashtu siç i ka thënë edhe Zërit të Amerikës, megjithë dështimin e lëvizjes, ai konsideron se ka dalur fitues, “moralisht dhe politikisht”.

Lëvizja “Pranvera e Pragës”  ishte një përpjekje madhështore për liri e demokraci, por që ishte destinuar të dështone prej fillimit, megjith qëllimet e mira të Aleksandër Dubçekut.  Ndryshe nga lëvizja Solidarnost në Poloni gjatë 80-ave, e cila kishte marrë qëndrime absolutisht pa kompromis kundër komunizmit, Aleksandër Dubçek u përpoq, siç është shprehur një historian, t’i jepte komunizmit një fëtyrë njerëzore, një mision ky i pa-arritshëm.

Por, ishte revolucioni paqësor anti-komunist i vitit 1989, i udhëhqur nga Vaclav Havel, lëvizja që më në fund realizoi ëndërrrat e Aleksandër Dubcekut dhe të bashkatdhetarëve të tij për liri e demokraci të vërtetë dhe për një çkëputje njëherë e mirë të popujve çek e sllovak nga zgjedha ruso-sovjetike.

Filed Under: Featured Tagged With: 50 vjet, Frank shkreli, Pranvera e Prages

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT