• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHËHEQËSIT SHQIPTARË DHE NDRYSHIMI I KUFIJVE KOSOVË-SERBI

August 14, 2018 by dgreca

MANGËSITË E THEKSUARA UDHËHEQËSE TË VENDIM-MARRËSVE  SHQIPTARË DHE NDRYSHIMI I KUFIJVE KOSOVË-SERBI/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

                                                Nga Frank Shkreli/

  Ka disa javë që është ndezur debati në Republikën e Kosovës, në Shqipëri, anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në botën perëndimore mbi deklaratën e Presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi, fillimisht, për një “shkëmbim territoresh” midis Kosovës dhe Serbisë, pastaj për “ndryshim kufijsh” dhe versioni i fundit është “korrigjim i kufijve”.  Deri tashti duket se ky është një debat që po zhvillohet, kryesisht në media, por me përfundimin e pushimeve verore ka giasë të marrë përmasa më të gjëra.  Mund të jetë një retorikë politike, por sidoqoftë është një nismë e rrezikshme, e cila në minimum mund të vonojë zgjidhjet e problemeve legjitime midis Prishtinës dhe Beogradit e për më tepër mund të dëmtojë rëndë interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, sidomos në nivelin ndërkombëtar.  Kësaj retorike iu referua edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në reagimin e tij, javën që kaloi, ndaj deklaratave për ndryshim ose korrigjim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë, duke i bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit, “Që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin.” 

 

Përballë këtij diskursi publik dhe mediatik, e që ndryshon nga dita në ditë, Presidenti Thaçi ngulë këmbë se nuk ka ndarje të Kosovës dhe as pavarësi për serbët, brenda Kosovës.  Ndërsa partia më e madhe e opozitës në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja shfaqet kundër çdo ndryshimi të kufijve ose shkëmbim territoresh dhe thotë se do të padisë Presidentin Thaçi në Gjykatën Kushtetuese për dekaratat e tija në lidhje me ndryshimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve.  Ndërkohë që kryetari i partisë tjetër në opozitë, Vetvendosje, Z. Albin Kurti tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se,  “Synimet për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh janë të gabuar dhe mund të kenë pasoja të dëmshme.”  Z. Kurti, partia e të cilit mbështet bashkimin kombëtar të shqiptarëve u shpreh kundër faljes së veriut të Kosovës, Serbisë.

Situata e krijuar është tepër konfuze, për një çështje kaq me rëndësi kombëatre, kur është fjala për integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe si rrjedhim tepër e rrezikshme për të ardhmen e saj si shtet.  Pse u ngrit çështja e kufijve, pikërisht tashti dhe papritmas ndërkohë që për pothuaj 20-vitet e fundit nuk ishte subjekt serioz diskutimi as në nivel kombëtar, as ndërkombëtar.  Duket së është vetëm Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai që e ka filluar këtë debat pa bashkërendim dhe pa konsultim me askënd, për arsye që vetëm ai di.  Në radhët e politikës së Kosovës duket se nuk ka pasur asnjë konsultim as vendim të përbashkët për këtë nismë të presidencës së Kosovës.  Është e qartë se dy  ushëheqsit kryesor të vendit,  Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kanë krejtësisht qëndrime të kundërta me njëri tjetrin për sa i përket shkëmbimit territoreve, korrigjimit ose ndryshimit të kufijve. Ndërsa shteti amë, Shqipëria nuk ndihet fare. Tirana zyrtare heshtë! 

U garantoj se Beogradi zyrtar është marrë vesh, jo vetëm mes vedi, por edhe me Rusinë e Putinit në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve – një debat ky që vet Beogradi me aleatët e tij në Moskë mund ta ketë filluar për objektivat e veta afatgjata në Ballkanin Perëndimor, debat të cilin deri tani duket se e kanë fituar, pa marrë parasyshë se si përfundon, evntualisht.  Është vështirë të konstatohet se cilat janë arsyet që udhëheqësit shqiptarë — në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar — ti besojnë Serbisë dhe udhëheqsve të saj, pikërisht në këtë kohë, ndërsa Beogradi nuk kanë marrë asnjë hap për të përmirësuar atmosferën në marëdhëniet midis dy vendeve.  Përkundrazi, Beogradi me ndihmën e Rusisë ka sabotuar dhe vazhdon të sabotojë çdo përpjekje mbrenda Kosovës dhe në nivel ndërkombëtar, me qëllim për të dëmtuar shtetin e Kosovës dhe reputacionin e tij në botë.  Me këtë debat publik dhe mediatik që po zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe në nivel ndërkombëtar, Serbia dhe udhëheqsit e Beogradit e kanë fituar davanë, tanimë.  Ata ia dolën të hedhin dyshime të reja mbi legjitimitetin e sovranitetit dhe të integritetit tokësor të Republikës së Kosovës.  A mund të shpjegojë dikush se si përfiton Republika e Kosovës duke shkëmbyer tokën e saj me atë që është e saja. Si mund të quhet një qëndrim i tillë i arsyeshëm e racional, sidomos përball mos njohjes diplomatike dhe zyrtare të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe padronët e saj në Moskë?  Cili është përfitimi i Kosovës?

Fatkeqsisht, duke marrë parasyshë një skenar të tillë të mundshëm, njeriu i thjeshtë mund të humbas vet arsyen dhe racionalitetin për të gjykuar drejtë, me qëllim për të parë ndonjë përfitim për Kosovën në këtë debat, pasi një skenar i tillë është aq i pa besueshëm.  Në të vërtetë, ky propozim, nëqoftse është i tillë, bëhet edhe më i rrezikshëm, pasi është hedhur në debat dhe udhëhiqet nga përfaqsuesit më të lartë të shtetit të Kosovës.  Por, sado i rrezikshëm qoftë debati  — pa asnjë fokus ose bashkrendim mbarëshqiptar — për ndryshim, për ndreqje ose korrigjim të kufijve, apo sido që t’a quajsh, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë — një rrezik më i madh në këtë mes është mungesa e qartë e bashkpunimit dhe e konsultimit midis subjekteve politike dhe përfaqësuesve të kombit shqiptar, në radhë të parë midis dy shteteve shqiptare, por dhe më gjërë, aleatëve më të ngushtë të Kosovës.  

Fatkqesisht, gjatë pothuaj 30-vjet post-komunizëm dhe pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, nuk ekziston një strategji serioze për bashkrendim objektivash kombëtare afatgjatë dhe as pajtim mendimesh midis vet shqiptarëve për përcaktimin e rrugës, për realizimin e objektivave kombëtare.  Para disa kohësh, ishte Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili ka bërë thirrje për një president të përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën, e tani Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi flet për shkëmbim, ndryshim ose korigjim të kufijve.  Të gjithë e duam bashkimin, por në këtë mënyrë nuk arrihet bashkimi kombëtar dhe as nuk u shërbehet interesave afatgjata të shqiptarëve në trojet e veta.  Duhet durim dhe strategji kombëtare, por mbi të gjitha dhe më së pari duhet bërja dhe konsolidimi i demokracisë në dy shtetet shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës.  Për çështje të tilla madhore për Kombin, nevojitet një bashkrendim zyrtar qëndrimesh nga Tirana dhe Prishtina, mbi të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta – një bashkrendim i mirëfilltë pikëspari midis vet institucioneve shtetërore të Kosovës, gjithmonë në konsultim me shtetin amë, Shqipërinë.  Para se të ketë rregullim të marrëdhënieve me fqinjtë, përfshirë kufijtë me Serbinë, nevojitet pikëspari dhe patjetër, një pajtim midis subjekteve politike shqiptare në radhë të parë, duhet një Besëlidhje e re në këtë përvjetor të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, mbi strategjitë dhe objektivat kombëtare.  

Në një shkrim mbi librin e autorit të këtij artikulli, “Demokracia Nuk Pret”,  eskperti i çështjeve shqiptare dhe ballkanike, Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Drejtorisë së EuroAzisë të Zërit të Amerikës ka folur me rastin e promovimit të librit në VATËR, për “Mangësitë e theksuara udhëheqëse të vendim-marrësve shqiptarë”.   Dr. Biberaj me të drejtë ka nenvijuar se, “Sot, shqiptarët perballen me sfida të dukshme: problemet ekonomike; papunësia e lartë dhe varfëria; korrupcioni që ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë; paligjshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor; institucionet e dobëta; dhe politikanë të papërgjegjshëm që tolerojnë e nxisin korrupcionin dhe përdorin praktika jodemokratike për të siguruar dhe mbajtur pushtetin”.   Dr. Biberaj këshillon se shqiptarët duhet të ndërmarrin ndryshime radikale dhe paralajmëron se, “Polarizimi i skajshëm politik mund të ketë pasoja të rrezikshme për të ardhmen” e Kombit, sidomos mungesa e bashkrendimit të qëndrimeve politike siç është debati i tanishëm mbi ndryshimin e kufijve të Kosovës, do të shtoja unë.  Dr. Elez Biberaj ka bërë thirrje që, “Stili i tanishëm i qeverisjes të ndryshojë me themel dhe të përqendrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike afat-shkurtëra”, dhe që, “Forcat kryesore politike të bien në ujdi mbi vizionin për të ardhmen e vendit dhe mbi përpilimin dhe zbatimin e politikave madhore që do të çonin ne realizimin e këtij vizioni”, është shprehur Drejtori i Drejtorisë së Euro-Azisë të Zërit të Amerikës në komentin e tij mbi librin “Demokracia Nuk Pret”. Ai mendon gjithashtu se përveç thirrjes për ndryshim rrënjësor në qeverisje, “E gjithe shoqëria duhet të ndryshojë thellësisht – mënyra si mendon dhe si vepron ajo.  Shqiptarët duhet të jenë me kërkues dhe ndëshkues ndaj politikanëve të tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe”, ka përfunduar Dr. Elez Biberaj.

Jam plotësisht dakort me vlerësimin e Dr. Biberajt të problemeve shqiptare dhe mendoj se kjo përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie duhet të kërkohet nga udhëheqsit shqiptarë sidomos me këtë rast të këtij debati të filluar mbi ndryshimin ose korrigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë. Nuk besoj që sot për sot të ketë çështje më madhore kombëtare se vet ekzistenca dhe integriteti tokësor i Republikës së Kosovës.  Kjo është përgjegjësia numër një e të gjithë udhëheqsëve dhe vendim-marrësve shqiptarë, pa dallim dhe nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Shpresoj të jem gabim në vlerësimin tim — por mënyra se si po zhvillohet ky debat tani mbi ndryshimin e mundshëm të kufijve të Kosovës me Serbinë — më duket se dominohet nga një mungesë serioze vizioni kombëtar dhe mangësie të përgjegjësive ligjore dhe kombëtare të udhëheqsve shqiptarë, të cilët duhet të dinë pak më mirë.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe kufiri, Frank shkreli, Kosove-Serbi, udheheqesit shqiptare

SHQIPËRIA, VENDI I PARË ISH-KOMUNIST QË KA NËNSHKRUAR MARRVESHJE USHTARAKE ME SHBA

August 12, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe disa ditë më vonë Krye-zëdhënsi i NATO-s, Z. Piers Cazalet njoftuan se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ku NATO do të investojë fillimisht mbi 50-milion euro, për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës.

Duke shkruar mbi këtë subjekt javën që kaloi, kam thënë se baza ushtarake në Kuçovë, është e pagëzuar si bazë e NATO-s dhe ashtu duhet të jetë pasi Shqipëria është anëtare e denjë e kësaj aleance të madhe ushtarake, por shqiptarët duhet të jenë të vetdijshëm se pa shtytjen dhe pa miratimin e Shteteve të Bashkuara, nuk do flisnim sot për një bazë ushtarake të NATO-s në Shqipëri dhe madje kam drojë as për antarësim të Shqipërisë në NATO.  Kam thënë gjithashtu se, historikisht, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi nuk kanë aleat më të mirë strategjik, ushtarak dhe diplomatik se Shtetet e Bashkuara.

Megjithse njerzit mund të kenë harruar, por e vërteta është se ky interesim, në fusha të ndryshme, i Shteteve të Bashkuara për Shqipërisë dhe për shqiptarët është pasqyruar dhe thekësuar që në vitet menjëherë pas shëmbjes së komunizmit në Shqipëri.  Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë pothuaj 30-viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas rënjes së diktaturës komuniste në Shqipëri.  Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për antarësimin e saj në NATO.  Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve kryesisht për arsye të problemeve të mbrendshme politike në Shqipëri,  por që në të vërtetë procesi ka filluar me vizitën e parë  të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në 1990-at, një proces ky që më në fund kulmoi në antarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.

Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhënjet me të cilin, Washingtoni i ka vlerësuar shumë.  Ç’prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve më 15 mars, 1991 — pas një ndëprerjeje prej një gjysëm shekulli nga regjimi komunist— edhe Shqipëria, mbrenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me bashkpunimin në arenën ndërkombëtare.

Vizita e parë në Washington e një Ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e të ndjerit Safet Xhulali dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të 1990-ave.  Unë pata marrë pjesë si përkëthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dy palët, biseduan në hollësi mbi gjëndjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe mbi marrëdhëniet e ardhëshme dhe për bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.  Pjesa më e madhe e bisedimeve me atë rast, iu kushtua  luftërave në Ballkan dhe aftësive ushtarake të palëve, por mbi të gjitha u bisedua mbi aktualitetin ushtarak në territorin e ish-Jugosllavisë, mbi rolin dhe aftësitë e forcave të armatosura serbe që kishin ndezur Ballkanin dhe të cilat priteshin që — pas luftërave në Bosnje dhe Kroaci, të fillonin edhe masakrimin e popullësisë shqiptare në Kosovë, ashtu siç, në të vërtetë, edhe ndodhi.

Por si filluan marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë që çuan në antarësimin e Shqipërisë në NATO më 2009 dhe në ndërtimin e bazës së parë ushtarake të NATO-s jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë Ballkanin Perëndimor ?  Ishte një proces i gjatë, por që ia vlente.

Ishte Tetori i vitit 1993 kur Washingtoni nënshkroi një marrveshje ushtarake me  Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrveshje të tillë. Si diçka e jashtzakonshme, duke marrë parasyshë marrëdhëniet ose mos ekzistendën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Washingtonit — në atë kohë ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Washington Post. “Marrveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante  David Binder në gazetën Nju Jork Tajms, “është nënshkruar më 8 Tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin dhe më 14 Tetor në Tiranë, është nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Xhulali”, njoftonte gazeta e njohur e Nju Jorkut.  Në marrveshjen ushtarake midis dy vendeve shprehej, “Gatishmëria e të dy palëve për të zgjëruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve.” Koloneli Adem Çopani, këshilltari ushtarak i Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, gjëndej ato ditë në Washington për të biseduar mbi hollësitë e marrëveshjes. Jo vetëm që kjo ishte marrveshja e parë ushtarake e Washingtonit me një prej vendeve ish-komuniste më të egra, por Shqipëria ishte gjithashtu edhe vendi i parë ish-komunist që kishte kërkuar gjithashtu të antarësohej në NATO.  Ka qenë Presidenti Sali Berisha ai që kishte bërë lutje për antarësimin e Shqipërisë në NATO, por fatkeqësisht u desh të pritej deri në vitin 2009 që Shqipëria, më në fund, të antarësohej zyrtarisht në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, duke finalizuar kështu përpjekjet, prej pothuaj dy dekadash dhe duke realizuar gjithashtu edhe aspiratat mbarëshqiptare për antarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë bota.

Pak më vonë, gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post i kishte cilësuar marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane – midis ushtrisë më të pasur dhe më të fuqishme në botë dhe një ushtrie të vogël e të varfër — si një “lidhje dashurie ushtarake”,  (a military love affair), ndërkohë që citonte një oficer ushtarak amerikan, i pyetur për zhvillimin e shpejt të lidhjeve ushtarake me një vend ish-komunist, të ketë thënë se “Jemi prekur thellë nga ‘sindroma shqiptare’  – nga një dëshirë e madhe për t’i ndihmuar këta njerëz”, është shprehur oficeri i lartë amerikan.  Washington Post theksonte gatishmërinë e Shqipërisë për këto marrëdhënie duke shkruar se Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u kishte venë në dispozicion Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, përdorimin e të gjitha bazave ushtarake të Shqipërisë, duke thënë se, “Ne i mirëpresim Amerikanët. Ata janë çelësi i sigurimit tonë”, citon gazeta amerikane, ish-Presidentin Berisha.

Ndërsa gjatë një vizite në Tiranë, në vitin 1995, ka raportuar gazeta Washington Post, Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili, u ka kujtuar shqiptarëve se interesimi i Shteteve të Bashkuara për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, e ka zanafillën tek Presidenti Woodrow Wilson, i cili ndërhyri në mbarim të Luftës së parë Botërore për të shpëtuar Shqipërinë.  “Sa i kënaqur do të ishte Wilsoni po të kishte mundësi të vizitonte sot Shqipërinë dhe të shikonte realizimin e gjallë të ëndërrës duke parë ushtarakët e rinjë amerikanë, krah për krah, me shokët e tyre shqiptarë, duke ndërtuar një të ardhëme besimi, miqësie dhe partneriteti midis dy vendeve tona”, është shprehur ish-ushtaraku i lartë amerikanë para zyrtarëve më të lartë ushtarakë të Shqipërisë, në vizitën e tij në Tiranë në vitin 1995.

Besoj se Wilsoni do të ishte shumë i kënaqur edhe sot me njoftimin se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, ku ushtarakët amerikanë e shqiptarë do të punojnë se bashku në mbrojtje të paqës e begatisë në Shqipëri dhe më gjërë. Por jo vetëm Wilsoni do të ishte i kënaqur për këtë zhvillim, por të gjithë ata — shqiptarë dhe amerikanë që ua duan të mirën marrëdhënieve midis dy vendeve tona—e të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë për forcimin e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane, si në fushën ushtarake ashtu edhe në fushën diplomatike dhe politike midis dy popujve gjatë çerek shekullit të fundit.  Janë përpjekje këto të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zejë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve europiane, por njëkohësisht edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare.  Shpresojmë që ndërtimi i bazës ushtarake në Kuçovë, si baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, të jetë vetëm fillimi i zhvillimeve të mëtejshme në forcimin dhe zgjërimin e këtyre marrëdhënieve.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, marrveshje ushtarake, SHBA-Amerike

BAZA AJRORE E NATO-s NË KUÇOVË, NJË LAJM SHUMË I MIRË PËR SHQIPËRINË

August 9, 2018 by dgreca

1 mattis_xhacka

…këtë lajm e vërtetoi edhe Krye-zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet kur u pyet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) për investimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, ka thënë për ATSH-ën se, “NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri./

1 Shkreli

Nga Frank Shkreli/

Muaji i gushtit është zakonisht një periudhë, kur  njerzit në përgjithsi përfshirë edhe ata të politikës  shkojnë në pushime dhe si rrjedhim asgjë nuk ndodhë në politikë as në diplomaci.  Mezi presim të na pushojnë edhe veshët nga grindjet dhe debatet skandaloze politike – është pra një periudhë letargjike, pasive dhe dembelizmi të theksuar për të gjithë.  Pikërisht në këtë stinë të këtyre ditëve të vapës afrikane — që këtu në Amerikë i referohemi si “dog days of summer”, (ditët verore të qenit) megjithse nuk kanë të bëjnë aspak me qenët, por me pozicionimin e hyllit të quajtur Sirius karshi diellit, nga 24 korriku deri më 24 gusht – u përhap një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe për Shqiptarët.

Fillimisht, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama qe ai i cili njoftoi, fundjavën që kaloi, se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.  Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ka shkruar në faqen e tij elektronike Z. Rama, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.  Ai ka njoftuar gjithashtu se me këtë projekt, i cili pritet të nisë punimet brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës.  Kuçova do të shërbejë, njëkohësisht, edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjell një standart të ri për Forcat Shqiptare të Armatosura, ka theksuar Kryeministri Rama, duke dhënë lajmin e mirë për të gjithë.  Disa ditë më vonë këtë lajm e vërtetoi edhe Krye-zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet kur u pyet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) për investimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, ka thënë për ATSH-ën se, “NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri.  Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për agjencinë shqiptare të lajmeve, Krye-zëdhënsi i NATO-s, Z. Cazalet, duke shtuar më tej se, “Financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s”. Shqiptarët kudo dhe pa marrë parasyshë prirjet e tyre politike, duhet ta përshëndesin këtë zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo.  Lajm më të mirë për ne nuk ka pasur ç’prej antarësimit të Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.  Janë disa gjëra që të gjithë shqiptarët duhet t’i përshendesin si ngjarje me rëndësi të interesit afatgjatë të kombit dhe të sigurisë së vendit. Vendimi i Aleancës Perëndimore të NATO-s për tëndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, është një prej këtyre objektivave me rëndësi kombëtare, për të mos thënë historike.

Nuk ka rëndësi se në mandatin e cilit person ose cilës parti politike u realizua ky projekt.  Rëndësi ka fakti se NATO ka zgjedhur Shqipërinë për një prani të tillë të saj në trojet shqiptare, për të ndërtuar një bazë të Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjë herë bota.  Kjo ka shumë rëndësi!  Për më tepër,i rëndësishëm është gjithashtu fakti që sipas Kryeministrit Rama, zyrtarët shqiptarë po diskutojnë me SHBA-në për të “Modernizuar edhe më tej kapacitetet ajrore të Shqipërisë”.  Themi  baza ajrore në Kuçovë të Shqipërisë është e NATO-s, por e vërteta është se pa miratimin e Shteteve të Bashkuara nuk do të merrej një vendim i tillë.  Duhet të jetë e qartë tanimë se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithsi nuk kanë aleat më të mirë strategjik se Shtetet e Bashkuara.  Do të ishte mëkat që faktet dhe provat historike të miqësisë midis dy popujve tanë të mjegullohen, nga hera në herë, me sjellje e deklarata të pa përgjegjëshme flirtimesh të udhëheqësve shqiptarë me udhëheqës autokratë vendesh të cilat, historikisht, nuk ia duan të mirën kombit shqiptar.  Mos luani me miqësinë amerikane të sprovuar, historikisht, por kultivoni këto marrëdhënie, sepse megjithse larg gjeografikisht, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithëmonë afër shqiptarëve.  Më pëlqen fakti se njoftimi për këtë lajm të mirë nuk u bë bujë nga Tirana zyrtare duke rrahur gjoksin siç është zakon në diskursin politik shqiptar për të marrë kredi se këtë e bëra unë ose ai tjetri.  Kjo tregon pjekuri politike dhe një gjë e tillë është mirë për politikën rajonale dhe të jashtme por edhe për politikën e mbrendshme, që zakonisht suksese të tilla degjenerojnë në debate të ashpëra dhe retorika negative midis palëve, se kush e bëri i pari dhe kush kontriboi më shumë në realizimin e këtij apo atij suksesi të politikës së jashtme ose të mbrojtjes.

E vërteta është se të gjitha palët mund të marrin kredinë për këtë vendim të NATO-s me shumë rëndësi kombëtare për shqiptarët.  Ishte Ministrja aktuale e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila gjatë takimit të fundit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes James Mattis në Pentagon prillin e kaluar, e cila bëri thirrje për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara ose NATO-s në Shqipëri.  Ajo u shpreh me atë rast se Shqipëria kishte paraqitur disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s. Mirëpo, sa për një përspektivë sado pak të vogël historike, duhet thënë se ideja e një baze amerikane në tokën shqiptare nuk është një ide e re.  Në të vërtetë, zanafillën e ka në fillim të viteve 1990 menjëherë pas shembjes së komunizmit. Ka qenë ish-Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Safet Xhulali, i cili në një takim në Pentagon në fillim të viteve 1990-ta, (ku kam qenë prezent) hodhi idenë e një baze amerikane në Shqipëri.  Jo, NATO-s, pasi Shqipëria atëherë nuk ishte në NATO, por për një bazë ushtarake amerikane. Duke marrë parasyshë gjëndjen e atëhershme në Shqipëri, në atë kohë, mu duk se propozimi të ndjerit Xhulali ishte një propozim pak si i nxituar, por gjithsesi ishte largpamës.  Fatkeqsisht, punët shkuan si shkuan në Shqipëri duke kulmuar më në fund në ngjarjet tragjike të vitit të zi 1997, e pastaj lufta në ish-Jugosllavi e në Kosovë.  Por më mirë vonë se kurrë.  Duhet durim për gjëra të mira ka thënë i moçmi. “Durimi dhe këmbëngulja kanë një efekt magjik para të cilave vështirsitë dhe pengesat zhduken me kohë”, ka thënë dikur Presidienti i 6-të i Shteteve të Bashkuara, John Quincy Adams.

Prandaj, të dy palët politike në Shqipëri meritojnë kredinë për durimin dhe këmbënguljen e tyre gjatë këtyre tre dekadave në lidhje me praninë ushtarake amerikane ose të NATO-s, në trojet shqiptare.  Kjo duket se, së bashku me antarësimin e Shqipërisë në NATO, të ketë qenë një prej çështjeve që të dy palët politike shqiptare, shpesh antagoniste në marrdhëniet e tyre për shumë çështje, sidomos përsa i përket politikës së mbrendshme, të kenë qenë dakort që Shtetet e Bashkuara ose NATO-ja duhej të vendosnin një prani përmanente ushtarake në Shqipëri.  Ja, më në fund duket dhe shpresojmë sinqerisht se kjo edhe po ndodhë me njoftimin e vendimit të fundit të NATO-s për të ndërtuar në Shqipëri, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

Si përfundim i këtij njoftimi, sot jam me më shumë shpresë se Shqipëria do të bëhet.  Vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërtuar një bazë ushtarake në Kuçovë është pa dyshim një njohje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për angazhimin dhe kontributin e Tiranës në NATO dhe si një vend aleat i besueshëm. Shqipëria e ka treguar këtë besueshmëri dhe besnikëri në tre dekadat e kaluara dhe gjatë mandateve të qeverive demokrate dhe socialiste, pa përjashtim.  Kjo është një njohje e merituar nga NATO-ja, falë edhe profesionalizmit të forcave ushtarake shqiptare, pjesëmarrëse në misione të ndryshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.  Për suksese të mëtejshme në politikën e jashtme dhe të mbrendshme, tani pritet prej klasës politike shqiptare që të përmirësohet atmosfera politike mbrenda vendit: të përmirësohet diskursi politik dhe të vendoset një dialog i mirëfilltë për objektivat madhore të interesit kombëtar midis palëve, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s. Luftoni deri në fund korrupcionin, vendosni drejtësinë, pastroni politikën. Shqipëria mund të bëhet!

 

 

 

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, John Mathis dhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka gjatë takimit të fundit në Pentagon prillin e kaluar

Filed Under: Featured Tagged With: Baza e NATOS, Frank shkreli, Kuçoves

KUJTOJMË ET’HEM HAXHIADEMIN

August 8, 2018 by dgreca

1 Ethem HaxhiademiNË KUADËR TË 550-VJETORIT TË GJERGJ KASTRIOTIT-SKENDERBE/

1-Franku

Nga Frank Shkreli/Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe, revista “Shëjzat” e Ernest Koliqit në Romë kishte ribotuar në vitin 1968 tragjedinë e Ethem Haxhiademit, Skënderbeu, shkruar prej tij në vitin 1935.  Revista “Shëjzat” e ribotoi në atë kohë tragjedinë e Haxhiademit, kushtuar Skënderbeut jo vetëm për të përkujtuar 550-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, por edhe për të nxjerrur në shesh emrin dhe veprat e Etëhem Haxhiademit, të ndaluara nga regjimi komunist, përfshirë edhe tragjedinë “Skënderbeu”.  Nuk ka dyshim se veprat e Haxhiademit u ndaluan nga regjimi komunist për aryse të edukimit të tij në perëndim.  Siç është shprehur edhe specialisti dhe studiuesi gjerman i letërsisë shqipe (i lindur në Kanada), Robert Elsie, në “Historinë e Letersisë Shqipe, “Formimi i thellë evropian perëndimor i tij (Etëhem Haxhiademit) gjeti shprehje më të plotë në tragjeditë klasike sipas modeleve greke e latine”.  Fatkeqsisht, emri i Haxhiademit si dhe vlerat kombëtare të veprave të tija vazhdojnë të mbeten në errësirën e harresës edhe tani në post-komunizëm, ashtu siç ishin të ndaluara edhe në kohën e komunizmit.  Duhet të falënderojmë të huajt, siç ishte Robert Elsi i ndjerë, të cilët kanë shkruar dhe shkruajnë për shkrimtarët shqiptarë dhe veprat e tyre të ndaluara nga komunizmi enverist dhe të harruara nga Shqipëria “demokratike” e 28 viteve të fundit.

Fatkeqsisht, unë nuk di shumë për jetën dhe veprat e Etëhem Haxhiademit, përveç disa informacioneve të kufizuar që gjënden në internet mbi jetën dhe veprat e tija, por po përpiqem ta kujtoj atë për vlerat dhe kontributin e tij, por edhe si pjesë e një “amaneti” që më kishte porositur Ernest Koliqi në një letër që më kishte dërguar në fillim të viteve 1970-ata, me rastin e një nisme modeste për botimin e një reviste për të rinjtë në Nju Jork, ku më këshillonte që në rast se kjo fletore modeste do të merrej edhe me letërsi, atëherë, “Mos harro auktorët që regjimi komunist i Tiranës ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe.”  Fatkeqsisht, botimi i kësaj fletorjeje nuk zgjati, vetëm disa numra, ndonëse pas pak kohe u çvendosa nga Nju Jorku në Washington për të punuar për Zërin e Amerikës dhe si përfundim botimi i saj u ndërpre për gjithmonë, duke mos pasur mundësi të plotësoja porosinë e tij. Por amanetin jam munduar t’a mbajë këto 10-15 vitet e fundit, duke kujtuar, sipas mundësisë dhe nga koha në kohë, në publicistikën tepër modeste, shkrimtarët dhe poetët mbrenda dhe jashtë atdheut, të ndaluar dhe shumë prej tyre të persekutuar, të burgosur dhe të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, siç është edhe Etëhem Haxhiademi. Është në këtë frymë pra dhe pa kurrfarë pretendimesh prej eksperti, që marrë lirinë dhe guximin të kujtoj edhe këtë dramaturg e poet të harruar dhe të strukur në errësirën e mos kujtesës, pikërisht për vuajtjet e tija dhe dramën  “Skënderbeu” në këtë vit kushtuar Gjergj Kastriotit -Skënderbe, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Krye-Prijsit të shqiptarëve.

Sipas burimeve të ndryshme, Etëhem Haxhiademi ka lindur në Elbasan në vitin 1902, ku ka kryer edhe shkollën fillore, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i ka kryer në Austri dhe Gjermani. Konsiderohet si një letrar i përgatitur mirë, një prej përfaqsuesve klasikë të letërsisë shqiptare, sipas atyre që janë në gjendje të vlerësojnë veprat e tija.  Në dedikimin e botimit të tragjedisë “Skënderbeu”, vlerësohet si autor i cili i dha letërsisë shqipe vëllimin e vjershave origjinale të përmbledhura në veprën me titull, “Lyra”, përfshirë edhe përkthime veprash klasike nga latinishtja.  Aty thuhet se Haxhiademi mori pjesë në lëvizjen letrare shqiptare të këthesës historike dhe interesante që është periudha nga viti 1930 e më vonë, ndërkohë që ai bëhet i njohur me një numër veprash dramatike që dolën në dritë nga viti 1921 e deri më 1939.  Në këtë kënd vështrim, tragjedia “Skënderbeu” shtjellon një subjekt kombëtar, “Këtë herë, tyke e ditun se popullit t’onë i pëlqejnë themat kombëtare, paraqis tragedin ‘Skënderbeu’ me protagonist heron t’onë kombëtar”, ka shkruar Haxhiademi.

Në veprat e tija, “Me ndiesi bujare pajisen vehtjet e krijueme prej tij”, ndërsa “Idealet e nalta njerzore paraqiten në veprat e tija si pikë arrijtjeje të jetës”, ka vlerësuar Ernest Koliqi në parathënien e ribotimit të tragjedisë, “Skënderbeu” nga revista Shëjzat me rastin 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut më 1968, në Romë.

Tragjedia “Skënderbeu” e Etëhem Haxhiademit përshkruan shumë fatkqësi, fyerje dhe urretje për vdekje, me të cilat është përballur Skënderbeu gjatël gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij, si prijës tokave arbërore. Intrigat e shumta për pushtet, për tu bërë vet mbret — duke u përpjekur për të prishur besëlidhjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbe me prijësit e tjerë shqiptarë — nga Moisi Golemi dhe bashshkortja e tij, Zanfina përfundojnë madje edhe në tradhëti ndaj Skënderbeut, duke i prirë një ushtrie otomane e cila më në fund mundet nga Gjergj Kastrioti — Skënderbeu dhe forcat e tij besnike. Megjithkëtë, Skënderbeu e falë dhe i jep Moisiut detyrën e tij të më parëshme, ndërsa e shoqja e Mosiut, Zanfina e dëshpëruar për ngjarjet, therë veten me thikë dhe vdes.

Tragjedia “Skënderbeu” e Etëhem Haxhiademit sjellë reagimin e Skënderbeut ndaj vetëvrasjes së Zanfinës duke përfunduar me refrenin e shkurtër në të cilin, ku megjithë tradhëtinë e madhe ndaj tij nga më të afërmit bashkpuntorë të tij, shprehet vlera e faljes dhe e pajtimit, si një prej idealeve më të larta njerëzore që paraqiten në veprat e tija, si pikë arrijtjeje të jetës për të gjithë, madje edhe në ditët e sotëme moderne, ndërkohë që Skënderbeu – megjithë tradhëtitë ndaj tij – madje shfaq edhe keqardhjen e vet për vdekjen e shoqes së Moisiut, Zanfinës:

“Ndonëse më donte të keqen, pikëllohem,

Për vdekjen e të ngratës kur mendohem.”

Përmbyllet tragjedia “Skënderbeu” me refrenin përfundimtar të Skënderbeut — si protagonisti kryesor i tragjedisë — me një dëshpërim por edhe me një premtim prej tij:

“Filluem të msohemi me pun’t’ këqija

Dhe si po shoh e mjer’ do të jetë Shqipnija.

Por unë deri sa t’rroj nuk do të kursehem

Për të mbrojtun tokën t’ime që ushqehem.

Barbarit të tërbuem sa të jem gjallë,

Do t’i vërsulem rreptësisht me pallë

Dhe gjak’i im bregoret do t’i lajë,

Që të rrojë Shqipnia dhe flamur’i saj.

Në “Historinë e Letërsisë Shqipe”, Robert Elsie ka shënuar se, “Në kohën e gjuetisë së shtrigave më 1946-1947, Haxhiademi u arrestua e u dënua me vdekje.  Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan.  Me ndërhyrjen e njerëzve me influencë si Aleksandër Xhuvani (1880-1961) dhe Omer Nishani (1887-1954), dënimi me vdekje iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet si përkthyes në burgun e Burrelit”.

Thuhet se vdekja e tij ndodhi nën rrethana të dyshimta, pasi sipas disa burimeve as varri nuk i dihet.  Robert Elsie citon Haxhiademin të ketë shkruar se, “Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht t’a çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël.  Nga nji herë ngjanë që e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët. Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare?” Ethem Haxhiademi (1902-1965) i shkroi këto fjalë në vitin 1939, si parathënie në botimin e librit të tij me poezi “Lyra”.   “Atëbotë, ai nuk mund ta dinte”, shkruan Robert Elsie, “Se çlirimi i vendit që sa po pushtohej, do ta mbyllte në qelitë e burgut, prej ku nuk do të dilte i gjallë.  Nëse Shqipëria komuniste e dënoi, Shqipëria demokratike, duket se nuk ia hedh sytë. Për 70 vite me radhë, tekstet e tija u “zhdukën”, u strukën, humbën, nuk u lexuan, nuk u shkrua për to, nuk u përmendën…në Shqipëri, ende sot, duket sikur ka “një urdhër-ndalese a harrese” që i sillet si aureolë e zezë emrit të tij”, ka shkruar Elsie për tragjedinë e jetës së Haxhiademit.

Kujtojmë Etëhem Haxhiademin për veprën e tij “Skënderbeu” në këtë vit të shpallur prej shqiptarëve si Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbe, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar.  Por, njëkohsisht, unë e kujtoj me këtë rast edhe për të çuar në vend amanetin e marrë në vitin 1972 – që sipas mundësive —   të mos harrohen, por të kujtohen autorët që regjimi komunist i Tiranës i ka përjashtuar nga historia e letërsisë shqipe dhe të cilëve, fatkeqësisht, siç është shprehur edhe studiuesi i çeshtjeve shqiptare, Robert Elsie, “Shqipëria demokratike nuk ua hedhë as sytë”

1 Skenderbeu

*Ribotimi “Skënderbeut” të  Et’hem Haxhiademi nga Shëjzat e Ernes  Koliqit në Romë më 1968, me rastin  e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skëndrebeut

Filed Under: Histori Tagged With: 550 vjetori, ETHEM HAXHIADEMI, Frank shkreli, Kujtese, Skenderbeu

DO TË KTHEHEN NË ATDHE ESHTRAT E MIDHAT FRASHËRIT

August 1, 2018 by dgreca

1 mitat VONË, POR MË MIRË VONË SE KURRË-DO TË KTHEHEN NË ATDHE ESHTRAT E MIDHAT FRASHËRIT/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se qeveria shqiptare ka vendosur që eshtrat e Midhat Frashërit, njërit prej nenshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njërit prej figurave më të dalluara të kulturës dhe letrave shqipe, të këthehen në Atdhe nëntorin që vjen, me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Ky vendim, sipas medies, është marrë bazuar në kërkesën e Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo” dhe kryetarit të këtij instituti, Z. Uran Butka.1 Kong i Manastirit

Ne Kongresin e Mnastairit, prane Ate Gjergj Fishtes/

1 MITHAT-BEU-2-800x445

Nuk e di se sa serioze është kjo klasë politike shqiptare për një pajtim të vërtetë kombëtar, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit, por megjithëkëtë, vendimi për kthimin e eshtrave të Midhat Frashërit në Atdhe është për t’u përshendetur, si një hap në drejtimin e duhur. Vonë, por më mirë vonë se kurrë.  At Gjergj Fishta, Poeti i Kombit dhe mbrojtësi i zjarrtë i të drejtave të shqiptarëve – i ulur aty pranë Midhat Frashërit në foton e Kongresit të Manastirit siç mund të shihet më poshtë – e pyet veten: po unë çfarë të keqe i bëra Kombit tim që më ka hedhur në harresë?!  Fatkeqsisht, eshtrat e At Gjergj Fishtës janë hedhur në lum nga regjimi i Enver Hoxhës me shpresën se kujtimi i tij do të zhdukej njëherë e për gjithmonë nga faqet e historisë së shqiptarëve, por ka mënyra të tjera për të nderuar këtë kolos të Kombit Shqiptar. Fatkeqsisht, nuk ekziston një vullnet i mirë për të nderuar Fishtën, por duhet të durojmë dhe tu japim kohë, sepse sië është shprehur Tolstoji, “Ushtarët më të fortë në jetë janë koha dhe durimi”.  Prandaj them më mirë vonë se hiç!  Pajtimi Kombëtar e kërkon një gjë të tillë.

Por, sot përshëndesim vendimin e qeverisë shqiptare për të kthyer në Atdhe eshtrat e Midhat Frashërit, patriotit dhe personalitetit të njohur të Kombit. Dua ta përshëndes këtë vendim të qeverisë së Shqipërisë duke kujtuar, me këtë rast, Midhat Frashërin me një shkrim të përditësuar, kushtuar atij botuar disa vjetë më parë, pikërisht me rastin e 65-vjetorit të vdekjes së tij.

Më 3 tetor 1949, në hotelin Lexington në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë i mërguar dhe larg Atdheut, Midhat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit dhe nip i rilindasve Naim Frashëri dhe Sami Frashëri.  Unë deshta ta kujtoj atë në këtë përvjetor, natyrisht për vet meritat e këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit, dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohësit dhe bashkluftarët e tij. Unë nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të informuar mirë që në këtë përvjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, të shkruaj mbi jetën dhe aktivitetin e tij politik dhe atdhetar.   Por, po e shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest, në emër të disa bashkombasve të mi, dikur bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit – e të cilët nuk janë më – por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam pas fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave, pasi besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë rast të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur.

Midhat Frashëri, si themelues dhe kryetar i Ballit Kombëtar, për ta   ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por konsiderohej edhe si një udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh.  Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos përmendëte diçka nga kohët e vështira që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilëve, si besnikë të tij që ishin, ai iu referohej atyre si “djemtë e mijë”.  Këta janë ndër ata që kishin ecur këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon, që për ta ishte bërë si emër i dytë i tij.   “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm në bisedat me ish-kolegëve të mi.  Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin kujtimin dhe porositë e tij dhe njëkohsisht të luftonin me dije e penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një Shqipëri të Shqiptarëve, siç thonin ata. Ata e bënë këtë, secili në mënyrën e vet, deri në fund të jetës së tyre.Ish-kolegët e mi, flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili thonin ata, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë – gjithmonë me ta, gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë, si në fitore ashtu edhe në humbje.  Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës.  Ata kujtonin jetën me Midhat Frashërin nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm.   Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasur për Kosovën dhe për trojet shqiptare në përgjithësi, theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Ethnike.  Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen përball situatës së zymtë të pas luftës si përfundim i fitores së komunizmit dhe të ndarjes së tyre me familjet që kishin lënë pas, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ishte Midhat Frashëri ai, i cili, i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes.  “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë? , ai i është përgjigjur duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”

Kisha dëgjuar aq shumë prej tyre për personin dhe veprimtarinë e Midhat Frashërit, si njeri dhe si një rilindas i shquar, mbi travajët e tyre gjatë dhe pas luftës, sa që pas disa viteve me ta, pothuaj e ndjeja veten si të kisha qenë pjesë e atij grupi të nderuar bashkadhetarësh, megjithse isha shumë më i ri nga mosha.  Prandaj, me këtë rast dua të kujtoj Midhat Frashërin, por edhe ata që kanë qenë afër tij dhe të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi.  Pikëspari Zonjën e nderuar Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë.  Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duart e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë lotë, pasi nga ajo ditë e sot, mendohet se me të këthyer në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Midhat Frashëri.   Ndër të tjerët “djemë” të Midhat Frashërit të asaj gjenerate, me të cilët kam punuar,  kanë qenë Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni dhe jashtë zyrës së VOA’s ishin  Dr. Tako Bacaj,  Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit të parë shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashit – autorit  të parë të gjeografisë  së Shqipërisë më 1935 — vëllëzërit  Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte plot veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën – njëri mjek i dalluar e tjetri profesor i shkencave politike, e i cli njihej si profesor që adhurohej shumë nga studentët e tij universitarë amerikanë.  Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin – ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre – janë bërë tani edhe pjesë e kujtimeve të mia, përshtypje të cilat i kujtoj me nderim në këtë 65- vjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, djalit të Abdyl Frashërit dhe nipit të Naimit dhe Sami Frashërit.

Ishin këta ish kolegë të mi gazetarë, të cilët çdo ditë dhe në çdo moment, profesionin e tyre përpiqeshin ta merrnin tepër seriozisht.  Ishin të “shkollës së vjetër”, ashtu siç i donte dhe siç i kishte mësuar Midhat Frashëri, i cili rolin e gazetarit e kishte çmuar shumë, duke thënë se gazetarët duhet të jenë “njerëz të idealit” dhe “me ndërgjegje të lartë kombëtare”. Shtypi, ka shkruar ai, duhet të jetë “kopshti i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqërore, predikimi për zhvillimin mendor dhe shpirtënor, e një disipline vullnetare e një rregulle të inspiruar prej amorit dhe dashurisë, duke kupëtuar drejt dhe vërtet interesin tëndë”.   Ideja e tij ishte se shtypi i lirë që do t’i shërbente interesave të kombit dhe të shoqërisë duhej “të drejtohet nga njerëz të zotë dhe profesionistë”, duhej të jetë, sipas Midhat Frashërit, në “Duar të dënja, në njerëz të zotër, të paisur me cilësi dhe virtute të naltë”.Në fjalimin e tij të famshëm në BBC e Londrës, në vjeshtën e vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte më në fund se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo racë së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë.  Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”.  Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë.  “Kjo”, ka thënë ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”Fatkeqsisht, ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohej si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e ka etikuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit.  E cilin? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashëri i Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip!  Midhat Frashëri i Konferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!  Midhat Frashëri i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanatizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar!  Shpresojmë që kjo të ndryshojë me kthimin e eshtrave të ti Shqipëri.Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike të kombit, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Historia e vërtetë shqiptare do ta thotë fjalën e fundit.  Kjo është arsyeja pra që Midhat Frashëri Meriton të kujtohet gjithmonë dhe nga të gjithë shqiptarët kudo, pa marrë parasyshë ndryshimet në pikëpamjet politike dhe ideologjike midis tyre.  Në këtë rast, po të mund të fliste, Midhat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha për “të përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund ata të fitojnë luftërat që e presin kombin, për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhëshëm.Mjaftë me mëkatet që u janë bërë patriotëve si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta!  Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Shpresojmë që vendimi i qeverisë shqiptare për të kthyer në Atdhe eshtrat e Midhat Frashërit, të jetë fillimi i një rishikimi të historisë dhe i rivelerësimit të kontributit që kanë dhënë për Kombin shqiptar, patriotët shqiptarë si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta. Është një vendim i mirëpritur, ndonëse i vonuar, por më mirë vonë se kurrë!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Kthehen eshtrat e Mithat Frasherit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT