• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË JETOJMË SI VËLLEZËR OSE DO VDESIM SI BUDALLENJ….

January 18, 2018 by dgreca

1 Luter King Jr.

Martin Luther King: “DUHET TË MËSOJMË TË JETOJMË SË BASHKU SI VËLLËZËR  OSE DO VDESIM TË GJITHË SI BUDALLENJ”/

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Të hënën që kaloi, në Shtetet e Bashkuara u shënua dita kushtuar Martin Luther King-ut, predikatorit protestan, aktivistit dhe udhëheqsit të lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, nga viti 1954 e deri më 1968.  Është kjo një festë federale që shënohet çdo vit anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, të hënën e tretë të Janarit, e që përkon me ditëlinjen e tij më 15 të këtij muaji.  Martin Luther King-u njihet në historinë amerikane dhe botërore për rolin e tij paqësor në avancimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut duke përdorur taktika dhe mjete paqësore, përfshirë mosbindjen civile, bazuar në besimin e tij të krishterë dhe frymëzuar nga aktivizmi i padhunë i Mahatma Gandhit.  Për veprimtarinë e tij paqësore, në mbështetje të drejtave civile për afrikano-amerikanët, gjatë 50-ave dhe 60-ave, atij iu akordua Çmimi Nobel për Paqë, duke u bërë kështu personi më i ri që mori këtë çmim prestigjoz ndërkombëtar, në vititn 1964.

Dita kushtuar Dr. Martin Luther King-ut është një festë dhe ditë pushimi për shumicën e amerikanëve, ashtu siç janë edhe festat e tjera federale dedikuar presidentëve të Amerikës ose datave kyçe të historisë amerikane, siç është Dita e Pavarësisë.  Sidomos në këtë ditë, media të ndryshme amerikane, përfshirë stacionet televizive, me këtë rast, kujtuan këtë burrë të madh duke i sjellur   publikut fjalime dhe citime frymëzuese të këtij personaliteti të historisë së Shteteve të Bashkuara.  Citimet dhe fjalimet e tija, megjithëse shqiptuar gjysëm shekulli më parë, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situate të popujve kudo në botë, pasi ai fliste për vlera dhe të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasyshë, racën, fenë ose origjinën etnike.

Njëri prej fjalimeve me rëndësi, por që ndoshta nuk tërheq aq shumë vëmendjen si fjalimet e tjera historike të njohura të tija jo vetëm për nga përmbajtja por edhe për nga oratoria e udhëheqsit të të drejtave civile — ishte fjalimi i Martin Luther King-ut mbajtur në Katedralën Kombëtare në Uashington në mars të vitit 1968, para se të vritej në prill të vitit 1968.

Duke folur për atë që e ka quajtur si “revolucioni i madh teknologjik”, si edhe për “revolucionin në fushën e të drejtave të njeriut”, me shpërthimin e lirisë në botë ai ka thënë se, “Kurdoherë që diçka e re ndodhë në histori, sjellë me vete sfida dhe mundësi të reja…Për t’u përballur me këto sfida, ne duhet të kemi një persepktivë botërore.   Asnjë person nuk mund të jetojë vetëm, asnjë komb nuk mund të ekzistojë i vetëm.  Kushdo që mendon se mund të jetojë i izoluar nga bota, ai është duke fjetur gjatë gjithë kohës së revolucionit modern.  Bota në të cilën jetojmë është, gjeografikisht, një botë. Sfida, pra me të cilën përballemi është që t’a bëjmë botën një, në kuptimin e vëllazërimit” dhe bashkpunimit, ka thënë Dr. King-u në fjalimin e mbajtur në Katedralën Kombëtare në Uashington në vititn 1968.

Dr. Luther King ka thënë me atë rast se është e vërtetë se identiteti ose njësimi gjeografik i kësaj periudhe historike për njerëzimin ka ndodhur pikërisht për arsye të shpikjeve shkencore dhe teknologjike të njeriut modern.  Nepërmjet zbulimeve shkencore dhe teknologjike, njeriu modern ka bërë të mundur pothuaj zhdukjen e largësive gjeografike, gjë që na tregon se, “bota në të vërtetë është një fqinjësi, një mahallë.”  

“Nepërmjet gjeniut tonë shkencor e teknologjik kemi krijuar një botë të afërt, të një fqinjësie të mirë me njëri tjetrit, por fatkeqsisht nuk kemi treguar angazhimin etik e moral që nga kjo fqinjësi të krijojmë një vëllazërim.  Por duam, a nuk duam, jemi të detyruar që të bëjmë një gjë të tillë, ashtuqë që të krijojmë në vëllazërim dhe bashkpunim me njëri tjetrin për të mirën e përbashkët.  Duhet të mësojmë të jetojmë me njëri tjetrin si vëllëzër ose për ndryshe do të vdesim të gjithë si budallenj”, është shprehur ai.  “Të gjithë jemi të lidhur me njëri tjetrin, kemi të njëjtin fat të përbashkët dhe “Çdo gjë që afekton njëri prej nesh drejtë për së drejti — indirekt, na prekë të gjithëve” duam e s’duam, ka thënë Martin Luther King. 

Ai kishte cituar, poetin dhe klerikun anglez të gjysëm shekullit të 19-të, Xhon Donne,I  cili ka thënë se, “Asnjë individ nuk është dhe nuk mund të jetë një ishull në vetvete.  Çdo person është pjesë e këtij kontinenti…”   Ndërkaq,  duke folur për problemet e Amerikës të periudhës që ai jetoi, sidomos për trajtimin e keq të afrikano-amerikanëve nga shoqëria e atëhershme,  Martin Luther King ka cilësuar padrejtësitë raciale të atëhershme si “një barrë e afrikano-amerikanëve dhe si një turp i të bardhëve.”  Ai ka folur për argumentat e disa personave të periudhës së tij  të cilët thonin se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vëtetë, do të shëronte të gjitha plagët.  “Koha”, ka thënë ish-udhëheqsi i të drejtave civile në Amerikë, “është një mit e ky mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive dhe për të qëllime shkatërruese.”  Forcat e errëta, ka theksuar ai, e kanë përdorur më efektivisht se forcat e vullnetit të mire, justifikimin se koha do i sherojë të gjitha problemet.  Koha do ta tregojë, ka thënë ai, se “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat e forcave të errëta dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre, por edhe për heshtjen e tmershme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë e të cilët rrinë duarkryq” përballë problemeve me të cilat ballafqoset një shoqëri, duke u shprehur, “Prit se koha do t’i zgjidhë”.

Martin Luther King në fjalimin e tij në Uashington në mars të vitit 1968 ka thënë se asgjë në histori nuk ndodhë vet-vetiu.  “Por, ngjarjet ndodhin si përfundim i përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës së palodhëshme të individëve të dedikuar ndaj kauzave të drejta e të cilët janë të gatëshëm të jenë edhe bashkpuntorë të Perendisë.  Pa një punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme, koha në vet-vete, bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit shoqëror, është shprehur ai.  Koha për të vepruar është tani. “Kështuqë duhet të jemi bashkpuntorë të kohës dhe të jemi të vetdijshëm se koha është gjithmonë e përshtatëshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”, për të mirën e përbashkët.

Mesazhi i Martin Luther King-ut 50- vjet më parë ashtu si dhe sot është “vëllazërimi” dhe “bashkpunimi” midis forcave vullnet mira, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim për të zhdukur  problemet e shoqërive moderne, siç janë respekti për jetën e njeriut, liria dhe drejtësia e barbartë për të gjithë, zhdukja e varfërisë, diskriminimit dhe probleme të tjera shoqërore – të cilat megjithë arritjet e shkencës dhe të teknologjisë moderne – nuk mund të zgjidhen pa “vëllazërim” e  bashkpunim me njëri tjetrin, sipas Martin Luther King-ut, pasi asnjë njeri nuk është ishull në vetvete.  “Nëqoftse njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nga ana tjetër nuk ka as jetë, as liri, as mundësinë për të qenë i kënaqur”.  Duke njoftuar protesta paqësore kundër diskriminimit, “Kemi ardhur në Uashington”, përfundoi Martin Luther King fjalimin e tij në Katedralën Kombëtare të kryeqytetit amerikan në vitin 1968, “Për t’u angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mos- realizimit të premtimeve të dhëna.  Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, theksoi ai duke paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të realizohet drejtë zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria, nëqoftse njerëzit vullnet mirë rrinë duarkryq me shpresen se koha do t’i zgjidhë eventualisht problemet.  Është mesazhi i Martin Luther King-ut, para 50-vitesh se tani është koha për veprim që “vëllazërisht” dhe në bashkpunim me njëri tjetrin dhe në mënyrë paqësore të zgjidhen problemet me të cilat përballet cilado shoqëri, sepse koha nuk pret, por shkon në favor të forcave të errëta të shoqërisë, të cilat e përdorin kohën për qëllime dhe interesa personale, por shkatërruese dhe në dëm të interesave për të mirën e përbashkët të shoqërisë.  Megjithkëtë, Martin Luther King ishte optimist se liria më në fund do të fitohej, “Sepse si trashëgimia e shënjtë e kombit tonë ashtu si dhe vullneti i përjetëshëm i të Madhit Zot, janë të mishëruara në kërkesat tona për  të drejta të barabarta.  Ashtuqë, sado i errët të jetë horizonti, sado të thella të jenë ndjenjat e zemërimit dhe sado të dhunëshme të mund të jenë përplasjet, më në fund do t’ia dalim”, nëqoftse mësojmë të jetojmë së bashku si vëllëzër, ka përfunduar Dr. Martin Luther King-u fjalimin e tij në Katedralën Kombëtare, në mars të vitit 1968.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Martin Luther King, Nesazhi i bashkimit

GJERGJ KASTRIOT SKENDERBEU, I PËRGJITHMONËSHMI I FISIT SHQIPTAR

January 14, 2018 by dgreca

  1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Kështu e pat cilësuar Fatosin e Kombit Shqiptar, Papa Pali i VI me rastin e ceremonive që janë zhvilluar në Romë në vitin 1968, në kujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Kremtimet me këtë rast zgjatën plot katër ditë në Romë dhe në Vatikan, ku udhëheqsi i atëherëshëm i Kishës Katolike Papa Pali i VI priti pasardhësit e Skenderbeut në qytetin e përjetshëm, shqiptarë mërgimtarë nga Evropa, Amerika dhe më gjërë.  Papa VI

Ne Foto Papa Pali I VI/Ndërkohë që viti 2018 është shpallur nga qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës, por edhe nga Kisha Katolike në trevat shqiptare dhe në diasporë si viti i Gjergj Kastriotit Skendërbe, kanë filluar tashmë përgatitjet për të shënuar 17 Janarin si ditën kur ndërroi jetë Heroi i kombit Shqiptar, ndërsa janë në plan të zhvillohen programe të ndryshme kulturore, akademiko-shkencore dhe ceremoni të ndryshme, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë, gjatë gjithë këtij viti.  Këtu në Shtetet e Bashkuara kanë filluar përgatitjet dhe janë njoftuar disa kremtime fillestare për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi historike, ku shqiptarët pa dallim feje a krahine, ashtu siç janë bashkuar gjithëherë për raste të tilla, do të bashkohen edhe kësaj radhe për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes, këtë javë dhe gjatë gjithë këtij viti.

Ishte pikërisht, 50-vjetë më parë që diaspora shqiptare qe bashkuar në Romë dhe në Vatikan për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Kryetrimit të Kombit shqiptar dhe të verpimtarisë së tij epike. Me ndihmën e Vatikanit dhe Papa Palit të VI, të Arbëreshëve dhe të diasporës shqiptare të njohur në Romë në atë kohë, përfshirë Profesor Ernest Koliqin dhe të tjerë, shqiptarët mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, me arbëreshët e Italisë — të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan ( me përjashtim të përfaqësimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës)  – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e tyre duke nderuar Fatosin e tyre të Madh.    500-vjetori i Vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe ishte gjithashtu një rast që vuri në dukje respektin e Vatikanit për Heroin e Shqipztarëve dhe për kombin shqiptar në përgjithësi.

Papa Pali i VI, i cili luajti në rol të rëndësishëm në ceremoninë e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, është njëri prej papëve që nuk njihet aq mirë ndër shqiptarët, pasi jetoi dhe veproi gjatë luftës së ftohtë kur feja ishte e ndaluar me ligj në Shqipëri ndërkohë ishte edhe kulmi i vrasjeve, përndjekjeve dhe i persekutimeve të klerit katolik në Shqipëri, në një kohë kur Shqipëria komuniste ishte shpallur, “shteti i parë ateist në botë”dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës e quante Vatikanin si “qëndrën e obskurantizmit botëror”.   Megjithkëtë, besimi i Papa Palit VI në vlerat, në traditat dhe vetitë cilësuese të shqiptarëve, si dhe respekti i tij ndaj historisë së shqiptarëve dhe vuajtjeve të tyre në përgjithësi, e sidomos respekti i tij ndaj Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit – Skendërbe, u tregua me pritjen entuziaste që ai u bëri shqiptarëve në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit kombëtar të shqiptarëve.Shqiptarët kishin shkuar në Romë për të festuar 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit nga të gjitha anët e botës, përveç Shqipërisë komuniste.  Kishin vajtur atje arbëreshët e Italisë, shqiptarë nga Kosova, mërgimtarë nga Evropa dhe Australia dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Organizata Pan-shqiptare Vatra ishte e pranishme në krye të një delegacioni shqiptaro-amerikanësh, që i printe i ndjeri Anthony Athanas.  Ishin këto festime e kujtime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan më 1968, ku mërgimtarët e ri të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20 u bashkuan me arbëreshët që ishin detyruar të largoheshin nga trojet e tyre nga otomanët, pesë shekuj më parë. U bashkuan në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth heroit të tyre kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikurë dhe si duhet të jetë edhe sot – të bashkuar ashtu siç i do Gjergj Kastrioti Skenderbe.  Revista Shëjzat e botuesit Ernest Koliqi, në një përshkrim të gjatë të festimeve, shkruante se emëri i Shqipërisë dhe i Fatosit të saj Gjergj Kastrioti -Skënderbeu gjatë festimeve të 500-vjetorit, bëri jehonë anë e mbanë botës, si asnjë herë më parë, falë kryesisht edhe fjalimit që mbajti me atë rast para shqiptarëve të mbledhur në Vatikan, Papa Pali i VI dhe i cili u transmetua anë e mbanë botës.  Në fjalimin e shpërndarë nga media ndërkombëtare e kohës, Papa Pali i VI iu drejtua shqiptarëve të pranishëm dhe “gjakut të shprishur”, të përhapur anë e mbanë botës, me këto fjalë:

 “Bijë fort të dashur Shqiptarë,

Po ju sjellim një mirëseardhje të veçantë në këtë ditë që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skanderbeg, fatosit tuaj të emërit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, të cilën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj atnore.

Ne ju shohim me kënaqsi, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonëshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë (fjalë këto që Papa Pali i VI i tha në gjuhën shqipe).

Fatosi Skandërbeg ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive: ai ua ka lënë si trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë s’i dolën fjale.  Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në roje trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim.

                          Dhe nëqoftse se historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka premtuar që ju, me të gjitha të mirat e gjakut tuaj të shprishur, (edhe këto fjalë Papa Pali i VI i tha në shqip) me veprimtarinë e gjallë që e kini në shpirt dhe me njohuri të fituara, u bëtë urë miqësishë e bashkpunimesh, dhe në këtë mënyrë jeni bërë para-ardhësit e ekumenizmit modern.

Urimi ynë në këtë rast pra për ju, për të gjithë Shqiptarët, të jetë që vuajtja të shoqërohet gjithmonë nga shpirti i juaj kreshnik që kini trashëguar nga të Parët tuaj.  Uroj që kjo trashëgimi të japë mundësi dhe meritim, që të jeni element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme.

Këso dore do të rindërtohet testamenti i Skandërbegut dhe Atdheu i juaj do të shkëlqejë me meritime të reja, Atdheu i juaj, të cilin na e kemi aq fort për zemër dhe që e bekojmë me dashuri atënore.”

Shqiptarët e shpërndarë në të gjitha anët e botës së lirë kishin shkuar në Romë për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbe — i cili në 500-vjetorin e vdekjes i mblodhi ata ashtu siç i pat bashkuar princat shqiptarë më 1444, kundër armikut të përbashkët.  Ata kishin vajtur aty gjithashtu për tu takuar me Papën, për të dëgjuar fjalët e tija përshëndetse dhe tepër miqësore ndaj kombit shqiptar, për të marrë bekimin e tij dhe që shqiptarët pa dallim feje a krahine — për të treguar njëkohësisht ndjenjat dhe respektin e popullit shqiptar ndaj Selisë Apostolike, megjith propagandën komuniste anti-Vatikanit që në atë kohë kishte arritur kulmin.

Fjalimi i Papa Palit të VI para grupit të shqiptarëve të mbledhur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbe në Romë, ku ai i deklaroi botës, cilësitë dhe vetitë dalluese të kombit shqiptar, besën, nderin e burrërinë, fjalë këto që ai i tha në gjuhën shqipe – janë dëshmi e historisë së ndjenjave të respektit dhe miqësisë midis Vatikanit dhe kombit shqiptar, ç’prej kohës së Skënderbeut.

Deklaratat e Papa Palit VI me rastin e 500-vjeotirt të vdekjes së Skënderbeut 50-vjetë më parë dhe të papëve të tjerë gjatë historisë, mund të jenë bërë në periudha të ndryshme historike, por në thelb, përmbëjnë vazhdimësinë e marrëdhënieve miqësore si dhe kujdesin, dashurinë dhe respektin e Vatikanit për kombin shqiptar dhe për mirëqenjen e tij në hapësirat e veta gjeografiko-historike, por reflektojnë gjithashtu edhe respektin që kombi shqiptar ka pasur dhe vazhdon të ketë për Papët e Romës, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Gjergj Kastriot Skënderbeu/, I FISIT SHQIPTAR, I PËRGJITHMONËSHMI

HOLLIVUDI NË MBËSHTETJE TË LIRISË SË SHTYPIT

January 9, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Të djelën mbrëma u transmetua në televizionin amerikan ceremonia vjetore e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë,  organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, që      nderojnë arritjet më të mira të vitit të kaluar në film dhe në televizion.  Çdo vit, ceremoni të tilla, natyrisht, vlerësojnë punën artistike të yjeve të Hollivudit, por njëkohsisht raste të tilla përdoren për të prekur edhe tema shoqërore me rëndësi për vitin që lamë pas — për Amerikën dhe për botën — duke marrë parsyshë audiencën e madhe që tërheqë një ceremoni e tillë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe anë e mbanë botës.  Tema shoqërore e vitit 2017 që u theksua nga disa disa folës, përfaqësues të Hollivudit, gjatë ceremonisë, u spikat ç’prej fillimit nga veshjet me ngjyrë të zeza të grave që morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë.  Ishte kjo një përzgjedhje e qëllimtë nga gratë pjesëmarrëse dhe nga disa burra, për të shprehur solidaritet me organizatën e formuar nga fundi i vitit të kaloi, “Times’s Up”, “Mbaroi Koha”.  Kjo organizatë ka marrë mbi vete përgjegjësinë individuale dhe shoqërore për të luftuar një fenomen shoqëror që kishte marrë përmasa të mëdha – ngacmimet seksuale, jo vetëm në Hollivud por edhe në hapësira të tjera dhe në vende të punës dhe të të veprimtarisë shoqërore, madje përfshirë edhe median.

1 Golden Globs

Foto kortezi-Forbes/

Natyrisht, se kjo është një nismë shumë me vend dhe me rëndësi që duhej të spikatej në një ceremoni të tillë nga vet përfaqsuesit e Hollivudit.  Time’s Up –Mbaroi Koha” është një nismë tipike amerikane kur zbulohet një problem i përmasava, siç është ngacmimi seksual në vendin e punës.   Por është gjithashtu tipike amerikane mënyra me të cilën shoqëria përballet me probleme të tilla, të çfardo natyre qofshin ato, duke e pranuar së pari se problemi ekziston, duke mos hesituar për t’a venë në dukje publikisht, duke debatuar dhe duke dënuar fenomene të tilla, dhe më në fund, për t’i bërë thirrje shoqërisë në përgjithësi për një angazhim serioz për zgjidhjen e problemit, cilido qoftë ai.

Një temë tjetër e natës së ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Globi i Artë, organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, ishte edhe liria e shtypit në Amerikë dhe në botë.   “Shtypi po sulmohet në ditët e sotëme”, u tha të pranishëmve dhe shikuesve anë e mbanë botës, Oprah Winfri, e cilësuar si “Mbretëresha e të gjitha mediave”.   Ajo vuri në dukje respektin e saj për punën e gazetarëve duke thënë se, “Ne e dimë gjithashtu se është dedikimi i pangopur i gazetarëve ndaj zbulimit të së vërtetës absolute, që na bën të mos mbyllim sytë ndaj korrupcionit dhe padrejtësive, ndaj tiranëve dhe viktimave të tyre, ndaj sekreteve dhe gënjeshtrave.”   Një ndër fituesit e kësaj mbrëmjeje ishte edhe Komiteti Për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë amerikane jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare, me qëndër në Nju Jork e cila mbështet, promovon dhe mbron lirinë e shtypit dhe të drejtat e gazetarëve.  Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, njoftoi se i dhuroi Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve 1-milion dollarë për të vazhduar misionin e tij në mbrojtje të fjalës së lirë anë e mbanë botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Janë dhuratat monetare si kjo e Shoqatës së Gazetarëve të Huaj natën e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë që bëjnë të mundur për Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve që të luftojë sfidat me të cilat përballen gazetarët anë e mbanë botës, duke i siguruar ata se cilat do qofshin problemet me të cilat përballen – gazetarët kudo qofshin, nuk janë vetëm, por kanë mbështetjen dhe ndihmën e individëve të njohur të shoqërisë amerikane si Oprah Winfri dhe yje të Hollivudit  si Meryl Streep e cila gjithashtu foli në mbështetje të lirisë së medias    të organizatave dhe enteve të ndryshme jo qeveritare, siç është  Hollivudi.

Duke shprehur falaënderimet ndaj dhuratës prej 1-milion dollarësh, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u shpreh se si ent mbrojtës i fjalës së lirë, “Beson se gazetarëve kudo qofshin dhe kudo veprojnë, duhet t’u jepet mundësia që të jenë të lirë të raportojnë lajmet pa frikë, pa ndërhyrje dhe pa ndëshkim.  Në shoqëritë me një shtyp të lirë dhe të pavarur, popujt kudo, mund të kenë informacionin për të cilin kanë nevojë për të mbajtur qeveritë përgjegjëse për veprimet e tyre dhe si indidvidë, të kenë informacionin e duhur për të marrë gjithashtu vendime të përshtatëshme për jetën e tyre dhe në të mirën e familjeve të veta.”

Sulmet dhe kritikat ndaj lirisë së shtypit kanë marrë përmasa botërore vitet e fundit duke shkaktuar shqetësime të mëdha në radhët e gazetarëve dhe të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shtypit kudo në botë – qoftë në vend të vogëla, qoftë në vende të mëdha, qoftë në vende që udhëhiqen nga diktatorë e autoritarë, qoftë në vende pjesërisht demokratike e madje edhe në vende që konsideorhen si demokratike.  Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve botoi ditët e fundit një listë të udhëheqësve botërorë të cilët kanë,  “Bërë ç’mos duke sulmuar shtypin e lirë dhe të minojnë normat që mbështesin lirinë e shtypit.”  Sipas këtij enti amerikan për mbrojtjen e gazetarëve, 5 udhëheqsit botërorë në listën e botuar ditët e fundit, e që sipas tij, kanë një frikë të paparë nga e vërteta dhe nga kritikët e vet, ndërkohë që disa prej tyre kanë një angazhim të plotë personal dhe zyrtar ndaj censurës së shtypit, “Kanë bërë ç’mos që të heshtin njëherë e mirë zërat kritikë ndaj tyre, duke dobësuar kështu dukshëm demokracinë.”  Lista përmban emërat e udhëheqsit të Turqisë, Rexhep Erdogan, Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, Presidentit Abdel Fattah el-Sisi të Egjiptit, si dhe Presidentit Xi Jinping të Kinës.  Në listën e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve radhitet edhe Presidenti i Shteteteve të Bashkuara, Donald Trump si një kritik i shtypit amerikan, si rrjedhim i mbulimit kritik të punës së tij dhe të administratës që ai kryeson, nga media amerikane në përgjithësi, duke thënë se Z. Trump, sipas këtij Komiteti, ka postuar rreth 1000 mesazhe kritike ndaj medias.

Është e vërtetë se Z. Trump vazhdon të jetë kritik ndaj medias amerikane, por përfshirja e tij në listën e “të pestëve” nuk besoj se i përshtatet realitetit të lirisë së medias në Amerikë.  Nuk ka asnjë krahasim me gjëndjen e lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara me vendet siç janë Turqia, Rusia, Kina, Egjipti a po ndonjë vend tjetër që, historikisht, janë të njohura si abuzues të pangopur të gazetarëve dhe të lirisë së medias në vendet tyre, në përgjithësi.  Media amerikane është e njohur për ekspozimin e skandaleve politike dhe lloj-lloj skandalesh të tjera në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar, pa pësuar ndonjë ndëshkim serioz nga autoritetet amerikane.   Mjafton të sjellin në kujtesë skandalin “Watergate” që detyroi largimin e Presidentit Riçard Nikson nga Shtëpia e Bardhë, që pothuaj çoi edhe largimin e tij nga detyra, i turpëruar.   Mjafton të kujtojmë skandalin seksual “Monika Lewinsky” të Presidentit Bill Klinton në Shtëpinë e Bardhë.  Ishte pikërisht liria dhe pavarësia e medias amerikane ajo që zbuloi dhe çoi deri në fund mbulimin e informacionit në lidhje me këto skandale dhe qindra të tjera gjatë dekadave të fundit, pa asnjë ndëshkim.   Prandaj megjithë qellimin e mirë të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve nç mbrojtje të lirisë së shtypit, nuk mund të thuhet se media, në asnjë nga vendet e përmendura më lartë nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, të ketë patur të njëjtin efekt në zhvillimet politike të atyre vendeve, pa u ndëshkuar gazetari ose enti mediatik që përfaqësonte ai.  Ndryshe nga këto vende dhe nga udhëheqsit e tyre në listën e mësipërme, nuk është pra as Riçard Niksoni, as Bill Klintoni dhe as Donald Trump-i ai që mund të kërcënojë lirinë e shtypit dhe të ndëshkojë gazetarët në Amerikë, pasi janë strukturat demokratike të këtij vendi që i mbrojnë ata dhe lirinë e tyre të fjalës,  mbi të gjitha është kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, pikërisht Neni 1 i kësaj kushtetute, ai që garanton lirinë e medias dhe punën e pavarur të çdo gazetari ose enti gazetaresk, pa dallim.  Ky nen i kushtetutës amerikane – ashtu si edhe vet kushtetuta e Shteteve të Bashkuara — i ka qëndruar kohës, i pa prekur dhe i pa abuzuar, si garantues i lirisë së shtypit.  Liria e fjalës është e shënjtë dhe e paprekëshme, qoftë edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, cilido qoftë ai, ose në cilën do kohë. Ai është vetëm një zë.  Është provuar tanimë se, rreziku ndaj lirisë së medias në botë vjen nga ata udhëheqës që vet flasin e vet vulosin, nga ata që sulmojnë, arrestojnë dhe ndëshkojnë gazetarët për një fjalë goje kritike ndaj tyre, nga ata që frikësojnë dhe censurojnë, nga ata udhëheqës botërorë që gazetarinë e krahasojnë me terrorizëmin, nga ata liderë që gazetarët, si rrjedhim i punës së tyre, i akuzojnë për krime anti-shtetërore dhe nga ata që ushtrojnë censurë dhe kontroll të plotë me mënyra të ndryshme, mbi median dhe gazetarinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, HOLLIVUDI NË MBËSHTETJE, te Lirise se shtypit

PËR NJË BESËLIDHJE TË RE SHQIPTARE

January 3, 2018 by dgreca

1_Beselidhja-e-ShqiptareveNË VITIN KUSHTUAR GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBE – PËR NJË BESËLIDHJE TË RE SHQIPTARE /

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Ja edhe një Vit i Ri filloi, një vit dhe një fillim i ri që gjithmonë ofron shpresa se viti i ardhëshëm do të jetë më i mirë se viti që kaloi. Pritëshmëritë janë gjithmonë për jetë e shëndet për të afërmit tone, për familjen dhe miqtë dhe kolegët.  Shpresojmë dhe lutemi në këtë stinë, për paqë e përparim, begati dhe bashkpunim për shoqërinë ku jetojmë në veçanti dhe për botën në përgjithësi.

Fundi i vitit që kaloi dhe fillim Viti i Ri, është gjithmonë një kohë për të reflektuar mbi vitin që kaloi, të bëmat dhe të pa bëmat — sukseset dhe dështimet — si dhe ç’duhet bërë më mirë në Vitin që posa filloi.  Reflektimi mund të jetë i një individi, i një shoqërie, i një shteti, i një qeverie, ose një kombi.  Me shembjen e komunizmit dhe me çlirimin e Kosovës dhe pavarësisë së saj – arritje të cilat me të drejtë mund të cilësohen si historike për kombin shqiptar — mendonim se kombi shqiptar do të merrte hovin e pritur aq shumë drejtë përparimit, mbrenda trojeve shqiptare dhe në arenën ndërkombëtare.

Pjesës e reflektimit me këtë rast të Vitit të Ri është pranimi i sinqertë se punët nuk po shkojnë mirë shqiptarët as në Shqipëri as në Kosovë dhe as në trojet tjera ku ata jetojnë.   Mosmarrveshjet dhe konfliktet politike aktuale midis kësaj klase politike që sundon sot shqiptarët në Tiranë dhe në Prishtinë, përbëjnë rrezikun më të madh që i kanoset sot kombit shqiptar. Rrezikohet që konfliktet politike aktuale të këthejnë mbrapa arrijtjet e deritanishme të shqiptarëve në Ballkan, duke u dhënë një goditje të rëndë interesave kombëtare afat-shkurta dhe afat-gjata – jo vetëm anë e mbanë trojeve shqiptare por edhe një goditje të rëndë të imazhit të shqiptarëve në botë, e sidomos në radhët e miqëve të tyre historikë, sidomos atyre që në momentet më kritike të historisë së tij e kanë ndihmuar kombin shqiptar, pa kurrfarë interesi.

Ndonëse mqitë e shqiptarëve mund të mos jenë të kënaqur me situatën aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë, si rezultat i grindjeve dhe mosmarrveshjeve në radhët e politikanëve sidomos siç pasqyrohet nga seancat në dy parlamentet shqiptare — janë vetë shqiptarët në të dy anët e kufirit, ata që fajësojnë drejtë për drejtë këtë klasë politike dhe të cilët janë të revoltuar me gjëndjen e krijuar politike dhe ekonomike – dhe si rrjedhim po braktisin trojet shqiptare duke marrë rrugët e botës, shpresë e pa shpresë, për një jetë më të mirë e më normale. Fatkeqsisht, gjëndja e krijuar në trojet shqiptare nga kjo klasë sunduese politike, po krijon gjithashtu një fushë të pjellëshme për ndërhyrjen dhe provokimet nga jashtë, duke përdorur grindjet midis shqiptarëve në shërbim të interesave dhe politikave të tyre, historikisht, të njohura anti-shqiptar
1 ArberorjaFatkeqsisht, ky vakuum politik, po shfytëzohet me përpikmëri nga provokimet dhe përpjekjet e putinëve dhe erdoganëve të kësaj bote, në bashkpunim me Serbinë, në përputhje me interesat e tyre afat gjata, duke nxirë imazhin e shqiptarëve, sidomos në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke i shkaktuar dëme të riparueshme emërit të mirë shqiptar.

Viti i ri kërkon reflektim dhe ofron shpresa. Shpresa ime për Vitin e Ri – në këtë Vit kushtuar heroit kombëtare Gjergj Kastriotit-Skenderbe mund të interpretohet ndoshta si një thirrje e kotë, si një thirrje në shkretëtirë, kur të merren parsyshë antagonizmat politike që ekztistojnë në radhët e kësaj klase politike.  Por, u takon këtyre poliitkanëve që në këtë vit të Heroit Kombëtar, të lënë mënjanë interesat vehtjake, partiake dhe ekonomike dhe të tregohen të guximshëm dhe të denjë të Besës së Skenderbeut, në këtë vit që vet e kanë shpallur si Viti kushtuar atij. Le të jetë ky pra, një fillim i ri i Besës dhe Bujarisë në radhët e kësaj klase politike shqiptare. Mos na zhgënjeni më!

Para-ardhesit dhe rilindasit e vërtetë të kombit, të cilët shkrinë jetën për të venë në dritë bujarsinë e kombit shiptar në momentet më kritike të historisë kombëtare, sidomos karshi njeri tjetrit dhe ndaj të tjerëve, nuk presin as më pak as më shumë, ashtuqë politikanët e sotëm të tregojnë atdhedashurinë e tyre me sjellje të mira dhe respekt ndaj njëri tjetrit dhe   vetdije të përgjegjësive shoqërore e kombëtare dhe detyrave që kanë marrë përsipër në emër të popullit shqiptar dhe kombit.

Lutemi pra dhe shpresojmë që në këtë vit të shënjtë, kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit –Skenderbe, politikanët dhe partitë politike në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan,  në këtë Vit të Ri historik –të lidhin me njëri tjetrin, besa-besën dhe të bejnë një këthesë historike duke u angazhuar me atdhedashuri dhe kurajo politike për të zgjidhur   konfliktet dhe mosmarrveshjet midis tyre dhe në traditën historike kastriote, të lidhin besën për një dashuri, në mos ndaj njëri tjetërit, atëherë ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, duke çuar kështu përpara idenë e besës së Krye-Heroit të Kombit Shqiptar, bazuar në pajtim të pikëpamjeve të ndryshme politike, në interes te kombit. Për ndryshe, shpallja e Vitit 2018 kushtuat Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbe, nga autoritetet e Tiranës dhe të Prishtinës, nuk ka asnjë kuptim.  Në këtë Vit të Ri, këte ia kini borxh kujtimit të Skenderbeut, historisë, fëmijëve, nipave e mbesave tuaja si edhe brezave të ardhëshëm të kombit shqiptar, ashtuqë ai të jetojë në paqë me vetveten dhe me të tjerët.

Toka arbërore nuk duron më!  Siç është shprehur me një rast ish-Arkimandriti Minishi i Abacisë së Arbëreshve të Italisë në Grotaferratë, “Tepër gjak ka skuqur plisat e tokës së Atdheut, shumë zira kan shkëputur zemrat e popullit tone, tepër familje janë shkatërruar dhe prishur tragjikisht prej plumbit e shpatës, prej urrejtjes, prej mërgimit.  Sytë e motrave tona dhe të vëllezërve tanë janë tharë, s’kanë më asnjë lot për të derdhur. Të gjitha lotët kanë rënë dhe kanë njomur tokën e Shqipërisë. Bëftë Perëndia që nga ajo tokë e vaditur të lëshonjën përjetë lulet e Lirisë dhe mirësisë e dashurisë dhe vëllazërisë,  gëzimit dhe pajtimit”, ka thënë Arkimandriri arbëresh Minishi.

Në fillim të këtij Viti të Ri, lutja dhe shpresa ime, nga kjo anë e oqeanit Atlantik është, që  Viti kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe – të jet një vit që kombit shqiptar, i Madhi Zot t’i falë jetë, paqë e shpëtim, përparim dhe begati, si dhe fitore kundër atyre që nuk ia duan të mirën. I lutem Zotit gjithashtu që ta ruaj gjithmonë këtë popull trim e bujar, i dinjitetshëm ndaj traditave dhe lavdisë së Prijsit të tij dhe Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

 Ky është Viti pra që autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë – me një Besëlidhje të Re të Shqiptarëve — të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit – duke u këthyer në bazë të traditave arbërore, të Besës dhe vlerave të trashëguara nga Gjergj Kastrioti — Skenderbeu!

 

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, PËR NJË BESËLIDHJE, TË RE SHQIPTARE, Viti i Skenderbeut

SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE

December 28, 2017 by dgreca

John_F_Kennedy-H

SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE, NË  100-VJETORIN E LINDJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDI/

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Viti 2017 shënoi 100-vjetorin e lindjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi.  Xhon Kenedi lindur në vitin 1917 në Brukline të shtetit Masaçusets. Presidenti Kenedi, i cili është vrarë në gjysmën e mandatit të tij presidencial në vitin 1963 ishte presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, dhe mbetet njëri prej figurave më të njohura të politikës moderne amerikane  të politikës së jashtme si dhe asaj të mbrendëshme. Me rastin e këtij përvjetori të lindjes dhe në kujtim të trashëgimisë së tij politike, sidomos në fushën e politikës së jashtme amerikane të ish-presidentit Xhon Kenedi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) lëshoi, pak kohë më parë, një deklaratë në emër të Sekretarit të Shtetit Reks Tillerson.  Në deklaratën e shpërndarë nga DASH, Presidenti Kenedi kujtohet në këtë 100-vjetor si një president i cili, “Ndoqi një politikë të jashtme bazuar në fuqinë amerikane, në angazhimin e tij ndaj mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor, por edhe në përdorimin e vendosur të diplomacies, si mjet për të çuar përpara interesat kombëtare të këtij vendi dhe të kauzës së paqës, gjatë një periudhe plotë sfida të historisë tone kombëtare.”  Presidenti Kenedi, thuhet në deklaratën e Z. Tillerson, ishte një mbrojtës i vendosur i lirisë dhe të drejtave të njeriut në Berlinin e ndarë, në kulmin e Luftës së Ftoftë, ndërsa kishte deklaruar se   ai ishte një prej tyre se edhe ai ishte një berlinas.

Sekretari Amerikan i Shtetit Tillerson thekson se, në kohën e tij, Presidenti Kenedi, “Kishte deklaruar rëndësinë e integrimit të diplomacisë dhe të politikës së mbrojtjes, si mënyra më e sigurt për të mbrojtur vendin tonë kundër rreziqeve që i kanoseshin atij në fillim të 1960-ave.”  Në njoftimin e DASH citohet Xhon Kenedi të ketë thënë se, “Ne nuk duhet të negociojmë kurrë nga frika, por nuk duhet as të kemi frikë nga negociatat.

“Urtësia dhe guximi i tij na shpëtoi nga një luftë bërthamore gjatë krizës së raketave në Kubë”, thuhet në deklaratën e DASH dhe citohet Presidenti Kenedi se, “Njerëzimi duhet t’i japë fund luftës, para se lufta t’i japë fund njerëzimit.”  Sekretari Tillerson kujtoi këtë muaj ish-Presidentin Kenedi në 100-vjetorin e lindjes edhe si udhëheqës i shpresës për popujt e botës, duke përmendur themelimin e Korpusit të Paqës, Aleancës për Përparim dhe avancimit të zhvillimit ekonomik për vendet e Afrikës dhe të botës në përgjithësi, nga Presidenti Kenedi, ndërkohë që kolonializmi fatbardhësisht po merrte fund në atë kontinent.

Ndërkohë që vlersojmë presidencën e tij prej vetëm 1000-ditësh, u shpreh Kryediplomati Tillerson, “Ne nderojmë gjithashtu edhe ëndrrën për paqë të Xhon Kenedit, jo vetëm për Amerikanët por edhe për popujt kudo”.  Në deklaratë citohet një thënje nga fjalimi më vizionar i Kenedit, mbajtur në Universitetin Amerikan në Uashington DC qershorin e vitit 1963 se, “Unë jam i vetdijshëm se angazhimi për sigurimin e paqës nuk është aq dramatik sa angazhimi për luftë…por nuk kemi detyrë më urgjente” se të angazhohemi për paqë, ka thënë ish-Presidenti Kennedi me atë rast.  Në të njëjtin fjalim, theksohet në deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Reks Tillerson, shpërndarë pak më heret këtë muaj në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së ish-Presidentit Kenedi, ai u bëri thirrje Amerikanëve dhe njerëzve vullnet mirë kudo, që të lënë mënjanë mosbesimin ndaj njëri tjetrit dhe kërcënimet e Luftës së Ftohtë dhe të bashkpunojnë për një të ardhme më të mirë globale.  “Sepse, në fund të fundit”, ka thënë Xhon Kenedi, “Lidhja jonë e përbashkët dhe më themelore, është se të gjithë ne jemi banorë të këtij planeti të vogël.  Të gjithë ne marrim frymë të njëjtin ajër dhe të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.  Dhe të gjithë ne jemi të vdekëshëm”, citohet të ketë thënë Xhon Kenedi, sipas deklaratës së DASH me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, deklaratë e cila përfundon duke theksuar se, “Të gjithë ne që punojmë në Departamentin Amerikan të Shtetit, kujtojmë dhe nderojmë shërbimin e jashtëzakonshëm që Presidenti Kennedi i ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e politikës së jashtëme.

Nuk besoj se është vetëm e rastësishme deklarata e DASH me rastin e një përvjetori të lindjes, në këtë rast të ish-presidentit Kenedi.  Besoj se pikërisht për trashëgiminë, vlerësimin dhe kujtimin që i bëhet gjithnjë politikës së jashtme të administratës afat-shkurtër të Xhon Kenedit, deklarata e DASH është jo vetëm me vend, por edhe frymëzuese edhe sot për diplomatët aktualë amerikanë, ndërkohë që përballen, ndoshta, me sfida ndryshe nga ato me të cilat përballej Xhon Kenedi në fillim të 1960-ave, por hiç më pak të rrezikshme për sigurinë e Amerikës dhe për stabilitetin dhe paqën në botë.

Ndërkaq, në një fjalim dy javë më parë në Këshillin e Atlantikut në Uashington, Kryediplomati aktual i Shteve të Bashkuara, Reks Tillerson foli mbi përballimin e sfidave të politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen.  Ai rreshtoi një numër sfidash dhe prioritetesh të politikës së jashtëme të administratës Trump anë e mbanë botës, duke filluar me krizën e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe marrëdhëniet me Kinën, përpjekjet për të mposhtur organizatën terroriste ISIS, si dhe gjëndjen në Siri dhe Irak, përfshirë mbarë Lindjen e Mesme.  Z. Tillerson foli gjithashtu edhe për sfidat me të cilat përballet diplomacia amerikane në Azinë jugore, me theks politikën amerikane në Afganistan, Pakistan dhe Indi.  Nuk munguan komentet e Kryediplomatit amerikan edhe mbi politikën e jashtme amerikane sa i përket marrëdhënieve të Uashingtonit me Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe marrëdhëniet me Rusinë.  Përsa i përket marrëdhënieve me Evropën, Z. Tillerson foli për vizitat e tija të fundit në Evropë duke theksuar se kudo që vizitoi dhe në të gjitha takimet që ka zhvilluar me evropianët, vuri re se ekzistojnë gjithnjë lidhje të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve dhe aleatëve amerikanë në Evropë. “Ekziston një bashkim i fortë rreth çështjeve me rëndësi për të gjithë ne, e të cilat janë çështje të sigurisë, çështje ekonomike dhe tregëtare”, ka thënë Tillerson në Këshillin e Atlantikut në Uashington, dy javë më parë.  “Kemi shumë për të bërë” ka theksuar ai, duke shtuar se “Mesazhi i Presidentit Trump për aleatët evropianë është se ne jemi me ju. Do të jemi me ju. Përsa i përket veçanërisht NATO-s dhe Nenit 5 për mbrojtjen e përbashkët, ne do t’i zbatojmë angazhimet tona”, tha ai, por duke iu drejtuar vendeve anëtare të NATO-s, Kryediplomati amerikan u shpreh se, “Ju nuk mund të vazhdoni të kërkoni nga populli amerikan që ai të kujdeset për sigurinë e qytetarëve tuaj më shumë se ç’kujdeseni ju vet.”

Në lidhje me Rusinë, Z. Tillerson theksoi se sot për sot nuk kemi marrëdhëine të mira me Moskën. “Okupimi i Ukrainës nga Rusia është diçka që ne nuk mund ta pranojmë”, u tha Z. Tillerson të pranishëmve.  Kjo është edhe arsyeja e vendosjes së sanksioneve të forta ekonomike kundër Rusisë, shtoi ai, dhe ato do të mbeten në fuqi për derisa Rusia nuk rivendosë integritetin territorial të Ukrainës.  Një pengesë tjetër në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, tha Z. Tillerson, janë përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh në Evropë.  Përderisa Moska nuk i ndalon këto ndërhyrje ilegale, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve midis nesh, tha Kryediploamti amerikan Tillerson.  Zgjidhja e shumë prej këtyre problemeve do të marrë kohë dhe punë të rëndë.  Por kjo është natyra e vet diplomacisë në botën që jetojmë sot, në një botë plot sfida e konflikte, nënvijoi Z. Tillerson, në fjalimin e tij pranë Këshillit të Atlantikut në Uashington, mbi prioritetet dhe sfidat e politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen.  “Misioni ynë në këtë jetë është që t’u japim fund disa prej këtyre konflikteve”, përfundoi ai.

Në një kryeartikull botuar të ënjtën në gazetën amerikane “Nju Jork Tajms”, Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, Reks Tillerson shkruan se, “Pa marrë  marrë parasyshë sfidat serioze me të cilat përballemi, mbetem optimist rreth mundësisë së diplomacisë për zgjidhjen e konflikteve dhe njëkohësisht për të çuar përpara interesat amerikane.”  Ai tha se ky besim i tij bazohet në faktin se “Diplomacia jonë përpilohet dhe zbatohet nga diplomatë patriotë dhe të dedikuar të Departamentit Amerikan të Shtetit”, të cilët shkruan ai, “Shërbejnë me durim dhe këmbëngulje për të avancuar vlerat demokratike anë e mbanë botës dhe për të mbrojtur jetën, lirinë dhe vlerat e qytetarëve tanë”.

Duke lexuar deklaratën e më sipërme të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Tillerson, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Xhon Kennedit, mbi trashëgiminë dhe influencën e këtij gjigandi në politikën e jashtme amerikane që ndihet edhe sot, është inkurajues fakti se ai dhe kolegët e tij — me të drejtë — gjejnë frymëzim nga “urtësia dhe guximi” i Presidentit Kenedi për të zgjidhur disa prej sfidave me të cilat përballet aktualisht politika e jashtme amerikane dhe bota, duke marrë shembull nga urtësia e diplomacisë së ish-Presidentit Xhon Kenedi.  Është shpresëdhënës fakti se në punën e tyre të përditëshme, diplomatët amerikanë duke filluar nga kryediplomati i SHBA-ave, kujtojnë, admirojnë dhe njëkohësisht shprehin guximin dhe vullnetin ndërsa tregojnë gatishmërinë e tyre dhe të ish-Presidentit Kenedi, ashtu siç kishte deklaruar ai, për të mos kursyer asgjë, në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të njeriut, kudoqë të kërcënohen ato në botë.  “Le t’a dijë çdo komb, nëse na e do të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do t’i bëjmë ball çdo vështirsie, do mbështesim çdo vend mik dhe do të kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar lirinë, suksesin dhe përparimin e saj kudo.  Atyre aleatëve të vjetër me të cilët ndajmë vlerat kulturore dhe shpirtërore, ne u premtojmë besnikërinë e miqëve të besueshëm.” (Xhon Kenedi, 21 Janar, 1961.)

Besnikëria e miqëve të besueshëm ndaj Amerikës — siç ishte shprehur ish-Presidenti Kenedi më shumë se gjysëm shekulli më parë – është gjithnjë një vlerë dhe cilësi dalluese dhe me shumë rëndësi në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e tjera, sot dhe në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush mund të jetë president i këtij vendi aktualisht, ose më vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjetori, amerikane, Frank shkreli, John F Kenedi, SË JASHTME, SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT