• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOJMË ISH AMBASADORIN LUBLIN DILJA

December 13, 2017 by dgreca

NË KUJTIM TË ISH-AMBASADORIT LUBLIN DILJA  ME RASTIN E 60-VJETORIT TË LINDJES/

4 Lubi3 Lubi2 Lubi2ok Lubi ok

Nga Frank Shkreli/Me 10-Tetor të këtij viti, ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington do i kishte mbushur 60-vjeç.  Fatkeqësisht, një sëmundje e rëndë e ndau para kohe nga kjo jetë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën 51-vjeçare — në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij diplomatike.  Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë kur ishte në kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore.  Ishte kjo një vdekje e rëndë sidomos për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj.  Njëkohësisht, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në Washington – dhe pothuaj si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë dhe sot — kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.

Unë e kam njohur Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.  Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1977.

Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10-kilometra jashtë Uashingtonit,  atë natë të nëntorit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe ata në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara.  Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët nga Shkodra më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar të cilin ata e njihnin, në personin e Lublin Diljes dhe më sugjeruan që t’a ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit.  Në atë kohë mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lere më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington. E pranova me kënaqsi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kam qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqsues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë –  më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend si realitet.  Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për aq shume vite, por që pothuaj se kishim humbur edhe shpresën se do të ndodhte ndonjëherë – përball armiqësisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.

Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën për të ardhdur tek shtëpia ime pa asnjë hesitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë ardhur nga Shqipëria vetëm një ditë më parë.  Ndejtëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndërrat e popullit shqiptar për liri demokraci pas pothuaj një gjysëm shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egëra komuniste që ka njohur bota.  Natyrisht, ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqyttein amerikan.

Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij dhe me të gjithë ata miqë e dashamirë shqiptarë dhe amerikanë, që e njohën.  Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqsues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar.  Për mua personalisht, përshtypjet e mia shumë të mira për Ambasadorin Lublin Dilja si njeri dhe si përfaqsues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virgxhinia jashtë Uashingtonit dhe nuk kanë ndryshuar atë ditë e sot.  Ndryshe nga shumë diplomatë të tjerë, gjatë viteve, Lublini të lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore.   Megjith sfidat shëndetsore, ai e përballoi situatën me kurajo të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie në punën e tij prej diplomati dhe në jetën e përditshme.   Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotënie, por serioz në punën e tij dhe i vetdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë.  Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, megjith sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ndërsa shërbente në Misionin e Përherëshëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për ‘të personalisht.  Megjithë këto vështirsi përfshirë sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja     përfshirë krizën e mallëkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u këthye në atdhe, megjithse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permamente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve.  Me sjelljet e tija dhe bazuar në bisedat me ‘të gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që përfaqësonte, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë si disa të tjerë për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqsues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij, të lënte përshtypjen se ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqsues i ndonjë partie ose individi të veçantë.

Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, megjith sfidat serioze shëndetësore me të cilat përballej trimërisht çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – të pakën në publik, ashtu në heshtje dhe pa bujë vuante – si dhe dashuria e tij për Atdheun dhe interesat e tija, sidomos në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta dhe e bën atë shëmbull, të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë, për brezat e ardhëshëm të diplomacisë shqiptare.

Për këtë arsye e kujtoj në këtë 60-vjetor të lindjes me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kujtojme Lublin Dilja, Lindjes, ne 60 vjetorin

SHQIPËRIA- DREJTË LINDJES APO PERËNDIMIT?

December 8, 2017 by dgreca

 1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Në takimin e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor organizuar nga “Miqtë e Europës” në Bruksel këtë javë, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama u ankua se Evropa nuk po ngutet të  antarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe  deklaroi se përveç integrimit në Bashkimin Evropian, për Shqipërinë dhe për Ballkanin, ka edhe alternativa të tjera.  Ndër “alternativat” tjera, ndoshta sipas tij të pranueshme për të dhe për vendin që ai përfaqëson, për ndryshe pse do t’i përmendëte, kreu i qeverisë shqiptare tha se ato alternativa përfshijnë Rusinë, Turqinë dhe Kinën dhe islamin radikal.  Ja deklarata që bëri Z. Rama në Bruksel, në lidhje me këtë çështje:“Nuk jam shumë dakord apo tërësisht me miken tonë këtu që përmendi Turqinë, Rusinë, Kinën si vende që s’kanë ç’të ofrojnë.  Po, po kanë shumë të ofrojnë. Rusia për shembull ka një rrugë shumë të lehtë për të ofruar. Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet, mbaje pushtetin për gjithë jetën dhe nuk është pa interes.  Dhe kanë para që të mund t’i derdhin dhe nuk është se ka ndodhur në ndonjë pyll në Siberi, ka ndodhur në mes të Evropës që qeveria, që kryeministri gjatë zgjedhjeve u kërcënuan me vdekje dhe kryeministri gati u vra dhe kjo ndodhi në Malin e Zi, një vend që negocion në BE.

 Pra, rreziku është real, është rrezik i pranishëm, siç do thonin kolegët tanë amerikanë. Por që Kina mendon në afat të gjatë, për 20 vite të tjera, ndërkohë që këtu mendojmë për 4 vjet megjithatë nuk mund të themi që nuk kanë asgjë për të ofruar, dhe ju harruat edhe një forcë tjetër që është islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shumë etnikë, shumë fetarë, shumëçka dhe tashmë me gjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE. Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të presë, por të vrapojë të na kapë, atëherë më besoni do të kenë një larmi problemesh të tjera që do të nisin dhe do të jetë shumë herë më e kushtueshme që të martoheni me ne.”

Që të jemi të drejtë, Z. Rama nuk është as i pari as i mbrami ndër udhëheqsit shqiptarë që kanë bërë deklarata të tilla, megjithse ky vet i ka përsëritur disa herë këto “alternativa”, si opsione të mundshme,ose si mënyra trysnie, për të mos thënë shantazh ndaj Bashkimit Evropian.  Është e vështirë të konstatohet nëse me këtë deklaratë dhe të tjera si kjo, Z. Rama ka në mend të kërcënojë evropianët apo është një flirtim i tërthortë me Putinin, Erdoganin e kinezët, për të tërhequr ato që ai i quan “alternativa” dhe influencën politike, ushtarake dhe ekonomike të këtyre vendeve në Shqipëri dhe në rajon, nëqoftse BE-ja, sipas tij, “nuk vrapon për t’i kapur” ato, duke ofruar integrim të plotë euro-atlantik për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.    Ndërkaq, as komentet e kryetarit të opozitës shqiptare Z. Basha, dhënë një gazete ruse — të raportuara nga disa portale shqiptare pothuaj në të njëjtën kohë – nuk i bëjnë nder atij, partisë që ai përfaqëson dhe as Shqipërisë dhe as nuk ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejtë integrimit evropian.  Nëqoftse Z. Basha pret simpati për Shqipërinë e shqiptarët nga lexuesit e një gazete pro-qeveritare ruse, ai gabohet rëndë.

Bashkimi Evropian mund të ketë bërë gabime gjatë kësaj periudhe të tranzicionit në Shqipëri.  Por Bashkimin Evropian dhe zyrtarët e tij nuk mund t’i akuzojë askush se nuk kanë qenë të qartë dhe transparent me Shqipërinë mbi kushtet që kërkohen, përsa i përket antarësimit të Shqipërisë në BE, ashtu siç u është kërkuar të gjitha vendeve anëtare dhe siç u kërkohet të gjithë atyre të mbetura jashtë, e që aspirojnë antarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. Rregullat dhe kushtet për antarësim në BE, janë të njëjtat për të gjithë dhe të tilla janë edhe për Shqipërinë.

Por pse këto kushte të BE-së nuk i kanë zbatuar qeveritë shqiptare gjatë viteve, kjo është diçka tjetër.  Zyrtarët evropianë kanë qenë kryesisht transparent dhe konsekvent në kërkesat dhe kushtet që duhet të plotësojë gjithnjë Tirana zyrtare, për antarësim.  Të gjithë e dinë se Shqipërisë i kërkohen rezultate konkrete si dhe plotësimi i pesë kushteve të përcaktuara nga komuniteti evropian.  Por është pikërisht mos plotësimi i këtyre kushteve, gjatë 27 viteve post- komunizëm nga klasa sunduese shqiptare, ai që ka ngadalësuar dhe që po vonon procesin e integrimit të plotë të shqiptarëve në Evropë, më shumë se një çerek shekulli pas rënjes së Murit të Berlinit.

Kryeministri Rama citohet të ketë thenë në Bruksel se Turqia, Kina dhe Rusia, “Po, po kanë shumë të ofrojnë (Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit)…kanë para që t’i derdhin…” — sikur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk ka derdhur mjaft para në Shqipëri gjatë 27 viteve të fundit.  Duket se autoritetet shqiptare e shikojnë Bashkimin Evropian si një thes me plot para, që me antarsimin në BE do të derdhën në Shqipëri.  Fatkeqsisht, ky është problemi. Autoritetet shqiptare e kanë shikuar vazhdimisht antarësimin në BE si një përfitim ekonomik, që në të vërtetë do të ishte, por për vendet anëtare është diçka më tepër se kaq.  Besohej se antarësimi në BE për Shqipërinë dhe për shqiptarët duhej të ishte diçka më shumë se një “derdhje parashë”.   Me shembjen e një regjimi komunist, ndër më mizorët në botë, shqiptarët shpresonin dhe u deklaruan se e donin Shqipërinë si gjithë Evropa.  Nënkuptohet, jo vetëm për parat dhe ndihmat që mund të derdheshin aty nga  Evropa, por mbi të gjitha për vlerat perëndimore, për lirinë dhe demokracinë, për drejtësinë, për të drejtat e njeriut, për respektin për jetën e njeriut, e të tjera.  Tiranës zyrtare gjatë gjithë kësaj periudhe, fatkeqsisht, i ka munguar vazhdimisht ndërmarrja e veprimeve konkrete dhe serioze për një transformim rrënjësor demokratik të vendit dhe si rrjedhim ka munguar edhe zbatimi i reformave që kërkohen nga Evropa si kushte për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.Në këtë pikë, nuk mund të mburren as pozita as opozita se njëra apo tjetëra palë kanë bërë më shumë në procesin e integrimit.  Fakti është se as njëra palë politike, në pushtet ose në opozitë në Shqipëri, nuk e kanë kuptuar ende se kanë përgjegjësi të përbashkët, jo vetëm për integrimin, por për mbarë mirëqenjen e popullit shqiptar dhe të kombit në përgjithësi.  Kjo klasë politike ende nuk ka mësuar se një nga përgjegjësitë ndaj popullit, në një demokraci të mirëfilltë, është dialogu serioz politik midis palëve kundërshtare, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, duke përfshirë edhe respektimin për rolin që duhet të luajnë media dhe shoqëria civile në një vend demokratik.  Me fjalë të tjera, për çështjet madhore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar duhet të ketë një konsensus politik midis palëve. Një ndër këto çështje madhore të kombit është edhe integrimi i i vonuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, në Bashkimin Evropian.

A ka evropianë që ndoshta nuk e duan Shqipërinë dhe shqiptarët në organizmat evropiane? Edhe mund të ketë.  Por është kjo klasë politike shqiptare, me mos veprimin e saj, ajo që ua ka bërë qëndrimin e kundërshtarëve të integrimit të shqiptarëve në Evropë, më të justifikueshëm dhe më të lehtë për ta mbrojtur.  Pa dyshim se Evropa ka përgjegjësitë dhe fajet e saja aktuale dhe historike ndaj shqiptarëve, por janë udhëheqsit shqiptarë të post-komunizmit, ata të cilët kanë vonuar, me qëllim e pa qëllim ndoshta, antarësimin e plotë të Shqipërisë në organizmat euro-atlantike.  Atyre dhe vetëm atyre duhet t’u kërkohet përgjegjësia, nëqoftse “alternativat” ruse, turke e kineze, për të cilat flet Kryeministri shqiptar në forume ndërkombëtare si në takimi i javës që kaloi në Bruksel, bëhen realitet. Ky do të jetë faji i kësaj klase politike dhe jo i Evropës dhe aq më pak i popullit shqiptar, i cili është përcaktuar me kohë se ku dëshiron ta ketë vendin e tij.

Mendohej se Shqiptarët e kishin vendosur në fillim të 1990-ave se e donin Shqipërinë si gjithë Evropa.  Madje megjith zhgënjimet e politikanëve shqiptarë gjatë këtyre dy-tre dekadave për të plotësur më në fund këtë dëshirë historike, shqiptarët e thjeshtë — gjatë kësaj periudhe — e kanë përcaktuar qartë alternativën e tyre të preferuar:   Me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara dhe jo me “alternativat” dhe opcionet e mundëshme që përmendi Z. Rama në Bruksel: Rusinë, Turqinë, Kinën, a po radikalizmin islamik.  Dihet se me qindra mijëra shqiptarë janë shpërngulur drejt vendeve perëndimore, duke votuar siç thuhet “me këmbë”, në favor të alternativës perëndimore, të vlerave dhe demokracisë perëndimore, që ata dëshirojnë edhe për vendin e tyre.  A mund të thotë Z. Rama ose ndonjë politikan tjetër aktual ose i periudhës post komuniste, se sa shqiptarë  në këtë ndërkohë i janë drejtuar Rusisë, Kinës, ose Turqisë gjatë 30-viteve të fundit për një jetë më të mirë, si alternativë ndaj Bashkimit Evropian ose botës perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara?  Kombi shqiptar është përcaktuar qartë se gjeografikisht dhe historikisht i përket Perëndimit.  Fatkeqsisht, duket se autoritetet shqiptare të këtyre 27-viteve ende nuk e kanë të qartë dhe si rrjedhim nuk janë të vendosur, se kah do t’ia mbajnë, drejtë Lindjes apo Perëndimit? Drejt një demokracie të vërtetë perëndimore, apo drejt thellimit të mëtejshëm të një sistemi autoritar të llojit putinist dhe erdoganist lindor?

Filed Under: Politike Tagged With: APO PERËNDIMIT?, Frank shkreli, SHQIPËRIA- DREJTË LINDJES

GËZIM NIKA–35 VJETË KËNGË DHE VEPRIMTARI KOMBËTARE

November 29, 2017 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se me 1 dhjetor 2017, komuniteti shqiptaro-amerikan do të festojë 35-vjetorin e veprimtarisë muzikore të artistit dhe të legjendës së këngëve me motive patriotike, Gëzim Nika.

1 gezimGëzim Nika njihet mirë në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në diasporë, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku për më shumë se 20-vjet tani jeton me familjen e tij.  Veprimtaria e tij, sidomos në lëmin e dendur muzikor, por edhe në veprimtarinë e tij patriotike është e njohur mirë tanimë anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporën shqiptare, jo vetëm në Amerikë dhe Evropë, por kudo që gjënden shqiptarët, përfshirë edhe Australinë e largët.  Këngëtari i njohur i folklorit shqiptar Gëzim Nika njihet për repertorin e tij të pasur me krijimtari të larmishme dhe si i tillë është ndër të pakët këngëtarë në diasporë dhe në trojet shqiptare që e mban gjallë këtë traditë duke ia përcjellur këtë lloj muzike edhe brezit të ri të shqiptarëve.  Vitin që kaloi, për veprimtarinë e tij artistike, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani dekoroi këngëtarin Gëzim Nika me titullin e merituar, “Mjeshtër i Madh”.1 Gezim

 

 

 

 

Me rastin fatbardhë të 35-vjetorit të daljes në skenë për të, familjen e tij dhe për shqiptarët kudo, disa bashkatdhetarë po organizojnë në fund të kësaj jave një darkë madhështore në nder të këngëtarit të njohur dhe tashmë legjendës së muzikës popullore shqiptare, i cili është gjithnjë aktiv dhe në këtë fushë dhe tepër i preferuar nga shqiptarët kudo për festat, dasmat dhe për ngjarje të ndryshme familjare, si ditëlindje dhe përvjetorë.  Pritet që në këtë solemnitet të marrin pjesë një numër i madh bashktadhetarësh nga Nju Jorku dhe nga shtetet për rreth.  Të ftuar të posaçëm në këtë darkë do të jenë një numër këngëtaresh dhe këngëtarësh si dhe artistë të njohur shqiptarë, për të nderuar veprimtarinë 35-vjeçare të kolegut të tyre të respektuar, Gëzim Nikës.

Pritet që darka të kalojë në një atmosferë përzemërsije të sinqertë dhe vëllazërore dhe si e tillë të jetë një dëshmi e nxehtë, nderim dhe falënderim për veprimtarinë muzikore dhe patriotike prej tre dekada e gjysëm të Gëzim Nikës, nga pjesëmarrësit dhe kolegët e tij artistë që do të jenë pranë tij atë mbrëmje për të festuar me ‘të, këtë jubile të shënuar për të personalisht dhe për kulturën dhe muzikën shqiptare në përgjithësi, këtë ngjarje pra tepër të rëndësishme në jetën artistike të Gëzim Nikës dhe për të gjithë admiruesit e tij sot dhe gjatë dekadave të kaluara.  Ndër pjesëmarrësit muzikantë, kolegë e kolege në këtë ngjarje me rëndësi jo vetëm për këngëtarin e njohur popullor do të jetë edhe këngëtarja e njohur Albërije Hadërgjonaj e cila ndanë me miqtë e saj në instagram njoftimin për këtë jubile dhe urimin e saj për Gëzimin – që shumë shqiptarë ndjejnë për këngëtarin e njohur dhe yllin e muzikës popullore shqiptare – dhe jo vetëm në këtë jubile, duke iu drejtuar atij me këtë mesazh: “1 Dhjetori është një festë për ty dhe për gjithë shqiptarët. Miq e mikesha, ju njoftoj se me 1 Dhjetor, Gëzim Nika feston 35-vjetorin e daljes në skenë! Unë dua të uroj paraprakisht për sukseset ndër vite me këngë që sot e përgjithmonë janë gur i rëndë në artin shqiptar. @gezimnika, ti për mua dhe familjen time je mik, vëlla që të duam fort! Këndofsh për shumë e shumë vite o Legjendë”, përfundon urimin e saj, Albërije Hadërgjonaj.

Në këngët e tija, Gëzim Nika shpreh dashuri dhe mall për kombin e vet, për shqiptarët në trojet e tyre dhe kudo janë të përhapur anë e mbanë botës.  Shpresoj se darka që komuniteti shqiptaro-amerikan po organizon me1dhjetor në nder të tij dhe të punës së tij prej 35-vitesh në skenë, të jetë sado pak një njohje e vogël, në shënjë falënderimi nga publiku — të pakën nga publiku shqiptaro-amerikan – ndaj rapsodit të shquar të kombit shqiptar, Gëzim Nikës.  Unë personalisht i jam mirënjohës, Gëzimit për këngët e tija që tani i dëgjoj rregullisht, por që dikur i dëgjonim me shumë vështirsi pasi i transmetonte radio Tirana me valë të shkurtëra në emisionin për bashkatdhetarët jashtë atdheut, këngë siç është, “Në Dardani bien tupanat” – por këngë të cilat më lehtësonin deri diku mallin për çdo gjë shqiptare, në atë kohë.  Prandaj, edhe unë bashkohem me Albërie Hadërgjonajn dhe me qindra mijëra bashktadhetarë, në Shtetet e Bashkuara, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mbarë botën, që ndërsa Gëzim Nika kremton 35-vjetorin e tij në skenë – bashkohemi për t’i uruar atij suksese edhe në të ardhmen, në paqë e liri për shqiptarët kudo qofshin dhe në të mirën dhe përparimin e kulturës shqiptare kudo, megjithë bukurinë dhe shpirtin e saj arbëror që e dallon nga kombet e tjera.

Thashë më lartë se veprimtaria e tij artistike prej 35-vitesh, përveçse shquhet në fushën e muzikës, ajo veprimtari dallohet edhe si vepër patriotike, pasi këngët e Gëzim Nikës, siç është kënga, “Shqipëri oj Nëna ime”, përshkohen nga malli i mërgimtarit për Atdheun si edhe nga fryma e patriotizmit, ato shprehin dashurinë për popullin shqiptar si dhe besnikërinë ndaj interesave dhe vlerave të kombit, për bashkimin dhe lirinë e tij.  Gëzim Nika është dhe do të mbetet për gjithmonë, një “Gur i rëndë në artin shqiptar”.  I dashtun Gëzim, në këtë 35-vjetor të paraqitjes tënde në skenë, në mes të dollive dhe breshërisë së urimeve, mundem vetëm me të dërgue përshëndetjen që e përdornin malet tona, pasi lahutari mbaronte këngën: Sot e gjithmonë ty të lumtë goja e të këndoftë zemra dhe kënga jote u ndëgjoftë për gjithmonë: “Në Prishtinë e në Tiranë, dorë për dorë si vëllau me vëllanë”, dhe jo vetëm në Prishtinë e në Tiranë, por kudo jetojnë shqiptarët. Urimet e mia më të përzemërta në këtë përvjetor të shënuar suksesi e arritjesh…..
Unë e dua Shqipërinë
Këndon: Gezim Nika
Unë e dua Shqipërinë
Me gegninë, me toskninë
Per atë sofër bardh si borë
Ku rrinë bashk lab e malësor

Unë e dua Shqiperinë
Me Kosovën, Çamërinë
Per Ulqin e Gostivar
Dhe për lotin mërgimtar

Unë e dua tokën nan’
O bukës, bukë e ku i kanë thanë
O gjakut, gjak
O zanës, zanë
Se jam shqiptar-o
Tjetër s’kam dasht-e
Vec zemrat tona-a
Të rrahin bashkë

Unë e dua Shqipërinë
Per një vajzë gjeraqinë
Për tim bir që po lodron
Për manarin që blegron

Unë e dua Shqipërinë
Për rininë e mençurinë
Dhe për djepat me stoli
Dhe për varret me lavdi

 

Në Dardani Bien Tupanat

Këndon Gëzim Nika

Ç’janë kto gur’ t’bardh e t’zi
Dikush krushqit na i ka ngri
Na i ka ngri, o i ka bo gur
O krushqit tonë o me flamur

N’Dardani bjen nji tupan
Krushqit vijnë me kapuç t’bardh
Cili je krushku i parë që prinë?
O është Flamuri Kuq e Zi

Cili je krushku i dytë në radhë?
Skënderbeu me shpatën zjarr
Krushku i tretë o është Naimi
O Mic Sokoli thërret kushtrimin

Nji mijë vjet ecën këta krushq-e
Si e ka emnin kjo nuse?
Liri emnin o k’saj ia thonë
O lind e rrit në gjakun tonë

Nusja jonë o kurrë nuk vritet
N’çdo pikë gjaku ajo rritet
Ku e derdh Shqiptari gjakun
O n’at Liria ngre Bajrakun!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, GËZIM NIKA–35 VJETË KËNGË DHE, VEPRIMTARI KOMBËTARE

DITA E FALËNDERIMEVE NË AMERIKË, 2017

November 22, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Për shumicën e amerikanëve, imazhi i Ditës së Falënderimeve lidhet me gjelin e detit të pjekur dhe me një festë familjare që normalisht bashkon familjet.   Njihet gjithashtu edhe si një ditë paradash, qoftë ditë me borë, apo shumë e ftohtë.   Por edhe një ditë kur luhet futboll amerikan.

1 Thanksgiving-Day-November-2

Por kjo festë ka një domthënje më të madhe se kaq.Dita e Falenderimeve në Amerikë është një ditë e dalluar në kalendarin vjetor të këtij vendi.   Është me të vërtetë një festë kombëtare, në të cilën përfshihen dhe marrin pjesë të gjithë qytetarët, për një qëllim të përbashkët dhe pa dallim feje, pikpamjesh politike ose origjinë etnike — vetëm e vetëm për të falenderuar Perendinë për bekimet që u ka dhenë atye individualisht, familjeve dhe vendit të tyre, ku ata jetojnë.2 Xhorxh Washnigton

Pak histori në lidhje me këtë fetes tipike amerikane.   Çdo vit, Dita e Falënderimeve shënohet të ënjten e katërtë të muajit Nëntor.  Kjo festë e ka origjinën në fillim të historisë së këtij vendi kur kolonët e parë pelegrinë nga Anglia u vendosën në këtë hapësirë në shekullin e 16-të dhe të cilët, pas të korrurave të bollëkshme,vendosën që të pushonin nga puna e mundshme, me qëllim për të falënderuar Perëndinë, për të gjitha bekimet që u kishte dhënë atyre gjatë një periudhe shumë të vështirë për ta.   Thuhet se pelegrinët e parë mësuan nga indianët vendas për të mbjellur misër, fasulje dhe kunguj, ashtuqë në Vjeshtën e vitit 1621, nja 90 prej tyre, së bashku me indianët vendas, përgatitën një darkë të madhe për të shënuar ditën e parë të Falënderimeve.

Por historia e kësaj feste e ka zanafillën zyrtare në vitin 1789, pas një deklarate nga presidenti i parë i këtij i vendi, Xhorxh Uashingtoni, kur Amerika festoi zyrtarisht ditën e parë të Falënderimit ndaj Zotit, në bazë të kushtetutës së re, të caktuar si, “Një ditë Falënderimesh publike, kushtuar të Madhit Zot, Autorit të të gjithë të mirave që kanë qenë, që janë dhe që do të jenë”. Presidenti Xhorxh Uashington, duke caktuar ditën e Falënderimeve si festë kombëtare, ka përdorur një ton gjithëpërfshirës, pa preferuar ndonjë fe ose besim, por në të njëjtën kohë, ai ka theksuar edhe “Bekimet politike, morale dhe politike për demokracinë e re” – të cilat sipas tij bëjnë të mundur funksionimin e një qeverisjeje të mirë, duke perfshirë edhe “Pendimin personal dhe kombëtar”, kur është e nevojshme për të pranuar gabimet, madje edhe në nivel kombëtar, sipas Xhorxh Washingtonit.Historia amerikane shënon se në Tetor të vitit 1777, të gjitha 13 kolonitë e para amerikane të asaj kohe, u bashkuan për të festuar ditën e Falënderimeve, që në të njëjtën kohë shënoi edhe fitoren e kolonive të reja amerikane në luftën e tyre kundër Perandorisë së atëherëshme britanike.  Gjatë viteve që pasuan, festimi i kësaj dite ka pësuar disa ndryshime, por më në fund, presidenti Abraham Linkolni më 1863 ka shpallur zyrtarisht të Ënjtën e katërt të Nëntorit si Ditën Kombëtare të Falënderimeve.Disa prej presidentëve më të dalluar të Shteteve tëBashkuara, siç janë  Xhorxh Washingtoni, Abraham Linkolni dhe Franklin D, Rusvelti — kanë luajtur rol me rëndësi për të bërë  që Dita e Falënderimeve të jetë për të gjithë amerikanët, pa dallim,  një ditë për të festuar me familjet e tyre, traditat, vlerat dhe idealet amerikane.   Urata e Xhorxh Uashingtonit për Ditën e Falënderimeve ishte kuptimplotë nga pikpamja përsonale si dhe në nivel kombëtar si udhëheqës i këtij vendi por edhe , pasi i lutej Perëndisë edhe për shtetet mike të Amerikës, me uratën:  “Le të bashkohemi dhe t’i lutemi me përvjutërinë më të thellë të Madhit Zot dhe Udhëheqsit të kombeve dhe t’i kërkojmë Atij që të na fali gabimet tona kombëtare dhe mëkate të tjera dhe i lutemi të na mundësojë që në jetën tonë private ose publike të kryejmë detyrat tona ashtu siç duhet dhe siç kërkohet nga ne; që qeveria jonë të jetë gjithmonë e mençur, e drejtë dhe të zbatojë ligjet kushtetuesee me besnikëri…Që Perëndia të ruaj dhe të mbrojë të gjitha shtetet sovrane, sidmos ato që janë mike me ne dhe bekojë të gjithë ata o Zot me një qeveri të mirë, falu atyre o Përendi paqë dhe mirëkuptim”, ishte shprehur Xhorxh Wasshingtoni.

Duke i qëndruar besnikë kësaj tradite, gjatë gjithë historisë amerikane, presidentët amerikanë i kanë ofruar lutje dhe falënderime Perëndisë për bekimet ndajë këtij vendi — por pa preferuar një besim fetar ose një tjetër.

Edhe sivjet, me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën e shoqërisë amerikane, Presidenti Donald Trump, në deklaratën e tij me rastin e Ditës së Falënderimeve të këtij viti — që festohet të ënjtën me 23 nëntor ka theksuar se, “Në këte Ditë Falënderimi – ashtu siç kemi bërë për pothuaj katër shekuj –Amerikanët falënderojnë Zotin e Plotëfuqishëm për bekimet tona të bollëkshme.   Me këtë rast ne mblidhemi së bashku me të dashurit tonë për të falënderuar Zotin për liritë tona që gëzojmë, për miqët dhe për familjet tona si dhe për Atdheun tonë të begatë”.   Në meazhin e tij, Presidenti Trump u kujtoi amerikanëve tragjeditë shokuese me të cilat është përballur vendi gjatë këtij viti, siç ishin uraganët shkatërrues, zjarret që goditën rëndë pjesën perëdnimore të Amerikës, si dhe aktet e dhunës dhe të terrorit në Las Vegas, në qytetin e New York-ut dhe në shtetin Teksas. “Ndërkohë që mbajmë zi për këto ngjarje të dhimbëshme, ne jemi si gjithmonë të bindur se vendosmëria dhe optimizmi i popullit amerikan do të triumfojnë”, u shpreh Presidenti Trump në deklaratën e tij me rastin e Ditës së Falënderimeve të këtij viti.  “Ashtu siç kanë bërë dikur pelegrinët e parë në këtë vend, Amerikanët sot janë të fortë dhe të vendosur për të mbrojtur familjet dhe të ardhmen e tyre, për të ruajtur dhe për mbështetur vlerat e tyre dhe për t’u përballur me çdo sfidë”, tha Presidenti amerikan Donald Trump, në mesazhin e tij drejtuar bashkëkombasve të vet, në shënim të Ditës së Falënderimeve, festës së përvitshme, tradicionale amerikane.

Amerikanët, nga natyra janë popull optimist madje edhe në kohë të vështira dhe plot sfida me të cilat është përballur dhe përballet vendi i tyre, në fushën politike të mbrendshme dhe ndërkombëtare.   Megjithë problemet ekonomike, shoqërore dhe megjithë fatkeqsitë natyrore me të cilat u pëball ky vend gjatë këtij viti e të cilat i përmendi edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë në mesazhin e tij, në Ditën e Falënderimeve, Amerikanët  kujtojnë ditët e para të demokracisë së tyre si dhe vështirsitë dhe fatkeqsitë e brendshme dhe të jashtme gjatë historisë së tyre, përfshirë edhe luftën civile, ndërkohë që përballë të gjitha këtyre problemeve në të kaluarën dhe atni, ata janë të vetdijshëm se jetojnë në një vend me shumë bekime për veten, për familjet e tyre dhe për kombin — dhurata të Përendisë këto ndaj këtij vendi, në të cilin çdo qytetar I këtij vendi ka të drejtë të jetojë, të punojë dhe t’i lutet Perendisë në liri të plotë dhe në mënyrën që dëshiron vet – jo vetëm Ditën zyrtare të Falënderimeve, por çdo ditë.

Filed Under: Featured Tagged With: 2017, dita e Falenderimeve, Frank shkreli, ne Amerike

SHKENCËTARËT BOTËRORË PARALAJMËROJNË RREZIK PËR NJERËZIMIN

November 14, 2017 by dgreca

images

Planet Earth (NASA)/

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/Në një paralajmërim botuar në revistën ndërkombëtare online “BioScience”, shkencëtarët e udhëhequr nga ekologjisti i njohur amerikan William Ripple i Universitetit shtetëror Oregon në Shtetet e Bashkuara, shkruajnë: “Njerëzimit po i bëhet tani një paralajmërim i dytë.   Ne jemi duke rrezikuar të ardhmen tonë nëqoftse nuk kufizojmë konsumimin material në sferën gjeografike dhe demografike dhe nëqoftse nuk e konsiderojmë rritjen e shpejtë të popullësisë si një prej shkaqeve kryesore të kërcënimeve ekologjike dhe shoqërore”, me të cilat përballet njerëzimi.Anë e mbanë botës, çdo vit, vdesin më shumë njerëz nga ndotja e mjedisit se sa nga të gjitha luftërat dhe dhuna në botë.   Ky është “paralajmërimi drejtuar njerëzimit” nga mbi 15,000 shkencëtarë, përfaqsues të 184 vendeve, nga e gjithë bota.   Në paralajmërimin e botuar të hënen nga Aleanca e Shkencëtarëve Botërorë theksohen rreziqet me të cilat përballet njerëzimi dhe planeti ynë në të ardhmen — rreziqe këto të shkaktuara — sipas shkencëtarëve botërorë — nga ndryshimet klimaterike, nga çpyllëzimi, nga humbja e ujit të pijshëm, nga zhdukja e specieve të ndryshme dhe nga rritja e pa kontrolluar e popullësisë, sidomos në Afrikë dhe në Azi, ku sipas shkencëtarëve botërorë, është shënuar një rritje prej 35 për qind  popullësisë.   Në përgjithësi, ekspertët shënojnë 25 trende negative anë e mbanë botës, përsa i përket keqësimit të mjedisit dhe rreziqeve me të cilat përballet njerëzimi, si përfundim.   Ndër trendet negative, ata identifikojnë, ndër të tjera, pakësimin me 25 për qind të ujit të pijshëm për person, shtimin me 75 për qind e numrit të zonave të vdekura oqeanike dhe humbjen e 300-milion hektarëve me pyje, si dhe pakësimin me 29 për qind të numrit të kafshëve, zogjëve dhe llojeve të ndryshme peshqish dhe kafshësh amfibe, e të tjera.

Në të vërtetë, ky ishte një paralajmërim që shkencëtarët kishin bërë 25 vjetë më parë, por raporti i botuar të hënen është edhe më i zymtë për nga pesimizmi me të cilin shkencëtarët e shikojnë ndotjen e mjedisit dhe efektet që ka mbi njerzimin dhe planetin në të cilin jetojmë.   Nga raporti i fundit, që cilësohet si paralajmërimi i dytë, vihet re se pikëpamjet e shkencëtarëve  të njohur botërorë, përfshirë ndër ta edhe nobelistë, e shikojnë situatën e ndotjes së mjedisit, madje edhe më të rrezikshme se 25 vjetë më parë, kur kishin bërë paralajmërimin e parë mbi rreziqet që i kanosen njerëzimit nga ndotja serioze e mjedisit.   Sipas raportit të fundit të shkencëtarëve, përveç shtresës së ozonit që, sipas tyre, duket se është stabilizuar disi, çdo kërcënim tjetër që 25 vjet më parë ata i kishin identifikuar si rreziqe serioze ndaj mjedisit dhe planetit tonë, janë keqësuar gjatë këtyre 25 viteve të fundit.

Në raportin e tyre, shkencëtarët botërorë identifikojnë konsumimin e tepëruar të burimeve të planetit si dhe shtimin e pakontrolluar të popullësisë si rreziqet më serioze me të cilat do të përballet njerëzimi në të ardhmen.   Në paralajmërimin e dytë, shkencëtarët më të njohur botërorë, i bëjnë thirrje njerëzimit që të konsumohet më pak mish, që të lindin më pak foshnje, që të përdoret energjia grinë dhe të konsumohet më pak në përgjithësi, me qëllim që të shpëtohet planeti nga rreziqet që rezultojnë nga ndotja e mjedisit dhe abuzimet.   Ata theksojnë se ndonëse janë shënuar përparime të vogëla në drejtimin e duhur, disa fushë, siç është rënja e lindjeve të foshnjave në disa pjesë të botës, shkencëtarët botërorë bëjnë thirrje për një rivlerësim të rolit të ekonomisë të bazuar në rritje, me qëllim për të pakësuar gazërat, për të inkurajuar ri-përdorimin e energjisë, për të mbrojtur eko-sistemet, dhe në përgjithësi për të adaptuar masa të përgjithshme në mbrojtje të mjedisit, në të gjitha përmasat e tij.   Shkencëtarët shfaqën gjithashtu shqetësimin e tyre se njerëzimi nuk po bën sa duhet për të marrë masat e nevojshme në mbrojtje të biosferës së rrezikuar nga ndotja e mjedisit.

Njoftohet se shkencëtarët arritën në këto përfundime duke u bazuar dhe duke përdorur të dhënat dhe informacionet nga qeveritë e ndryshme anë e mbanë botës, nga ente private dhe nga ekspertë të ndryshëm, për të arritur në përfudnimin e tyre se nëqoftse bota nuk merrë masat e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit, njerëzimi dhe planeti në të cilin jetojmë, përballen me një “rrezik të madh dhe të pandreqshëm”, në të ardhmen.Por, shkencëtarët nuk janë krejt të pa shpresë se gjëndja nuk mund të ndryshohet drejt përmërsimit të mjedisit nëqoftse merren masat e nevojshme.   Ata i bëjnë thirrje publikut botëror për një aktivizëm më të madh në këtë fushë, për t’u bërë presion autoriteteve vendore dhe udhëheqësve politikë kudo, që të marrin vendime më serioze në mbrojtje të mjedisit, anë e mbanë botës.

Profesori Uilliam Riple i Universitetit shtetëror në Oregon të Shteteve të Bashkuara, citohet të ketë thënë në një njoftim për median, se raporti mbi rreziqet që ndotja e mjedisit sjellë për botën, mund të konsiderohet nga disa si një dokument alarmist që i frynë rrezikut dhe si të tillë hedhin poshtë provat që kemi mbledhur.   “Puna e shkencëtarëve është për të analizuar të dhënat dhe për të parashikuar pasojat afat-gjata për të ardhmen”, është shprehur Profesori amerikan.   Ai shtoi se shkencëtarët që kanë nënshkruar dokumentin që u botua të hënen, nuk po japin një alarm fals, por shtoi Profesori Ripple, ata po i paraqesin njerëzimit provat për shënjat e qarta se bota është në një rrugë pa këthim, nëqoftse nuk merren masat të menjëhershme për të ndryshuar trendet tepër negative, që autorët përshkruajnë në këtë raport, dhe rreziqet me të cilat mund të përballet njerëzimi, si pasojë e ndotjes së pa kontrolluar të mjedisit.Megjithë parashikimet pesimiste të këtij paralajmërimi mbi ndotjen e mjedisit dhe mbi pasojat afatagjata që mund të ketë ndaj njerërzimit dhe planetit tonë, autorët  thonë se çdo gjë nuk është humbur ende.   Ata theksojnë se nëqoftse ekziston vullneti i mirë për të bërë diçka në lidhje me këto prirje negative që shknecëtarët venë në dukje në raportin e tyre, njerëzimi mund të bëjë ndryshimet e nevojshme në jetën e përditshme, si edhe në ekonomi dhe në industri, por edhe në të gjitha fushat e jetës, të cilat deri tani kanë ndikuar negativisht në ndotjen e mjedisit në të cilin jetojmë.

Rreth 15,000 shkencëtarë botërorë paralajmërojnë se nuk është vonë për një ndërhyrje botërore për të ndaluar keqësimin e metëjshëm të mjedisit, me qëllim, sipas tyre, për të “Mënjanuar mjerimin e fatkeqësinë që mund të sjellë humbja e biodiversitetit” dhe ndotja e pa kontrolluar e planetit.   Ata këshillojnë, më në fund, se, të gjithë ne si individë, si autoritete qeveritare dhe si shtete, “Duhet të jemi të vetdijshëm se Toka, me të gjitha qenjet e gjalla është e vetmja shtëpi për të gjithë ne.”   Për ta shpëtuar, përfundojnë ata paralajmërimin e tyre, së bashku, “Mund të  shënojmë përparim të madh për të mirën e njerëzimit dhe të planetit, prej të cilit të gjithë ne mvaremi…për ndryshe, së shpejti mund të bëhet tepër vonë”, theksojnë shkencëtarët botërorë në paralajmërimin e dytë drejtuar njerëzimit, mbi pasojat serioze që sjellë për njerëzimin ndotja e mjedisit, anë e mbanë botës.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, paralajmerim, rerzik per njerzimin, shkencetaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT