• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO ZBRAZEN TROJET SHQIPTARE DHE ASKUSH NUK E ÇANË KOKËN

June 13, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Ky nuk është një lajm që nuk dihej më parë, por është disi ndryshe kur vërtetohen përmasat e këtij problemi nga një agjenci e madhe botërore, cila është e njohur për anketat e saja të famshme e që matin opinionet botërore mbi çështje të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare.  Javën që kaloi, Gallup botoi një raport mbi emigracionin ndërkombëtar, ku ndër të tjera përfshihet edhe dëshira e lartë e shqiptarëve për tu larguar nga trojet e veta.  Ky lajm është edhe më tronditës kur të merren parasyshë të dhënat e organizatës Gallup të anketave, e cila në raportin botëror mbi emigracionin, botoi të dhëna edhe mbi numrin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga Kosova, të cilët janë shprehur se po të kishin mundësi të largoheshin nga vendi, do të bnin një gjë të tillë.

Sipas organizatës Gallup, 14% e njerëzve anë e mbanë botës do të dëshironin të emigronin nga vendet e tyre, për në ndonjë vend tjetër, po të kishin mundësi ose 710-milion veta anë e mbanë botës, në përgjithsi, mendojnë të largohen nga atdheu i tyre po t’u jepej rasti.  Këto të dhëna nga Gallup bazohen në intervistat që kjo organizatë thotë se ka zhvilluar me 586,806 të rritur në 156 vende të ndryshme anë e mbanë botës, midis viteve 2013-2016.

Në raportin e organizatës Gallup thuhet se gjatë kësaj periudhe  në nivel ndërkombëtar  është venë në dukje rritja më e madhe e dëshirës për të emigruar sidomos nga vendet evropiane që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, si edhe nga vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore.   Arsyet për rritjen e dëshirës për të emigruar janë të shumta, sipas agjencisë Gallup, por përmend si kryesoret luftën civile në Siri, përcakton papunësinë kronike në Shqipëri si një prej arsyeve që njerzit dëshirojnë të largohen në një numër aq të madh, si dhe shpërthimin e sëmundjes ebola në Bregun e Fildisht, në Afrikë. Bregu i Fildisht është në vendin e parë në botë të atyre që dëshirojnë të largohen së andejmi, i pasuar nga Haiti në vendin e dytë, ndërsa Shqipëria zë vendin e tretë botërisht për numrin më të madh të qytetarëve të saj që dëshirojnë të emigrojnë. Ky numër ka arritur një shifër marramendse prej 56% e popullsisë shqiptare që dëshiron të largohet nga vendi.

Thonë se “ku dhemb dhëmballa shkon gjuha”.  Kur pashë radhitjen e Shqipërisë nga organizata Gallup në vendin e tretë në botë pas Bregut të Fildisht dhe Haitit, me një përqindje prej 56% të popullsisë shqiptare që dëshiron të largohet nga atdheu po të kishte mundësi, m’u duk si diçka tepër e pa besueshme, por edhe një gjë tepër e trishtueshme.  Madje Gallup shënon se numri i shqiptarëve ishte ndër rritjet më të mëdha të dëshirës për të emigruar në krahasim me 154 vendet që pasqyron raporti, duke shënuar një ndryshim të dukshëm me raportin e mëparshëm të kësaj agjencie të viteve 2010-2012 kur përqindja e shqiptarëve që kishin shprehur dërhirën për të emigruar ka qenë gjatë asaj periudhe 36%. Domethënë pra se raporti i fundit Gallup shënon një rritje të numrit të shqiptarëve që duan të emigrojnë po të kenë mundësi, nga 36% që ishte në periudhën 2010-2012, në atë prej 56% sot, natyrisht, po tu jepej rasti për tu larguar nga vendi i tyre.  Një e dhënë kjo absolutisht e tmershme, që duhej të shkundte nga gjumi çdo udhëheqës të ndershëm që ia do të mirën vendit dhe kombit të vet.

Edhe Kosova, sipas Gallup ka shënuar rritje në numrin e atyre që dëshirojnë të emigrojnë: nga 29% për periudhën 2010-2012, në 34% sot e atyre që duan të ikin po tu jepej rasti.  Po të marrim parasyshë këtu edhe të dhënat për Maqedoninë që gjithashtu sipas Gallup, sot 34% e popullsisë së atij vendi që dëshirojnë të largohen dhe që shumica mund të jenë shqiptarë, por edhe  shifrat nga trojet e tjera shqiptare si në Mal të Zi e Preshevë —  atëherë mund të thuhet se kemi të bëjmë me një tragjedi kombëtare të përmasave të pa para ndonjëherë: zbrazjen e trojeve shqiptare në kohë paqeje, ndërkohë që askush nuk e çanë kokën për këtë punë.  Mund të thuhet se më shumë se gjysma e shqiptarëve do të largoheshin nga trojet e veta, po të kishin mundësi. Raporti Gallup mbi emigracionin është një pasqyrim i pakënaqsive masive të shqiptarëve dhe një paralajmërim serioz për klasën politike shqiptare në të gjtiha trojet shqiptare për të adresuar këtë problem, para se të bëhet tepër vonë.

Shqipëria është në kulmin e një fushate politike për zgjedhjet e 25 qershorit dhe Kosova sa po përfundoi fushatën, ndërkohë që mbajti zgjedhjet për parlamentin e ardhëshëm të djelën që kaloi.  Në asnjërin rast nuk është diskutuar seriozisht ky fenomen i tmershëm për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe të kombit.  Jo vetëm politikanët, të cilët janë shkaku kryesor i këtij fenomeni dhe i gjëndjes së krijuar, por as media vizive as ajo e shkruar nuk e gjejnë të arsyeshme që të zhvillohet një debat publik në lidhje me këtë çeshtje.  Është për tu habitur se si media dhe politikanët shqiptarë, gjashtë muajt e fundit, kanë shpenzuar më shumë kohë në televizion dhe në gazeta, duke debatuar mbi dëmet që i ka sjellur botës dhe Shteteve të Bashkuara – madje edhe marrëdhënieve shqiptaro-amerikane — zgjedhja e Donald Trump-it president, se sa tragjedia kombëtare që përbën zbrazja, dalëngadalë, e trojeve shqiptare.   Ndërkohë që sipas raportit të Gallup – Shtetet e Bashkuara mbeten gjithnjë destinacioni numër një në botë, i atyre që kërkojnë të largohen nga vendet e tyre, anë e mbanë botës dhe që po të kenë mundësi dëshirojnë të emigrojnë në një vend   të preferuar për ta.

Historia e shqiptarëve njeh, fatkeqsisht, shpërngulje tragjike të detyruara me forcë të shqiptarëve nga trojet e veta, nga Kosova dhe Maqedonia në bazë të marrveshjeve midis Serbisë e Turqisë fillim shekullin e kaluar, por edhe shpërnguljen me forcë të shqiptarëve nga Çamëria. Fatkeqsisht, duket sikur planet serbe të Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta, po i zbatojnë vetë shqiptarët sot.

Por, për këtë fenomen tepër shqetsues për kombin sot, shqiptarët nuk mund të fajësojnë komunizmin, as serbin, as grekun, e as turkun.  Po t’i detyronte dikush tjetër shqiptarët që të largoheshin nga vendi tyre, të gjithë ne do ishim rrugëve të qyteteve të Amerikës dhe të Evropës dhe koridoreve të kancelarive perëndimore për të kërkuar drejtësi për shqiptarët dhe për t’i thënë stop shpërnguljes së shqiptarëve.  Sot, shqiptarët jetojnë në paqë, në dy shtete që e quajnë veten demokratike dhe kontrollojnë fatin e tyre si kurrë më parë.  Njëra anëtare e NATO-s me shpresë për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe tjetra gjithashtu me ambicje për t’iu bashkuar integrimeve euro-atlantike.  Atëherë ku tjetër të kërkojmë drejtësi, përveç aty – në Tiranë dhe në Prishtinë – aty ku  pikërisht sot duhet të kërkohet drejtësia dhe përgjegjësia për këtë pakënaqsi të një numri kaq të madh të shqiptarëve me jetën e tyre në vendlindje, ashtuqë të gjënden zgjidhje për ta bërë jetesën më të mirë e më të drejtë për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe si rrjedhim të zhduket dëshira aq të madhe të tyre për tu larguar nga vendi.   Për këtë fenomen të trishtueshëm, votuesi shqiptar duhet ta kërkojë përgjigjen dhe përgjegjësinë aty, tek klasa e sotëme politike shqiptare.

Në raportin e agjencisë Gallup thuhet se rritja e numrit të atyre që dëshirojnë të largohen nga vendet e origjinës mund të jetë një pasqyrim i konflikteve dhe trazirave në disa pjesë të botës, ku lufta, uria, tragjeditë natyrore dhe sëmundjet e bëjnë jetën e njerzëve tepër të vështirë dhe të pamundur që të vazhdojnë të jetojnë në vendet e tyre.  Ata të cilëve u intereson e ardhmja e shqiptarëve dhe e kombit duhet të pyesin veten se çka i shtynë shqiptarët që të dëshirojnë të largohen nga trojet e veta në një numër aqë të madh prej 56% e popullsisë në Shqipëri dhe 34% e popullsisë së Republkës së Kosovës, siç ve në dukje raporti i fundit i entit ndërkombëtar Gallup dhe kush është përgjegjës për këtë situatë.

Ka ardhur koha, para se të jetë tepër vonë, që dikush të bëjë pyetjen se pse shqiptarët duan të largohen aq masivisht nga atdheu i tyre në çperekun e shekullit 21, që patëm menduar, siç duket gabimisht, se duhej të ishte shekulli i shqiptarëve.   Pse shqiptarët janë në krye të listës në Evropë dhe të tretët në botë – pas Bregut të Fildisht dhe Haitit – që po të kenë mundësi do të largoheshin nga vendlindja pa asnjë hesitim?  Çka i shtynë shqiptarët që të arrijnë në një përfundim të tillë dhe kush është përgjegjës për këtë?  Dhe çfarë ndodhë me kombin shqiptar, nëqoftse eventualisht bëhet realitet dëshira e kësaj përqindjeje dërmuese të shqiptarëve dhe gjenë rastin e mundësinë për të braktisur trojet e veta nën rrethanat e sotëme?   Dhe kush duhet të mbahet përgjegjës politikisht, për këtë?  Për këtë problem – përveç klasës politike të këtij çerek shekulli post-komunizëm është përgjegjëse media edhe votuesi shqiptar që nuk kërkojnë llogari dhe përgjegjësi për fatin e kombit nga përfaqsuesit e tij politikë.  Dikush duhet të çajë kokën me këtë dukuri tepër shqetsuese, para se të jetë tepër vonë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Frank shkreli, PO ZBRAZEN, TROJET SHQIPTARE DHE ASKUSH

ANGAZHIMI I SHTETEVE TË BASHKUARA NDAJ NATOS ËSHTË ABSOLUT

June 9, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Një atmosferë pasigurie në Evropë, si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimeve të Moskës ndaj sigurisë së vendeve në periferinë e saj — që tani janë anëtare të Aleancës së NATO-s — si dhe deklarata e Presidentit Trump, sidomos gjatë fushatës elektorale për president në lidhje me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe NATOs, janë shprehur shqetësime dhe janë ngritur pyetje legjitime mbi të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Ç’prej ardhjes në pushtet, Presidenti Trump ka ndryshuar tonin dhe fjalorin në lidhje me NATO-n, ndërkohë që zyrtarë të niveleve të larta të administratës Trump kanë thekësuar vazhdimisht vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të qenë partnere e besueshme e aleancës së NATO-s.
Në fillim të kësaj jave, ishte numri dy i Administratës Trump, pikërisht Zëvendës-Presidenti Mike Pence, ai i cili përdori vizitën e tij në entin Atlantic Council në Uashington të henën që kaloi, për të ritheksuar edhe një herë publikisht, për të gjithë ata që mund të dyshojnë ende në mbështetjen e kësaj administrate ndaj Aleancës Atantike, NATO. Gjatë një ceremonie në kryeqendrën e organizatës Atlantic Council, Zevëndës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence u shpreh se, “Angazhimi ynë ndaj NATO-s është absolut”, duke shtuar se, “Shtetet e Bashkuara do të kryejnë obligimet e tyre për mbrojtje kolektive ndaj popujve të të gjitha vendeve tona aleate. Shtetet e Bashkuara janë të vendosura që të mbështesin parimin, se një sulm kundër njërit prej nesh, është një sulm kundër të gjithë neve.” Ai citohet të ketë thënë gjithashtu se “Dera e hapur e NATO-s duhet të mbetet përgjithmonë e tillë” dhe se Aleanca NATO është aq e rëndësishme sot sa ishte edhe pothuaj 70-vjetë më parë”, kur u themelua kjo orgnanizatë.
Në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Jens Stoltenberg dhe Kryeministrit të Malit të Zi, Z. Dushko Markoviq – përfaqsuesi i vendit më të
ri i anëtar të NATO-s — Zevëndës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara po i referohej Nenit 5, aq të përfolur, të Traktatit të Uashingtonit i cili ka të bëjë me mbrojtjen kolektive. Sipas fjalimit të Z. Pence, të botuar në portalin e Atlantic Council, numri dy i Administratës Trump i siguroi të pranishmit se, “Një NATO e fortë është e një rëndësie tepër jetike, sidomos në këtë periudhë të vështirë” ndërkombëtare. Ai përmendi si sfida, “Përpjekjet e Rusisë për të ndryshuar me forcë kufitë ndërkombëtarë e deri tek përpjekjet e Iranit për të destabilizuar Lindjen e Mesme, përfshirë rreziqet që paraqet terrorizmi ndërkombëtar që mund të godas në çdo kohë – duket se bota sot është më në rrezik se kurrë më parë ç’prej shëmbjes së komunizmit, një çerek shekulli më parë”, u shpreh udhëheqsi i lartë amerikan
Ceremonia në Uashington përkoi me rastin e 70-vjetorit të Planit Marshall — simbolit të angazhimit amerikan në rindërtimin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore — dhe me antarësimin zyrtar të Malit të Zi, si vendi anëtar i 29-të i Aleancës Ushtarake, NATO.
Në kujtim të përvjetorit të Planit Marshall, Zevëndës Presidenti Pence theksoi se, “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërtojnë dhe të forcojnë lidhjet që ekzistojnë midis kombit tonë dhe kombeve të Evropës, për të mirën e brezave të ardhëshëm”, të vendeve tona. Ndërsa Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq e cilësoi antarësimin e vendit të tij në NATO ndoshta si, “Një hap të vogël për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, por si një ditë të madhe për Malin e Zi”, deklaroi udhëheqsi malazez. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, duke përshëndetur antarësimin e Malit të Zi në NATO, u tha të pranishëmve se, vendet e Aleancës së Atlantikut Verior, “Nga të dy anët e Atlantikut, kanë punuar së bashku për një qëllim të vetëm: për ruajtjen e paqës dhe të sigurisë për popujt tanë”. Ai theksoi gjithashtu se, kjo është një lidhje unike që ka siguruar paqën për vendet tona për pothuaj shtat shekuj. Ai shprehu entuziazmin e tij për të ardhmen e Aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia, duke thënë se, “Sot, angazhimi ynë ndaj Aleancës NATO është më i fortë se kurrë më parë. Këtë e shohim”, shtoi ai, në “Praninë më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë, si dhe në faktin se Evropa dhe Kanadaja po investojnë më shumë për mbrojtjen e tyre”, nenvijoi në fjalën e tij para pjesëmarrësve në ceremoninë e entit Atlantic Council, udhëheqsi i NATO-s, Z. Stoltenberg. Në një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u
shpreh se, “NATO do të mbështesë Malin e Zi kundër çdo trysnie ose ndërhyrjeje nga jashtë.” “Kemi parë e lexuar shumë raporte mbi ndërhyrjen e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ishim gjithashtu dëshmitarë edhe të grusht-shtetit që dështoi vitin e kaluar në Mal të Zi. Sa më përket mua, të gjitha këto nënvijojnë rëndësinë që i duhet kushtuar ndërtimit të institucioneve të forta të sigurisë dhe të mbrojtjes”, tha Z. Stoltenberg.
Ndër folësit e tjerë në ceremoninë në qendrën Atlantic Council ishte e pranishme edhe ish-Sekretarja Amerikane Shtetit, Madeleine Albright, e cila bëri një thirrje, plot emocion, në mbështetje të një roli të fortë të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se nëqoftse nuk u kushtohet vëmendje problemeve të jashtme, atëherë me ato probleme do të ballafaqohemi eventualisht, këtu mbrenda vendit tonë. Roli për të cilin foli Z.nja Albright është një rol që Amerika kishte marrë përsipër ç’prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Duke folur për sfidat botërore me të cilat përballet Amerika, Ish-kryediplomatja amerikane u tha të pranishëmve se, “Shtetet e Bashkuara janë më të forta kur kanë aleatë dhe miqë, e të cilët ndajnë me ne interesat dhe idealet.” Ndërkaq, siç duket, në një kritikë indirekte ndaj Presidentit Trump, Z. Albright tha se është me rëndësi që të mos harrojmë historinë e shekullit të kaluar.
Ndonëse jo i pranishëm në ceremoninë e Atlantic Council, Kryetari i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Senatori republikan Xhon Mekejn, në portalin e tij e mirëpriti me këtë rast antarësimin e Malit të Zi në NATO, si “Një hap të rëndësishëm në integrimet gjithnjë e më të mëdha transatlantike, në një kohë shumë të vështirë për botën, po të merren parasyshë sfidat gjithnjë e më të mëdha me të cilat përballemi në të dy anët e Atlantikut” shtoi ai. Senatori Mekejn përmendi “Përpjekjet e reja të agresionit rus, sulmet e shpeshta terroriste dhe kërcënimet hibernetike.” Përballë këtyre kërcënimve, ka shkruar në portalin e tij Senatori Mekejn, Aleanca Transatlantike duhet të jetë e bashkuar. Senatori Mekejn përshëndeti, me këtë rast në portalin e tij edhe 70-vjetorin e përpilimit të Planit Marshall, që ai e cilësoi si triumfi i bashkpunimit transatlantik i cili shpëtoi Perëndimin. “70-vjet më vonë, angazhimi i Amerikës — në mbrojtje të botës së lirë, në mbrojtje të vlerave demokratike dhe në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë – duhet të vazhdojë të jetë gjithnjë i fortë, ka thënë me këtë rast, Senatori Republikan i Shteteve të Bashkuara, Xhon Mekejn

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGAZHIMI I SHTETEVE TË BASHKUARA NDAJ NATOS, ËSHTË ABSOLUT, Frank shkreli

KJO NUK ËSHTË SHQIPËRIA QË DUAM, Z. KRYEMINISTËR!

June 2, 2017 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Më poshtë është një fotomontazh i hedhur të mërkurën në fejsbukun e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.  Unë e dija se politika shqiptare ka rënë në nivelin më ultë moral që mund të bjerë, por ky fotomontazh mund t’ua kalojë të gjithave që kemi parë deri më sot gjatë fushatave politike dhe jo vetëm — të pakën kur të merret parasyshë burimi nga vjen.   Vjen nga Zyra e Kryeministrit!  Pra, fotomontazhi nuk është vendosur në fejsbuk nga ndonjë kundërshtar politik vendor i pa përvojë i Dr. Halim Kosovës, ose nga ndonjë analist e komentues që do të shpreh mllef, por nga Kryeministri i vendit, i cili duhet të jetë shembull morali e tolerance për të gjithë, e sidomos për të rinjtë e të rejat e vendit, të cilët nuk besoj se duan që fushatat politike të zhvillohen në këtë mënyrë.

Çdo të thotë Kryeministri shqiptar me këtë fotomontazh të shëmtuar: se shqiptarët të cilëve u shërben Dr. Kosova qenkan kafshë.  Se nënat shqiptare që lindin fëmijë na qenkan çfarë, lopë???!!!!, Z. Kryeministër?  Cili është mesazhi i tij?  Paske ra poshtë pa nevojë, Z. Rama.  Ky fotomontazh nuk të nderon ty as familjen, as nuk nderon partinë që përfaqëson, por mbi të gjitha nuk nderon as Shqipërinë dhe as shqiptarët.  Kjo nuk është fushata që dëshirojnë shqiptarët dhe kjo nuk është as Shqipëria që ata duan dhe njohin.  Shqiptarët kudo që janë, dinë një moral  dhe diskurs tjetër shoqëror e politik, e jo të këtij lloji që po përhapet në fejsbuk nga ju kundër Dr Halimit.   Përveç mungesës së ndjenjave njerëzore dhe politike të një burrshteti,  hipokrizia e juaj e madhe Z. Kryeministër shihet në mesazhin më poshtë fotos denigruese, në fejsbukun tuaj kundër Dr. Halimit.  Në një tjetër fotomontazh të Kishës së Shnanout shkruani lidhje me vizitën tuaj më heret atë ditë në Lezhë:  “Sipas Marubit, kjo foto e 1930 shfaq “kishën e Shnanoit të fretënve françeskanë në Lezhë.  Pasi dhe nën gërmadhat e një stili të pastër romanik, dëshmohet pasuria fantastike dhe shpirtërore e hinterlandit të Lezhës dhe Laçit, djep i historisë kombëtare dhe qendër kryesore e Motit të madh të Arbërit”.

Me cilin Kryeministër të Shqipërisë kemi të bëjmë, me atë që postoi fotomontazh fyese kundër Dr. Kosovës apo me Kryeminsitrin morlaist që postoi fotomontazhin e Kishës së Shnandout të rrënuar duke venë në në dukje “moralin fantastik” të atyre zonave.   Fotomontazhi fyes me mbishkrimin tuaj, “Halim Kosova i Bashkohet Kërkimit të PD për Knadidatë”, në fejsbukun  tuaj zyrtar kundër Doktorit të nderuar të Tiranës nuk përputhet aspak me atë, “pasurinë fantastike shpirtërore të hinterlandit të Lezhës dhe Laçit, djep i historisë kombëtare dhe qendër kryesore e Motit të madh të Arbërit”, siç e cilësoni ju, me të drejtë.

E kundër kujt e bëni këtë, Z. Kryeministër?  Kundër një personi i cili ndryshe nga të gjithë politikanët shqiptarë të këtyre 25-viteve të fundit,  në fushatën e tij për kryetar bashkie të Tiranës dy vjetë më parë, mbrenda mundësive të tija, Dr. Kosova u përpoq të sillte një qytetërim politik në fushatën e tij, duke respektuar mendimet dhe qëndrimet ndryshe të të tjerve, përfshirë kundërshtarin e tij politik.  Ai në të vërtetë përcaktoi tonin se si duhet të zhvillohet një fushatë politike, në një vend që e quan veten demokratik.   Fatkeqsisht, zëri i tij ishte një zë që nuk u dëgjua nga profesionistët politikë si ju dhe të tjerë politikanë të karjerës, një zë që po të ndiqej mund të përbënte një fillim të ri në politikën shqiptare, ndryshe nga mesazhi që jepni ju, Z. Rama me fotomontazhin në fejsbukun tuaj.  Kjo që po bëni ju me këtë mesazh nuk është fushatë ndaj një kundërshtari politik por është një përpjekje për të poshtëruar një njeri të ndershëm – që të tillë e njeh gjithë Tirana — dhe po ofendoni një profesion të ndershëm, atë të mjekut, dhe njëherazi ofendoni edhe njerzit që ai u shërben si mjek.

Po i bini Dr. Kosovës se ai nuk është politikan i tipit të politikanëve shqiptarë. Ai me fushatën e tij për kryetar bashkie mënjanoi dhe i ndejti larg pikërisht kësaj lloj fushate fejsbuku që kini ndërmarrë ju kundër tij.  Dr. Kosova humbi zgjedhjet me atë rast, por doli fitues, si indivd dhe si politikan, por edhe si mjek, shërbëtor dhe kujdestar i shëndetit të popullit të tij, të cilit i është betuar se do t’i shërbejë. Është ky një betim shumë më serioz dhe më i ndershëm dhe i moralshëm se betimi i politikanëve për t’i shërbyer popullit.

Për Dr. Kosovën është më e ndershme të jetë në shoqëri të burrave të ndershëm e madje edhe i vetëm, edhe nëqoftse humbet zgjedhje, se sa të bëhet pjesë e këtij diskursi imoral politik.   Nuk e di nëse e mbani mend, Z. Kryeminsitër, por Dr. Kosova kishte paralajmëruar gjatë fushatës për kryetar bashkie të Tiranës se nqëoftse do fitonte, ai do të bashkpunonte me ju, me Kryeministrin e vendit, kundërshtarin e tij politik, por ai nuk u konsideroi ju si armikun e tij.   Kjo më pat pëlqyer dhe Dr. Halimi është për tu përshëndetur nga të gjithë për këtë qëndrim dhe shembull që dha për të gjithë politikanët e djathtë e të majtë.  Fushata e Dr. Kosovës ishte një freski në atmosferën e vrazhdë, intolerante e shpesh fyese të politikës shqiptare, pasqyrim i të cilës është fotomontazhi në fejsbukun tuaj, Z. Kryeministër.   Në atë kohë, qe vlerësuar se ndoshta fushata e Doktor Kosovës për kryetar bashkiak të Tiranës do të shënonte një hap përpara në diskursin, pak më të civilizuar politik shqiptar, por jo.  Ja ku e hodhët ju diskursin politik Z. Kyreminsitër, me postimin e këtij fotomontazhi.  Është për të ardhur keq.

Kombi shqiptar ka nevojë për një diskurs të qytetëruar dhe për një tolerancë politike ndaj kundërshtarit, ashtu siç dha shembull Dr Halim Kosova gjatë fushatës së tij në zgjedhjet për kryetar bashkie të Tiranës, dy vjetë më parë. Ju Z. Kryeministër mund të jepni, menjëherë, një kontribut në këtë drejtim duke hequr fotomontazhin fyes nga fejsbuku juaj dhe t’i kërkoni falje Dr. Halim Kosovës.  Të kërkuarit falje është një “pasuri fantastike dhe shpirtërore”, jo vetëm e hinterlandit të Lezhës e Laçit, por duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve kudo, përfshirë në rend të parë udhëheqsit e vendit. Natyrisht, është pasuri shpirtërore për ata që besojnë në shpirt.  Kërko falje!  Sepse kështu do të vepronin burrat e vërtetë të hinterlandit të Shqipërisë!  Fotomontazhi denigrues dhe i pa moralshëm i postuar në fejsbuk-un tuaj kundër Dr. Halim Kosovës, nuk përfaqëson Shqipërinë që duan shqiptarët, kudo që ata gjënden.

Filed Under: Politike Tagged With: Edi Rama, Frank shkreli, KJO NUK ËSHTË SHQIPËRIA, QË DUAM?, z. Kryeministër!

LAHUTA E MALCIS GJITHNJË GURRË, E PASHTERSHME VLERASH

May 30, 2017 by dgreca

2 Frank Shkreli

Nga Frank Shkreli/Pa ditur se kopja ime e vjetër e Lahutës së Malcis ishte grisur nga përdorimi prej pothuaj gjysëm shekulli – por duke njohur mirë dashurinë time ndaj kësaj vepre të At Gjergj Fishtës — para do kohe, kolegu dhe miku im Idriz Lamaj më solli nga Shqipëria një dhuratë, një kopje të re të Lahutës së Malcis, botimi i XVII nga Botimet Françeskane në Shkodër.  Edhe kopja e parë e Lahutës së Malcis që kam lexuar për herë të parë në jetën time si refugjat politik në Itali në fillim të vitit 1970, ka qenë gjithashtu dhuratë për mua prej Dom Prenk Ndrevashajt, priftit katolik që kujdesej për emigrantët shqiptarë në kampet e refugjatëve në Itali, gjatë viteve 1960-ave dhe 1970-ave.  Libri që më ka dhuruar i ndjeri Dom Prenk, është botimi i dytë i Lahutës, shtypur në vitin 1958, në Romë. Siç mund të vëreni në foton më poshtë, megjithse e grisur nga përdorimi prej pothuaj një gjysëm shekulli, e kam ruajt gjithnjë si sytë e ballit dhe e kam lexuar vazhdimisht si një burim frymëzimi vlerash të pashterrshme të kombit tonë.   E kam ruajtur gjithashtu si një dhuratë dhe kujtim të bukur e të paharrueshëm prej mikut tim Dom Prenk Ndrevashaj — po se po — i cili që në rininë time, ka qenë i pari që më pat folur për At Gjergj Fishtën dhe veprën e tij të madhe, Lahuta e Malcis.

gjergj-fishta20120915-lahutaSiç dihet,  në trojet tona nën komunizëm pas Luftës së Dytë Botërore,  At Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malcis ishin të ndaluar rreptsisht, për më tepër po t’përmendesh Fishta, njerzit e pësonin keq, në të dy anët e kufirit shqiptar.  Dom Prenkës, i jam mbetur gjithmonë mirënjohës që m’a paraqiti për herë të parë Lahutën e Malcis dhe për faktin se më njohu me At Gjergj Fishtën dhe veprat e tij kur isha 19-vjeç, në një kohë kur isha duke u bredhur rrugëve të botës, pa ditur se ku do të përfundojsha dhe cila do ishte e ardhmja ime.  Nuk është e lehtë për brezin e sotëm, por natyrisht se unë kam avantazhin se gjuhën e përdorur në Lahutën e Malcisë e kemi folur në familje dhe nga kjo pikëpamje e kam pasur dhe e kam më të lehtë edhe sot ta lexoj Lahutën dhe veprat e tjera të At Gjergj Fishtës.  Por botimi i fundit  — i XVII-ti — ka përparësi për lexuesin e sotëm, në krahasim me botimin e dytë që kam lexuar gjatë viteve, megjithse edhe botimi i vjetër ka një numër të kufizuar vërejtjesh dhe sqarimesh të fjalëve ose frazave të vështira për lexuesin e sotëm.  Botimi i XVII-të përfshinë një fjalor tepër të dobishëm për lexuesin, një shpjegues të fjalëve të rralla shqipe por edhe i fjalëve të huaja që ka përdorur Fishta në Lahutën e Malcis, nga At Benedikt Dema.  Për ata që e gjejnë të vështirë të lexojnë Lahutën e Malcis, rekomandoj recitimet e Lahutës në “youtube”, nga mjeshtri i madh, Reshat Arbana e të tjerë recitues.

Dua të rrëfehem me sinqeritetin më të madh se shpeshëherë kur më jepet, në kohë të lirë, i drejtohem veprës së Fishtës.  I nderuar lexues, më quaj të “prapambetur” jo në hap me kohën, po të duash. Por si asnjë libër tjetër deri më sot – Lahuta e Malcisë vazhdon të më shërbejë si një gurrë e pashterrshme vlerash dhe virtytesh të përhershme shqiptare.  Natyrisht, dihet se jo gjithkush mendon kështu për Fishtën dhe veprat e tija.  Kjo mund të shpjegohet edhe me lënjen pas dore të Fishtës dhe veprave të tija në Shqipëri dhe në Kosovë, sidomos përjashtimi i tij gjithnjë nga shkollat dhe universitetet, megjithse veprat e tija janë botuar dhe ribotuar. Antagonizmat ndaj Fishtës janë aqë të theksuara ende, sa që të bindin se sa e efektshme paska qenë propaganda sllavo-komuniste gjysëm shekullore kundër tij.

Në një bisedë me disa kolegë të mi tek Zëri i Amerikës në Uashington pak kohë më parë po bisedonim — ndër të tjera — edhe për gjuhën, për përdorimin e saj sot, për shkrimtarë të ri e të vjetër, përfshirë edhe At Gjergj Fishtën dhe për Lahutën e Malcis. Gjuha në Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës, tha një prej kolegeve është tepër e vrazhdë, idetë e tija shumë anakronistike, tepër e vështirë për tu kuptuar.  Këto fjalë të koleges më befasuan dhe më davaritën deri diku edhe mendjen por e përmbajta veten, duke iu përgjigjur se po të mos ishte për Lahutën e Malcisë, unë dhe disa të tjerë të gjeneratës time që kishim marrë rrugët e botës 50-vjetë më parë, do ishim humbur në kulturat dhe gjuhët e huaja.  Në Lahutën e Malcis, i thashë gjenë grumbullimin e zakoneve, atdhedashurisë dhe traditave, tradita të cilat u ruajtën nga malësorët edhe në rrethana shumë më të vështira jetese se sot, e të cilat ia vlenë t’i kalohen brezave të ardhëshëm të shqiptarëve sidomos në trojet e veta, por që sot, fatkeqsisht, mungojnë në botën shqiptare. Nëqoftse atdhedashuria dhe traditat e kombit kanë ndonjë vlerë për brezat e sotëm!

Ndoshta edhe gënjej veten se duke lexuar Lahutën e Malcisë në mbarim të çerek shekullit 21-të, mendoj dhe shpresoj për një botë që nuk vjen më, për një botë shqiptare, sidomos për shqiptarët në trojet e veta, ku armiqësia dhe indeferenca zyrtare ndaj At Gjergj Fishtës vazhdon, falë trashëgimisë së urrejtjes komuniste ndaj tij – atëherë ndoshta shpresohet më kot se brezi i sotëm i shqiptarëve mund të nxjerrë ndonjë vlerë prej kësaj vepre.  Ndoshta është ndryshe për ne që jemi rritur nën influencat e kulturave dhe gjuhëve të huaja. Aty, në vargjet e Lahutës së Malcis të At Gjergj Fishtës, vazhdojmë të gjejmë gjithnjë një strehë ngushëllimi dhe freskimi. Disa nga ne, aty në Lahutën e Malcis — larg atdheut, megjithse në liri, në perëndim — kemi gjetur plotësimin e nevojave tona për traditat e humbura dhe për liri, pasi e kishim humbur atë në trojet ku kemi lindur, por  e konsiderojmë edhe si një burim të pashterrshëm vlerash kombëtare në një botë të huaj ku na ka hedhur fati i jetës.

gjergj-fishta-800x425Aty në Lahutë, gjënden fatet e kombit. Për më tepër, po të jemi realist,   Lahuta Malcis është edhe një pasqyrim i historisë së shqiptarëve, pa të cilën nuk mund të shkruhet as historia e kombit shqiptar.  Lahuta është shtylla e traditave kombëtare pa të cilat nuk besoj se mund të realizohet një qytetërim i përparuar shqiptar as një zhvillim dhe shtet-ndërtim modern, në përpjekjet shekullore të shqiptarëve për tu bërë pjesë e botës, në të cilën jetojmë. Traditat e trashëguara stërgjyshore, aq mjeshtërisht të gërshetuara në Lahutë, si nderi, besa, burrënia dhe mikpritja, jo vetëm që nderojnë emrin shqiptar ndër shekuj, por ato radhisin shqiptarët në rendin e kombeve më të përparuara të botës.  Në Lahutën e Malcis, At Gjergj Fishta, nepërmjet protagonistëve të Lahutës, i këndon popullit shqiptar, nderit dhe lirisë së fisit e të kombit.  Vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm atdhedashurie, trimërie dhe vlerash kombëtare, por edhe një vepër që — sipas At Danjel Gjeçajt, redaktorit të Botimit të dytë të Lahutës së Malcis në Romë, në vitin 1958 – “Përtërinë fuqitë e ligshtueme t’ushtarëve të lodhun, naltson moralin e ramë, shton uzdajën në fitoren vendimtare, përforcon dashuninë për Atdhe, ngjall heroizmin dhe trimnon zemrat e molisuna”.

Prandaj, si lexues i rregullt i Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, bashkohem sinqerisht me At Danjel Gjeçajn duke u bërë thirrje bashkatdhetarve kudo, pa marrë parayshë se cilin botim të Lahutës kini në bibliotekat tuaja, të parin ose të fundit. Nëqoftse nuk e kini një kopje të Lahutës shkoni e blejini dhe — Lexoje me dashni Lahutën…Shfletoje me kujdes Lahutën e Homerit të kombit tand…Ndigjoje me vemendje Fishtën e fletët e Lahutës…Studjoje me peshim Lahutën dhe më në fund, Ruaje lahutën sepse është ma fort e jotja se e Fishtës, këshillon At Daniel Gjeçaj.   Sepse , “bërthama dhe thalbi i nji kombi” nuk shuhen  për derisa nga shqiptarët të këndohet Lahuta, për derisa nga ata të ndiqet heroizmi i Oso Kukës dhe urtija e Marash Ucit, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Drangojve legjendarë në Bigë të Shalës, fytyrat historike në Rrzhanicë…dashunija e vetmohimi i Pater Gjonit, guximi e burrnia e Ded Gjo Lulit, fisnikia e virtyti burrënor i Tringës…” porositë ai.  Vet At Gjergj Fishta ishte i bindur se me veprën e tij i kishte lënë kombit të vet një “Pomendare”:

“Veç se po moj Zanë Shqyptare

Krah m’krah bashk na tue këndue

Ndërtue kemi ‘i pomendare

Rrfe as mot mos m’e dermue”.

Lahuta e Malcisë është epopeja kombëtare, “pomendarja”, është  përmendore e përjetshme që do të kujtohet brez pas brezi, sepse ajo ka dalë nga vet populli, pa marrë parasyshë trajtimin anti-kombëtar të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj At Gjergj Fishtës dhe heshtjen zyrtare ndaj veprës së tij sot dhe përpjekjeve të tyre për ta zhdukur nga historia.  At Gjergj Fishta nuk kujtohet vetëm me emëra rrugësh, megjithse edhe kjo është një shenjë nderimi për poetin e madh kombëtar, por vërtetë do kujtohej me nder duke përfshirë veprën e tij në programet shkollore edhe universitare për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm, si pjesë e denjë e letërsisë shqiptare. Çdo komb tjetër do të krenohej me At Gjergj Fishtën, por jo klasa e sotëme politike shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Megjithkëtë, Lahuta e tij mbetet si gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare, një burim që nuk shterret kurrë.  Në Lahutën e Malcisë dhe në autorin e saj At Gjergj Fishtën, kombi shqiptar ka dhe duhet të ketë gjithmonë një burim të pashterrshëm vlerash që mbeten për tu zbukuar nga brezat, megjith përpjekjet mizore për t’a minimizuar — për të mos thënë për t’a zhdukur veprën dhe influencën e tij në Atdhe.  Indiferenca zyrtare politike, akademike dhe historike ndaj At Gjergj Fishtës është një dhunim ndaj historisë së kombit. Çonju të Vdekur.  Zgjohu Gjergj Fishta. Mos vajto ma Lahutë, por këndo. Ndihmo Zot si na ke ndihmue!

gjergj-fishta-800x425 Shtëpia ku ka banuar At Gjergj Fishta, shpallur Monument Kulture — një nga arritjet e diktaturës nën maskën e demokracisë, siç është shprehur një komentues në një nga portalet, në pritje të kotë të restaurimit nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, mbetet gjithnjë një monument turpi i klasës politike post-komuniste shqiptare!

Filed Under: Opinion Tagged With: E PASHTERSHME VLERASH, Frank shkreli, LAHUTA E MALCIS GJITHNJË GURRË

NJË NDERIM I MERITUAR

May 28, 2017 by dgreca

NJË NDERIM I MERITUAR: PRESIDENTI NISHANI DEKORON ISH-SENATORIN BOB DOLE/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi me dekoratën e lartë ish-senatorin republikan  të Shteteve të Bashkuara dhe mikun e madh të kombit shqiptar, Z. Robert Dole.

auto_unnamed_114959784001495984599Senatori Dole, një burrë shteti amerikan me një përvojë të gjatë në politikën e mbrendshme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe me vonë një mik i madh i shqiptarëve, ishte zgjedhur në Kongresin amerikan në vitin 1960 nga shteti Kansas dhe më pastaj në vitin 1968 u zgjodh senator nga i njëjti shtet.  Fillimisht, ai fitoi nam në politikën amerikane si Kryetar i Komisionit Kombëtar të Partisë Republikane, nga viti 1971-1972.   Në vitin 1976, Presidenti Xherald Ford e zgjedhë për nën-president të tij dhe në vitin 1984 Senatori Dole zgjidhet Udhëheqës i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke shënuar kështu mandatin më të gjatë në këtë detyrë, në historinë e kombit si udhëheqës republikan.  Ai dha dorëheqjen nga Senati duke iu përveshur fushatës për president të Shteteve të Bashkuara.  Pas humbjes ndaj kandidatit demokrat Bill Clinton ai tërhiqet nga politika, por fati e deshti që megjithse ishin kundërshtarë politikë, Bob Dole dhe Bill Clinton punuan së bashku në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

Në mirënjohje për veprimtarinë e tij në mbështetje të shqiptarëve, sidomos Kosovës, në një ceremoni të veçantë të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi ish-Senatorin Dole me dekoratën më të lartë të vendit, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahsin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.  Në portalin e Presidentit Nishani thuhet se kryetari I shtetoit shqiptar, gjëndej në Uashington në kuadër të një vizite pune, gjatë së cilës, “Në prani të Ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Zonjës së Parë Odeta Nishani e të ftuarve të nderuar shqiptarë dhe amerikanë, Kreu i Shtetit vlerësoi dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Senatorin Robert Joseph Dole me motivacionin:“Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror ndaj kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, që përmbledhë shumë mirë veprimtarinë e Senatorit Dole, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve, Presidenti Nishani shprehu, kënaqësinë dhe privilegjin që me rastin e Ditës së Kujtesës së (Memorial Day) kur nderohen sakrificat dhe heronjtë, ka mundësinë: “Për të vlerësuar dhe nderuar kontributet e çmuara dhe mbështetjen thelbësore të mikut të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkrahësit të palëkundur të çështjes sonë kombëtare dhe zgjidhjes së saj, Senatorit Robert (Bob) Dole.”

Në vijim Kreu i Shtetit e cilësoi “Senatorin Dole se ka qenë dhe mbetet një nga përkrahësit dhe politikëbërësit amerikanë më me influencë, që jo vetëm ka përkrahur qysh në fillim të viteve ’90-të, por ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar edhe në procesin e paqtimit, dialogut, mirëkuptimit, begatisë dhe orientimit euro-atlantik të mbarë rajonit të Ballkanit.”

“Ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullsisë civile e të pafajshme shqiptarë në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës”, i ka thënë Presidenti Nishani, Z. Dole.

“Për të gjitha këto kontribute, i nderuar Senator Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës. Prandaj në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju akordoj dekoratën më të lartë e më të shenjtë për ne: atë të Flamurit tonë Kombëtar!”, ka deklaruar udhëheqsi shqiptar duke spikatur meritat e këtij burri të madh amerikan dhe mik i shqiptarëve.

Ju faleminderit dhe dëshiroj t’ju siguroj se ju dhe vepra juaj e paharrueshme do të mbeten përherë të gdhendura në kujtesën dhe mirënjohjen historike të kombit shqiptar!”- përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.

Shumë i emocionuar, Senatori Dole – i cili kishte shërbyer  me vite edhe si Ambasador nderi i Presidentit historik të Kosovës në Uashington, Dr. Ibrahim Rugova dhe si përfaqsues i interesave të Kosovës në kryeqytetin amerikan — e falënderoi Presidentin Nishani për këtë vlerësim të lartë, duke kujtuar me nostalgji se, “kur kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, është i sigurtë që mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.

Komuniteti shqiptaro-amerikan është i vetdijshëm se në rolin e tij si ambasador nderi i Presidentit Rugova në Uashington, Senatori Dole,  ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratat amerikane, republikane dhe demokrate, në favor të Kosovës. Zoti Dole  citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë gjatë ceremonisë se “Ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë”.

Pas largimit nga Senati, Z. Bob Dole ka shërbyer në detyra të larta në jetën private dhe është nderuar me një numër dekoratash kombëtare dhe ndërkombëtare.  Në vitin 2005, kur shërbeja si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,(KKSHA) vendosëm që Senatorin Dole ta dekoronim me çmimin e rëndësishëm, “Hands of Hope”, “Duartë e Shpresës”, së bashku me Dr. Elez Biberaj, të cilit iu dorëzua dekorata për “Arritje Jetësore”.  Dekoratën e KKSHA-së ia dorëzoi Senatorit Dole, aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe mbështetës i fortë i Senatorit Dole për dekada, Z. Xhim Xhema, për angazhimin e tij ndaj idealeve që rrjedhin nga të drejtat e pandryshueshme dhe sovrane të individit dhe të cilat duhet të jenë pjesë e njl shoqërie që qeveriset dhe drejtohet nga idealet e një demorkacie të stilit amerikan.

Me këtë rast të dekorimit të tij nga udhëheqsi më i lartë i shtetit shqiptar, falendëroj Senatorin Dole edhe për ndihmën dhe këshillat që ai dhe bashkpuntorët e tij më kanë dhënë mua personalisht dhe KKSHA-së gjatë periudhës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  Zyra e tij ishte gjithmonë e hapur për ne.  Për këtë i jam shumë mirënjohës Senatorit Dole dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë.  Njëkohsisht i shprehi edhe falënderimet edhe Presidentit Bujar Nishani për dekorimin e këtij miku të madh të kombit shqiptar, shumë të merituar, si mbështetës dhe luftëtar për të drejtat e shqiptarëve kudo.

auto_s1495984594

Me Senatorin Robert Dole në darkën me rastin e dekorimit të Senatorit nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, 2005/

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dekorimi, Frank shkreli, ish Senatori Bob Dole, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT