• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROBLEMI SHQIPTAR

April 24, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Duket se kombi shqiptar po përshkohet sot nepër njërën prej periudhave më të rrezikshme të historisë së tij.  Njoftohet se këtë javë, si edhe herë të tjera më parë gjatë këtyre 25-viteve tranzicion, në Tiranë do të zbresin zyrtarë të lartë evropianë nga Brukseli, në një përpjekje ndërmjetësimi për të zgjidhur atë që të gjithë po i referohen si “ngërçi politik” midis partive të pozitës dhe opozitës dhe klasës politike shqiptare, në përgjithësi.  Situata aktuale politike e krijuar në Tiranë nuk mund të quhet më si një ”ngërç politik”, por është një krizë përmasash kombëtare, me pasoja të paparishkueshme për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Përendimor, përfshirë Kosovën, nëqoftse nuk zgjidhet shpejt dhe me mend.  Duket se me kokëfortësinë e saj, klasa politike e Shqipërisë ka krijuar një situatë krize në vend, të cilën është e papërgatitur ta përballojë me mjete të rregullta dhe demokratike të lojës politike.

Në përpjekjet e tyre për, për pavarësi, për liri dhe demokraci, shqiptarët, gjatë historisë, janë përballur me kriza serioze për mbijetesë, u ndeshën shpesh me pengesa të forta dhe hasën në shumë prita të rrezikshme nga të huajt – në tavolinat diplomatike dhe në fronte lufte  të vendosura nga armiqtë e tij.  Kombi shqiptar e pësoi rëndë me shpalljen e pavarësisë, ndërsa armiqtë e tij ia cunguan disa prej gjymtyrëve të tij jetike, duke ua dhënë fqinjëve sllavë e grekë gjysmën e trojeve shqiptare.  Me humbje të mëdha njerëzore, kombi disi mbijetoi komunizmin ndërkombëtar, por as pas Luftës së Parë Botërore dhe as pas Luftës së Dytë Botërore, fatkeqësisht shqiptarët nuk mundën të hidhnin themelet e një shteti  të shëndosh, të lirë e vërtetë demokratik, bazuar në një bashkëjetesë kombëtare.  Nga Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët dolën të përçarë, të përgjakur, të ndarë dhe të robëruar nën zgjedhën e një ideologjie të huaj sllavo-aziatike, e cila për pothuaj një shekull i mohoi kombit shqiptar radhitjen e tij, krah për krah, popujve të botës perëndimore.  E vërtetë se flamuri i Gjergj Kastriotit -Skënderbe, i njollosur me simbolin e komunizmit ndërkombëtar  valëviste mbi një pjesë të trojeve shqiptare, por nuk ishte më simbol i vëllazërimit kombëtar dhe nuk përfaqësonte më krenarinë e vlerave, të trashëgimisë dhe të traditave historike të shqiptarit.  Përkundrazi, u bë simbol i përçarjeve, vëllavrasjeve dhe të mohimit të vlerave, me të cilat krenohej dikur shqiptari — vlera si nderi, besa e burrëria.

Po sot ku qëndron problemi i krizës politike, për të ashtuquajturin “ngërç politik”, në Shqipëri?  Për krijimin e kësaj situate nuk mund të fajësohen drejtë për drejtë ndërhyrjet nga jashtë, megjithëse të tilla ndërhyrje për të përçarë shqiptarët ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.  Problemi i sotëm politik, është kryekput një problem shqiptar, i shkaktuar nga vetë shqiptarët, ose më mirë të themi, nga vet klasa politike.  Ngërçi i tanishëm politik,  në të vërtetë, shënon edhe kulmin e dështimeve të njëpasnjëshme politike të çerek shekullit të kaluar, për të çuar përpara zhvillimet dhe  për të ngritur frymën e vërtetë universale demokratike në vend.  Ky ngërç politik përfaqëson një dështim të zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike dhe një mungesë përgjegjësie politike e morale, që udhëheqsit e zgjedhur të kësaj klase politike të japin llogari për veprimtarinë e enteve qeveritare dhe politike, të cilat në një demokraci të mirëfilltë, duhet t’i shërbejnë të mirës së përbashkët dhe jo interesave personale të politikanëve dhe partive politike që ata përfaqësojnë.Përveç përgjegjësisë që kanë partitë politike dhe përfaqsuesit e tyre në krijimin e krizës së tanishme politike në Shqipëri, është edhe votuesi shqiptar ai që bartë një përgjegjësi, pasi duhet të jetë më i angazhuar në proceset demokratike, ashtu që nepërmjet përfasuesve të zgjedhur me votë të lirë– të kontrollojë fatin e vet dhe që ëndrrat t’i kthejë në realitet për realizimin e një të ardhme më të mirë për veten, për familjen dhe për të gjithë shoqërinë ku jeton.

Ndonëse vëmëndja sot me të drejtë i kushtohet “ngërçit politik” në Shqipëri, gjëndja nuk është aspak më e mirë as në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi – ku fatkeqsisht, përçarjet dhe grindjet vazhdojnë të mbizotërojnë politikën shqiptare gjithandej.  Oligarkët, siç i kishte quajtur ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri kanë uzurpuar jo vetëm ekonominë, por edhe qeverinë dhe shtetin dhe i kanë zënë frymën zhvillimeve demokratike, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë një emër të keq demokracisë dhe duke hedhur dyshime qëllimkëqia, alla putiniste dhe erdoganiste, mbi përfitimet që vinë nga demokracia.

Në fillim të shekullit 21, në një periudhë kur shqiptarët në përgjithësi, nuk kishin gëzuar kurrë në historinë e tyre më shumë liri, ndihej një entuziazëm si brenda ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare, se ky do të ishte, më në fund, shekulli i shqiptarëve.  Se ky do të ishte momenti historik, momenti në historinë e shqiptarëve, kur vet shqiptarët si kurrë më parë e kanë në dorë fatin e vet.  Por doli që udhëheqsit aktualë shqiptarë, në të vërtetë, janë problemi kryesor, partitë politike të të cilëve, me “komeditë e tyre politike”, pikërisht në këtë moment, po pengojnë proceset natyrore të historisë, histori e cila kishim menduar më heret — se me ndihmën dhe mbështetjen e disa miqëve — kishte filluar që, më në fund, t’i korrigjonte gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.

Fatkeqsisht, “ndërçi i sotëm politik” tregon sikur asgjë nuk ka ndryshuar në historinë e shqiptarëve, se në në të vërtetë, partitë politike dhe politikanët shqiptarë ishin problemi më i madh dhe shkaktarët kryesorë të ngërçeve politike dhe krizave të panevojshme gjatë 100-viteve të fundit.   Fan Noli në një artikull me titull, “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës”, botuar në një numër të gazetës Dielli nëntorin e vitit 1924, kritikonte partitë dhe politikanët e asaj kohe në Shqipëri, për gjendjen e krijuar atje mbi 90 vjet më parë, duke thënë se, “Në qoftë se anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, ahere optimizma s’ka vend dhe trembëm se diç do ngjasë.   “Noli shprehte shpresën se, të “Vetqojturve ‘udhëheqës’ do tu vijnë mënttë dhe punët do shtrohen”.

Mos Zot që si rrjedhim i ngërçeve politike, inateve personale, bojkoteve të llojlloshme të partive politike, si dhe mungesës së demokracisë së vërtetë, korrupsionit dhe drogës që ka kaplluar shoqëritë shqiptare kudo, Shqipëria dhe Shqiptarët, që pas rënies së komunizmit dhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës — sipas Fan S. Nolit, mund të thuhet se, “U ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet”, por tashti të, “mos vriten nga politikanët.”

Unë besoj se politikanët shqiptare kudo në Ballkanin Perëndimor të cilët megjithëse siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë, por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t’ia arritur qëllimit do të ndërpresin komeditë e tyre aktuale politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet “kazma Shqipërisë”, dhe shqiptarëve.

Këtë, të nderuar politikanë, ia kini borxh të siguroni  se nuk do ndohdë një gjë e tillë, jo vetëm brezit të sotëm dhe të ardhëm të shqiptarëve, por edhe brezave të mëparshëm të kombit shqiptar të cilët ëndërruan, luftuan dhe në shumë raste dhanë jetën për lirinë që gëzon sot kombi shqiptar.   Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara, sidmos nga e kaluara komuniste, kur është fjala për të ardhmen e shqiptarëve në çerekun e parë të shekullit 21.   Për një komb, të cilit i mungon dialogu politik, por që është aq dinamik i bashkuar në liri, demokraci dhe pavarësi, një komb i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndrrën e rilindasve të shekullit të kaluar të kombit shqiptar.

Kjo është e mundur vetëm e vetëm kur të gjitha pjesët e trupit të kombit dhe të gjitha partitë dhe grupet pa dallim me respekt për të drejtën e secilit për të shfaqur mendimet dhe pikëpamjet e veta në mënyrë demokratike për të ardhmen e përbashkët  të ndërpresin monologun e tanishëm dhe të fillojnë dialogun me njëri tjetrin, si vëllai me vëlla. Ky është një problem shqiptar!  Problemet e shkaktuara nga shqiptarët duhet të zgjidhen nga vetë shqiptarët  pa ndërhyrje nga jashtë – me qëllim për ta bërë më në fund Shqipërinë.  Shqipërinë e një bashkjetese kombëtare, me të drejta dhe liri të barabarta për secilin shqiptar.  Ky është momenti kur burrat e vërtetë i vinë në ndihmë Atdheut të vet. Tashti dallohen burrat e vërtetë nga burracakët!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PROBLEMI SHQIPTAR

SHQIPËRIA ME TRE LOBINGJE NË WASHINGTON

April 19, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në të vërtetë nuk është Shqipëria që ka tre lobingje në Washington, por, sipas të dhënave në median shqiptare, janë tre partitë politike kryesore të Shqipërisë, PS-ja PD-ja dhe LSI-ja, që tani kanë nënshkruar marëveshje me organizata të lobit amerikan, për të shërbyer si agjentë ose përfaqsues të këtyre partive në Washington. Me fjalë të tjera, paguhen qindra mijëra dollarë për të punuar në interes të partive në fjalë, por jo doemosdoshmërisht në interes të Shqipërisë.

Tani, nuk dua që të keqkuptohem.  Unë besoj se Shqipëria dhe Kosova si shtete duhet të kenë – përveç ambasadave të tyre në Washington – edhe një organizatë lobingu për të shërbyer si përfaqsuese e interesave shqiptare në Washington, sidomos në lidhjet me Kongresin amerikan. Një gjë e tillë mund të justifikohet, pasi kjo është një praktikë që ushtrohet edhe nga shumë vende të botës. Natyrisht se ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës në Washington luajnë rolin e tyre si përfaqësi zyrtare diplomatike në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.  Por nuk besoj se për nga natyra e tyre, marrëveshjet e partive politike shqiptare, të nënshkruara me organizata amerikane të lobingut, u shërbejnë drejtë për drejtë, interesave të Shqipërisë ose të shqiptarëve.  Këto marrveshje u shërbejnë kryekëput vetëm interesave politike afat shkurta të partive në fjalë, ose udhëheqësve të tyre, të cilët gjatë vizitave në Washington “blejnë” në rend të parë marrjen e fotografive me anëtarë të Kongresit ose me zyrtarë të lartë të administratës.  Duket se fotot janë diplomacia e preferuar e politikanëve shqiptarë gjatë vizitave të tyre në Shtetet e Bashkuara.  Deri më sot, këto lobingje nuk kanë prodhuar asgjë më shumë se ndonjë foto të udhëheqsve shqiptarë me ndonjë zyrtarë të lartë amerikan ose kongresmenë.  I famëshëm tani është rasti i fotos 80-mijë dollarëshe e Kryministrit shqiptar Edi Rama me ish-presidentin Barak Obama dhe shtërngimi i duarve midis tyre prej një minute!

Përsonalisht, nuk jam dakort me këtë praktikë të partive politike shqiptare për të pasur grupe të tyre lobingu në Washington për arsyen se, në mendimin tim, ato marrveshje nuk i shërbejnë interesave dhe kauzave shqiptare që duhen mbrojtur në Washington.  Por u takon votuesve dhe medias shqiptare që të vlerësojnë përfitimet ose jo që mund të vijnë nga përfaqsi të tilla me pagesë në Washington, të sponsorizuara nga partitë e tyre politike.  Janë taksa-paguesit shqiptarë ata që duhet të vendosin nëse praktika të tilla janë në interes të shqiptarëve apo vetëm të partive politike, ose përfaqsuesve të tyre?

Unë në të vërtetë si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan– kam një shqetësim tjetër, që sipas meje është më i rëndësishëm dhe më i dëmshëm, për të mos thënë edhe më i rrezikshëm, që ky fenomen mund të ketë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe mbi rolin që diaspora shqiptare në Amerikë ka luajtur historikisht nëkëto marëdhënie, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica e deri më sot.   Pra, ka të bëjë me faktin se këto aktivitete lobiste të partive shqiptare në Washington, sidomos vitet e fundit, duket se po afektojnë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe rolin e tij prej pothuaj një shekulli në mbrojtje të interesave shqiptare në Washington, gjatë një periudhe kur as Shqipëria dhe as Kosova nuk kishin ambasada e as lidhje diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Në fakt ishte komuniteti shqiptaro-amerikan, si individë dhe si grupe të organizuara, që ushtronte rolin e ambasadave dhe të lobit shqiptaro-amerikan.  Dihet se lobi shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë luftës në Kosovë, konsiderohej si ndër më të fuqishmit në Washington, gjë që u provua me mbështetjen e pakursyeshme të këtij vendi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjatë periudhës komuniste, ky komunitet ka promovuar lirinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Gjatë viteve të fundit – me përjashtim të Presidentit të Republikës — është venë re një mos interesim i gjithanshëm zyrtar për një pjesë të madhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, madje disa vërejtës thonë se shihen përpjekje për ta përçarë komunitetin, bazuar në mbështetje ose jo të partive politike në trojet shqiptare. Fatkeqsisht, duket se fryma e ndasive dhe e përçarjeve politike në trojet shqiptare ka përfshirë edhe komunitetin këtu.  Jo vetëm për t’a përçarë, por edhe për t’a injoruar dhe për ta anashkaluar si të pa rëndësishëm.   Në të vërtetë, marrëveshjet e partive politike shqiptare me lobingjet amerikane në Washington, përforcojnë këto ndjenja. Duke komentuar mbi marrëveshjet e partive shqiptare me grupe lobiste në Washington, dukebiseduar me një koleg timin, ai komentoi se me këtë veprim partitë politike shqiptare sikurë duan t’i thonë diasporës shqiptare në Amerikë: s’kemi nevojë më për ju. E kaluam lumin, e u…kalin.  Kemi ambasadat tona e kemi dollarë për lobingje personale…

Ndoshta zyrtarët e sotëm shqiptarë nuk i japin rëndësi diasporës shqiptare dhe rolit të saj historik në Shtetet e Bashkuara, por Washingtoni zyrtar i ka njohur gjithmonë meritat e tij në promovimin e marrëdhënieve të Amerikës me Shqipërinë dhe me Kosovën, ashtu siç kanë bërë edhe disa udhëheqës shqiptarë në të kaluarën.  Është kjo një traditë dhe një doemosdoshmëri që nuk duhet të harrohet as të zhduket sepse nuk dihet se kurë do të ndodhë kriza e ardhëshme për shqiptarët në trojet e tyre, dhe si rrjedhim do të ndjehet nevoja për mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan.  Është ky një rol që duhet vlerësuar, jo vetëm për arrrijtjet në të kaluarën, por me qëllim edhe për të mbajtur të interesuar dhe të angazhuar edhe brezat e ardhëshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në mbrojtjen e interesave shqiptare në Washington.

Por, pa marrë parasyshë marrëveshjet e nënshkruara nga partitë politike shqiptare me lobingjet amerikane dhe megjithë anash-kalimin dhe mos interesimin seleksionues zyrtar që vihet re sot, sidomos ndaj diasporës së vjetër në Amerikë, komuniteti shqiptaro-amerikan – besoj unë – do të vazhdojë të shërbejë me dinjitet dhe atdhedashuri, si ambasadori më i mirë që mund të ketë Shqipëria dhe Kosova në Washington.  Shqipëria dhe Kosova duhet të angazhojnë më shumë dhe në mënyrë më të organizuar diasporën pa dallim, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por kudo gjetkë, si një vlerë dhe pasuri të pazevendësueshme për forcimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me botën.

Shqiptarët e Amerikës, si gjithmonë më parë, ç’prej kohës së Fan Nolit e Faik Konicës – dhe pa marrë parasyshë interesat personale politike dhe frymat e kohës aktuale matanë oqeanit – qoftë si individë qoftë si grupe të organizuara, kur të paraqitet nevoja, do të vazhdojnë të japin për Nënën, për Shqipërinë e për Kosovën dhe për shqiptarët kudo në trojet shqiptare, me ose pa ndihmën e lobingjeve të sponsorizuara nga partitë politike shqiptare.

FAN NOLI: JEPNI PËR NËNËN

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot – se nesër është vonë-
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

1917

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Ne Washington, SHQIPËRIA ME TRE LOBINGJE

KUR DO TË BËHET SHQIPËRIA?

April 19, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga shembja e komunizmit në Evropë.  Kisha menduar dhe besoja se shqiptari më në fund — i lirë nga zgjedha dhe ideologjia e huaj komuniste sllavo-aziatike e imponuar mbi botën shqiptare – do të merrte në dorë fatet e veta, do të bëhej përfundimisht zotnues në hapësirat e tija politike, shoqërore, ekonomike dhe ushtarake.  Kjo ndjenjë, në të vërtetë, u forcua disi nga shpresat e guximshme edhe me shpalljen historike të pavarësisë së Kosovës.  Me optimizmin tim të natyrshëm, shihja thelbin e diçkaje më të madhe, më fatbardhë për shqiptarët në trojet e veta, një çlirim nga historia mizore e shekullit të kaluar dhe më heret.   Shpresoja për një ringjallje, për një ripërtëritje të vërtetë të vlerave historike të kombëtare të shqiptarëve.  Shpresoja gjithashtu, në mos për zhdukjen, atëherë për pakësimin e urrejtjeve zhburrënore dhe paragjykimeve ideologjike të shqiptarit kundër shqiptarit, të cilat kanë karakterizuar jetën politike të vendit për një kohë kaq të gjatë.   Brenda realitetit politik, shpresoja për një ndjesi vëllazërimi, mirësie dhe pajtimi midis shqiptarëve, për një marrëveshje dhe bashkërendim midis palëve politike, të interesave të përbashkëta jetike kombëtare.  Shpresoja për agime të reja orëmira për të gjithë shqiptarët në trojet e veta.  Shpresoja — duket gabimisht – ashtu siç ka shkruar me një rast Ernest Koliqi, “Në idenë e nji Shqipnie, e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zemrën e nënave tona dhe të jetë ngushllimtare, dashunore dhe e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejtë të gjithë Bijëve të saj”, mbrojtëse e të gjithëve dhe e pranueshme nga të gjithë. 

Sot, në vend të këtyre shpresave, fatkeqësisht kemi një Shqipëri krejt ndryshe, ku energjitë politike i vihen në dispozicion grindjeve e mosmarrveshjeve të pafund e të pa zgjidhje.  Është një klasë politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e anë mbanë trojeve shqiptare, pa unitet moral e kombëtar, pa harmoni idesh e pa përputhje mendimesh mbi interesat madhore të vendit dhe në mbështetje të të mirës së përbashkët kombëtare.   Një klasë politike të cilës i mungon atdhetarizmi i mirëfilltë, një klasë politike, personalitetet e të cilës kanë humbur zërin e arsyes.  Si rezultat i ngërçit të tanishëm politik midis forcave kryesore politike në Tiranë, jemi fatkeqësisht dëshmitarë të një përçarjeje të kobshme në radhët e klasës politike shqiptare, e cila si rrjedhim pasqyron, fatkeqsisht, jo vetëm marrëdhëniet e acaruara midis forcave politike, por edhe në radhët e shqiptarëve në përgjithësi.

Përçarje jo vetëm midis të gjallëve, por përçarje madje edhe midis të gjallëve e të vdekurve. Mos pajtim edhe me të vdekurit!  Një përçarje politike që detyron zbritjen e udhëheqësve më të lartë diplomatikë evropianë në tokat shqiptare për të ndërmjetësuar midis palëve të politikës së përçarë shqiptare, sikur vendi është në një luftë civile ose në një konflikt ndërkombëtar.  Ky fenomen, fatkeqësisht, nuk është i ri, është përsëritur shumë herë gjatë çerek shekullit të kaluar, duke i garantuar kështu Shqipërisë dhe shqiptarëve një imazh tepër primitiv në fushën politike në radhët e organizmave euro-atlantike, të cilave pretendojnë se dëshirojnë tu bashkohen.  Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri.  Ndërkombëtarët nuk mund dhe nuk duhet të ndërmjetësojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të grindjeve politike midis shqiptarëve.  Këto janë punët e shtëpisë që ata duhet t’i zgjidhin vetë, vëllazërisht, në interesin kombëtar dhe për të mirën e përbashkët.  Udhëheqsit politikë Shqiptarë të të gjitha ngjyrave duhet të bindin veten dhe njëri tjetrin, por edhe t’i tregojnë botës se janë të aftë ta bëjnë Shqipërinë të bashkuar dhe të fortë politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, nëqoftse dëshirojnë të pranohen nga Evropa.  Fatkeqësisht, sot për sot, siç ka thënë kohët e fundit, edhe njëri prej politikanëve shqiptarë, Shqipëria është bërë turpi i Evropës.  Kryeministri vendit Edi Rama, në një intervistë të martën me portalin amerikan “politico.eu” kërcënoi se, “Evropa do të përballet me një “makth” nëse Ballkani “çmendet” për shkak se antarësimi në BE është jashtë rëndit të ditës.”  Evropa ka shumë mëkate ndaj shqiptarëve, por gjëndja aktuale politike në Tiranë, nuk besoj se është krijesë e saj.

Dikush mund të më thotë, e ke shumë gabim, Shqipëria ka bërë përparim këto 25 vitet e fundit.  E vërtetë se ka bërë përparim, në ndërtime, në rrugë dhe të tjera arritje në fusha të ndryshme.  Madje një përqindje e vogël e shqiptarëve edhe janë pasuruar, duke konkuruar me më të pasurit e Evropës, nëqoftse ky mund të quhet përparim.  Shiko Tiranën, mund të thotë dikush, është bërë qytet evropian.  Por a është ky përparim?  Them se jo, duke qenë dakort me At Anton Harapin i cili ka deklaruar se,  “Fuqia dhe madhështia e Atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me numrin e njerëzve krijues në art e dituri, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj se nuk është sendi, as Atdheu që e bëjnë njeriun por janë njerëzit që bëjnë Atdheun, janë ata që ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”

Jo se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ose nuk kanë njerëz të zotët për të udhëhequr dhe për tu bërë ballë sfidave me të cilat përballet kombi sot.  E kundërta, Shqipëria ka pasur dhe ka njerëz të dalluar dhe të zotët, nëqoftse këta do të punonin me të vërtetë në interes të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve.   Sami Frashëri ka pohuar në, “Shqipëria, ç’ka qenë , ç’është dhe ç’do të jetë”, se “Shqiptarët kanë treguar gjithë jetën që janë të zotët edhe me kordhë edhe me pendë, edhe me trimëri edhe me mentë e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njërës të çquar e me nam të math, por nonjë nga ta s’ka punuar për Shqipërinë….kurrë një shqiptar s’është ndodhur t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë…Vetëm një Skënderbe ka punuarë në kohërat e shkuara për Shqipërinë, e vetëm ay është me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”

 Të shumta kanë qenë e janë vështirsit e mbrendshme dhe të jashtme nepër të cilat ka kaluar dhe po kalon Shqipëria dhe shqiptarët.   Intrigat dhe rreziqet që e kanë ndjekur kanë qenë të mëdha përherë, përfshirë edhe gjëndjen aktuale politike dhe ekonomike anë e mbanë trojeve shqiptare.  Tepër gjak është derdhur në ato troje dhe jo vetëm prej plumbit e prej shpatës. Shumë të zeza kanë rënë mbi atë popull si rrjedhim jo vetëm i urrejtjes vëllai-me-vëlla, por edhe nga mërgimi dhe nga vuajtjet dhe padrejsitë shekullore.   Armiqtë e shumtë të saj i kanë qitë gjithmonë pengesa zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve dhe vazhdojnë edhe sot të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare.  Ka ardhur koha, sa nuk është vonë, që këto rreziqe të mbrendshme dhe të jashtme që i kanosen shqiptarëve të konsiderohen seriozisht dhe të zgjidhen urgjentisht, si dikur në logun e kuvendit, vëllai me vëlla, nga ata që në të vërtetë e kanë shkaktuar këtë ngërç aktual politik në rend të parë.  Populli dhe kombi shqiptar presin nga përfaqsuesit e tij – megjith dallimet e tyre — që tu tregojnë miqëve dhe armiqve, të afërm dhe të largët, se shqiptarët do ta bëjnë dhe do ta ruajnë Shqipërinë e fortë dhe të bashkuar, në pajtim e respekt midis tyre, ashtu siç ka “punuar në kohërat e shkuara Skënderbeu” i cili atëherë dhe sot, sipas Sami Frashërit, mbetet “me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”  Nëqoftse dëshironi që Shqipëria dhe shqiptarët të mburren me ju dhe nëqoftse e doni Shqipërinë si e gjithë Evropa, koha është tani. Demokracia nuk pret!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kur do të bëhet, shqiperia

SENATORI AMERIKAN XHON MEKEJN DHE SHQIPTARËT

April 12, 2017 by dgreca

mccain-655x356            

Nga Frank Shkreli/Senatori i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, Xhon Mëkejn po zhvillon një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Senatori Mëkejn,  hero i luftës së Vjetnamit, ka filluar karierën e tij politike në vitin 1982 kur u zgjodh  për dy mandate në Dhomën e Përfaqësuesve  të  Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 1986 u zgjodh Senator i Partisë Republikane në Senatin amerikan nga shteti Arizona, ku shërben edhe sot.  Xhon Mëkejn kishte ambicje të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, por fatkeqësisht nuk ia doli. Senatori Mëkejn bëri fushatë si kandidat për president në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në vitin 2000, por humbi në garën kundër Xhorxh W. Bush-it.  Ndërsa në vitin 2004, me gjithë se siguroi emërimin për president nga Partia Republikane, ai u mund në garën e zgjedhjeve të përgjithshme nga kandidati i Partisë Demokrate, Barak Obama.  Gjatë administratës Obama, Senatori Mëkejn mbajti qëndrime konservatore, ndërkohë që kundërshtoi politikat e administratës Obama, sidomos politikat e presidentit demokrat në fushën ushtarake dhe të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.  Ai ka një përvojë në punët e sigurimit kombëtar prej më shumë se pesë dekada.  Si kryetar i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, është pikërisht ky interesim i senatorit republikan nga Arizona në zhvillimet aktuale ndërkombëtare politike dhe ushtarake, që e shtyri të zhvillojë turneun e tanishëm në Slloveni, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri.  Një arsye tjetër e këtij turneu në atë rajon të Evropës, është edhe shqetësimi i thelllë që Senatori Mëkejn ka shprehur vazhdimisht në Kongres dhe në median amerikane në lidhje me influencën politike dhe ushtarake të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Senatori Mëkejn u shpreh se në takimet e deritanishme me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve, ai u ka shfaqur bashkbiseduesve, “Shqetësimin e tij të thellë mbi sjelljet destabilizuese të Rusisë në Evropë, sidomos në lidhje me dhunimin flagrant të sovranitetit të Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia”.

Një objektiv tjetër i vizitës së Senatorit Republikan në vendet e Evropës Jug-lindore – si mbështetës i vendosur i Aleancës së Atlantikut Verior NATO – është për të siguruar Shqipërinë dhe Kosovën, ashtu siç bëri gjatë vizitave të tij në Kroaci dhe në Slloveni, se “Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe ndaj vizionit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë – është i pa lëkundshëm” dhe se aleanca NATO nuk do të tërhiqet nga angazhimi saj, për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat e përbashkëta  të vendeve anëtare.    

Vizita e Senatorit Mëkejn në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhet në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura, por edhe si njëri prej politikanëve më të lartë amerikanë, i mirë informuar mbi politikat e jashtme dhe ushtarake si dhe mbi problemet dhe sfidat ndërkombëtare në përgjithsi, por edhe si mbrojtës i vendosur i interesave gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara në veçanti, përfshirë Ballkanin perëndimor.  

Po cili ka qenë dhe cili është interesimi i Senatorit Mëkejn për Shqipërinë dhe për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi? Pas vizitës së tij në Beograd, ai u shpreh për median se në kuadër të kësaj vizite, ai do të shkonte gjithashtu për vizitë edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në Mal të Zi për bisedime me udhëheqsit më të lartë të këtyre vendeve, sipas tij, për të “Ritheksuar angazhimin e të dy partive politike në Kongresin amerikan, ndaj aleatëve dhe partnerve të Shteteve të Bashkuara dhe për të biseduar mbi çështje të rëndësishme për rajonin.”  Duhet theksuar se interesimi i Senatorit Mëkejn për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, për shqiptarët në përgjithsi, si dhe për çlirimin dhe për pavarsinë e Kosovës nuk është i kohëve të fundit, por është shprehur shumë vite më parë në rastin e Kosovës, me mbështetjen e tij të fortë për sulmet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe më vonë ishte një zë i fortë në Kongesin amerikan për pavarësinë e Republikës së Kosovës.  Senatori Mëkejn ka qenë gjithashtu një mbështetës i fortë i antarësimit të Shqipërisë në NATO dhe vazhdon të jetë mbështetës i vendosur i pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe të Kosovës në organizmat politiko-ushtarake perëndimore. Por fatkeqsisht, mbështetja e Senatorit Mëkejn dhe e Shteteve të Bashkuara, në vetvete, nuk mund të garantojë integrimin e plotë të dy shteteve shqiptare në organizmat euro-atlantike.  Për një integrim të tillë, janë “detyrat e shtëpisë” që duhen kryer nga Tirana dhe Prishtina zyrtare.   

Njoftohet se në kuadër të vizitës në Shqipëri dhe në Kosovë, Senatori Mëkejn ka në plan të takohet me udhëheqsit më të lartë të dy shteteve shqiptare, ndërsa në Prishtinë do të mbajë edhe një fjalim para antarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.  Bashkbiseduesit me Senatorin Mëkejn- në Tiranë dhe në Prishtinë–  duhet të jenë të vetdijshëm se do të bisedojnë me njërin prej politikanëve më të ndërshëm, që është një veti e rrallë ndër politikanët kudo dhe me njërin ndër  senatorët më të mirë-informuar të politikës amerikane në fushën e sigurisë, të mbrojtjes dhe të interesave kombëtare të Amerikës e si rrjedhim edhe si mbështetës i fortë i aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, siç janë shqiptarët me të cilët Shtetet e Bashkuara marrin me mendë se ndajnë vlerat e përbashkëta dhe miqësinë e gjatë historike, të pakën nga pikëpamja e Washingtonit.  

Mund të jetë shumë e vështirë që udhëheqsit më të lartë shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, e sidomos ata në Tiranë, të bisedojnë me Senatorin Mëkejn për vlerat e përbashkëta, në kulmin e krizës politike që mbretëron në radhët e “partizanëve” të partive politike në të dy anët e kufirit, për një kohë mjaft të gjatë tani, dhe pa asnjë përspektivë për daljen e saj nga ky qorrsokak që ka mbërthyer politikën dhe si rrjedhim edhe shoqërinë shqiptare. Bashkpunimi politik besoj se do jetë njëri prej mesazheve të Senatorit Mëkejn për klasën politike shqiptare.  Udhëheqsit shqiptarë duhet të jenë gjithashtu të vetdijshëm se vizita e Senatorit Mëkejn në Tiranë dhe në Prishtinë është jashtzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve, por edhe për faktin se, si njohës i mirë i politikave në Ballkan dhe si mik i vjetër i shqiptarëve – pas vizitës, Senatori Mëkejn do t’i raportojë Kongresit, popullit amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë për ato që ka parë e dëgjuar në Shqipëri dhe në Kosovë.  Reporter më të besueshëm se Senatorin Mëkejn nuk mund ta gjeshë.  Ai do raportojë ashtu siç i sheh gjërat, pa dorëza, i thotë troç gjërat. I tillë është ai edhe në marrëdhëniet me kolegët e tij demokratë e republikanë e madje edhe me kryetarin e partisë së tij, Presidentin Donald Trump.   Duke marrë parasyshë krizën e tanishme politike atje e kam të vështirë të marr me mendë se raporti i Senatorit Mëkejn mbi bisedimet e zhvilluara me udhëheqsit më të lartë në Shqipëri dhe në Kosovë të jetë shumë pozitiv mbi gjëndjen e mbrendshme të shqiptarëve, e cila fatkeqsisht, nëqoftse përkeqsohet edhe më tepër — eventualisht — mund të ndikojë negativisht edhe në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën.  Mjafton që — për arsye të krizave politike të një pas njëshme dhe të pashpjegueshme në zhvillimet politike të shqiptarëve — të shënohet, jo një armiqësi, sepse nuk besoj se mund të ndodhë një gjë e tillë nën rrethanat e sotëme botërore.  Por një ftohje e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane është e mundshme.  Armikja më e madhe e këtyre marrëdhënieve, për ndryshe deri tani të shkëlqyera – do të ishte indiferenca e zyrtarëve të lartë dhe e mbështetsve amerikanë, siç është Senatori Mëkejn, ndaj interesave afat shkurtëra dhe afat gjata të kombit shqiptar.  Ndoshta Senatori Mëkejn, si mik i shqiptarëve që është, mund të luaj një rol pozitiv midis palëve për zgjidhjen e ngërçit aktual politik në Tiranë, por unë për veten nuk kam shumë shpresë. 

Fatkeqsisht, që tani e lexoj skriptin e deklaratave që do lëshohen pas takimeve nga udhëheqsit shqiptarë me Senatorin Mëkejn: “Senatori Mëkejn shprehu mbështetjen e tij për fuqizimin e marrëdhënieve midis dy popujve. Mbështeti integrimin e plotë të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike. Mbështeti zgjedhjet e drejta dhe të lira. Mbështeti reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupcionit”, e kështu me radhë.  Senatori Mëkejn dhe Shtetet e Bashkuara, në fakt, i kanë mbështetur të gjitha këto kushte të një shoqërie demokratike, ç’prej shëmbjes së komunizmit.  Pyetja është nëse vet klasa politike shqiptare është serioze e t’i mbështetë këto kërkesa. Historia tregon ndryshe!

Oh, harrova edhe një gjë për bashkbiseduesit me Senatorin Mëkejn. Nëqoftse dëshironi të leni një përshtypje të mirë për veten dhe për vendin që përfaqsoni, ju lutem, në takimet veças me Senatorin amerikan, mos flisni keq për njëri tjetrin si kundërshtarë politikë, sepse ai e urrenë një gjë të tillë.  Sepse Senatori Mëkejn njihet si patriot i vërtetë i vendit të tij, njëri prej ligjëvensëve amerikanë i cili bashkpunon me të gjithë në Kongres, pa marrë parasyshë qëndrimet e tyre politike dhe interesat partiake.  Besoj se si mik i shqiptarëve që e konsideron veten, mesazhi kryesor i Senatorit Mëkejn për udhëheqsit shqiptarë, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, do të jetë: bashkpunoni me njëri tjetrin për të mirën e Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, por njëkohsisht edhe për hir të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, nëqoftse ato janë të rëndësishme për ju.  A do të merret parsyshë ky mesazh i një miku të vjetër?   Shpresoj, kundër shpresës, që Senatori Mëkejn të mos largohet nga trojet shqiptare i zhgënjyer.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, SENATORI AMERIKAN XHON MEKEJN .DHE SHQIPTARËT

A ËSHTË KJO KOHA E ERRËSIRËS SË MADHE?!

April 11, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

A është kjo periudhë e historisë shqiptare, koha e errësirës së madhe politike dhe morale?  Kur dihet rruga që duhet ndjekur për të mirën e përbashkët, por nuk ndiqet.  A është kjo një prej periudhave fatkeqe të historisë së shqiptarëve e cila po shfaqet si një prej më të shëmtuarave të mos besnikërisë së madhe ndaj njëri tjetrit dhe ndaj ardhmërisë dhe interesave afatshkurtëra dhe afatgjata të kombit?!

Nga ngërçi aktual politik në Shqipëri dhe nga polemika e intolerancës,  arritjet e shqiptarëve këtë çerek shekulli, janë në rrezik të pësojnë goditje të rënda, të cilat kollaj mundë të këthejnë mbrapa sukseset e deritanishme historike të kombit shqiptar, të arritura me gjak e sakrifica të mëdha gjatë gjithë historisë.  Fatkeqsisht, si përfundim i ngërçit politik midis pozitës dhe opozitës dhe luftës me fjalë që po zhvillohet midis palëve, sidomos në Tiranë, nuk kemi të bëjmë më me imazhin e vendit, se imazhin e ka marrë dreqi, por kemi të bëjmë me lirinë dhe demokracinë e vendit, për të mos thënë me vetë mbarvajtjen e institucioneve të qeverisë dhe të shtetit, por edhe me marrëdhëniet e vendit me botën.   Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta deklaroi në fund të javës që kaloi se, “Shqipëria nuk mund të bëhet turpi i Evropës” nga gjëndja e krijuar, por kam drojë se është tepër vonë për këtë.  Dihet tashti se çka mendon Evropa për Shqipërinë dhe për klasën politike që e ka udhëhequr këto 25 vitet e fundit. Perëndimorët, me të gjithë të metat e tyre gjatë viteve, në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë në periudha shumë kritike janë përpjekur, me shumë pak sukses, të ndihmojnë vendin dhe klasën politike të arrijnë në një konsensus të përbashkët për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të drejtësisë.   Duket se perëndimorët, në rastin e krizës aktuale të thellë politike, kësaj rradhe po rrijnë larg ndërhyrjeve dhe ndërmjetësimeve midis palëve kundërshtare të politikës shqiptare.  Edhe mirë bëjnë!  Këto nuk janë si çështje ndërkombëtare që në rast konfliktesh, nevojitin ndërhyrjen e një pale të tretë ose një organizate të paanshme ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian ose diçka e tillë, por janë probleme krejtsisht të panevojshme të krijuara prej klasës politike të vendit, për interesa personale e partiake dhe si të tilla konfliktet midis tyre duhet të zgjidhen nga palët vendase.  Ky konflikt duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët!

Perveç problemeve të shkaktuara nga vetë klasa politike shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare të cilat kane rrezikuar seriozisht, sidomos gjëndjen e mbrendshme, por në disa raste, përfshirë marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me vendet aleate të Përendimit — janë edhe  influencat dhe provokimet nga jashtë, sidomos provokimet nga fqinjët dhe sponsorizuesit e tyre putinistë dhe erdoganistë – që presin gjithmonë të peshkojnë në ujra të turbullta —  e të cilët historikisht, kurr nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar, as nuk ja duan tani.   Të huajtë, fqinjtë dhe padronët e tyre, nuk i kanë dashur kurrë të bashkuar shqiptarët — por kështu të ndarë e të përçarë politikisht siç janë sot — në gjëndje kaotike – me qëllim për të justifikuar pretendimet e tyre historike se shqiptarët nuk kanë ndërgjegjen dhe as interesat e përbashkëta për formuar shtet të tyre.  Lista e provokimeve dhe e përpjekjeve për të nxirë imazhin e shqiptarëve është e gjatë dhe e gjithanëshme dhe siç duket e koordinuar mirë nga qarqe të mirënjohura anti-shqiptare.  Qëllimi i të gjitha këtyre masave e akuzave armiqësore anti-shqiptare ka qenë dhe është që të shkaktohet dëmi maksimal ndaj  intersave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve, por edhe emërit të mirë dhe prestigjit që sado pak gëzon sot kombi shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.  Fatkeqsisht, duke se ata po ia arrinë qëllimit.

Pa marrë parasyshë se sa serioze mund të jenë  ndërhyrjet dhe provokimet e jashtme, besoj se është në dorë të shqiptarëve që shekulli XXI të jetë shekulli i kombit shqiptare, ashtu siç mendohej dhe siç pritej.  Shqiptarët sot janë më të lirë se kurr për të vendosur dhe për të marrë në dorë vetë fatin e tyre — nëqoftse kanë kurajo politike dhe morale.  Breza të mëparshëm të shqiptarëve mbijetuan një prej regjimeve komuniste më të egra të botës, si edheu shpëtuan shtypjeve, terrorizmit e gjenocidit të Serbisë  kundër shqiptarëve në Kosovë  me ndihmën e aleatëve perëndimorë — luftuan dhe më në fund fituan kundër një prej regjimeve me raciste dhe terroriste të Evropës dhe botës.  

Historia e kombit shqiptar është një testament guximi.  Ky guxim historik duhet të shëndërrohet sot në një mirëbesim dhe mirëkuptim e respekt të përbashkët, në radhë të parë, midis kësaj klase politike konfliktuale, në të gjitha trojet shqiptare, e sidomos të klasës politike në shtetin amë.  Në këtë moment të konflikteve dhe ndërçit politik në lidhje me zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri, është detyrë e përgjegjësi politike dhe morale, por mbi të gjitha përgjegjësi atdhetare — e këtij brezi politikanësh shqiptarë që të kenë parasyshë ndjenjat e popullit dhe që në të njëjten kohë, të pasqyrojnë dëshirën dhe vullnetin  e zgjedhesve, në vendimet politike të qeverisë e të shtetit për të mirën e epërbashkët, afat-shkurtër dhe afat-gjatë të kombit shqiptar.  Paraardhësit dhe rilindasit e kombit, të cilët shkrinë jetën për të venë në dritë bujarsinë e kombit shiptar, sidomos karshi njëri tjetrit, por edhe para botës, nuk presin as ma pak as më shumë, që politikanët e sotëshëm të pozitës dhe të opozitës, të tregojnë atdhedashurinë  e tyre me sjellje të mira e vetdije të thellë të detyrave dhe përgjegjësive shoqërore e kombëtare.   

Nuk ka alternativë tjetër për zgjidhjen e ngërçit politik, përveç të shkruarjes përpara duke ecur së bashku në udhën e mundimshme të këtyre kohërave të fundit që vetë ju me sjelljet tuaja kini krijuar.  Nuk ka as shpëtim tjetër për ju as për Shqiprinë dhe as për kombin shqiptar, veçse bashkpunimi me njëri tjetrin, si individë, si parti politike dhe si shqiptarë.  Bashkimi i politikës është masa më e fuqishme për të siguruar bashkimin dhe shpëtimin e shqiptarëve.   Pozita dhe opozita, në  një shtet demeokratik, kanë nevojë për njëra tjetrën.  Nuk ka as parti socialiste as parti demokratike pa Shqipëri.  Kujdes, se po humbisni Shqipërinë dhe gjithë arritjet e deritanishme të saj.  Ka ardhur koha për një kethesë historike në mendime dhe në sjellje ashtu që më në fund, kjo klasë politike të perqendrohet jo në  konflikte,  mos tolerance, mosmarrveshje, mburrje e pontifikime midis tyre per interesa thjeshtë personale e partiake.  Shihet rezultati i konflikteve poltike të këtyre 25-viteve të fundit. Nevojitet një besëlidhje e re ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, për të çuar përpara idenë e pajtimit të pikepamjeve tëndryshme dhe bashkjetesës politike në interes të kombit.  Këte, ia kini borxh historise, fëmijëve tuaj, nipave e mbesave si edhe brezave të ardhëshem të kombit shqiptar, që ai të jetojë në paqë me vetvehten dhe me të tjeret.

Përgjegjësia morale, politike dhe atdhetare është krejtësisht e juaja! Koha për të vepruar është tani, për ndryshe në mungesë të një zgjidhjeje, historia do ta konsiderojë këtë periudhë të shqiptarëve, jo vetëm si koha e errësirës së madhe politike por edhe si periudha e mosbesnikërisë së madhe ndaj atdheut dhe historisë së kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: E ERRËSIRËS SË MADH, Frank shkreli, koha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT