• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U PËRKUJTUA 112 VJETORI I KRIJIMIT TË FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA” NË BOSTON

April 29, 2024 by s p

Fuat Memelli/

Organizatore e veprimtarisë ishte dega e Vatrës në Boston.

U quajt konferencë shkencore pasi me atë seriozitet ishte përgatitur, por kjo veprimtari e shqiptarëve të Bostonit, i ngjante një feste. Dukej e tillë që ne veshjen e bukur të 100 ca pjesëmarrësve, në sallën e qëndisur te një mjedis shqiptarësh në qytetin Pipëdi ku u mbajt konferenca, në fotot dhe dokumentat që u paraqitën e mbi të gjitha në frymën patriotike që rezatonte në fjalët e të gjithëve, në dëshirën për të thënë disa fjalë edhe persona të tjerë që nuk ishin në programin e konferencës, që si të thuash e “thyen protokollin ” por e zbukuruan atë. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i degës së Vatrës në Boston, z.Mentor Maksutaj. Ai falenderoi të gjithë ata që kontribuan për organizimin e kësaj veprimtarie dhe veçanërisht dy nismëtarët e saj, Artur Vrekaj dhe Subi Cako, djemtë që kanë krijuar shoqërinë “Çunat e Bostonit”, etj. Pastaj u dëgjuan dy himnet ai i Amerikës dhe i Shqipërisë. Në nderim të kryetarit të parë të Vatrës për Bostonin, Kristo Kirka, që ndrroi jetë në burgun famëkeq të Burelit në vitin 1955, dënuar nga diktatura komuniste, u mbajt një minutë heshtje. Në vazhdim e kishte rradhën dëgjimi i në audio i një fjalimi të Fan Nolit, mbajtur në vitin 1962, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij. Kjo vidjokasetë i ishte dhuruar Bibliotekës Noliane nga vatrani, Thanas Laska. Duke folur për kontributin e tij dhe të Vatrës ndër të tjera, Noli theksoi themelimin e Kishës Autoqefale Shiptare, kontributin e Vatrës për mos coptimin e trojeve shqiptare, duke e çuar zërin e saj të presidenti amerikan, Willson dhe fuqitë e mëdha të kohës, pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, botimin e gazetës Dielli, etj. E mori pastaj fjalën përgjegjësja e Bibliotekës Noliane, Neka Doko. Duke punuar vullnetarisht për disa vjet me këtë punë, ajo është një arkiv i gjallë për kontributin e Fan Nolit, të Faik Konicës, për kishën e Shën Gjergjit dhe gazetën Dielli, etj. Ajo parraqiti edhe dy kanunoret e vjetra të Vatrës. Ka kohë që po punon edhe për dixhitalizimin e materialeve të kësaj biblioteke si dhe të materialeve të tjera me vlerë. Për historikun e Vatrës foli veprimtari Artur Vrekaj. Ndër të tjera ai theksoi për disa takime që janë bërë nga grupi i bashkimit, siç ishte ai i 31 mrsit 1912, i përbërë nga Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica dhe Paskal Aleksi si dhe delegatët pjesëmarrës: Ilia Tromara, Llambi Çikozi, Kristo Kirka, Kosta Vasili dhe Kosta Kota. Bashkimi në Vatër edhe i Shoqërisë “Besa-besë” më 28 prill 1912, shënon themelimin përfundimtar të Federatës Vatra. Kjo mbeti edhe data zyrtare e themelimit të saj. Andrea Pani, pasardhës i vtranëve të shhquar, Josif e Vasil Pani, foli për kontributin e tyre. Të dy ishin miq të ngushtë të Nolit e Konicës. Vasili ka qënë 15 vjet kryetar i Vatrës dhe ka kontribuar financairisht për të. Andrea kishte sjellë edhe materiale dokumentare siç ishte një flamur i vjetër shqiptar që e kishte ruajtur Vasili në Dardhë dhe e solli në Amerikë i jati i Andreas, Sotir Pani, kishte sjellë edhe fotografi e dokumenta me vlerë,etj. (Një fotografi me shumë vlerë të Vatrës kishte sjellë edhe Petrit Alibej e cila kishte përfunduar e hedhur në një kosh plerash në qytetin Cape Cod, ku shihen rreth 300 pjesëmarrës. Fotua tregon piknikun e parë organizuar nga Vatra në Marlbord, më 2 gusht të vitit 1931.) Me duartrokitje u prit fjala e 94 vjeçares, Mery Thomas, e cila ka njohur nga afër shumë vatranë të vjetër, foli për kontributin e familjes saj në Vatwr për 40 vjet me rradhë, etj. Autori i këtij shkrimi foli për figurën e biznesmenit të shquar, vatranit të përkushtuar dhe filantropistit të madh, Antoni Athanas. Vatrani Faton Limani, ligjërues i gjuhës shqipe në Universitetin e Havardit, foli për studentët shqiptarë që mësojnë aty, për çeljen e gjuhës shqipe dhe domosdoshmërinë e mësimit të saj nga fëmijët e lindur e ritur në Amerikë. Mentor Maksutaj foli për punët e bëra nga dega e Vatrës së Bostonit nga dita e rikrijimit të saj më 17 dhjetor të vitit 2023 e deri sot, ku veçoi shtimin e rradhëve të saj duke aritur në 108 anëtarë, veprimtarinë për ditën e çlirimit të Kosovës, takimin me shoqata të tjera shqiptare në Boston, atë me një ish këshilltar të presidentit Klinton, tjetrin për holokaustin e hebrenjve, etj. Në fund ndal dhe në disa ovjektiva që ka dega për vitin në vazhdim. Në emër të grupimit “Çunat e bostonit” foli Artian Rëza, ndërsa në emër të degës së Shoqatës Labëria e krijuar kohët e fundit, foli kryetarja e saj, Rudina Bardhi. E pranishme ishte edhe kryetarja e shoqatës shqiptare “Albanians Fighting Cancer” Roberta Panariti Nashi së bashku me anëtarët e bordit Enkela Pance, Ardian Murraj dhe doktor Agim Aliaj. Ky i fundit foli në emër të “AFC-së duke shtuar ndër të tjerash se secili nga ne duhet të ndjekim rrugën e patriotëve të tjerë para nesh për të mbajtur gjallë kulturën dhe traditat tona! Veprimtari Subi Cako, lexoi përshëndetjet e ardhura nga degë të Vatrës si dhe individë të ndryshëm. Përshëndetjen e kryetarit të Vatrës, Elmi Berisha, e lexoi sekretari i degës, Flamur Vezaj. Jashtë protokollit por që morën duartrokitjet e të parishmëve folën edhe i moshuari Sami Hajdini, historiani Aristotel Mici, poetja Lata Hajdini Musabelliu dhe Vasil Pani, pasardhës tjetër i kësaj familje. Në ditën e themelimit të Vatrës u bënë edhe tre pranime të reja. Me një foto kolektive u mbyll kjo veprimtari e bukur.

Foto: Nazim Salihu – Noli.

@highlight 𝘧𝘰𝘭𝘭𝘰𝘸𝘦𝘳𝘴 Everyone

Filed Under: Featured Tagged With: Fuat Memelli

LAMTUMIRË ILIA KETRI

October 8, 2022 by s p

Nga Fuat Memelli/

Ndahet nga jeta në moshën 85 vjeçare, Mitropolit Ilia Ketri.

Ndarja nga jeta në Boston e Mitropolit Ilia Ketrit, ishte një lajm i trishtë jo vetëm për familjaret e të afërmit, por edhe për të gjithë ata bësimtarë dhe  jo vetëm, që e kanë njohur atë nga afër. Në rrugëtimin e jetës së  tij prej 85 vitesh,  60 vjet i përkasin  shërbimit me përkushtim të rrallë ndaj fesë orthodokse. Por, vitet nuk tregojnë gjithçka. Mbi të gjitha tregojnë gjurmët që njeriu le në jetë. Dhe Ilia Ketri ka lënë gjurmë të pashlyera. Me fjalën e tij ka mbushur shpirtin e besimtarëve me besimin ndaj Zotit. Fjala e tij ka “ngjitur” tek besimtarët, pasi ai ka folur në gjuhën e nënës, në gjuhën e bukur shqipe. Dhe, në kujtesën e popullit, mbetet vetëm ai që populli e ka dashur.

Për të krijuar një ide më të plotë për figurën e tij, duhet t’i hedhim një vështrim “udhëtimit” të Ilia Ketrit në rrugën e jetës 85 vjeçare. Janë të shumtë “stacionet”e rëndësishëm të jetës së tij dhe po t’i përmendim të gjithë, do të duheshin faqe të tëra. Për këtë arsye, po ndalemi vetëm në disa prej tyre. Ilia Ketri lindi në qytetin Sault Sainte Marie të Miçiganit, nga prindër shqiptarë me origjinë nga Sinica e Devollit. Pas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate të shkëlqyera, vazhdoi studimet e larta për 6 vjet dhe u diplomua për teologji. Në vitin  1961 u martua me Helenën me të cilën patën një djalë,  Sotirin dhe një vajzë, Eugjenian. Për edukimin e tij kanë patur ndikim të veçantë, prindërit e tij si dhe kisha. Hirësi Ilia ka shërbyer për vite me rradhë në kishën  “Shën Trinia “ në Boston, në kishën e “Shën Kollit” në Çikago, në Las Vegas,Detroit, Kanada, etj.Një “stacion” i rëndësishëm i jetës së tij i përket vitit 2002, ku së bashku me klerikë të lartë orthodoksë në Amerikë, u ftua në një takim me presidentin amerikan Xhorxh w. Bush në Shtëpinë e Bardhë, siç dëshmon edhe fotografia. Së bashku me Peshkopin amerikano-shqiptar, Nikon, bashkëcelebruan Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, në përkujtim të 100 vjetorit të Liturgjisë së parë Hyjnore në gjuhën shqipe në SHBA, mbajtur nga Fan Noli.

 Ilia Ketri ka qënë drejtues dhe pedagog  në Akademinë e Shën Vlashit në Durrës, në vitin 1992.  Ai gjithashtu ka përfaqësuar Kishën Autoqefale të Shqipërisë  në dy dialogje ndërkombëtare teologjike, një me Kishën Katolike të Romës dhe një me Komunitetin Ndërkombëtar Anglikan. Si përfaqësues i kishës shqiptare, ai përfaqësoi Shqipërinë në festimet e Vatikanit  më 29 qershor të vitit 2012.Pjesë e kësaj vizite ishte edhe një takim me Papa Venediktin e XVI. Ilia Ketri gjithashtu ka qënë anëtar i Asamblesë së Peshkopëve Orthodoksë Kanonikë të Amerikës , ku ka  kryesuar edhe Komitetin e Edukimit Teologjik. Ka marë pjesë gjithashtu në Konferencën Kanadeze të Peshkopëve Orthodoksë. Më 1 qershor të vitit 2014, ishte i ftuar në shenjtërimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit “ në Tiranë. Ngjarje e shënuar në jetën e tij ishte edhe ajo e vitit 2019, kur mori titullin e lartë “Mitropolit” nga Patrikana Ekumenike e Stambollit. Ai ishte kryetar i Kishës Orthodokse Shqiptare të Amerikës  dhe Kanadasë. Në CV-në e tij, ka edhe plot ngjarje të tjera të shënuara. Ai ka përfaqësuar me dinjitet jo vetëm Shqipërinë, por si nënshtetas amerikan, edhe Amerikan. 

Thjeshtësia ka qënë një vlerë e çmuar e këtij shërbëtori të fesë. Kjo thjeshtësi ka spikatur  në jetën e përditëshme të tij.Është vënë re në shërbimet fetare që kryente në kishë. Kam marë pjesë në disa mesha që drejtonte ai në kishën “Shën Trinia” në Boston. Nga fundi i meshës, pasi mbaronte si të thuash “anën zyrtare” të saj, shkëputej nga letrat, dilte para besimtarëve dhe i fliste si të thuash “vendëshe”. Kur  mungonte ca kohë pasi ndodhej në qytete të tjerë të Amerikës ose jashtë saj, i fliste për udhëtimin që kishte bërë si dhe njerzit që kishte takuar. I pyeste besimtarët për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve. I fliste për ndonjë problem aktual; u thoshte për të qënë besimtarë të devotshëm, për të dashur e respektuar më shumë njëri-tjetrin. I fliste për edukimin shpirtëror të tyre dhe të fëmijëve.-Prindërit dhe kisha më edukuan mua, shprehej ai. Kur binte fjala për priftërinjtë shqiptarë që do të shërbenin për komunitetin shqiptar në Amerikë, ai thoshte:” Ata duhet të dinë mirë shqip e anglisht e të njohin mirë traditat shqiptare, ndryshe fjala e tyre nuk do të ngjitë te besimtarët”. Por, thjeshtësia e tij dukej edhe në raste të tjera. Në sebepe të ndryshme të besimtarëve e miqve të tij, ai bëhej  “njësh” me ta. Pinte raki, këndonte këngë patriotike e këngë të vjetra korçare. Kur ishte i lirë, ftonte miqtë e tij për kafe, për drekë ose darkë dhe nuk i linte të futinin dorën në xhep.

Ilia Ketri merte pjesë në veprimtaritë me karakter patriotik që zhvillonin shqiptarët në Amerikë,  Kanada, etj. I fliste për Fan Nolin, Faik Konicën e patriotë të tjerë. Një nga vizitat e tij të paharruara ishte ajo që bëri në Federatën Pan Shqiptare “Vatra” në New York në vitin 2020, ku u prit nga kryetari i saj, Elmi Berisha, kryetari i Nderit Agim Rexhaj si dhe përfaqësues të tjerë të saj.Të gjithë ata që e njihnin, e donin  dhe vlerësonin  Mitropolit Ilia Ketrin, ashtu siç i donte dhe respektonte  ai. Fjala e ngrohtë e Hirësi Ilia Ketrit në dasma, fejesa e pagëzime të shqiptarëve të Amerikës, ua shtonte gëzimin , ndërsa në hidhërime, fjala e tij ishte melhem për ta. Te ai spikaste kultura e gjerë dhe mendimi i thellë, forca bindëse e fjalës dhe devotshmëria për t’u shërbyer njerëzve, për t’i edukuar me fjalën e Zotit e për t’i drejtuar në rrugën e virtytit. Spikasnin këshillat e tij të urta për emigrantët për të mbajtur gjallë e për të transmetuar te brezat e rinj dashurinë për atdheun tonë , Shqipërinë e paharruar.

Krahas shërbimeve fetare në Boston, Çikago, Las Vegas, Detroit, Kanada, etj, herë pas here ai merte rrugën edhe për Shqipëri. Nuk ishte vetëm detyra që e bënte të shkojë në vendin e të parëve, por ishte edhe zëri  gjakut që e thërriste. Vërtet Ilia Ketri ishte lindur, rritur e shkolluar në Amerkë, por ai nuk i harronte asnjëherë rrënjët nga kishte ardhur. Prindërit dhe njerzit e afërt, i ushqyen dashurinë jo vetëm për fshatin e tyre por për gjithë Shqipërinë. Gjatë viteve të monizmit, nuk mundi të shkojë në Shqipëri. Me ardhjen e demokracisë, shkoi në Sinicë, Qytezë, Dardhë, Korçë, Tiranë, Berat, Durrës, etj. Ka shpënë edhe gruan, djalin e vajzën për t’u njohur me vendin e të parëve. Në vitin 1992, shkoi për 6 muaj në Akademinë  e Shën Avlashit në rrethin e Durrësit. Aty  mbajtur detyrën e drejtorit njëkohësisht edhe të pedagogut, duke dhënë një kontribut të çmuar në përgatitjen e prifërinjve të rinj. Në vitin 2002, pasi mori titullin e Peshkopit, shkoi në Shqipëri dhe meshën e parë pas marjes së këtij titulli, e mbajti në Sinicë te fshati i prindërve të tij. Te kisha e rindërtuar e Shën Tanasit, i foli i mallëngjyer bashkëfshatarëve. U përlotën ata por u përlot edhe ai .Mesha të tjera ka mbajtur te kisha e Shën Thanasit në Qytezë kur vdiq mësuesi i nderuar, Dhimitër Farmaqi. Ka mbajtur mesha edhe në katedralen e Korçës, atë të Tiranës,  Durrësit e Beratit. Ka qënë disa herë në ditën e Shën Kollit në festën e sinicarëve e cila zhvillohet më 20 maj. Kudo ka lënë gjurmë të pashlyera, pasi u fliste shqiptarëve me gjuhën e zemrës. Më kishte thënë se donte  të shkonte përsëri në Shqipëri, por ndarja e papritur nga jeta, nuk e lejoi.Megjithatë, Shqipëria ashtu si edhe Amerika, mbetën gjithëmonë në zemrën e tij.Lamtumirë Hirësi Ilia Ketri! U prehsh në paqe, ashti siç e kishe zemrën!

Filed Under: Kronike Tagged With: Fuat Memelli

VEPRIMTARI E BUKUR FESTIVE NË QYTETIN QUINCY AFËR BOSTONIT

October 4, 2022 by s p

Nga Fuat Memelli

Organizohet festival i parë  ku mernin pjesë  disa qindra shqiptarë si dhe miq të tyre.                                                                     

 Pas dy vite e ca mbyllje për arsye të kovidit, kjo ngjarje ishte shumë e mirëpritur nga shqiptarët. Ata prisnin si të thuash një “sinjal” për të dalë nga kjo qetësi, për t’u mbledhur e festuar së bashku. Dhe ja, “sinjalin” e dhanë organizatorët e kësaj veprimtarie të bukur që ishin Katedralja e Shën Gjergjit në Boston, “Alba restorant” me pronar Leonard Keka si dhe Shoqata “Mass. Besa”. Ishte një program miks ku kishte ushqime të përgatitura nga restorant “Alba”, muzikë, valle, këngë, fotografi nga mjeshtri i kësaj fushe, Bujar Veseli, lodra zbavitëse për fëmijë, etj. Flamujt e simbolet e tjera shqiptare, e zbukuronin këtë festë. Në podiumin e ngritur me këtë rast, dy violinistet shqiptare Rina Sojli dhe Rozita Fishta, performuan me mjeshtëri duke u ”shpërblyer” me duartrokitjet e të pranishmëve. Nga qyteti i Usterit kishte ardhur grupi i fëmijëve “ Vallet tona” i krijuar para 16 vjetësh, që drejtohet nga koreografi i pasionuar, Dhimitraq Demiri. Vallet e bukura të fëmijëve tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve, të cilët disa herë iu bashkuan grupit të tyre. Nxënësit e Shkollës Shqipe në Boston emocionuan të pranishmit me poezinë e bukur të Fan Nolit “Jepni për nënën”. Pas çdo strofe që recitonte drejtuesi i grupit, Robert Ngjele, fëmijët vazhdonin në kor:” Mbaju nëno mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë”. Kjo poezi është shkruar nga Noli në vitin 1917 për t’i dhënë kurajo Shqipërisë dhe popullit shqiptar në ato ditë të vështira kur rezikohej ekzistenca e tyre. Poezia mbetet aktuale, pasi është si një apel edhe për emigrantët e sotëm  për të ndihmuar Shqipërinë dhe popullin  shqiptar, pasi kanë nevojë edhe për ndihmën e tyre.

Një moment i veçantë i kësaj veprimtarie ishte vlerësimi për kancelarin e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, At Artur Liolinin. Para disa muajsh ai ka dalë në pension, por gjurmët që ka lënë te kjo kishë ky pasues i Nolit, janë të pashlyera. Si gazetar më ka rënë rasti të ndjek mesha dhe veprimtari të ndryshme të zhvilluara në Katedralen e Shën Gjergjit të drejtuara nga At Arturi, ku kanë marë pjesë shqiptarë të besimeve të ndryshme fetare si dhe nga qytete të ndryshëm të Amerikës. Për to mund të shkruash gjatë, por le tja lemë fjalën atyre që  folën në këtë veprimtari. Për kontributin e tij foli në fillim Gazmend Aga, imam i  xhamisë në Waterbury, shprehje kjo jo vetëm e miqësisë së tyre, por edhe e harmonisë fetare. “At Artur Liolini është bërë model frymëzimi edhe për ne klerikët e tjerë” theksoi folësi ndër të tjera. Në emër të Katedrales së Shën Gjergjit, përshëndeti At Jani Trebicka. Ai theksoi se “puna e palodhur e At Artur Liolinit në shërbim të perëndisë, është një shëmbull jo vetëm për ne klerikët por edhe për  komunitetin shqiptar. Në gjithë veprimtarinë e tij ka spikatur  dashuria e respekti për njerëzit e të gjitha besimeve. Dyert e kësaj kishe kanë qënë të hapura për gjithë shqiptarët. Në fillimet e demokracisë, në vitin 1991, ai ishte ndër të parët që shkoi në Shqipëri dhe bëri disa mesha e pagëzime. Përkushtimi i tij për kishën dhe besimtarët shqiptarë të Bostonit për një periudhë 50 vjeçare, do të kujtohet gjithmonë”. Një përmbledhje të jetës dhe kontributit 50 vjeçar të At Artur Liolinit, bëri edhe e reja, Polikseni Manxhari. Për kontributin e tij të shquar, At Arturi u nderua me çmimin “Fan Noli” nga Kisha Orthodokse  Shqiptare e Amerikës. Shumë pjesëmarrës e uruan At Arturin pas mbarimit të ceremonisë dhe bënë fotografi me të.

Atmosferën festive e “ndezi” pastaj këngëtarja e njohur kosovare, Arbërije Hadërgjonaj, duke kënduar jo vetëm këngë kosovare, por edhe të krahinave të tjera të Shqipërisë. Një paradë e vogël e një grupi fëmijësh me veshje tradicionale, ishte pjesë e kësaj veprimtarije festive, ose “festivali” siç quhet nga amerikanët, por që ky term po përdoret edhe nga shqiptarët.(Zakonisht në gjuhën shqipe “festival” quhet një program (konkurim) me këngë. Për dy fëmijët që u vlerësuan për kostumin më të bukur shqiptar, pronari i restorant “Alba” Leonard Keka, dha nga 250 dollarë .

Kështu u mbyll kjo veprimtari e bukur e zhvilluar për herë të parë në zonën e Bostonit. (Theksoj se veprimtari të tilla në shtetin e Massachuttses janë organizuar nga shqiptarët në qytetin Worcester.) E ftohta dhe era, nuk i pengoi shqiptarët për të marë pjesë, megjithatë ata sugjeruan që veprimtari si kjo që zhvillohen jashtë, të organizohen në një muaj tjetër, jo në tetor kur nis e ftohta. Shkrimtari Sami Milloshi duke parë shqiptarët e shumtë që kishin ardhur në këtë veprimtari, theksoi se për të mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmit, në Boston dhe qytetet e tjerë të shtetit të Massachuttses, ka mundësi të organizohen më shumë veprimtari me karakter artistik e kulturor.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli

VLERËSIM PËR VEPRIMTAREN RITA SALIU

August 2, 2022 by s p

Fuat Memelli/

Ditën e hënë të kësaj jave, veprimtari i palodhur shqiptaro-amerikani, Petrit Alibej, president i Shoqërisë Atdhetare “Besa- besë” me qendër në Boston, udhëtoi nga Tirana ku ndodhet me pushime, drejt Prishtinës. Qëllimi i këtiij udhëtimi ishte për të nderuar me Çertifikatë “Mirënjohje” veprimtaren kosovare , Rita Saliu, e cila prej 30 vjetësh jeton në Amerikë, por muajt e verës i kalon në Kosovë, aty ku u lind dhe u rrit, ku u brumos me zjarrin e dashurisë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Hotel “Diamond”, pronë e biznesmenit të njohur Kosovar, Behgjet Pacolli. Pasi foli për kontributin e Ritës në diasporën shqiptare të Amerikës, Petriti i dorëzoi asaj Çertifikatën e “ Mirënjohjes”me këtë motivacion:”Për veprimtarinë e spikatur patriotike në Kosovë e jashtë Atdheut, për humanizmin, sensibilizimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë luftës për liri e pavarësi të Kosovës, si dhe për punën e saj krijuese në fushën e letërsisë, në një varg veprash që shquhen për prurje të reja si në përmbajtje edhe në formë.” Duke marë çertfikatën, Rita Saliu falenderoi për vlerësimin e bërë dhe theksoi se ajo nuk do lodhet kurrë për çështjen e Kosovës, për lirinë e të cilës sakrifikoi populli i Kosovës, për të cilën dhanë jetën shumë bij e bija, duke e paguar me gjak lirinë e fituar. Pas ceremonisë ata shkuan te varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe vendosën një kurorë me lule në emër të Shoqërisë Atdhetare “Besa –besë”.

Po kush është Rita Saliu? Shumë shqiptarë e njohin atë, por për ata që nuk e njohin, po themi shkurt disa fjalë. Ajo është vajzë nga Prizreni që e lidhi jetën me intelektualin Adem Saliu me origjinë nga Dibra e madhe. Një shtëpi e tyre ndodhet në Prishtinë dhe një në Amerikë. Rita ka qënë e përkushtuar për çështjen kombëtare qysh kur ishte në Kosovë. Shpirti i saj patriotik dhe human, spikati edhe edhe më shumë gjatë luftës së Kosovës e më pas. Ajo dhe bashkëshorti i saj , Ademi, strehuan në shtëpinë e tyre familje kosovare. Pritja që ata i kanë bërë vëllezërve e motrave të tyre në aeroportin e Bostonit, është filmuar dhe trasmetuar nga një kanal televiziv amerikan. Po kështu në ditët e pas luftës, burrë e grua ndihmuan për t’u mjekuar në spitalet amerikane fëmijë kosovarë që kishin pësuar djegie nga hordhitë sërbe. Shumë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova e kanë dëgjuar zërin e Ritës në veprimtari të ndryshme që organizohen në Boston. Është shpirti i saj patriotik që i vlon në gji dhe e nxit për të punuar pa rreshtur për vëllezrit e motrat e saj nga Kosova por edhe nga Shqipëria.. Për kontributin e dhënë, ajo është vlerësuar nga presidenti Bamir Topi me Urdhërin “Nënë Tereza”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli

VEPRIMTARI ME RASTIN E DEKORIMIT (PAS VDEKJES), TË  VEPRIMTARIT TË SHQUAR SHQIPTARO-AMERIKAN,  GURI STEFANI

May 9, 2022 by s p

Amaneti i Gurit:” Kur të vdes më mbuloni me flamurin shqiptar dhe atë amerikan”.

Fuat Memelli-Boston

Nën kujdesin e kryetarit aktual të Shoqatës “Besa-besë”, Petrit Alibej, në Qendrën Ditore të pensionistëve “Vatra” në Boston, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të dekoratës së presidentit Ilir Meta, dhënë veprimtarit të shquar, ish kryetarit të Shoqatës “Besa-besë” dhe anëtarit të Federatës “Vatra”, Guri Stefani. Petriti ishte interesuar deri në detaje që kjo veprimtari të dilte sa më bukur. Në fillim u ekzekutuan himni amerikan dhe ai shqiptar. Pastaj e mori fjalën Petriti i cili bëri një sintezë të jetës dhe veprës së Guri Stefanit. “Shpirti patriotik i Gurit ishte rrënjosur qysh në rininë e hershme. Pasi u diplomua për aritekt, për 28 vjet punoi në Durrës ku la plot gjurmë të punës së tij. Në vitin 1992 vjen në Amerikë ku u shqua si veprimtar i palodhur i komunitetit shqiptar të Bostonit. Nuk kishte veprimtari ku të mos merte pjesë aktive. Prej disa vjetësh ishte zgjedhur kryetar i Shoqatës “Besa-besë”. Gjithashtu ishte edhe anëtar i Federatës “Vatra”. Në cdo ngjarje të rëndësishme recitonte si një aktor poezinë e famëshme të Nolit për flamurin”. Në fund të fjalës së tij Petriti përmendi amanetin e Gurit para se të ndrronte jetë:” Kur të vdes më mbuloni me flamurin shqiptar dhe atë amerikan. Dhe ashtu u bë”.

Mitropolit Ilia Ketri, një mik tjetër i Gurit, ndër të tjera theksoi:” Guri Stefani ishte një patriot i shquar si në Shhhqipëri edhe në Amerikë. Ai ishte i brumosur me dashri për këto dy vende dhe kishte një besim të vecantë te Zoti. U njoha me të në kishën shqiptare “Shën Trinia”, ku ai shquhej jo vetëm si besimtar i devotshëm, por edhe aktiv në veprimtaritë që organizoheshin në kishë. Guri kishte edhe një shpirt artisti, që dukej në krijimtarinë e tij letrare në prozë e poezi, të cilat m’i kishte dhuruar edhe mua”. Miq e shokë të tij si Sterjo Shkodrani, Ylber Mukaj, Marjana Glozheni dhe Arjan Papa , folën për vlerat njerëzore të Gurit. Pastaj Petriti lexoi motivacionin e presidentit Ilir Meta për dekorimin e Gurit me titullin” Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”(pas vdekjes) me motivacionin:”Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje ndaj kontributit të spikatur në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, si dhe për lartësimin e imazhit të popullit shqiptar dhe të vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. 

Në mungesë për arësye madhore të djalit dhe vajzës së Gurit, dekorata iu dorëzua shokut të tij të ngushtë, Arjan Papa. Në fund të pranishmit bënë një fotografi. Emri i Gurit do mbetet i pa harruar për të gjithë ata që e njohën.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fuat Memelli

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT