SHIK-u i Fatos Klosit, Fatos Nanos e Pandeli Majkos me ekzekutorët e vet e shpërfytyroi luftën çlirimtare në Kosovë. Frymën e tolerancës e shndërroi në frymën e likuidimeve të kundërshtarit politik si në vitin 1944-45./
Shkruan:Gani MEHMETAJ/
Ata e donin një parti, një lider, një televizion, një gazetë dhe një mënyrë të të menduarit. Ata nisën të përpilojnë lista likuidimi, të cilave pastaj u përmbaheshin. Në përpilimin e listave u ndihmonin gazetarë, bashkëpunëtorë të UDB-së. Nuk e fshihnin fare se nuk do të lejonin të menduarit ndryshe, se do ta marrin pushtetin me çdo çmim. Luftën e pronësuan, shtetin e pronësuan, sikur grupi i tyre na çliruan, ndërsa nuk ishin të zotët të mbanin asnjë katund apo rajon gjatë luftimeve. Po të mos futeshin trupat e Aleancës Veriatlantike, ne do të përpëliteshim për jetë a vdekje. Grupet e militarizuara pas luftës e bënë atdheun pronë private, e zhvatnin e rrëmbenin si të ishte pronë e Serbisë e jo e kombit tonë, femrave u bënin shantazhe, burrat i frikësonin.
Historia po përsëritej.
Ishte atmosferë të cilën mund ta kesh parë nëpër filma, ose mund ta kesh dëgjuar nëpër oda burrash, kur tregonin se si u fut partizani serb e malazez në Kosovë.
Nisën festa pa pushim, zjarre natën e ditën, pakkush punonte, nxënësit i nxorën në rrugë herë për një festë, herë për një protestë. Kishte rrezik të mbesnin në rrugë. Me të vdekurit bënin kapital politik, e përgatisnin terrenin për pushtet. E vetmja pengesë qe KFOR-i e policia ndërkombëtare. KFOR-i i ndiqte vetëm kur tregtonin armë apo kur ndërmjetësonin në drogë, kurse policia ndërkombëtare ishte e flashkët dhe e ngatërruar. Vinin nga vende të ndryshme me tradita të ndryshme. Bota në miniaturë.
SHIK-u i Fatos Klosit, Fatos Nanos e Pandeli Majkos me ekzekutorët e vet e shpërfytyroi luftën çlirimtare në Kosovë. Frymën e tolerancës e shndërroi në frymën e likuidimeve të kundërshtarit politik si në vitin 1944-45 , dialogun e motos që e kishin se çdo shqiptar është vëllai im, ata e bën: ai që nuk është me mua, është armiku im, kurse parullën funksionale të gjithë shqiptarët janë vëllezërit tanë, e deformuan në- armiku më i keq është armiku i radhëve tona. Nisën të kultivonin dyshimin e vazhdueshëm.
Në vend se të merreshin me zbutjen e pasojave të luftës, e bënë vendin rrëmujë, krijuan pasiguri. Në rrethana të tjera do të çmendeshim nga gëzimi, sepse u çliruam, por na pengonte kjo atmosferë e pasigurisë që t’i gëzoheshim lirisë.
Ëndrra e madhe nisi të shndërrohej në makth të madh.
Vrasjet e fshehta e hijesonin fushatën zgjedhore/
Asnjë njeri në Kosovë nuk ishte i sigurt. Askush nuk e kishte menduar se gjërat do të zhvilloheshin në këtë mënyrë. Tmerrin e policisë serbe, e zëvendësuan hijet e natës me çorape në fytyrë, që futeshin në shtëpi, shkrehnin breshëri armësh, duke e lënë top në vend viktimën…
Kronika e vrasjeve të paralajmëruara nisi në korrik të vitit 2000, mbase edhe më herët. Thuhej se të gjithë ose pjesa më e madhe e viktimave merrnin paralajmërime të hiqnin dorë nga veprimtaria politike e t’ua lëshonin rrugën atyre, ose vetëm i paralajmëronin se do t’i vrisnin. Dhe ata nuk i mbronte askush, as nuk dinin nga do t’u vinte vdekja. Vrasësit profesionistë nuk gabonin. Mos qofshi në lëkurën e viktimave, e ndiejnë vdekjen, ndërsa nuk e pengojnë dot.
Ëndrra e madhe (Fletë të shkëputura ditari 1981-2006 me portretin e Rugovës në dritëhijen e ngjarjeve dramatike)
DISKRIMINIMI I GJUHES SHQIPE NE SHERBESAT FETARE
Shkruan: Gani MEHMETAJ/
Disa hoxhallarë, Bashkësia Islame e Kosovës, me bashkësitë simotra në Shqipëri, Maqedoni e Kosovën Lindore duan të na bindin se Zoti nuk di shqip. Sipas tyre, Perëndia e kupton vetëm gjuhën arabe, prandaj të gjitha lutjet, ritualët dhe ceremonitë mortore bëhen në gjuhën arabe. Kundër bindjeve të ngulitura thellë në etnopsikologjinë shqiptare se filani është i biri i filanit, hoxhallarët ditën e varrimit të vdekurin e thërrasin në emër të nënës, duke ia vënë në dyshim atësinë! Emërtimet e festave fetare janë në gjuhën turke, por kurrsesi në gjuhën shqipe. Kështu Festës së Flijimit ata i thonë turqisht Kurban Bajram, ndërsa të gjithë shqiptarët besimtarë e jobesimtarë e përsërisin me papagalli në të njëjtën mënyrë. Festës së madhe myslimane i thonë Fiter Bajram. Dikur popullata këto dy festa i quante Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël, pra festa e madhe dhe festa e vogël.
Hoxhallarët dhe kleri mysliman vazhdojnë të na fyejnë ndjenjat kombëtare, e fyejnë intelektin tonë e krenarinë kombëtare, duke na bindur se gjuha shqipe është gjuhë e rendit të dytë, është gjuha e mëkatit, prandaj nuk bën që lutjet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, por në gjuhën e beduinëve të shkretëtirës nga e morëm fenë.
Jemi i vetmi komb evropian, që lutjet fetare myslimane i themi në një gjuhë të huaj, të cilën nuk e kupton askush nga popullata shqiptare, nuk e kuptojnë as pjesa më e madhe e klerikëve. Është e kotë që kushtetutat në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni apo Kosovën Lindore e sanksionojnë përdorimin e gjuhës shqipe, përderisa nëpër xhami gjuha e vetme është gjuha arabe. Edhe mbishkrimet nëpër xhami janë në gjuhën arabe, thuajse jemi në Arabi. Lutjet brenda korridoreve të xhamisë po ashtu janë shkruar arabisht, megjithëse askush nga besimtarë nuk e kupton asnjë shkronjë të kësaj gjuhe. Diskriminimi i gjuhës shqipe bëhet ditë me diell dhe askush nuk reagon. Shpërfillja e shkronjave shqipe bëhet me qëllim, dhe askujt nuk i bëhet vonë. Disa thonë se shumica e atyre që shkojnë në xhami janë analfabetë apo gjysmanalfabetë, prandaj kot që ua vë mbishkrimet shqip, kur nuk dinë t’i lexojnë, por megjithatë e kanë shumë më lehtë të luten në gjuhën e nënës, sesa në gjuhë të huaj. Njohësit e gjuhës arabe tregojnë se si besimtarët shqiptarë kur luten në gjuhën arabe, e shqiptojnë tmerrësisht keq këtë gjuhë, saqë në vend të lutjes drejtuar Zotit, u del ndonjë blasfemi a fjalë e pistë, ndërsa ata nuk e kuptojnë se janë lutur tmerrësisht gabim.
Naim Frashëri dikur bëri përpjekje që lutjet fetare t’i përkthente shqip, në mënyrë që të shkëputeshim nga ndikimi skllavërues oriental. Mirëpo, hoxhallarët e shitur këto lutje nuk i vunë në përdorim, përkundrazi i denoncuan hoxhallarët që predikonin shqip para okupatorëve turq e serbë. Rilindësi i madh synonte që shqiptarët myslimanë, sidomos pjesa e paarsimuar të shkëputeshin nga skllavëria shpirtërore turke e arabe, por një gjë të tillë nuk e duan ata që marrin para nga këto shtete.
Është fakt i ditur se hoxhallarët kurrë nuk e kanë vënë flamurin shqiptar nëpër xhami, kurrë nuk e kanë festuar ndonjë festë kombëtare shqiptare, por nuk kanë ngurruar ta ngulin flamurin arab apo turk si për inat të popullatës shumicë shqiptare, nuk kanë ngurruar ta madhërojnë ndonjë personalitet politik turk apo arab (diktatorët e dikurshëm Naserin, Asadin, Sadatin, Gadafin, Mubarakun apo sot Erdoganin).
Besimtarët e diskriminuar në shtetin e vet
Qysh pas vdekjes së Skënderbeut, kur Shqipërinë etnike e gllabëroi shkallë-shkallë Perandoria Otomane, bartëse e islamizmit me terror e vrasje, në emër të myslimanizmit pushtuesi i shpalli luftë shfarosëse kombit e flamurit tonë. Një pjesë e hoxhallarëve të shitur te djalli, nuk ngurrojnë që simbolin e shenjtë-shqiponjën dykrenore, ashtu sikurse okupatorët serbë dikur, ta quajnë sorrë, madje para besimtarëve shqiptarë që dëgjojnë si dele e nuk reagojnë. Hoxha i dyshimtë Irfan që ligjëron sikur ta kishte porositur Serbia, nuk është i vetmi, por ne jemi të vetmit në botë që e durojmë një sharlatan të shitur ta përbaltë historinë tonë kombëtare, në vend se ta arrestoj policia për nxitje të urrejtes. Në dy shtetet shqiptare besimtarët shqiptarë myslimanë janë tmerrësisht të diskriminuar, të denigruar e të fyer: në shtetin e tyre kombëtar nuk guxojnë të luten shqip, nuk guxojnë të zhvillojnë ceremonitë mortore në gjuhën e tyre, nuk guxojnë të bartin simbole kombëtare, nuk guxojnë të madhërojnë bëmat e Skënderbeut, duhet të vënë në kokë kapele arabe ose turke, detyrohen të dëgjojnë fyerje nga më të turpshmet kundër kombit të tyre, kundër traditave e etnopsikologjisë kombëtare. Në vend se t’ua hapin horizontin për të ardhmen e kombit, kleri mysliman në jo pak raste i frymëzojnë e mobilizojnë besimtarët të bëjnë luftë fetare si në Siri e Irak, bie fjala, duke cytur njëkohësisht edhe në luftë kundër bashkëkombësve të vet të fesë tjetër apo kundër jofetarëve.
Islami që nga fillimi u shpalli luftë shqiptarëve, duke i ndjekur më shumë se asnjë komb tjetër. Lufta e islamit kundër shqiptarëve vazhdoi me egërsi gjatë tërë kohës së pushtimit të Perandorisë Otomane, duke e shprishur gjysmën e kombit. Edhe kur Turqia u tërhoq nga territoret shqiptare, ndeshja e egër në mes të islamit e shqiptarizmit nuk pushoi. Herë fitonte islamizmi mbi shqiptarizmin, herë shqiptarizmi mbi islamizmin shkombëtarizues. Në kohën e mbretërisë shqiptare, me dekret iu ndalua besimtarëve shqiptarë që të përkulen, duke u bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit se shqiptari nuk bën të përgjunjet a të përkulet. Por më vonë ky dekret u hesht, kështu që vazhdon tradita orientale e faljes me përkulje. Shqiptarizmi e shteti shqiptar kurrë nuk arritën ta detyrojnë islamizmin që ta përfillë as ta pranojë traditën kombëtare e gjuhën shqipe si gjuhë të lutjeve, gjuhë të fesë dhe gjuhë të Zotit.
Fyerjet që u bëhen ndjenjave kombëtare
Myslimanizmi që del nga goja e jo pak hoxhallarëve në Kosovë, në Shqipëri e Maqedoni edhe më tutje e shkel krenarinë tonë kombëtare, e fyen intelektin tonë, e denigron qenien tonë kombëtare, duke e përjashtuar gjuhën shqipe nga lutjet fetare, duke e përjashtuar flamurin kombëtar nga festat fetare, duke i shkelur interesat kombëtare për interesa të serbëve, turqve e arabëve, interesat e të cilëve bien ndesh me interesat tona. Ndërkaq, shteti shqiptar me gjysmështetin e Kosovës e toleron shkeljen e kushtetutës, shkeljen e ligjit, shtrembërimin e historisë, përdhosjen e traditës e të simboleve kombëtare, shpërfilljen e emocioneve të besimtarëve, e lejon rrezikimin e strategjisë kombëtare: përcaktimin tonë për qytetërimin evropian. Shumica e hoxhallarëve predikojnë kundër integrimit tonë në Bashkimin Evropian, predikojnë kundër SHBA-së sikur t’i kishte financuar Serbia.
Ku qëndron arsyeja e kësaj tolerance antikombëtare e denigruese? Si e pranojmë këtë fyerje në shkallë kombëtare? Pse shteti shqiptar hesht para kësaj fyerjeje e denigrimi edhe pas njëqind e ca vjetëve që kur ia mbathi pushtuesi turk? A ka forcë kombëtare e besimtarë që do ta zhbllokojnë këtë situatë absurdi? Janë edhe një varg pyetjesh që imponohen në një situatë të tillë. Janë po ashtu një varg përgjigjesh që duhet të jepen.
Si t’ua heqim nga mendja besimtarëve me tru të shpërlarë se gjuha shqipe është gjuhë e Zotit, se gjuha e nënës së tyre është gjuhë e shenjtë, se gjuha e nënës nuk është gjuhë e kaurit, sikurse çirreshin dikur e sot në kupë të qiellit hoxhallarët proserbë e proturq, mercenarë shkombëtarizues.
Elita shtetërore e elita politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë duhet të nisin e të merren seriozisht me këtë çështje, duhet ta mbrojnë interesin kombëtar, ndërsa interesi shtetëror e kombëtar mbrohet duke e vënë Bashkësinë Myslimane të Kosovës, të Shqipërisë e Maqedonisë në binarë kombëtarë, duke ua përcaktuar rregullat qytetëruese, duke e futur fenë në faltore e jo në rrugë e sheshe, duke i zëvëndësuar simbolet arabe e turke me simbole shqiptare. Çështja e fesë nuk është vetëm çështje e një grushti hoxhallarësh, pavarësisht ndikimit të tyre të madh e fatal që kanë mbi pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë, pavarësisht presioneve që i bëhet elitës shtetërore e politike nga Turqia, Serbia e shtetet arabe. Aleancat nuk mbahen me imponime, apo duke lejuar veprimin e forcave rrënuese brenda shtetit që të mos i mbetet hatri Erdoganit apo sheikëve arabë.
Mendja e shitur e intelektualëve
Ndërkaq, mediat bëjnë me dije se një pjesë e kreut të bashkësisë myslimane të Kosovës është e zhytur në afera me paratë e burimeve të dyshimta, një pjesë e mediave financohen nga këto para të pista. Paratë e pista dyshohet se kanë depërtuar edhe në kreun e elitës politike e shtetërore, te deputetët, nëpunësit, policia. Këto para e kanë blerë edhe mendjen e shitur të një grushti intelektualësh, gazetarësh e politikanësh. Prandaj ata shkumëzojnë të na bindin se Turqia na masakroi e persekutoi për të mirën tonë, na islamizoi, sipas tyre, me fenë më të mirë (!), ishte çlirimtare, ashtu sikurse thoshin po këto mendje të shitura dikur për Serbinë e Jugosllavinë. Të vjen të vjellësh kur i dëgjon deklaratat e tyre. Janë aq puthadore, janë aq të padinjitetshëm kur e shtrembërojnë historinë kombëtare, sepse u shitën te anadollakët a të arabët. Fondet e dyshimta që vijnë nga Turqia, Serbia e shtetet arabe, kanë ndikuar që shteti shqiptar dhe ai i Kosovës në vend se të mbështesin forcat kombëtare brenda bashkësisë myslimane të Kosovës e të Shqipërisë, mbështesin forcat antikombëtare e antishtetërore. Sa herë e kanë kërkuar ndihmën e shtetit forcat kombëtare brenda bashkësisë myslimane të Kosovës, shteti e mbështeste kreun e hoxhallarëve të lidhur me shërbimet e fshehta orientale.
Myslimanizmi autokton me simbole kombëtare e lutje shqipe
Elitat politike e shtetërore me përcaktim kombëtar, që do të konsolidohen, duhet të mbështesin klerin mysliman me përcaktim shqiptar e evropian. Sindikata e Bashkësisë Myslimane të Kosovës me disa hoxhallarë të margjinalizuar, që i njoh, janë ithtarë, por edhe e kanë paraqitur projektin për mbajtjen e lutjeve në gjuhën shqipe, për vënien e mbishkrimeve nëpër xhami sipas ligjit në fuqi, ashtu sikurse e kanë paraqitur projektin që besimtarët e klerikët myslimanë të bartin plisa (qeleshe) në xhami e jo kapela turke e arabe. Ata po ashtu janë kundër mbulimit të femrave me tri lloj shamish, varësisht cili shtet islamik i financon (Turqia, Irani a Arabia Saudite). Projekti i tyre më tutje e vë në pah se hoxhallarët duhet të zgjidhen brenda shtetit të tyre e jo të caktohen nga Turqia, Irani, Egjipti e Arabia Saudite; hoxhallarët të arsimohen në Kosovë e në Shqipëri e jo në shtetet arabe; të plotësojnë kushtet morale; të respektojnë simbolet kombëtare e traditën e besimtarëve e jo t’i fyejnë ata; të gëzojnë respektin e komunitetit e jo t’u dërgohen nga qarqe të dyshimta. Po ashtu Bashkësia Myslimane e Kosovës duhet të financohet nga burimet e brendshme e jo nga burime të dyshimta apo nga shtetet islamike. Nisma të tilla ka pasur edhe më herët. Përpjekje që lutjet të bëhen vetëm në shqip, po ashtu janë të pranishme, mirëpo reagimet e kreut të BIK-ut ishin të ashpra e denigruese ndaj klerikëve me përcaktim kombëtar, më tregoi kohë më parë një hoxhë nga Rrafshi i Dukagjinit. Kush i pengon besimtarët të skalisin shqiponjen dykrenore në gurin e varrit? Pas çlirimit kjo dukuri e zëvëndesimit të simbolit oriental me simbolin kombëtar ka nis të bëhet dukuri, jo vetëm në varrezat e dëshmorëve, por edhe në varret e njerëzve të zakoshem, megjithëse ende ka ngurrime, sepse janë aty hoxhallarët antikombëtar që e pengojnë.
Ngjashëm më projektin e klerit mysliman shqiptar veproi edhe Qeveria austriake kohë më parë për ta luftuar terrorizmin islamik, kur propozoi dhe e tumiri që hoxhallarët të cilët predikojnë në Austri të jenë shtetas austriakë, ta dinë mirë gjuhën gjermane. Po ashtu sikurse Parlamenti austriak edhe ne duhet të kërkojmë që asnjë financim serb, turk apo arab të mos derdhet nëpër xhamitë tona, apo nëpër xhepat e hoxhallarëve, sepse në këtë mënyrë jo vetëm financohet terrorizmi, por financohen edhe ato forca brenda bashkësisë myslimane që e luftojnë integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian, ashtu sikurse e luftojnë integrimin shpirtëror të shqiptarëve brenda kombit të vet.
Mungesën e identitetit kombëtar, boshnjakët e paguan shtrenjtë
Myslimanë ishin boshnjakët e jo shqiptarët
Në ish-Jugosllavi myslimanë quheshin boshnjakët e Bosnjës dhe myslimanët e sllavizuar të Sanxahkut, të cilit para 100 vjetësh ishin shqiptarë. Atyre ua imponuan, ose patën krizë identiteti, prandaj i bindën ta zëvendësojnë kombin e munguar me fenë.
Shqiptarët e Kosovës e të territoreve etnike asnjëherë dhe në asnjë situatë, askush nuk i ka quajtur myslimanë. Ata me mburrje në kohën e dhunës më të egër serbe kundër tyre e quanin vetën shqiptarë, megjithëse e dinin se po të quheshin myslimanë, do të shpëtonin nga dhuna e nga vrasjet. Rilindësit ishin fanari i tyre ndriçues.
Në ish-Jugosllavi predikimin fetar nuk e ka penguar shteti, hoxhallarët merrnin rroga nga shteti, natyrisht pjesa dërmuese e tyre e ngritën në qiell shtetin e dhunshëm, meqë ishin rrogëtarë të tyre. Një pjesë e këtyre hoxhallarëve, përpiqeshin t’i bindnin besimtarët e tyre shqiptarë se ata duhej të regjistroheshin myslimanë si boshnjakët e jo shqiptarë, sepse ashtu i kishin urdhëruar patronët e tyre. Të njëjtit hoxhallarë, prapë nisën t’i bindin shqiptarët se ata janë myslimanë e jo shqiptarë .
Sot në mënyrë të shëmtuar bie në sy një trend që disa njerëz të zakonshëm të thonë me nativizëm apo mbase me dashakeqësi, unë myslimani, ose unë myslimania, në vend se të thonë unë shqiptari apo unë shqiptarja, sepse të qenit myslimanë nuk është identitet, është fe, të vënit në pah të këtij përcaktimi dëshmon për mungesë identiteti, pra për fatkeqësinë e tij ose të saj.
Sa herë e lexoj sintagmën: unë myslimania, apo unë myslimani mendoj se ata po flasin për boshnjakët e dikurshëm pa identitet kombëtar.
Mungesën e identitetit kombëtar, boshnjakët e paguan shtrenjtë.
Partia që e bëri shtetin dhe historinë e Kosovës
*Në 25-vjetorin e formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (Lidhja e Tretë e Prizrenit)/
*Askush më shumë sesa Ibrahim Rugova nuk u shqua për guxim intelektual, me deklarata e intervista për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, për krimet që po i bënte shteti jugosllav. Student i Parisit, me rrënjë të thella në traditën shqiptare, “Çeta e Profetënve” të Pjetër Bogdanit, një rilindësi shqiptar e evropian qe interesimi i tij fondamental. Ai ndiqte modelin e Vaclav Havelit, disidentit të njohur çek, po ashtu shkrimtar.
Nga Gani MEHMETAJ/*
Ngjarja më e rëndësishme e gjysmës së dytë të shekullit XX sigurisht është formimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë shqiptare në ish-Jugosllavi dhe partisë më të madhe shqiptare që ka funksionuar ndonjëherë në Gadishullin Ilirik. Themelimi i LDK-së u bë në rrethana të çuditshme, shumë të ngjashme me rrethanat e formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atëherë kur rrezikoheshin territoret shqiptare, sepse në të njëjtën mënyrë po rrezikohej qenia kombëtare shqiptare një shekull më vonë.
Ndihej shpartallimi i afërt i Jugosllavisë, burgut të shqiptarëve. Njëkohësisht ndihej shkërmoqja e diktaturës shqiptare në Tiranë, regjimit më të egër në Evropë. Perëndimi nisi t’i drejtonte reflektorët e interesimit në Ballkan si asnjë herë më parë, pasi e dobësoi Bashkimin Sovjetik.
Në fund të viteve të tetëdhjeta zhvillohej një situatë paradoksale. Në tërë Evropën Lindore komunizmi po shkërmoqej, diktaturat po dobësoheshin, ndërsa në Jugosllavi ndodhte e kundërta. Në këto rrethana u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë shqiptare në ish-Jugosllavi. Formimit të LDK-së i parapriu një debat i brendshëm, kryesisht nëpër kafene. Debatet u mbajtën në ëmbëltoren “Elida”, të kryeqytetit, nga gazetarët e shkrimtarët e “Rilindjes”.
Para se të zgjidhej kryetari i LDK-së, njeriu më energjik e sistematik i debateve, i përgatitjes së dokumentacionit, i përgatitjeve të tjera për formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte shkrimtari dhe redaktori i “Rilindjes”, Jusuf Buxhovi. Të tjerët e kanë dhënë kontributin e vet, kryesisht me ndonjë vërejtje, preferencë apo me mbështetje morale, por të kenë bërë punë konkrete, asnjëri nuk mund të lavdërohej para mbledhjes konstituive. Që në javët e para pati vërejtje pse grumbullimi i dokumentacionit e formulimet e statusit mbaheshin disi fshehtë, megjithëse asnjëri nga ne nuk merrte vesh në formulimet e statutit, në procedurat administrative e juridike.
Në ditën e themelimit lista u zgjerua me emra të rinj, të cilët të entuziazmuar vunë nënshkrimet.
Nuk u bëra kurrë anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, prandaj anëtarësimi në partinë shqiptare më dukej interesante edhe për faktin sepse e konsideroja parti kombëtare. Shumica prej nesh ishim të sigurt që pas aktit të konstituimit, apo mbase para tij, policia serbe do ta shpërndante grupin nismëtar e grupin nënshkrues, ose mund të na arrestonin, sepse rrethanat e tjera e paralajmëronin një gjë të këtillë. Këshilltarët e zyrtarëve të lartë që na dërgonin ndonjë mesazh, më shumë kërcënim e krijuan atmosferën e frikës e të pritshmërisë në tension, megjithëse edhe pa kërcënimet e tyre e dinim fare mirë se ç’mund të na priste.
Formimi i LDK-së u bë më 23 dhjetor të vitit 1989 në objektin e “Kosovafilmit”, i cili iu dha në qeverisje Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, derisa Azem Shkreli ishte drejtor i “Kosovafilmit”, meqë ata dolën në objektin e ri.
Ka shumë spekulime për propozimet për kryetar të LDK-së, ka edhe të vërteta në disa libra për këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit të demokracisë e pavarësimit të Kosovës. Nuk më kujtohet saktësisht kush ishte për Rugovën e kush për Qosjen, nuk e di as pse u dha emri i Qosjes, kur gjatë gjithë kohës nuk u lakua fare emri i tij, të gjithë e patëm parasysh Rugovën që nga fillimet e para. Buxhovi tha se Qosja nuk e pranoi kandidaturën. Megjithatë, më bëhej se propozimi i kundërkandidatit të Ibrahim Rugovës qe lojë e “pluralizmit politik”, sepse askush nuk e mendoi seriozisht R. Qosjen kryetar të LDK-së, askush nga grupi ynë nuk e propozoi.
Por një gjë dihet fare mirë: askush më shumë sesa Ibrahim Rugova nuk u shqua për guxim intelektual, me deklarata e intervista për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, për krimet që po i bënte shteti jugosllav. Ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, intervistat e tij në mediat perëndimore përfliteshin pastaj nëpër kuluare, bënë jehonë të madhe në Jugosllavi, kurse shtypin e Beogradit e nxitën të shkumëzonte kundër tij. Fjala i dëgjohej e lexohej edhe në opinionin europerëndimor. Student i Parisit, me rrënjë të thella në traditën shqiptare, “Çeta e Profetënve” të Pjetër Bogdanit, një rilindësi shqiptar e evropian qe interesimi i tij fondamental. Ai ndiqte modelin e Vaclav Havelit, disidentit të njohur çek, po ashtu shkrimtar. Për disa muaj e pushtoi botën demokratike me guximin, mençurinë e maturinë që nuk e pati asnjë intelektual tjetër.
Më kujtohet situata e nderë, derisa shëtisnim në mbrëmje me një grup gazetarësh të rubrikës së kulturës, erdhi Ibrahim Rugova dhe na u bashkua. Vazhduam tutje të ecnin në korzo, u ulëm në kafen para tetarit, ndërsa ai na tregoi se posa ia dha një intervistë televizionit francez, jashtë Prishtinës. Që t’i shmangej përcjelljes së shërbimit sekret serb, ekipi i rryer francez e futën në kombin e tyre duke e dërguar nëpër rrugica, për t’i ikur ndjekjes. Dhe prapë e sollën afër sheshit kryesor për siguri. Na tregoi se që të mos përsëritej (disa javë më parë foli për të njëjtin televizion), ua propozoi për freskim Rexhep Qosjen, por ata i treguan se Qosja nuk pranoi të fliste.
Ishte e kuptueshme, secili ruhej në atë kohë kritike.
Shumica prej nesh prisnim që do ta arrestonin Rugovën, sepse ata kishin arrestuar njerëz edhe më me pak “mëkate”, mirëpo guximi i tij për të shpërthyer bllokadën informative në televizionet perëndimore, duke dalë në kreun e emisioneve televizive me emër, iu bë engjëll mbrojtës. Ambasadori amerikan u bë engjëlli tjetër mbrojtës edhe më i fuqishëm. Kështu, derisa ne shkonim disa dhjetëra hapa prapa, ambasadori amerikan e Rugova ecnin para nëpër gjysmën e kryeqytetit. Ecja publike e njeriut të shtetit më të fuqishëm të botës me Rugovën kishte një domethënie për policinë e shërbimin sekret serb. Sigurisht edhe njerëz të shërbimit të fshehtë jugosllav i shkonin pas, ose anash, ndërsa ne nuk i vërenim.
Prandaj, nuk mendoj se propozimi i Ibrahim Rugovës, kryetar i LDK-së, ishte rastësi. Asnjë situatë a ngjarje e asaj kohe nuk ishte rastësi, gjërat diku koordinoheshin, kurse ne kush më shumë e kush më pak ishim figurantë të situatave e të veprimeve.
Fati ynë u gjendëm në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Shkonim rrjedhave të lumit të rrëmbyeshëm që na shpinte në detin e qetë, ku synonim. Por të gjithë ishim të vetëdijshëm se mund të ngelnim diku thepave të shkëmbinjve nëntokësorë apo të mbyteshim.
Formimi i LDK-së u bë sepse na u dhanë disa sinjale nga jashtë, elita intelektuale reagoi në kohën e duhur, popullata na mbështeti pa rezerva, ishim të gatshëm të sakrifikonim etj.
Në Kosovën e gjendjes së jashtëzakonshme kërkohej rrugë tjetër për të shpëtuar nga shtjella e vrimës së zezë. Paralelisht me vënien e masave të dhunshme në shumicën e institucioneve, u shkarkuan pjesa e madhe e zyrtarëve të lartë të Kosovës jo pse nuk punuan me zell për neutralizimin e rezistencës, por sepse në Komitetin Qendror të Serbisë e në shërbimin sekret jugosllav ishin të pakënaqur me punën e tyre, ata e shuan me gjak e me tanke autonominë, nuk u duhej më demagogjia e parullave të vëllazërim-bashkimit.
Në këto rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, akti i konstituimit të partisë së parë shqiptare në ish-Jugosllavi, u bë në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku më shumë sesa entuziazëm të frenuar, mbretëronte atmosferë tensioni, me tym duhani, me pak karrige e shumë njerëz, gjysma e të cilëve rrinin në këmbë e në korridore. Sipas rregullave u tha se duhej lista prej 100 vetash, kështu që pos emrit tim, nënshkrova për babanë, lejen e të cilit e mora, ndërsa dy vëllezërit më të vjetër erdhën të nënshkruheshin personalisht. Disa emra të njohur publikë e pëlqyen rahatinë e shtëpisë në vend se t’u ekspozoheshin rreziqeve, megjithëse disa prej tyre i thirra personalisht. Më inkurajoi ardhja e shumë njerëzve.
Formimi i LDK-së bëri jehonë më të madhe sesa që e priti optimisti më i thekur. Mbizotëro një eufori e jashtëzakonshme. Më kujtohet se ato ditë vinin me mijëra njerëz të regjistroheshin, ndërsa ne të gjithë i regjistronim me zell. Kur na mbaronin fletët e regjistrimit, me disa veprimtarë, një herë edhe me Bujar Bukoshin shkuam në Pallatin e Shtypit në katin e parë të shërbimeve të përbashkëta, ku Nazi, një punëtor, në mënyrë të fshehtë i shtypte formularët e regjistrimit, të cilat prapë me Bujarin i dërgonim në LDK.
Lidhja Demokratike e Kosovës u emërtua duke pasur parasysh Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një organizatë politike çlirimtare, e cila fatkeqësisht nuk pati jetë të gjatë, por jehona e saj u shtri në të gjitha territoret etnike, ku u formuan degë. Askush nuk e thoshte publikisht, por shumë nga ne e mendonim LDK-në, Lidhjen e Tretë të Prizrenit. Por ta emërtonim në këtë mënyrë do të thoshte të ndërseje qentë e policisë. Prandaj nuk ia thoshim as njëri-tjetrit. Në të njëjtin parim u formuan degët e nëndegët e LDK-së në tërë Kosovën, madje edhe në Ulqin e Malësi, por që më vonë u inkuadrua në zgjedhjet e atjeshme.
Që në ditët e para erdhën njerëz nga qytete e katunde për të marrë këshilla sesi duhej t’ia bënin për formimin e degëve e nëndegëve. U tregonim se duhej të formonin Grupin nismëtar, ose shpesh kishin formuar grupin nismëtar, propozonin organet e degëve etj. Brenda disa muajve në Kosovë u anëtarësuan mijëra anëtarë, dy-tri herë më shumë sesa anëtarë të Lidhjes Komuniste.
Ne shpesh talleshim me ata që kishin qenë në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, duke u thënë: ju për 50 vjet bëtë rreth 80 mijë komunistë me gjithë privilegjet e postet, që ofronin, por edhe presionet që ushtronin, ndërsa ne për disa muaj ua kaluam. U tha në medie se LDK-ja ishte partia më e madhe shqiptare në Gadishullin Ilirik. Dhe mbeti e tillë, sepse asnjë parti nuk iu afrua me numër as e tejkaloi
Ishte një eufori e rrallë. Ato vite ishin vite të solidaritetit të madh në mes të shqiptarëve, ndihmat që shpërndaheshin e siguronin çdo banor të Kosovës se nuk do të këtë nevojë t’ia shtrijë dorën okupatorit, as të vihej në shërbim të tij për bukën e gojës. Meqë fëmijët tanë dhe studentët i nxorën nga objektet publike, LDK-ja organizoi mësimin paralel nëpër shtëpi private. Përkujdesja sociale e shëndetësore bëheshin në mënyrë shembullore në bashkëpunim me shoqatën bamirëse “Nënë Tereza”. Rezistenca ndaj okupatorit bëhej me mosdëgjueshmëri e mekanizma paqësorë.
Për disa vjet u ngrit dhe funksionoi shteti paralel në raport me Serbinë, i bëmë të pavarura institucionet tona të të gjitha niveleve e fushëveprimeve me disiplinë të jashtëzakonshme të popullatës që e respektonte hierarkinë e shtetit të tyre. Popullata mori përgjegjësi e dha kontribut të jashtëzakonshëm si asnjëherë më parë gjatë historisë. Diaspora ishte burimi i rëndësishëm i financimit e i logjistikës, që u angazhua dhe u mobilizua si asnjëherë më parë me degët e nëndegët e LDK-së që u formuan në Perëndim.
Kurrë më vonë nuk do të zbrazet një energji e tillë pozitive, mobilizim kombëtar e gatishmëri që t’u falej a të harrohej e kaluara e atyre që kishin bërë të këqija.
Në atë kohë u ndërtua një filozofi e rezistencës paqësore jo vetëm në raport me pushtuesin, por u ndërtua filozofia e paqes në mes të bashkëkombësve, u kultivua që mosmarrëveshjet të zgjidhshin me biseda e dialog, u vu në pah toleranca ndaj të vetit, por edhe ndaj fqinjit. Debatet qytetare rrezatonin mirësi e mirëkuptim të pakufishëm në të gjitha shtresat sociale. Rugova e rugovizmi nuk u bënë vetëm sinonim i rezistencës paqësore pa përdorimin e dhunës, por edhe sinonim i kultivimit të qytetarisë tradicionale, me një përcaktim të qartë për Evropën Perëndimore e vlerat e qytetërimit të kontinentit të moçëm. Fryma e tolerancës, e mirëkuptimit e qytetarisë ishin vlera fondamentale.
Ndërkaq, mekanizmat e brendshëm të kombit për të mobilizuar rezistencën dhe për të forcuar identitetin shqiptar, të përbuzur e të nëpërkëmbur nga pushtuesi, thirrëm në ndihmë Gjergj Kastriotin –Skënderbeun, simbolin e bashkimit të shqiptarëve, iu kthyem rrënjëve, nisëm të betoheshim në emrat e princërve e heronjve iliro-shqiptarë si asnjëherë më parë, por pa patetikën folklorike, i rimësuan mësimet nga historia që të mos na përsëriteshin në historinë më të re, iu kthyem Perëndimit si asnjëherë më parë.
Si ta kishim porositur për fatin tonë e rrugën që zgjodhëm, emri i Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiut, shqiptare, u bë emri më i popullarizuar në tërë globin, ndërsa ajo njëkohësisht ishte shqiptarja më e famshme. Ajo u bë ikonë e rezistencës, por edhe e solidaritetit ndër shqiptarët. Nënë Tereza, e cila do t’u hapë rrugë takimeve të Rugovës me Klintonin e vinte në pah shqiptarësinë e vet, ajo e gjakonte shtetin shqiptar, në të cilin nuk e lanë të shkonte derisa nuk ra diktatura komuniste, ajo gjakonte me popullin e përvuajtur shqiptar, prandaj angazhohej e lutej për të. Në filmin dokumentar amerikan për Nënën Terezë që e pashë më 1984 në një festival ndërkombëtar, ajo thoshte: “Kam lindur në Shkup në një familje shqiptare, Shkupi atëherë ishte kryeqytet i Shqipërisë”, ndërsa shikuesit e huaj shihnin të habitur, sepse Shkupi më nuk ishte në Shqipëri.
Fryma e re pati ndikim të madh në shtresat sociale e në kastën politike për një kohë të gjatë. Qytetërimi perëndimor nuk vihej në dyshim nga asnjëri, as nga ato grupe që ua kishin shpërlarë trurin me paragjykimet për kapitalizmin apo me paragjykimin fetar, edhe atyre iu hapën sytë, nisën të betoheshin në shenjtorë të rinj. Fryma e re, tolerante, e demokracisë qytetare, e kultivimit të krenarisë kombëtare, e qytetarisë evropiane, nuk e krijoi njeriun e ri, por e ndryshoi njeriun që i kishte kaluar të gjitha fazat e dhunës.
Kjo ishte fitore e madhe, që askush nuk mund ta mohojë.
*Fragment nga libri në dorëshkrim “Ëndrra e madhe” (Fletë të shkëputura ditari 1981-2006 me portretin e Rugovës në dritëhijen e ngjarjeve dramatike).
A është Turqia shtet mik?
Tru shpërlarësit- oficerë të zbulimit me veladonin e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se neotomanizmit./
Shkruan: Gani MEHMETAJ/
1. Pak histori të hidhur/
Perandoria osmane gjatë pesëqind vjetësh sundimi u shqua me mizori të pashembullta ndaj shqiptarëve. Edhe në fazën e shthurjes, kur ushtria otomane tërhiqej nga tokat shqiptare, nuk tregoi mëshirë ndaj të okupuarve, por i luftonte me egërsi formacionet e armatosura shqiptare që përpiqeshin t’i dalin para ushtrive të koordinuara serbe, malazeze e greke. Në vend të mëshironte tokat e pushtuara të cilat po i braktise, duke ua lëshuar okupatorëve të rinj edhe më mizor, otomanët dogjën qindra katunde e qytete shqiptare, bombarduan me artileri lokalitete duke lënë pas vetës shkrumb e hi. Ua lehtësuan pushtimin armiqve tanë, prandaj nuk e patën vështirë trupat serbe, greke e malazeze të merrnin që në sulmet e para territoret shqiptare, sepse shqiptarët ishin dërmuar nga ushtria qyqare turke që po tërhiqej nga sytë këmbët para serbëve e grekëve më të fuqishëm.
Perandoria turke ua fali më traktate të paqes njëzetë vjet para se të tërhiqej mbi 30 mijë kilometra katrore të territorit shqiptarë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, pa e përfillur vullnetin e shqiptarëve. Për t’ua bërë qejfin Rusisë, Serbisë e Greqisë, Turqia, e shoi me gjak Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, sepse shqiptarët donin t’u dilnin zot tokave të tyre.
Më dashamirës ndaj shqiptarëve nuk u treguan as qeveritë e mëvonshme civile apo juntat ushtarake që ndërroheshin njëra pas tjetrës. Turqia moderne e ndihmoi Serbinë e Greqinë të dëbonin sa më shumë shqiptarë, duke nënshkruar traktate për shpërnguljen nga Kosova e Çamëria. Traktatet e Paqes me Jugosllavinë ende nuk janë shfuqizuar, ndërsa janë shpërngulur me dhunë disa milionë shqiptarë. Në Turqi shqiptarët e shpërngulur i sistemuan kolonë në tokat kurde, duke i armiqësuar me ta për llogari të shtetit turk.
2. Ku ndryshon Turqia e Edogani nga otomanët?
Mendësia e qarqeve konservatore turke nuk ndryshoi as pas 100 e ca vjetësh. Edhe më tutje kanë ëndrra budallaqe për pushtimet sulltanore dhe për raja. Pas luftës së vitit 1999 në vend të futeshin në Kosovë si Perëndimi: më promovim të demokracisë, me fonde që e rindërtuan vendin, që nga themelet, Turqia promovoi mendësi mesjetare, ndërtoi qindra xhami, ndërsa i kishim me tepri, duke ua zënë vendin shkollave për të cilat fëmijët tanë patën aq shumë nevojë. Pastaj u shpërndau ndihma vetëm myslimanëve, duke i diskriminuar katolikët e protestantët, i kushtëzuan ndihmat e hurmave e bakllavave me lutjet fetare islamike, agjërim, iftarin etj. Shumica e xhamive të ndërtuara në periudhën e pasluftës nuk kanë leje ndërtimi, nuk përfillen plane urbanistike, nuk respektuan ndalesën e zhurmës së lejueshme të altoparlantëve që çirren në kupë të qiellit sa të çmendin, duke shkaktuar kaos e nervoz në mesin e popullatës shqiptare.
Qindra shoqata islamike turke nuk ndihmuan si bota e qytetëruar, por e sollën islamizmin më të egër që e ka njohur ndonjëherë toka shqiptare. Përmes këtyre shoqatave rekrutuan e dërguan shqiptarë për luftërat fetare në Siri e Irak, që është kapitulli më i turpshëm i shqiptarëve në 100 vjetet e fundit, nxiten përçarje fetare dhe ndërsyen fundërrinat shqiptare (ish spiunë të Serbisë, UDB-ist, hajdutë e mashtrues, mercenarë me petkun e fesë, gazetarë e akademikë të shitur më parë të jugosllavët e të ri blerë nga turqit, islamikë profesionist etj) kundër shumicës shqiptare laikë e besimtarë.
Derisa evropianët sollën ekspertë të ekonomisë, politikës e të bujqësisë, Turqia me vendet arabe sollën ekspertë të fesë e “hafuza” të kuranit. Ndërkaq, këta “ekspertë” me hoxhallarët e rekrutuar vendës më shumë ngjasonin me oficerë zbulimi që merreshin më punë të dënueshme se sa devotshmëri feje.
3. Kur oficerët e zbulimit veshin veladonin e hoxhës
Si shpjegohet që imami i xhamisë së Prishtinës, ku u fal kryeministri turk, dhe kryeministri i Kosovës, kapet me armë (snajperë, pistoleta me silencier, granata dore etj) që është veprimtari terroriste, ndërsa nuk gjykohet as nuk ndëshkohet. Është nën mbrojtjen e kryeministrit të Turqisë apo të shërbimit sekret të këtij shteti? Si shpjegohet që një shoqatë e “myslimanëve të Kosovës” (e mbështetur nga Turqia me ish spiunë jugosllavë) kërcënon se do t’i dëbojë shqiptarët katolik përtej detit si para 500 vjetësh, ndërsa asnjë gazetë nuk reagoi, asnjë prokuror nuk e arrestoi kryetarin e tyre. Jemi në Turqi e Serbi apo në shtetin e shqiptarëve të Kosovës? Ende do të na kërcënoj Turqia me dëbimin përtej detit përmes shoqatave myslimane? Shefat e kësaj shoqate që vazhdimisht kërcënojnë shqiptarët në shtetin e shqiptarëve, tërë ditën rrinë në xhamin ku u fal kryeministri turk e kryeministri kosovar. Kjo xhami është bërë çerdhe e antishqiptarëve më të tërbuar që veprojnë si oficerë zbulimi të disa shteteve, kryesisht të Turqisë e Serbisë.
Shoqatat turke e arabe, nën petkun e bamirësve, me sjelljet e veprimet e tyre nuk ndryshonin nga ish- zyrtarët xhonturq: arrogantë e primitiv, fodull e me qëndrim fyes ndaj traditës, kulturës e heronjve shqiptarë. Kudo tjetër ata do të dëboheshin nga vendi, ashtu si do të dëboheshin “edukatorët” e shkollave të mesme që erdhën nga Anadolli, themeluan shkollat e tyre, ndërsa fëmijëve shqiptarë ua shpërlajnë trurin. Nxënësit e shkollave anadollake në debate ta kthejnë me cinizëm: është e dyshimtë a jemi shqiptar a jo, sepse atëbotë otomanët bënë shumë përdhunime! Fatkeqit e tillë tru shpërlarë pranojnë të jenë djem të nënave të përdhunuara e të baballarëve përdhunues që t’i bëjnë turqit vëllezër! Janë të sëmurë psikik këta djelmosha, apo ua kanë shpëlarë trurin me acid? Kthyer ndryshe kjo tingëllon sikur po supozojmë nxënësit shqiptarë qe vijojnë shkollat serbe të thoshin: serbët i kemi vëllezër, sepse serbët përdhunuan mijëra femra shqiptare!
I kemi turqit e serbët vëllezër? Ka mjerim më të madh të shqiptarëve tru shpërlarë? Mund të ndërtohet vëllazëria mbi këto postulate monstruoze?
4. Tru shpërlarësit
Këtë punë të ngulmët antishqiptare, kundër interesave të vendit pos dhjetëra shkollave po e bëjnë shoqatat e hurmave e bakllavave së bashku me hoxhallarë gjysmë analfabetë, të cilët mezi e kryen medresën, sepse ishin nxënës të dobët në shkollën fillore, prandaj nuk i pranoi asnjë shkollë e mesme shqiptare. Ata s’kanë tru as vetëdije kombëtare. Ndërkaq, oficerët e zbulimit me veladonin e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se neotomanizmit. Të frymëzuar nga kjo teori, por të paguar mirë nga shoqatat islamike, disa kanë nis të vënë në kokë në falje bajrami fes turk, calik anadollak dhe dolloma qesharake. Duan t’ua bëjnë qefin turqve të Davutogllusë, ndërsa duken palaço cirku, nesër po i pagoi Serbia do ta bartnin edhe “shajkaqen” serbe.
Tru shpërlarësit pas vitit 1999 rekrutuan mijëra mercenarë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni. Është e habitshme se si qeveritarët tonë i toleruan. Janë të shitur? U kanë bërë shantazhe? Apo janë nën tutelën e tyre?
Ka edhe veprime të tjera të çoroditura në rinovimet e objekteve kulturore e të trashëgimisë. Ajo që habitë është paralajmërimi që pas rinovimit të një xhamie në Prishtinë të pagëzohet me emrin e një sulltani gjakatar. Kjo i bie sikur të kërkonte Serbia të rinovonte kishën në Prishtinë të cilën e ndali në gjysmë të ndërtimit NATO dhe ta pagëzonte me emrin e kriminelit Milosheviq. Ka absurd më të madh?
5. Bizneset turke në Kosovë
Çfarë të themi për bizneset turke në Kosovë? Nuk e bënë asnjë investim për të qenë. Njëqind herë më shumë investuan në Serbi e Maqedoni (në pjesën sllave) se sa në Kosovë, por e zhvatën palcën kurrizore të ekonomisë sonë: privatizuan për një shumë qesharake Elektro ekonominë e Kosovës dhe Aeroportin e Prishtinës. Kosova u shërbeu si deponi e mbeturinave: zbrazen depot e mallrave të tyre dhe i shitën të ne. Cilësia e mallrave perëndimore i nxori nga tregu, sidomos në teknikë e teknologji, por pjesa e varfër e popullatës i blen gjërat ushqimore serbe e turke, sepse janë më të lira. Cilësinë e mallrave serbe e turke nuk e kontrollin askush.
Industria ushqimore turke e serbe ia ka zënë frymën bujqësisë në Kosovë, Shqipëri e pjesën shqiptare të Maqedonisë.
6. Në BE apo peng i Turqisë?
Kosova është bërë sanxhak i Turqisë. Besa edhe Shqipëria gati në këtë gjendje është, duke ia shkel syrin edhe Serbisë e Greqisë. Pjesa shqiptare e Maqedonisë është territor nën veprimin e grrmrrit-shkombëtarizimit. Sa të jenë këto kohorta islamike shkombëtarizuese, Perëndimi do ta mbështes shtetin e dhunshëm maqedonas e policinë e tyre kriminale kundër shqiptarëve.
Deri kur do të jemi peng i Turqisë? Me veprimet turke në Ballkan (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) dhe më servilizmin e qeveritarëve tonë, po e rrezikojmë qenien tonë shtetërore e kombëtare, po rrezikojmë të mos futemi në BE. Nëse mbesim jashtë BE-se, do të na mbërthej shtjella e kaosit lindor. Turqia e Edoganit nuk i takon Evropës, prandaj pse duhet ta lidhim fatin me te. Interesat e grupeve tona politike nuk janë interesat e shtetit e të kombit, ata janë korruptuar, prandaj na shtyjnë drejtë kaosit. Por duhet ta shkëpusim nga ky orbitë edhe pjesën shqiptare të Maqedonisë të cilën e kanë mbërthyer islamikët si qeni mishin.
Meqë garniturat politike shqiptare të korruptuara shpejt mund të bien, Turqia duhet ta rishqyrtoj rrënjësisht qëndrimin ndaj shqiptarëve në të tri shtetet. Armiqësia që po e nxisin brenda shumicës shqiptare mund t’u hakmerret. Erdogani me Davutoglllunë nuk do ta kenë kurrë simpatinë e shumicës shqiptare me këtë lukuni mercenarësh.
Brezi i ri i shqiptarëve Turqinë e njohin përmes oficerëve të zbulimit që sillen vërdallë xhamive, përmes ndërmjetësve që i rekrutojnë shqiptarët në Siri e Irak, përmes hoxhallarëve me mjekra e pa mjekra, në vend se ta njihnin përmes Orhan Pamukut, Aziz Nesinit, Jilmaz Gynejit, Nuri Bilge Ceylan e personaliteteve të tjera mëdha të kësaj kulture.
7. Sërish kërkojmë ndihmën e Perëndimit
Prandaj qe të mos lahemi në gjak në emër të islamit e neotomanizmit si në Irak e Siri, që të mos na rrëmbej shtjella e kaosit islamik si në gjithë botën arabe, që të mos e humbasin trenin e fundit për Bashkimin Evropian, ku e kemi vendin me origjinë, traditë, kulturë e qytetërim, është e domosdoshme të shkëputemi nga orbita turke e islamike, ku na futi kasta e papërgjegjshme dhe e korruptuar. Druaj që edhe kasta që po i mpreh dhëmbët për pushtet nuk ka këllqe të na nxjerr nga bataku, prandaj duhet ta kërkojmë sërish ndihmën e SHBA-ve e të Evropë Perëndimore, ashtu sikurse kërkoi para njëzetë vjetësh Ibrahim Rugova, kur gati na mbyti okupatori serb.
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 7
- Next Page »