• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hoxha i Sanxhakut kërkon rrënjët ilire

April 9, 2014 by dgreca

Hoxha i Pazarit të Ri të Sanxhakut, krahinë shqiptare të cilin ngadalë po e mbulon muzgu i shkombëtarizimit me emocionoi, gati me nxiti të qajë, sepse e ndjeja dhimbjen e thirrjen e tij, e ndjeja vetminë gërryese e braktisjen që i kishte kapluar.

Nga Gani MEHMETAJ/

“Nuk jemi boshnjakë, nuk jemi as sllavë, jemi ilirë’, u drejtohet hoxha nga Pazari i Ri në Sanxhak besimtarëve të vet. “ I keni parë rrënojat e kështjellës ilire në afërsi të Pazarit të Ri, ajo është e jona, e ilirëve’, vazhdon ai i emocionuar. “Pse pushteti i Serbisë nuk na lejon t’i afrohemi qytetit të vjetër ilir? Sepse nuk do që ta kujtojmë të kaluarën tonë!”, pyet e përgjigjet hoxha, duke iu drejtuar besimtarëve të shushatur të cilët e dëgjonin pa lëvizur nga vendi. Hoxha duhet të ketë folur edhe më për fatkeqësinë e tyre të asimilimit të ngadalshëm e të pandalshëm, për zgjimin po aq të rëndë nga gjumi gati një shekullor, për frikën e tashmë se ata mund të zhduken në tërësi.

Ligjërata e tij, drejtuar bashkëkombësve, nuk ishte vetëm ftesë të këndelleshin për të gjetur vetën, por njëkohësisht ishte grishje shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë t’u ndihmonin e t’i shpëtonin nga asimilimi. Hoxha sa donte t’ua hapte sytë bashkëkombësve të vet, aq përpiqej të dërgonte mesazhin se nuk janë të mbaruar.

Kaluan disa muaj nga kushtrimi i tij i trishtë, vajtues e i dhembshëm, kaloi edhe më  shumë kohë kur qindra të tjerë që e kërkuan mbështetjen tonë, ndërsa dy shtetet shqiptare me probleme të brendshme, që nuk ua gjejnë zgjidhjen, nuk bënë asgjë për ta. Me ndonjë reportazh televizive a shkrim, i japim fund “detyrës patriotike” për hallet e popullatës shqiptare në Sanxhak e Peshterë. Reagim tjetër nga intelektualë, artistë, shkencëtar, apo akademikë ekscentrik që dinë të bëjnë zhurmë në kupë të qiellit për hiçgjë, apo pse nuk po vlerësohen si ua thotë mendja atyre, nuk pati. Sikur të ishte fjala për problemet e fiseve të Amerikës latine!

Hoxha i Pazarit të Ri të Sanxhakut, krahinë shqiptare të cilin ngadalë po e mbulon muzgu i shkombëtarizimit me emocionoi, gati me nxiti të qajë, sepse e ndjeja dhimbjen e thirrjen e tij, e ndjeja vetminë gërryese e braktisjen që i kishte kapluar. Por i pafuqishëm ta ndihmoja e ndiqja pa bëzajtur filmimin në FB (Facebook), ndërsa nga pafuqia e zemërimi sytë mu mbushën më lot, grykën ma ngushtoi një ngashërim që as me vinte lartë e të shpërthente as nuk zhdukej. Ai duhet të ketë folur edhe herë të tjerë, duhet të ketë qarë edhe halle të tjera (pushteti mizor i Serbisë, viktimat e shumta që ranë në luftën e Bosnjës, që nuk ishte lufta e tyre, viktimat tjera që i përpiu terri i natës jo vetëm në kohën e Milosheviqit, por edhe më vonë). Por unë nuk i dëgjova, megjithëse edhe po t’i dëgjoja me çka mund t’i ndihmoja?

Ata kanë vuajtur edhe më parë, por kurrë nuk jemi marr me ta. Atyre terrori nuk iu nda që kur i pushtuan, ndërsa ne nuk i shpëtuam. U vranë rugovasit e dukagjinasit e mi në kufi të Pazarit të Ri e gjithandej nëpër Peshterë, por heroizmi i tyre nuk mjaftoi, lipseshin më shumë rugovas e dukagjinas, më shumë shqiptarë të tjerë që të mbronin kufinjt e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Hoxha i Pazarit të Ri me bashkëkombësit e vet i kërkonte rrënjët nën rrënojat e kështjellës ilire afër qytetit të tij, kurse bashkëkombësit dhe besimtarët që e kishin rrethuar si zogjtë e klloçkës, sikur kërkonin t’i mbronte, sepse askush tjetër nuk merrej me ta, as nuk ua qante hallin. Ai megjithatë ua hapte sytë që t’u ktheheshin rrënjëve. Kohë të gjatë i kishin mashtruar, kur përpiqeshin t’i bindin më të gjitha mjetet se ata nuk janë shqiptarë, por myslimanë, herë serbë të islamizuar, herë boshnjakë. Dhe ishin të hutuar, meqë shteti i tyre kombëtar ende nuk ishte formuar, por edhe atëherë kur u themelua qe aq i dobët sa nuk i mbronte dot.Askush deri me sot nuk i ktheu asnjë përgjigje hoxhës së Pazarit të Ri. Askush nuk u mor me te dhe problemin që ai nxori në Facebook. Sikur të kishte hedhur gur e dru mbi ilirët, sikur të kishte fyer heronjtë kombëtar, sikur të kishte thënë se është mysliman e jo ilir, sigurisht të gjitha mediet në Kosovë e në Shqipëri, me Diasporën e afërt e të largët do ta nxirrnin në faqe të parë, do t’i jepnin hapësirë për kolumne, ku do t’ia qante hallin Erdoganit e satrapëve të tjerë oriental që e terrorizojnë popullatën e vet, do t’ia dhuronin xhaminë më të mirë të kryeqytetit të rekrutonte të rinjtë për luftën absurde në Siri e gjetiu nëpër shkretëtirat arabe. Nuk do të mungonin as intervistat dhe rekordet në youtuve, do ta lavdëronin shumica e medieve, do ta falënderonin, do ta bënin yll, madje ndonjë akademikë i frustruar e paranojak do ta priste e promovonte si shpëtimtar.

Por hoxha i Pazarit të Ri, fatkeq tha se nuk është sllav, nuk është as turk, as i kombit mysliman, por rrënjët i ka thellë në Iliri.

Ai nuk tha se shqiptarët do t’i shpërngulin përtej detit si në kohën e pas Skënderbeut, sikurse thanë një grushtë mjeranesh të shoqatave të shpifura të ‘komunitetit arabë e myslimanë”, të cilët madje e kërcënojnë deputeten puro shqiptare duke e quajtur  refugjate në atdheun e vet!

Sërish e dëgjova në FB ligjëratën pikëlluese të hoxhës së Pazarit të Ri. Mu duk më pikëlluese se sa rrafshnaltat e trishta të Peshterit, ku era ta thanë fytyrën, në pikun e verës, ndërsa të ftohtit të bënë koçanë. Por ata me gjithë këtë klimë të akullt nuk e braktisen vendlindjen, paçka se atdheu po i braktisë mizorisht, me heshtjen e shpërfilljen e pafalshme.

Me kujtohet marsi i ftohtë në Sanxhak në fund të viteve të tetëdhjetë, era që të depërtonte në eshtra, ndërsa vendësit me shikonin më frikë. Ata druanin më shumë për mua se sa për vetën, megjithëse kishin mbetur në një çark të mbyllur, përderisa Serbia po i shkelte pa mëshirë. Bosnja nuk i pranonte për të vetët, shqiptarët i shikonin më dyshim për shkak të gjuhës së tyre të bjerr, turqit i përbuznin duke i quajtur arnaut, ndërsa serbët u thoshin me nënçmim “shqiptari”. E kujtoja edhe dokumentarin e xhiruar me 1908 në qytetin e hoxhës së pikëlluar, ku banorët shqiptar shumicë atëbotë lëvizin para kamerës, ndërsa veshje të kombeve tjera nuk kishte. Disa vjet më vonë një dorë e zezë këtij dokumentari- margaritarë i vuri sipëri muzikë të rëndë turke, duke e mbytur sharmin e pastërtisë e të vërtetësisë filmike, sepse ndërsa filmi ishte pa zë. Por pati edhe një hile në këtë kurdisje, muzika turke synonte të falsifikonte përkatësinë shqiptare të banorëve të Pazarit të Ri.

Derisa bluaja në mendje fatin e bashkëkombësve të hoxhës, kujtoja rugovasit e mi të cilët më këngë maje krahu ftonin kushërinjtë e tyre në Peshterë apo edhe më larg në Sanxhak bjeshkë pas bjeshke: “Ooo Bardhosh Lisi! Zhuja i Ndrecës po e marton djalin. Mos e leni pa ardh!”, jehonte ftesa për dasmë. Sot ka teknologji shumë të avancuar komunikimi, por komunikimet në mes të rugovasve e kushërinjve të tyre në Peshterë e Sanxhak janë shkëputur, nuk hyjnë as nuk dalin në mes veti.

I kujtoja edhe fjalët e babait tim për luftën e rreptë të vullnetarëve nga Dukagjini e Rugova për të mbrojtur territoret etnike në Luftë e Dytë Botërore. Sepse atëbotë ata e flisnin shqipen më pastër se ne, me thoshte babai. Por erdhën partizanët e na dëbuan sërish, ishin më të shumtë dhe më të armatosur, vazhdonte i dëshpëruar babai ish ushtar vullnetar i territoreve etnike .

Ndërkaq, hoxha i Pazarit të Ri vazhdonte të kërkonte rrënjët ilire në qytetin e vjetër shqiptar. Kërkonte edhe fijet e shkëputura me fisin e vet të Kelmendit. Këtë ua thoshte besimtarëve të vet më pikëllim sikur te që një lloj amaneti, ndërsa një lukuni hoxhallarësh tonë mercenarë të tërbuar nga lirat turke e dinari serb, kanë marr kazmat e përpiqen të shkulin çdo rrënjë ilire e shqiptare, duke ulëritur si të çmendur kundër kombit të tyre, duke ua shpërlarë trurin besimtarëve për t’i bërë mish për top, për t’i degdisur prapa diellit.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, Hoxha i Sanxhakut, kërkon rrënjët ilire

Kombi “kosovar” sipas modelit të kombit jugosllav!

April 5, 2014 by dgreca

Nga Gani MEHMETAJ/

Pas vitit 1999 një grup mercenarësh shqipfolës filluan të bëjnë zhurmë të madhe për krijimin e kombit të ri, kombit “kosovar”. Model e kishin – kombin jugosllav. Propaganda integraliste e ish-Jugosllavisë arriti të sajojë surrogatin serb të “jugosllavistëve” nga martesat e përziera, nga joshja që u bënte jo serbëve për karrierë politike dhe nga presionet e tjera. Paralelisht më ta u sajua edhe kombi mysliman dhe kombi maqedonas, pjellë e imagjinatës së Titos dhe titistëve. Të gjithë këta flisnin serbisht, i takonin në pjesën më të madhe kulturës serbe ose kroate (më përjashtim të “maqedonasve” sllav që ishin diku në mes të bullgarëve, serbëve dhe vllehve të sllavizuar ). Megjithatë, kombi “jugosllav” dhe “mysliman” ishin sajesa politike, prandaj dështuan për faqe të zezë: myslimanët pësuan tragjikisht nga mungesa e identitetit dhe bredhja herë nga Lindje, herë nga Perëndimi; jugosllavët me shpartallimin e Jugosllavisë u fshehën skutave nga frika e kombeve reale që dolën në sipërfaqe me identitet të sforcuar, apo jugosllavët në pjesën më të madhe u bënë serb militant. “Maqedonasit” sllav ende përpëliten në mes të bullgarëve, vllehve dhe serbëve, por që të përbashkët e kishin dhe e kanë urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.

Përderisa dy sajesat e para i takojnë historisë, sajesa e tretë “maqedonasit” sllav ende qëndrojnë në mes të Shiles e Harribdes, por zor se do t’i përballojnë historisë: kombet nuk sajohen në shekullin XX dhe nuk bëhen me dekret.

Sikur nuk mjaftoi dështimi i sajesave myslimane e jugosllave, disa mercenarë, apo minoritete me prejardhje aziatike po përpiqen të krijojnë një frankeshatjn gjuhe; kosovarishtën dhe kosovarët. Po kombi i ri “kosovar” cilën do ta ketë gjuhë zyrtare? “Kosovarishtën” që nuk do të jetë gjuha standarde shqipe, ndërsa nuk do të jetë as dialekti puro gegë, por një trajtë e të folmes lokale të periferisë me sllavizma e turqizma të bollshme, apo e të folmes së pakodifikuar, ku secili do të sjell në medie e në institucione publike gjuhën e pagdhendur të katundit të vet me  pasthirrma e klithma malësorësh, me gjysmën e shkronjave të ngrëna. Ndërsa “kosovaristët” e kryeqytetit të Kosovës flisnin një shqipe të zvetënuar, në pjesën më të madhe të përkthyer nga serbishtja, me sintaksë të çoroditur sa sllavisht aq edhe anglishten e çalë si të Tarzanit të xhunglës, ku dëshirorja është fshirë  nga përdorimi. Asnjëri prej këtyre kosovaristëve nuk të thotë kalofsh mirë, sikurse gjyshja e tyre dikur, por të urdhërojnë: kalo mirë! Shtresa urbane, bijë të “elitës jugosllave” apo të shtresave të socializmit vetëqeverisës kanë nostalgji të ndjeshme ndaj serbokroatishtes. Ata duan ta përjashtojnë shqipen letrare jo vetëm nga e folmja e përditshme, por edeh nga mediet. Çdo shprehje a togfjalësh që e përdorin në zhargonin e përditshëm, e kanë përkthyer nga ish metropola e tyre ideologjike.

Kush qëndron prapa kësaj propagande? Është vështirtë të thuhet, sepse në mjedisin prej nga vijnë nuk kanë mbështetje, por megjithatë kanë ca fonde. Disa shenja tregojnë se kryesisht nisma është e ish-integralistëve jugosllavë, pastaj e majtistëve dhe mercenarëve të të gjitha ngjyrave që i shfrytëzojnë fondet e ndryshme ndërkombëtare, me burime të dyshimta. Mjafton të thuash se do të angazhohesh për propagandimin e gjuhës lokale, të ndryshme nga gjuha që flitet në Shqipëri dhe fondet i ke të garantuara, në qarqet politike ndërkombëtare, që duan të krijojnë hendek të madh në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në propagandistët të cilët dikur ishin të zhurmshëm në luftën kundër nacionalizmit e irredentizmit shqiptar etj. Por një pjesë e tyre këtë gjë e bëjnë edhe nga ekscentrizmi, përkatësisht nga kompleksi i inferioritetit: “përtej alpeve bashkëkombësit tonë nuk na duan, na shpërfillin, na nënçmojnë, prandaj o burra ta bëjmë “gjuhën tonë , lëshojnë kushtrimin ata, që flasim e ta shkruajmë pa rregulla, pa shenja pikësimi, të kënaqemi duke ia bërë qefin vetës se, jemi më të mirët, më të mençurit dhe më të bukurit”. “Kosovaristët” mbështetjen më të madhe e patën nga disa medie elektronike të majta në Tiranë e në Prishtinë. A është fjala, sepse këto medie duan të nxisin debate apo për kuriozitet mediatik, është vështirë të thuhet. Mbase edhe ndonjë fond të dyshimtë nuk bënë të përjashtohet. Mediet tona marrin gjithandej fonde dhe askush nuk e di se nga vijnë.

Elementi jo shqiptar i integruar në mjedisin shqiptarë të Kosovës (shqiptar gjak përzier   me prejardhje jevge e aziatike) janë më të zhurmshmit për kombin “kosovar’, ashtu sikurse që të kësaj përkatësie janë edhe ata që e propagandojnë më së shumti ideologjinë e beduinëve të shkretëtirës në emër të fesë.

Të përpiqesh të sajosh komb në shekullin XXI, përkatësisht të përpiqesh ta ndash kombin e konsoliduar, është më shumë se veprim prej Donkishoti, është përpjekje të bësh punën e Beogradit. Të përpiqesh të rekrutosh njerëz për kombin e ri nga pjesëtarët të cilët ndjenjën kombëtare e kanë më të theksuar se asnjë komb tjetër në Ballkan, është veprim i joshqiptarëve që nuk na e duan të mirën. Natyrisht ata ndërkombëtar që e mbështesin këtë nismë, veprojnë nga prizmi pragmatik: duan të zbusin ca mllefin e Serbisë, mbase duan të integrojnë serbët në shtetin e ri, por mbi të gjitha duan ta largojnë vëmendjen e shqiptarëve nga gjakimi për bashkim kombëtar. Ndërkaq orientalët dua që në këtë mënyrë të shprishin gjaku shqiptar, ashtu sikurse po përpiqen që ta shprishin përmes përpjekje për nxitje të përçarjeve fetare. Fondet antishqiptare nuk prajnë se derdhuri nëpër xhepat e shqipfolësve.

Përpjekja e sajimit të kombit “kosovar” është përpjekje e pakuptim, shpenzim i panevojshëm i energjive dhe sakrificë e madhe: për  hir të 2-3 për qind të serbëve, të cilët megjithatë nuk do ta pranonin këtë sajesë dhe nuk do ta flisnin kurrë as gjuhën “kosovarishte’. Është më e drejtë që ne ta flasim gjuhën tonë dhe ata gjuhën e tyre, se sa të bëjmë eksperimente koti që na kushtojnë.

Euforia e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë pata përshypjen se do të këndellte edhe një herë përgjumjen e asaj shtrese të shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë që sikur iu bë zhguall breshke përkatësia kombëtare. Të topitur nga varfëria pesëdhjetëvjeçare, të molepsur nga ca ndihma humanitare me hurma e sheqerka, të vënë nën presionin e fqinjëve agresivë e shovinist, një pjesë e tyre turpëroheshin apo e fshihnin të qenit shqiptar. Të tjerët sikur po harrojnë ke e patëm mik e ke armik, kush na gjymtoi dhe kush ishte shkaktar i këtij gjymtimi. Të tretët iu kanë qepur internacionalizmit dhe kozmopolitizmit, pikërisht sepse e kanë ngarkesë të qenit shqiptar.

Euforia e theksimit të 100 –vjetorit të pavarësisë duhet të përseritet çdo vjet. Nuk mjafton vetëm tundja e flamujve, as vetëm fjalimet patetike, por lipset ringjallje e frymës së rilindësve, vënia në pah e vlerave kombëtare, e heronjve tonë, e luftës që bëmë gjatë historisë kundër pushtuesve dhe e përpjekjeve që duhet të bëjmë tash dhe në të ardhmen në forcimin e kombit tonë të bashkuar me përkatësi e mirëqenie evropiane.

Nuk është turp të jesh nacionalist, është turp ta mohosh kombin tënd e të shpikësh kombe të paqena, është jonjerëzore të shtypësh të tjerët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, jugosllav!, Kombi “kosovar” sipas modelit, te kombit

Nuk jemi armiq të barrikadave, jemi mendimtarë të lirë

March 20, 2014 by dgreca

Përgjigje z. Kristo Zharkalliut/

Nga Gani MEHMETAJ/

U pa puna, jemi të kundërt në pikëpamjet politike, por kjo s’na pengon të bëhemi miq. Se nga e keni opinionin e gabuar për Rugovën nuk e di, me ngjanë sikur u ka mbetur diçka me ato pamfletet e majta diasporiste me drapen e çekan, megjithëse ju keni ikur nga drapri e çekani, duke rrezikuar jetën. Kishit rastin të lexonit në gazetat prestigjioze e të shikonit në televizionet perëndimore vlerësimet e dinjitetshme për Rugovën nga Klintoni, Toni Bler, Shroderi e Holbruku, nga analistë e gazetarë me emër kumbues, po ashtu nga shtetet aleate që na ndihmuan pa kursim. Mendimin e këtyre burrështetasve e shteteve që ata përfaqësonin unë e marr tejet meritor, sepse ishin ata që na shpëtuan nga shfarosja e jo përrallat tona për luftë e rezistencë, megjithëse e vlerësoj çdo viktimë e sakrificë që është bërë, sepse ishin njerëzit e kombit e të fisit tim ata që u vranë.

I bindur se jeni të keqinformuar, u përpoqa t’ua zhdavaritë pezhishkat e merimangës, por më nuk do ta bëjë një gabim të tillë. Ju vazhdoni më mendimin tuaj, unë me timin.  Asnjëherë s’ më ka shkuar ndër mend t’ua mbyll gojën. Në moshën tuaj dhe timen opinionet nuk ndryshojnë aq lehtë, bindjet e reja më vështirësi shtresohen në trurin tonë. Me sinqeritet jam përpjekur t’ua sjelle një pjesë të informacionit të munguar, sepse pata ndjesinë sikur largësia gjeografike ua ka mjegulluar pamjen. Largësia ka ndikuar që emrin im t’u duket krejt i pa njohur dhe i padëgjuar. Emri juaj nuk është i panjohur për mua. Shkrimet ua kam lexuar në gazetën Kritika, ku unë e kam të botuar një roman dhe disa tregime. Nuk e marr këtë mungesë informacioni si fyerje, megjithëse shkruaj në pesë gazeta shqiptare në Prishtinë, Tiranë e Diasporë dhe në po aq portale elektronike. Shkrimi është profesion imi kryesor që nga viti 1978.

Z. Zharkalliu, kot më veni prapa barrikadave të polemikave të këtyre ditëve. Unë me sharjet e akademikëve “kosovarë” e shqiptarë nuk merrem fare. Nuk kam asnjë anim tifozësh. Ata le të vazhdojnë të polemizojnë për gjëra triviale, ndërsa shqiptarët në tërë hapësirën e Gadishullit Ilirik kanë probleme më të mprehta. Shqiptarë janë në një udhëkryqin dramatikë me mëdyshjen hamletiane, të rrosh a të mos rrosh, ose: në Lindje a në Perëndim. Asnjëri prej akademikëve tanë nuk na thotë si te futemi në Bashkimin Evropian, si ta luftojmë krimin e organizuar e korrupsionin që është bërë sëmundje e turp kombëtar, askush nuk na thotë si të dalim nga shtjella e ndikimit fatal të orientit që mund të jetë mallkim edhe për brezat e ardhshëm. Disa prej këtyre akademikëve e fusin kokën në rërë si makushi, të tjerët flirtojnë me forcat e korruptuara e agjenci turkoshake, të tretët merren me mustaqet e Çelos, sikurse thonë toskët, apo edhe më keq Stambolli digjet e kurva krihet.

Jam  përpjekur t’ua jap një informacion jashtë zënkave akademike, sepse zënkat e akademikëve me duken brutale si zënkat e politikanëve shqiptarë në Tiranë e në Prishtinë, përplot fyerje e denigrime, sharje nga më të ulëtat.

Nuk e di cili është mos durimi juaj me gazetën “Diellin”, por se si me duket cilësimi juaj “veprim agjenturor’! Përgjigjen time e ka botuar së pari në portalin ‘Fjala e lire’, ku  e lexova shkrimin tuaj, ndërsa kudo tjetër kur është transmetuar është vënë në pah se shkrimi im është përgjigje e shkrimit të “Fjala e lire” e  Kristo Zharkalliut. Nuk njoh personalisht asnjëri as në gazetën Dielli as në portalin “Fjala e lire”.

Metaforat për mbesat e nipërit e Xhungashvillit, s’di pse i morët kaq për zemër, është çështja e mendësisë së tyre e jo gjeneve. Është mbesa e Xhungashvillit me mendësi ajo që ia ofron mikrofonin akademikut tuaj të preferuar të shajë e të fyej si ti vjen për mbarë, ndërsa nuk ua dha asnjëherë mikrofonin të tjerëve t’i përgjigjen.

“Si bëhet pra që kjo parti  atdhetare, mban në gjirin e saj tradhtarë të tillë? Kush mund të më bindë mua se këta “turkoshakë” nuk do të marrin nesër në duart e tyre udhëheqjen e partisë dhe, pse jo, pushtetin në Kosovë, duke e larguar nga trungu kombëtar, duke shojtur ëndrrën shekullore për bashkim kombëtar?” pyesni me të drejtë z. Zharkalliu. Këtë shqetësim e kam edhe unë, këtë pyetje e kam bërë disa herë publikisht. Megjithatë mendoj se është një pjesë e kryesisë së kësaj partie pra e Lidhjes Demokratike të Kosovës që e ka mbërthyer korrupsioni e flirti i rrezikshëm me biznesmenë të korruptuar të vendit e të rajonit. Por duke e ditur që rugovistët në terren e jo në kryesi nuk do të gabojnë të votojnë njerëzit e tillë të korruptuar e “turkoshak” (sepse ju e dini se Rugova e mbante vazhdimisht fotografinë me Papa Gjon Palin e Dytë)  ua thash me siguri se nuk do të kenë sukses. Ajo mendësi properëndimore është mbizotëruese në Kosovë, megjithëse e margjinalizuar e ngulfatur dhe e frikësuar.

Asnjëherë asnjë “turkoshak” i LDK-së (partisë së Rugovës sikurse e quani ju), nuk është përjargur kundër Gjergj Kastriotit apo heronjve të tjerë shqiptarë. Këtë guxim besoj nuk do ta kenë as në të ardhëm. Edhe këtu bëni gabime. Denigrime të papara ndaj Skënderbeut e të tjerëve kanë bërë aleatët qeveritarë. Ndërkaq, akademiku juaj u bënë elozhe këtyre zërave të çjerrë që shajnë heronjtë tonë kombëtar.

Rugovën do ta mbroj edhe më tutje, sepse në partinë që e themeloi ai isha ndër nismëtarët e parë. Politikën e djeshme e të sotme të Tiranës, nuk e kam votuar unë. Janë shtetasit shqiptarë që e votuan. Mbetja e Shqipërisë anëtare e shteteve islamike është fyerje dhe turp për shqiptarët. Por asnjëri ndër kryeministrat shqiptar nuk bëri asnjë përçapje ta shkëpus nga kjo aleancë. Përderisa në dy shtetet e krishtera: në Serbi shtetet islamike investuan  3.5 miliard dollarë, ndërsa 1.5 miliard në Kroaci, në Shqipëri e në Kosovë pos që ndërtuan qindra xhami përçarëse e qendra të regrutimit të xhihadistëve asnjë të mirë nuk na e sollën beduinët e shkretëtirës as qeveritarët e Anadollit.

Noli zë vend të rëndësishëm në historinë shqiptare, është ndër personalitete shqiptare që i çmoj shumë si në punën kolosale që bëri në pavarësimin e Kishës Ortodokse shqiptare, ashtu dhe në poezitë margaritarë origjinale e të përkthyera. Prapë ua them me mburrje se në shkollën fillore e të mesme i kemi mësuar  përmendesh. ‘Anës lumenjve, “Mbahu nëno mos ke frikë” etj.  Njoh shumë “kosovarë” (në parapëlqejmë të na thonë shqiptarë të Kosovës) që e duan Berishën, por njoh edhe të tjerë që e duan Ramën, madje edhe Nanon e Majkon. Simpatitë janë çështje private, pse t’u ndërhyjmë?

Në Panteonin Shqiptar ka vend edhe për Nolin, edhe për Zogun, po edhe për Ismajl Qemajlin e Luigj Gurakuqin, sikurse ka vend për Gjergj Fishëtn aq shumë të anatemuar nga serbët e nga Enver Hoxha. Pse duhet ta luftojmë njërin me tjetrin, mjaftë luftuan ata në mes veti për pushtet. Noli u ngritë me grushtet kundër Zogut, pastaj Zogu e dëboi Nolin. Historia po na përsëritet edhe tash çdo dhjetë vjet për faqe të zezë.

Për dorëshkrimet tuaja sinqerisht me vjen keq që nuk janë botuar. Janë botuar me qindra libra koti në Kosovë, në vend se të botoheshin romanet tuaja, për të cilat nga titulli besoj se do të zgjonin kureshtje të madhe. me një kontakt të duhur besoj të gjeni financues në Prishtinë.

Sërish u ftojë, do t’u ndihmonte shumë t’iu shikonit gjërat nga afër, por ftesën nuk ua bëjë që të zhgënjeheni, megjithëse gjendja është zhgënjyese.

Miku jua: Gani MEHMETAJ

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, jemi mendimtarë, Nuk jemi armiq të barrikadave, të lirë

Bashkëkombësit tim në Athinë-Rugovianët janë mbrojtësit kryesor të vlerave kombëtare

March 13, 2014 by dgreca

Plotësim informacionit të mjegulluar të z. Kristo Zharkalliu, autor i shkrimit “Ç’po ngjet me kosovarët … Rugovianë?”/

Shkruan: Gani MEHMETAJ/

Me keqardhje me duhet të te them z. Zharkalliu se qenkeni tmerrësisht i pa informuar për raportet politike e intelektuale në Kosovë, me gjithë angazhimin tuaj (besoj të sinqertë) për çështjen kombëtare. Më bëhet qejfi kur dëgjoj intelektualë me banim në Athinë që brengosën për kombin, që u vlon në gjak patriotizmi shqiptar, më vjen mirë kur i mbroni vlerat kombëtare, por nuk e di si i keni ngatërruar aq keqas gjërat dhe si merrni guximin të jepni vlerësime kur jeni krejtësisht në mjegull.

Akademikun të cilin ju e mbroni me aq zjarr, madje duke i fyer ata që s’mendojnë sikur ju, është njëri ndër partizanët më të flakët të miqësisë Kosovë-Anadoll, pardon Turqi. Te ne vlerësohet ky akademik-bastion i mendësisë anadollake. Kërkoni në google për këtë emër dhe për këtë temë dhe do të bindeni. Lexojeni edhe ndonjë tekst nga shtypi shqiptar, që nuk ia mbanë anën Berishës, por Ramës. Por mos i besoni R. Xhunges, apo mbesave e nipërve të Xhungashvillit (mbiemri gjeorgjian i Stalinit).

Në polemikën Kadare-Qosja, derisa Kadare mbronte qytetërimin evropian, akademiku juaj shkruante se identiteti islamik është pjesë përbërëse e kombit shqiptar (!). Po ai akademik për të cilin ju i fyeni të tjerët pa pardon, ftoi në takim hoxhën më antishqiptar që ka njohur historia e re shqiptare, një mercenar vehabist e ngatërrestar që e ka fyer keqas (madje e paditën në gjyq një grup intelektualësh)  Nënën Terezë. (“Nëna Terezë, do të shkoj në Ferr, sepse është katolike, vetëm myslimanët do të shkojnë në xhenet”, përjargej ky hoxhë mjekër palarë, para besimtarëve tru shpërlarë, ndërsa u prit me pompë nga akademiku juaj i dashur. Ky takim në mes të një akademiku dhe një hoxhe mendjemykur u kuptua si tumirje për fyerjet që ia bëri Nënës Terezë, por edhe për fyerjet ndaj personaliteteve të tjera shqiptare, sepse ky hoxhë s’ pranë se fyeri shqiptarët në xhaminë më të madhe të Prishtinës që e rinovoi Erdogani i korruptuar ). Ashtu sikurse më vinte mundim e pështirosje kur e dëgjoja Qosjen se si i bënte elozhe hoxhës antishqiptar, ashtu pështirosesha kur i shihja në një xhirim në FB disa akademikë të Tiranës sesi i bënin elozhe kryepeshkopit Janullatos. Më dukeshin si pionierët e diktatorit Hoxha që tash e zëvendësonin diktatorin e vdekur me grekun Janullatos. Sa mjerim për akademikët shqiptarë, shpirtshitur.

S’ka intelektual e shqiptar të Kosovës më mend në kokë, që nuk ia pa për të madhe akademikut tënd të dashur si u takua me një hoxhë fanatik komb përçarës. Shih tekstet në google.com. Reagime kundër këtij takimi pati edhe nga analistë shqiptarë të Tiranës, të cilët gjithnjë e kanë mbështetur akademikun tënd, madje e mbështeten edhe në fushatën politike kur ai humbi keq.

Po ky akademik juaj, i quajti gjeni të shekullit e personalitetet më të mëdha në Ballkan dy xhelatët më të mëdhenj të shqiptarëve Titon (vrau 50.000 shqiptar të Kosovës vetëm në periudhën 1945-49, në kohë paqeje) dhe Enver Hoxhën (ju mund ta dini sa shqiptarë vrau e sa burgosi ). A do të thotë se pajtoheni me cilësimet e akademikut tënd për dy shqiptarëvrasësit më famëkeq?

Prapë shkruani fjalë miradije e nuk e dini kush ishte në Komisionin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës për pastrimin e teksteve shkollore nga nacionalizmi shqiptarë, dhe cili ishte roli ndonjë historiani tjetër në shpëlarjen e trurit të shqiptarëve, kur donin të fusnin në tekstet shkollore kinse Turqia nuk na pushtoi as nuk na masakroi, por na sundoi e na qytetëroi(!!!). Prandaj, z. Zharkalliu, të ne themi: mos hy në mal pa sopat, se të del ariu para e s’ke si e përballon.

Ata intelektualë që i sulmojnë vlerat kombëtare të djathtë nuk mund të quhen, djaj e maskarenj gjithsesi janë. Janë të djathtë e kombëtar ata që i mbrojnë vlerat kombëtare. Komunistët e të majtët nuk kanë komb as atdhe, kombëtarët e të djathtët betohen në komb e në atdhe, apo mëmëdhe, njëjtë është.

Ata që e shajnë kombin janë pjell bastarde. Athua janë shqiptarë? Ndër ne thuhet, ai që ngre dorë mbi babanë, nuk është i biri, ai është bastard që duhet ta kërkoj babanë gjetiu. Pos disa të shiturve e dështakëve të cilëve fatkeqësisht u jepet hapësirë e madhe mediale, asnjë intelektualë apo krijues në Kosovë nuk i ka sulmuar vlerat kombëtare. Dështakët e ndonjë deputet filoserb e filoturk nuk quhen intelektual.

Vlerësimi juaj për Rugovën është tmerrësisht i gabuar, i njëjtë sikurse vlerësimet  e enveristëve të përbetuar në Tiranë e në Prishtinë (ata nuk ia falen, sepse Rugova nuk pranoi t’i bënte nderime varrit të E. Hoxhës në kohën e Ramiz Alisë) dhe titistëve të hallakatur që kokën e kanë në Beograd e të prapmet në Prishtinë. Shqiptar i Kosovë me mend në kokë, apo që nuk ia ka shitur shpirtin djallit në Serbi, Anadoll apo Arabi nuk u ka shkuar në mend  të thonë për Rugovën cilësimet tuaja. Ju nuk jeni të tillë, por jeni tmerrësisht të painformuar.

Rugova kurrë nuk qe komunist i përbetuar, sikurse shkruani ju, ndërsa e keni me të dëgjuar nga enveristët, përkundrazi ishte student i shkollës së Parisit apo student i Roland Bartit. Babanë nacionalist ia vranë komunistët serb- vëllezërit  e Enver Hoxhës.

Është shumë e vërtetë se LDK-ja ka disa deputetë maskarenj për të cilët dyshohet se janë të shitur të mafia e Anadollit, është brengosëse se një grumbull i tyre si kopeja ka kohë që e kanë shmangur rrugën pro perëndimore të Rugovës, të joshur nga lirat turke, mirëpo fryma e Rugovës është ende shumë e pranishme në Kosovë, madje mbizotëruese. Ata deputetë të shitur do të shlyhen nga kujtesa jonë si bora e parvjetme. Shpresoj se kurrë më nuk do t’u dëgjohet zëri nga foltorja e Kuvendit.

Mos e quani intelektual dështakun taliban e maskara që e shau Andon Zako Çajupin, sepse në këtë mënyrë i fyeni intelektualët në Kosovë. Shumica e shkrimeve të këtij të shituri janë të përpiluara në Beograd, ai vetëm i transmeton në televizionet islamike të Tiranës, apo revistat paçavure të Shkupit, ashtu sikurse e urdhërojnë punëdhënësit. Ai nuk foli poshtërsisht vetëm kundër shkrimtarit tonë të preferuar Andon Zako Çajupit, poezitë e të cilit i kemi mësuar me aq kënaqësi, dhe na e kanë mbajtur gjallë shpirtin atdhedashës, kur ishim nën okupim, madje edhe sot shumë nga këto poezi i di përmendesh. Kur e deklamoj poezinë “Mëmëdheu” rrëqethem nga emocionet si atëherë kur isha nxënës i fillores apo i gjimnazit.

“Intelektuali”taliban, të cilin ju e cilësoni gabimisht të djathtë, shau shqiptarët katolik, shau Vatikanin, shau heronjtë kombëtar, u përpoq ta interpretoj historinë ashtu sikurse e bënte propagande serbe para dhe gjatë kohës së Millosheviqit. Sipas kësaj propagande serbe e millosheviqiane, armiku kryesor i Serbisë janë katolikët dhe Vatikani. Edhe sipas këtij far Mullazimit armiqtë kryesor janë katolikët dhe Vatikani. Shihni dallime në mes të propagandës serbe dhe propagandës së shqipfolësit të shitur?

Rugovistët janë mbrojtësit kryesor të vlerave kombëtare shqiptare dhe qytetërimit evropian, të cilit i takojmë historikisht, gjeografikisht e me mendësi. Kot i bie në qafë Rugovës së ndjerë, jeni të helmuar nga propaganda e akademikut komunist, ish-pionierit të Titos dhe vëllait të tij Enver Hoxhës, të mbështetur në televizionet shqiptare nga mbesa e Xhungashvillit, Rudina Xhunga.

Të përshëndes më dashamirësi nga Prishtina. Të mirëpres për t’i davaritur pezhishkat e merimangës.

Filed Under: Komente Tagged With: Gani mehmetaj, mbrojtesit e vlerave Kombetare, rugovianet

Letër informative kryeministrit Hashim Thaçi:Zyrtarët tuaj po shpifin akuza të ndyta

March 11, 2014 by dgreca

Katër orë me mbajtën policët tuaj hetues në bisedë informative, “nën dyshimin e hajdutit ordinerë për krime të rënda!” Keni dëgjuar ju t’i kurdisin shkrimtarit të 12 veprave të botuara, e drejtorit të institucionit prestigjioz të kulturës akuza për vjedhje kamere?!!/

Shkruan: Gani MEHMETAJ/

Kohë më parë u shkrova me shpresën se do të merreshit seriozisht me Kosovafilmin për ta penguar shuarjen e këtij institucioni. Por zyrtarët e Ministrisë së Kulturës si për inatin tuaj, nxorën një zëdhënëse të lodhur e të padijshme, e cili tha se Kosovafilmi nuk po shuhet, por po bëhet arkiv, sikur të thuhej kështjella nuk po rrënohet, por po bëhet kasolle!

Në letrën e kaluar po ashtu u bëra thirrje: mi ndalni zyrtarët e ndërsyer që po me turren pa ia nda. Nuk e di a s’ më morët vesh, apo zyrtarët u kanë dal dorësh e po ua pinë duhanin tinëz, por ata i kanë intensifikuar shpifjet. Në një “dosje” paçavure të dërguar në hetuesi, nuk kishin lënë gjë pa shpifur kundër drejtorit të Kosovafilmit. Në atë fashikull, që më dukej si letër e ndotur tualeti, të përpiluar nga auditori i brendshëm B. Gashi dhe i porositur nga sekretari primitiv e i paarsimuar V. Firzi, kishte një mal falsifikimesh e  shpifjesh që s’ta kap mendja, por edhe fshehje dokumentesh zyrtare, saqë hetuesia e prokuroria do të duhej t’i arrestonin, sikur të funksiononte shteti.

E dini cila ishte njëra ndër shpifjet? Me akuzojnë se e kam vjedhur kamerën e Kosovafilmit!!! Ka ndotësi më të madhe? U dukem hajdutë unë? Do ti toleroni edhe më këta shpifës të pafytyrë?

Sistemet totalitare i akuzonin kundërshtarët politik- intelektualët e shkrimtarët si armiq të partisë apo të socializmit, ndërsa zyrtarët tuaj po më akuzojnë për krime të rënda! Me zellin e tyre shpifës po ua kalojnë edhe shkive të Beogradit.

Pse i lejoni këta maskarenj të sillen kaq ulët ndaj meje? Gjithë kohën po thirrën në emrin tuaj. Ku e ka burimin urrejtja e tyre e sëmurë ndaj ekspertëve të kulturës? A do të guxonin të silleshin kaq poshtërsisht ndaj cilitdo ish komandanti të Muçivercës?

Denoncimi – paçavure pa asnjë fakt

Prej zyrtarëve të MKRS-së mund të pritën pisllëqe edhe më të mëdha. Ata janë të paskrupullt, si t’i kishin kryer shkollat e gënjeshtrave në Beograd. Në padinë që do ta bëjë në gjyq për këto falsifikime do të kërkojë të dënohen për falsifikime, fshehje e zhdukje të dokumenteve zyrtare.

Nuk me habisnin shpifjet, ata me kundërshtarë politik kështu i qerojnë hesapet, sa më bënte nervoz hetuesi, i cili ketë paçavure të ndotur ma nxirrte para fytyrës, duke me thënë ja keqpërdorimet. Nga katër orë pyetje-përgjigje, më shumë se një orë ai më tregonte çka është dashur të bëjë e çka jo, mua profesorit në fakultet, ndërsa ai nuk e di a ka arritur ende të shkallët e fakultetit. Ku e mori guximin të më mbante ligjërata hetuesi me revole në brez? Orën tjetër e humbëm në përpjekje t’i tregoj se nuk është puna e tij të me shes përralla (“ asni ministër s’koka i mirë për ty”, ma vinte si akuzë hetuesi mençurak, derisa përpiqesha t’ia tregoja gjenezën e konfliktit. Hetuesin e kam denoncuar dy javë më herët të Zyra Disiplinore e Prokurorisë së bashku me prokuroren M. Llugiqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe instrumentalizim nga instanca më të larta). Hetuesi jepte cilësime ofenduese për karakterin tim eksploziv me guximin e njeriut që e mbante revolen në brez.

Megjithatë përpiqesha ta mbaja gjakftohtësinë duke e dhunuar natyrën time. Doja të dilja sa më parë nga kjo hale. Prandaj i thash:  Pse nuk e pyet Auditorin e përgjithshëm, i cili çdo vjet e ka vlerësuar punën e Kosovafilmit. Hetuesi nuk i kishte konsultuar as zyrtarët e Shërbimit të Financave në MKRS-së, ndërsa ishin pesë zyrtarë-ekspertë te të cilët Kosovafilmi i kishte bërë raportimet financiare. Me ke paska biseduar pra? Me rojtarë objekti e pastruese?

Por do t’ua çjerr maskat e gënjeshtrave në gjyq.

Gjatë pyetje-përgjigjeve, hetuesit dhe kolegut të tij, u thash se po veproni si në regjimin e Stalinit: me akuzoni, ndërsa me thoni dëshmoje se nuk je fajtor. Në fund e nënshkrova çdo gjë që e kishte përpiluar hetuesi me leximin e vetëm dy pasuseve (kurrë nuk kam lexuar raport zyrtar më aq shumë dhunime të gjuhës shqipe nga një shqipfolës. Për tmerr!), sepse doja të dilja sa më parë nga ai vend që ma zinte frymën. Por po ashtu dola i sigurt se s’mund të më bëjnë asgjë, pos që po ma humbin kohën time të çmuar, sikurse duan të më fyejnë dhe po mi cingërisin nervat me terror psikologjik të tipit stalinist.

Ajo ndërtesë ku po jepja deklaratë katër orë, sikur të kisha bërë përbetim kundër shtetit, ma kujtonte vitin 1998, kur me pati ftuar në bisedë informative polici arrogant serb si të ishte vëllai i sekretarit Firzi. Polici i Serbisë më akuzonte për armë, polici i Kosovës me akuzonte për krime të rënda!!!

Mi shkyçni aparatet e përgjimit

Në Zyrën e KPMSHCK është dosja ku dëshmohet se hetuesi është i kurdisur kundër meje. (Disa ditë para se të më pezullonin nga puna, hetuesi B.A. nisi kinse ca hetime sa për t’u dhënë shkas të më pezullonin. Herën e dytë, shtatë muaj më vonë, përkatësisht dy ditë pasi Këshilli i Pavarur urdhëroi Ministrinë e Kulturës të më kthente në punë, prapë i njëjti hetues bëri ca hetime, për të pasur pretekst  MKR të shkruante se kundër meje po bëhen hetime).

Pas gjithë këtyre peripecive u thuaj zyrtarëve tuaj të mi shkyçin aparatet e përgjimit, sepse mund t’i padis për përgjim të paligjshëm në Prokurorinë e EULEX-it. Asnjë  përbetim nuk po e bëjë kundër shtetit, lë ta heqin nga praktika përgjimin e intelektualëve- kundërshtarë politik, lë të shkëputën më në fund nga reminishencat e Veshit të Madh.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, Kryeministrit Thaci, leter publike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT