• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vizita e Daçiqit, ngjarje e rëndë për Kosovën

October 19, 2013 by dgreca

Nga Gani QARRI/ Zvicer/

Ditë si kjo, nuk janë ditë nderimi,as të shenjta,nuk festohet shtetësia as shpallja e pavarësisë,nuk kujtohet dita e flamurit dhe nuk ka të bëjë fare me festa as gëzim kombëtar për shqiptarët. Përkundrazi,mund të konsiderohet  fatkeqësi e cila paralajmëron lëkundjen e të ardhmes së tyre.

Është ditë brenge, frike dhe mërzie, ditë e vështirë mallkimi dhe turpërim mbarëpopullor,për të gjithë ne. Ditë nga më të rëndat sidomos për bashkëfamiljarët e të pagjeturve,të cilët që nga pas lufta,presin me ankth kthimin e bijve të tyre për më shumë se 14 vite me radhë, pa fije shprese as ngushëllimi.

Ditë kur edhe një herë në vendin tonë mbërrin ish bashkëpunëtori më i ngushtë i Millosheviqit, pasuesi më i flakët e besnik,partiak dhe shtetëror,i cili edhe sot e kësaj dite mbanë peng mbi 1730 trupa të kidnapuarish shqiptar,që nga koha e sundimit të ish babait të tij ideologjik.

Ditë kur kryeministri aktual i Serbisë Ivica Daçiq, pas gjithë atyre katrahurave që kanë pësuar shqiptarët, vije pa asnjë pengesë të mbaj fjalime e zhvillojë edhe fushatë parazgjedhore në Kosovë.

Ditë kur qeveria jonë,në vend të punëve të mira dhe me mend vizitat e munguara të zyrtarëve të lartë ndërkombëtar, i kompenson me vizita funksionarësh serb, të cilët pa asnjë rregull dhe kriter,vërshojnë njëri pas tjetrit, në mënyrë legale dhe ilegale,fshatra dhe qytete gjithandej,për mbështetjen e  listës “serbe” të propozuar nga Serbia në fushatën zgjedhore të vendit tonë.

Ardhjet e programuara serbe që moti dhe të deklaruara prej kohësh nga ta, edhe pse nga shumica shqiptare cilësohen të dëmshme për Kosovën,ato për të realizuar qëllimet e Serbisë, kamuflohen si fetare dhe në të drejtën për të vizituar manastiret, ani pse ritet fetare,si proces nuk do duhej të kishin asgjë të përbashkët me fushatat parazgjedhore të një shteti fqinj.

Është vërtet e çuditshme sesi vizitat zyrtare të funksionarëve serb,planifikohen dhe renditen shumë kohë përpara, dhe në atë mënyrë që me çdo kusht të ndodhin dhe realizohen pikërisht në kohën e ngjarjeve publike dhe politike, siç është edhe fushata e tanishme zgjedhore në Kosovë.

Prijësit aktual, përkundër përvojës së hidhur me cilëndo vizitë të funksionarëve serb në vendin tonë,nuk u mbushën mend asnjëherë, ngase edhe kur ato lajmërohen si fetare, nuk nisin as përfundojnë me  karakter as natyrë kishtare,por secilën herë lidhen me politikë dhe shprehin urrejtje si për vendin e pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe për bashkësinë tonë kombëtare.

Kështu që nuk ka si të kuptohet mossanksionimi i ndalesave të proklamuara më parë nga organet e shtetërore ndaj tyre, as në raste zgjedhjesh dhe ngjarjesh kombëtare. Ndaj, mbi çfarë parimesh e bazon shteti ynë sovranitetin dhe pavarësinë e tij, atëherë.

Mbivendosja e vizitave serbe, mbi ngjarjet madhore publike dhe shtetërore, kalon të gjitha caqet e të drejtave të besimit dhe respektimit të riteve fetare, sidomos atëherë kur ato kthehen në ndërhyrje të drejtpërdrejta politike mbi zgjedhjet, sistemin shoqëror dhe mënyrën e jetesës në vendin tonë.

Qeveria e Serbisë dhe ministrat e saj, kurdo që duan, mund të takohen me”Zotin” e tyre edhe në kishat e manastiret ortodokse në Serbi dhe jo të zhvendosin misionet e tyre fetare, në objektet tona të kultit  për realizimin e qëllimeve të tyre politike në Kosovë.

Tashmë është e njohur për të gjithë se asnjë ministër serb dhe as kryeministri i tyre, nuk vijnë vetëm sa për tu lutur në vendin tonë,por misioni i tyre ka për qëllim “zaptimin” e rrugëve,shesheve dhe hapësirave të këtij vendi,dhe shuarjen e etjes serbe, për dukjen dhe ngritjen e Serbisë mbi kokat tona, edhe në raste zgjedhjesh,festash e gëzimesh sërish në Kosovën e lirë.

Qeveria serbe, për institucionalizimin me çdo kusht të prezencës së saj në Kosovë, së fundi ka filluar ti rrah dhe frikësoj me hedhje bombash e eksplodime të të gjitha llojeve edhe kandidatët vendor serb,madje cilindo nga ta,që nuk u takon të zgjedhurve të saj,duke luftuar për fitoren pa tjetër të listës së Serbisë në vendin tonë.

Ekspeditat e tilla,nuk dinë të ndalur,ani pse për të satën herë është dëshmuar se shëtitjet e funksionarëve serb,nuk kanë të bëjnë aq me manastire as rite fetare, sa kanë të bëjnë me ndërhyrje të qëllimshme politike në vendin tonë.

Ato përdoren vetëm si arsyetimi i përshtatshëm, gati pa mundësi mohimi dhe si rrugë gjithmonë e hapur për Serbinë, përmes të cilës ajo më së miri instalon nacionalizmin serbomadh në Kosovë, mision ky të cilin me lejet dhe pavendosmërinë e saj,ka kohë që e ndihmon edhe qeveria  jonë, gjë që po përsëritet edhe një herë me rastin e këtyre zgjedhjeve në vend.

Cyrih, 19 Tetor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: Gani Qarri, kosova, Vizita e Dacicit

A kanë arsye të (mos)votojnë shqiptarët

October 12, 2013 by dgreca

Nga Gani QARRI/

E pabesueshme, por e vërtetë, ata të cilët për vite u mbajnë “ders” bashkëkombësve se janë çlirues dhe heronj,sot bëjnë fushatë të përbashkët zgjedhore me ish zaptuesin e vendit, duke kthyer edhe një herë, erën e rëndë të pushtimit serb në këto troje, i cili për mëse 100 vjet ua pati zënë frymën shqiptarëve, që kërkonin liri nga ky shtet okupues.

Politikanët e aktual, pozitë dhe opozitë, duhet të japin përgjegjësi edhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme,ndarjen e vendit dhe krijimin e entiteve të paqena autonome, deri më tani ,për të cilat negociohet pandërprerë, që nga viti 2011 e këtej me Serbinë, në dëm të Kosovës.

Përmbytja e vendit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar,jo vetëm se ka tkurrur tej mase perspektivën e shqiptarëve edhe gati 6 vjet pas pavarësisë,si populli më i varfër në rajon,por ato edhe janë bërë profesionet më të lezetshme me të cilat autorët e tyre të devotshëm, krenohen dhe krijojnë pasuri e pushtet,pa u brengosur se qojnë shtetin e ri të Kosovës në Dështim.

Ndaj,shqiptarët kanë shumë arsye që të bojkotojnë zgjedhjet e 3 nëntorit dhe të mos votojnë për këtë kastë politikanësh,të cilët për vite me radhë, janë bërë shkaktarët kryesor të të gjitha të këqijave që përjeton Kosova dhe populli i saj.

Prijësit e këtij vendi,kush më pak e kush më tepër,jo vetëm se varfëruan skajshmërishtë popullin e tyre ,ngritën korrupsionin në kult jetese dhe vranë pa asnjë mëshirë perspektivën evropiane të shqiptarëve,por të gjithë bashkë edhe pranuan që më 19 Prill të këtij viti,në bisedimet e “suksesshme” ndërmjet Thaçit e Daçiqit,qysh atëherë të krijohej e ashtuquajtura “bashkësi etnike serbe”të cilën shumica e deputetëve në pushtet dhe opozitë, e miratuan  në Kuvend, ani-pse Serbia në këtë mënyrë,siguroi statusin autonom për Veriun dhe “Bashkësinë e Komunave Serbe, në Kosovë”

Kështu,ish shtetit okupues, duke parë dorëlirësin e pafund të prijësve aktual të vendit,si të asnjë shteti tjetër përreth nesh,lëshimet e bëra,megjithëse ishin shumë, nuk i mjaftuan,ndaj shfrytëzoi rastin të siguroj hise edhe në zgjedhjet e Kosovës,për çka me ftesën e baroneshës Eshton, siç jemi mësuar tanimë,me mënyrën tradicionale të organizimit, u mbajtën edhe bisedimet e 7 tetorit të këtij viti sipas diktatit serb,ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit në Bruksel,të cilat nuk ishin asgjë tjetër përveçse dështimi i radhës,i qeverisë,opozitës dhe shtetit në përgjithësi,për të përfunduar edhe me një fiasko tjetër për vendin dhe goditje të rëndë për të ardhmen e shqiptarëve në këto troje.

Përveç hises që Serbia fitoi për bashkëmbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës, ajo sipas marrëveshjes së fundit,(qoftë e fundit)do ta udhëheqë edhe fushatën zgjedhore të ish listës së përbashkët “Serbija” tani,të modifikuar si “Lista serbe” të cilën me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në fshatra dhe qytete anë e mbanë vendit,nga Leposaviqi deri në Shtërpcë e Prizren,do ta mbështesin dhe përkrahin përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Serbisë.

Gjithashtu,komplet qeveria serbe, duke filluar nga kryeministri Daçiq, zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ministri i ashtuquajtur “për Kosovën” Aleksandër Vulin,ministra dhe zëvendministra të të gjitha dikastereve e deri te kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliq, ditët e ardhshme, do të vërshojnë vendin tonë në të gjitha anët, shëtitën lirshëm kudo dhe bëjnë fushatë të papenguar gjithandej,njëjtë si në Serbi, edhe në Kosovë.

Madje,të gjithë serbët të cilët e quajnë veten të “Kosovës” ani pse ata mund të jenë lindur e rritur në Serbi,dhe përpara mund të kenë qenë vetëm polic apo edhe ushtarak serb të ardhur nga Serbia për luftimin e “irredentistëve”në Kosovë, më 3 nëntor të këtij viti mund të votojnë me dokumente të Serbisë në zgjedhjet lokale të vendit tonë,por jo edhe mërgimtarët shqiptar.

Shifra e votuesve serb në Serbi, është fryrë deri në rreth dyzetmijë vetë, një pjesë e aplikacioneve false të të cilëve,në mungesë të dokumenteve valide, me të drejtë janë refuzuar nga KQZ,por që pas takimit të fundit në Bruksel ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të gjithë atyre pa përjashtim, u është bërë e mundur, të shtrojnë ankesa kundër vendimeve të KQZ-s.

Në anën tjetër nga rreth gjysmë milioni votues-shtetas të Republikës së Kosovës me të drejtë vote,sa ka në diasporë, KQZ, ka regjistruar vetëm 1800 sish, duke u mohuar pa asnjë sqarim pothuajse të gjithë mërgimtarëve shqiptar të drejtën e votimit, pa asnjë mundësi ankese për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti.

Sidoqoftë, pa harruar qëndrimet e papërgjegjësi të politikanëve aktual, athua si i`a kanë qitur terezinë shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovë, ta pranojnë dhe lejojnë ndërhyrjen e një vendi tjetër në zgjedhjet e tyre,sidomos të një shteti të pa rehatshëm fqinj si Serbia,që jo vetëm se refuzon ta pranojë pavarësinë, por ajo ka edhe pretendime territoriale ndaj vendit tonë e cila edhe me kushtetutë,ende e konsideron Kosovën si pjesë të saj?!…

Mjerisht, shqiptarët,e udhëhequr nga politikan të tillë, nuk kanë çka të zgjedhin as çfarë të lënë,ngase mu këta prijës janë vet problemi i këtij vendi. Ndaj,si shumicë ,shqiptarët duhet ta pyesin veten se a është e udhës,që ata të marrin pjesë në këto zgjedhje, vetëm sa për ta legjitimuar ngrehinën autonome serbe në Kosovë?!…

A duhet të dalin fare në zgjedhje,kur ata në të  vërtetë nuk kanë as për kënd të votojnë?.. cilët janë ata emra që edhe pas gjithë këtyre të këqijave të grumbulluara, ende meritojnë votën e tyre,kur për fatin e keq të shqiptarëve, cilado parti apo kandidat që mund të vijë në pushtet nga politikanët aktual,për ta është mëse e sigurt se nuk do bëhet asgjë më mirë.

Ndaj edhe po nuk votuan fare, për shqiptarët më zi- më nuk ka se ku të shkojë, përveç se mund të shpëtojnë nga një kurth dhe tradhti e madhe kombëtare, si aprovimi me votën e tyre, i një ngrehine autonome serbe në Kosovë, e cila pas këtyre zgjedhjeve edhe do të legalizohet ndërkombëtarisht dhe nuk mund të zhbëhet më kurrë.

Kështu,duke parë rreziqet që qojnë edhe në ndarjen e sigurt të vendit me këto votime, pa asnjë dobi për shumicën,dhe shumë të dhimbshme për dhjetëra mijë-të dëbuarit shqiptar me dhunë nga pjesa veriore, të cilët nuk do të guxojnë më asnjëherë të kthehen në ato anë, me të drejtë lind pyetja-përse duhet dalë patjetër në zgjedhje,apo vetëm për realizimin e planeve të Serbisë në Kosovë.

Por edhe përkundër të gjithave,nëse ju megjithatë vërtetë vendosni të dilni në zgjedhje,ju lutem mendoni vetëm pak,para se të votoni,se a janë këta njerëzit e duhur që mund të ndryshojnë diçka për të mirën tuaj,dhe para së gjithash, a keni kujt t`ia epni votën, kënd dhe çka të zgjidhni or shqiptar të dashur,ngase të pakt duhet të jenë ata udhëheqës dhe shtete në botë, nëse edhe mund të ketë të tillë, të cilët çliruan vendin me ndihmën ndërkombëtare,por pas pak vitesh u penduan dhe rikthyen pushtuesin në atdheun e tyre, me vullnetin e vet, siç ndodhë tani me mbretërit kosovar.

Gani Qarri, Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arsye, Gani Qarri, shqiptaret, votim

Dashuritë e pavenitura alla-turke

October 8, 2013 by dgreca

Kryeministri dhe burrështetasi më i njohur anglez i shekullit 20, udhëheqës i Britanisë së Madhe në kohë lufte dhe paqe,autor i veprave të njohura politike dhe historike i cili në vitin 1953,do të dekorohej edhe çmimin Nobel për letërsi, Winston Churchill, gjatë jetës do të kalonte sprova nga më të ndryshmet. Ai megjithë autoritetin e lartë që gëzonte në kohën e tij,do të përjetonte edhe dështime,duke humbur  zgjedhjet, fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore,përkundër arritjeve në udhëheqje të vendit dhe shkëlqimit në luftën kundër trupave gjermane.

Aftësitë e tij, si njërin ndër politikanët më të sprovuar dhe më të zot ndërkombëtar,e mbuluan Churchill-in  me lavdi dhe bënë personalitet të pazëvendësueshëm për ngjarjet më të mëdha,si në luftë ashtu edhe në tryezat ndërkombëtare të bisedimeve nga fuqitë vendimmarrëse, për zhvillimet në fronte dhe të ardhmen e Botës,në paqe,pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, njeriut të cilit kurrë nuk i mungoi shkëlqimi,fama dhe sukseset për çuarjen e Atdheut të tij- Britanisë së madhe përpara, në luftë dhe në paqe, ai i shtrirë në shtratin e vdekjes,kur të afërmit që i rrinin mbi kokë, qanin për shuarjen që po i afrohej, Churchill i mundur nga lodhja,u tha: “mjaftë ishte, se më ka ardhur në majë të hundës me të gjitha”.

 Për fat të keq,të shumtën e rasteve vetëm kombet e mëdha sikur nxjerrin njerëz të mëdhenj,kurse kombet e vogla shumë sish,vuajnë gjatë për personalitete të tilla,në mesin e të cilëve dallohen shqiptarët,si populli më i varfër dhe me deficitin më të madh në rajon e më gjerë për mungesë udhëheqësish të zot e me renome ndërkombëtare,dhe me dinjitet të pa lëkundshëm kombëtar, jo vetëm tani.

Ndoshta si pasojë e këtij fenomeni, ata thuaja se çdo herë mbetën të prirur që të dashurohen, symbyllas, shpejt dhe në gjithkënd,të cilët pa studiuar shumë pranojnë dashurin e cilitdo, qoftë ajo edhe- jo plotësisht e kthjellët, e dyshimtë dhe jo sa duhet e sinqertë.

Kështu ndodhë sot,edhe në raport me Turqinë,e cila përkundër “dashurisë” së pafund që tregon “për ne”, ajo rreshtohet ndër dëmtuesit më të mëdhenj të shqiptarëve, në të gjitha kohët.

Për aq më keq,Turqia,ishte dhe mbeti bashkëpunëtorja dhe aleatja kryesore e armiqve më të mëdhenj për zhdukjen dhe asgjësimin e përgjithshëm të kombit shqiptar, nga trojet e tyre etnike në Ballkan dhe Evropë,bashkë me Greqinë dhe Serbinë.

Siç mësojmë nga historia e kombit, pas pazareve të fshehta turke dhe shitjes lirë të shumë tokave shqiptare,Serbia hegjemoniste,që nga vitet 1877,do të zbrazëte krahina të tëra,si Nishi dhe krahina e Toplicës, sipas planit të ministrit të jashtëm serb Ilia Garashanin, të njohur me emrin, “naqertania” e projektuar që më 1844, për shpërnguljen masive të shqiptarëve.(A.Ajvazi, “Muhaxhirët e Llapit”)

 

Ajo,atëbotë përmes gjenocidit të ushtruar,spastroi mëse 700 fshatra dhe dëboi mbi 30.0000 banorë autokton shqiptar, pra një territor përafërsisht me madhësi sa Kosovës së sotme.

(Bota Sot/ 16.01 2013″ Serbia theri 70.000 shqiptar dhe dogji 600 fshatra shqiptare”)

Zanati i tregtimit të trojeve tona nga Perandoria Turke, nuk pushoi asnjë herë, deri në shkatërrimin e plotë të saj,ajo për faljen e Plavës dhe Gucisë,nga Stambolli do ta dërgonte vet mareshalin turk,Magjar Pasha, i cili më 7 shtator të vitit  1878,për këtë shkak edhe do të vritej nga kryengritësit e Lidhjes, nën udhëheqjen e Sylejman Vokshit, Ali Ibrës, Mic Sokolit etj, në kullat e Abdullah Drenit në Gjakovë.

Kjo Perandori bëri dorëzimin e Tivarit,Ulqinit, Hotit Grudës,Malit të Zi, e deri në dorëzimin e Kosovën së sotme,Serbisë. Ndaj këto dhe shumë “gjynahe” tjera, e bëjnë Turqinë tejet të dyshimtë,në “dashuritë” e saj platonike ndaj shqiptarëve.

Jo vetëm Perandoria Turke do të falte tokat shqiptare,sipas vendimeve ndërkombëtare që nga paqja e “Shën-Stefanit” (e 3,marsit të vitit 1878 ),dhe “Kongresi i Berlinit”,(13 qershor-13 korrik 1878 etj),por edhe vet Turqia “moderne”do të tregonte kujdes të veçantë për shpërnguljen e organizuar të shqiptarëve,me marrëveshje dypalëshe,si me Greqinë ashtu edhe me Serbinë,për deportime të pareshtura, të bashkëkombësve tanë nga trojet e tyre evropiane, në shkretëtirat e Anadollit dhe të Azisë.

 

Për këtë qëllim, që në vitin 1923, në Lozanë të Zvicrës,ajo do të nënshkruante një marrëveshje me Greqinë për shpërnguljen masive të  shqiptarëve nga Çamëria dhe më gjerë,kurse në vitin1938,po kjo Turqi do të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme  me Serbinë,për dëbimin e shqiptarëve edhe nga trojet e tyre etnike,nën pushtimin sllav. 

Pra,”mikja e jonë  e madhe”- Turqia,përkundër “dashurisë” së pakufi që kurdoherë shprehu ndaj nesh,për mbi një shekull, ajo ishte dhe mbeti jo vetëm aleatja kryesore e Greqisë dhe Serbisë për zhbërjen e kombit tonë, por edhe importuesja më e madhe e të gjitha kohëve dhe më e pamëshirshme e miliona shqiptarëve, nga trojet e tyre etnike.

Greqia as Serbia,përkundër përpjekjeve të tyre të pareshtura,pa ndihmën turke,kurrë nuk do të kishin forcë as mundësi për deportime të tilla masive dhe zbrazje me kaq shumë sukses, të trojeve tona etnike nga shqiptarët,sikur Turqia të mos shndërrohej në Deponi deportimi dhe Lokomotivë tërheqëse e pothuaj të gjithë vagonëve grek dhe serb,për bartjen e qindra mijëra dhe miliona shqiptarëve nga Evropa në Azi.

Ndaj,që nga fillimi,qeveritë turke, mblodhën rreth 5-6 milion bashkëkombës tanë, të cilët për nga numri, bëjnë më shumë se sa vet banorët e Shqipërisë dhe Kosovës- bashkë, për ti shpërndarë dhe përhumbur ata si skllavët gjithandej Turqisë. 

Për fat të keq, përveç deportimit me dhunë, atyre asnjëherë për shekuj me radhë,nuk u është njohur asnjë e drejtë elementare, gjuhësore apo kombëtare, duke i asimiluar dhunshëm pothuajse gati të gjithë, pa lejuar kurrë, as në ditët e sotme të zhvillimit dhe trajtimit bashkëkohor,kur Evropa dhe SHBA,tregojnë respekt dhe lejojnë  gjuhët e kombeve tjera,edhe kur ato janë pakicë, asnjë qeveri turke,kurrë nuk lejoi,qoftë edhe një shkollë të vetme në gjuhën shqipe, për gjithë këta miliona shqiptar që pa fajin e tyre,u detyruan të jetonin në Turqi.

Në anën tjetër,po ky shtet aziatik,tregoi aq shumë etje dhe pangopshmëri për importimin e shqiptarëve, sa që përveç marrëveshjes së Lozanës me grekët në vitin 1923,Turqia do të nënshkruante një traktat të ngjashëm edhe me mbretërinë Jugosllave,në vitin 1938,gjithnjë për deportimin me dhunë të shqiptarëve edhe nga trojet tona etnike nën pushtimin sllav.

Marrëveshja Turko-Jugosllave, e vitit 1938,do të shoqërohej edhe me një planë të detajuar pesëvjeçar,i cili parashihte që vetëm nga,viti 1939 deri në vitin 1944,nga Kosova dhe viset tjera, të transferoheshin mbi 25.000 familje shqiptare në Turqi.

Ndaj,bashkëkombës të dashur,paramendojeni tani, sikur të mos kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore, më 1939, çka do të përjetonin shqiptarët nga “dashuritë” e tilla turke,të cilët ndoshta njëjtë sikurse në Greqi,sot do të numëroheshin në gishta apo nuk do të ekzistonin më fare në trojet e tyre etnike nën Jugosllavi.

I njëjti shtet,gjithnjë nga “dashuria” e madhe që ndjente për shqiptarët ,edhe pas Luftës së Dytë Botërore, pra më 28 shkurt të vitit 1953,në Ankara do të ripërtërinte edhe një herë konventën Turko-Jugosllave të vitit 1938, për dëbimin e shqiptarëve në masë, nga trojet e tyre nën pushtimin sllav,e cila do të miratohej me të ashtuquajturën marrëveshje “Xhentëlmene” ndërmjet Titos dhe ministrit të jashtëm turk të asaj kohe, Fuad Kyperli, në qershorin e vitit 1953, në Split.

 

Pra Turqit edhe pas LDB, vazhduan me “dashuri” të njëjtë, deportimin e organizuar,jo vetëm të shqiptarëve Çam të dëbuar nga Greqia,por edhe të atyre nën pushtimin jugosllav, për të cilët si vendtubim, sipas marrëveshjes,Tito-Kyperli, do të  caktohej Shkupi,prej nga organizohej nisja e tyre e detyruar për në Turqi. 

Për këtë qëllim,shteti jugosllav që në vitet e 50-ta do ti shpallte shqiptarët pakicë në trojet e veta etnike,të pa dëshiruar dhe si rrezik për sigurinë e shtetit, të cilët do ti vente në kushte të rënda represioni përmes UDB-së së udhëhequr nga antishqiptari më i madh i kohës, Aleksandër Rankoviq.

Madje, përmes një aksioni shtetëror, të ashtuquajtur “Grumbullimi i tepricave” për “nevojat e shtetit”, atyre jo vetëm se do tu merrej edhe buka në shtëpi,por në dimrin e ashpër të viteve 1955-56,do të kryhej edhe aksioni i mbledhjes së armëve,kur qindra bashkatdhetar do të gjenin vdekjen,kurse mijëra të tjerë do të sakatoheshin për gjithmonë.

Me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve me çdo mënyrë,Serbia që në vitin 1951, kishte shpikur metodën e deklarimit të tyre si turq,( Hajredin Hoxha, Afirmimi I kombësisë shqiptare në Jugosllavi,Prishtinë 1983), si masë më e butë për deportim,kurse për shqiptarët që do të pranonin largimin nga trojet e veta,ajo kishte urdhëruar nëpunësit e saj kudo,që tu krijonin lehtësi për shpërnguljen sa më shpejtë të tyre, për në Turqi.

 Megjithatë, përkundër vuajtjeve,keqtrajtimit dhe represionit shtetëror nga sistemi i ashpër policor i UDB-së së Rankoviqit,Serbia nuk kishte arrit, ti konvertonte më shumë se 60 mijë shqiptar si turq,ndaj e pakënaqur për mossuksesin,ajo përdori dhunën dhe terrorin për dëbime masive, sipas planeve të njohura të Çubrilloviqit, për shfarosjen e shqiptarëve,i cili do të nominohej edhe për shpërblim me çmimin e “AVNOJ-it”,nga Serbia,gjë që sipas historianëve shqiptar,atëbotë,kishte pasur guximin vetëm Fehmi Agani ta kundërshtonte.

Historiani i njohur Hakif Bajrami,në librin e tij historik (“Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995” Prishtinë 1995),thotë se qeveria jugosllave për dëbimin e shqiptarëve në Turqi, kishte formuar edhe një komision të veçantë shtetërorë, të përbërë nga Aleksandër Rankoviqi, Krste Cërvenkovski, Svetisllav Stefanoviq, Vojkan Llukiq, Marko Vuqkoviq etj,falë ndihmës së të cilëve, Serbia në marrëveshje me Turqinë,arriti që ti dëbonte mbi 18 % të shqiptarëve nga trojet e veta.

Ndaj,shpërnguljet e detyruara atëbotë,do të merrnin përmasa të tilla saqë,sipas statistikave të kohës, vetëm ndërmjet viteve 1951-1968 nga trojet tona etnike nën pushtimin sllav,do të dëboheshin ,jo më pak se 414.500 deri në 452.370, shqiptarë,për në Turqi.

Vendet e zbrazura të tyre, vetëm në Kosovën e sotme do të zaptoheshin nga 63000,kolon sllav,të sjellë nën kujdesin e UDB-s, dhe Aleksandër Rankoviqit, i cili për fatin e mirë të shqiptarëve,në plenumin e Brioneve më 1966,nën akuzat për tradhti ndaj Titos dhe udhëheqjes jugosllave, do të shkarkohej nga të gjitha postet,si spiun dhe bashkëpunëtor i shërbimeve shtetërore ruse.

 

Shënime të ngjashme për dëbimin me dhunë të shqiptarëve, epen edhe nga historianë tjerë të njohur, si; Jusuf Osmani në veprën “Vendbanimet e Kosovës”,Prishtinë 2004.  F.Rexhepi, “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”,Prizren 2001.  Hajredin Hoxha, Afirmimi i kombësisë shqiptare në Jugosllavi”, Prishtinë 1983),e të tjerë.

Por, “dashuria” turke ende nuk ka përfunduar, ajo edhe tani vazhdon të jetë gati po-aq, e “madhe” sa dikur, për ne. Madje siç na bën me dije,kryeministri turk- Erdogan,këtë e ditka edhe Beogradi,me të cilin ai thotë se kanë edhe marrëveshje të vjetra.

Për shqiptarët edhe pa e thënë ai, është e ditur se Turqia dhe Serbia, edhe sot mbajnë të pa shfuqizuara ende, Konventat e dikurshme,për shpërnguljen në masë të shqiptarëve dhe përhumbjen e tyre në shkretëtirat e Anadollit,siç ka ndodhë në mbi njëqind vitet e fundit.

Edhe faktet e një historie më e vjetër,dëshmojnë “dashurinë” e flakët turke,kur të gjithë popujt tjerë ballkanik nën pushtimin osman,kishin shkollat,gjuhën dhe kulturën e tyre kombëtare,por shqiptarët jo. Të vetmit ata edhe atëherë i kishin të ndaluara të gjitha këto, sigurisht nga “dashuria” e madhe që ndjenin turqit për popullin “arnaut”. 

Madje, megjithëse shqiptari i madh- Sami Frashëri, u pati krijuar turqve alfabetin dhe i mësoi ta shkruanin gjuhën me shkronjat e tyre,ata deri në vitin 1908,nuk i lejuan bashkëkombësit e tij, të formonin alfabetin shqip, as të kishin mësim në gjuhën amtare.

Edhe pse shqiptarët ishin të fundit dhe vetëm nga mbarimi i vitit-1908,për herë të parë, guxuan ti hapnin shkollat e para në gjuhën e vet dhe me alfabet kombëtar,kjo ndodhi për kohë të shkurtër,ngase pas forcimit të pushtetit, nga të ashtuquajturit “turqit e rinj”, ato të gjitha do të mbylleshin me forcën e armëve,kudo në trojet tona etnike.

Për fat të keq, ajo që sot brengos më shumë se çdo gjë tjetër, kombin tonë në përgjithësi,nuk është më vetëm e kaluara e hidhur me pushtuesit osman dikur,por edhe qëndrimet e tanishme tendencioze të qeverive turke sot.

Sepse, turqit nuk u treguan alergjik ndaj popullit shqiptar, gjuhës dhe kulturës së tyre kombëtare vetëm gjatë kohës sa  perandoria e tyre,mbante vendet tona nën pushtim, por edhe sot e kësaj dite,të gjitha qeveritë turke,përfshi edhe qeverinë aktuale,mbajnë të njëjtin qëndrim, duke mohuar me këmbëngulje përkatësinë kombëtare dhe të drejtën për gjuhë e kulturë të miliona shqiptarëve brenda shtetit turk.

Kështu që përveç  marrëveshjeve të pa shfuqizuara me Greqinë dhe Serbinë për shpërnguljen e shqiptarëve, edhe përdorimi i gjuhës e kulturës së tyre kombëtare atje,vazhdon të mbahet në fuqi nga Turqia. Madje,sot e atëherë,për qindra vjet rresht,kurrë nuk u lejua hapja e asnjë shkollë të vetme në gjuhën shqipe, për rreth 5-6 milion shqiptar sa jetojnë pa asnjë të drejtë gjuhësore as kombëtare, në Turqi.

A donë të thotë kjo se masa e “Dashurisë”së pa venitur “vëllazërore” turke, varion në varshmëri me shkallën e asimilimit dhe përqafimit të idesë së turqizimit nga ana e shqiptarëve, apo nënkupton shkakun e ruajtjes me shumë kujdes,për qindra vjet me radhë,të së njëjtës “dashuri”platonike nga cilido pushtet turk, për ne. TURP!

Kur do të mësohet populli ynë që më në fund qeverive antishqiptare, tu thotë “mjaftë ishte”! Mos na “dashuroni” më kështu, se na keni ardhur në majë të hundës me të gjitha,dhe pikë.

 Gani Qarri      Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: dahsuri allaturke, Gani Qarri, Winston Churchill

Kush po i sjellë retë e zeza?!

September 12, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri/

Për fat të keq,Serbia vazhdimisht manifeston sjellje jo- evropiane dhe qëndrime thellësisht antishqiptare, për të cilat nuk e qanë kokën askush, madje nuk mërziten as vet shqiptarët, ani pse tendencat e saj gjithmonë dhe drejtpërsëdrejti godasin, ekzistencën dhe shtetësinë e tyre.

Dëshmia më e keqe janë qëndrimet e mbajtura në bisedimet e deritanishme me kompromise të pafund në kurriz të Kosovës,të cilat pas këmbënguljeve të Serbisë, sollën deri aty sa që nga shkurti i vitit 2012, Kosova jo vetëm ta mohoj shtetësinë e saj dhe zëvendësoj atë me fusnotë, por tanimë ta heqë dhe fshijë tërësisht edhe logon shtetërore nga fletëvotimet, në mënyrë që një grusht serbësh të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti.

Për çudi,kësaj here edhe ata, bënë sikur u pajtuan me kompromisin tonë të radhës, dhe si shpërblim ndaj zemërgjerësisë sonë, na e “ngulën” edhe një herë më tepër si “pahiri”,të cilët zgjodhën të na qerasin në grup, përmes një paraqitjeje tejet provokuese me listën e ashtuquajtur “Serbia” në Kosovë.

Megjithatë, në trojet tona,revolta e hapur mbetet ende tabu kurse qëndrimi i përbashkët si në vendet tjera evropiane mungon. Solidariteti organizativ dhe shembulli i veprimit unik, te populli ynë assesi të gjejë shprehje. Ai këtu sikur nuk ekziston askund dhe për asgjë.

Ndryshe si mund të perceptohet gjendja kur krijohet përshtypja dhe ekziston frika e arsyeshme se kështu siç po rrjedhin ngjarjet, së shpejti ne do të mbetemi edhe pa këtë pak atdhe që ende e kemi,kështu si është, por megjithatë askush nuk e ngrit zërin…

Thënë të drejtën, sa u takon bisedimeve me Serbinë, përjashto shtetet tjera evropiane, një kohë bukur të gjatë ne kishim përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë, por pas pajtimit të vet shqiptarëve, për pranimin e të gjitha kushteve të diktuara nga qeveria serbe, e befasuar me “zemërgjerësinë” tonë të pashembullt edhe qeveria gjermane u detyrua të dorëzohet,dhe të mos e kushtëzoj më Serbinë me shuarjen e paralelizmave, largimin e policëve serb nga vendi ynë, heqjen e barrikadave nga rrugët ,lejimin e lëvizjes së lirë në veri dhe pranimin pa kusht të  kufijve të Kosovës.Pra,ndoshta jo vetëm kësaj radhe, fajet janë komplet tonat,të qeverisë dhe popullit të Kosovës,Evropa as Bota nuk mbanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën e kemi sjell ne vetveten, me mosdijen dhe papërgjegjësinë tonë.

Sikur këtij vendi të mos i mjaftonin problemet me Serbinë dhe serbët në veri, përditë e më tepër dalin në pah fakte të reja mbi përhapjen pa asnjë kontroll edhe të Ekstremizmit islamik, pasi që sipas QPI-së, dyert hap e krah,për vërshimin e papenguar të vahabizmit në Kosovë, i hapi vet kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Pluralizmit Islamik me qendër në Uashington, Stephen Sylejman Schwartz, bazuar në argumentet që ka mund të grumbulloj, thekson se para ardhjes së Tërnavës, në krye të BIK-ut, besimi mysliman tek shqiptarët, ka qenë tradicional,i moderuar dhe shembull për tolerancë në gjithë botën,kurse pas marrjes së kryesisë së BIK-ut,nga ana e kryetarit aktual,këtu është komplikuar çdo gjë. Edhe shqiptarët,binden gjithnjë e më tepër se me zëvendësimin e Rexhep Bojës, në BIK- toleranca, besimi tradicional dhe fryma kombëtare, kanë ardhë duke u shtrydhur dhe ngushtuar, deri në maksimum.

Madje, sipas shtypit ditor,drejtori i QPI-së, kryetarin aktual të BIK-ut, e quan plagjiat të magjistraturës, diktator e “Stalin Tërnava”,dhe është plotësisht i bindur se pa largimin e tij, nga pozitat udhëheqëse,nuk mund të ketë zgjidhje as adresim të problemeve lidhur me grupet ekstremiste dhe veprimtarinë  vahabiste në Kosovë.

Megjithëse, Sylejman Schwartz,beson se shqiptarët e Kosovës nuk do të dorëzohen as para kësaj sfide të krijuar nga këto grupe, por shumica shqiptare me të drejt druajnë se,nëse mbreti i BIK-ut, nuk parandalohet në vendosjen përfundimtare të vahabizmit dhe salafizmit në Kosovë, të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia,brenda një kohe të shkurtër do të harrohet plagjiatura e magjistraturës së tij, dhe nga sponsorizuesit sllav e salafisto-arab, “magistar”-Tërnava, shumë shpejtë do të ngrihet në “Doktor” për “merita” dhe shërbimet e kryera me besnikëri ndaj  tyre, në dëm të shtetit dhe popullit të Kosovës.

Ai, parë nga zhvillimi i ngjarjeve në terren, ka kohë që me oficerët më të besueshëm, ka nisur një fushatë të egër antishqiptare, e cila tanimë është kthyer në luftë të hapur sipas metodës së Hunit dhe Konopit, për spastrimin e kuadrove më eminente dhe profesor doktorëve më të njohur me orientim kombëtar,nga postet udhëheqëse, fetare dhe arsimore.

Për arritjen e këtyre qëllimeve të errëta dhe antikombëtare, përdoren jo vetëm kërcënimet verbale por edhe metodat vahabisto -arabe të Habib-Dajakut, për heshtjen me çdo kusht të atyre që kanë guximin të praktikojnë besimin tradicional, ndryshe nga diktatet e imponuara dhunshëm të vahabisto-salafistëve, për çka shumë të rrahur dhe kërcënuar, detyrohen të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje të afërt për shpëtimin e jetës, në vendin dhe shtetin e tyre.

Në mënyrë që indoktrinimi dhe “pranimi” i metodave të “reja – fetare” si të panjohura më parë në vendin tonë, të kenë sukses në implementim- kreatorët arab dhe simpatizantët e tyre vendor, janë kujdesur me kohë,që të kenë bashkëpunëtorë të fortë, në organe dhe pozita të larta shtetërore.

Bile,parë nga prirjet e shprehura më tepër fetare, se sa kulturore e kombëtare,ekziston frika e bazuar se një ditë jo të largët,mund ta shohim edhe ish reperin dhe ministrin e (sh)kulturës kosovare, në majat e ndonjë minareje duke kënduar “Ilahi” jeniçerësh bashkëkohor, derisa i ati, dikur “shok” i ngushtë dhe kuadër i lartë në LDK-në e Ibrahim Rugovës, tani i rregullon nga poshtë, altoparlantët “modern”, si donacion special dhe i bekuar nga vet Shefqet Krasniqi me shokë, për fuqizimin dhe përhapjen e ezanit turko-arab, sa më larg dhe mundësisht në të gjitha anët e Kosovës.

Ndoshta në shenjë solidariteti, ministri i “nderuar”, i trimëruar edhe nga përkrahja e babait-intelektual, pas një pune disavjeçare, së shpejti fillon t`u shpërndaj edhe mirënjohje e dekorata  të shtrenjta udhëheqësve arabo-ekstremist,si shpërblim ndaj përpjekjeve të jashtëzakonshme që ata vazhdimisht bëjnë për vendosjen e ideve vahabisto-salafiste dhe mbytjen e frymës tolerante dhe tradicionale kombëtare në vendin tonë.

Në këtë mënyrë, si ngatërrohen përditë e më keq punët në Kosovë, nga persona që nepotizmi, përkatësia partiake e krahinore  dhe njoftësia i ka sjellë në pozicione të pa merituara udhëheqëse, ata që ëndërrojnë lëvizjen e lirë dhe liberalizimin e vizave me Evropën,duhet të presin edhe për një kohë bukur të gjatë.

Edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në publikimin e fundit mbi përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian, vlerëson se qeveria ka bërë shumë pak si në menaxhimin e migracionit i cili është rritur shumë nga shkaku i varfërisë së madhe,ashtu edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar i cili tanimë dihet botërisht se udhëhiqet dhe ushqehet nga njerëz me pozita udhëheqëse në vend dhe ata që do duhej ta luftonin këtë delikt.

Kështu që, edhe  ministresha e (ç)integrimeve evropiane,e cila për vete,përcjell trendet e kohës, vishet dhe mbahet mirë, ani pse një pjesë e madhe e popullatës, me vështirësi sigurojnë edhe bukën e gojës, në pamundësi për plotësimin e kushteve të vështirësuara nga problemet e korrupsionit, krimit të organizuar,ikjes së njerëzve si shkak i varfërisë së skajshme dhe telashet me veprimet e sekteve  vahabiste në Kosovë, ndoshta një ditë do të detyrohet që në vend të rrugës evropiane, edhe  ajo vet t`a vejë shaminë dhe e dëshpëruar tu prijë shqiptarëve drejt lindjes “moderne” dhe Afganistanit “bashkëkohor”.

Bile,siç është dëshmuar deri tani,as qeveria e vendit,nuk e ka problem prioritar mirëqenien e popullit,madje këtë shprehje e ka përjashtuar tërësisht nga fjalori i saj,dhe nuk e përmend asnjëherë, ngase ajo në krye me kryeministrin i janë përkushtuar tërësisht dialogut dy-palësh dhe bisedimeve me Serbinë.

Por ajo që nuk duhet harruar, është fakti se mjerisht këto bisedime, patën një çmim tejet të lartë për Kosovën dhe popullin e saj,duke filluar që nga shkurti i vitit 2012, kur vet qeveria u pajtua me “mbulesën” e shtetësisë me fusnotë dhe daljen me “havale” në arenën ndërkombëtare, duke bërë kompromisin e parë të dhimbshëm për vendin, përmes të cilit e vet-mohoi shtetin e Kosovës.

Gabimi i dytë i rëndë, i cili rrëzon tërësisht për toke edhe atë pak shtetësi të mbetur, ishte vendimi për heqjen e logos nga fletëvotimet,pas të cilit në mënyrë të çuditshme, me cinizëm të skajshëm dhe qëllim tërësisht provokues, shpejt dhe papritur u paraqit një subjekt tendencioz serb, si listë e përbashkët gjoja për pjesëmarrje në zgjedhje,me emërtimin skandaloz “Srbija”.

Ndaj,edhe sipas Adem Demaqit, pranimi i një listë të tillë me përmbajtje shantazuese të emërtuar si “Serbia”, derisa shteti serb orkestroi serbët e veriut, të mos pranonin pjesëmarrjen në zgjedhje me figurimin e logos shtetërore të Kosovës as në fletëvotime, është një kapitullim i shtetit të Kosovës

Megjithatë, nëse u referohemi deklaratave të kryeministrit, Hashim Thaqi, e gjitha kjo – vjen si fryt i bisedimeve me një mirëkuptim të plotë, marrëveshje tërësisht “kushtetuese” e “transparente” dhe të arritura në mënyrë krejt paqësore në mes të dy palëve në Bruksel.

Kështu që si rrjedhojë e këtij procesi,pas gjithë këtyre “sukseseve”  të “shkëlqyera”,si futja e fusnotës, heqja e logos së shtetit-apo fshirja e stemës së Republikës dhe pranimit për votim të serbëve me listën skandaloze “Srbija” në vendin tonë, kryeministrit nuk i ka mbetur edhe shumë rrugë në arritjen e cakut të fundit dhe realizimin e kulmit të të gjitha arritjeve, për kthimin e tërësishëm dhe “me sukses të plotë” të Kosovës së “lirë dhe të pavarur” në protektorat të Serbisë.

Por, siç thuhet ndonjëherë nga optimistët, çdo fatkeqësi ka edhe një dozë të kufizuar “fatmirësie” të llojit, brenda saj,ndaj për shkaqe patriotike  dhe mbase për të  “shpëtuar” atë që është e mundur,sado që edhe Adem Demaqi e ka mik të ngushtë kryeministrin, dhe nuk mund të prishet për gjithçka dhe për çfarëdo pune me të,duke u bazuar edhe në qëndrimet e tij “parimore”, ai mund të mos pajtohet dhe as pranojë që e tërë Kosova ti mbetet Serbisë.

Ndaj, nëse jo më shumë,të paktën-vendlindjen e tij Llapin,e mundësisht edhe krahinën e Karadakut,do të përpiqet me apo edhe pa bisedime t`ia bashkojë me çdo kusht Bullgarisë dhe në këtë mënyrë të hyjë edhe ai si udhëheqësi i parë në histori, i cili jo vetëm që dikur diti e propozoj por më në fund arriti dhe realizoi ëndrrën e tij të kamotshme, për krijimin e “Ballkanisë” në këto hapësira.

Kurse ne të tjerët (të mjerët) pjesa e mbetur pa zot shtëpie,të cilët nuk ditëm ta “përdornim” luftën dhe as ta “trajtonim”  lirinë, që i bie të jetë Dukagjini,në shenjë dëshpërimi për humbjen e vendit të të parëve, na duhet të punojmë shumë në mënyrë që të bëhemi, piktor dhe brushaxhinjë të denjë për pikturimin e  bukurive të ish fshatrave dhe qyteteve tona, si kujtim i së kaluarës së hidhur nga heronjtë e “devotshëm” të atdheut.

Por , që të mos mbetemi edhe ne, ndonjë “zonë neutrale” të cilat kanë pësuar shumë keq në të kaluarën dhe të mund ti bashkohemi vendit amë, duhet të bëjmë përpjekje maksimale dhe me përkushtim të pafund, në mënyrë që “atdhesimin” tonë ta meritojmë.

Kështu që,me angazhime të përbashkëta,mundësisht ne duhet ti përmirësojmë gabimet e qeverisjes së kaluar në vendin amë, duke i kthyer atij, ujërat e shitura lirë të detit jonë, rivendosjen e tyre në shtratin e natyrshëm shqiptar dhe ngjyrosjen kombëtare të Hartës shtetërore të Shqipërisë,në ato pjesë ku ka filluar të zbehet dhe bjerë shpejt dukja autoktone e saj, nga shkeljet e palejuara të Agimit të “thart” grek dhe rrebeshet e rënduara të stërpikjeve “hyjnore” të Janullatosit.

Nda,njerëzit tanë, bashkëkombësit kudo që janë, medoemos duhet të kuptohen më mirë në mes vete, solidarizohen me hallet e njëri tjetrit dhe njohin problemet e vërteta të secilës pjesë të atdheut. Kurse Qeveria duhet të shprehet më shpesh,hapur dhe më me zë, për integrimin e trojeve dhe bashkimin e kombit, para integrimeve evropiane, qoftë edhe në mbledhjet e saj,të parapara të mbahen në Prizren, për bërjen me dije, jo vetëm- bashkëkombësve të lënë pa atdhe,nga ata të cilët nëpër kohë, me apo pa vetëdije, u hapën dhe po u hapin rrugë reve të zeza për të na e sjell hasmin te dera,por edhe atyre që tokat tona ende i duan për ushqim të vetin dhe ëndërrojnë ngrënien e tyre deri në fund, se për shpëtimin e tij,populli ynë mund të bashkohet një herë e mirë, ideal i shenjtë,për të cilin shqiptarët në të gjitha trojet, kanë ëndërruar gjithmonë.

Gani Qarri             Cyrih, 10 Shtator 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani Qarri, kush po i sjell, rete e zeza

Dita e të Pagjeturve, shpresë apo zhgënjim

September 5, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri/

Para pak ditësh, pamë se 30 gushti u shënua si Datë për kujtimin e të pagjeturve , mungesa e të cilëve, shumë bashkë-familjarëve, për vite të tëra u shkakton dhembje dhe vuajtje të pafund, duke pritur ditë e natë një lajm, për më të dashurit e tyre.

Atë kohë, pamjet e tmerrshme të agresionit serb mbi vendin tonë,u përhapën shpejt në gjithë botën. Kosova, përveç numrit të madh të viktimave që dha për liri, ajo nuk i ka të pakët as të mbijetuarit e atyre zhvillimeve tragjike, të cilët edhe tani kanë nevojë për përkujdesje dhe vuajnë nga probleme të theksuara shëndetësore dhe psikike.

Madje,shumë individ të cilët personalisht nuk e përjetuan luftën,por kanë humbur bashkë-familjarë dhe të afërm gjatë saj,edhe ata janë bërë pjesë e vuajtjeve të pafund.

Ndaj për këto dhe shumë arsye tjera,sot nuk mund të flitet me dhimbje vetëm për luftën,vrasjet e kidnapimet, por edhe për tmerret që ajo la prapa, të cilat megjithë  vitet e kaluara,tek familjet e prekura shqiptare,vazhdojnë të shkaktojnë trauma dhe lëndime të rënda shpirtërore.

Për fat të keq Kosova ka edhe shumë fëmijë të rritur jetim,të cilët përditë e më tepër ballafaqohen me pasojat e larcekura, ngase përveç mijëra varrezave të të rënëve anë e mbanë vendit,shqiptarëve në këto troje ende u mungojnë edhe rreth1800 të kidnapuar dhe zhdukur pa asnjë gjurmë.

Një fakt të tillë më së rëndi e përjetojnë brezi i fëmijëve të luftës,të cilët ende ndeshen me këtë problem vështirë të përballueshëm,në fazën më vendimtare të rritjes dhe zhvillimit,kur atyre edhe për vete, u mungon përkujdesja e nevojshme prindërore.

Ndaj,duhet konstatuar me dhembje, se Kosova vazhdon të vuaj edhe për gjeneratat e rritura në këtë mënyrë, një pjesë e të cilëve atëbotë,nuk e dinin se ç`ishte lufta dhe ishin të mitur apo ende në djep.

Prindërit e tyre u flijuan,nga një agresion i padrejtë i një pushtuesi të egër dhe mizor i cili nuk kurseu asgjë,vrau,kidnapoi dhe zhduki pa asnjë gjurmë,duke i marrë nga shtëpitë ku ata lindën dhe u rritën,pa i bërë asnjë të keqe-askujt, vetëm e vetëm pse ishin shqiptar dhe e donin vendin e tyre, të cilët përkundër represionit e persekutimeve të pushtuesit serb,nuk e lëshuan atdheun e të parëve.

Ndaj edhe me rastin e shënimit të “Ditës së të Zhdukurve”,askush nuk mund të ketë iluzione se vetëm vendosja e një Date për kujtimin e tyre,do ta zgjidh këtë problem shumëvjeçar dhe ndihmoj bashkë-familjarët në zvogëlimin e dhembjes, kur sot dihet botërisht se për vuajtjet nuk fletë më vetëm vrasja dhe kidnapimi i më të dashurve, por edhe zgjatja e pafund e ankthit të gjetjes dhe kthimit të pakusht të viktimave në vendin e origjinës dhe nderimit të përjetshëm të tyre, në Kosovë.

Gani Qarri   Cyrih,  4 shtator 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dita e te pagjetureve, Gani Qarri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT