• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gazetarët, mediet dhe koha në të cilën po jetojmë

October 10, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
Gazetarinë të bukur e bëjnë gazetarët e mirë dhe të zotë- apo të vështirë, ata që ngecin në këtë profesion pa e dashur atë. Ndaj edhe gazetarët që kërkohen, që kujtohen, që merren si pika referimi për kohët, janë pak, shumë pak, por mëse të mjaftueshëm për të krijuar idenë se kur e do një profesion e bën atë të lexueshëm, të shikueshëm dhe tërheq vëmendjen e shoqërisë dhe politikës ndaj tij.
“Ai që nuk lexon kurrë gazeta, është i marrë, por ai që beson çdo gjë që lexon, vetëm se thuhet në gazetë, është edhe më i marrë”, është shprehur para dy shekujsh August fon Shlëcer, historian dhe gazetar gjerman në fundin e shekullit të 18-të, kur ende televizioni nuk ishte shfaqur si ide.
Parë në këndvështrimin e kësaj sentence, del qartë se gazetaria është sa profesion i vështirë po aq i bukur. Është i vështirë sepse duhet ta bësh lajmin në kohë dhe të besueshëm që gazeta të blihet (ndërsa sot televizioni të shikohet), është e bukur sepse nëpërmjet lajmit apo komentit, njerëzve u serviret në duar ushqimi i përditshëm shpirtëror për të ruajtur ekuilibrat e dy marrëzive, atë që njeriut të mos i shkojë ndërmend të lexojë (nqs lajmi është i pa bazë), por edhe atë që jo çdo gjë që lexon ta fusë brenda vetvetes me seriozitetin më të madh.
Shërbimi mediatik është një mjet për të transmetuar jetën e secilit, bashkësisë dhe një globi të tërë, me ngjarjet më pikante, ndaj dhe rëndësia e tij është më shumë se forca e perëndisë.

Dikush mund t’i ketë zili gazetarët
Leximi i emrit në gazetë është disi tundues për lexuesin e thjeshtë, por edhe atë me përvojë (kualifikuar). Lexuesi mendon se një gazetar mund të ndihet disi krenar për veten, ngaqë emri i tij del në gazetë, apo shfaqet në ekran. Por në gazetë apo ekran nuk dalin zhgënjimet, rivaliteti, xhelozitë, fyerjet, poshtërimet, ankthet, montazhet, efektet, zërat, përplasjet që i ndodhin çdo gazetari në profesionin e tij. Gazeta apo ekrani është dukja e një fabrike të madhe e cila punon “nëndheshëm” por me mendjen më të civilizuar dhe me pjekurinë maksimale, se ndryshe, jo vetëm nuk do duket puna e gazetarit, por do mbytet edhe ai vet nën trysninë e shikuesit apo lexuesit që zakonisht di të çmojë dhe të vlerësojë.
… Një gazetare në Poloni ka përmendur një vështirësi tjetër: “Nuk e dimë kur do të pushojmë dhe kur do të punojmë”. Ndonjëherë kjo ndikon për keq në jetën private dhe ritmi i shpejtë i punës mund të na krijojë probleme në jetën familjare. Një gazetar në ish-Bashkimin Sovjetik nxori në pah atë që mund të quhet zhgënjimi më i madh: “u lodha shumë dhe, si përfundim, ( materiali) nuk u botua”. Një gazetare sportive në një gazetë të Hollandës është shprehur: “Shpesh më kanë quajtur injorante. Disa lexues zemërohen ose mërziten, e ngaqë ndonjëherë në sport emocionet dalin jashtë kontrollit, disa janë përpjekur të më vrasin.”
Dhe raste të tilla ka të shumta në Shqipëri. Jo pak kolegëve tanë u është vënë jeta në rrezik. Atëherë, çfarë i shtyn gazetarët të vazhdojnë “rrugën e mundimshme drejt njohjes?” Disa e shohin gazetën si mjet jetese, mënyrën e vetme ose profesionin e vetëm që mund të mbijetojnë, ku marrin një pagë, por nuk është kështu për të gjithë. Po kaq e kanë pasion këtë profesion dhe nuk mund ta kuptojnë jetën pa të. Në mbarë botën është folur për pasionin e shumë gazetarëve të cilët kurrsesi nuk mund ta braktisin profesionin e vështirë edhe kur jeta e tyre është vendosur në fije të perit, ashtu sikundër ka gazetarë, që nuk mund ti përshtaten punës në kompjuter, duke lënë mënjanë tastierën e zhurmshme të makinës së shkrimit, që i ngacmon në punën e përditshme. Një gazetare meksikane ka thënë: “Të paktën u jap njerëzve diçka që ia vlen ta marrin vesh”.
Në Japoni, një redaktor i vjetër i gazetës së përditshme më të madhe në botë komenton: “Kënaqem kur mendoj se i kam ndihmuar njerëzit dhe kur drejtësia vihet në vend. Sigurisht që gazetat nuk janë vetëm fryt i punës së gazetarëve. Në varësi të madhësisë dhe të organizimit të shtëpisë botuese, mund të ketë redaktorë përgjegjës, korrektorë bocash, kontrollorë për verifikimin e fakteve, arkivistë e shumë të tjerë që punojnë pa u lodhur, edhe pse emri i tyre nuk del në gazetë. E gjithë kjo bëhet që gazeta të arrijë deri tek lexuesi”.

Besimi tek gazetaria
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një anketë të zhvilluar në vitin 2005, shumica e njerëzve treguan se ende u besojnë gazetave apo lajmeve televizive. Por nga ana tjetër një anketë e organizuar nga Qëndra Kërkimore “Pju” tregoi se përqindja e lexuesve ka rënë. Oshilacionet e tregut të shtypit ndoshta kanë të bëjnë me arsyen e të dyshuarit në vërtetësinë e asaj që thuhet në gazete apo televizion, sidomos kur tema e trajtuar prek interesat kombëtare të vendit. Ç’ndodh në një rast si ky? Shpesh sakrifikohet e vërteta. Siç tha dikur edhe Artur Ponsonbi, një burrë shteti anglez i shekullit të 20-të: “Kur shpallet luftë, viktima e parë është e vërteta. Edhe kur nuk shpallet ndonjë luftë, mirë është t’i shohësh lajmet me një sy deri diku dyshues duke ju përmbajtur një proverbi në raportet gazetar –lexues ku thuhet se “ Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij”.

Reklama negative shumë herë e oprimon dëshirën e tyre për të nxjerrë në shesh të vërtetën për shkak të reklamës negative që kanë deri diku mediat shqiptare. Fakti që pjesa më e madhe e mediave shqiptare janë media të varura ekonomikisht nga interesa biznesi që janë të lidhur ngushtë me politikën që e ushqejnë këtë lloj biznesi, bëjnë që të shtohen gjithnjë e më tepër hendeqet që e ndajnë interesat e politikës nga interesat e njeriut të thjeshtë. Lidhja e politikës me biznesin, varësia e tij nga politika dhe interesat partiake humbin mosbesimin e njerëzve, por njëkohësisht ndikojnë negativisht dhe në korpusin kryesor të dobisë së medias që është kërkimi i së vërtetës. Kur flasim për shtresa të varfra, shtresa problematike, gjithnjë e më shumë i afrohemi themelit të së vërtetës.
Shtresa të tilla të braktisura nga fati janë ato njerëz që në mënyrë urgjente shfaqin problematikën e një vendi. Sepse politikat sociale, mbrojtja që ushtrohet ndaj tyre dhe përkujdesja, janë faktorët bazë që tregojnë cilësinë e një shoqërie dhe të menaxhimit të një shteti apo qeverie. Ajo që mund të quhet ura lidhëse ose një lloj ishulli magjik ku njerëzit e kësaj shtrese dëshirojnë të gjejnë limanin e tyre të së vërtetës është një media e lirë dhe e pavarur që të ndihmojë gjetjen e kësaj të vërtete dhe ta vërtetojë atë në bazat e krijimit të saj. Media ka gjithnjë rolin e një gjykate, një gjykate të ashpër ku duhet të sundojë e drejta njerëzore dhe barazia. Duke qenë se gazetarët janë pararojë e shtresës intelektuale dhe pa dyshim një pjesë e madhe e tyre quhen akoma ëndërrimtarë, pa dyshim që është detyra e tyre të krijojnë këtë urë lidhëse.
Parimet e gazetarisë
Që të gjithë ata që kanë preferuar mes profesioneve të tjera gazetarinë, duhet ta dinë që ky profesion ka parimet e tij, kodin kryesor të gazetarisë: – e vërteta. Suksesi i gazetarisë dhe i gazetarit që e përcjell apo punon me lajmin është të zbulojë lajmin dhe ta përcjellë atë në kohë reale, duke ruajtur kodin e etikës, duke qenë sa më korrekt me shikueshmërinë e lajmit, pa mbajtur njëanshmëri dhe pa i dhënë ngjyrimet e dallimit apo konceptit. Përcjellja e lajmit duhet ti përshtatet sa më shumë ndodhisë së vërtetë dhe mbi të gjitha sa më shumë ti shërbejë kombit. E pra ky është qëllimi i mirëfilltë i gazetarisë.
Po si është realiteti i medieve shqiptare?
Një zallamahi e vërtetë e operatorëve të lajmit. Gazetarë që kalojnë nga një televizion tek tjetri, nga një gazetë tek tjetra, nga një bindje politike tek tjetra. Analistë që gdhijnë tek një kanal televiziv dhe ngrysen tek një tjetër. Pa patur pikën e qëndrueshmërisë luhatjet e tyre për mendimet dhe problemet e politikës të krijojnë ndjenjën e përvjeljes. Figura të njohura të analizës politike, që prej kohësh godisnin padrejtësinë dhe ishin bërë shembujt e mendimit potencial bëhen papritur e pa kujtuar benjaminë të politikbërësve dhe politikave në fuqi. Menjëherë sa vijnë në pushtet ndërrohet pllaka, dhe dikur “armiqtë e shigjetuar” kthehen në idhuj, veprimet e tyre vishen me hiperfuqi dhe skandalet e politikës lehtësohen, thjesht për faktin se media ka interesa të caktuara politike të varura nga ndikimet e pushtetit.
Mënyra se si e dredh politika median shqiptare tashmë nuk është më një quiz i vështirë. Të gjithë e kuptojnë moralin e opinioneve, tryezave dhe takimeve të politikanëve dhe të analistëve shqiptarë. Në tryezat e opinioneve në televizionet kombëtare ose gjoja të pavarura, shihet se numri i analistëve është krejtësisht i kufizuar, si të thuash drejtuesi kavardiset me miqtë e tij të idealit, pra me të gjithë ata që e kanë dredhur bishtin “and company” sa herë ka ardhur në fuqi njëra apo tjetra parti. Janë kjo kastë “dredhaxhinjsh” që emigrojnë nga një potencë mediatike në tjetrën duke u shpërblyer me shuma marramendëse, duke u paguar sa 20 shqiptarë të zakonshëm për të propaganduar dhe servirur sillën e pushtetit në fuqi. Ato përbëjnë pjesën më të dukshme të operatorëve të mendimit shqiptar, sepse të gjithë e dinë tashmë që media është një mjet për ti bërë presion politikës, por që në fakt nga shqiptarët kuptohet si konformitet interesash të pista. Të gjithë njerëzit jashtë historisë mediatike, që besojnë tek televizioni, tek vlerat dhe fuqia e magjisë së shtatë, pa dyshim nuk i njohin në disa raste trillet dhe gjirizet gazetareske (që nuk duhet të ndodhin).

Qëllimi i medieve
Media është një shembull për të tjerët, qëllimi i saj është propagandimi i kulturës, i etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, i mendimit të papërlyer me interesin. Gazetaria, si çdo fushe tjetër ka përkryerjen e saj tek e vërteta e përjetshme. Ndërkohë që realiteti është kryekëput ndryshe. Disa analistët kanë formuar ciklet e tyre të mbyllura, ku nuk ka mendim të freskët, analizat kanë nisur të myken brenda standardeve të njohura pa njohur reformime. Analistët që njohin njëri tjetrin shfaqen në të gjitha fushat, në të gjitha televizionet duke dhënë mendime për të gjitha problemet, që nga lakrat, tek decentralizimi, që nga përrallat me mbret tek alergjia e stinës së pranverës, duke e shfaqur veten të kudondodhur dhe të shumëditur, sikur të jenë specialistë për gjithçka.

Por a ndodh gjithnjë kështu? Jo! Shumë gazetarë nuk luajnë me profesionin, shenjtërinë e tij. Disa herë në përballjet televizive mes politikanëve, analistëve dhe njerëzve të thjeshtë që diskutojnë për problemet e tyre, janë njerëzit e thjeshtë ato që dalin liderët e vërtetë të analizës, politikës dhe gjendjes aktuale, duke i befasuar dhe vetë gazetarët që drejtojnë emisionin. Edhe pse janë viktimat e politikave dhe analizave të tradhtuara, që në fakt duhet të shërbejnë për ta vënë para përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit politikën, janë ato njerëzit më të mençur që meritojnë respekt për gjykimin dhe analizën më profesionale të realitetit. Këto dhe shumë të tjera ishte arsyeja pse mora penën për të bërë këtë libër. Sepse shumë figura të fonissë, apo ekranit shqiptar që kanë bërë epokë po harrohen kur ata i kanë dhënë aq shumë shikuesit si dhe një pjesë e gjeneratës së re, shihet si e shkëputur mes brezave të mëparshëm.
Idhujt e fonisë apo ekranit duhet të mbeten të tillë, me të mirat dhe të këqijat e tyre, ata kanë qenë shëmbëlltyra e vetë jetës shqiptare. Zëri i tyre na detyronte dhe na detyron të ngjitemi pas aparateve të radios, apo ekranit të vogël dhe të dëgjojmë ç’po ngjet në atdheun tonë. Këta njerëz që janë në këtë libër meritojnë shumë dhe pse në këtë Shqipëri tashmë mbushur me ngjarje ku dominon politika ata vlerësohen pak. Pak, sepse ata janë pjesë e çdo familjeje shqiptare, pjesë e gëzimeve dhe hidhërimeve tona, pjesë e përditshme e jetës sonë. Ata pa dashur e kanë ngritur piedestalin e tyre të të qënit publik, të respektuar dhe pse koha në të cilën jetojmë i bën disi të ndihen në kufijtë e heshtjes, të mos marrin vlerësimin e duhur. Por mbi të gjitha disa prej folësve, transmetuesve të ndeshjeve, apo themeluesve të radio televizionit shqiptar, mbeten (sipas mendimit të shumë specialistëve), përdoruesit, hulumtuesit më të shkëlqyer të gjuhës shqipe. Ata na kanë paraqitur idealen e një figurë morale të besueshme me pjekurinë, bukurinë e zërit, elokuencën, veshjen, qetësinë, seriozitetin, humanizmin, dinamizmin, prezencën, profesionalizmin, që sot rrallë mund ti gjesh në shumë folës apo drejtues emisionesh.
Të gjitha fjalët që shkrova më sipër për monopolin e medias, një ditë do të harrohen. Shumë shpejt, ashtu si do harrohen këto krijesa të mjera që frymojnë sipas një logjike shterpe. Ajo që do mbetet është gazetaria e vërtetë, ajo që ka mbetur deri tani, gjurmët e së cilës unë do ti përshkruaj një e nga një në këtë libër modest. Besojini këtyre njerëzve, sepse ata nuk janë krijuar nga politika, por nga profesioni.
Dhe jam i bindur që po kështu do t’i kërkoni edhe pas 10, 20, 30 vjetësh, apo më shumë, kur disa nga gazetarët të jenë edhe më pak profesionalë, edhe më pak njerëz. Që të mos humbë sharmi i këtij profesioni çdokush ka kohë të mësojë. Falënderoj gazetën “Telegraf” që nëpërmjet rubrikave të posaçme, më la hapësirat e veçanta, që të gjithë këta gazetarë që ishin ndër nismëtarët e krijimit të RTSH, të shpreheshin lirshëm dhe me sinqeritet.
Por lexuesi le ti gjejë mendimet e mia për ta, vetë jetën e tyre, apo historinë e krjimit të RTSH-së, në vetë fjalët dhe përgjigjet e tyre…

Filed Under: Analiza Tagged With: Albert Zholi, gazetaret, mediet dhe koha, në të cilën, po jetojmë

NË KONFERENCËN PËR SHTYP KRYEMINISTRI RAMA I VURI NË GJUMË GAZETARËT DHE NERVOZOI PUBLIKUN

August 22, 2014 by dgreca

Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Opinioni publik e priti me interes daljen e kryeministrit Rama në konferencë për shtyp e cila u paralajmërua edhe si një bashkëbisedim me komunitetin e rrjeteve sociale Facebook, Twitter, gjë nuk u përmbush dot. Pasi Edi Rama nuk e paska një ekip që t’i kishte përgatitur një skemë-komunikimi ndryshe nga rutina.
Që në fillim, ai shkeli ku nuk duhej. Nisi të bënte narracion për sukseset e ekipit të tij në pastrimin e plazheve apo për arritjet katrastrofale të turizmit në vitin 2014, duke përmendur si shifër faktin se Shqipëria ishte vizituar nga 1 milionë e ca vizitorë jo rezidentë, që në fakt nuk janë turistë të huaj, por shqiptarë të emigruar gjatë tranzicionit apo shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë etj.etj.
Për të pare se ku është Shqipëria sa i përket turizmit, po ju jap një statistikë nga Zvicra. Turizmi në Zvicër përbën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ose thënë ndryshe Zvicra ka rreth 40 milionë turistë në vit, ku 20 milionë janë vetë zviceranët dhe rezidentët që lëvizin nëpër konfederatën helvetike dhe 20 milionë janë të huajt. Dhe Zvicra gjithmonë synon më shumë e më shumë.
Të flasësh për turizëm dhe investitorë të huaj është si të ecësh në zonë të minuar. Shqipëria do të ishte një destinacion për miliona e miliona banorë të Europës, të cilët në vend që të zbarkojnë në Shqipëri, zbarkojnë me miliona në plazhet e Turqisë dhe Greqisë.
Dhe dihet se përse nuk vijnë. Për shkak të sigurisë. Nuk ndihen të sigurt në një vend ku vritet drejtori i Bankës private shqiptare.
Edhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, për të njëjtat arsye. Sepse kur vidhet Banka e Shtetit dhe sistemi është i përçudnuar nga kasta klienteliste-nepostiste, ata s’kanë kurrëfarë garancie për paratë e tyre.
Edi Rama e kaloi kalimthi reformën territoriale dhe atë arsimore, të cilat janë premtuese, ndërsa tek Lazarati nuk u ndal fare, që në fakt është sukses i shtetit.
Edi Rama i vuri në gjumë gazetarët në sallën e Konferencës për shtyp. Ashtu si na vuri në gjumë edhe ne të tjerët që po e ndiqnim prej televizorëve. Fliste pa ritëm, pa elokuencë, paçka se e ritha se është njeri i letrave, ndërsa shtirej se nuk e kishte idenë fare se koha ecte. Aty pranë kishte një femër tip këshilltare me flokë të ngjyera terr të zi e cila nuk pipëtinte gjumshëm.
Pra, kryeministri i Shqipërisë dukej sikur e kishte humbur nocionin kohë. Koha rrjedh dhe nuk pret e pyet askënd. Nuk do t’ja dijë se je kryeministër. Koha vepron me ligjet e veta të pamëshirëshme të cilat i tregojnë Ramës se viti i parë i mandatit të tij po mbushet.
Ose Edi Rama, duke parë natyrën e pyetjeve edhe përmes rrjeteve sociale, për t’iu shmangur temave të nxehta, kishte vendosur që të zvarritej në një prolog të pafund i cili u bë tmerrësisht monoton dhe i mërzitshëm.
Opinioni publik priti që Edi Rama të përballej direkt me realitetin e vrazhdë shqiptar, ku përfshihen edhe dy skandalet më të fundit, i BSh dhe skandalit i punësimeve të ish-sekretarit të deputetit të PS.
Por Edi Rama prapë heshti dhe hezitoi të fliste. Heshti në emrin e pavarësisë së institucionit, siç është Banka e Shtetit dhe bëri memecin nga pozitat e qytetarit. Ai mund të thosh atë që tha e të shtonte atë që duhej. Se si ndihet ai, Edi Rama si një qytetar i Shqipërisë kur përballej me faktin se Guvernatori që merr 100 fishin e rrogës të një pensionisti nuk arrin të përmbushë detyrimin si guardiani i institucionit të shtetit që drejton.
Edhe kur iu bënë pyetje rreth ekipit të Kokëdhimës në vend të një qëndrimi të prerë vazhdoi me kalambure, sipas të cilave edhe ai si kryeministër mund të mbante ekip në Vlorë, po të kishte para. Po ku t’i gjente paratë kryeministri? Po ku t’i gjejnë paratë deputetët që të paguajnë ekipe me nga 12 vetë? Kokëdhima ka para. Nëse Kokëdhima ka para, ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjet e shtetit, që do të thotë se nuk mund ta përdorë paranë e tij siç e përdor sepse aty ka konflikt interesi.
Në këtë konferencë për shtyp, pritej të paktën që Edi Rama të ishte i sinqertë me publikun. Ai nuk e bëri as këtë. Ishte i kontraktuar.
Vetëm në fund të konferencës për shtyp, kur besoi se i kishte shpëtuar ankthit të pyetjeve rreth Bankës të Shtetit dhe ish-sekretarit të Kokëdhimës, Rama doli nga rutina 23 vjeçare e kryeministrave të Shqipërisë në këtij tranzicion gati perpetual, kur papritmas, kur nuk e priste askush, filloi të tregonte për takimin e tij me Kancelaren Gjermane.
Po e sjell ad literam se çfarë tha kryeministri rreth takimit të tij me Angela Merkel:
„Ishte momenti, tregoi Edi Rama, kur Kancelarja më pa në sy dhe më tha: ….“ Më thuaj me të njëjtën ndershmëri dhe të njëjtën këmbëngulje, a mund të jetë Shqipëria, vend i BE nëse ka këtë sistem drejtësie?” Sigurisht që “Jo”-ja ishte e lehtë për t’u thënë, por ka qenë një nga rastet që do ta mbaj mend në jetën time politike që më ka ardhur turp kur më është dashur të flas për vendin që i krijon vetes këtë kosto, për shkak të bandave të veshura me petkun e pushtetit gjyqësor….“
Dhe pikërisht këtu nga do të duhej ta niste, Kryeministri e mbylli si epilog konferencën e për shtyp.
Por, të paktën dialogu Merkel-Rama i zgjoi gazetarët nga gjumi, ndërsa opinioni publik i nervozuar, nga ana e tij i tha – „Hë mo dhe ti Edi Rama je si të tjerët, deri tani na bëre vetëm demagogji“.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, gazetaret, kryeministri

Berisha sqaron gazetarët për protestën e nesërme

February 19, 2014 by dgreca

Rama shpalli votën si shuplakë për opozitën/

Një ditë para marshimit protestë të paralajmëruar nga opozita, në përkujtim të përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një analizë të ngjarjeve të fundit të ndodhura në vend, duke shpjeguar dhe arsyet e protestës. Berisha tha se kryeministri Rama po noton në të njëjtat ujëra me paraardhësit e tij, duke e akuzuar se që në ditën e tij të parë të instalimit si Kryeministër i shpalli luftë opozitës . Sipas tij, 5 muaj qeverisje kanë faktuar se Rama dhe qeveria e tij çdo gjë e bazojnë mbi mashtrimin, fallsitetin dhe dhunën ndaj opozitës dhe qytetarëve.

“Ata që përmbysën me 20 shkurt të ’91, ata votën e konsideronin plumb për armikun. Në atë sistem vota e qytetarëve shpallet me parulla të mëdha si plumba për armikun. Për ironi të fatit por jo pa lidhje, 23 vjet më vonë forca politike që fitoi zgjedhjet në 23 qershor dhe kryetari i saj shpalli votën pro tyre si shuplakë për opozitën. Ishte më i njerëzishëm nuk e quajti plumb, por shuplakë. Mbi bazën e 1 milion shuplakave bazoi qëndrimin dhe strategjinë ndaj opozitës dhe kur konsideron votën pro teje shuplakë ndaj kundërshtarit, automatikisht kundërsharin e ke armik, ka vetëm një platformë, vereviktis( mjerë i munduri). Kjo është platformë e pushtuesve në kohërat e hershme, kjo është platforma që adaptoi Edi Rama që ditën e parë të instalimit të tij në pushtet. Populli opozitar, demokratët , u përballën me një platformë e cila në shumë aspekte ngjasonte me platformën e regjimit komunist ndaj opozitës. Ne në opozitë pranuam humbjen në mënyrë më të civilizuar, bëmë rrotacionin e pushtetit, shfaqëm vullnetin tonë për një bashkëpunim pa kushte në projektin numër një të shqiptarëve , integrimin.Por ne një afat kohor më pak se 5 mujor, Edvin Krisraq Rama, është faktuar sëbashku me qeverinë e tij një kryeministër që bazon çdo gjë mbi mashtrimin, fallsitetin dhe dhunën ndaj opozitës dhe qytetarëve. Kanë ndodhur shumë gjëra, por më kryesore është mashtrimi që Edi Rama u bëri qytetarëve shqiptarë duke përmbysur platformën e tij elektorale dhe duke vepruar në drejtim të kundërt. Këtu fillon delitigjimimi i shpejtë dhe i sigurtë i kësaj qeverie. 23 vjet më parë përmbysëm shtatoren e diktatorit dhe bustet e gjalla pasi në 45 vite çuan në mjerim të paimagjinueshëm sot një popull përmes terrorit dhe mashtrimit. Asgjë nuk lëndon, rrënon më shumë dinjitetin e njeriut sesa mashtrimi” tha ai.

Berisha tha se Rama po vendos me shpejtësi të rrufeshme monopolet dhe familjes dhe të klanit të tij dhe po e kthen në Shqipërinë në Republikën e Skafeve.

“Vendimi i qeverisë për ndalimin e furgonëve taksi ka për qëllim të fusë monopolin e Koços në transportin e furgonëve. Katandisi Shqipërinë si të ishte Republika e skafistëve. Nëse nuk ngrihemi për të vendosur dinjitetin tonë Shqipëria kurrë zgjedhje nuk do të jenë më. Do të jenë thjesht panair i mashtrimit, do i fitojë ai që gënjen në shumë”- tha Berisha duke ftuar në protestë popullin opozitar por edhe atë të zhgënjyerit nga qeverisja e kryeministrit Rama për t’u bërë pjesë e protestës së nesërme antiqeveritare që është parashikuar të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”.

Ish-Kryeministri akuzoi shefin e qeverisë, Edi Rama, se e ka kthyer kryeministrinë në klinikë për t’u shëruar.

” U dha poste burrave e grave të tij. Burri i Belinës bëhet ministër. Burri i Lindës emërohet drejtor i rëndësishëm në një firmë të Ahmetit. Kryeministrinë e ka shtëpinë e Kristaqit.Zotëria mendon si kryeministër kryeministria dhe shteti është pronë e tij. Ka 6 muaj që punon dhe gdhend zyra, hap klinika brenda kryeministrisë sepse e ka të rëndë të kurohet aty ku kurohen të tjerët. Po vendos me shpejtësi të rrufeshme monopolet dhe familjes dhe të klanit të tij”- tha Berisha.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Berisha takon, gazetaret, nje dite, para protestes

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT