• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENOCIDI SERB NË SHQIPËRI- 1913

August 9, 2021 by s p

Shkruan: NIKË GASHAJ/

 MASAKRAT E POPULLËSISË CIVILE-Në maj 1913 Fuqitë e Mëdha u kërkuan trupave serbe e malazeze të tërhiqeshin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore të pushtuara prej tyre. Serbia, nga zemërimi që po humbte portet e Shkodrës dhe të Durrësit, la pas një vazhdë shkatërrimesh gjatë tërheqjes së trupave të saj. Ashtu që në shtator 1913 shpërtheu një valë e re mizorish. Më 20 shtator ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhët e Malësisë së Dibrës. Barinjtë u munduan të mbroheshin dhe luftuan, por u vranë të gjithë.

Serbët vranë gjithashtu dy prijës të fisit të Lumës, Mehmet Ademin e Xhafer Elezin, dhe nisën të plaçkitnin e të digjnin të gjithë fshatrat që hasnin gjatë rrugës(dhjetë). Në të gjithë këta fshatra serbët kryen akte masakrash të tmerrshme dhe dhunime grash, fëmijësh e pleqsh… Duke hyrë në fshatrin e Porçasit, ushtria serbe i nxori të gjithë burrat jashtë fshatit dhe pastaj dërgoi atje gratë që t’u merrnin para si shpërblim për lirimin e tyre; burrat e gjorë i kishin mbyllur në xhami, të cilën e hodhën në erë me katër predha. Në fshatin e Sulpit 73 shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme , kurse 57 të tjerë nga fshati Çolopek u vranë në mënyrë të shëmtuar. Prefekti i Krushevës i kërkoi ushtrisë serbe haptas që të digjnin të gjitha fshatrat në ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit.

Në një letër të një ushtari serb , që u botua më 22 tetor të atij viti, thuhet: Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si mund të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme. Nuk ma mban të them më shumë, por mund t’ju them se Luma (një fshat shqiptar anës lumit me të njëjtin emër),  nuk ekziston më. Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra me 100, 150 dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhim në tufa me nga dyzet a pesëdhjetë vetë dhe pastaj i shpojmë me bajoneta deri tek i fundit(Edwin Jacques: Historia e Popullit Shqiptar nga Lashtësia deri në ditët sotme, Carolina, USA, 1995, f. 379). Bie erë plaçkitje gjithandej. Oficerët u thanë ushtarëve që të shkonin në Prizren e të shisnin gjënë e vjedhur. Gazeta që botoi këtë letër shtonte: “Miku ynë na tregon  për gjëra më  të frikshme se këto(!), mirëpo ato janë aq të tmerrshme dhe sfilitëse,  saqë preferojmë të mos i botojmë”. Atë tetor një ushtri serbe prej 60.000 vetësh shkretoi krahinat e Dibrës, Strugës, Liqenit të Ohrit dhe Gollobordës në Shqipërinë Qendrore, si  edhe Gashin, Krasniqin e Valbonën në veri. B. Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, shkroi një raport rreth vëzhgimeve të tij. Në Shqipërinë Veriore trupat serbe shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa asnjë provokim dhe pa kurrfarë arsyeje…12.000 shtëpi u dogjën e u hodhën në erë, 8.000 bujq u vranë ose u dogjën të gjallë, 125.000 mbetën të pastrehë. Të gjithë bagtinë e rrëmbyen. Kështu bënë edhe  me drithërat e sapokorrura. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largët. Tani sa jam kthyer nga një udhëtim , përmes këtyre zonave të goditura. Pashë fshatra të rrënuar dhe shtëpi të djegura ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur. Pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria.

              Komisioni Karnegi përmblodhi vëzhgimet e tij si më poshtë:

Trupat e rregullta serbe nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre ose të shtypnin me egërsi racën shqiptare. Shtëpi e fshatra të tërë u bënë shkrumb e hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua në masë, u kryen akte të shëmtuara dhune, plaçkitje dhe mizorie, – të tilla ishin mjetet që përdorën dhe vazhdojnë të përdorin ushtarët serbë, me qëllim që të transformojnë rrënjësisht karakterin etnik të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë.

Kjo luftë shfarosëse e sërbëve përgjatë kufirit verior të Shqipërisë u përshkrua edhe nga Edit Durham, bamirësja britanike që kaloi vite të shumta midis fiseve të malësisë.

Një shqiptar, të cilit i ra rruga nga Podgorica, deklaroi se në vilajetin e Kosovës në shumë vende toka ishte mbuluar me trupat e grave e të fëmijve dhe se kishte parë një gjymtyrë që ende përpëlitej mbi tokë.

Një oficer serb ishte mburrur gjithë gëzim: “ Fisin e Lumës e shfarosëm. “ Pastaj ai përshkroi masakrën e paparë të burrave, grave e fëmijëve, si edhe djegjen e fshatrave. Oficerët serbë kishin rënë në ujdi që “kur vendi të bëhet sërish i yni, nuk do të ketë më asnjë këmbë myslimani”.

Mirëpo, më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që të evakuonin tokat shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28 qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke vrarë Princin Austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu në një Luftë Botërore.

Përfundim: Serbizmi i madh është i gjallë, madje dhe në ato momente kur duket se nuk ka kurr fare shansë për të mbijetuar, e jo më për tu zbatuar. Sot jemi dëshmitarë, se funkcionarët e lartë të Shtetit të Serbisë dhe të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë parashtrojnë  idenë dhe projektin e tyre politik: “Bota Serbe” apo “Serbia e Madhe”. Idetë e tilla nuk kanë të bëjnë me një politik reale, por mitologjike, për çka nuk ka shërim. Për ithtarë të tillë pushtimi i tokave të huaja është detyrë e shenjtë dhe njëheri është arsyeja e vetekzistencës së tyre. Ideja e Serbisë së Madhe sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe se gjithmon çfaqet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcej dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurr në të vërtetë nuk shuhet apo vdesë. Një konkluzë të tillë më së miri e vërteton dhe hisoriania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, e cila ndër të tjerat thotë: “ Serbia është e lodhur nga luftërat për pushtimin e territoreve të huaja. Brenda 125 vjetësh, ajo ka luftuar çdo 14 vjet… Sot, kur një orientim i tillë do të duhej të përfundoj dhe kur një model i tillë politik do të duhej të jetë i zbrazur, bëhet e qartë se është e nevojshme të ndryshoj ajo që quhet mentalitet. Mirëpo, parashtrohet pyetja: a mund të ndryshoj fare mentaliteti serb? Unë e pranoj se vetë po përmballe gjithnjë e më tepër me këtë pyetje, por akoma nuk kam përgjegje?!

Filed Under: Histori Tagged With: Genocidi serb, Histori, Nike Gashaj

SERBËT PO SULMOJNË UÇK PËR TË FSHEHUR GENOCIDIN SERB NË KOSOVË

July 5, 2021 by dgreca

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish- Përfaqësues politik i UÇK-së, ish- Shef i Grupit diplomatik të UÇK-së, dhe ish- Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se institucionet që krijohen në bazë të raportit të përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë janë institucione me prapavijë politike dhe si të tilla ato nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë. Në vend që të sillen përpara drejtësisë kriminelët që kanë kryer krimet, u krijua një gjykatë që duhet të vërtetojë pretendimet e një raporti. Ky është një krim i dyfishtë. Kriminelët e vërtetë janë të lirë. Politologu Bardhyl Mahmuti aktualisht punon si edukator në Komunën e Lozanës (Zvicër) dhe është kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”. Me Bardhyl Mahmutin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

Sokol Paja: Disa muaj përpara se të krijohej e ashtuquajtura Gjykatë Speciale e Kosovës me qendër në Hagë, ju publikuat veprën “Mashtrimi i madh”. Cili ishte qëllimi i këtij publikimi?

Bardhyl Mahmuti: Duke e parë fushatën diplomatike serbe për të përmbysur interpretimin e asaj që kishte ndodhur gjatë luftës në Kosovë, vendosa t’i përkushtohesha ndriçimit të atij realiteti tragjik që kishte përjetuar populli shqiptar i Kosovës. Pas disa vitesh hulumtime shkencore dhe me ndihmën e një numri të konsiderueshëm veprimtarësh të shquar të çështjes kombëtare, në Shkurt të vitit 2015 botova librin “Mashtrimi i madh”, që zhvesh manipulimet me opinionin publik ndërkombëtar lidhur me luftën e Kosovës dhe nxjerr në dritë të vërtetën për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.

Sokol Paja:Një pjesë e konsiderueshme e studimit tuaj i kushtohet zhveshjes së përmbajtjes së asaj që quhet “Raport i Dik Martit”. Madje ju i keni bërë edhe ftesë z. Marti të ballafaqoni argumentet në një debat  publik. Si qëndron puna?

Bardhyl Mahmuti: Në librin tim kam sjellë argumente të pakontestueshme se dokumenti që mban emrin e Dik Martit është dokument i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe fatkeqësisht fshehja e gjurmëve të këtij manipulimi ka bërë që një dokument i tillë të miratohet edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Dik Martin e kam takuar në një librari të njohur të Lozanës të Zvicrës ku bëhej përurimi i librit të tij të titulluar “Une certaine idée de la justice- chétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga). Në prani të shumë politikanëve dhe intelektualëve i dorëzova librin tim dhe i kërkova ballafaqim. Ai u zotua se do të ballafaqohej me mua pasi ta lexonte librin tim. Disa muaj rresht ai iu shmang ballafaqimit me arsyetim se ishte i sëmurë, por në fund deklaroi se nuk dëshiron të dalë në debat me mua.

Sokol Paja: Sipas mendimit tuaj, cila ka qenë arsyeja që Dik Marti refuzoi të dalë në ballafaqim me ju?

Bardhyl Mahmuti: Leximi i veprës e ka bindur se unë mbështetem në argumente të pakontestueshme dhe se në një ballafaqim me fakte të tilla do ta nxirrte si një njeri pa dinjitet intelektual, që vë firmën e vet në një dokument që nuk është përpiluar prej tij. Në këtë kontekst ndodhi një ngjarje shumë e rëndësishme, e cila mendoj se ka ndikuar në vendimin e Dik Martit: Ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, rrëfeu publikisht se pikërisht ai ia kishte dhënë Dik Martit dosjen e përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Përveç deklaratës televizive, në librin e tij të titulluar “Vendi i Wilhem Telit”, ish-ambasadori serb e përshkruan hollësisht krejt procesin se si kanë arritur ta bindin Dik Martin ta marrë përsipër një mision të tillë. Është interesant të përmendet se Dik Martit i është dashur t’i përkthehen materialen nga anglishtja në frëngjisht, sepse, sipas Milan St. Protiq, “Dik Marti nuk ka pranuar të lexojë në gjuhën e amerikanëve”.

Sokol Paja: Dik Marti njihet botërisht për antiamerikanizmin e tij. Çka e nxiti që të ketë këtë qëndrim negativ kundër Kosovës në përgjithësi dhe UÇK-së në veçanti?

Bardhyl Mahmuti: Jo vetëm Dik Marti, por të gjithë ata që janë të prekur nga antiamerikanizmi si verbërim ideologjik fajësojnë UÇK-në si shkaktare që u ka krijuar amerikanëve mundësinë që në Kosovë të vendosin bazën më të madhe ushtarake amerikane në botë. Këtu qëndron arsyeja që ka bashkuar në një “front për mbrojtjen e Evropës nga imperializmi amerikan” komunistë, socialistë, social-demokratë, neonazistë dhe neofashistë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë që janë të verbuar nga ideologjia e antiamerikanizmit.

Sokol Paja: Përkundër argumenteve të shumta që përmban libri juaj lidhur me sajesën e akuzave kundër UÇK-së dhe letrës publike drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos miratojnë ndryshimet kushtetuese për të krijuar të ashtuquajturën Gjykatë Speciale, Kuvendi i Kosovës nuk mundi ta ndalte këtë proces.

Bardhyl Mahmuti: Keni plotësisht të drejtë. Të mos harrojmë se kur u hodh në votim projektligji për ndryshimin e kushtetutës, herën e parë deputetët e Kosovës votuan kundër. Mirëpo, presioni ndërkombëtar ka qenë tepër i madh dhe fatkeqësisht deputetët u detyruan që herën e dytë të votonin pro kësaj gjykate.

Sokol Paja: Ju gjithmonë keni kundërshtuar krijimin e një institucioni të tillë. Madje në letrën tuaj drejtuar deputetëve të Kosovës, krijimin e kësaj gjykate e keni cilësuar si krim të dyfishtë.

Bardhyl Mahmuti: Institucionet që krijohen në bazë të raportit të përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë janë institucione me prapavijë politike dhe si të tilla ato nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë. Gjatë kohës kur bëhej presion për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Prokurorisë së Specializuar, shpesh dëgjoheshin argumentet se gjoja “Gjykata Speciale do të themelohet për të dëshmuar pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së”. Gjykatat krijohen për të ndëshkuar fajtorët, e jo për të dëshmuar pafajësinë e dikujt. Në vend që të sillen përpara drejtësisë kriminelët që kanë kryer krimet, u krijua një gjykatë që duhet të vërtetojë pretendimet e një raporti! Për këtë arsye e konsideroj se kjo qasje paraqet një krim të dyfishtë, sepse nga njëra anë, pamundëson marrjen në përgjegjësi të kriminelëve të vërtetë dhe nga ana tjetër, përgatitet maltretimi dhe ushtrimi i dhunës ndaj atyre që dihet se janë të pafajshëm por dikush paska nevojë që “të dëshmohet pafajësia e tyre”.

Sokol Paja: Siç dihet botërisht, në Nëntor të vitit të kaluar u ngrit aktakuza e parë dhe u arrestuan: presidenti i Kosovës, z. Thaçi, kryetari i PDK-së, z. Veseli, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Krasniqi dhe kryetari i Grupit parlamentar të VV-së, z. Selimi. Si e shihni faktin se padia e ngritur kundër udhëheqësve të lartë të UÇK-së përgjithëson akuzën kundër luftës çlirimtare të Kosovës duke e cilësuar UÇK-në si “ndërmarrje kriminale”?

Bardhyl Mahmuti: Keni plotësisht të drejtë! Duke e cilësuar UÇK-në si “ndërmarrje kriminale”, në bankë të akuzës vihet lufta çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës. Mirëpo e shoh të rëndësishëm të sqaroj për ata lexues që nuk kanë mundur t’i përcjellin zhvillimet rreth akuzave kundër luftëtarëve të lirisë. Gjatë gjithë luftës dhe sidomos pas përfundimit të saj, Serbia zbatoi strategjinë e njollosjes së luftës së UÇK-së duke u përpjekur ta bënte fajtore për krimet që i kishin kryer forcat serbe, dhe në këtë mënyrë të fshihte gjurmët e gjenocidit në Kosovë. Në kuadër të kësaj strategjie ata botuan dhe ribotuan disa herë të ashtuquajturin “Libër i bardhë” që kishin për qëllim të nxinin luftën çlirimtare të Kosovës. Nën ndikimin e dosjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret i Jugosllavisë, Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ngriti padi kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliu. Në aktakuzën e parë të datës 24 Janar 2003 dhe në aktakuzën e ndryshuar të datës 7 Mars 2003, në asnjë rast nuk përmendej termi “ndërmarrje kriminale”.

Sokol Paja: A mund të na thuash si u sajua ky term dhe kur u përmend për herë të parë?

Bardhyl Mahmuti: T’u shkojmë gjerave me radhë. Në Shtator të vitit 2003, regjimi i “ri” në Beograd, që erdhi në pushtet pas arrestimit të Sllobodan Millosheviqit, botoi një variant të ri të “Librit të bardhë”, të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin). Në këtë material të ri propagandues serb, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përshkruhet si “ndërmarrje kriminale terroriste që ka përdorur dhunën kundër popullsisë civile serbe, shqiptare dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike që jetojnë në krahinë si dhe kundër policisë e Ushtrisë Jugosllave (…). Për t’u përshtatur me librin propagandistik serb “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin”, ku rreth 100 herë UÇK-ja cilësohet si “organizatë kriminale”, në variantin e tretë të aktakuzës, me dhjetëra herë Carla Del Ponte e cilëson UÇK-ja si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” që gjoja ka kryer sulme të përgjithshme dhe sistematike të drejtuara kundër popullsisë civile serbe dhe shqiptarëve që dyshoheshin si bashkëpunëtorë” dhe kinse “kundër tyre ka zbatuar tortura, trajtime mizore, vrasje…”. Në të njëjtën frymë si ajo që mbizotëronte në aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe e mbështetur në sajesat e materiale të dorëzuara nga përfaqësuesit e Serbisë, më 4 Mars 2005,  Carla Del Ponte ngriti aktakuzë kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt. Që në variantin e parë të kësaj aktakuzë dhe në katër variantet e modifikuara të aktakuzës, Carla Del Ponte zbaton teknikën e njëjtë Copy/Past të “dëshmive” të sajuara nga Shërbimi Sekret Serb dhe të cilësimeve të UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. 

Sokol Paja: Domethënë, padia e re e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së përsërit akuzat e vjetra të sajuara nga qarqet serbe.

Bardhyl Mahmuti: Ashtu është.

Sokol Paja: Ju keni qenë tepër kritik edhe ndaj mënyrës si janë trajtuar të burgosurit në Hagë. Madje publikisht i keni akuzuar autoritetet e Gjykatës Speciale se kanë zbatuar logjikë staliniste ndaj të burgosurve shqiptarë.

Bardhyl Mahmuti: E saktë. Janë bërë 7-8 muaj që Sali Mustafë, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë privuar nga e drejta më elementare njerëzore: e drejta për të takuar më të dashurit e tyre.
Zbatimi i një mase të tillë nga Gjykata Speciale e Kosovës me arsyetimin për gjoja mbrojtjen nga rrezikun i infektimit që mund t’u vijë nga jashtë është në përputhje të plotë me logjikën staliniste që INTERNIMIN e njerëzve në Gulag e arsyetonte me masat që duhej të pamundësonin përhapjen e epidemisë antikomuniste. Zbatimi i masave që ua ndalojnë vizitat familjarëve të 7 personaliteteve të luftës çlirimtare të Kosovës nuk ka asgjë të përbashkët me masat preventive ndaj COVID-19, por në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje skandaloze të të drejtave të njeriut që duhet të alarmojë të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në ndërtesën ku padrejtësisht mbahen të mbyllur Sali Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nuk ka asnjë të burgosur tjetër. Sikur të kishin pasur për brengë mbrojtën e tyre nga virusi COVID-19, autoritetet përgjegjëse të Gjykatës Speciale do të kishin siguruar dozat e nevojshme për të vaksinuar 7 personalitetet e lartpërmendura dhe tërësinë e anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre (Bëhet fjalë për 30-40 vaksina).

Sokol Paja: Me sa shihet veprimet e Gjykatës Speciale janë tendencioze. A ka rrezik të dënohen udhëheqësit e lartpërmendur të UÇK-së?

Bardhyl Mahmuti: Me dosje të sajuara dhe me dëshmitarë të përgatitur nga Serbia, asnjë hipotezë nuk duhet përjashtuar. Mirëpo nëse ndodh dënimi mbi baza të dëshmive të rrejshme, atëherë do të kishim padrejtësinë më të madhe që mund të bëhet: Në vend që të dënohen përgjegjësit për krimin e gjenocidit, në bankë akuze është vënë lufta e popullit më të shtypur të Europës.
(Në pjesën e dytë të intervistës me z. Bardhyl Mahmuti do të trajtojmë çështjen e krimit të gjenocidit, aktivitetin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” dhe mundësitë e Kosovës për ta paditur Serbinë për këtë krim të shëmtuar). 

Filed Under: Politike Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Genocidi serb, Sulmi ndaj UCK

GJENOCIDI SERB, ATAK MBI NJË POPULL ME KULTURË TË LASHTË

February 26, 2017 by dgreca

Nga Dr.Nusret PLLANA/1 Nusret Pllana

24 shkurt 2017, Prishtinë/Regjimet  fashiste serbe, në vazhdimësi,  në mënyrë sistematike kanë bërë terror mbi shqiptarët në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, duke bërë përpjekje me zbatimin në praktikë të 24 elaborateve për  çfarosjen kolektive të shqiptarëve, që së paku nga viti 1844 (Naçertania e Garashaninit) e deri më 1998 – 1999 (Programi Patkoi i satrapit të Ballkanit, Kryekriminelit Millosheviq), të zhdukte këtë pjesë të popullit shqiptar, e bashkë me të edhe dëshmitë dhe çdo gjurmë të etnitetit shqiptar. Kjo racë e egër karpatiane, duke pas në shpirt urrejtjen patologjike ndaj popullit tonë, në mënyrë sistematike ka bërë terror, krime vrasje, dëbime , helmime, djegie, rrëmbime e masakrime deri në shkallë gjenocidale, me të vetmin qëllim për të na zhduk  si popull nga faqja e dheut. Duke zhdukur gjurmët e së kaluarës, me metodat më barbare e më perfide që nuk njeh as historia, pushtuesi serb plasoi tezën falso se gjoja Kosova na qenka tokë serbe dhe se historia e saj filluaka nga mesjeta.1 bashke Nusret

Populli shqiptar, ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, duke mbrojtur tokën dhe lirinë e vet, shumë herë u përgjysmua nga luftërat, u pre, u dogj, u vra dhe u masakrua nga zjarrvënësit e Ballkanit – pushtuesit serbë.Për dhunën serbe mbi popullin shqiptar ka argumente të shumta, janë me miliona. Ky terror dhe kjo barbari nuk është ndalur asnjëherë, që nga ardhja e sllavëve në këto troje të Ilirisë. Shkalla e çmendurisë serbe ka shkuar deri në atë  nivel, sa që edhe foshnja është nxjerr nga barku i nënës shqiptare, siç ka ndodhur  edhe në luftën e fundit në Kosovë, më 1998 – 1999! Bile, bile, kriminelët serbë nga kafkat e shqiptarëve të vrarë duarlidhur kanë bërë edhe llamba për ndriçimin e dhomave të tyre. Këtë racë barbare nuk e mban mend asnjëherë historia e njerëzimit. Janë pra, po këto regjime fashiste që i vrasin edhe fëmijët e vet, për t’ua lënë fajin të tjerëve, siç ishte rasti  PANDA në Pejë, ku në një restoran të këtij qyteti, bandat policore serbe i vrasin 6 fëmijë serbë, prej të cilëve pesë ishin adoloshentë. Këtë akt të shëmtuar e barbar, i pashembullt në historinë e njerëzimit, e bëjnë vetëm e vetëm për t’ua lënë fajin shqiptarëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e për t’i hasmuar shqiptarët me popujt e tjerë të Evropës dhe botës. Për këtë rast, pas gjithë atyre torturave e burgosjeve që ua kanë bërë qindra të rinjëve shqiptarë të Pejës, bile, bile, prej tyre ka që kanë mbet invalidë për tërë jetën, nga torturat shtazarake që i ka ushtruar UDB-ja mbi ta, ata (serbët pra), pa fije turpi, pas 16 vitesh, denoncohen dhe detyrohen ta pranojnë zyrtarisht se këtë krim e kanë bërë vet.

Në të gjitha këto veprime dhune, janë implikuar, përveç organeve shtetërore (ushtria e policia), edhe institucionet shkencore serbe, madje shumë aktive dhe e pandashme në këto veprime barbare ka qenë edhe kisha ortodokse serbe. Ajo (kisha serbe pra) edhe fëmijët e posalindur serbë i bekon që t’i urrejnë përjetësisht  shqiptarët.

Imazhet  që i përcollët përmes fotove dhe videoincizimeve, flasin më shumë se çdo fjalë e imja në këtë rast. Andaj, lirisht mund të them se, ato të lënë pa koment, të lënë pa frymë. Por, pa koment të lë edhe neglizhenca dhe papërgjegjësia institucionale e organeve kompetente të Republikës së Kosovës, që nuk ia kanë ngrit asnjë padi shtetit fashist serb në Tribunalin e drejtësisë ndërkombëtare të Hagës, për gjenocidin  mbi shqiptarët, edhe pse po bëhen 18 vite.  Kjo është papërgjegjësi historike dhe absolutisht e pafalshme, aq më parë kur dihet se, themelet e shtetit të Kosovës janë ngritur në gjakun e derdhur lum të bijëvë dhe bijave tona më të mira, të nënave dhe baballarëve tanë.

Ja edhe faktet dhe shifrat të cilat e argumentojnë katërcipërisht gjenocidin serb mbi shqiptarët, edhe në luftën e fundit në Kosovë 1998- 1999

KRIMET E SERBISË NË KOSOVË

VRASJET, MASAKRIMET, DËBIMI I POPULLATËS SHQIPTARE NGA KOSOVA

VARREZAT MASIVE (660 VARREZA), VRASJET E TË RINJËVE, FEMRAVE, PLEQËVE, FËMIJËVE, INTELEKTUALËVE, DHUNIMET E FEMRAVE

RRËMBIMI I TË RINJËVE DHE TË TJERËVE, DËRGIMI DHE VRASJA NË SERBI

HELMIMET E NËXËNËSVE, RRËNIMI DHE DJEGIA E  OBJEKTEVE TË BANIMIT, OBJEKTEVE NDIHMËSE, OBJEKTEVE EKONOMIKE, ARSIMORE, KULTURORE, FETARE, ETJ.

SHKATËRRIMET E SHTËPIVE DHE OBJEKTEVE TË TJERA

SHTËPI TË SHKATËRRUARA – DËMTUARA TË POPULLATËS SHQIPTARE (100.589)

SHKOLLA TË SHKATËRRURA – TË DËMTUARA ME DOKUMENTACION (358)

ZYRA TË VENDIT (71)

SHTËPI TË KULTURËS ( 30)

BIBLIOTEKA PUBLIKE DHE SHKOLLORE ( 93)

OBJEKTE SHËNDETËSORE (123)

OBJEKTE  FETARE ( XHAMI, TEQE, TYRBE) 215

KISHA KATOLIKE SHQIPTARE (5)

OBJEKTE NDIHMËSE – PËRCJELLËSE ( 88.101)

PASOJAT E LUFTËS GJENOCIDALE

OKUPIMI KLASIK I KOSOVËS

SJELLJA E FORCAVE TË MËDHA USHTARAKE NË KOSOVË

MASAKRA  TË MËDHA

VRASJE E ORGANIZUAR, MADJE EDHE FAMILJE TË TËRA

PERIUDHA JANAR 1998 – 12 QERSHOR 1999

TË VRARË: 11.840 VIKTIMA NGA KOSOVA

1392 FËMIJË DERI NË  18 VJEÇ

296 FËMIJË DERI NË 5 VJEÇ

1739 FEMRA

1882 TË MOSHUAR MBI  65 VJEÇ

1450 BANORË ENDE JANË TË PAGJETUR

JANË DHUNUAR 20.499 FEMRA SHQIPTARE

SIPAS TË DHËNAVE TË UNHCR, NË FILLIM TË QERSHORIT TË VITIT 1999, NGA KOSOVA JANË DËBUAR RRETH 1 MILION BANORË

443.300 KANË QENË TË VDENDOSUR NË SHQIPËRI

247.800 NË MAQEDONI

69.300 NË MAL TË ZI

21.700 NË BOSNJË – HERCEGOVINË

GJITSEJT 782.100 REFUGJATË

NË VENDET E TJERA TË BOTËS U VENDOSËN GJITHSEJ 76.475 REFUGJATË

13.639 NË GJERMANI

7.581 NË TURQI

5.829  NË ITALI

5730  NË  SHBA

PASTAJ NË FRANCË, NORVEGJI, SUEDI, BRITANI TË MADHE, POLONI, SPANJË, PORTUGALI, FINLANDË, ZVICËR, IZRAEL, KANADË, AUSTRALI, ETJ.

Ja edhe shifrat e disa prej masakrave më të mëdha në Kosovë, gjatë viteve 1998/1999, për të cilat nuk u dënua asnjë kriminel serb.

26 shkurt  1998: MASAKRA E QIREZIT DHE LIKOSHANIT,

Të vrarë e të masakruar 23 shqiptarë, nga 16 deri në moshën 70 vjeçe

Asnjë kriminel serb i dënuar.

MASAKRA E IZBICËS, 147 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

5 – 8 MARS 1998: MASAKRA E PREKAZIT– 56 të vrarë, prej moshës 8 deri në 74 vjeç

Asnjë kriminel serb i dënuar.

26 shtator 1998, MASAKRA E OBRISË, 21 të vrarë, prej 2 – 94 vjeç

Asnjë kriminel serb i dënuar.

15 janar 1999,  MASAKRA E REÇAKUT, 42  të vrarë, prej 13 – 75vjeç

Asnjë kriminel serb i dënuar.

29 janar 1999, MASAKRA E ROGOVËS SË HASIT, 29 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

27prill 1999,  MASAKRA E MEJES DHE KORENICES, 376 të vrarë civilë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

MASAKRA NË DOBRATIN, BAJÇINË E KAÇANOLL, 18 të vrarë, prej 16 – 64 vjeç

Asnjë kriminel serb i dënuar.

Mars, prill, maj 1999, MASAKRA E MAKOFCIT, LLUKARIT E GRASHTICËS, 151 të vrarë, 8 të zhdukur, prej 7 – 90 vjeçe

Asnjë kriminel serb i dënuar.

19, 21 dhe 22 maj 1999, MASAKRA NË BURGUN E DUBRAVËS, 184  të vrarë, 140 të plagosur

Asnjë kriminel serb i dënuar.

MASAKRA NË CELINË TË RAHOVECIT, 51 të vrarë, prej 6 muaj – deri në 93 vjeç

Asnjë kriminel serb i dënuar.

02 .05. 1999: MASAKRA E STUDIMES – VUSHTRRI, 101 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

17 prill 1999: MASAKRA NË PAKLEKUN E VJETËR, 48 të vrarë, 3 të zhdukur, nga 10 muaj, 2 vjeç e deri në moshën 75 vjeç

Asnjë kriminel serb i dënuar.

Viti 1998/1999: MASAKRA E KAÇANIKUT  ME RRETHINË, 157 të vrarë civilë,

Asnjë kriminel serb i dënuar.

Viti 1998/1999: HANI I ELEZIT, 9 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

KRALAN – Komuna e Klinës, 25 të vrarë, 85 të zhdukur,

Asnjë kriminel serb i dënuar.

155 dëshmorë te humanitetit të SHHBK “Nëna Terezë”, 40 të zhdukur

Asnjë kriminel serb i dënuar.

15 prill 1999, REZALLË, 95  të vrarë, prej 7 vjeç deri në 87 vjeç, 3 të zhdukur

Asnjë kriminel serb i dënuar.

25 mars 1999, FORTESË – RAHOVEC, 62 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

KRUSHË E VOGËL, 113 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

KRUSHË  E MADHE, 241të vrarë, 64 të zhdukur

Asnjë kriminel serb i dënuar.

  1. MAJ 1999: QYSHK – PEJË, 42të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

31 mars 1999: PASTASEL – RAHOVEC, 106 të  vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

Prill -maj 1999, LYBENIQ, 80 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

14 maj 1999: PAVLAN, 12 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

ZAHAQ, 22 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar.

MASAKRA  E  BELEGUT, 49 të vrarë

Asnjë kriminel serb i dënuar

***

Të nderuar të pranishëm të kësaj Tryeze shkencore, të respektuar pjesëmarrës të medieve, ky është dështimi total i drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare përballë Kosovës së vrarë e të masakruar me shekuj nga barbaria serbe.Kjo është ajo Serbia fashiste e cila gjithmonë në rolin e dhelprës dinake thot: “Mu kall mua bishti po le të kallet dynjaja”.

Ndoshta dikujt i duket absurde nëse them se, qendrat kryesore të ISISIT, respektivisht të terrorizmit botëror janë pikërisht Moska e Beogradi. Këta janë financuesit kryesor të qendrave rekrutuese të Bin Lladenave, gjithandej Evropës dhe botës, e fatkeqësisht me sukses po arrijnë ta aplikojnë edhe elaboratin 25-të me radhë, të zhdukjes kolektive të shqiptarëve, por kësaj radhe duke derdhë miliarda, në bashkëpunim me Rusinë cariste të Putinit, për ta “mvesh” rininë shqiptare në mjekrra e në ferexhe të zeza, duke i përgatitur ata (shqiptarët pra) për t’i çuar drejt një lufte vëllavrasëse të karakterit ekstrem fetar, e ne shqiptarët edhe më tutje në gjum, vazhdojmë t’i ham këto çorba plot helm të Beogradit, duke e shtuar për ditë e më tepër numrin e mjekrroshave e kallugjericave me ferexhe të zeza, e duke krijuar imazh tepër të keq para Evropës e Amerikës dhe para gjithë botës përparimtare se, shqiptarët nuk na qenkan racë pellazgo – iliro – dardane, por trungu gjenealogjik i tyre na vika dikah prej  Arabisë, Sirisë, Iranit , Irakut apo Afganistanit…!!!?

Madje, vet fakti se një numër jo i vogël i rinisë shqiptare (bile  më i madhi në nivel të Evropës- fatkeqësisht) ka marrë pjesë dhe vazhdon të marrë pjesë në luftën gjenocidale të Sirisë, të len aq shije të hidhur, sa që të bën të çmendesh!!! E institucionet tona të papërgjegjshme ende vazhdojnë të ngushëllohen me statistikat e tyre, duke na afruar shifra se, këtë vit numri i terroristave që po shkojnë me luftu në Siri është më i vogël se vitin paraprak, etj.etj., dhe përralla si këto. Shtrohet pyetja: Pse liderët tanë pushtetarë dhe fetarë, lejuan me aq lehtësi “metastazimin” e këtij sekti esktrem fetar në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, por gjithë andej trojeve tona etnike, që e çmendi botën dhe po i shkakton dhimbje të parezistueshme njerëzimit, gjithë andej Evropës dhe botës?!!!. Liderët tanë ende vazhdojnë të pijnë çaj rusi tri herë në ditë dhe me sy mbyllur heshtin para këtij kapitullimi fatal, që do të na kushtoj tepër shtrenjtë, e do të na kthej 500 vjet mbrapa.E njeriu që me bashkëluftëtarët e tij, Gjeneral Ramush Haradinaj pra, dhe njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të NATOS – gjatë dhe pas luftës në Kosovë, për absurdin e Evropës dhe botës, ende vazhdon të mbahet i burgosur në Francë, me skenaret e regjimit fashist të Beogradit, apo thënë më troq me skenaret e Millosheviqave të vegjël, Nikoliq, Vuçiq, Daçiq, Dikoviç,  e plot të tjerë si këta, duke luajtur edhe më tutje me ndjenjat e shqiptarëve në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, e duke prodhuar kështu destabilitet politik, jo vetëm në rajon, por edhe në Ballkan dhe Evropë.A nuk është absurde, që pas gjithë këtij gjenocidi mbi shqiptarët, në liri vazhdon të mbetet edhe më tutje krimineli Ljubisa Dikovic?!!! Ai është aktualisht ushtaraku kryesor në Serbi. Që nga viti 2011, udhëheq Shtabin e Ushtrisë së Serbisë, ndërkohë që në këtë kapacitet ka vizituar edhe Kosovën, saktësisht bazën e KFOR-it ku ka zhvilluar takime me komandantin e kësaj force. Por, derisa mbi Gjeneralin serb Dikovic, i cili ka qenë dëshmitar në Hagë në kuadër të procesit të një ushtaraku tjetër serb, rëndojnë dyshimet se është përgjegjës për 1400 vrasje të civilëve shqiptarë në Kosovë, dhe ai edhe më tutje vazhdon të mbetet udhëheqës kryesor i asaj ushtrie vrastare serbe, shtrohet pyetja: “Çfarë ‘margaritarësh’ tjerë duhet të presin shqiptarët nga kjo Evropë ‘demokratike?!!!Qofshin të mallkuar ata që shkelin mbi gjakun e djemve dhe vajzave tona më të mira, mbi gjakun e  nënave dhe baballarëve tanë, që luftuan me shekuj për çlirimin e Kosovës dhe Bashkimin e trojeve tona etnike!Ata dhe ato që e shkelin këtë gjak, në kurriz të popullit tonë, e paqin fatin e Esat Pash Toptanit!!

*P.S. Këtë kumtesë shkencore, e lexova më, 24 shkurt 2017, me rastin e mbajtjes së Tryezës shkencore mbi gjenocidin serb mbi shqiptarët, organizuar nga Asociacioni i kriminologëve dhe kriminalistëve të Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: atak mbi nje popull, Genocidi serb, të lashtë

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT