• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një hafiz Kur’ani, mjeku i parë stomatolog shqiptar

December 15, 2023 by s p


nga Dr. Genti Kruja-“Zani i Naltë”

H. Hafiz Dr. Hasan Kaduku (1865-1948)

Hasan Kaduku lindi në Shkodër dhe ishte djali i madh nga pesë djemtë e Ismail (Mala) Kadukut, një tregtar i njohur në pazarin e qytetit në punimin e lëkurave, burrë i ndershëm, dijedashës dhe atdhetar. Hasani ishte vëllai i madh i Haxhi Ibrahim Kadukut,  i cili kreu detyra të rëndësishme në shërbim të Islamit dhe vendit të tij[1], vëllai i Riza Kadukut, funksionar në Komunitetin Mysliman në sektorin e financës, Sulejmanit (i cili posedonte kartolerinë më moderne),  si dhe Hafiz Jusuf Kadukut, një prijës fetar i shkolluar si vëllezërit e tij Hasan e Ibrahim në Universitetin e Stambollit, ku njihej për komentimin e Kur’anit gjatë qëndrimit atje.

Hasan efendiu që në moshë të re shkon në Stamboll për të vazhduar shkollën, ku vendoset pranë dajës së tij Fetah Lini, ku fillon dhe punë. Atje njihet me dijetarë të kohës, nga të cilët merrte edhe mësime mistike, si dhe filloi mësimin përmendësh të Kur’anit. Sipas kronikanit Hamdi Bushati, mësuesit e tij kishin vënë re se kishte disa probleme me dhëmbët e parë të cilët i kishin rënë dhe bënin që të mos i shqiptonte qartë shkronjat arabe me “texhvid”, të cilët duan një vokalitet shumë të pastër. Nga dashuria që kishte për Kur’anin, ai vendos fillimisht që paralel me mësimin e Kur’anit, të rregullojë edhe dhëmbët, ku u njoh edhe me profesionin e dentistit, të cilin e dashuroi menjëherë. Kështu ai i lutet dentistit të tij, që ta merrte në punë, por dentisti i thotë se nuk ka nevojë. Hafiz Hasani i thotë se, “ti nuk ke nevojë për mua, por unë kam nevojë për ty dhe jam gati të të paguaj rrogë, vetëm të rri pranë teje dhe të mësoj profesionin”, e kështu ndodhi. Më vonë fillon praktikën edhe pranë dentistit të famshëm Halid Shenazi Bej dhe më pas dhe te profesor Dionizi me kombësi armene. Pasi siguron lejen e ushtrimit të profesionit, ai kthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.

Kështu ai për një kohë të shkurtër rreth tre vjeçare bëhet Hafiz Kur’ani dhe dentist.

Hafiz Hasani me t’u kthyer nga Stambolli në Shkodër, fillon ushtrimin e këtij zanati, duke hapur një klinikë portative, duke shkuar në shtëpitë e atyre që kishin nevojë, siç shkonin edhe mjekët e tjerë. Por nga dëshira e madhe për profesionalizëm të plotë me t’u hapur Fakulteti i Stomatologjisë në Universitetin e Stambollit (1907), pasi punoi disa vjet si dentist diletant, në një moshë kur tashmë ishte familjar dhe me fëmijë, shkon përsëri në Stamboll, ku nga tre vjet studimi, që kishte fakulteti, ai i kryen studimet për dy vjet, favor ky që iu bëhej atyre që kishin njohuri praktike disa vjeçare. Hafiz Hasani arrin të bëhet një nga studentët më të përparuar të fakultetit, pavarësisht moshës së tij gati 40 vjeçare. Madje familjarët e tij tregojnë se edhe letrat që i vinin nga familja nuk i hapte deri në fundjavë, për të mos u shkëputur nga mësimet.[2] Ai diplomohet më 1908 dhe kthehet në vendlindje si i pari mjek stomatolog, apo siç njihej ndryshe “mjek dhëmbësh” me diplomë universiteti, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ai njihte gjithashtu shumë mirë arabishten, osmanishten dhe frëngjishten.

Hafiz Hasan Kaduku mbahet si njeriu që vuri bazat e shërbimit stomatologjik modern në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.

Kronikani Hamdi Bushati tregon se Hafiz Hasan Kaduku e ushtroi profesionin si dentist në disa qytete të Shqipërisë dhe në Mal të Zi. Kronikat e asaj kohe tregojnë që Hasan Kaduku, me zotësinë e një dentisti të talentuar, tërhoqi vëmendjen e të gjithë bashkëqytetarëve të tij, duke krijuar një klientelë të gjerë edhe jashtë kufijve të vendit, si p.sh. në Mal të Zi. Të gjithë konsujt e huajt që ishin të akredituar në Shkodër, si dhe personalitete të viseve të tjera të vendit, kishin si dentist (apo siç quhej atëherë mjek dhëmbësh) të tyre Hafiz Hasan Kadukun. Shkodra në fillim të shekullit XX, duke qenë një prej pikave më perëndimore të Perandorisë Osmane, kishte pesë konsullata të huaja, personeli i të cilëve bëheshin shpeshherë pacientë të Hafiz Hasanit.

Hafiz dr. Hasan Kaduku ua la trashëgim profesionin e tij pinjollëve të tjerë të familjes, e cila në atë kohë ishte një ndër më të njohurat në Shkodër. Haki Kaduku[3], djali i dentistit të parë shqiptar, pasi kreu gjimnazin në Austri dhe fakultetin e stomatologjisë në Stamboll, u kthye në Shkodër. Ai vijoi profesionin e të atit, duke punuar kështu bashkë. Derisa doli në pension, Hakiu, djali i Hasan Kadukut, punoi si dentist në poliklinikën e qytetit të Shkodrës. Ai ishte një mjek i cili i kushtonte një rëndësi të madhe edukimit të rinisë për përkujdesjen shëndetësore. Haki Kaduku mbante biseda për përkujdesjen ndaj dhëmbëve në shkollat e shtetit të të gjitha niveleve.

Tradita e familjes Kaduku vazhdon me të tjerë emra. Qamurani djali i Hakiut dhe nipi i Hafiz Hasanit, është brezi i tretë i dhëmbëtarëve të kësaj familjeje. Ndërsa Hasan Haki Kaduku, nipi i Hafiz Hasanit ka ushtruar profesionin e profesorit të matematikës në shkollat e qytetit. Ndërsa Mesereti, njëra nga vajzat e Haki Kadukut, ashtu si vëllai i vet arsimtare në matematikë, do të vinte bazat e matematikës për shumë vite në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër.

Studiuesi Osman Hoxha e përshkruan kështu figurën e Hasan Kadukut: “Njeri madhështor, shtatlartë e shpatullgjerë, syshqiponjë e hundëshkabë, me mjekër të bardhë dhe shumë i pashëm, fisnik dhe zemërgjerë, i respektuar dhe mendjemprehtë, energjik dhe i papërkulur, i dashur e bujar, ishte gjithmonë mes njerëzve, që e donin dhe i donte aq shumë. Ishte i punës por dhe i pushkës. Në kohën e rrethimit të Shkodrës nga malazezët në vitet 1912-1913, Hafiz Hasan Kadukun e gjejmë të rreshtuar në llogore përkrah vullnetarëve të tjerë, duke kryer detyrën ndaj atdheut.

Në vitin 1932 kreu edhe ritualin e Haxhit. E tashmë njerëzit e njihnin si Dr. Haxhi Hafiz Hasan ef. Kaduku.”

Shprehja “po shkoj te Kaduku”, më shumë se prej një shekulli në Shkodër nënkupton “po shkoj te dentisti”.

Klinika e famshme dentare “Kaduku”, në vitin 1948 do të sekuestrohej e gjitha nga shteti, duke bërë kështu që shumë klinika shtetërore për stomatologji në Shkodër dhe Tiranë, të hapeshin me veglat e shtëtizuara të dr. Kadukut.

Klinika e Hafiz Hasanit ndodhej në pikëtakimin e lagjeve të vjetra myslimane dhe katolike, e cila shërbeu kështu edhe si një busull afrimi mes dy besimeve, sepse klientët ishin nga të dyja lagjet.

Shenjë e tolerancës është edhe një fakt interesant ku revista katolike e kohës “Elçija e Zemrës s’Krishtit”, e vitit 1906 (vjeta XVI, Dhetuer, 1906, nr. 12), boton një reklamë interesante të Hafiz Hasan Kadukut, i cili i fton klientët që të mbushin apo të venë proteza dhëmbësh në klinikën e tij dhe paratë mund t’i paguajnë më vonë, pasi ata të jenë mësuar me protezat apo mbushjet dhe të jenë të kënaqur prej tyre.

Hafiz Hasan Kaduku ishte intelektual i plotësuar për kohën, ndaj dhe gëzonte respektin e banorëve të qytetit. Ai vishej me shije dhe ishte i dashur si me pacientët, ashtu dhe me shoqërinë që e kishte të shumtë. Paradhoma ku prisnin pacientët ishte e akomoduar mirë dhe e pajisur me libra dhe revista, madje aty kishte edhe libra për fëmijë apo ndonjë lodër.

Kultura e tij e gjerë bënte që ai të vizitohej edhe nga klerikë të lartë katolikë, si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Anton Harapi etj.

Madje Fishta i kishte kushtuar Hafiz Hasan Kadukut edhe këto vargje, të cilat tregojnë se ai ishte mjekuar te mjeku i shquar stomatolog:

“Asnjëherë s’jam përkulë

As prej shkjaut e as dhe ukut

Por rri urtë e bahem pulë

Te karrigia e Kadukut” [4]

I biri i tij, dr. Haki Kaduku, tregon se dr. Hasani ishte i pari që përdori floririn në mbushjen e dhëmbëve. Ai përdorte një peshore precize të farmacistëve, për të racionuar sasinë e arit për punimet e veçanta.

Kur mosha bëri të veten, Hafiz Hasani vetë kaloi në laborator dhe Hakiu në klinikë. Ai ishte i pari që mbajti korrespondencë me një firmë londineze (A.SH. & Sons), nga ku ka porositur edhe klinikën e tij, të cilën e ka pasur me qira në shtëpi të ndryshme shkodrane, njëra prej të cilave është fotografuar edhe nga Marubi.

Studiuesi i njohur, profesor Gëzim Uruçi, në dosjen e tij “Personalitete të shquara në memorien e malësorëve tanë”[5], (Haxhi Dr. efendi Kaduku dhe kroni i Kadukut në fshatin Theth të Dukagjinit), na njeh me shumë histori, episode dhe toponime që hapin një faqe të re shumë interesante për figurën e Hasan Kadukut. Lidhur me këtë ka shkruar edhe dr. Musa Bizaku, duke bërë një monografi për brezninë Kaduku.

Hafiz Hasani ishte ndër të parët pushues dhe i pari mysliman që veroi në fshatin turistik të Thethit që nga viti 1936, i ftuar fillimisht nga bajraktari i zonës i cili ishte edhe klient i tij.

Dr. Hasani i mahnitur nga bukuritë dhe ujërat e Thethit, mendon t’i bëjë një shërbim humanitar Thethit, një nxitje për emancipim, duke bërë një marrëveshje të firmosur nga vetë ai dhe lënë shenjat e gishtërinjve nga bajraktari i Shoshit. Ai ndërtoi depozitën e parë të ujit duke hapur kanale në drejtim të tre kullave kryesore aty pranë. Për këtë arsye, të futjes së ujit në disa shtëpi për herë të parë, që nga ajo ditë ai krua quhet “Kroni i Kadukut”. Kështu krahas kësaj hynë edhe toponime të reja “Livadhi i Kadukut”, “Bajrakja e Kadukut” etj. Ai i ftoi gjithashtu thethianët që të vinin dhe t’i kuronin dhëmbët falas në klinikën e tij në Shkodër. Gjatë qëndrimit në bjeshkët e Thethit ai mblidhte dhe përpunonte shumë bimë mjekësore, duke njohur vlerat e tyre për kurimin e shumë sëmundjeve evidente në këtë zonë.

Dr. Hasani, sipas dëshmisë së Lulash Markut, fshatar i zonës, ishte bërë shumë i vizituar nga malësorët e zonës, madje ai u lexonte edhe letrat që u vinin atyre me kënaqësi.

Hafiz Dr. Hasan Kaduku kuroi e mjekoi gjatë jetës së tij krajla, princa, konsuj, priftërinj, diplomatë e njerëz të thjeshtë. Në karrigen e tij u ulën gjithashtu njerëz të shumë kombësive.

Dr. Frederik Shiroka do ta quante Haxhi Hafiz Dr. Hasan Efendi Kadukun “Legjendë e stomatologjisë shqiptare”.[6]


[1] Haxhi Ibrahim Kaduku (1869-1949) është cilësuar si dijetari i tre kontinenteve, për arsye se shërbeu si pedagog në universitetet dhe medresetë e Stambollit, Edirnesë, Kajros, Arabisë Saudite, etj., si dhe kur u kthye në Shqipëri përfundimisht më 1925, ku u emërua drejtori i parë i Medresesë së re në lagjen Pazar, Shkodër. Më pas kreu edhe detyrën e zv/kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe për 20 vjet deri sa ndërroi jetë më 1949 ishte myfti i rrethit Kavajë.

[2] Kaduku, Hasan (nip i Hafiz Hasanit), dorëshkrim, 2012.

[3] Haki Kaduku (1900-1978).

[4] Bizaku, Dr. Musa, Vol. XII, “Historiku i Dhëmbëtarëve në Shkodër” (Breznia Kaduku), Monografi, Shkodër, 2006: 25.

[5] Uruçi, Gëzim, “Personalitete të shquara në memorien e malësorëve tanë”, (Haxhi Dr. efendi Kaduku dhe kroni i Kadukut në fshatin Theth të Dukagjinit), Shkodër, 1985: 127.

[6] Bizaku, Dr. Musa, Vol. XII, “Historiku i Dhëmbëtarëve në Shkodër” (Breznia Kaduku), Monografi, Shkodër, 2006: 8.


Filed Under: Emigracion Tagged With: Genti Kruja

Fetvaja e flamurit nga firmëtari i pavarësisë H. Vehbi Dibra ishte vendimtare në formësimin e shtetit shqiptar 109 vite më parë

November 27, 2021 by s p

Dr. Genti Kruja

“Në petkat që ka veshur muslimani, nëse ndodhet një figurë e vogël e një gjësë së gjallë, organet e të cilës prej së largu nuk duken, a ka ndonjë pengim?- Nuk ka.Nëse gjatë historisë në flamurin tonë është pranuar figura e njohur (shqiponja) dhe duke marrë parasysh se tash heqja e kësaj figure prish bashkimin dhe shkakton përçarje dhe fesat (pëçarje) dhe nga kjo ka shumë mundësi, që edhe vendi të pësojë disa rreziqe; pra, me qëllim për të ruajtur bashkimin e popullit dhe për të ndaluar mosmarrëveshjet dhe inatet dhe me qëllim që të sigurohet qetësia e përgjithshme, figura e përmendur (shqiponja) a duhet lënë ashtu siç është?Duhet.Kjo fetva është dhënë në bazë të Sheriatit dhe sipas nevojës së kohës dhe vendit… Duhet marrë parasysh se edhe mbretërit osmanë, të cilët janë edhe kalifë, duke patur dekorata, të cilat u jepen nga ana e mbretërive dhe që përmbajnë në to figura e zogj të zinj, venë e falin namazin… Të veprojmë sipas fetvasë së sipërme dhe të druhemi se mos e hedhim vendin në ndonjë greminë shkatërronjëse…Nga ju që jeni personalitetet e rralla, të pajisur me dituri, priten shërbime dhe çdo lloj përpjekje, që të bashkuar në mendime dhe veprime me njëri-tjetrin dhe të bashkuar e nën udhëheqjen e Qeverisë së Re, e cila është një dhuratë e Perëndisë, të shfaqemi… para botës politike dhe kësisoj të rrisim dhe të sigurojmë opinionin politik në favorin tonë.” Fetvaja (ligjshmëria islame) e dhënë nga H. Vehbi Dibra në Kuvendin e Vlorës, nuk ishte një lutje fetare, as një përshëndetje e thjeshtë, por një “dekretim” i aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Genti Kruja

Tirana dhe persekutimi komunist ndaj komuniteteve fetare

November 19, 2021 by s p

Nga Dr. Genti Kruja

Universiteti Bedër, Tiranë/

Kur flasim për komunizmin dhe persekutimin e tij, nuk ka si mos të na vijë ndër mend persekutimi ndaj komuniteteve fetare, që në ditët e para të instalimit të atij sistemi të mbrapshtë në vitin 1944. 

17 nëntori i djeshëm me të vërtetë përkujtohet si dita e çlirimit të Tiranës, por ajo duhet të përkujtohet edhe si dita e një pushtimi të ri mizor, ai komunist, i cili në fakt kishte filluar likujdimin e intelektualëve tiranas, që gjatë kohës së luftës, ku i pari që u pushkatua pa gjyq ishte Hoxhë Selim Braja, imami i xhamisë së Saukut, i cili u ekzekutua para derës së xhamisë më 31 gusht 1943.

Për masakrat pohon vetë sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100” (AQSH, F.14, d. 2/a v.1944)

Nuk ishte rastësi që komunizmi filloi një luftë të hapur ndaj klerit dhe komuniteteve fetare, sepse ata jo vetëm përbënin inteligjencën e kombit shqiptar dhe ishin ndër njerëzit më të shkolluar dhe të ngritur, por kishin vënë alarmin e rrezikut të bolshevizmit vite më parë me shkrimet dhe botimet e tyre.

Në vitin 1925, shumë kohë para se komunizmi të hidhte farë e rrënjë në Shqipëri, paralajmërimin më të parë e ka dhënë dijetari dhe patrioti antikomunist, Hafiz Ali Korça, me librin e tij “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit“. Nër të tjera Hafiz Aliu në këtë libër konstaton:

Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhamedit

Çelët do ta kenë luftën

Gjer në ditën e Kijametit.

Zhdukja e fesë ishte thelbësore për injektimin e dogmës komuniste dhe rrjedhimisht, për krijimin e «njeriut të ri». Megjithatë, komunistët e dinin se në pjesën dërrmuese të popullsisë, feja zinte një vend mjaft të rëndësishëm.

Sistemi totalitar filloi një luftë të paparë ndaj fesë, duke bërë një propagandë antifetare dhe duke filluar një persekutim të egër ndaj klerit fetar në përgjithësi. Kështu u arrestuan, burgosën e u pushkatuan me apo pa gjyq personalitete myslimane dhe të krishtera. Në Tiranë fillimisht u goditën drejtuesit dhe pedagogët e medresesë siç ishin H. Ismet Dibra, H. Ali Korca, Jonuz Bulej, Vexhi Buharaja, H. Ibrahim Dalliu, Hasan Tahsini, si dhe klerikë të tjerë si, Kryepeshkop Visarion Xhuvani, Imzot Vincenc Prenushi, Dom Lazer Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Hafiz Sabri Koçi, Dede Reshat Bardhi, Haki Sharofi, Ismail Muçej, Hafiz Mustafa Varoshi, Hafiz Sherif Langu, firmëtar i pavarësisë, Hafiz Esat Myftia, Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Ali Kraja, Sheh Ibrahim Karabunara, Baba Myrteza Kruja, H. Xhemal Naipi, kryetari i parë i Parlamentit në 1920, Kristofor Kisi, Atë Ilia Zoto, etj, etj.

Pas ndërhyrjeve të dhunshme të shtetit në organizimin e jetës së komuniteteve fetare, sekuestrimit të pronave, kontrollit mbi buxhetin, ndalimi i literaturës, si dhe mbyllja e shkollave, politika komuniste forcoi një propagandë të ashpër nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, pjesëve të leximimeve shkollore dhe edukimit me përbuzjen ndaj fesë, duke hapur dhe muzeun atesit, i vetmi në botë. Shumë prej udhëheqësve dhe dijetarëve më me ndikim, Sigurimi i Shtetit i ndoqi, u nxori dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori.

Sipas të dhënave zyrtare nga institucionet e Shqipërisë, gjatë regjimit komunist 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë u burgosën si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 shqiptarë janë vrarë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.

Më pas në 1967 Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë, duke shkatërruar shumicën e kishave, xhamive dhe teqeve. Edhe pse ishin pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, sipas të dhënave zyrtare nga Muzeu Historik Kombëtar, u mbyllën 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike dhe 530 teqe e tyrbe bektashiane, duke u shkatërruar shumica prej tyre, ndërsa pak nga ato mbeten, por u shndërruan dhe përcudnuan në depo dhe magazina.

Ndërsa klerikët u flijuan për besimin e tyre, besnikë deri në fund të jetës ndaj fesë dhe atdheut. 

Sot, pas gjenocidit gjysmëshekullor mbi fenë, në kushtet e sotme të lirisë së besimit, ata dëshmorë duhet të kujtohen jo vetëm me lutjet tona, por edhe me studime të ndryshme.

Shoqëria jonë nuk ka mundur ende t’u shlyejë borxhin e dinjitetit dhe mirënjohjes këtyre etërve shpirtërorë të kombit. Një detyrë të madhe ndaj tyre i ka shteti shqiptar, sepse klerikët nuk janë monopol i komuniteteve fetare, por i përkasin të gjithë shqiptarëve, brezat e rinj të të cilëve duhet të njihen nëpërmjet librave të historisë dhe letërsisë në shkollat e vendit, sepse ata shërbyen me filozofinë “Për fe e atdhe”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Genti Kruja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT