Dr. Genti Kruja
“Në petkat që ka veshur muslimani, nëse ndodhet një figurë e vogël e një gjësë së gjallë, organet e të cilës prej së largu nuk duken, a ka ndonjë pengim?- Nuk ka.Nëse gjatë historisë në flamurin tonë është pranuar figura e njohur (shqiponja) dhe duke marrë parasysh se tash heqja e kësaj figure prish bashkimin dhe shkakton përçarje dhe fesat (pëçarje) dhe nga kjo ka shumë mundësi, që edhe vendi të pësojë disa rreziqe; pra, me qëllim për të ruajtur bashkimin e popullit dhe për të ndaluar mosmarrëveshjet dhe inatet dhe me qëllim që të sigurohet qetësia e përgjithshme, figura e përmendur (shqiponja) a duhet lënë ashtu siç është?Duhet.Kjo fetva është dhënë në bazë të Sheriatit dhe sipas nevojës së kohës dhe vendit… Duhet marrë parasysh se edhe mbretërit osmanë, të cilët janë edhe kalifë, duke patur dekorata, të cilat u jepen nga ana e mbretërive dhe që përmbajnë në to figura e zogj të zinj, venë e falin namazin… Të veprojmë sipas fetvasë së sipërme dhe të druhemi se mos e hedhim vendin në ndonjë greminë shkatërronjëse…Nga ju që jeni personalitetet e rralla, të pajisur me dituri, priten shërbime dhe çdo lloj përpjekje, që të bashkuar në mendime dhe veprime me njëri-tjetrin dhe të bashkuar e nën udhëheqjen e Qeverisë së Re, e cila është një dhuratë e Perëndisë, të shfaqemi… para botës politike dhe kësisoj të rrisim dhe të sigurojmë opinionin politik në favorin tonë.” Fetvaja (ligjshmëria islame) e dhënë nga H. Vehbi Dibra në Kuvendin e Vlorës, nuk ishte një lutje fetare, as një përshëndetje e thjeshtë, por një “dekretim” i aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.