Më 7 mars 1914, nji fisnik gjerman mbërrijti në Durrës për ta marrë fronin shqiptar. Por sundimi i Mbretit Vid qe ditëshkurtë. Kundër tij u ngritën n’emën të fesë anmiqtë e Shqipnisë./
Nga Getoar Mjeku*/
Shum bujarë në Perëndim zunë t’andrrojnë kunorën e nji shteti të vogël në viset ma të lashta të kontinentit, ndërsa Turqia Evropiane po lëshonte grahmën e fundit në vjeshtën e 1912-ës. Por të gjithë andrrimtarët e kotë qenë ma fatlumë se njeriu që – mbasi kishte thanë jo njiherë – pranoi të bahej «Princ i Shqipnisë».
Shqiptarët shpallën pamvarsinë në vlugun e Luftës së Parë Ballkanike, në kohën kur vendet fqinje kishin pushtue gati cdo cep të Dheut të Arbënit. Muaj ma vonë, gjashtë Fuqitë e Mëdha t’Evropës e njohën mëvetsinë e Shqipnisë. Por lajmi i vonuem ishte dyfish i dhimbshëm: fqinjët do ta merrnin mbi gjysmën e trojeve shqiptare dhe evropianët do ta caktonin vetë sundimtarin e shtetit të ri.
Kjo ishte punë pazari. Për nji kohë, perëndimorët shpresojshin që sulltanit t’ia ruanin zotnimet që kishte në siujdhesë para se të plaste lufta. Por tani që status quo-ja s’kish ma shpëtim, Fuqitë e Mëdha nisën betejën diplomatike për ndikim n’Adriatikun Lindor. Se kush e sundonte Shqipninë do të thoshte se kujt do t’i shkonte fjala n’at anë të Botës së Vjetër.
Mbas nji ecunie të lodhshme, Fuqitë e Mëdha u pajtuan dhe shqiptarët pranuan t’ia ofrojnë fronin nji kandidati gjerman. Vilhelmi, i biri i tretë i princit Vilhelm të Vidit (Wied), fillimisht kishte ngurrue të bahej sovran i Shqipnisë. Tek mbas nji viti, austriakët si përkrahës të shqiptarëve i kishin mbushë mendjen fisnikut 38-vjeçar ta pranonte kunorën e trashigueshme të shtetit e ri.
Ndërsa Austro-Hungaria e Italia garonin për ndikim në Shqipni, zgjedhja e Vidit qe zgjidhje për ta fashitë rivalrinë. Fuqitë e Mëdha caktuan princ nji gjerman protestant, ndërkohë që as Gjermania e as protestantët s’kishin interes të veçantë në vendin e vogël. Sundimtari asnjanës, thoshin evropianët, do ta ruante baraspeshën mes fuqive dhe do t’i knaqte ithtarët e të katër besimeve të përhapuna n’Arbëni.
Por prijësi i ri nuk i knaqi të gjithë. Më 7 mars 1914, ai mbërrijti në Durrës, asokohe kryeqytet i vendit. Evropa e njohu për princ, Shqipnia e quajti Mbret. Por nuk i shkoi gjatë para se anmiqtë e Shqipnisë – dhe, ndër ta, njeriu që ia kishte ofrue kunorën – ta nisnin punën kundër tij.
Ditën që shkeli në Shqipni, Vidi e emnoi nji aristokrat nga Tirana ministër të dyfishtë, tue ia besue punët e jashtme dhe mbrojtjen. Esad Pashë Toptani kishte kryesue shpurën shqiptare, që nji muaj ma parë i pati paraqitë Vidit kërkesën për t’u ba sundimtar. Por shpërblimi që monarku i bani pashait ia hapi gropën vetë shtetit.
Ende pa e mbushë muajin në fron, mbreti kish pak arsye t’i druhej Esadit. Grupe t’armatosuna kontrollonin pjesë të ndryshme të Shqipnisë, ndërsa grekët mbanin të pushtuem jugun. Detyra ma e ngutshme për Vidin ishte me shtri pushtetin e tij në tanë truallin e principatës. Dhe pashai barkmadh kishte shprehë gadishmëni të paepun ta çonte në vend fjalën e sovranit.
Kur Vidi kërkoi zgjidhje për praninë greke në jug, Esad Pasha sugjeroi forcën si të vetmen udhë. Për kët qëllim, mori pëlqimin e mbretit për t’armatosë 7 mijë luftarë nga Shqipnia e Mesme. Ma pas, siç shestonte Vidi, njerzit e Esadit do të niseshin drejt Lumit Vjosë, matanë të cilit forcat greke kishin shpallë shtetin autonom të Vorio-Epirit.
Por ministri i mbrojtjes ishte ma së paku i interesuem në trevat përtej Vjosës. Në mes të majit, autoritetet zbuluan se Esad Pasha ishte nismëtari nji kryengritjeje që sapo kishte plasë kundër regjimit fare pranë Durrësit. Ndonse pashai u largua nga vendi, shteti shqiptar nuk i bani ballë dot grushtit t’anmikut.
Më 3 shtator, Mbreti Vid tha se po largohej përkohësisht nga Shqipnia. Por ai s’u kthye ma kurrë. Shteti shqiptar u shua. Në Durrës, rrebelët shqyen flamurin me shkabë dhe ngritën sërish gjysmëhanën osmane. Esad Pasha u shfaq prapë në vendlindje, qëroi hesapet me disa kryengritës që ma s’i duheshin dhe sundoi copë të dheut si satrap i Sërbisë. Pushtimit grek në jug s’i bani dot trazim.
Shtetin që e humbën më 1914, shqiptarët e rikthyen me shum mund më 1920 në Kogresin e Lushnjes. Por Shqipnia nuk arriti do t’i rikthejë tokat që Konferenca e Londrës padrejtësisht ia dha Jugosllavisë e Greqisë. Vilhelm Vidi ndërroi jetë më 1945, kurse i biri i tij i vetëm, princi trashigimtar Karl, vdiq pa lanë pasaardhës tri dekada ma vonë. Sundimi i dinastisë qe ditëshkurtë dhe qëlloi në motin ma t’errët në historinë e Shqipnisë.
Vërtet, Vidi nuk i knaqi të gjithë. Por jo për fajin e tij. Ai u ba halë në sytë e anmiqve, të cilët i futën flakën Shqipnisë. Historia asht hamendë ndaj kryengritjes së 1914-ës: ca flasin për nji lëvizje islame; komunistët për nji përpjekje të fshatarsisë. Mirpo, si islami si fshatarsia qenë vegla t’atyne që s’e deshtën shtetin tonë.
Rrebelët nuk e shënuan 7 Marsin. Ata s’iu gëzuan Prenk Vidit, ashtu siç nuk gëzuan shkollën qytetare shqitare, që kremtonte përvjetorin at ditë. Nuk baj thirrje që kët ditë ta kujtojmë patjetër edhe monarkun gjerman të vendit. Por krahas përvjetorit të mësonjëtores, ta nderojmë të plotë vegimin e rilindësve, duke mos e lanë anash shtetin shekullar. Sepse njimend, si njana si tjetra e mbajnë gjallë kombin tonë.
*Autori, ish-gazetar dhe përkthyes, asht kandidat për titullin «Juris Doctor» në fakultetin e drejtësisë «SMU Dedman School of Law» në Dallas, Texas, të Shteteve të Bashkuara.