• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dhënia e Portit të Durrësit, cënon Sigurinë Kombëtare

January 12, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Para pak kohësh në gazetën “Telegraf” dhe “Dielli” botova shkrimin me titull: A po shitet Porti i Durrësit? Shkrimi u botua pas kthimit të kryeministrit nga Emiratet e Bashkuara së bashku me ministrin Arben Ahmetaj me lajmin e bujshëm se ky vend do të jap 70 milion dollarë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Rama nga ana e tij nuk harroi të riktheksoi se miqtë e largët do të ndërtojnë portin e jahteve, aty ku sot është porti i Durrrësit, ndërkohë që ky do të zhvendoset në Porto Romano. Kryeministri nuk tha që kishte shkuar atje me një sërë ministrash, që do të qiraseshin në Dubai me dreka e darka, e ndoshta dhe argëtime falas si dhuratë nga Nustreti ( kam në lagje një peshkatar me emrin Nustret) dhe miqtë e tij. Tani na del se jo vetëm Porti i Durrësit por edhe Përmeti, ka dalë në shitje. Në daljen televizive të datës 11.01.2021 nënkryetari i bashkisë së Tiranës, i përfolur, për një shëtitje argëtuese në Barcelonë me paratë e shokëve biznesmenë, bën arsyetimin idjot se nuk mund të jenë bashkë dhe porti i mallrave (duke e quajtur të mirëqenë dhënien e portit) dhe ai turistik, ndërsa flitet për sipërfaqe shumëhektarëshe të ndara nga njëra-tjetra. Po ç’është sot Porti i Durrësit për Shqipërizën tonë?

 Pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën portin e Durrësit portin më të madh në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik dhe Jon, një nyje shumë të rëndësishme për tregun ndërkombëtar. Infrastruktura operacionale e tij përbëhet nga 11 kalata me një thellësi kalate që varion nga 7.5m-11.5m…. Ai është gjithashtu një vendndodhje kyçe për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit një pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII, që do lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në kontinentin Europian. Në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar (SSK) botuar nga Minisria e Mbrojtjes në korrik 2014 për domosdoshmërinë strategjike thuhet: “SSK është dokumenti më themelor planifikues për Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë…Në themel të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët, për një atdhe që garanton siguri, drejtësi, barazi dhe mirëqenie për të sotmen dhe brezat e ardhshëm… Plotësimi i domosdoshmërive strategjike kërkon mirëkuptimin dhe angazhimin e të gjithë popullit shqiptar, për të bërë zgjedhje të vështira, që garantojnë sigurinë, përmirësojnë jetën dhe përmbushin aspiratat për të ardhmen. Për Portin e Durrësit në këtë dokument theksohet: Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik do të arrihet duke nxitur projekte strategjike për ndërtimin e një aksi të rëndësishëm ndërkombëtar, që lidh një port në bregun shqiptar të Detit Adriatik (Mesdheun) me Detin e Zi, përmes lidhjes rrugore, hekurudhore, energjetike dhe të telekomunikacionit.” Si do e shohim më poshtë, nëse porti u jepet arabëve lidhja me tokën shqiptare do të jetë zero dhe koridori VIII do ketë vdekur, sepse ky ishull tashmë arab do të komunikojë me vendet mesdhetare dhe më tej, vetëm nëpërmjet detit. Atëherë le të arsyetojmë thjeshtë me pasion por pa inate jo për darkën te Nustreti dhe lapërdhira të tjera në Dubai, por ku dhe si kryeministri dhe shpura e tij kanë tradhëtuar parimet themelore të shtetit, që shprehen në dokumentin bazë të SSK-së.

E para: Nëse projekte të tilla bëhen në vende me pozicione strategjike ( në këtë rast porti i Durrësit) a shpreh ky vendim siç thuhet në SSK aspiratën, vullnetin politik të popullit shqiptar për të realizuar vizionin e përbashkët, për një atdhe që garanton siguri, drejtësi, barazi dhe mirëqenie për të sotmen dhe brezat e ardhshëm të tij? Në Shqipërinë ku ne jetojmë asnjë shqiptar, me përjashtim të kryeministrit dhe miqve të Nustretit, nuk është në dijeni të kësaj afere. Atëherë si shitet apo jepet me qira Zemra e Shqipërisë në detin Adriatik dhe toka rreth tij, pa u pyetur shqiptarët dhe pa u mbledhur Komisioni i Hartimit të SSK-së? Kjo marrëveshje apo projekt marrëveshjeje para se të kthehet në kontratë të detyrueshme duke kaluar  në parlamentin më të neveritshën që nga viti 1912, duhet tu bëhet e ditur shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

E dyta: Pse nuk bëhet e ditur, pse po bëhet, kur do të bëhet, sa do të kushtojë, cilat do të jenë përfitimet e palës shqiptare, etj e tj, në këtë aferë?

E treta: Dihet se rezerva e naftës janë të kufizuara dhe në disa vende arabe në mbarim. Investimet arabe të këtij lloji kanë qëllim strategjik, që ata të ngulen në Durrësin e Bukur për jetë e mot dhe të krijojnë “Dubain 2” këtë radhë në Mesdhe, për vete sigurisht. Mos e dhëntë zoti por në hyrje të kësaj mrekullije mund të vendoset ndonjë tabelë: Ndalohet hyrja për lypësit dhe shqiptarët. Ndërkaq shitësit e Portit do ta kenë siguruar edhe passaportën arabe.

E katërta: Në dokumentin e SSK-së rradhiten dhe rreziqet kombëtare të ndara sipas niveleve. Në rreziqet e nivelit të parë rradhiten dhe “Mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë individuale dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme.” A është e garantuar siguria kombëtare nga dhënia me qira apo shitja e Portit të Durrësit? Ajo që është kryesorja në të gjithë këtë aferë dhe që vjen erë e keqe, është mungesa e transaprencës, që është kthyer në ligj nga qeveria Rama. Kjo qeveri shet, blen, jep me qira, me PPP, merr borxh lart e posht pa dhënë shifrat e emrin e shtetit apo  bankave, sikur të ishte një SEKT antishqiptar dhe jo shërbestare e zgjedhur nga populli, që duhet t’i shërbejë atij dhe të bëj transparent çdo veprim. Ndërkaq është çasti që Presidenti i Republikës si garantues i Kushtetutës dhe opozita që korr e nuk lidh, të shprehen haptaz e qartaz për këtë aferë. Kujtesë:  Shqipëria nuk ka ende një Strategji të Sigurisë Kombëtare Detare dhe dokumenti i SSK-së i hartuar në korrik 2014, ka dy vjet e gjashtë muaj që ka skaduar. Le të shikohet në formulimin e ri të SSK-së dhe strategjia për sigurinë detare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dhenia e Portit te Durresit, Gezim Zilja, Siguria Kombetare

Mos i poshtëroni më për hir të zotit!

December 27, 2020 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Ka tridhjetë vjet që përsëritet kjo maskaradë: Për krishtlindje, për bajram, për pashkë, për vit të ri, kur ka përmbytje, kur bie tërmet një herë në njëzet apo tridhjetë vjet. Deputetë, ministra, zv/ ministra kryetarë bashkish, kryetarë qeverie, presidentë, biznesmenë, mafiozë, trafikantë, e lloj lloj parallinjsh pasi kanë larë, masazhuar e parfumosur bythët e majme, të shoqërur shpesh nga gratë e tyre budallaqe e fëmijë të stërfryrë si gjela Peqini, i shikon hipur mbi makina luksoze me bagazhin plot dhuratae ushqime. Nuk harrojnë të marrin me vete kamerat e televizoneve kombëtarë ( leri ata privatë) që të filmojnë minuta të tëra fytyrat, duke shpërndarë me duart e tyre ( edhe zonja Makbeth i kishte më të pastra) për pleqtë e mjerë të azileve dhe  fëmijët varfanjakë migjenianë të shek të XXI, majmunë leshi, arinjë plastikë  e ushqime magazinazh, që qentë e macet, që mbajnë nëpër shtëpia as që ua hedhin sytë. Dhe ju o pensionistë të mjerë, që falënderoni kryeministrin me zemër në dorë për pesëmijë lekë e zini rradhë që në mëngjes pa pyetur as për covid e as për sëmundje, kini pak më shumë dinjitet! Nuk janë paratë e kryeministrit dhe qeveritarëve more të mjerë! Janë paratë tuaja, janë djersa e gjaku juaj i dhjetëra viteve, që derdhët  për një jetë më të mirë e që shpesh u shkoi kot, për dhjamë qeni. Jo më shumë se pesëmbëdhjetë vjet më  parë ishte e ligjëruar paga e trembëdhjetë për gjithë punonjësit e pensionistët. Vetë e vunë e vetë e hoqën horrat e qeverive që shkojnë e vijnë sepse duhet të vidhnin më shumë nga paratë tuaja. A ia vlen të kërruseni aq shumë e të falëndëroni bejlerët e qeverive kur shumë më shumë ata u detyrohen, e shumë më shumë pa u ngopur vazhdojnë të vjedhin? Dhe ju qeveritarë të neveritshëm i jepni fund kësaj maskarade të fëlliqur me dhurata plastike, makarona, miell e sheqer, e pesëmijëlekëshe shpërblim. Ia morët shpirtin këtij populli e tani po i merrni dhe nderin e dinjitetin. E keni katandisur të “lumturohet “ kur ju nxirrni një vendim për shpërblim qesharak edhe pse ato nuk janë paratë tuaja. 

 Keni plot 8760 orë, 365 ditë, 48 javë, 12 muaj  çdo vit, për të menduar e punuar për njerëzit e thjeshtë,për ata që përbëjnë ashtin e ekzistencës së shtetit, që ngrihen çdo mëngjes e punojnë në fusha, male, dete, në magazina, fasoneri, administratë, shkolla, spitale e kudo mbi dhe nën tokë, që me punën e tyre mbajnë gjallë atë që quhet shoqëri njerëzore dhe shtet. Edhe nëse mendoni që me fonde shtetërore ( se ju kurrë nuk u del nga xhepi i fryrë asnjë qindarkë për të varfërit)  mund të shpërndahen dhurata njerëzve në nevojë,  s’ka pse shkon vetë kryetari i qeverisë, ministri apo kryetarët e neveritshëm të bashkive. Çoni një nëpunës të thjeshtë të institucionit, mos ua merrni erzin këtyre mjeranëve e mos ua zini miellin në grykë, sidomos, mos kërkoni me ngulm frazën poshtëruese që del nga goja e uritur e fëmijëve të pafajshëm: Faleminderit zoti kryeministër, faleminderit xhaxhi kryetar. Nuk keni të drejtë, as të shpërndani si dikur sulltaneshat monedha floriri robinjave të haremit , shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit e tu dorëzoni njerëzve personalisht çelësat. Nuk i keni ndërtuar me paratë tuaja o zuzarë!  Janë paratë e tyre ose të taksapaguesve të shteteve bujare. Ju i poshtëroni duke nënkuptuar: kryeministri, kryetari i bashkisë, qeveria  ju dhanë shtëpi të re (edhe të vdekurit dridhen atje në varr kur dëgjojnë këto bëma) prandaj ju duhet të na jepni votën. Asnjë nga ju nuk ka aq para sa të ndërtojë qoftë dhe një kotec pulash të vetme me rrogën që merr. Ju jeni shërbestarë të popullit dhe si të tillë duhet të silleni!  Mos harroni se tridhjetë vjet më parë shumica juaj laheshit me sapllak, e ndërronint brekët e kanotieret një herë në javë, gatuanit nëpër VC tuaja të ngushta, në furnela vajguri, shkonit në punë me biçikleta me kopertona gjithë mballoma e komerdare që nuk kishte vend të vendosje një pullë, e zgarën e ndryshkur, ku vendosnit dy feta bukë lyer me gjizë, mbështjellë me gazetë, të veshur me ato pardesytë dalëbojë, kthyera te rrobaqepsi, e në fund të pesëmbëdhjetëditëshit prisnit të merrnit rrogën për të blerë atë bukën përzier me patate e  marmalatën e zezë, që kishte ditë që mungonte në shtëpi. Tani që jeni fryrë më paratë e këtij populli fatkeq mos e poshtëroni më dhe mos i merrni dhe erzin! Kjo është më tepër se e neveritshme.  

PS : Dhuarat për bamirësi janë bërë e do të bëhen. Po s’është e nevojshme  të dalësh në foto, tv apo gazetë!? Nuk është  gjesti i duhur për të fituar famë apo respekt. Pastaj kur bamirësia  bëhet më paratë e shtetit kjo quhet poshtërsi, ligësi, turp.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Zilja, Mos i poshteroni, Per hir te Zotit

Petro Marko, shkrimtari legjendë i Bregdetit

December 21, 2020 by dgreca

“Sa zor është t’i futesh tjetrit në zemër, në kokë! Po t’u shkruhej njerëzve në sy e në fytyrë mendimi, shpirti, rruga, puna, qëllimi atehere bota do të kishte marr tjetër drejtim….Po shumë fytyra jane si nata…dhe hajde kupto të lutem,se ç’mbulon dhe ç’fsheh nata!” P. Marko. Qyteti i Fundit.

Shkruan:GEZIM ZILJA/

Petro Marko, shkrimtari legjendë i Bregdetit

Historia e Petro Markos  (25.11.1913-27.12.1991) është ajo e një luftëtari të madh të lirisë me përmasa ndërkombëtare, e një shkrimtari të pashembullt, e një idealisti të rrallë. Diktatura e qëlloi me të gjitha mjetet dhe format e saj për ta mposhtur, për ta kthyer në një shkrimtar oborri, ose ta detyronte të heshte si shumë të tjerë. Por ky shpirt i lirë i Bregut të Detit, nuk mund të bënte dot kompromise të tilla. As burgu, as varfëria, as izolimi nuk e thyen këtë burrë të shquar të Dhërmiut. Ai shkroi sa dhe si deshi, për luftën, për paqen, për dashurinë, për lirinë, atdheun dhe asnjëherë nuk i thurri lavde rregjimit komunist. Në librin “Intervistë me vetveten” që e shkroi në vitin 1977 dhe e plotësoi deri në ditët e fundit të jetës, ai bën një rrëfim të sinqertë, pa shtesa, pa zbukurime. Libri u botua i plotë në vitin 2000. Aty përshkruan fëmininë e hershme në fshatin e tij të lindjes Dhërmi, shkollimin, jetën në Tiranën e viteve tridhjetë, fillimin e shkrimeve të para në revistat e kohës, vajtjen në Greqi për studime të larta, pastaj vullnetar në luftën e Spanjës, jetën dhe burgun në Francë e Itali, dhe tmerrin e jetës në Shqipëri pas vitit 1944. Dy vjet pas çlirimit të Shqipërisë më 1947, arrestohet dhe bën tre vjet burg deri më 1950. Ëndrrat e shkrimtarit të ardhshëm, e idealistit të madh, u thërrmuan para realitetit vrasës në Shqipërinë e komunistëve. Ai pa sesi u shndrruan shumë nga miqte e tij të kohës së luftës në shërbëtorë të rregjimit të ri, në vrasës e kriminelë. Jeta e tij, e gruas dhe e fëmijëve, me talentin e veçantë që i kishte dhuruar natyra, atë të vëzhguesit të hollë dhe shkrimtarit, mund të kishte qenë shumë herë më e mirë dhe më e lehtë, pa atë kalvar vështirësish që kaloi, por si thotë edhe vet pak kohë para se të vdiste:  “ … Kam shkruar dhe përsëri sa të kem frymë do të shkruaj, po me atë entuziazëm të Petros idealist, të pathyeshëm, të viteve të rinisë e të luftës, dhe qëndrimi im do të jetë gjthmonë kundër çdo lloj padrejtësie, kundër shkeljes së çdo lloj të drejte njerëzore, kundër çdo pushteti diktatorial, që të pengon frymëmarrjen, që vret ëndrrat e fëmijëve dhe idealin e idealistëve, që u vë kufij me tela me gjëmba horizonteve të lira….” (Intervistë me vetveten f.534.)  I martuar me një piktore të talentuar si Safo Marko, ata e gjetën të dy gjuhën e përbashkët, duke mos bërë për asnjë çast servilin, shkrimtarin apo piktorin e realizmit socialist. Por liria dhe qëndresa ndaj diktaturës kishte një kosto që shpesh e kalonte njerëzoren. Kostua që pagoi çifti, Marko, ishte e pashëmbullt. Derisa ai burrë i jashtëzakonshëm mbylli sytë, nuk u qa, nuk u ankua, nuk u jargavit, nuk bëri asnjë lutje në komitetin e partisë për “t’i falur gabimet”, siç bënë shumë shokë të tij dhe që pastaj ia hodhën të keqes. Me një qëndrueshmëri si të heronjve mitikë, ai i piu deri në fund kupat e helmit, që diktatura ia mbushte çdo herë plot, por pa shkelur kurrë mbi veten e vet.Çifti Marko, lindi dy fëmijë. Edhe emrat e tyre i gjetën jo rastësisht: Jamarbër dhe Arianita. Të dy kam pasur rastin t’i shoh fare të rinj, kur vinin me pushime në Vlorë (Skelë) te kushërinjtë e tyre me të njejtin mbiemër. Jamarbëri (shkurt Madu) ishte një djalë as shtatëmbëdhjetë vjeç, që është pak të cilësohet i bukur. Kishte shtatin dhe bukurinë e të atit dhe delikatesën e brishtësinë e të ëmës. Shkruante që atëherë poezi, por që dalloheshin menjëherë nga ato të tjerat, që mbushnin faqet e “Dritës”, të “Yllit”, të “Nëntorit”, “Rinisë”, etj. Antikonformist si i ati, shkruante si njeri i lirë, i frymëzuar nga ideale të larta, nga natyra e bukur shqiptare, nga ndjenjat e pastra, nga dashuria njerëzore. Për ato poezi dhe sjelljet e tij prej “rebeli” e pësoi. Spiunët dhe larot e panumërt të Enver Hoxhës ia prenë hovit djalit të ri, duke e futur ende të parritur në burg. I brumosur me idealet e lirisë nga prindërit e tij, ai nuk bëri dot vjersha për partinë e socializmin, që hetuesit si hienat ia kërkuan ditë e natë. E dënuan atë, dhe u munduan të vrasin së gjalli dhe të pamposhturit Petro dhe Safo Marko. Ka një paralelizëm tragjik midis arrestimit të Petro Markos, nga komunistët në vitin 1947 dhe të birit më 1975. Ja si e përshkruan ai në libër këto dy çaste: “ …Në mes të natës erdhën njerëzit e sigurimit, më ngritën nga shtrati dhe më lidhën. Safoja qante më dënesa dhe thoshte: Pse? Ku do ta çoni?..Dhe nisi tragjedia.  Më 15 maj 1947…” Interv. me vetv. f.469”  Ndërsa për arrestimin e të birit shkruan: “… Më 7 gusht 1975 në ora 12 të natës djali u arrestua në shtëpi. Njerëzit e sigurimit e kryen detyrën duke qenë shumë të sjellshëm. Pasi i vunë prangat djalit dhe e morën, nuk lanë gjë pa kontrolluar….. Ishim të gjithë jashtëzakonisht të tronditur, por për mua ishte më e rënda. Se e pashë tim bir prapa hekurave njëlloj si veten time…” (f.530)  Jamarbëri nuk e përballoi dot burgun e rëndë të diktaturës. I tmerruar nga ato që pa e jetoi në hetuesi e burg, pasi u lirua ai u bë i heshtur dhe dalëngadalë filloi që si shok të kishte vetminë dhe më vonë alkolin. Çfarë kishte ndodhur atje në burg, çfarë i kishin bërë djalit të ri, çfarë kishte pësuar shpirti i poetit të ardhshëm? Jamarbëri kurrë nuk e tha, por nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Petro Markua vdiq më 27.12.1991. Kam qenë në varrimin e tij në Dhërmiun e bukur, bashkë me poetin Xhevahir Spahiu dhe qindra të tjerë poetë, shkrimtarë, artistë dhe njerëz të thjeshtë. Kam parë atë ditë lot në sytë e shumë burrave. Shqipërisë po i ikte një nga njerëzit e saj më të mëdhenjë të shekullit të njëzetë. Një Petro Marko, i dytë vështirë se vjen më, megjithëse toka e bregdetit është aq e begatë. Ai la pas një vepër të pavdekshme, librat, njëri më i bukur se tjetri dhe jetëshkrimin e tij të pangjashëm me të asnjë poeti dhe shkrimtari tjetër shqiptar. Petrua, nuk la para, as pasuri, sepse ai nuk dinte të bënte para, as biznes, as tregëti. Ai shkruante dhe kjo ishte detyra e tij, për këtë e kishte dërguar zoti në tokë. Megjithëse diktatura shumë libra ia bëri karton, nuk ia botoi ose ribotoi më, në Kosovë vepra e tij që në gjallje iu botua e plotë. Ai shkruan për këtë fakt:  “… Unë isha një shkrimtar i mallkuar në vendin tim, ku me sa munda luftova, punova dhe shkrova si gazetar, si poet, si shkrimtar, si përkthyes… Mahir Kada, më telefonoi e më njoftoi se kishte dalë në treg seria e plote e veprave të mia në Kosovë dhe se duhet të shkoja atje për të marrë shpërblimin që më takonte si shkrimtar, kurse unë në telefon iu përgjigja: Asnjë shpërblim nuk pranoj, por ato që më takojnë do t’i vini në shërbim të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, me emrin e Asim Vokshit që po ndërtoni…f.538”. E kush nuk ka nevojë në këtë botë për para, aq më shumë kur ato janë si rezultat i punës dhe djersës tënde?! Por ja që i tillë ishte Petro Marko dhe neve, dhe atyre që do të vinë pas nesh nuk na mbetet gjë tjetër, por të mësojmë e të mësojmë pambarimisht nga ky shqiptar i madh. Petro Markua, në këtë kuptim ishte një misionar dhe të tillë në botë lindin shumë rrallë.

 

 

 

A po shitet porti i Durrësit ?

Ditë më parë Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin Arben Ahmetaj u kthyen nga Emiratet e Bashkuara Arabe me lajmin e bujshëm se ky vend do të jap 70 milion dollarë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Madje si kurrë ndonjëherë me një shpejtësi të pazakontë pamë përfaqësuesin arab në Shqipëri bashkë me kryeministrin, në vendin ku do të ndërtoheshin mbi 2.000 apartamente. Rama nga ana e tij nuk harroi të riktheksoi se miqtë e largët do të ndërtojnë portin e jahteve, aty ku sot është porti i Durrrësit, ndërkohë që Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romano. Kaq iu është thënë shqiptarëve nga kryeministri për këtë pasuri me vlera të shumfishta. Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim nëse këto 70 milionë dollarë janë dhuratë neto,  janë marrë borxh apo janë kapar (paradhënie) bër blerjen nga “miqtë” arabë, të Portit të Durrësit. Për të kuptuar rëndësinë e portit të Durrësit (Investimet gjatë tri dekadave në këtë port kalojnë qindra milionë dollarë) po jap shkurt disa të dhëna paraprake zyrtare: Pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën portin e Durrësit portin më të madh në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik dhe Jon, një nyje shumë të rëndësishme për tregun ndërkombëtar. Infrastruktura operacionale e tij përbëhet nga 11 kalata me një thellësi kalate që varion nga 7.5m-11.5m. Mallrat kryesore që përpunohen e magazinohen në port janë mallrat të tilla si: rifuxhio të thata, rifuxhio të lëngshme, mallra të përgjithshme, kimikate, mallra të rrezikshme, plehra kimike, konteinerë, ro-ro, ngarkesa të rënda etj. Importohen mallra si miell, grurë, cimento, karburant, materiale ndërtimi, qymyr, mallra ushqimore, konteinerë.  Eksportohen  mallra si: mineral kromi, ferro-krom, skrap, konteinerë, klinker, mallra të përgjithshme etj. Porti i Durrësit kryen  78% të tregëtisë detare në nivel kombëtar. Ai është gjithashtu një vendndodhje kyçe për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit nje pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII, që do lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në kontinentin Europian. Porti i Durrësit administrohet nga Autoriteti Portual Durrës (DPA,) që është përgjegjës për planifikimin e strategjisë dhe hartimin e planeve të ndryshme për zhvillimin e Portit të Durrësit, duke marrë parasysh interesat e industrisë së portit, biznesit, dhe të tregtisë. Në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar (SSK) botuar nga Minisria e Mbrojtjes në korrik 2014 për domosdoshmërinë strategjike thuhet: “SSK është dokumenti më themelor planifikues për sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë…” Për portin e Durrësit theksohet: “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik do të arrihet duke nxitur projekte strategjike për ndërtimin e një aksi të rëndësishëm ndërkombëtar që lidh një port në bregun shqiptar të Detit Adriatik (Mesdheun) me Detin e Zi, përmes lidhjes rrugore, hekurudhore, energjetike dhe të telekomunikacionit.” Nga këto detyrime ligjore të shkruara dhe veprimin e kryeministrit, marrëveshja me Emiratet duket aferë e dyshimtë dhe jo me interes kombëtar sepse:

E para: A është kjo shitje apo dhënie me qira e Portit të Durrësit, ( i përcaktuar si një qytet, brenda qytetit të Durrësit)  në në përputhje me Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë? A është pyetur DPA-ja, komuniteti durrsak lidhur me këtë veprim të kryeministrit dhe gjithë grupet e interesit duke përfshirë specialist, inxhinjerë lundrimi, ndërtimi, arkitektë, ekonomistë, etj, etj?

E dyta: Sa do të jetë kostua e zhvendosjes dhe e rindërtimit të portit të ri dhe kur fillon e mbaron ndërtimi i tij??

E treta: Pse nuk ndërtohet porti arab i jahteve në Porto Romano, në Bish-Pallë apo Triport të Vlorës?

E Katërta: Porto Romano nuk lejon ndërtime kalate më shumë se 200m, është shumë më i cekët se Porti Durrësit dhe nuk i plotëson kushtet për një park industrial dhe ankorimin e anijeve të tonazhit të rëndë. Si do të zgjidhen këto probleme dhe sa do të jetë kostua e thellimit dhe mirëmbajtjes së portit të ri?

E pesta: Çfarë kapaciteti do të ketë porti i jahteve (është thjesht parking) dhe nga do gjënden këto anije qejfesh që do të parkojnë pikërisht në Durrës, kur bregdeti grek me ishujt, bregdeti dalmat dhe sidomos ai italian janë të mbushura me porte të tilla. E kemi një port jahtesh në Vlorë dhe ai nuk mbushet kurrë as në dimër e as në behar?!

E gjashta: Pse Shqipëria nuk ka ende një Strategji të Sigurisë Kombëtare Detare?

Shtesë 1. Për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë pozita dhe opozita shpallën tradhëtare njëra-tjetrën. Ndërkaq ne e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e Strasburgut nuk është zoti mbi tokë. Edhe atje luhet me lobingje si kudo në forumet botërore dhe Greqia është më e favorizuar. Po le të bëjmë “sehir” e mos nxitohemi në parashikime. Tani duam të japim Portin Strategjik të Durrësit me tokën dhe me detin!? E kuptoni se ç’po bejne rilindasit?

Shtesë 2. Dokumenti për Strategjinë e Sigurimit Kombëtar përpilohet çdo pesë vjet. Ai i vitit 2014 ka skaduar në 14 korrik 2019.  Dokumenti i ri ende nuk ka dalë. Kjo tregon mungesë përgjegjësie dhe amatorizëm në drejtimin e shtetit.

Shënim 3. Dëshiroj shumë, që kjo marrëveshje të jetë një tollumbace elektorale e kryeministrit. Sa për dhurata e  zemërgjërësi të “ vëllezërve arabë” unë nuk besoj. Arabët janë “baballarët e tregëtisë” dhe kurrë nuk investojnë qoftë një dollar pa fituar tre të tillë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Zilja, Petro Marko

A po shitet porti i Durrësit ?

December 14, 2020 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

A po shitet porti i Durrësit ?

Ditë më parë Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin Arben Ahmetaj u kthyen nga Emiratet e Bashkuara Arabe me lajmin e bujshëm se ky vend do të jap 70 milion dollarë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Madje si kurrë ndonjëherë me një shpejtësi të pazakontë pamë përfaqësuesin arab në Shqipëri bashkë me kryeministrin, në vendin ku do të ndërtoheshin mbi 2.000 apartamente. Rama nga ana e tij nuk harroi të riktheksoi se miqtë e largët do të ndërtojnë portin e jahteve, aty ku sot është porti i Durrrësit, ndërkohë që Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romano. Kaq iu është thënë shqiptarëve nga kryeministri për këtë pasuri me vlera të shumfishta. Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim nëse këto 70 milionë dollarë janë dhuratë neto,  janë marrë borxh apo janë kapar (paradhënie) bër blerjen nga “miqtë” arabë, të Portit të Durrësit. Për të kuptuar rëndësinë e portit të Durrësit (Investimet gjatë tri dekadave në këtë port kalojnë qindra milionë dollarë) po jap shkurt disa të dhëna paraprake zyrtare: Pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën portin e Durrësit portin më të madh në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik dhe Jon, një nyje shumë të rëndësishme për tregun ndërkombëtar. Infrastruktura operacionale e tij përbëhet nga 11 kalata me një thellësi kalate që varion nga 7.5m-11.5m. Mallrat kryesore që përpunohen e magazinohen në port janë mallrat të tilla si: rifuxhio të thata, rifuxhio të lëngshme, mallra të përgjithshme, kimikate, mallra të rrezikshme, plehra kimike, konteinerë, ro-ro, ngarkesa të rënda etj. Importohen mallra si miell, grurë, cimento, karburant, materiale ndërtimi, qymyr, mallra ushqimore, konteinerë.  Eksportohen  mallra si: mineral kromi, ferro-krom, skrap, konteinerë, klinker, mallra të përgjithshme etj. Porti i Durrësit kryen  78% të tregëtisë detare në nivel kombëtar. Ai është gjithashtu një vendndodhje kyçe për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit nje pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII, që do lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në kontinentin Europian. Porti i Durrësit administrohet nga Autoriteti Portual Durrës (DPA,) që është përgjegjës për planifikimin e strategjisë dhe hartimin e planeve të ndryshme për zhvillimin e Portit të Durrësit, duke marrë parasysh interesat e industrisë së portit, biznesit, dhe të tregtisë. Në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar (SSK) botuar nga Minisria e Mbrojtjes në korrik 2014 për domosdoshmërinë strategjike thuhet: “SSK është dokumenti më themelor planifikues për sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë…” Për portin e Durrësit theksohet: “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik do të arrihet duke nxitur projekte strategjike për ndërtimin e një aksi të rëndësishëm ndërkombëtar që lidh një port në bregun shqiptar të Detit Adriatik (Mesdheun) me Detin e Zi, përmes lidhjes rrugore, hekurudhore, energjetike dhe të telekomunikacionit.” Nga këto detyrime ligjore të shkruara dhe veprimin e kryeministrit, marrëveshja me Emiratet duket aferë e dyshimtë dhe jo me interes kombëtar sepse: 

E para: A është kjo shitje apo dhënie me qira e Portit të Durrësit, ( i përcaktuar si një qytet, brenda qytetit të Durrësit)  në në përputhje me Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë? A është pyetur DPA-ja, komuniteti durrsak lidhur me këtë veprim të kryeministrit dhe gjithë grupet e interesit duke përfshirë specialist, inxhinjerë lundrimi, ndërtimi, arkitektë, ekonomistë, etj, etj? 

E dyta: Sa do të jetë kostua e zhvendosjes dhe e rindërtimit të portit të ri dhe kur fillon e mbaron ndërtimi i tij?? 

E treta: Pse nuk ndërtohet porti arab i jahteve në Porto Romano, në Bish-Pallë apo Triport të Vlorës?

E Katërta: Porto Romano nuk lejon ndërtime kalate më shumë se 200m, është shumë më i cekët se Porti Durrësit dhe nuk i plotëson kushtet për një park industrial dhe ankorimin e anijeve të tonazhit të rëndë. Si do të zgjidhen këto probleme dhe sa do të jetë kostua e thellimit dhe mirëmbajtjes së portit të ri?

E pesta: Çfarë kapaciteti do të ketë porti i jahteve (është thjesht parking) dhe nga do gjënden këto anije qejfesh që do të parkojnë pikërisht në Durrës, kur bregdeti grek me ishujt, bregdeti dalmat dhe sidomos ai italian janë të mbushura me porte të tilla. E kemi një port jahtesh në Vlorë dhe ai nuk mbushet kurrë as në dimër e as në behar?! 

E gjashta: Pse Shqipëria nuk ka ende një Strategji të Sigurisë Kombëtare Detare? 

Shtesë 1. Për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë pozita dhe opozita shpallën tradhëtare njëra-tjetrën. Ndërkaq ne e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e Strasburgut nuk është zoti mbi tokë. Edhe atje luhet me lobingje si kudo në forumet botërore dhe Greqia është më e favorizuar. Po le të bëjmë “sehir” e mos nxitohemi në parashikime. Tani duam të japim Portin Strategjik të Durrësit me tokën dhe me detin!?

Shtesë 2. Dokumenti për Strategjinë e Sigurimit Kombëtar përpilohet çdo pesë vjet. Ai i vitit 2014 ka skaduar në 14 korrik 2019.  Dokumenti i ri ende nuk ka dalë. Kjo tregon mungesë përgjegjësie dhe amatorizëm në drejtimin e shtetit. 

Shënim 3. Dëshiroj shumë, që kjo marrëveshje të jetë një tollumbace elektorale e kryeministrit. Sa për dhurata e  zemërgjërësi të “ vëllezërve arabë” unë nuk besoj. Arabët janë “baballarët e tregëtisë” dhe kurrë nuk investojnë qoftë një dollar pa fituar tre të tillë.

Filed Under: Politike Tagged With: Gezim Zilja, Porti i Durresit

BIBLIOTEKA“SHEFQET MUSARAJ”!?

December 9, 2020 by dgreca

-Biblioteka, që nga koha e diktaturës dhe deri sot mban emrin Shefqet Musaraj (1914-1986) anëtar i Partisë Komuniste, që në themelimin e saj dhe shkrimtar i realizmit socialist. Gjatë luftës, ka mbajtur pseudonimet Shkrimtari dhe Çeçua. Nga  dokumenatat e arkivit të shtetit   (AQSH F 22/ap. V. 1943, D 3/1, f.1-3. Fondi 14 në AQSH. )  del se veprimtaria e tij kryesore ka qenë informimi mbi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe Tiranës për  vitet 1943-1944, mbi lëvizjet e krerëve të Ballit Kombëtar, formacioneve të tyre luftarake, demaskimi i gjithë organizatave të tjera si Balli, Legaliteti apo Partia Social-Demokrate, duke i shpallur armiq të partisë. /

SHKRUAN:GEZIM ZILJA/

Biblioteka e Vlorës ka ndërruar disa herë vend. Tani ndodhet diku aty afër qendrës në një ndërtesë modeste. Gjatë egzistencës ka pësuar dy humbje të mëdha. E para është vjedhja, plaçkitja, hedhja në plehra e bibiotekës së Eqerem Bej Vlorës pas ardhjes në fuqi të komunistëve, një pasuri e pazëvendësueshme me vlera të pallogaritshme kombëtare. Hera e dytë është sërish vjedhja, djegia, grisja, e hedhja trotuareve e rrugëve të Vlorës të qindra librave, gjatë muajit mars të vitit 1997, nga turmat e vulgut vlonjat e më gjerë, të drejtuara nga disa intelektualë e politikanë antishqiptarë. Ishin ata që nën maskën e fjalës popull, drejtuan turmat e papërgjegjshme në djegjen e plaçkitjen e institucioneve shtetërore si shkolla, gjykata, bashki, komisariate, muze, biblioteka deri kopshtet e fëmijeve, duke gjunjëzuar shtetin e kryer porositë e segmenteve të huaja ekstremiste antishqiptare.  Biblioteka, që nga koha e diktaturës dhe deri sot mban emrin Shefqet Musaraj (1914-1986) anëtar i Partisë Komuniste, që në themelimin e saj dhe shkrimtar i realizmit socialist. Gjatë luftës, ka mbajtur pseudonimet Shkrimtari dhe Çeçua. Nga  dokumenatat e arkivit të shtetit   (AQSH F 22/ap. V. 1943, D 3/1, f.1-3. Fondi 14 në AQSH. )  del se veprimtaria e tij kryesore ka qenë informimi mbi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe Tiranës për  vitet 1943-1944, mbi lëvizjet e krerëve të Ballit Kombëtar, formacioneve të tyre luftarake, demaskimi i gjithë organizatave të tjera si Balli, Legaliteti apo Partia Social-Demokrate, duke i shpallur armiq të partisë. Pjesa më e madhe e letrave që gjenden në Arkivin Qendror i drejtohen personalisht shokut Taras, alias Enver Hoxha. Në to përmenden Gjon Markagjoni, Fiqiri Dineja, Abaz Kupi, Xhafer Deva, Abaz Ermenji, Fasli Frashëri, Ismail Tatzati, Ali Këlcyra, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Skënder Muço, …. Dosti, Xhaf Bali etj. Shefqeti merrte dhe dërgonte informacion, duke gënjyer e justifikuar çdo veprim të Partisë Komuniste edhe në rastet, kur ai vet ishte i qartë se vrasjet kryheshin për terror, asgjësimin e kundërshtarëve politikë, që shpesh ishin njerëz të thjeshtë, që nuk ishin dakord me vijën e Partisë Komuniste dhe ndërhyrjen e komunistëve  jugosllavë. Në mënyrë të veçantë ai informonte çdo veprimtari të Balli Kombëtar, duke i cilësuar ata  në bazë të direktivav të Partisë Komuniste armiq, që duheshin  luftuar e asgjësuar me çdo kusht.  Edhe kur faktet ishin ne favor të krerëve të Ballit, Shefqet Musaraj me porosi të partisë propagandonte të kundërtën. Ja si informon ai Tarasin për vrasjen e Zejnel Avdurrahmanit në Kaninë. Fillimisht në letrën e tij ai flet mirë për të, si një njeri të ndershëm, i pangatërruar, që shikonte punën e vete pasi ai e njihte mirë. Ai i shkruan Tarasit “…: Në qoftë se Zejnel Abdurrahmani është ekzekutuar vetëm si “spiun”, unë deklaroj me sinqeritetin e një komunisti se Zejnel Abdurrahmanin s’ka njeri që ta njohë për të këtillë….”. Por më tej sapo informohet se Zejnel Avdurrahmanin e ka vrarë partia ai shton: “Partia lëshoi komunikatë: Dora a drejtësisë ekzekutoi Zejnel Abdurrahmanin, spiun, provokator i njohur prej popullit. Dhe kështu vendimi u muar, Zejnel Abdurrahmani u vra,. Nashti s’na mbetet veçse të bëjmë tonën: Dy duar për një kokë janë…” Shikoni me vëmendje këtë fotografi që është bërë në Smokthinë, Matogjin në vitin 1943, në shtëpinë e Qemal Xhelo Musarajt, djalë xhaxhai i Shefqetit, pas një darke shtruar për miqtë. Fati i tyre ishte i ndryshëm megjithëse ishin miq e kushërinjë. Shefqetin kur e lajmëruan, se Zejnel Avdurrahmanin ishte vrarë nga Partia Komuniste mbajti anën e partisë. Avdul Kuçi një personalitet i kohës, jurist, deputet, në Luftën e Vlorës më 1920 hartoi tekstin e Ultimatumit drejtuar gjeneral Piaçentinit, dhe u caktua prokuror nga Komiteti i Luftës. Më 10 maj 1945, me vendim nr. 12, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi me vdekje si «kriminel lufte» dhe konfiskimin e pasurisë. U pushkatua më 1945.

unnamed

Smokthinë, Matogjin, 1943, një darkë në shtëpinë e Qemal Xhelos. Nga e majta në të djathtë Shefqet Musaraj, Zejnel Avdurrahmani, pushkatuar, Abdul Kuçi pushkatuar, Qemal Musaraj vdekur në burg.

Qemal Musarajit, djali xhaxhait të Shefqetit, si fshatar i pasur dhe përkrahës i Ballit Kombëtar komunistët i dogjën shtëpinë qysh në vitin 1943. Në vitin 1945 i sekuestruan gjithë pasurinë dhe e burgosën duke lënë rrugëve gruan dhe dy fëmijë të mitur. Ja një pjesë e letrës, dërguar gruas së vet, që mban datën (janë katër të tilla)  14 maj 1952. 

“…Letrën e prillit a e kini marrë apo jo? Ushqimet i kam ngrënë me kohë, i dava me Namikun. Brenda halleve tuaja më ndihmoni edhe mua me pak të holla dhe ndonjë send për të ngrënë. Më dërgoni ndonjë çikë gjizë mase u jep njeri….  (Arkivi MPB Dosja 516, fletë 42.) . I sëmurë, i uritur, pa ndihmë mjeksore, i torturuar fizikisht e shpirtërisht Qemal Xhelo Musaraj dha shpirt në moshën 45 vjeçare, më 18 tetor të vitit 1952, në burgun famëkeq të  Burrelit. Ndërkaq Shefqet Musaraj si besnik i partisë komuniste ngjiste shkallët e karrierës. Në vitin 1945 sipas modelit stalinist sovjetik u formua Lidhja e Shkrimtarëve. Qëllimi i saj ishte që gjithë krijimtaria letrare por edhe ajo që studiohej në shkolla të vihej në shërbim të ideologjisë komuniste. Tashmë do zotëronin parullat: E jap jetën për partinë, partia mbi të gjitha, e di partia, me partinë në ballë, plumbin ballit armiqve të partisë  etj etj.  Në letërsinë e re, të ashtuquajtur e realizmit socialist personazh kryesor ishte komunisti, sekretari i partisë, hetuesi, sigurimsi  që lufton e sakrifikohet në emër të ndërtimit të një bote të re, në luftë me armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Me porosi të partisë më 1947 Lidhja organizoi Konferencën e Tretë të Shkrimtarëve. Qëllimi ishte të shkarkohej Prof. Sejfulla Malëshova si Kryetar i Lidhjes dhe në krye të vendoseshin njerëzit e partisë. Dhe ashtu ndodhi. Kryetar u zgjodh Dhimitër Shuteriqi, sekretar Fatmir Gjata (autor i romanit famëkeq “Këneta”)  dhe Sekretar i Përgjithshëm Shefqet Musaraj. Dr Ymer Dishnica dhe Prof Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja. Më vonë Shefqet Musaraj do të zgjidhej dhe Kryetar i Lidhjes dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në gjithë gjuetinë e shtrigave, që u organizua nga partia dhe sigurimi i shtetit kundër shkrimtarëve përparimtarë do të ishte aprovimi ose firma e Shefqet Musarajt. Së bashku me Fatmir Gjatën, e të tjerë do të ishte nga njerëzit kryesorë të mënjanimit, përjashtimit,  burgosjes ose hedhjes baltë mbi Branko Merxhanin, Nebil, Çikën, Petro Markon, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Ali Asllanin, Musine Kokalarin e mjaft të tjerëve. Ashtu si në kohën e luftës kur i burgoseshin e vriteshin shokët e miqtë e tij e  nuk tha një fjalë për t’i mbrojtur, ashtu veproi edhe pas luftës. Kur burgosej Petro Marko, dënoheshin e ndaloheshin të shkruanin Mitrushi, Lasgushi, Musineja e Ali Asllani ai mbajti anën e partisë e për këtë u shpërblye me poste e dekorata.  Si shkrimtar ai sot hyn në të harruarit.. Ai është autor i disa romaneve pa vlerë, që shtrembëronin të vërtetën e luftës antifashiste, glorifikonin  figurën e Enver Hoxhës dhe rolin e Partisë Komuniste dhe i thurrnin hymne luftës së klasave. Asnjë vepër e tij e realizmit socialist nuk është në qarkullim sot.Madje ai u akuzua rëndë nga kundërshtarët e tij pas luftës, si shërbëtor i fashizmit nga i cili mori dhe një shpërblim të konsiderueshëm në para, dhe vjedhës i dorëshkrimeve të studiuesit e historianit Ilo Mitkë Qafëzezit, të cilat i paraqiste si të vetat. Dhe për ta mbyllur kur Ali Asllani, Poeti i Madh Shqiptar bënte lutje pas lutje për tu pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve, e më vonë t’i caktonin një pension pleqërie, Shefqeti i përgjigjej që ke biografi të keqe e ajo të pengon. Pyetja ime është: Ç’domethënie ka sot emri i Shefqet Musarajt për bibliotekën e qytetit të Vlorës?  P.S Çfarë kam  shkruar më sipër është e dokumentuar dhe mund të jap fakte e sqarime të mëtejshme por kam shkruar aq sa lejohet në një artikull gazete (ose f.b) për të mos lodhur lexuesin. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Shefqet Mysaraj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT