• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hamz Kazazi dhe kryengritja e vitit 1835…

May 2, 2017 by dgreca

Sipas Epikës Historike/

1 Gezim Zilja ok

Nga Gëzim Zilja/

Në Stamboll thirri telalli/Dilni shihni Hamz Kazazin/Hamz Kazazi çaj burr’ i zi/Shtat’ taborret na i ka gri…Hafëz pasha n’daç me i hikë vorrit/Zdrypi atit hyp vaporit…  /1 Hamza_Kazazi

Hamz Kazazi qysh në rini kishte mësuar mjeshtërinë e përpunimit të mëndafshit e të jorganëve. Njihte mirë gjuhën turke dhe atë arabe. Në kohën e Mustafa pashë Bushatit kishte ushtruar detyrën e kullukçibashit (komandant i rojeve të qytetit), që e mbajti derisa sa e shkarkoi Hafëz pasha, që zëvëndësoi figurën e urryer të Namik pashës. Në krye të 10.000 ushtarëve, Hafëz pasha u përpoq  të vinte në jetë fermanin e sulltanit prej 24 pikash, në zbatim të reformave të Tanzimatit, duke ngritur taksat e kërkuar nizamë: Hafiz pasha kodër m’kodër/Ep haraçin, o mori Shkodër/ Unë haraçin nuk e nap/sa të bahem voj e gjak/Gjuhën turçe nuk e di/ N’Pazar nuk t’la me hi. Fillmisht Hafëz pasha kërkoi vullnetarë për të mbrojtur kalanë e Shpuzës. Shkodra nuk ja dha. Si kundërpërgjigje ai ngriti sërish taksat. Në kohën që kadiu po lexonte fermanin e Sulltanit, banorët e lagjes Tophane e sulmuan kadiun  dhe ushtarët që e shoqëronin atë. Iptida(filloi) u  kndue fermani/Në mehqeme të kadisë/Shkodra të vetën e bani/i erth’ hakut osmanllisë/Të shtunën dy fermana/nji haraç do ta qesin/aty ndodhnë dy asllana/Nuk e lajm, por do të vdesim. Gjatë përpjekjes u vranë disa nizamë turq. Nën presionin e qytetarëve të armatosur, forcat turke mbyllen në kështjellën e qytetit dhe në Pazarin e Shkodrës, që përfshinte një rrjet prej 489 dyqanesh, ku prodhohej e shitej gjithçka në një rreze, që përfshinte Shqipërinë e Mesme, Kosovën, Malin e Zi, e më gjerë. Pazari i Shkodrës, ishte një qytet brenda qytetit dhe mbyllja e tij sillte detyrimisht paralizimin e gjithë jetës së Shkodrës.

Shkodranët e armatosur kërkuan takim me Hafëz Pashën, ku paraqitën kërkesat e tyre, por nuk ranë dakord për asgjë. Me pabesinë e pushtuesit, pas bisedimeve, ai urdhëroi arrestimin e disa krerëve që ishin në takim, midis të cilëve dhe Hamz Kazazin. Për zbatimin e urdhërit u dërgua Selim Reçi, që populli i vuri epitetin Buzështrembri, (më vonë kryengritësit di t’i vinin zjarrin sarajeve të tij në Bahçellëk) si dhe komandanti i rojës së qytetit Hasan aga Xhabia. Hamz’ Kazazi me të mësuar urdhërin, grumbulloi njerëzit e vet dhe i priti me armë. Krismat ngritën në këmbë gjithë qytetin: Hamza aga burr i mirë/Me tagan me dy kobure/Pa ndijoni ju vezirë/Nuk asht Shkodra si n’Babune/Hamza aga me do burra/Vetvedin e ban fida(theror)/Karakollin e qet te ura/Sonde është nata për me u pa. Dhe më tej: Krisi pushka edhe topi/Të gjith’ hallku(njerëzia) ndodhet fjetë/Çonu djelm na ndihmoft’ zoti/Sonde është nata me dekë. Luftimet zgjatën gjashtë orë dhe forcat turke pasi lanë shumë të vrarë u detyruan të tërhiqen. Nuk është Shkodra, Babune, thërrisnin kryengritësit nëpër rrugët e qytetit, duke kujtuar disfatën e Mustafa Pashë Bushatlliut. Menjëherë gjithë qyteti u organizua në bazë lagjesh me komandantët e tyre. Dy ditë më vonë: Të martën mbrama në jaci(lutje) /Në Shkodër u xu nizaja(lufta)/Kush të jetë trim dai/Le të shkojë te Hamzaja./Unë vergin’nuk e laj/Sa t’kem Hamz Kazazin gjallë. Në krye të kryengritjes dolën Hamz Kazazi, Hysen Beu, Haxhi Idrizi, Dasho Shkreli, Haxhi Abdurrahmani, Selja Kasemi, Ali Bajrami, Jusuf beu, Kasem Hoxha etj. Qytetarët e Shkodrës, formuan një këshill të përkohshëm. Hysen Beu u caktua me çështjet administrative dhe Hamz Kazazi me drejtimin e veprimeve ushtarake: tashmë shkodranët e kishin një Komandant të Përgjithshëm dhe e dinin mirë se ç’kërkonin. Më 24 maj të vitit 1935, rreth 10.000 shkodranë të armatosur të prirë nga Hamz Kazazi, sulmojnë Pazarin dhe Kështjellën të vetmet ‘’fortesa’’ në duart e Hafëz Pashës. Hamza aga dredh mustakun/Pa ndigjoni ju shkodranë/Mos e leni pa derdh gjakun/Se ju shtin mbreti nizam/Shkodra namin e ka pasë/veç njitash i qe harrue… Lufta zhvillohet e ashpër dhe e përgjakshme ku trimat shkodranë kanë marrë në sy vdekjen. Vargjet e këngëve japin si në një libër të shkruar nga një historian i kujdesshëm, kronikën e ngjarjeve dhe komandantët:  Haxhi Idrizi kishte thanë/Aferim more ndocjanë (banorë të lagjes Ndocaj)/Që i rrini hasmit n’grykë/Ç’ju griu topi të tanë/E se bat’kabull me ikë. Isuf begu soj vezirit/Pa ndijoni ju tabakë( banorë të lagjes Tabake)/Erth’ nizami në breg të Kirit/T’shkojmë e t’ndeshna flak’ për flak’ /Hasan Hoti thot’ nji fjalë/Hafiz pasha më ndijo mue/me kap Shkodra pushkën mbarë/nji se lanë me teprue/ Hafiz pasha kryelopa/S’merret Shkodra me topa/As me topa as me havana/Dasho Shkrelin (lagja Tudas) s’e ban nana/Preu nizamin te mehana./Trim qenka gjet belanë/ Lufton Dashja me gjith’ të vllanë. Hini Selja në Tabakë/ t’i vem top edhe havanë/Daut Pasha me dyrbi/Vjen Selja tuj hallakatë/mashalla fistanli!  

Në sulmin e tyre kryengritësit gjenden nënë breshëritë e topave dhe të pushkëve, të një ushtrie të organizuar dhe fortifikuar në llogore. Humbjet në njerëz janë të mëdha dhe rreshtat e kryengritësve fillojnë të  kositen nga drapri i vdekjes. N’fund të kodrës n’rrugë të madhe/Vijnë shkodranët tuj hallakatë/Asqeri i grin n’batare. Mirpo Shkodrës do t’i vijnë në ndihmë shqiptarët e tjerë. E para mbërrin Postriba me trimat e saj: Postriba i shkon imdat(ndihmë)… /Postriba porsi motit/Me yruç shkuen te topi/Me yryç te topi shkuen/Dhan’ e dhan’ e dot se muern. Por Shkodra e Postriba nuk janë vetëm. Në ndihmë të tyre vërshojnë të tjerë shqiptarë nga Hoti, Kraja, Shala, Shoshi e Ulqini: Te xhamia e Haxhi Bajramit/U dha tim e u dha flakë/Aty ndodhen zogjt’ e shkodranit/Nizamin e hoqn’ nën shpatë./Hot e Kraj, Shal e Shosh/Postriba me shkodranë/yryç bajnë në Tarabosh/marrin krena e nishana. I ndodhur ngushtë Hafëz Pasha, kërkon ndihmën e  sundimtarëve të Krujës, Tiranës, Dibrës, Pejës, Gjakovës, Matit, Mirditës, të cilat qëndruan në Lezh pa hyrë në luftë. Edhe ndonjë që u përpoq: Pasha i Dibrës vjen në Lesh/me shkodran desh me liftu/t’gjith asqerin ia ban pshesh/iku qeni e u marrue./Abdyrr begu me kruetanë/ka zhgul çadrat e ka ikë/Na s’mund t’luftojmë me shkodranë…

Më 29 korrik një pjesë e kryengritësve me Hamz Kazazin në krye luftuan për katër orë rresht kundër një anijeje me ushqime, që u dërgua në ndihmë të garnizonit turk. Këtu u plagos rëndë Hamz Kazazi, gjë që e detyroi të tërhiqej nga luftimet. Vdiq më 1859. Në varrin e tij është gdhendur një shpatë (tagan) si dëshmi e trimërive të tij. Pas luftimeve të përgjakshme më 10 gusht u vendos armëpushimi. Ti Hafiz me tet’ tabore/Je vadit në Manastir/Kësaj i thonë Shkodër mizore/ta ban hor edhe rezil(të turpëron). Po kështu dhe komandanti tjetër turk: Daut Pasha me tet’ taborre/Nat’ e dit’ po ban llogore/Gjith asqerin e farove/Me Shkodër gja nuk fitove. Forcat e Daut Pashës tërhiqen dhe Pazari i Shkodrës hapet sërish. Shkodra merr frymë lirisht pas pesë muaj luftimesh. Më 18 shtator1935, ushtria turke hyn në Shkodër në bazë të marrëveshjes midis shkodranëve dhe qeveritarit turk. Në marrëveshje midis të tjerash u ra dakord që Shkodra me rrethinat të mos  dërgonte nizamë për Portën e Lartë.

 

Hamz Kazazi

Filed Under: Histori Tagged With: e vitit 1835, Gezim Zilja, Hamz Kazazi dhe, kryengritja

Masakra e Manastirit

April 20, 2017 by dgreca

Vrasja e kapedanëve Veliko Jaçe e Asllan Kuca/

Nga Gëzim Zilja/

Pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës (1822) duke përfituar nga gjendja e krijuar, Porta e Lartë, në gjithë vilajetet shqiptare vendosi administratorë turq. Kjo zemëroi pa masë krerët shqiptarë, të mësuar për qindra vjet, që krahinat e tyre të administroheshin nga shqiptarë, duke paguar disa taksa ose detyrime minimale. Gjashtë vjet më vonë, më 7 nëntor1828, do të kemi përpjekjet e para të bashkimit të shqiptarëve, që kërkonin me forcë të administroheshin nga krerë vendas dhe sidomos të mos jepnin nizmë (ushtarë). Në librin e Thimi Mitkos Bleta Shqiptare (1881) midis shumë xhevaireve gjejmë dhe këto vargje: E kini dëgjuarë/Apo e keni mësuarë/Kazatë të gjitha u mbëluadhë/po për të pajtsuarë/turqit(myslimanët shqiptarë) e të kështerë/të gjithë të parëtë/bejërat e agallarëtë/të gjithë bujarëtë…. Mbledhja u bë në Senicë, një fshat afër Delvinës. Një mesazh i fuqishëm për bashkimin e shqiptarëve  që po vriteshin me njeri-tjetrin jepet në fjalët e Idriz Zhulatit: Mbani vesh o kapetanë/dhe ju bejëra e agallarë/Të madhe ju bëni rixhanë/Ta lidhim mirë ixhanë(pajtimin)/se gjithë trimat u vranë/Vriten shok’ e vëllamë/gjithë miq e fshatarë/Gjithë fis e gjithë farë.

Kjo besëlidhje, e para pas rënies së pashallëkut të Janinës, do të shqetësonte Portën e Lartë. Ndërkohë shqiptarët kishin arritur t’i dëbonin administratorët turq. Shahin Bej Delvina kishte arritur të merrte Delvinën. Iljaz Poda komandonte Shqipërinë Qëndrore dhe kishte mbledhur rreth vetes trupat që kishin mbetur nga Ali Pasha, Vlora e rrethinat e saj qeveriseshin nga Beqir bej Vlora, vëllai i Ismail Beut, ndërsa qyteti i Beratit kishte rënë në duart e Tafil Buzit. Veli(ko) Jaçe dhe Asllan Bej Kuca (Në disa këngë e gjejmë dhe Asllan Puçe) qeverisnin Janinën dhe pjesën tjetër të Epirit. Asllan Kuca ishte i biri i Ago Myhyrdarit, një nga sekretarët personal të  Ali Pashës. Ai përmendet jo vetëm si trim por edhe si njeri i arsimuar dhe i ditur. Asllan e Veliu dy/Bo-bo ç’janë të këqi’/veten e bëjnë beli’/luftojnë me një vali/Me një goxha Rumeli.

Sapo Greqia shpalli pavarësinë më 1830, Porta e Lartë iu vërsul pashallarëve shqiptarë me zjarr e hekur.  Sadrazemi, Mehmet Reshit Pasha, u ofroi krerëve të ‘’pabindur’’ shqiptarë një amnisti të përgjithshme, e cila do të shoqërohej me shpërblime dhe dhënien e rrogave të prapambetura krerëve dhe ushtarëve. Mjaft nga udhëheqësit kryesorë si Zylyftar Poda, Tafil Buzi, Çelo Picari, Hodo Nivica, Abdyl Koka etj, duke njohur mirë kurthet dhe pabesitë e Portës së Lartë nuk shkuan madje paralajmëruan dhe krerët e tjerë, duke përfshirë Veliko Jaçen e Asllan Kucën. Këta të fundit, ashtu trima të çartur dhe sedërqarë, për siguri morën me vete shumë shoqërues të armatosur. Ishin aq të bindur e të sigurt në vendimin e tyre sa: Asllan beu me Veli benë/në Meçov’ e bënë benë/në Manastir do të venë/ të kërkojnë ylefenë(rrogën)/Po s’na e dhanë me të mirë/do të djegëm Manastirë. Më 9 gusht 1830, mbi 500 shqiptarë, bashkë me shumë komandantë të krahinave të Jugut, veshur me rrobat e tyre plot ngjyra e armë të stolisura me ar e argjend, u nisën drejt kazermave të Manastirit, ku do të organizohej pritja. Duke parë ushtarët të rreshtuar për nder armë vetëm nga njeri krah, Asllan Kuca dyshon. Kënga na përcjell: Tek i thirri mbë të parë/Asllan beu foli një fjalë/ Veli bej o mëndjehollë/mos na shpjerë në taborë... Madje në fshatrat e Jugut thuhet si i ka thënë: O Veli më duket se hëngrëm m.. që erdhëm deri këtu. Na e hodhën. Të gatitemi për luftë se trimat me vete i kemi. Po Veli beu ia pret: Veli beut i erdhi rëndë/Tha:- O Asllan mos u trëmbë/Asllan bej mentohu mirë/nuk vret babaj të birë! Sapo u futën në kazermë trimi i Shqipërisë dhe shoqëruesit as që mundën të bënin rezistencë. Pabesia dhe tradhtia turke triumfuan:Kur ra batareja parë/Veli beu ra i vrarë/ Veliko, Veli ku je/të ra tabori në dhe/Dot kumandë nukë dhe/ Koka tënde në hejbe. Asllan Kuca së bashku me dy luftëtarë të tjerë Abaz Thanën dhe Karafil Sinanin arritën të largohen. O Asllan kë kishje pranë/Nja di lebër kapedanë/Karafil e Abaz Thanë. Memet Reshit Pasha i jep urdhër Qorr Pashait të ndjek Asllan Kucën e plagosur, të cilin pas një përleshje të egër e vret dhe i pret kokën: Sadrazemit vanë i thanë/Asllan beu shpëtoi gjallë/Shpejtoni mbë Qorr pashanë/ Asllan ben’ e dua gjallë. Dhe më tej: Dil’ të shihni Qorr Pashanë/Sesi ka përveshur krahnë/Për të qëlluar Asllanë/. Kokat e tyre u nisën për në Stamboll. Asllan Kuca  ishte mik i Çelo Picarit ndërsa Veliko Jaçe djal xhaxhai, prandaj ky sulmon rrugës ‘’tartarin’’ dhe u rrëmben kokat, që bashkë me trupat varrosen në Kurvelesh. Çelo të pimë dollinë/Tartarit ç’ja bëtë mirë/…Çelua ynë me mustaqe/Mori hak e zbardhi faqe. Dhimbja dhe vaji për trimat nuk ka të sosur: O Asllan, o Veli/Ç’ju qan nëna në shtëpi/O të zestë djemt e mi/Ç’ju erdh kuka në sini. Vargjet e vajit të motrës së Abaz Thanës, koka e të cilit me shumë koka të tjera fisnikësh shqiptarë u dërgua në Stamboll, shprehin njëkohësisht dhimbje dhe krenari të rrallë: … Kush të mor të shkretat armë,/pisqollat e jataganë/dhe atë dyfekn’ e larë?/ Kush ta zhveshi fermelenë(jelekun)/Edhe kokënë ta prenë/Kurmi të mbet’ në Bitolje (Manastir)/Koka të mori Stambollë/Abaz Thana luleja/trim si Asllan Kuceja/Vlla a derëzeza.

Në mesditën e 9 gushtit të vitit 1830, në një kohë të shkurtër u vranë me pabesi rreth 500 fisnikë feudalë shqiptarë së bashku me trimat e tyre, në vendin e quajtur Dovlexhik, në afërsi të urës që lidh rrugën e vjetër të Manastirit me rrugën e re që vjen nga Përlepi. Lëndina u skuq me gjak të pastër fisnikësh shqiptarë, ashtu si qindra vjet me rradhë toka shqiptare, nën sundimin turk. Ashtu si dhe Selan të Çamërisë ( Në Selan të shkretë/Këllon gjak shqiptari/ klani more shokë/se na zu dushmani) ku u thirrën për bisedime dhe u therrën pabesisht nga andartët grekë dhjetëra fisnikë çamë, nuk ka një lapidar (apo një pllakatë) për të përkujtuar masakrën e Manastirit, por kjo është tjetër çështje. Ajo që mua më bën përshtypje është se kur arrinte të ripërtërihej ( po të kemi parasysh edhe masakrën mbi shqiptarët pas rënies së Ali Pashë Tepelenës) e të nxirrte pareshtur komandantë e luftëtarë kjo rracë e pamposhtur e shqiptarëve!? Sepse pas masakrës së Manastirit luftërat e shqiptarëve do të vazhdonin, do të merrnin hov me kryengritjet e famshme 1847-1848 të drejtuara nga Tafil Buzi, Çelo Picari, Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali etj, e do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit, e Shpalljen e Pavarësisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Zilja, MASAKRA E MANASTIRIT

Bëni një monument për këpucarin Sadik Memeti

August 26, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/

Sadik Memeti (Diku) është këpucari i lagjes Skelë. Ka dyzetepesë vjet që e kryen atë profesion. Nuk ka kryer asnjë heroizëm, nuk ka qenë partizan, nuk ka qenë sekretar partie, as deputet, nuk ka vjedhur, nuk ka qenë në burg për asnjë arsye, nuk është themelues i asnjë partie dhe nuk ka kërkuar favore prej tyre. E bija studion në fakultetin juridik në Tiranë dhe është studente e shkëlqyer.

-Nuk i kam zenë njeriu derën as për të drejtë studimi dhe as për nota.

Kur thotë këto fjalë buzëqesh dhe më shikon në sy. Unë e kuptoj nëntekstin: E ku do të shkoj? Këta të gjithë duan para, por unë nuk u jap asnjë qindarkë. Vajza po qe  e zonja le t’i fitojë të gjitha vetë.Ndërkohë në dyqan vijnë dhe ikin të burra, gra, të rinj, të reja por edhe fëmijë. Diku i dëgjon plot durim, u thotë ditën, kur të vijnë t’i marrin këpucët dhe nuk pranon parapagim .

-Duhet t’u pëlqejë puna pastaj të bëjnë pagesën- përgjigjet kur e pyes. – Pastaj ka nga ata që nuk kanë lekë dhe i bien me vonesë. Më shumë se dymijë lekë të vjetra nuk u marrë. Kur dikujt nuk i pëlqen çmimi, gjithë dashamirësi i thotë: -Jep sa të duash. Edhe po nuk pate nuk ka gjë- dhe vazhdon i qetë punën. Edhe kur vijnë fëmijë edhe kur vijnë të rritur ai i trajton me të njejtën mirësi.

Bën muhabet shtruar, më shikon hera-herës në sy, pa ndaluar punën. Më sqaron me durim se sandalet e nipit duhet pa tjetër të qepen me spango të fortë që të mbajnë, se ngjitësi është i dobët dhe nuk mban në lagështirë. Te Diku ka rregulluar këpucët babai im, unë, fëmijët e mi dhe tashmë nipi im. Katër breza me rradhë! Lagjja Skelë me gjithë rrethinat ka njëzet mijë banorë dhe pjesa dërrmuese vijnë këtu dhe rregullojnë këpucët, çantat dhe gjithçka tjetër prej meshini ose egeliti që mund të meremetohet. Shpesh rri deri vonë për të qenë korrekt me klientët, sepse ‘’këpucët i duan shpejt se i duan për dasëm, ose nuk kanë të tjera’’. Në mur janë të varura Licenca, rregjistrimi në QKR dhe një lajmërim që thotë: Ju lutem merrni kuponin tatimor. Në një anë të murit mbi raft, janë tre palë sandale dhe tre katër palë këpucë të meremetuara, që i pashë dhe vitin e kaluar. Kanë mbi dy vjet por nuk kanë ardhur t’’i marrin. Le të jene aty kushedi edhe kujtohen të zotët, thotë Diku.

Nuk ka një certifikatë mirënjohjeje, as medalje, as fletë falënderimi të varur në mur nga ndonjë institucion Shtetëror ose Shoqatë. Në një vend me kaq pak njerëz sa Shqipëria, jepen aq shumë dekorata, medalje e certifikata mirënjohjeje, nga presidenti, kryeministri, ministrat, institucionet e tjera shtetërore, e shoqatat saqë ngelesh pa mend. Në Vlorë japin vlerësime Bashkia, Qarku, Prefektura, Komunat, Universiteti Ismail Qemali, Shoqatat atdhetare e jo atdhetare, që Vlora ka me dhjetëra etj, etj. Dekorohen oficerë e ish oficerë të Enver Hoxhës, ish partizanë, aktivistë, shkrimtarë, poetë, shkencëtarë(?), politikanë, mësues, mjekë, biznesmenë, madje arrijnë sa u venë rrugëve të qytetit emrat e baballarëve e të afërmve, që nuk kanë asnjë kontribut qytetar.  Po kjo është tjetër çështje.

-Diku, nuk ke asnjë dekoratë? Ke dyzetepesë vjet që u shërben njerëzve, – bëj shaka me mikun tim të vjetër.

-Ç’i dua? Pse pak janë këto? tregon me dorë lejen e  QKR-së dhe lajmërimin për tërheqjen e kuponit tatimor.

Nuk thotë fjalë të mëdha Diku. As që do t’u shërbejë njerëzve sa të kem frymë, as që unë i dua njerëzit, as që meremetoj falas ndonjëherë, as që më njeh i madh dhe i vogël, asgjë të tillë. Nuk ka nevojë. Brenda një ore pashë me dhjetëra njerëz, që hynin e dilnin në  dyqanin e tij të vogël, atje prapa fasadës, në zemër të Skelës, që përkuleshin gjithë respekt e mirënjohje dhe uronin: Rrofsh o Diku! Faleminderit! Të të rrojnë fëmijët! Dritë t’u bëftë! Po sa mirë i ke rregulluar more!? Duken si të reja! Hallall, hallall!

Nëse kurrkush nuk kujtohet për t’i dhënë një medalje a dekoratë këpucar Dikut, i ngrini një monument a përmendore, atje në qendër të Skelës! Nuk ka nevojë për diçiturë. E njohin të gjithë, i janë mirënjohës, e duan i madh dhe i vogël. Është njeri i mirë, i ndershëm, jeton me djersën e ballit dhe i shërben komunitetit të Skelës prej më shumë se dyzet vjetësh. Nuk mjaftojnë të gjitha këto t’i ngrihet një monument si përfaqësues i vlerave njerëzore?! Ai nuk ka shpallur Pavarësinë e Shqipërisë as ka firmosur ndonjë traktat të rëndësishëm. Por në kohërat që jetojmë është një shembull për t’u ndjekur nga çdo shqiptar, kudo jeton e punon.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja, monument, Sadik Mehmeti

PËRBALLË DALLGËVE TË DETIT DHE TË JETËS

August 15, 2016 by dgreca

Nga Enver Lepenica*/

Pas tre librave shumë vlerësh, me dokumenta autentike për pranverën e përgjakur të vitit 1997 dhe një libër publiçistik mbi problemet e ditëve tona për krahinën e çamërisë,  Gëzim Zilja tashmë autoritet edhe në fushën publiçistike, na shfaqet jo pa sukses edhe si tregimtar me librat “Drejt perëndimit”, “Ismaili një histori shqiptare”, “çështje familjare” dhe tani së fundmi me 8 tregime në librin  “Njerëz pa fat”.

*        *      *

“Njerëz pa fat”, i tejkalon librat e parë dhe nuk është i pa pritur për ata që kanë ndjekur krijimtarinë e Gëzim Ziles, pra ndryshe nga librat e parë, autori na vjen me tregime cilësore, më i pjekur artistikisht, më autoritar dhe me pretendime për të lënë emrin e tij edhe si tregimtar i njohur i ditëve tona.

Temat e tregimive lidhen fort me fate njerëzish dhe jo njerëz imagjinar por ata që i takojmë

edhe sot e kësaj dite në rrugët e lagjes Skelë të Vlorës, buzë detit duke gjuajtuar apo shëtitur,

një fat që i ndjek apo i udhëheq në jetë.

Kur lexon tregimin “Shokë fëmijërie”, të duket sikur lexon një nga autorët e Amerikës Latine të rrymës së realizmit magjik. Njerës sakat, që kanë humbur njerën dorë, apo të dy duart, njerës që jetojne në mjerim, por autori nuk na thotë se përse mbetën sakat, kush i shtyu drejt aksidentit fatal? Por lexuesi e ka të thjeshtë të kuptojë se është lufta e përditshme për bukën e gojës në atë sistem mizor totalitar, ku ata, të varfërit rrezikonin burgun dhe jetën duke gjuajtur me dinamit. E një ditë Ristua, një nga shokët e fëmijërisë së autorit që  “kishte lindur pranë detit, dashuronte bregun me valët e bardha, pafundësinë e tij, deri te algat e gjelbëra, pikëzat e ujit të kripur e kokrizat e rërës…”, bie në burg. Ai porosit shokun e tij, që i bën vizit në burg: kur të shkosh në Vlorë t’i bësh të fala detit, dhe shoku e mban fjalën, ai i drejtohet detit:

“-Ke të fala nga Ristua! – i foli me zë të lartë detit. Është sërish në burg se ka shkelur ligjet e

shtetit”.

Fati tragjik në kohën kur po binte regjimi komunist , jeta e thjeshtë plot mundime dhe halle , por një jetë e madhe për të cilën njerëzit duhet të luftojnë e triumfojnë mbi dallgët e detit dhe të jetës, ja kjo ëshstë tema e pothuaj të gjithë tregimeve të këtij libri.

Tregimet kanë diçka njerëzore, emocinale dhe të japin atë emocin që i duhet jetës.Personazhet autori i  gjen buzë detit duke gjuajtur, në punë apo në burg.Gëzim Zilja ka lindur dhe është rritur, buzë detit të cilin e ka në shpirt dhe në mëndje. Ai epërshkruan detin të bukur, me nje bukuri të rrallë e magjepse, por edhe si një humnerë kuhumbasin njerëzit, e me gjith atë, thotë autori, deti mbetet i bukur. Dikush ka thënë se asgjë nuk i ngjan njeriut më shumë se deti.

Tregimet, shprehin përgjithësisht dashurinë për vendlindjen, lagjen Skelë dhe detin, ku autori    ka jetuar e është burrëruar, ata “Ishin të varfër, por kopshtet, kodrinat dhe lëndinat përreth dhe deti ishin pronë e tyre… Në fuhsën e madhe të sportit vraponin e luanin me top duke harruar gjithëçka. Por në det ishte ndryshe. Aty liria merrte kuptim të vërtetë. Nuk kishte gardhe, gropa, baltë, ferra e gjëmbaçë… Buzë detit harroheshin plotësisht: qeshnin, bërtisnin, shanin me zë të lartë, rrokeshin, kridhnin njeri-tejrin në ujë, bënin gara noti pa kufi kohor, ku i pari dilte ai që nuk dorëzohej së notuari. Më von kuptuan se aq liri ishte shumë pak. Njeriu mund të jetojë e të ndjehet mirë edhe në varfëri, por mungesa e lirisë është sikur të vdesësh çdo ditë”. (“Shokë fëmijërie”)

Brenga të veçanta të lë tregimi “Orjana”, nëpërmjet të cilit autori synon të na drejtojë te ajo ndjenja e madhe njerëzore, dashuria, se vetëm me dashuri njeriu mund të mbetet njeri: “E  ka dashur deri në fund, domethënë ajo balada për gruan që shëroi burrin duke i shprehur çdo ditë dashurinë ishte e vërtetë…”.

Orjana na bën thirrje që nuk duhet të mposhtemi para vështirësive e fatkeqësive të jetës.Duhet të luftojmë deri në fund deri sa të marrim frymë, shembull që autori na e ka dhënë edhe me jetën e tij.

“Para Orjanës shtrihej një oqean i pafund pengesash dhe të panjohurash, por tashmë ajo e kishte nisur rrugëtimin”.  Hapsira e rrethuar me tela me gjemba, ku ne jetuam, i shtyu shqiptarët drejt aksidenteve të Jetës ku mbeteshin të gjymtuar , ose humbisnin jetën. Temë e dhimbshme të cilën autori e trajton në tregimin “Skafistët”, i cili mund të lexohet edhe si terapi shpirtërore për familjarët e atyre që humbën në dallgët e detit, duke udhëtuar drejt perëndimet për kafshatën e bukës së gojës.

Ikje kuturu që përfundojnë në fund të detit. Përballë dallgëve të detit dhe të  jetës do të ishte një titull më i mirë i asaj kohe që përshkruan autori.

Në morinë e levizjeve të jetës autori arrin të dallojë dhe paraqes në tregimet e tij atë që është kryesorja, duke e ngritur në art.

Mbresa të veçanta të lë tregimi “Nëse do të jem gjallë nesër…”. Personazhi këtij tregimi, ka menduar gjithë jetën që të shlyej borxhin e “madh” ndaj mësuesit të tij, që i kishte dhuruar atij një palë pantallona të shkurtëra, për t’u paraqitur në konkurs. Adresën e mësuesit të tij e gjen vetëm pas vitit 1990, kur mësuesi sapo ishte liruar nga burgu. Por mësuesi nuk e pranon dhuratën. At’here autori bie në mendime dhe arrin në përfundimin se në atë kohë:  “Me heshtjen tonë ishim bërë pa dashje bashkëpunëtorë, që ajo murtajë të zgjaste me dekada. Brezi jonë nuk ka pse të krenohet…”

Në tregimin “Prefekti”, autori godet një nga plagët e shoqërisë sonë, në të cilën arrinë të dalin në krye njerëz pa moral, që të kujtojnë atë përfundimin gjenial të Stefan Cvajgut se revolucionin nuk e trashëgojnë ata që e nisin, herojtë, sepse ata gjatë rugës lodhen dhe në krye dalin ata të bërrylave ata që lëpihën, siç është edhe rasti prefektit, një fytyrë brejtësi si të lepurit, krahasim që autori ka harruar të bëjë, dhe autori trishtohet kur arrin në përfundmin se “Tani ata janë bërë një armatë e tërë”, fakt që e shohim në jetën e përditëshme.

E njëjta temë trajtohet me dhimbje nga autori edhe në tregimin “Qebësirat”, ku ai përshkruan një drejtor arsimi i zhytyr në mitmarrje dhe kurvëri dhe që pushohet nga puna me ndërhyrejn e Kryeministrit, por pas pak kohësh rimerret në punë nga ministri arsimit, si duket pasi ministri ka marrë pjesën e tij, me arsyetimin se kishim nevoj për të! Autori e përfundon këtë tregim me një klithmë  dëshpëruese: “Kuptova përfundimisht që administrata kishte marrë rrokullimin”.

*     *     *

Të tetë tregimet e këtij libri janë nje simfoni jetësore personazhes që shpalosin jetën e një Brezi të tërë. Autori na bën të mendojmë, të reflektojmë dhe të rishikojmë të shkuarën në mënyrë kritike.

Personazhet janë njerëz që autori i ka njohur në udhën e jetës dhe përjetësuar në tregime duke i kthyer në personazhe të njohur përgjithësues.

Edhe pse personazhet e këtij libri ecin në të njëjtën udhë të fatit, ata paraqiten si vetvetja, individualisht, shembull është te tregimi “Skafistët”, ku Paparja paraqitet si një skafist që beson vetëm te paraja dhe njerëzit që trasporton i quan “mall”, ndërsa Gazi, shoku tij, në të njëjtin pozicion, që e shoqëron në këtë ndërmarrje të rrezikshme,  paraqet të riun qytetar që ende nuk ka mundur të gjej udhën e jetës.

Personazhet e tregimeve janë njerëz të varfër, ose pa fat siç i quan autori, por buzë detit Adriatik ata shijojnë lirinë dhe sillen e flasin atë gjuhë sipas goditjeve që kanë marrë nga jeta.

*Rreth librit të Gëzim Ziles “Njerëz pa fat”, Infobotues, Tiranë 2016

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Enver Lepenica, Gezim Zilja, PËRBALLË DALLGËVE, TË DETIT DHE TË JETËS

Rrethimi i Shkodrës dhe Esat Pashë Toptani

February 12, 2016 by dgreca

Kush e vrau mbrojtësin e Shkodrës Hasan Riza Beun?/
Nga Gëzim Zilja/
Libri Me titullin ‘’Rrethimi i Shkodrës’’ është botuar në Milano në vitin 1913, nga korrespondenti italian i luftës Gino Berri, fill pas largimit nga Shkodra të ushtrisë sërbo-malazeze, që nuk ndenji as një muaj në qytetin e Shkodrës. Është një libër-ditar, kronikë e luftës për mbrojtjen e qytetit, tetor 1912-prill 2013. Duke qenë i shkruar nga një dëshmitar okular, libri me episodet e tij të jashtëzakonshme, është një dëshmi e fortë e asaj sesi u luftua nga të dy palët; turqit dhe shqiptarët nga njera anë dhe serbët me malazezët nga ana tjetër. Ndërkohë Shqipëria ishte shpallur shtet i pavarur më 28 nëntor të vitit 1912, por gjendja e saj ishte thellësisht kaotike. I vetmi oaz i lirë ishte Vlora me disa nga rrethinat e saj. Duke përfituar nga shkërmoqja e perandorisë osmane ushtria sërbe pushtoi Luginën e Sipërme të Vardarit kaloi Sanxhakun dhe Novi Pazarin hyri në tokat e Kosovës të Rrafshit të Dukagjinit dhe iu drejtua Durrësit. Ushtria greke nga Jugu, pas luftimeve në Thesali pushtoi bregdetin e Himarës dhe arriti deri në Qafën e Llogarasë. Ndërkohë forcat e ushtrisë malazeze rrethuan Shkodrën, e cila qëndroi rreth 6 muaj nën rrethim, duke bërë një rezistencë mbinjerëzore. Lufta e shqiptarëve tashmë zhvillohej kundër robërisë turke, por njëkohësisht edhe kundër pushtuesve të rinj.
Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, që u mbajt më 17 dhjetor 1912, një pjesë e trevave të banuara nga shqiptarët ngeli jashtë kufijve. Pavarësisht kësaj edhe pse ajo u njojt nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Ambasadorëve, Mali i Zi vazhdoi ta mbante të rrethuar Shkodrën deri në pushtimin e përkohshëm të saj.

Vrasja e Hasan Riza Pashës.

Bashkë me vlerësimet e larta si ushtarak për Hasan Riza Beun autori jep (aq sa ai ka informacion) edhe rrethanat për vrasjen e komandantit turk, duke lënë të nënkuptohet (anon) se atë pak mundësi kishte ta ketë vrarë Esat Pasha, i cili luftonte përkrah tij për mbrojtjen e qytetit. Madje ai shpreh opinionin e kohës kur shkruan në ditar se gjenerali shqiptar ishte gati të hakmerrej për këtë vrasje pasi ajo kishte ndodhur atë natë që ai e përcolli si mysafir nga shtëpia e tij. ‘’Mbrëmë u vra Riza beu. (30 janar 1913). Ai ishte për darkë te Esat Pasha. Të dy banesat ishin larg njera-tjetrës. Nga ora 20.00, Valiu u largua duke refuzuar pesë-gjashtë veta që Esat Pasha donte t’i jepte me vete si rojë. Atëherë i tha pasha, do t’ju shoqëroje me oficerin tim shoqërues. Kur arritën te selia e komandës Riza Beu, e falënderoi oficerin, duke i thënë: ‘’Mund të kthehesh se arrita në shtëpi. Kur mbeti vetëm menjëherë u gjend para tre vetave, tre hije. Ai nuk mundi t’i njohë dhe u tha atyre: kush jeni , ku shkoni?…Kaloi matanë por sapo të panjohurit u gjendën pas shpine, krisën tri pushkë …fq 136’’.
Ai i la amanet Esat Pashës: ‘’Të lë nën kujdes familjen time. Kujdes djalin tim. Mos i thoni që më kanë vrarë , por që jam vrarë në luftime… Betohuni se do ta mbroni Shkodrën deri në vdekje.fq. 137’’. Po kush e vrau Riza Pashën?
A kishin arsye ta vrisnin shqiptarët Riza Beun? Gino Berri e ngre këtë si tezë duke këmbëngulur që ekzistonte si mundësi. Masat e forta shtrënguese që ishte i detyruar të merrte Riza Beu, në kushtet e një rrethimi dhe lufte të përgjakshme, kishin dëmtuar rëndë interesat vetiake të tregëtarëve dhe qytetarëve të Shkodrës. Në plan të parë ishte sigurimi i ushqimit për ushtrinë që mbronte qytetin. Çdo spekulant ose tregtar, në bazë të ligjeve të luftës dënohej me vdekje. Por mungesa e bukës, ushqimeve (ato vazhdonin të sekuestroheshin për ushtrinë) dhe e vajgurit shkaktoi me dhjetëra viktima. Ka mjaft fakte tronditës në libër ku qytetarët kryejnë vetëvrasje duke mos gjetur rrugëdalje tjetër ose kur një prind vret dy fëmijët e vet dhe veten duke mos duruar t’i shohë të vdesin nga uria (faqe 167). Shumë njerëz duke mos menduar gjatë shikonin si shkaktar kryesor të kësaj katastrofe Riza Pashën. Autori shkruan: ‘’ E gjithë pjesa tjetër e popullatës shkodrane është shfrytëzuar ditë e natë në çdo lloj pune me pre e me qep uniforma, këmisha mbathje, këpucë e pajime; për të transportuar mallra dhe ka punuar nëpër llogore pa ndërprerje….Pas dy muaj mundimi, dështimesh e shfrytëzimi personal, pasi u janë shkatërruar burimet kryesore të jetesës, gjë tjetër e sigurt nuk u ka mbetur përveç vdekjes…. Ka vetëm një dëshirë që s’e dëgjon askush: Luftës duhet t’i jepet fund.’’
Por Riza beu do të jetë i paepur në masat e tij drastike për mbrojtjen e Shkodrës deri në sakrificën e fundit. Kur atij i thanë se ka qytetarë që nuk përballojnë dot luftën dhe janë gati të ngrenë flamurin e bardhë, ai u përgjigj: ‘’Do t’i pushkatoj. Dhe kur i thanë se nuk bëhet fjalë për disa por për mijëra ai sërish u përgjigj me ftohtësi: ‘’Do t’i pushkatoj. fq.84-85’’. Shpesh mbi tavolinën e tij gjendeshin letra kërcënuese. Shqiptarët ishin më të pabindurit ndaj çdo mase kur duhet të paguanin taksat ose gjobat shtesë në dobi të luftës. Hasan Beu po e thellonte gjithnjë e më shumë greminën midis tij dhe shqiptarëve. Kur ai u soll shumë keq në një mbledhje të kryepleqve, ku do të vendosej (merrej) një hua prej 10.000 lirash nga qytetarët, një hoxhë u shpreh:’’ Hasan Rizaja do ta paguajë shtrenjtë këtë që po bën fq.140’’.
Por ajo që të shkon mendja dhe bëhet e besueshme që ekzistonte dhe një shkak tjetër që Riza Beu të vritej nga vendasit, është episodi i mëposhtëm. Gino Berri shkruan: ‘’Para disa ditësh Valiu mblodhi krerët myslimanë më me influencë dhe duke diskutuar mbi gjendjen e qytetit pyeti: Po sikur t’u jepet autonomia? Ne nuk e duam ,u përgjigjën ata. Si? thirri Valiu i habitur. Nuk e pranoni lirinë, nuk doni të jeni zotër të fatit tuaj, në shtëpinë tuaj?’’u tha ai? Jo, ne duam pavarësin tonë, iu përgjigjën shqiptarët. Riza Beu i inatosur u tha: Ju jeni mish për kërbaç. Shpirt baltë, dhe iku i zemëruar. Faqe 140’’.
Nga sa më sipër veç urrejtjes nga një pjesë e të pasurve të mbetur trokë nga sekuestrimi pa kushte të pasurisë së tyre dhe të popullatës së varfër të ndodhur nën frikën gjithmonë të një të nesërmeje të tmerrshme ka dhe një kategori tjetër, atë të atdhetarëve shkodranë, që kërkonin pavarësi dhe jo autonomi si kërkonte Turqia me gjuhën e Riza Pashës. Tashmë (jemi në 30 janar 2013) Shqipëria kishte kufijtë e vet të përcaktuara nga Fuqitë e Mëdha. Një autonomi nën Turqinë, e që Riza Pasha po sakrifikonte gjithçka ta arrijë nuk përbënte zgjidhje për patriotët shqiptarët. Ndoshta edhe ky arsyetim mund të rreshtohet në shkaqet (mundësitë) që Riza Beu të jetë vrarë nga shqiptarët. Ka dhe një variant të tretë që autori nuk e përmend ose as që i shkonte mendja. Riza beu mund të jetë vrarë nga ‘’komando’’ serb ose ‘’malazez’’ duke e parë atë si pengesën kryesore për pushtimin e qytetit, megjithëse edhe për këtë në libër nuk jepet asnjë fakt.
Pas vrasjes së Riza Beut, komanda i kaloi shqiptarit Esat Pashë Toptani. Lufta vazhdoi deri në në 23 prill 2013, gati tre muaj pas vrasjes së Riza Beut, me të njëjtin tërbim, me të njejtin heroizëm, këmbëngulje e sakrifica të panumërta nga ana e ushtrisë dhe popullit shkodran. Në libër (ditar) del qartë që ushtria turko-shqiptare nuk u mund në betejë, por nga uria. Qyteti dhe ushtarët po vdisnin tashmë me dhjetëra në ditë (faqe 179) nga uria dhe të ftohtit. Dorëzimi ishte dinjitoz. Ushtria nën komandën e Esat Pashës u lejua të largohej nga qyteti e organizuar me të gjitha armatimet dhe paisjet e luftës në drejtim të Durrësit. Nga gjithë sa u tha më sipër, sipas të gjitha përshkrimeve të dëshimtarir okular, korrespondentit ushtarak italian në terren, Gino Berrit, Esat Pashë Toptani nuk kishte ndonjë leverdi të vriste Riza Beun. Deri më 31 janar 2013, ai ishte komandant i forcave vullnetare shqiptare, që luftonin krah ushtarëve të perandorisë për mbrojtjen e Shkodrës. Gino Berri njohës i thellë i botës shqiptare e përfundon me këto fjalë vrasjen e Hasan Rizait:’’Ndërkaq Esat Pasha është i turpëruar sikurse flitet. Në Shqipëri kur një njeri del nga shtëpia ku ka qenë mik, është i paprekshëm dhe ai që prek atë fyen të zotin e shtëpisë që e ka pasur mik. Ky mbetet nën peshën e rëndë të dyshimit dhe ka të drejtën e hakmarrjes mbi vrasësin për të shlyer turpin që e njollos. Dyshimi ngelet derisa gjakësori nuk është zbuluar. Faqe 140-141.’’ Hasan Riza Beu ishte lindur në Bagdad dhe u vra në moshën 42 vjeç.

Filed Under: Histori Tagged With: dhe Esat Pashë Toptani, Gezim Zilja, Rrethimi i Shkodrës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT