• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Xhaketa e Xhaferit

May 26, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Xhaferi  binte në sy të fëmijëve për këmbët e holla e të gjata, sit ë lejlekut, ku pantallonat lëviznin lirisht, kokën me majë të qethur zero dhe trikon e leshit, ngjyrë qepe, që i vinte deri te gjunjët. 

-Ta ketë,- kishte thënë e ëma, pasi e kishte mbaruar – dhe për vitet e tjera, se do zgjatet si i ati. Në klasë të tetë trikua i vinte deri te rripi i pantallonave. As që i bëhej vonë fare  madje as për emrin e ri që i kishin vënë shokët: skërfyell. Në vit të parë gjimnaz Xhaferi  ishte zgjatur  aq shumë sa trikua i binte thuajse mbi kërthizë. nga i dukej barku gati ngjitur pas kurrizit. Trikua ndërkaq e kishte humbur ngjyrën e qepës dhe vinte laramane. Kopsat ishin ndërruar me kohë  dhe nga gjashtë kishin ngelur vetëm vetëm tre: dy ushtarake dhe  një grash. 

– Nuk shkoj më në shkollë po nuk më bëtë xhaketë të re,- i dha ultimatum të ëmës. – Nuk bëhem më gazi i botës. Po ishte e vështirë. Kishin pak të ardhura se prindërit ishin punëtorë. Po Xhaferi nguli këmbë si cjapi. Një ditë  nga fundi i gushtit e ëma e çoi te rrobaqepësja e lagjes për të marrë masat për xhaketë të re.  – Do të më shikoni, se kush do tallet tani,-  u tha shokëve. Ditën e parë të shkollës Xhaferi lëvizte gjithë krenari kokën e tij me majë, që dilte mbi gjithë të tjerat dhe thoshte: – Hë ore po tani pse nuk thoni gjë, ëëë. 

Aty nga viti i tretë gjimnaz, xhaketa iu kap në një gozhdë në palestër dhe dikush zbuloi se pjesa e brendshme ishe e më vjetër. Ishte xhaketa e vjetër e të atit që rrobaqepësja plot finesë e kisht “e kthyer” si thuhej asokohe. 

 – Më mirë kishe trikon me kopsat ushtarake se këtë,.. – e qesëndisën shokët. Bëri sa mundi sherr me prindërit por fati i xhaketës ishte vulosur: do ta mbante deri në fund të shkollës së mesme; kur të shkonte në Universitet do t’i blinin një frigo të re dhe jo të zezë. U kandis Xhaferi. E drejta e studimit i doli për letërsi po punë e madhe: Mjafton të bënte shkollën e lart. Bëri sherr për një xhaketë të re por nuk ia doli. Ajo e vjetra kishte marrë nja dy mballoma të brrylat e ngrënë. 

– Është përforcim nuk është andër. Copa mban ende, –  i kishte thënë e ëma. Deri në nëndor do të priste, ndryshe do të linte studimet, ishte betuar. Në fund të nëndorit Xhaferi u shfaq me xhaketën e re fringo, me kuadrate e dy të çara mbrapa. Skërfyell ishte prapë. po dukej i bukur. E veshi, doli jashtë, u fut brenda, pastaj gjezdisi me nge, nga salla e madhe e studimit, nga biblioteka, nga menca, nga konviktet e vajzave…  Pasdite, ulur mbi krevat rrotullonte në duar xhaketën e vjetër dhe e krahasonte me të renë.  Po mund të mbante dhe ca ajo e vjetra. Pse ta hidhte poshtë?  Le t’ia dhuronte dikujt! Po kush ishte ai student, që mund të vishte xhaketën e stërkthyer e me andrra? Pasdite, ashtu fshehtas nga shokët, doli jashtë dhe e vendosi mbi një gardh te disa shtëpi të vogla qerpiçi në kufi me qytezën e studentëve.  

– Do kalojë ndonjë varfanjak e do ta marrë,- mendoi. I vinte aq keq ta hidhte poshtë. U fut në dhomë, pa xhaketën e vjetër dhe gjithë krenari u deklaroi shokëve: – Shkova te ato shtëpitë poshtë. Po kur më dolën ca gra: ma jep mua për burrin njera, e ma jep mua për djalin tjetra. Ore më shqyen keni parë ju apo jo? Madje njëra donte të më jepte dhe ndonjë lekë por unë nuk pranova. Ia dhashë asaj  që po më lutej për djalin …  Ca e dyshimtë ajo puna e pagesës por shokët e lanë me aq –Bravo! Paske bërë sevap,- i thanë. Aty nga ora gjashtë e gjysmë ndërsa studentët (ishin pesë shokë në dhomë nga i njëjti qytet) po bëheshin gati të dilnin, dera troket me forcë. Dikush e hapi dhe para derës u shfaq portreti i dashur dhe i pafajshëm i pastrueses së konviktit.

– Ç’patët me xhaketën more të uruar!? iu drejtua me fytyrë qortuese studentit, që hapi derën. – Turp të kini! Këto nuk janë shaka! E gjeta te gardhet poshtë. Shyqyr që nuk e kishte marrë njeri?!  Pastaj iu drejtuaXhaferit: – Merre të keqen nëna se jashtë është ftohtë! Nuk është aq e vjetër. Mban dhe ca kohë. – Xhaferu shtangu. E mori xhaketën, e vari me kujdes në kremastar dhe e futi në dollap. Pas shumë vitesh edhe kur Xhaferi mbaroi studimet xhaketën nuk e lëvizi njeri nga dollapi, mbeti aty. U kthye në një lloj ikone.Vinin studentë nga gjithë fakultetet madje edhe vajza para provimeve. E shikonin, e preknin me gishta e buzëqeshnin të sigurt që sillte fat. Aty ka qenë deri vonë. Godina 14, dhoma 103, kati i 4-t. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Zilja

LEGJENDA E DUKATIT DERVISH ALI AJANI 1794-1851

May 13, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Bej të stolisi Kadëna/Të mbathi çizmet e rënda,/T’i dha armët e ergjënda…/Ec o bej, t’u bëftë e mbarë /Të luftoç me pashallarë! Kur lexon dy vargjet e para mendon se Kadëna, e shoqja, e ka stolisur beun, për të shkuar në ndonjë dasmë, apo diku në ndonjë festë në krahinën e tij. Vargu i tretë, sa befasues aq dhe i drejtpërdrejtë, nuk të le të hamendësosh shumë, por  ta jep në “lule të ballit”: t’i dha armët e ergjënda. I armatosur dhe madhështor mbi kalin e tij, beu do të niset në një luftë të shenjtë jo të zakontë, ku vajtja dihet e kthimi jo. Por Devish Ali Dukati, që e di mirë ku po shkon e ka një pishmanllëk të vogël. Dhe një burrë i tillë, sado i ashpër dhe krenar, pasi i hipën kalit, ashtu  “nisur e stolisur”, kthen kokën nga Kadëna e tij e dashur:Dolle në divan në shkallë,/Hype balashit me shalë/M’u te porta më të dalë,/Të vate dora më pallë,/Ktheve kokënë mënjanë,/ Seç të tha zonja dy fjalë… Dhe ajo fare hapur, si një grua labe e vërtetë, pa pishmanllëk, sy më sy, e uron ashtu shqiptarçe: Ec o bej, t’u bëftë e mbarë/ Të luftoç me pashallarë!/Të luftoç me turkomanë, /Të përpiqesh për nizamë!  

Rrallë të gjesh vargje të tillë, ku vetë gruaja vesh, stolis e armatos burrin për luftë dhe i uron udhën e mbarë. Thuhet se gratë e Spartës e bënin një veprim të tillë, por këtu hasim një të vërtetë, që ka ndodhur në Dukat të Vlorës, 170 vjet më parë. Dervish Ali Dukati, ashtu si mijëra luftëtarë të tjerë morën një porosi të shenjtë: të luftojnë me pashallarët turq ose jo turq sepse: Nizamë dhe xhelepe s’ka/,Është vendi fukara,/Jetojmë me lakëra,/ Katër shtëpi me një ka. 

Bëhet fjalë për kryengritjen e famshme të vitit 1847 kundër Reformave të Tanzimatit. Dervish Ali Dukati, ishte një nga udhëheqësit e shumtë, që nxorri ajo luftë e pashembullt, që la gjurmë në historinë e shqiptarëve. Ishte një nga bejlerët e Dukatit, që iu përgjigj thirrjes së Lidhjes Shqiptare (Kuvendi i Mesaplikut, qershor 1847) për luftë. Mesaplik te rrapi i thatë/,Për një ditë e për një natë,/ U mblodhë gjithë kazatë. Luftëtarët e Labërisë do të prezantoheshin në luftën e Qafës së Sinjës në Berat, nën komandën e Zenel Gjolekës, si komandant i forcave të Jugut, vendosur në Kuvendin e Mesaplikut.Tre sahat more eranë/Luftoje me pashallarë./Me pashallarë luftoje,/Tanzimanë nuk e njohje./Turçe dije por nuk doje,/ Me terxhymanë bisedoje.Dy vargjet e fundit  i hasim dhe në gojën  e Rrapo Hekalit, Hodo Aliut, Tartar Memushit apo të ndonjë luftëtari tjetër, në gjyqin kundër bejlerëve të Beratit. Si duket edhe Dervish Ali Dukati ka qenë në grupin, që gjykuan bejlerët e Beratit në Qafën e Sinjës, bashkë me Rrapo Hekalin e të tjerë. Përpjekja tjetër do të bëhej në Urën e Konisbaltës, ku Dervish Aliu, në krye të luftëtarëve të Dukatit dhe të Tragjasit, do të zhvillonin betejën më heroike të tyre, që përshkruhet me ngjyra të gjalla në shumë këngë. Figura e tij, hipur në kalin e bardhë “sa një kullë”, të mbetet në mendje,  si personazhet në Eposin e Kreshnikëve: Tragjas e Dukatë shumë,/Djemuria një furtunë,/ Del o Kanina me vulë!/Dervish Aliu kish nurë,/Çil’ i bardhë sa një kullë. Dhe ja se çfarë bën ai, me ushtarët turq sikur të ishin bagëti e imët: Halldupët gunëmurrë,/I qëndron si dhentë në shtrungë,/U rrij’ me këllëç në hundë,/I përmbys për nënë urë./O Dervish Ali Ajani/Ç’e bëre si të desh xhani! Por luftëtari, që e ka fituar të drejtën për t’u përjetësuar në këngë, me bëmat e tij, nuk është vetëm. Në këngët e shumta historike, krahas drejtuesve qendrorë të luftës si Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Hodo Aliu, Gjikë Thanasi, Çelo Picari, Shahin Kolonja, etj., kronikani popull nuk harron dhe luftëtarët e tjerë, duke i përmendur pothuaj të gjithë, qoftë me një varg ose vetëm me emër. Përndryshe asnjë nga udhëheqësit e kryengritjes së vitit 1847 nuk do të zinte vend në panteonin e pavdekësisë, nëse nuk do të kishin me vete trima si veten.  Në luftën e Urës së Konisbaltës vullnetarët e fshatrave Dukat e Tragjas, do të tregonin se ishin luftëtarë të rallë, të lindur vetëm për të fituar: Djemtë e Dukatit fodullë,/Lëftojnë e s’e luajnë gurë./Djemtë e Tragjasit levenë,/Ç’e punojnë keq dyfeknë./O dukat’ more dukat’/Palla juaj këllon gjak! Rapsodi popullor vazhdon me kujdes, të mos harrojë luftëtarët e tjerë, që u përjetësuan në luftën për mbrojtjen e Urës së Konisbaltës. Në vargjet e mëposhtme jepet figura e Elmaz Rodakut, Kamber Gjolekës dhe ajo e Brahim Sulos nga Dukati: I shkreti Elmaz Rodakë,/ Sokëllin e po bën lartë!/Elmaz Rodak ballëverdhë,/Dhe me ca shokë të tjerë,/ Në Urë të plagosur mbenë. Në vazhdim kemi këngën me titullin: Qaj o fshati nënë Qorre, për Selmanë Alinë nga fshati Dukat: Qaj o fshati nënë Qorre,/Për Selman Ali me more (i mençur)!/Selman Ali nga Dukati,/Nikëhilë nga llagapi,/Dërgon më Dervish Alinë, /Konisbaltë kemi pusinë… Midis luftëtarëve ka një lidhje të fortë edhe në situatat më të vështira. Dervish Ali Dukati, ndërsa luftohej, porosit për Elmazin e plagosur: Dervish Aliu seç tha:/O Kamber të kam vëlla, /Merre Elmazin në krah,/Se këtu mereqet s’ka!  Ura e Konisbaltës do të ishte varri dhe lavdia e bijve të Dukatit e të Tragjasit:  Te Ura në Konisbaltë,/ Mbenë dukatë e tragjastë./ Rrapua  hidhejë në flakë,/Topi vu, e s’çqitej prapë. Thuhet së në këtë përpjekje me forcat turke nga 187 luftëtarët e Dukat-Tragjasit mbetën të gjallë vetëm 83. Dervish Ali Dukati, nuk do të vritej si shumë shokë të tij, në luftërat e vitit 1847-1848. I plagosur rëndë ai do të sillej në fshatin e tij. Nga sa informon kënga: Plagosnë Dervish Alinë,/Iu vra dhe kali i thinjë,/Shokët e prunë në kra,/Në Dukat në Llogora./Kush e pruri atë burrë/Njëqind okë e ca më shumë? Portreti i Kamber Gjonlekës dhe Brahim Sulos të kujton Trimat e Jutbinës: E pruri Kamber Gjoleka,/Brahim Sulo krahëfleta./Ezhdërha nga trupi bollë,/Që i zë derrat me dorë,/Sikur janë koqe mollë. Dervish Ali Dukati, nuk do të pushonte përpjekjet e tij kundër Reformave të Tanzimatit sidomos kundër rekrutimit të djemve shqiptarë për llogari të Turqisë. Në disa vargje, duket se autoriteti i tij ishte shumë i madh, sa vetë zyrtarët turq e kishin frikë dhe i druheshin: Hajmedet ç’e gjet Alinë,/Që s’e kish për gjë kapinë,/Dil bën telendi myshirë./Myshir të mbledhç fiqirë/Se të ngarkoj me zinxhirë,/E të dërgoj në Janinë! Kjo do t’i kushtonte jetën trimit të Dukatit. Tradhtisht, krerët turkomanë të Vlorës e helmuan, kur ai shkoi i ftuar të bisedonte, për heqjen e shërbimit ushtarak, (kurasë), për djemtë e Labërisë. Hajmedet o Dervish be,/U krodhe në kafene,/Te berberi u rrove’/Të hodh’ helm, e ti s’e pe. Lajmi shkon vetëtimë në Dukat. Sigurisht që do të ishte një mot i keq, ku era frynte si e tërbuar: Frynë murrë që tundet dheu,/Erth’ fjalë se Dervish beu/Kullën e kuqe e preu…Të premten që menatë,/Seç na u hap një mandatë,/Vdiq një bej i Dukatë,/Dervish Aliu namlartë. Kënga do të vazhdojë, me haberin çuar Kadënës, që tashmë u bë si e marrë. Nuk e priste Zonja e Madhe e Dukatit, që beu i saj trim e luftëtar, që e kishte nisur e stolisur vetë për në luftë (Ajde bej t’u bëftë e mbarë/Të luftoç me pashallarë) e që ia kishte mjekuar plagët me aq kujdes, të helmohej tradhtisht në mënyrë aq të ulët: Kadënës kur i thanë:/Del e merr mushkën me shalë,/Se në Vlorë e lamë aganë,/Për të hequrë kuranë/Briti sa çkuli dynjanë/Edhe odat me tavanë… Pas tronditjes së parë, e ulur pranë trupit të pajetë të beut të saj, e qau me ligje, qetë e shtruar,  ashtu si dinë të qajnë gratë e pazakonta të atyre trevave, duke i përmendur një më një bëmat dhe mençurinë: Na vdiq një trim nga Dukati,/Dervish Ali mëndjelarti./Të mbet’ mushka me (y)zengjin,/Që çaje me të ordhinë,/E gjykoje mbi valinë./O Dervish Ali luleja,/Nizamët ajde, eja,/Merr Turqija, e vra Moreja. Dy vargjet e fundit shprehin dhimbjen e protestën për atë që ndodhte me shqiptarët e turqit qysh nga pushtimi i Shqipërisë. Për këto e të tjera plagë të mëdha, që shkaktoi sundimi turk, luftoi pashai i Dukatit me shumë shokë të tjerë, por nuk ia doli. Emri dhe bëmat e tij vijnë deri në ditët tona. Diku më tej Kadëna a ndonjë grua tjetër ka vazhduar vajin duke plotësuar: O Dervish Ali Dukati,/S’jeshe të qajnë gratë, /Po të qajnë gjithë kazatë! Epitaf më të saktë për një luftëtar të përmasave të tilla nuk mund të gjesh.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Zilja

25 vjet pas vitit të zi 1997

April 21, 2022 by s p

Gezim Zilja/


Po mbushen gati 23 vjet nga ngjarjet e vitit 1997, që nuk u zbardhën kurrë megjithëse dihet se vrasësit e ”shpëtimtarët” e Shqipërisë ishin të njëjtit njerëz. Pjesa më e madhe e shkaktarëve të trazirave vitit 1997 janë sërish në majat e pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik e vazhdojnë po atë gjuhë urrejtjeje dhe shkatërruese. “Ju, ju e bëtë! Ju vodhët paratë e popullit. Ju jeni kriminelët dhe shkaktarët e atyre ngjarjeve. Ju i kthyet pushkën popullit. Ju veshët nënat me të zeza,” ulërin njëra palë, duke sjellë shëmbuj, fakte, e veprime të vërteta e të pavërteta të qeverisë dhe institucioneve të asaj kohe. “ Ju hapët depot e armëve dhe organizuat revolucionin e armatosur evgjito-fshatar sipas formulës komuniste të marrjes së pushtetit me dhunë. Ju dogjët bashkitë, shkollat e bibliotekat, sulmuat komisariatet, vratë policët dhe bashkëpunuat me bandat e kriminelët…” gjëmon pala tjetër duke sjellë më shumë fakte e shëmbuj të veprimeve të opozitës së atëherëshme të vërteta dhe të pavërteta.
Të analizosh pas kaq shumë vitesh bardhezi, pa ndjerë pendesë e keqardhje, kur një shtet i gjithë u gjunjëzua, u shpartallua me gjithësej dhe u kthye në tokë të djegur nga bijtë e vet, kjo të ngjall jo vetëm trishtim por edhe një pesimizëm gati të pashërueshëm. Çaste çmendurie ka pasur në kohë dhe periudha të ndryshme edhe në popuj të tjerë, por pas stuhisë vijnë ditë të bukura e shndrit sërish dielli. Pas ngjarjeve të vitit ’97 populli shqiptar priste nga bijtë e vet drejtues, dënimin e dhunës dhe të njerëzve që e shkaktuan, sipas ligjeve dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dënimi i nja dy-tre caushëve dhe xhepexhinjëve ishte i pamjaftueshëm dhe nuk e vendosi në vend drejtësinë. Qeveritë shqiptare, me klanin e miqtë në njërin krah dhe në tjetrin servilët e intrigantët iu vërsulën Shqipërisë, duke e vjedhur e plaçkitur e dalëngadalë u shkrinë duke u bënë njësh me trafikantët, hajdutët, vrasësit e antishqiptarët. Kjo ndodhi e do të ndodhë në një shoqëri të molepsur e të sëmurë, që nuk analizon kurrë veten e vet, rrugën nga vjen e ku shkon, që shkruan, rishkruan e falsifikon historinë sipas interesave klanore e partiake, duke e zhytur thellë e më thellë në varfëri e padrejtësi vendin e shqiponjave. Sipas statistikave zyrtare të nxjerra nga Ministria e Rendit për periudhën 01.01.1997 – 15.07.1997 në shkallë vendi janë këto pasoja:
Të vrarë me dashje 875
Të plagosur me dashje 825
Të vrarë aksidentalisht 101
Të plagosur aksidentalisht 278
Policë të vrarë 43
Policë të plagosur 201
Kush do t’i mbajë në ndërgjegje këta njerëz të vrarë si shkak i shpërbërjes së shtetit, në harkun kohor të gjashtë muajve? Si reaguan qeveritë e post ’97-ës për të vendosur drejtësinë? A kemi ne sot vrasës, zjarrvënës ose bashkëpunëtorë të tyre, në institucionet e larta shtetërore? Për djegien e Bashkisë së Vlorës dhe arkivit u arrestuan mbi 20 persona dhe u shpallën në kërkim shumë të tjerë, të filmuar e dokumentuar gjatë aktit. Të gjithë u liruan dhe disa prej tyre arritën të bëhen shefa policie, prefektë e ndonjëri ministër. Nuk dihet se ç’bëri me atë dosje voluminoze prokurori vlonjat Enrik Haxhiraj që lëshoi fletë arrestet atë kohë.
Që një grup banditësh të quajtur heronjë asokohe ( Zan Caushi, Albert Shyti, Albert Gjahtari etj.) nga disa gazetarë, zunë faqet e para të revistave e gazetave shqiptare, grabitën bankat e morën njerëz peng në shkëmbim të parave e kuptoj. Po “nuk kuptoj” pse ata iu vërsulën, dogjën e shkatërruan arkivat e shtetit, muzeumet, bibliotekat, shkollat, universitetet, teatrot, vendet ku ruhej trashëgimia kulturore, duke futur duarte tyre të ndyra deri te Memoriali i Skënderbeut, kur dihet që në ato vende nuk ka para? Atëherë kush i drejtoi andej dhe i pagoi ata?
Në librin “Skaner 1997”, janë dy foto të pikturave me ngjyra në vaj-kanavacë, 120cmx80cm, të Ismail Qemalit, njëra e grisur me thikë në formën e kryqit dhe tjetra gjithë vrima plumbash. Shkatërrimi i bibliotekës së qytetit të Vlorës, grisja dhe vënia e zjarrit qindra e qindra volumeve, ia kalonte dhe skenave të inkuzicionit mesjetar. Vërtet nuk u hodh në turrën e zjarrit ndonjë Xhordano Bruno, por u dogjën e grisën veprat e qindra shkencëtarëve, shkrimtarëve e poetëve përfaqësues të kulturës botërore dhe shqiptare. Ishte sikur të digjje ata vetë. Ironia dhe poshtërsia shprehej po ato ditë, me gojën e buzët gjithë yndyrë arapashi, të një (jo i vetmi) prej përfaqësuesve të letërsisë shqiptare dhe analist i përditshëm në ekranet e sotme që shprehej më 06.04.1997: “… Kjo që po them ka vlerë për ata që nuk janë informuar së fundmi e nuk kuptojnë gjërësinë e raporteve tona me Vlorën, me këtë Bastijë të Shqipërisë, që na i bëri të prekshme idealet e lirisë, drejtësisë, barazisë e vëllazërimit…” Po të kemi parasysh se ndërkohë në Vlorë i kishin vënë zjarrin bashkisë, komisariatit, prokurorisë, bankës së shtetit, ishin hapur depot e reparteve ushtarake, armët e kriminelëve vrisnin çdo ditë njerëz të pafajshëm e varrmihësit atje në varreza punonin me orar të zgjatur, komenti është i tepërt.
A ishin gjithë këto rastësira? Turmat e përfaqësura nga segmente të gangsterëve të dalë nga burgjet dhe të tjerë të hurit e të litarit, të nxitura nga intelektualë të paguar, i vunë zjarrin Shqipërisë dhe u përpoqën të godisnin për vdekje kulturën e historinë shqiptare. Ishte e njëjta dorë ( e shfaqur dhe në vitet ’90-’91) që vepronte në të dy anët e kufirit, që nuk u analizua asnjëherë nga organet e specializuara. Politikanët, gazetarët, filozofët, historianët, shkrimtarët e poetët që i hodhën benzinë zjarrit, u shërbyen lloj-lloj larove të huaj, dhe vunë partinë para Shqipërisë, mirë do të ishte të ulnin daullet e trumpetat e luftës (ata kurrë nuk kërkojnë falje) e të mos shkruajnë e flasin me gjuhën e urrejtjes midis shqiptarëve, duke bërë patriotin e nacionalistin e thekur. Kjo gjuhë mund të jetë në favorin e tyre partiak, personal apo korrenteve të huaja ekstremiste, por kurrsesi në favor të drejtësisë, të përparimit e të ardhmes së popullit shqiptar. Ata duhet të ngjallin shpresën, besimin se ky vend meriton të shkojë përpara, duke i dhënë përparësi rilindjes shpirtërore e të mos shndërrohen si deri sot në vajtojca, (gra që paguhen për të vajtuar të vdekurit) duke bërë, që në shumë emisione televizive, të këndojnë kukuvajkat e korbat, që mbjellin pesimizmin, urrejtjen, kaosin, pasigurinë, duke përjetësuar sundimin e korruptuar të qeverive, për hir të një page mujore disamilionëshe.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Gezim Zilja

Vrasja e Hasan Riza Pashës në Rrethimin e Shkodrës

April 14, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

Libri me titullin ‘’Rrethimi i Shkodrës’’ është botuar në Milano në vitin 1913, nga korrespondenti italian i luftës Gino Berri, pas largimit nga Shkodra të ushtrisë sërbo-malazeze, më 12 maj 1913, gati një muaj pas mbarimit të luftës. Është një libër-ditar, kronikë e luftës për mbrojtjen e qytetit, 11 nëntor 1912- 25 prill 1913. Për vrasjen e Riza Beut ai shkruan: ‘’…Mbrëmë u vra Riza beu. (30 janar 1913). Ai ishte për darkë te Esat Pasha. Të dy banesat ishin larg njëra-tjetrës. Nga ora 20.00, Valiu u largua duke refuzuar pesë-gjashtë veta, që Esat Pasha donte t’i jepte me vete si rojë. Atëherë i tha pasha, do t’ju shoqërojë me oficerin tim shoqërues. Kur arritën te selia e komandës Riza Beu, e falënderoi oficerin, duke i thënë: ‘’Mund të kthehesh se arrita në shtëpi. Kur mbeti vetëm menjëherë u gjend para tre vetave, tre hije. Ai nuk mundi t’i njohë dhe u tha atyre: kush jeni , ku shkoni?…Kaloi matanë por sapo të panjohurit u gjendën pas shpine, krisën tri pushkë …fq 136’’. Ai i la amanet Esat Pashës: ‘’Të lë nën kujdes familjen time. Kujdes djalin tim. Mos i thoni që më kanë vrarë , por që jam vrarë në luftime… Betohuni se do ta mbroni Shkodrën deri në vdekje! fq. 137’’. Po kush e vrau Riza Pashën? A kishin arsye ta vrisnin shqiptarët Riza Beun? Gino Berri e ngre këtë si hipotezë, duke këmbëngulur që ekzistonte si mundësi. Masat e forta shtrënguese që ishte i detyruar të merrte Riza Beu, në kushtet e një rrethimi dhe lufte të përgjakshme, kishin dëmtuar rëndë interesat e tregëtarëve dhe qytetarëve të Shkodrës. Në plan të parë ishte sigurimi i ushqimit për ushtrinë që mbronte qytetin. Çdo spekulant ose tregtar, që kundërshtonte ose nuk zbatonte ligjet e luftës vendosur nga Riza Beu dënohej me vdekje. Disa ekzekutime ishin bërë. Por mungesa e bukës, ushqimeve (ato vazhdonin të sekuestroheshin për ushtrinë) dhe e vajgurit kishte shkaktuar me dhjetëra viktima. Ka mjaft fakte tronditës në libër ku qytetarët kryejnë vetëvrasje duke mos gjetur rrugëdalje tjetër ose kur një prind vret dy fëmijët e vet dhe veten, duke mos duruar t’i shohë të vdesin nga uria (faqe 167). Shumë njerëz duke mos menduar gjatë shikonin si shkaktar kryesor të kësaj katastrofe Riza Pashën. Autori shkruan: ‘’ E gjithë pjesa tjetër e popullatës shkodrane është shfrytëzuar ditë e natë në çdo lloj pune me pre e me qep uniforma, këmisha, mbathje, këpucë e pajime; për të transportuar mallra dhe ka punuar nëpër llogore pa ndërprerje….Pas tre muaj mundimi, dështimesh e shfrytëzimi personal, pasi u janë shkatërruar burimet kryesore të jetesës, gjë tjetër e sigurt nuk u ka mbetur përveç vdekjes…. Ka vetëm një dëshirë që s’e dëgjon askush: Luftës duhet t’i jepet fund…’’ Por Riza beu do të jetë i paepur në masat e tij drastike për mbrojtjen e Shkodrës deri në sakrificën e fundit. Kur atij i thanë se ka qytetarë që nuk përballojnë dot luftën dhe janë gati të ngrenë flamurin e bardhë, ai u përgjigj: ‘’Do t’i pushkatoj.” Dhe kur i thanë se nuk bëhet fjalë për disa por për mijëra ai sërish u përgjigj me ftohtësi: ‘’Do t’i pushkatoj. fq.84-85’’. Shpesh mbi tavolinën e tij gjendeshin letra kërcënuese… Hasan Beu po e thellonte gjithnjë e më shumë greminën midis tij dhe shqiptarëve. Kur ai u soll shumë keq në një mbledhje të kryepleqve, ku do të vendosej (merrej) një hua prej 10.000 lirash nga qytetarët, një hoxhë u shpreh:’’ Hasan Rizaja do ta paguajë shtrenjtë këtë që po bën! fq.140’’. Por ajo që të shkon mendja dhe bëhet e besueshme që ekzistonte dhe një shkak tjetër që Riza Beu të vritej nga vendasit, është episodi i mëposhtëm. Gino Berri shkruan: ‘’Para disa ditësh Valiu mblodhi krerët myslimanë më me influencë dhe duke diskutuar mbi gjendjen e qytetit pyeti: “Po sikur t’u jepet autonomia? Ne nuk e duam ,u përgjigjën ata. Si? thirri Valiu i habitur. Nuk e pranoni lirinë, nuk doni të jeni zotër të fatit tuaj, në shtëpinë tuaj?’’u tha ai? Jo, ne duam pavarësin tonë, iu përgjigjën shqiptarët. Riza Beu i inatosur u tha: “Ju jeni mish për kërbaç. Shpirt baltë,” dhe iku i zemëruar. Faqe 140’’. Nga sa më sipër veç urrejtjes nga një pjesë e të pasurve të mbetur trokë nga sekuestrimi pa kushte të pasurisë së tyre dhe të popullatës së varfër të ndodhur nën frikën gjithmonë të një të nesërmeje të tmerrshme del dhe një kategori tjetër, ajo e atdhetarëve shkodranë, që kërkonin pavarësi dhe jo autonomi si kërkonte Turqia me gjuhën e Riza Pashës. Tashmë (jemi në 30 janar 1913) Shqipëria kishte kufijtë e vet të përcaktuara nga Fuqitë e Mëdha. Një autonomi nën Turqinë, e që Riza Pasha po sakrifikonte gjithçka ta arrijë, nuk përbënte zgjidhje për patriotët shqiptarët. Ndoshta edhe ky arsyetim mund të rreshtohet në shkaqet (mundësitë) që Riza Beu të jetë vrarë nga shqiptarët. Ka dhe një variant të tretë që autori nuk e përmend ose as që i shkonte mendja. Riza beu mund të jetë vrarë nga ‘’komando’’ serb ose malazez, duke e parë atë si pengesën kryesore për pushtimin e qytetit, megjithëse edhe për këtë në libër nuk jepet asnjë fakt. Pas vrasjes së Riza Beut, komanda i kaloi shqiptarit Esat Pashë Toptani. Lufta vazhdoi deri në në 23 prill 2013, gati tre muaj pas vrasjes së Riza Beut, me të njëjtin tërbim, me të njejtin heroizëm, këmbëngulje e sakrifica të panumërta nga ana e ushtrisë dhe popullit shkodran. Në libër (ditar) del qartë që ushtria turko-shqiptare nuk u mund në betejë, por nga uria. Qyteti dhe ushtarët po vdisnin tashmë me dhjetëra në ditë (faqe 179) nga uria dhe të ftohtit. Dorëzimi ishte dinjitoz. Ushtria nën komandën e Esat Pashës u lejua të largohej nga qyteti e organizuar, me të gjitha armatimet dhe paisjet e luftës në drejtim të Durrësit. Nga gjithë sa u tha më sipër, sipas të gjitha përshkrimeve të dëshimtarir okular, korrespondentit ushtarak italian në terren, Gino Berrit, Esat Pashë Toptani nuk kishte ndonjë leverdi të vriste Riza Beun. Deri më 31 janar 2013, ai ishte komandant i forcave vullnetare shqiptare, që luftonin krah ushtarëve të perandorisë për mbrojtjen e Shkodrës. Gino Berri njohës i thellë i botës shqiptare e përfundon me këto fjalë vrasjen e Hasan Rizait:’’Ndërkaq Esat Pasha është i turpëruar sikurse flitet. Në Shqipëri kur një njeri del nga shtëpia ku ka qenë mik, është i paprekshëm dhe ai që prek atë fyen të zotin e shtëpisë që e ka pasur mik. Ky mbetet nën peshën e rëndë të dyshimit dhe ka të drejtën e hakmarrjes mbi vrasësin për të shlyer turpin që e njollos. Dyshimi ngelet derisa gjakësori nuk është zbuluar. Faqe 140-141.’’ Hasan Riza Beu ishte lindur në Bagdad dhe u vra në moshën 42 vjeç.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Zilja

Gjellë qensh…

April 8, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Pardje shqiptarët panë maskaradën e rradhës në një intervistë të lodhshme, me ironira e pasaktësira, ku bisedat përsëriteshin e ripërsëriteshin, madje duke u marrë dhe me të vdekurit, që gjallojnë dhe të gjallët e vdekur që jetojnë, duke e kthyer gjithçka në gallatë bulevardi. Ishte një teatër i kryeministrit me Blendi Fevziun, e llojit korr e mos lidh se kështu i do mushka drutë, apo një mungesë serioziteti e gazetarit? Sipas gjykimit tim këto intervista të llojit korr e mos lidh, ku bëhen njëqind pyetje e merren njëmijë përgjigje, që nuk kanë lidhje me pyetjet, nuk japin asnjë informacion për të vërtetën, e ngatërrojnë dëgjuesin, që ky të dëgjojë gjithçka, të hutohet e të mos marrë vesh asgjë. Fevziu ka patur rastin të intervistojë disa herë drejtues të këtyre tridhjetë viteve si Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, dhe Edi Ramën. Të gjithë këta janë pjellë e sistemit dhe edukimit komunist (përfshi edhe vet Fevziun) e një demagogjie të pafre, që përpiqen të të mbushin mendjen që je i ngopur kur ke ditë pa ngrënë, që të të thonë se je i lumtur kur ti njeh vetëm mjerimin, kur të japin të hash sapun e të thonë që është djathë, që të varrosin historinë e trashëgiminë kulturore e të thonë që ky është modernizim se e ka bërë arkitekti më i madh në botë, etj, etj. Të gjithë pa përjashtim përfshirë dhe  miushët e miushet ministra e ministresha që i imitojnë, janë delirantë, mendjemëdhenjë, gënjeshtarë, hakmarrës deri në marrëzi e që për marrjen e mbajtjen e pushtetit  nuk njohin normë e kufi njerëzor. Në rastin e një interviste të tillë, gazetari duhet të njihet thellësisht me ngjarjet, faktet, kohën, teknologjinë dhe të gërmojë seriozisht mbi çështjet që do të diskutohen. Sepse nuk është e lehtë të intervistosh demagogë të tillë. Gazetari profesionist dhe atdhetar drejton me mençuri pyetje, rendit fakte shifra, që i bëjnë ata të rrëfehen, duke iu zbuluar fytyrën e vërtetë, i bën të duken qesharakë dhe hipokritë me gënjeshtrat e tyre. Por kjo nuk ndodhi. Dukej sikur Fevziu kishte ardhur drejtpërdrejt nga një lojë bilardoje me pak sete, nga palestra apo pas një gjumi të lehtë, nga një drekë me  verë të zgjedhur. Sepse nuk mund të bëhen pyetje thelbësore, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të ardhmen e Shqipërisë e korrupsionin e frikshëm, pa pasur haber për to si: lejimi i kanabisit, inceneratorët, çvendosja e Portit të Durrësit, ndërtimi i Porto Romanos dhe katër porteve të tjera dy në Vlorë dhe nga një në Sarandë e në Shëngjin, ( mirë ishte të pyetej edhe për Rrugën e Arbrit që është një katastrofë) për transformimin e Sheshit të Flamurit, për nivelin e jetesës etj. etj. Që të shtrosh probleme të tilla duhet të jesh ekspert ekonomie, jurist i klasit të parë, ekspert detar, inxhinier ndërtimi, hidroenergjitik, elektrik, historian, arkitekt, ekspert i trashëgimisë kulturore madje pilot e tankist. Të ngresh probleme e të bësh pyetje të tilla duhet të kesh me vete një grup ekspertësh ose të konsultohesh ditë e javë të tëra me ta. Kjo është e pakta që duhet bërë por meqënëse edhe KM-ja vet as që merr vesh nga këto punë, ia futin të dy kotekot muhabetit. Po marr shkurt tre probleme të ngritura në atë intervistë. Në rastin e Portit të Durrësit dhe ndërtimit të riut në Porto Romano, investime e ndërrmarje të tilla me projekte azmatikë, një shtet të dobët si Shqipëria e falimentojnë dhe e kthejnë në koloni të sipërmarrësve të huaj. Vetëm ajo që falin shqiptarët, duke bërë këtë transfertë portesh është 3,6 miliard dollarë, kundrejt investimit të supozuar prej dy milliard dollarësh të arabëve. Po Fevziu dhe një pyetje të saktë që bëri se me çfarë parash do të ndërtohet Porto Romano u ngatërrua e harroi të merrte përgjigje. Porto Romano do bëhet me paratë e shqiptarëve dhe sipas llogaritjeve të specialistëve duhen  e pakta 600 deri 800 milionë dollarë amerikanë. Për Sheshin e Flamurit, filmi i paraqitur nga KM-ja me pyje e gjelbërim ku mungonin papagajtë e  flamengot, ishte një prodhim 3D i shplarë, larg së vërtetës. Ishte shtuar një qylym i kuq poshtë terminalit, që lidh përmendorën me varrezat e dëshmorëve, medemek do të paraqiste gjakun e dëshmorëve. Kjo e tejkalon çdo gjë normale. Po e zemë se nuk është terminal  autobuzash por stacion autobuzi si tha KM-ja i nderuar. Po aty do të kalojnë autobuzët e do të shkelin me këmbë qytetarët gjakun e dëshmorëve?! Po me kakërdhitë e deleve, kecave e dhive që bien fshatarët me vete për t’i shitur kur zbresin te stacioni, çdo të bëhet? Sheshi ndoshta ka pasur nevojë për ndonjë rregullim. Sikur  KM-ja të ishte konsultuar me urbanistët, arkitektët, ambientalistët e historianët e mrekullueshëm vlonjatë, aty do të kishte dalë diçka shumë e mirë. Tani na del inxhinieri më i mirë në botë dhe kryeministri, duke mbulur kokën e madhe me duar deklaron: “ edhe unë nuk marr vesh por belgu Xavier, tha që të mos prishet se pallati i Sulos…” Po pse për vjeljen e gorricave po flitej aty? Sa për kanabisin problemi në këtë shtet rrupallhane nuk do të jetë me njerëzit por me delet, dhitë, lopët, gomerët, kuajt e pelat se bar e jonxhë nuk ka për tu mbjellë më në Shqipëri.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT