• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI GAZETARIT GJEKË GJONLEKAJ PËR HUMBJEN E DJALIT

May 20, 2023 by s p

E nderuar familja Gjonlekaj/

I respektuar Gjekë

Me keqardhje mësuam lajmin e largimit të parakohshëm nga jeta të djalit tuaj Robertit. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjelli ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e pakthyeshme dhe dhimbjen shkatërruese.

Të gjithë bashkë si vatranë e komunitet shqiptar jemi pranë jush e familjes Gjonlekaj, familjarëve, miqve e dashamirësve tuaj në këto momente trishtimi, lamtumire, zie e humbjeje të pa kthyeshme.

Lusim Zotin për shpirtin e Robertit.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

See Insights and Ads

Boost post

All reactions:

113113

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjek Gjonlekaj

VAJTJA E MALESOREVE SHQIPTARE TE AMERIKES PER VOTIMET E 5 MARSIT NE TUZ DHE MALESI ISHTE VEPER HISTORIKE DHE PATRIOTIKE

May 4, 2023 by s p

(Pjese nga fjalimi ne darken e shtruar ne New York per nder te Kryengritjes se Malesise te vitit 1911)      

Nga Gjek Gjonlekaj/ New Yorrk

Imzot Noli në shkrimet e tij e krahasonte Kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911 me Luftën e amerikane të Bunker Hillit në krye me George Washingtonin. Ndërsa Ismail Kadare thotë luftërat e Gjergj Kastriot Skenderbeut ishin prolog e luftërave për liri kundër Perandorisë Otomane ndërsa Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte epilog kundër kësaj Perandorie. Unë sonte nuk do të flas për Kryengrtjen e Malësisë sepse Zonja Age Ivezaj foli shumë bukur për këtë ngjarje historike.

Sonte do të flasë më shumë për diasporën e Tuzit dhe Malësisë në Shtetet e Bashkuara. Emertimin diasporë e ka sjellur në publicistikën shqiptare Faik Konica. Izraelitët antikë i quanin diasporë hebrejtë që jetonin jashtë Izraelit dhe Palestinës. Edhe diaspora ilire, më vonë arbërore dhe  shqiptare ishte dhe është shumë e njohur. Pjesë e diasporës ilire ishin perandori romak Konstantini dhe iliri i fisit dalmat Shën Jeronimi. Pjesë e diasporës arbërore ishte Veziri i Madh Ibrahimi këshillëtari dhe besniku më i madh i Sulltan Sylejmanit të Madh. Bile biografët thonë Veziri i Madh Ibrahim ishte i krishter dhe sii tillë  kishte ndikuar shumë tek Sulltan Sylejmani që te krishterët dhe hebrejtë nën sundimin e Perandorsë Otomane të ishin të lirë për të ushtruar  fenë e tyre, çka tregon se merita e madhe për lirinë fetare në kohën e Sulltan Sylejmanit i takon Vezirit të Madh arbëror Ibrahimit. Përndryshe ai ishte i njohur me me emërin e krishter Mark Ura.  I tillë kishte qënë edhe Mehmet Aliu i Egjiptitt i cili themeluar mbrtërinë egjiptiane. Mehmet Aliu kishte qënë shumë i kujdeshëm për lirine fetare të koptikëve katolik të Egjiptit. Këtë e pohon historiani dhe analisti i mrënjour arabo-amerikan Fuad Axhami. Kjo do të thotë se ata e kishin mësuar respektin ndërfetar në tokën arbërore ku edhe kishin lindur. Kështu vepruan edhe Marko Boçari dhe shumë luftetare të tjerë të dalluar për lirinë e Greqisë nga Perandoria Otomane. Kolonia më mirë me thënë diaspora arbëreshe e Italisë i kishte dhënë Italisë Papa Klementin e IX, pastaj kryeministrin e parë të Italisë së Bashkuar Francesko Krispin dhe filozofin e madh arbëresh Antonio Gramshin. Pjesë e diasporës shqiptare dhe arbërore ishin edhe Gjergj Kastriot Skenderbeu, Nënë Tereza  dhe për disa dekada edhe Ismail Kadare kishte qënë jesë e diasprës. S’ka asnjë dyshim se diaspora shqiptare dha kontribut të rëndësishëm për pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, cfarë dodhi edhe me Kosovën.
Diaspora e Malësisë dhe Tuzit në Amerikë është relativisht e re. Malësorët shqiptarë të kësaj treve shqiptare filluan të shpërngulen në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada tash pothuajse 6 dekada. Shumica ishin vendosur në Shtetet  e Bashkuara. Ata e braktisën vendlindjen për arsye politike dhe ekonomike. Pushteti jugosllav ishte diskriminuas në mënyra të ndryshme dhe ata e panë se pasardhësit e tyre nuk do të kenë asnjë lloj përparimi në Tuz dhe në Malësi. Në Shtetet e Bashkuara ata punuan rëndë dhe shumica nga ata dhanë maksimumin për shkollimin e fëmijëve të tyre. Sot kjo diasporë në gjirin e vet ka shumë specialist të fushave të ndryshme në këtë vend.
Më 5 mars të këtij viti ishin paralajmëruar zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit. Diaspora jonë u tregua jashtëzakonisht e interesuar për fitoren e Formit Shqiptar ku bënin pjesë disa parti më mirë me thënë grupime politike që kërkonte mandatin e dytë për të drejtuar dhe udhëhequr këtë trevë arbërore. Ata bënë fushatë atje, por edhe në diasporën tonë dhe ne diasporat tjera në Evropë e deri edhe në Australi. Malësorët e Amerikës gjithmonë e kanë dashur dhe e duan vendlindjen e tyre, dukde ndihmuar materialisht dhe shpirtërisht. Këto ndihma nuk munguan kurrë. Në këtë mes ndodhi një mrekulli që nuk ishte pritur kurrë. Nga Shtetete e Bashkuara shkuan më shumë se 700 malësorë për t’i siguruar Tuzit dhe Malësisë fitore të bindshme. Në këto 6 dekada kjo është vepra më historike dhe patriotike e alësorëve nga Tuz dhe Malësia. Diaspora amerikane shpënzoi miliona dollarë për të siguruar këtë fitore historike. Me ndihmën e diasporës ata fituan shumicën e mandateve në Kuvendin e Tuzit.Të gjithë ata që udhëtuan nga Amerika për në vendlindje meritojnë respekt e nderime të jashtzakonshme. Por dy personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan mritojnë një nderim kë vecantë. Këta janë Mark Gjonaj ish politikan i njohur në New York dhe Nikollë Junçaj ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili me 15 malësorë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 vajti nga Amerika për të ndihmuar Kosovën në luftë për liri. Nikollë Junçaj dhe Mark Gjonaj kishin shkuar disa ditë përpara se të fillonte fushata për të qenë të pranishëm në të gjitha mbledhjet e fushatës. Nikollë Junçaj ato dite mbante fjalime në të gjitha trevat e Malësisë dhe në Tuz. Nikolla ishte shumë i besueshëm tek populli i Tuzit dhe Malësisë, ngase ata ishin të sigurtë se një luftëtar për lirnë e Kosovës kishte shkruar në Malësi për të mirën e atij vendi. Nikolla bënte fushatë të stilit politik amerikan. Kështu Malësia dhe Tuzi fitoi respekt edhe më të madh për luftëtarët malësorë të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara. Malësorët solllën  në Tuz kulturën dhe sjelljet amerikane në zgjedhje duke ruajtur me shumë kujdes paqën rëndin dhe qetësinë sic e kërkon bota e qytetëruar. Malësorët e Amerikës u dhanë kurajo edhe vendasëve për të votuar.
Lusim Zotin që komunarët në krye me udhëheqësin e mirënjohur  z. Nik Gjeloshaj do të ndërtojnë midis Tuzit të Ri dhe Tuzit të Vjetër dhe Harkun e Triumfit ku do të skaliten emrat e të gjithë malësorëve të diasporës që morën pjesë të këtë ngjarje histoike. Diaspora e meriton shumë për këtë sakrificë nga se ata bënë shumë për demokracinë dhe përparimin e vendlindjes së tyre. Malësorët e Amerikës kanë realizuar atje shumë vepra të mira, por vajtja më 5 mars do të shënon kulmin e dashurisë dhe respektit për vendlindjen e tyre. Emëri i tyre duhet të shënohet me germa të arta, ngase do të shkëlqej gjithmonë në historinë e Tuzit dhe Malësisë. Urime Malësi. Urime diasporë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjek Gjonlekaj

VOTONI PËR FORUMIN SHQIPTAR DHE NIK GJELOSHAJN, SOLOMONIN E MALËSISË

February 22, 2023 by s p

Nga Gjekë Gjonlekaj /

New YorkNë fillim të këtij muaji Nik Gjeloshaj ishte i ftuar nga Shtëpia e Bardhë për Lutjet e Mëngjesit, ku si zakonisht marrin pjesë personalitete të shquara nga vende të ndryshme të botës. Disa analistë amerikanë e cilësojnë këtë si një pelegrinazh modern dhe Washingtonin e quajnë Meka e demokracisë botërore. Ftesa e një malësori shqiptar në këtë ceremoni ishte një nderim i jashtëzakonshëm për Malësinë dhe për vetë z. Gjeloshaj i cili në këtë vend ishte takuar me disa politikanë dhe diplomatë të njohur në Shtetet e Bashkuara. Në fushatën e parë zgjedhore për kryetar të Komunës së Tuzit, z. Gjeloshaj kishte premtuar se do të krijojë lidhje të mira me Shtetet e Bashkuara dhe me diasporën e Malësisë në Amerikë dhe Evropë. Pesë vjet më parë premtimet e tij ishin të mrekullueshme, por realizimi dukej pak i vështirë. Deri në kohën e z. Gjeloshaj diaspora ishte lënë pas dore totalisht. Por një politikë e tillë i përshtatej politikës serbo-malazeze, që diaspora e Malësisë të izolohej sa më shumë. Përgjegjësit e politikave serbo-malazeze për pothuajse një shekull e gjysmë bënë çmos për t’i larguar malësorët nga vendlindja e tyre e dashur. Që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri sot Malësia u vra, u shtyp dhe u terrorizua nga forcat policore dhe ushtarake serbo-malazeze. Ata sot e kësaj dite bëjnë përpjekje për ta demoralizuar Malësinë, bile edhe me botime qesharake. Një shembull i tillë ishte botimi i Enciklopedisë malazeze nga Akademia Malazeze e Shkencave dhe e Arteve. Malësorët që janë në tokën e tyre tash mijëra vjet, ata i quajnë ardhacakë! Si mund t’i arsyetojnë ato çmenduri historike kur xhubleta e Malësisë u vendos në Muzeun Historik të UNESCO-s, duke e vlerësuar mes tjerash edhe vjetërsinë e saj prej për më shumë se 4000 (katër mijë) vjeçare.Në kohën kur posa kishte dalë nga shtypi botimi, gjoja i asaj Enciklopedie, shumë shqiptarë, sidomos malësorë atdhetarë ishin shqetësuar shumë për ato trillime dhe falsifikime monstruoze. Pothuajse askush, bile as akademitë shqiptare nuk kishin reaguar kundër atyre shpifjeve monstruoze. Në atë kohë Nik Gjeloshaj ishte deputet në Kuvendin e Malit të Zi dhe ishte fyer rëndë dhe ndier keq për këto shpifje, prandaj ndërgjegjja e tij kombëtare e kishte detyruar që para gjithë deputetëve serbo-malazezë t’i fuste ato faqe të Enciklopedisë në koshin e plehrave. Kuvendi i Malit të Zi ishte tronditur për aktin e tij shumë të guximshëm, por Nikës nuk ishte lodhur fare, pavarësisht se ata ishin tërbuar për këtë akt të guximshëm që mund të quhej vepër historike dhe patriotike. Zyrat më të larta kombëtare e uruan Nikën për atë akt shumë të guximshëm. Si pasojë, për një kohë të gjatë e kishin kërcënuar banditët e Podgoricës deri në atë masë sa për një kohë nuk i merrte me vete fëmijët e tij për t’i shëtitur në qytetetin e Podgoricës, sepse kishte frikë se ato banda mund ta sulmonin fizikisht përpara fëmijëve të tij, gjë që mund t’u shkaktonte atyre trauma të mëdha. Nik Gjeloshaj dhe bashkëpunëtorët e tij patriotë kishin vendosur që në Malësinë tonë të mos festohej 13 Korriku ngase kjo datë ishte dita e pushtimit të Malësisë nga serbo-malazezët. Nik Gjeloshaj dhe bashkëpunëtorët e tij nuk pranuan diktatin e qeverisë qendrore për ta mbyllur Tuzin dhe Malësinë në kohën e pandemisë, për ç’gjë nuk kishin asnjë arsye sepse Tuzi dhe Malësia e kishin kaluar këtë faze. Bile edhe gjatë periudhës së virusit ata, domethënë Komuna në krye me Nik Gjeloshajn kishin vepruar më mirë se asnjë vend tjetër në botë për shpëtimin e popullit të vet. Por qeveria qendorore e kishte bërë këtë qëllimisht për të penguar zhvillimin e këtij vendi. Si pasojë, sot e kësaj dite qëndron padia në Gjykatën e Podgoricës kundër Nikës dhe Rexhep Çunmulajt.Sivjet është 110-vjetori i copëtimit të tokave shqiptare, ku për fatkeqësi bën pjesë edhe Malësia jonë. Qysh atëherë e sot trojet dhe populli i Malësisë u shtyp pa mëshirë nga diktaturat mbretërore dhe ato komuniste. Malësia filloi të marrë frymë pak më lirisht atë ditë kur fitoi të drejtën e themelimit të Komunës së pavarur. Ardhja e Nik Gjeloshajt në detyrën e kryetarit u prit mirë para katër vjetësh. Mund të thuhet lirisht se që prej ndarjes së Malësisë nga Shqipëria e deri sot Malësia jonë nuk ka lindur burrë më të rreptë dhe më të drejtë se Nik Gjeloshaj. Ai është politikan dhe demokrat i vërtetë dhe s‘ka dyshim se këto cilësi i ka trashëguar nga të parët e tij. Ata kanë traditë të shkëlqyeshme kombëtare për pothuajse tash 250 vjet. Kjo administratë dhe Nik Gjeloshaj jo vetëm që e ringjallën Malësinë, por ringjallën edhe diasporën malësore të Amerikës dhe Evopës. Para një shekulli Atë Gjergj Fishta kishte botuar poemën shumë të dhimbshme, ku thotë “Çonju të Vdekur se maroi Malësia”. Këtë poemë kushtrimi e kishte botuar pas masakrës së Hotit të vitit 1919. Në atë poemë i thërret të vdekurit ta shpëtojnë Malësinë. Gjergj Fishta thërret Dedë Gjo’ Lulin dhe Bibë Dodën, që të dy kishin qenë të vdekur. Bile për Malësinë disa herë kishte thënë se “çka han ujku s’e zën gjarpni”. Kështu e parashikonte të ardhmen e Malësisë poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta. Kjo poemë tragjike mua personalisht më shqetësonte shumë. Por Zoti i Madh që ka krijuar Malësinë e Gjithësinë, pas 100 vjetësh solli në Malësi një burrë-shteti për ta shpëtuar Malësinë. Pavarësisht se Malësia nuk është shtet, brenda përbrenda ka të gjitha atributet e një shteti. Nik Gjeloshaj dhe administrata e tij e ngjalli Malësinë gjatë këtij mandati, duke bërë mrekulli që nuk ishin paramenduar as nga optimistët më të mëdhenj. Kjo administratë po realizon tri objektiva të domosdoshme për një shoqëri të përparuar. Po ndërton dhe rindërton rrugët e Tuzit dhe Malësisë sipas standardeve evropiane, të shoqëruara me rrymë elektrike dhe ujësjellës. Veprat e kësaj administrate, në krye me Nik Gjeloshajn, janë kolosale. Punime të tilla mund të jenë pare në kohët antike, por në një stil tjetër. Kështu kishin punuar Agroni e Teuta dhe Perandori Dioklecian. Qysh atëherë e deri sot civilizimi i Malësisë ishte rrënuar dhe groposur nën dheun e Labeacisë. Hordhitë e ndryshme barbare, duke përfëshirë edhe ato sllave, kishin bërë çmos për ta zhdukur të kaluarën e Labeacisë, ku bën pjesë Malësia sot. E gjithë kjo ishte bërë për zhdukjen e identitetit iliro-arbëror. Kjo që po ndodh sot, mund të quhet renesanca e Malësisë, më mirë të them Rilindja e Malësisë. Diaspora malësore kurrë nuk ka qenë më optimiste për përparimin dhe zhvillimin e Malësisë. Nik Gjeloshaj kurdo që ka vizituar Shtetet e Bashkuara është pritur me nderime të mëdha. Diaspora ka fituar mirëbesim të jashtëzakonshëm te Nik Gjeloshaj dhe administrata e tij. Diaspora ka filluar investimet e veta dhe vizita të përhershme në Malësi, sepse ata priten me nderime nga autoritetet e vendit. Asnjë politikan nga Malësia nuk është nderuar dhe pritur ashtu siç pritet Nik Gjeloshaj. Tuzi dhe Malësia ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe këtë mbështetje e jep nëpërmjet zyrave të ndryshme, sidomos përfaqësive diplomatike amerikane. Kështu veprojnë edhe vendet perëndimore të Evropës.Për të folur për administratën e Komunës së Tuzit në krye me Nik Gjeloshajn duhet orë e ditë të tëra. Një pjesë të madhe të tyre i kemi parë në transmetimet e Televizionit BOIN. Nik Gjeloshaj është politikani më ekumenik i Malësisë tash një shekull. Për Pashkë Nika shkon në kishë, por edhe për Bajram shkon në xhami, duke i trajtuar njësoj. Malësia sot është një oaz midis dy shteteve shqiptare dhe Malit të Zi. Një pjesë e madhe e liqenit të Shkodrës dhe fushat e Dheut të Zi deri ne Majën e Komit janë pasuri e patundshme e Malësisë. Këtu bën pjesë Cemeri, Korita dhe lumi Cem që janë shumë piktoreske dhe të mira për turizëm. Kjo administratë po e vë në përdorim teknologjinë e re dhe sistemin më modern kompjuterik që janë të domosdoshme në këtë kohë. Komuna ka krijuar fonde dhe fondacione për të mirën e studentëve të dalluar dhe për shumë çështje të tjera. Nik Gjeloshaj ka themeluar Kryqin e Kuq të Pavarur të Tuzit. Si pjesë e veprimtarisë së Komunës janë gjithë ato dikastere të cilat i drejtojnë specialistë dhe ekspertë të njohur nga shkollat më të njohura të Ballkanit dhe më gjerë. Kjo administratë ka zhvilluar bujqësinë, pemtarinë dhe blegtorinë, që janë shumë të domosdoshme. Tani po zhvillon edhe industrinë, që siç duket Tuzi dhe Malësia do të jenë një vend industrial modern. Pra, Komuna ka afruar rreth vetes elitën e profesionistëve malësorë shqiptarë.Fushata e FORUMIT SHQIPTAR në krye me Nik Gjeloshajn na kujton fushatën presidenciale të Presidentit Ronald Reagan në vitin 1984, për fitoren e mandatit të dytë. Reagan gjatë mandatit të dytë kishte thënë: “Nuk keni parë çka do të shihni” (You haven’t see nothing yet). Kështu do të veprojë edhe administrata e Nik Gjeloshajt. Përparimet e mëdha do t’i shihni në mandatin e dytë, bile aq të mëdha që nuk mund t’i paramendoni sot. Nik Gjeloshaj mendon edhe për themelimin e shkollave të larta dhe mundësisht edhe të një universiteti në Tuz. Pas përfundimit të mandatit të dytë, Tuzi dhe Malësia do të duken si ato malësitë e Zvicrës ose Austrisë. Kush kishte menduar se Klubi Futbollistik “Deçiq” do të ngritej aq lart në Ligën Kombëtare të Malit të Zi?! Para 20 vjetësh, një miku im, specialist e çështjeve ballkanike, autoritet pranë qeverisë amerikane, kishte kaluar nëpër Tuz drejt Shqipërisë. Pas kthimit në Amerikë, më tha miqësisht me keqardhje se Tuzi ishte për dëshpërim. Edhe unë personalisht kur jam kthyer pas 35 vjetësh, jam larguar nga Malësia i dëshpëruar për gjendjen e mjerë të Tuzit. Dukej si ato vendet e banuara të Kandaharit! Por Zoti dërgoi një djalë malësor dhe besnikët e tij për të rindërtuar Tuzin dhe krejt Malësinë.Koalicioni FORUMI SHQIPTAR duhet t’i fitojë zgjedhjet e 5 marsit që vjen. Ata janë shumë më të kualifikuar se të tjerët për ta zhvilluar Tuzin dhe Malësinë. Dashuria dhe respekti për këtë koalicion dhe mandatin e kaluar e tregon më së miri vullneti i diasporës e cila do të bëjë një udhëtim patriotik dhe historik “për shpëtimin e Malësisë”. Sakrifica e tyre për të marrë pjesë në ato zgjedhje do të jëtë kapitull i shkëlqyeshëm në historinë e Malësisë sonë legjendare. Nik Gjeloshaj është si ata kalorësit e Mesjetës, është burrë shteti dhe biznismen. Anglisht Nik Gjeloshaj është: gentleman, statement & businessman, i cili ka për të hyrë në histori si Solomoni i Tuzit dhe i Malësisë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Gjek Gjonlekaj

BISEDË ME MALËSOREN FISNIKE DILËN E GJON GJEKËS SË TRIESHIT

September 21, 2022 by s p

Gjekë Gjonlekaj/New York

Këto ditë Britania e Madhe dhe mbarë njerëzimi i tha lamtumirën e fundit Mbretëreshës Elisabeth II. Për Mbretërinë e Bashkuar,  Mbëretëresha Elisabeth e II ishte bijë, motër, nënë dhe gjyshe. Pas Nënës Tereze  ishe gruaja më e përmëndur në botë. Ajo e mbajti në kokë kurorën mbretërore për 7 dekada dhe biografët e saj thonë se ishte gruaja më e respektuar në botë sepse përveç titullit të monarkes jetoi me nder, respekt e dinjitet pothuajse një shekull të tërë. Ajo u percollë në amshim me nderimet më të larta që janë parë ndonjëherë në hstorinë e njerëzimit. Këto ceremoni mortore prej 12 ditësh zgjuan shumë emocione edhe në familjet shqiptaro-amerikane, duke evokuar ndjenja për nënat dhe gjyshet tona. Kjo ceremoni madhështore bëri që t’i nderojme dhe t’i kujtojmë ato pak nëna e gjyshe këtu në Amerikë që erdhen me ne në moshën e granisë, por për më shumë se 40 dekada ato u bënë gjyshe dhe katragjyshe. Sipas Kodit Moral të Malësisë së Madhe nënat dhe gjyshet ishin shumë të nderuara në familje dhe në fis. Ato mbartin detyra me rëndësi në familje dhe në shoqërinë e asaj kohe, bile zoja e shtepisë në ato kohëra mbante titullin e mbretëreshës përbrënda familjes. Nënat dhe gjyshet tona kishin rolin e dytë pas zotit të shtëpisë në familje. Shumica e grave në atë kohë ishin mburojë e fortë në ruajtjen e dinjitetit të familjes dhe respektit në shoqëri. 
Këtu në Shtetet e Bashkuara nuk kemi shumë gjyshe, sepse  pleqëria e ka bërë të vetën dhe shumica nga ato nuk jetojnë më. Është fjala për ato që kanë lindur dhe janë rritur në Malësi. Këto gra të moshuara  ruajnë shumë kujtime dhe përjetime nga vendlindjet tona. Disa nga ato e kanë kujtesën e fortë dhe i mbajnë mend shumicën e ngjarjeve të vendlindjes dhe më gjerë. 
Kohë më parë kisha rastin të bisedoj me njërën prej nënave dhe gjysheve shumë e përmendur në Komunitetin tonë të Malësisë në New York. Kjo është Dilë Gjonja e Gjo’Gjekës së Trieshit patriotit dhe mësuesit të përmendur në Malësi. Është nder dhe privilegj me qënë bijë e këtij atdhetari shumë të qytetërur. Ishte kënaqësi me bisedua me Dilen, ngase mbante mend për mrekulli historinë e familjes dhe të Trieshit! Dila gjatë kësaj bisede ishte shumë fisnike dhe nuk kishte asnjë pretendim  personal ose familjar për madhështi. Ishte shumë modeste pavarësisht  se babai i saj Gjon Gjeka kishte njohuri të gjëra për Malësinë tonë dhe më gjerë. Pyetjes sime si ishte Gjoni në familje Dila iu përgjegj:” Babai im ishte shumë i mirë në familje, shumë i qetë, por nuk ishte ishte shumë i kujdesshem për  pune ekonomike me fjalë të tjera nuk ishte aspak i dhënë pas punëve shtëpiake”. Disa herë bëne gabime, bile i merrte delet tona nga livadhet tona dhe i fuste nën ahër duke menduar se janë delet e huaja. Kur shkonim për t’i sjellur në shtëpi delet tona nuk ishin aty. Kërkonim orë të tëra dhe nuk i gjënim. Ai na tregonte se i kishte gjetur ato dele në livadhet e tij dhe i kishte mbyllur nën ahër. Ç’me pa ato ishin delet tona. Gjoni kishte prirje për kulturë por më shumë për kulturë gjermane, por Ai kishte edhe kulturë fetare dhe e nderonte Jezu Krishtin si Zot dhe njeriun më të mirë që kishte dhënë njerëzimi gjatë gjithë historisë. Gjon Gjeka, tregon Dila kishte respekt të veçantë për libra dhe dokumente të shkruara. Por kishte një dobësi se shumë herë ua jepte njerëzëve për t’i lexuar dhe nuk i kthenin mbrapa kurrë. Babai im tregon Dila e kishte ruajtur arkivin e kishës së Trieshit, bile këtë të vërtëtë e pohoi edhe Patër Mirash Marinaj gjatë një interviste me Zërin e Amerikës më rastin e 250-Vjetorit të Famullisë së Trieshit në verën e vitit 2013. Ato kishin qënë arkiva me shumë rendësi që do të ishin zhdukur sikur të mos ishte Gjon Gjeka. Sipas rrëfimeve të Dilës Gjoni kishte deshirë që të gjitha bijat e tij të martoheshin në Hot, duke menduar se Hoti ishte njëra prej krahinave më patriotike të Malësisëe së Madhe. Kështu ishte bërë dhe 4 bijat e tij ishin martuar në Hot.  Ajo tregon se Gjoni fliste natë e ditë për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar, por  kurrë nuk fliste keq për kombet e tjera dhe kështu ruhej nga akuzat dhe shpifjet e bashkëvëndasëve që  një pjesë e dukshme e tyre ishin të dhënë me mish e shpirt për qëllimet sërbo malazeze. Pavarësisht se Gjoni jetonte në një shoqëri që ishte vështirë për ta kuptuar. Ai për ceremoni të ndryshme qofshin ato dasma ose vdekje vishej në kostume qytetare dhe vente kravatën. Dila mund të fliste orë të tëra për historinë e Tij dhe nënës Prenë Mires bijë nga Kelemendi. Ne ishim shumë fëmijë, dhe nëna e kishte të vështirë kujdesin për ne tregon Dila. Pavarësisht vështirësive  anjë herë në jetë nuk e kisha dëgjuar që të ankohej për diçka, edhe pse nga ana e gjinisë ishte shumë e vetmuar. Prenë Mirja kujtohet sot e kësaj dite për qëndresën e mrekullueshme për vdekjen e djalit të saj të dashur Profesor Agron Lucaj.
Dila e Gjo’Gjekës gjatë jetës së saj 85 vjecare përjetoi dhimbje të mëdha për vdekje tragjike të motrës  Pashkë Gjonja dhe vëllaut Agron Lucaj, dhe gjatë jetës Dila humbi 11 anëtarë të familjes ku përfshihen burri i saj Martin Gjoni Gjelaj i cili vdiq para 8 vjetësh. Ajo përjetoi vdekjen e djalit të saj të dashur  Markut i cili vdiq në New York para dy vjetësh në moshë relativisht të re. Edhe prindërit ishin të dhimbshëm pavarësisht se ishin të moshuar. Katër  vëllazër: Toma, Agroni, Noshi dhe Nikolla ishin shumë të dashur me njëri tjetërin dhe me prindër e motra. Në këto humbje bëjnë pjesë edhe tri motra të saj. Përveç Agronit dhe vëllazërve tjerë Dila ruan kujtime shumë të mira edhe nga Toma i cili në Triesh njihej me emërin Toli i Gjo’Gjekes, që kishte emigruar në Gjermaninë Perëndimore menjëhërë pas Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht se ishte larguar nga vendlindje në moshë të re Ai kishte treguar interesim të madh per familjen dhe për vendlindjen e tij. Kohë pas kohe dërgonte dhurata për familjarët e tij, pastaj për kishën e Trieshit kishte dhënë një kontribut të konsiderueshëm, ashtu siç kishte dhënë edhe për rregullimin e varreve të fshatit ku kishte lindur. Fëmijët e Tomës dhe zonja e tij gjermane vinin për vizita në Triesh, pavarësisht se nuk flisnin shqip ato ishin me fat se gjyshi i tyre Gjon Gjeka fliste gjermanisht, që në këtë rast luante rolin e përkthuyesit në familje dhe në shoqëri. Dila tregon shumë edhe për tezen e saj Drane Miren qe kishte kontribuar  këmbanën e kishës së Trieshit dhe po ashtu kishte dhënë ndihmë për ndërtimin e saraxhës së kishës. Sot familja e Gjon Gjekës Lucaj është një prej familjeve më të mëdha të Trieshit por pothuajse shumica janë në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani. Atje jeton vëllau i saj që në Triesh njihej me emërin Zefi i Gjo’ Gjekës, bijat e të cilit janë shkolluar për mrekulli, bile vajza e madhe Lena ka doktoruar në shkencat shoqërore në Gjermani. Edhe fëmija e Tomës janë shumë të shkolluar. Pas vdekjes së babës dhe nënës, Dila shumë herë luante rrol me rëndësi për të mirën e Familjes së Gjon Gjekës. Por ishte e mrekullueshme edhe në shtëpinë e Martin Gjonit Gjelaj  ku ishte martuar. Ajo me djemte e saj  dhe me Familjen e Nikollë Gjonit treguan interesim të jashtzakonshëm për nderimet e Gjonit dhe Agronit pas vdekjes, duke organizuar konferenca shkencore dhe orë përkujtimore për vëllaun e tyre të dashur Agronin. Dilë Gjonja e Gjo’Gjekës së Trieshit kishte mësuar shumë nga babai i saj shumë i permendur. Edhe djemte e saj u shquan në veprimtari të ndryshme. Djali i saj i ndjerë Marku ishte mjeshtër i madh,ndërsa Zefi është njëri prej malësorëve më të sukseshëm në biznes, është bujar dhe shquhet për donacione për të mirën e shoqërisë dhe të Malësisë. Edhe djali i saj më i riu Koti është me profesion inxhinier në New York. Djemte e vëllaut Nikollës janë shumë të sukseshëm në fushën e tyre të biznesit. Prej saj mesuam shumë të vërteta përTrieshin dhe për Malësinë. Dilë Gjonja është  si një nanë e madhe(matriarch) siç e quan bota anglo-saksone. Nënat dhe gjyshet si Dilë Gjonja kanë dhënë dhe japin kontribut të jashtzakonshëm që fëmijët e brezave te ri të Amerikës të mësojnë gjuhën shqipe, traditat dhe historinë e venlindjeve tona. Ato lujnë rrol me rëndësi në lidhjet ndërfamiljare, që shumë herë edhe mund të luhaten.Të gjitha nënat dhe gjyshet që kanë lindur atje kanë shumë rëndësi që të mos e harrojnë tokën e të parëve të tonë.
Dilë Gjonja është një grua tani plakë e jashtzakonshme e cila me sjelljet e saj fisnike nderon familjen dhe krahinën e Trieshit dhe të Hotit ku ishte martuar shumë dekada më parë.. Dilë Gjonja më kujton ato gratë e kohërave klasike. Çdo herë që e kam takuar kam mësuar diçka të re prej saj. E konsideroj si një prej mësueseve të mia, sepse  Ajo  flet jo nga librat por nga përvoja e jetës më shumë të hidhur se të ëmbël. Dilë, dhe në fund të uroj shëndet e jëtë. 

Filed Under: Histori Tagged With: Gjek Gjonlekaj

ME 23 TË KËTIJ MUAJI DO TË VENDOSET NË GRUDË PËRMENDORJA E BURRIT LEGGJENDAR TË MALËSISË BACA KURTIT

August 22, 2022 by s p

(ME RASTIN E 215 VJETORIT TË LINDJES)

Gjekë Gjonlekaj/New York/

Këto ditë në Milesh të Grudës në Malësi do të përurohet përmendorja e trimit legjendar Baca Kurtit. Aktivitetin për këtë vepër përkujtimore  e kishte filluar vëllazëria e tij në diasporën e  Shteteve te Bashkuara, më mirë me thëne në  Kaliforni, dhe meritën kryesore  për themelimin e “Fondit Baca Kurti”  e kishte pinjolli i kësaj familje Enver Gjokaj, përndryshe biznismen dhe aktivist i njohur për çështjen shqiptare. Zotni Enver Gjokaj që është i vëllazërisë së Baca Kurtit kishte dhënë çekun prej 5000 dollarësh atë ditë që ishte themeluar ky fond. Në fillim fushatën financiare e kishin filuar vëllazëria Gjokaj por pas do kohe  kësaj fushate iu bashkua një numër i konsiderueshëm  malësorësh në Michigan dhe në  New York. Fushata u mbështet kryesisht nga diaspora e Malësisë në Shtetet e Bashkuara. Aty këtu kontribuan edhe shqiptarë na rajonet tjera. 
Për Baca Kurt Gjekën e Gjokajëve kisha dëgjuar qysh në fëmijëri.Në vendlindjen time në Triesh emëri i Baca Kurt Gjekës lakohej shumë sidomos për aktet e tij të  mrekullueshme patriotike dhe shoqërore. Baca Kurti kishte lindur në Dinoshë në vitin 1807 dhe ishte pagëzuar në Kishën e Shen Mëhillit. Ai kishte vdekur në vitin 1881 dhe ishte varrosur në varret e asaj kishte historike. Për Baca Kurtin trimëritë dhe atdhetarizmin e tij kisha dëgjuar shumë nga vajtorët dhe vajtoret në vdekjen e Dak Lekës para 54 vjetësh. Ceremonia e mortit të Dak Lekës ishte bërë në oborrin e shkollës tetëvjeçare në Tuz. Në atë ceremoni mortore ishin dalluar vajtorët e Malësisë sidomos Tomë Bishi dhe Rrok Pjetër Zeku e Cak Gjoni. Sot e kësaj dite ata që kanë qënë të pranishëm atje i mbajnë mend sidomos vargjet epike dhe  homerike të Tomë Bishit për heroizmin dhe qëndrueshmerinë patriotike të  Baca Kurtit i cili kishte qënë shumë i përmendur në gjithë Shqipërinë e Veriut deri edhe ne Kosovë.
Një princ ballkanik shumë i djallëzuar që kishte për qëllim pushtimin e tokave shqiptare , kishte thënë se Baca Kurti dhe Çun Mula kishin qënë  prijësit më të dalluar të Malësisë së Madhe.  Baca Kurti edhe pse malësor katatolik kishte drejtuar me shumë respekt e dashuri pothuajse 300 shtëpi malësore shumica të besimit islam. Ndërsa Çun Mula i Hotit duke qënë malësor shqiptar mysliman kishte drejtuar pothuajse 500 shtëpi malësorë katolikë të Hotit. Baca Kurti ishte shumë i dashur dhe i nderuar nga të gjithë malësorët e Grudës të besimit muhamedan.  Ai ishte pjesëmarrës në të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e tyre. Kurdo dhe kudo shfaqej ndonjë ndjenjë e urrejtjes fetare Ai ndërhynte me shpejtësi që të mos përhapej më gjerë. Urrejtjet fetare i quante  smundje shkatërruese. Baca Kurti respektonte të gjitha normat fetare të malësorëve qofshin ata kristian ose muhamedan. Njësoj si Çun Mula edhe Baca Kurti ishte shëmbull për të gjithë Malësinë e Madhe  dhe më gjerë. Mary Durham e kishte thënë se në Malësinë e Madhe marrëdhëniet ndërfetare kishin qënë të përsosura! 
Shekulli kur kishte lindur dhe jetuar Baca Kurti ishte  një periudhë e luftërave të mëdha në Evropë. Fuqitë e mëdha evropiane ku ishin  përfëshirë edhe Perandoria Ottomane dhe Rusia për interesat e tyre kishin sjellur dëme të mëdha sidomos për popullin shqiptar. Njësoj si trojet tjera shqiptare edhe Malësia e Madhe në atë kohë jetonte dhe vepronte nën sundimin osman. 
Baca Kurti ishte mburojë e fortë në mbrojtjen e vendit kundër  dhunës turke por edhe me shumë kundër hordhive sërbo-malazeze të cilat e sulmonin vazhdimisht Dinoshën dhe katundet për rreth. Baca Kurti u ballafaqua me ato sulme barbare më shumë se asnjë prijës tjetër i Malësisë. Dinosha ishte atëherë sic është edhe sot njëra prej trevave më të bukura të Malëssië së Madhe. Kështu janë edhe fshatrat për rreth. Sërbo-malazëzët kishin për qëllim pushtimin e atyre trojeve. Rruga e Vermoshit lidhej me Dinoshën. Kjo rrugë bënte të mundur lidhjet e Malësisë me Plavë Gucinë dhe Kosovën. Profesori i mirënjohur britanik Noel Malcolm thotë se Malësia e Madhe ishte ura kryesore e lidhjeve të Shqipërisë së Veriut me Kosovën dhe sërbo-malazezët kishin bërë çmos për ta djegur e shkatërruar  atë urë të madhe të bashkimit kombëtar. Baca Kurti ishte strategu kryesor i këtyre lidhjeve shqiptare dhe për këtë  ishte në shënjestër të shumë rreziqeve personale dhe familjare. Bandat sërbo malazeze i kishin vrarë disa anëtarë të familjes duke u prerë kokën,  këto banda kishin vrarë edhe shumë malësorë të besimit islam , që do të thotë sa ata vërsuleshin kundër malësorëve pa dallim besimi. Mali i Zi kishte burgosur djalin e Baca Kurtit, Sokol Bacin kur ishte në moshën 25 vjecare dhe si pasojë Sokoli kishte vdekur në burgun malazez. Sot e kësaj dite jetojnë njerëzë qe përmendin të gjitha këto humbje dhe tragjedi. Gjatë këtyre sulmeve ishin vrarë shumë dinoshianë dhe malësorë të fshatrave për rreth. Ura e Zharnicës ishte një prej pikave më strategjike dhe gjatë sulmeve sërbo-malazeze atje vraponin me shpejtësi Baca Kurti, Smail Martini, Halil Haka, Palokë Gjoka dhe shumë trima tjerë të atyre trojeve. Duke qënë përballë agresorëve të shfrënuar, Baca Kurti ballafaqohej me sulmet e para të papritura dhe ishte i detyruar të kushtrimonte Grudën dhe Malësinë për rreziqet dhe rrebeshet e atyre bandave. Sërbo-malazezët  gjatë sulmeve të ndryshme prisnin koka shqiptarësh ngase ata  e kishin traditë këto akte  barbare të mizorive të Lindjes. Dhe si pasojë e këtyre monstruziteteve, Evropa nuk e pranonte pavarësinë e Malit të Zi. Sërbia dhe Mali i Zi bënin çmos për të krijuar ngatërresa ndërfetare midis të krishtërëve dhe muhamedanëve që kishin për qëllim atë veprën e mbrapshtë  përçaj e sundo (divido et impera) Por fatëbardhësit Baca Kurti dhe krerët tjerë të Malësisë nuk kishin ra pre e këture kurtheve antishqiptare. Baca Kurti tërë jetën e kishte kaluar në Shqipërinë e Bashkuar por nën sundimin Ottoman. Ai dhe bashkëluftëtarët  e tij nuk e pranonin diktaturën e egër osmane. Ky fisnik i Malësisë ishte i  njohur jo vetëm për trimëri por edhe për bujari.  Dera e tij  e famshme ishte njëra prej dyerëve më bujare të Shqipërisë së Veriut. Shtëpia e tij ishte në qëndër të vemendjes për pritje bujare dhe bisedime serioze. Sot e kësaj dite flitet për kandilin e ndezur deri në orët e vona të natës për udhëtarë të ndryshëm që vinin nga Plavë Gusia ose Shqipëria. Kjo shtëpi ishte njëra prej shtëpive më fisnike dhe kishte lidhje me familjet më bujare të Veriut e deri edhe me Familjen e Vrionëve të Shqipërisë së Jugut. Për atdhedashurinë dhe ndersherinë e madhe Baca Kurti ishte ftuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Atje e kishin pritur shumë mirë udhëheqësit kryesor te Lidhjes Shqiptare. Baca Kurti ishte treguar bujar edhe në Kongresin e Prizrenit, sepse kishte porositur kafe për 300 pjesëmarrës të asaj Konference gjithëkombetare të cilën historianët e cilësojnë si mbledhjen më historike pas Beselidhjes së princave shqiptarë në Lezhë në krye me Skenderbeun.
Në Kongresin e  Berlinit që e drejtonte Bizmarku fuqitë e mëdha kishin rënë dakord për coptimin  e Shqipërisë që bëhej për interesat ruso-ottomane. Coptimin e Shqipërisë Baca Kufti e shikonte si veprën më antishqiptare dhe për këtë e kishin zgjedhur të shkonte për të thënë fjalën e tij kundër Kongresit famëkeq të Berlinit.  Gazeta “Rilindja” e Kosovës  shkruante në qershor të vitit 1978 për pjesëmarrjen  dhe 300 kafetë e Baca Kurtit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Këtë shënim “Rilindja” e kishte botuar me rastin e 100-vjetorit të asaj lidhjeje historike. Ska dyshim se Baca Kurti në atë mbledhje të madhe kombëtare kishte takuar Abdyl Frashërin, Sulejman Vokshin, Al Pashë Gucinë dhe shumë krerë të lartë të Lidhjes Shqiptare. Baca Kurti ishte betuar se do të luftonte kundër atyre që kishin për qëllim copëtimin e tokave arbërore. Edhe pse në moshën 71 vjecare Baca Kurti kishte pranuar rrugën e gjatë dhe shumë  të mundimshme për moshën e tij 71-vjecare. Vajtja me kal prej Grudet në Prizren kishte qënë rrugë e vështirë për Baca Kurtin,por i kishte përballuar të gjitha vështirësit e asaj rruge për të mirën e popullit shqiptar. Pas kthimit nga Prizreni sërbo-malazezët e kishin në sy të keq, gjithashtu edhe Turqia kishte humbur besimin tek Baca Kurti sepse nuk pranonte coptimin e tokave shqiptare siç e kërkonte Turqia. Pas lidhjes shqiptare të Prizrenit Baca Kurti dhe krerët tjerë të Malësisë u gjetën para dy zjarresh, para dy pushtuesëve që kishin rënë dakord për coptimin e Shqipërisë. Malësia e Baca Kurtit kurrë nuk u pushtua nga sërbo-malazezët, ngase Ai vdiqë ne vitin 1881 vetëm tri vjet pas Lidhjes së Prizrenit. Ai kishte jetuar nën sundimin turk por jo asnjëherë nën sundimin sërbo-malazez,ngase Malësia u coptua zyrtarisht në vitin 1913. Pas këtij viti famëkeq populli shqiptarë këndonte këngën: “Mallkua po kjoftë Evropa që e ndau Shqipëninë copa copa”
Një kapadahi me emërin Omer Bozhi kishte sulmuar fizikisht babain e tij Kurt Gjekën dhe për këtë i gjithë farefisi ishte shqetësuar,saqë nuk kishte zgjedhje tjetër vetëm vrasjen e Omer Bozhit. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit rënja shuplakë ose rënja me grusht një burri dënohet me vdekje,ngase Kanuni nuk lejon asnjë lloj goditje në trup që sipas këtij Kodi të vjetër shqiptar trupi është i paprekur. Për të mos e dënuar me vdekje Omer Bozhin krerët e Malësisë i kishin shkuar te dera Baca Kurtit për ta falur arëmikun më të madh të tij. E kishte pothuajse të pamundur faljen e atij që kishte shkelur nderin dhe dinjitetin e babait të tij Kurt Gjekës.
Në vendlindjen time në Triesh flitej vazhdimisht për ndërhyrjen e Hasa Nik Gjeloshit në këtë mospajtim. Flitej se një ditë prej ditësh Hasa Nika kishte vendosur që te shkonte në shtëpinë më mirë me thënë në oxhakun e Baca Kurtit për mundësinë e pajtmit me Omer Bozhin. S’ka dyshim se Hasa Nik Gjeloshi ishte shumë i nderuar në Trieshe dhe në Malësi. Hasa Nika kishte biseduar gjërësisht me Baca Kurtin për pajtimin e tij me Omer Bozhin, por e kishte shumë të vështirë të merrte këtë vendim. Gjatë bisedimeve të gjata Hasa Nika i kishte thënë në qoftë se e fal Omer Bozhin  do të jeshë shëmbull për të mirë për tanë Malësinë, sepse janë të gjitha ato gjaqe të pafalura dhe nëqoftëse Ju pajtoheni me Omer Bozhin, ata do të përdorin emërin tuaj si shëmbull për pajtime. Dëgjo o Baca Kurti i kishte thënë trimi i Trieshit, Hasa Nika. Shëmbulli juaj do të jetë ndera dhe vepra më e madhe që mund të bëni sot për Malësinë. Atëherë Baca Kurti i kishte dhënë besën se do të pajtohej  me Omer Bozhin; ‘duke i shtrirë dorën e pajtimit” do të kishte thënë profeti i Kosovës Adem Demaçi. Por më në fund Omer Bozhi  ishte dënuar sepse e kishte keqëpërdorur burrërinë  dhe nderin  e Baca Kurtit.
S’ka asnjë dyshim se Baca Kurti është një prej trimave më të përmendur të Malësisë së Madhe tash më shumë se 200 vjet  por për një arsye ose një tjetër nuk është shkruar dhe as folur aq sa duhet për këtë personalitet të madh të kombit shqiptar. Natyrisht se për politikën malazeze dhe jugosllave ky ishte emër jo shume i dashur sepse tërë jetën kishte luftuar për bashkimin kombëtar gjithëshqiptar. Kishte luftuar për Shqipërinë Etnike. Kurrë në Malësinë tonë në Mal të Zi nuk është mbajtur ndonje takim ose konferencë shkencore për veprimtarinë pariotike dhe virtytet e tij të larta njerëzore të Baca Kurtit. Këtu bëjnë pjesë edhe pasardhësit e familjes së tij të arsimuar mjaftueshëm për të thënë të vërtetën për gjyshin e tyre shumë të nderuar Baca Kurtin. Mbase ata kishin frikë se po rrënohet Jugosllavia “socialiste” ose Mali i Zi “demokratik” nëse dikush prej tyre do të kishte thënë ose shkruar një shënim  të mirë për Baca Kurtin. Ata qëndruan në heshtje edhe për tragjedinë e akadamikut ushtarak Dodë Pjetër Lekës dhe mësuesit të përmendur Prenkë Pulit. Të gjithë e dijmë se Dodë Pjetër Leka dhe Prenkë Puli ishin vrarë nga sigurimi i Jugosllavisë së Vjetër dhe Jugosllavisë së Re. Këta janë martir të kombit dhe një ditë duhet të nderohen si të tillë. Pas rënjes së diktaturës jugosllave familjarët e tyre  filluan të bëjnë  dicka më serioze për Baca Kurtin. Para disa vjetësh ishte botuar nje monografi për jeten dhe veprën e Baca Kurtit dhe sic duket këtë botim e kishin sponsorizuar familjarët e tij. Aty këtu ndonjë rapsod ka dhënë kontributin e tij, por për Baca Kurtin mund te bëhëj edhe më shumë. Edhe njerëzit e artitit dhe kulturës qoftë ata të familjes mund të benin më shumë për këtë kolos të Malësisë. Është mëkat nëse qëllimisht  harrohen ata që kanë vepruar ditë e natë për të mirën e popullit dhe kombit të vet. S’ka asnjë dyshim se një shkollë në Malësi meriton emërin e Baca Kurtit. Për Baca Kurtin mund të shkruhen vepra serioze. Vepra që po e realizon këto ditë vëllazëria dhe donatorët tjerë malësorë është tepër e rëndësishme për realizimin e aspiratave të Baca Kurtit. Permendorja që do të vendoset atje është historike dhe artistike . Fondi Baca Kurti me këtë vepër natyrisht se hapi rrugën edhe per vepra tjera qofshin ato historike ose të fushave tjera të artit dhe kulturës. Dy vjet më parë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta  e kishte nderuar Baca Kurtin me “Urdhërin shumë të merituar “Kalorës i Skënderbeut”.     

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjek Gjonlekaj

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT