• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjergj Fishta si kurban

October 16, 2016 by dgreca

1 Ilir Hashorva

NGA  ILIR HASHORVA/ Nju Jork/

Pra pak ditësh, në disa gazeta, u botua një letër e Gjergj Fishtës, e zbuluar prej Nasho Jorgaqit, të cilën Fishta ia dërgonte një miku të tij, një oficeri fashist, këtu e më se 75 vjet më parë. Mjaftoi kjo letër që Fishta menjëherë të quhej fashist dhe të anatemohej nga komunistët ashtu siç dinë ata, kur i vënë tjetrit epitetin fashist, ndonëse Fishta nuk ka qenë asnjëherë as fashist me bindje dhe as fashist i organizuar se, po të kishte qenë, do të kishte bërë, së paku, një poemë a një vjershë për Beniton a fashizmin, ashtu siç bënë poetët tanë komunistë për Enverin dhe partinë. Por jo. Fishta nuk i këndoi kurrë fashizmit. Do të kishte qenë me shumë vlerë, po të ishte bërë ndonjë studim i paanshëm për të krahasuar fashizmin italian me komunizmin shqiptar, prej nga të dilte se cila prej këtyre dy diktaturave kishte qenë më totalitare, më shtypëse dhe më e dëmshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe, rrjedhimisht, cilët do të duhej të kritikoheshin më shumë: komunistët apo fashistët.

Disa shkrime të tjera po në gazeta si dhe komente të lexuesve, krijuan atmosferën e viteve të para të pasluftës, kur Enver Hoxha u ngrit i pari për të denigruar dhe masakruar poetin e madh kombëtar Gjergj Fishtën, këtë poet që i këndoi vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe, pas Enverit, të gjithë larot, me demek shkrimtarë e poetë, pasuan me një sulm të përgjithshëm e të larmishëm kundër tij, ca nga smira, e ca nga dallkaukllëku. Enver Hoxha e denigroi dhe e masakroi Gjergj Fishtën, për hir të jugosllavëve, sepse pa denigruar dhe pa masakruar atë, pa e bërë kurban atë, nuk mund të krijonte ato marrëdhënie me Jugosllavinë e Titos të cilat mund të arrinin deri aty sa Shqipërinë t’ia bashkonte Jugosllavisë.

Pa dyshim, lind pyetja: ç’u kujtua shtypi shqiptar, që të rilindte një fushatë antifishtë pikërisht sot, kur kishte filluar një rehabilitim i ndrojtur i tij, kur kishin filluar t’i botoheshin veprat, kur kishte filluar vlerësimi i tyre, kur edhe Ismail Kadareja, dikur një nga kritikët më të mëdhenj të tij, tha se kritikën nuk ia kishte bërë për ta luftuar, por për ta mbrojtur!? Rastësisht doli letra e Nasho Jorgaqit sot kundër poetit më antisllav e më pro shqiptar, letër  për të cilën nuk thuhej as se kur dhe ku ishte zbuluar dhe as nuk jepej faksimilja e saj?

Në këtë botë ka shumë gjëra që duken si koincidenca apo rastësira. Në të vërtetë prej tyre koincidenca dhe rastësira janë fare pak dhe ato që konsiderohen rastësi, shpesh janë ligjësi. Në qoftë se do të shohim periudhën kur rilindi fushata antifishtë sot, do të vëmë re se ajo u zhvillua njëkohësisht me vizitën e kryeministrit tonë Edi Rama në Serbi si dhe me botimin aty në serbisht të librit të tij “Kurban”. Edi Ramës i duhej një atmosferë e brendshme proserbe që të bëhej më i besueshëm prej serbëve në bisedimet që do të zhvillonte me ta dhe për t’i larë borxhin atyre për botimin e kurbanit të tij. Kështu, në Shqipëri Fishta u bë kurban për herë të dytë.

A mund të ishte Edi Rama orkestruesi i asaj fushate, apo për të kanë punuar edhe qarqe të tjera okulte, apo, e thënë shqip, proserbe? Nuk mund të thuhet me siguri se cilët e orkestruan, por me siguri mund të thuhet se ajo fushatë i shërbeu Edi Ramës dhe, po qe se ishte e orkestruar prej tij, ishte si një dhuratë personale që një mbret i çon një mbreti tjetër, kur kërkon favore prej tij.
           Nju Jork, 15. 10. 2016                                                    

Filed Under: Komente Tagged With: Edi Rama, Gjergj Fishta, Ilir Harshova, si Kurban

“HYLLI I DRITËS” – “SHPATA” E GJERGJIT !

September 29, 2013 by dgreca

●1 Tetor 1913 – 2013, 100 vjet “Hylli i Dritës”

Shkruan: Fritz RADOVANI/ Melbourne, Australi/

A mund të kishte Shqipnia edhe një At Gjergj tjeter… “pa shpatë”!?

Jemi mësue tashma me e pa Gjergjin, Atin e Kombit, gjithnjë me shpatë në dorë.

Edhe mos me kenë në atë foto Gjergj Kastrioti, mendja na fluturon tek Heroi ynë i madh dhe i pavdekshem… Themeluesi i Shtetit Shqiptar!

Edhe trashigimtarët e Emnit të Tij, Shqiptarët, i mendojnë me “shpatë” në dorë!

Edhe Dedë Gjo’ Lulin në maje të Bratilës, në 1911, e kujtojnë me Shpatë…

Në vitin 1912 kur Shqipnia u pagëzue Shtet i Pavarun, Shkodra kje e rrethueme e tue u gjuejtë me topa natë e ditë… Gjithkah vetonin gjylet e topave! Rozafa mundohej me qendrue! Kur ra një gjyle mbi çatinë e Kishës së Madhe, u hap tavani e mbrenda Saj u ba gjak… E dhunuen edhe Até malazezët…Kumbonët ranë në një anë dhe trenët u thyen…edhe kumonarja mbrendë u shemb. Shkodra vazhdoi me kenë e robnueme! Fesat malazez vazhdonin sundimin e dhunen!

Me 13 Qershor 1913, pa prit’ e pa u kujtue u pa në kompanjelin e Kishës së Fretenve të Gjuhadolit, jo ma i vogel se 4 meter… që po valvitej Flamuri i Gjergj Kastriotit…E nder rrugët e Shkodres djelmnia shkodrane këndonte me tanë forcen “Porsi Fleta e Ejllit t’ Zotit…”

Prej vjetit 1479…nuk ishte pa ndonjëherë Ai Flamur tue u valvitë prej shkodranëve…

Mbi Kështjellen Rozafat ditenperdiell, me 1 Tetor 1913 u pa “Hylli i Dritës”!

At Gjergj Fishta, kishte nxjerrë “shpaten”…E vezullimi i Saj çuditi mbarë Boten…

Ishte bash Ai Burrë që në vitin 1908, në Manastir kishte nxjerrë disa “grremça” që u tha të gjithë Shqiptarëve, se me “këto shkrojla” fitohet Liria! A e pat besue kush?!

– Vetem vllaznit e vet!

E edhe sot në Dokumentin e Pavarsisë së Shqipnisë së Nandorit 1912…keni firma dhe gjeni nenshkrime të “palexueshme” e besa, edhe bula gishtash e “shkarravina”! E pa u mbushë viti shumica e Tyne që endè nuk dinin me thanë Emnin Shqiptar, se nuk po tham se nuk dinin ku bie Shqipnia, me një dëshirë të zjarrtë filluen me shue etjen e Lirisë, tue pa mbi qiellin Shqiptar tue shkelqye një “Hyll i Dritës”…i pasuesëve të Gjergj Kastriotit, që persa shekuj nen robni i ngratë Shqiptar as nuk dinte se çka domethanë fjala “Dritë”!

Nuk ishte gja e thjeshtë me të shkue mendja tek “Hylli” që do të sillte “Driten” bash aso kohe, kur një popull ishte i zhytun per shekuj me rradhë në padije e n’ errësinë anadollake…

E nuk ishte aspak ma e lehtë me mendue me i daltue e perpunue ndjesitë shpirtnore gati të shueme të një Populli, per mos me thanë të bastardhueme e të shemtueme nga barbarët turqë. Edhe pse nuk munguen katilat që u munduen me i nxjerrë shpirtin pa lé të shkretes Shqipni, qyshë vitin e parë kur ishte nder shpergaj, Shqiptarët Atdhetarë gjetën një streh ku me futë koken n’ atë rrebesh që gjindej Europa. Ishte streha e Françeskanëve Shqiptarë, në deren e së ciles ishte e shkrueme me shkronja Shqipe: “Per Atdhé e Fé – Na bajmë vdekjen si me lé !”…

Pergatitja e Tyne kulturore, Atdhetare dhe politike kje me të vertetë e pakuptueshme jo vetem nga sunduesit, po, edhe nga selitë e njohuna t’ Europës, atëherë kur edhe vetë Emni ynë Shqiptarë, ndoshta, ishte ndigjue perherë të parë prej tyne…Dhe, pikrisht, forca morale e Atyne Françeskanëve kje që i dha hov luftës me penë, per Liri dhe të Drejta Njerzore. Ishte pa dalë endè “Hylli i Dritës” kur Imzot Preng Doçi, Imzot Koleci, Imzot Lazer Mjedja, Imzot Nikoll Kaçorri, Imzot Bumçi, Imzot Prennushi, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi, At Gjeçovi, At Palë Dodaj, At Anton Harapi, At Buon Gjeçaj, At Marin Sirdani, Don Ndre Mjedja, At Marjan Prela, Don Loro Caka, Don Ndoc Nikaj etj., do të vendosin gurtë e themelit të Shtetit Shqiptar të daltuem me kulturën Europjane, me një guxim dhe perkushtim të posaçem perballë tradhëtarëve dhe anadollakëve të shitun per dy pare të ndyta në dam t’ Atdheut dhe Lirisë së Tij.

Ishin Ata Burra që i vune gjoksin luftës per Liri të Trojeve të pushtueme. Asht Vermoshi, Hoti, Gruda, Kosova, Çamëria, Manastiri, Korça e Gjinokastra dishmitarë të veprave të Tyne.

Janë pikrisht Këta Burra, që me veprat e veta titanike formuene Atë brezni të pjekun dhe heroike që bani Shqipninë! Ata e bane me shumë e shumë sakrifica po nuk e gzuene as per sëgjalli dhe as per sëvdekuni…E sot as vorre nuk kanë…Ndonse rrezet e “Hyllit të Dritës” edhe sot bijnë pingul mbi gurt’ e bardhë që sjellë Kiri nga Bjeshkët e Nêmuna, brijë Rrëmajit… Ata gurë të bardhë si Shpirti i Tyne, janë zbukurimi i Atyne Eshtnave… të tretun nen dhé!

E kurrë mos harroni se me të vertetë Këta Françeskanë të zbathun e fukara, me një litar perbel e një palë rruzare të varuna, ishin të rrethuem nga një turmë njerzish pa shkollë, por edhe deri dje sherbëtor’ i të huejtë, i cili e kishte shkallmue aq keq shpirtnisht sa kishte harrue se asht n’ Europë dhe i perket asaj. Françeskanët ishin Ata që i treguen “Hyllin” per kah do të drejtonin vetdijen kombtare dhe ndergjegjen e naltë Atdhetare, per Perparim e Dije!

Arrijtja ma e madhe e “Hyllit të Dritës” nuk kufizohet vetem me formimin dhe edukimin e Shqiptarit me parimet e Atdhetarizmit, por edhe me kalitjen e një breznije Burrash që perkrah Klerit Katolik Shqiptar nuk iu tut syni me kerkue të Drejtat Kombtare, nder tryezat Europjane.

Dishmi e kësaj vepre madhshtore të “Hyllit të Dritës” asht bashkpunimi vllaznor dhe i pakursyem me Atdhetarët: Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Mustafa Kruja, Kristo Floqi, Prof. Eqrem Çabej, Zef Harapi, Lluka Karafili, Zef Pali, Gjon Kamsi, Avni Rrustemi, Mati Logoreci, Faik Konica, Namik Ressuli, Lef Nosi, Gjush Sheldija,…etj., deri tek i paharrueshmi moshatar me Revisten, At Daniel Gjeçaj, Emna gati të “panjohun” nga historia!

Ku vune kamben Këta Burra u shikuen me synin e “pasuesit anadollak” nga të huejtë, po kur Këta shperthyen si vullkani per Liri dhe të Drejtat e Shqiptarëve, atëherë edhe Bota u pat çuditë per pergatitjen kulturore dhe politike të Tyne. Artikujt dhe materialet e tyne të botueme tek “Hylli i Dritës” janë gurt’ e çmueshem që Ata i dhuruene themelit të Shtetit Shqiptar. E per me i çimentue ata themele, shumica e Tyne nuk kursyene as gjakun dhe as jeten e vet…

Qé pra, ku asht edhe sot formula “Atdhé e Fé”!

Kjo ishte “Shpata” e  At Gjergjit që shkelqente tek “Hylli i Dritës”…

E vezullimet e Saj edhe sot, janë shkreptinë rrufeje zharitëse mbi tradhëtarët e Atdheut!

***

100 vjetë që Bota mori vesh se ka Shqipni, po edhe se ka Shqiptarë…

100 vjetë që “Shpata” e At Fishtës, “Hylli i Dritës”, shkelqen në kulturen Europjane!

100 vjetë që “Shpata” e At Gjergjit, mprehet per Shpaten e Gjergj Kastriotit …

100 vjetë që këto “Shpata” ndriçojnë si “Hylli i Dritës”…mbi Shqipninë Europjane!

100 vjetë…që Rinia Shkodrane këndoi:

“Armët e besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kemi pasë t’ Parët,

Luften né na mësoi Kastriota:

Kè, thue, frikë do t’ kenë Shqiptarët?!”

(“Hymni i Flamurit” nga At Gjergj Fishta, 1913).

Melbourne, Tetor 2013.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Fishta, Hylli i Drites

Fëmijët shqiptar instrument eksperimental për të jetësuar projektet e Beogradit

January 8, 2013 by dgreca

Kjoft mallku ai bir shqyptari, qi ket gjuhë t’perëndisë , trashëgim q’ia la i pari trashëgim s’ia len ai f’misë.(At Gjergj Fishta)/

 SHKRUAN: Teuta Kamberi-Llalla/

 Prej shumë vitesh shqiptarët në trojet etnike në ish-Jugosllavisë ishin kthyer në mjete eksperimentesh nga pushteti sllavo-serb-maqedonas. Ku u eksperimentua me ndjenjat shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve, por populli ynë rezistoj duke sakrifikuar tej masë sesa të poshtërohej dhe të asimilohej.

Pas viteve 1990, me ardhjen e pluralizmit u mendua se projektet-eksperimentale u ndaluan dhe nuk do të zbatoheshin më. Por viteve të fundin dikush i shpalosi këto projekte duke i nxjerrë nga arkiva e shtetit sllavo-maqedonas për ti praktikuar përsëri mbi popullatën shqiptare, konkretisht mbi elektoratin që e votojë.

Më 29 Dhjetor 2012 u tha se libri ,,Shoqëria,, për klasën e pestë do të tërhiqet nga qarkullimi, por qeveria nuk lajmërojë që kur do të tërhiqen edhe librat ku ofendohet kombi shqiptar. Por përse qeveria nxitoj të tërheqë librin ,,Shoqëria,, dhe jo edhe librat e tjerë? Sipas informacioneve në media ky libër u tërhoq pasi u vërejt se në këtë tekst shkollor nuk janë përfshirë të dhëna për Kuvendin, Qeverinë dhe Bashkimin Evropian. Pra, librat ku preken interesat e shtetit dhe BE tërhiqen nga qarkulli, ndërsa ato ku ofendohen shqiptarët dhe etnitë e tjera vazhdojnë të qarkullojnë nëpër shkollat tona. Për fat të keq ende vazhdon odisea e zhdukjes së termit Abetare për fëmijët shqiptar, mungesa e librit të Shenjtë të gjuhës shqipe dhe askush nga deputetët dhe partitë tona nuk ka reaguar, por kanë heshtur sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Me vetë dhënien e librave falas nga ana e shtetit të Maqedonisë doli qartë se shteti kishte për qëllim të edukojë nxënësit me tekste ku injorohet kombi dhe gjuha shqipe. Këto janë projekte të vjetra, të njohura për shqiptarët, të cilat kur ekzistonte ish-Jugosllavia nuk gjetën terren që të zbatoheshin sepse intelektualët, studentët, por edhe klasa vasale politike shqiptare i bojkotuan. Ndërsa sot në Maqedoni ne po i pranojmë me qetësi duke mos i kundërshtuar këto tekste të shëmtuara, pra mungon zëri i kundërshtimit nga ana e ministrave, deputetëve shqiptar, intelektualët në përgjithësi janë strukur në guackën e interesave personale, ndërsa shoqëria civile është e izoluar, diku me anë të joshjes në të holla, por edhe të proceseve të montuara gjyqësore. Gabimet e ashtuquajtura teknike në librat shkollor nuk janë të rastësishme, por qëllimdashëse duke na asocuar në ndarjen e filozofisë së mendimit kombëtar. Fëmija im që mëson në shkollat në Maqedoni do të edukohet ndryshe nga një fëmijë shqiptar që mëson në shkollat shqipe në Mal të Zi, Preshevë, Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë.

Në kohën e sotme kur të gjithë shqiptarët nga kryeministrat Sali Berisha, Hashim Thaçi, analistë, politikanë etj., po flasin për bashkimin kombëtar me rrugë të ndryshme, kulturore dhe sportive, sllavo-maqedonasit e nxorën me strategji projektin e teksteve shkollore ku shqiptarët paraqiten njerëz mali dhe heqjen nga qarkullimi të ABETARES. Pra në formë diplomatike të pandishme për opinionin, sllavët i lanë armët, filluan përçarjen për ti shkëputur nga trungu vogëlushët shqiptar të Maqedonisë. Ka më se 6 vite që është zhdukur termi ABETARE, nuk ka zyrtarisht libër ABETARE, ministria e arsimit e ka zëvendësuar me termin libri i Gjuhës shqipe. Me librin e gjuhës shqipe nxënësit do të punojnë deri në vitin e katërt në shkollë të mesme. Dhe jo rastësisht ministria e arsimit në Maqedoni e ka zhdukur termin Abetare, sepse për Abetaren është bërë gjithë ajo luftë, është derdhur shumë gjak, është libri i Shenjtë i gjuhës shqipe. Libri i Abetares ka një histori të veçantë. Qeveria sllave arriti të preki në një vend delikat, duke e zhdukur një pjesë të rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe, kjo nuk është pa qëllim, por habiten se si kanë pranuar shqiptarët që punojnë në byronë e arsimit të cilët kanë firmosur zhdukjen e termit Abetare.

Prandaj ne si Lëvizje me qendër në SHBA, Programi Unik Shqiptar dhe me degët e saj në Maqedoni dhe Itali u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të na përkrahin për tu siguruar nxënësve të klasave fillore librin e dashur, Abetaren e gjuhës shqipe falas deri sa përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Maqedonisë dhe në qeveri të bëjnë përpjekje që emri ABETARE të zyrtarizohet. Nuk është e drejtë që libri i Abetares të zhduket, të zëvendësohet me një emër tjetër vetëm për fëmijët shqiptar në Maqedoni. Shqiptarët vërtetë janë të ndarë territorialisht në disa shtete, por ne jemi të gjithë vëllezër të një gjaku dhe gjuhe, prandaj nuk duhet të tolerojmë që në foshnjore të na ndajnë dhe të mësuarin e gjuhës amtare.

 

Eksperimenti me mësimin e gjuhës sllavo-maqedonase

 

Paraqitja e projektit eksperimental nga qeveria sllavo-maqedonase me vasalët shqiptar 2008-2011, që vogëlushët shqiptar me detyrim të mësojnë në moshën gjashtë vjeçare gjuhën sllave-maqedonase e ka fillin e projektit në Beograd. Bartësi i këtij projekti antishqiptar ishte një njeri i quajtur Sasho nga Dellçeva. I cili para se të zbatohej projekti eksperimental në fshatin Shemshovë, dërgoj 5 ditë në ekskursion prindërit shqiptar të cilët kishin vendosur që fëmijët e tyre të bëheshin mjet eksperimenti duke i dërguar këta vogëlushë për të mësuar në një shkollë sllavo-maqedonase në një fshat që banohet nga sllavo-maqedonasit dhe jo në shkollën shqipe të Shemshovës. Projekti eksperimental filloj të zbatohet në shtator të vitit 2009 me një klasë të përzier që përbëhej nga rreth 26 nxënës të cilët 16 i përkisnin etnisë shqiptare dhe të tjerët etnisë sllavo-maqedonase. Një pjesë e madhe e prindërve të këtyre fëmijëve shqiptar u punësuan në institucionet shtetërore, në veçantë në polici pasi bënë kurban fëmijët e tyre për tu asimiluar që në foshnjore.

Projektet eksperimentale me klasa të përziera vazhduan duke hapur klasa të shkollave të mesme afër fshatit Shemshovë ku shqiptarët të nënshtruar tashme të mësojnë me sllavo-maqedonasit. Atë që nuk u realizua në fund të viteve 1980, sllavët e realizuan me triumf pas vitit 2008. Për fat të keq shumë shqiptar u kthyen në laborator eksperimentesh të ndjenjave kombëtare, gjuhësore dhe vlerave njerëzore të tyre. Neve si qytetar të Republikës Multietnike të Maqedonisë nuk na “pengon” mësimi i gjuhës që përdoret dhunshëm në administratën shtetërore, por në fillim duhet të mësojmë dhe të dashurojmë gjuhën tonë amtare shqipe. Sepse pa mësimin e gjuhës sonë amtare, do mbetemi të egër e në errësirë. Do të jemi si ai njeriu në male që ka veshë, por nuk dëgjon, ka sy por nuk shikon, ka mend e gjë nuk dinë.

Është derdhur shumë gjak, janë therur shumë shqiptar, janë helmuar shumë mësues të shkollës shqipe. Pra këto që kemi arritur janë fituar me sakrifica të mëdha ndër shekuj dhe sot dikush për të ruajtur karrigen e tij politike dhe për shijuar erën dhe çorbën qeveritare sakrifikon fëmijët, një brez të tërë vogëlushësh shqiptar për të arritur qëllimet e tij personale në dëm të çdo gjëje shqiptare, të gjuhës, kulturës dhe traditave të bukura që janë trashëguar nga gjyshi tek nipi.

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergj Fishta, gjuha shqipe, Teuta Llalla

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT