• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Origjina hasiane (kosovare) e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

May 6, 2017 by dgreca

1 SkenderbeuHistoriani Drançolli: Origjina hasiane (kosovare) e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut/

Historiani i njohur Jahja Drançolli ka postuar një artikull të gjatë sot në rastin e ditës së lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Ka thënë se në shtypin ditor të sotëm në gjuhën shqipe me të drejtë shënohet 6 maji, ditëlindja e Heroit, por për çudi në çdo artikull përsëritet në trajtë shablloni origjina dibrane e tij, çështje kjo që, sipas tij, nuk mund t’i bëjë ballë kritikës shkencore.

“Në të vërtetë zulma e Heroit ka qenë e fuqishme në shekullin e XV jo vetëm në Arbëri, por edhe në gjithë Europën. Së këtejmi, janë të njohura edhe luhatjet e historiografisë tonë për ta caktuar vendlindjen, si dhe përpjekjet e vendeve fqinjë për ta përvetësuar Skënderbeun”, ka thënë Drançolli.

Më poshtë është i plotë artikulli që grumbullon argumentet e historianit Drançolli:

Sipas burimeve më të verifikuara, familje bujare e princërore e origjinës arbërore e dokumentuar për herë të parë në vitin 1368. Në mungesë të burimeve relevante zyrtare, edhe sot diskutohet për vendlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nga një pasazh i librit të Jak Lukari, “Analet e Raguzës” (1605), dëshmohet origjina hasiane e Haroit: “Gjon Kastrioti zotërues i Krujës, të cilit familja i rrjedh nga fshati Kastrat nën jurisdkisionin e Hasit të Arbërisë, jo fortë larg nga lumi Dri”. Kjo dëshmi për origjinën hasiane të familjës Kastrioti provohet tërësisht edhe nga Frang Bardhi në veprën e tij kushtuar Skënderbeut (1636), si dhe në një manuskript shek. XVI thuhet se, “[…] Kastriotët ishin nga provinca HAS-i në Epir” (“[…] Castrioti in provincia Az in Epiro”). Në favor të kësaj shkon edhe njoftimi se emri i tyre vjetër ka dalë nga fshati Mazrek i Hasit, ku përveç këtij fshati në këtë regjion zotëronin edhe fshatra të tjera, si Kostur dhe Ujmishte (Vumestje). Sipas kryeveprës së Marin Barlecit, kushtuar jetës dhe veprave të Skënderbeut, origjinën e Kastriotëve duhet kërkuar në regjionin e Matit (“krerët re fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati”). Janë ruajtur edhe burime të tjera që e kundërshtojnë tezën e prejardhjes Hasianë të Kastriotëve. Ndonjë historian, duke u mbështetur në burime dytësore, origjinën e Kastriotëve e kërkon në DIBËR, KANINË ose në MIRDITË.

Burimet historike hedhin dritë se, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-1468), është shquar për burrështeti të Arbërisë, strateg ushtarak, si dhe Hero Kombëtar e Ndërkombëtar. Për veprën dhe jetën e tij edhe sot ruhen mijëra dokument zyrtare, vëllime historike e letrare-artistike të shkruara në më se 20 gjuhë; u realizuan gjithashtu edhe vepra nga artet figurative, muzika, teatri, filmi, etj. Të pakta janë figurat mesjetare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjërë e jetëgjërë në letërsinë botërore, siç ka gjetur Skënderbeu. Pothuaj i tërë opusi historiko-letrar dhe artistik kushtuar atij, ushqehet para se gjithash nga veprat e humanistëve arbërorë. Së pari nga Novobërdasi Martin Segoni (1480), dhe më pastaj nga Barleci, Beçikemi, Frëngu, Bardhi, e ndonjë tjetër. Në këtë frymë, që nga fillimet e shek. XVI e deri në ditët e sotme kanë shkruar shumë historianë, italianë, gjermanë, anglezë, frëngë, sllavë, etj. Ndërsa, iluministi madh frëng, Voltaire (1694-1778), në veprën e tij filozofike-historiko, “Sprovë për doket dhe shpirtin e kombeve” (1756), shkruante: “Sikur perandorët bizantinë të ishin si Skënderbeu, Perandoria e Bizantit, do të kishte qëndruar në këmb”. Po ashtu, janë realizuar qindëra vepra nga artet, si, portreti i Heroit nga Gentile Bellini (1466); nga muzika, libreta e operës me titull, “Scanderbeg” të kompozitorit, Antonio Vivaldi (1718); nga poezia, poeti Henry Longfellow (SHBA, 1807-1882), ia kushton 173 vargje në, “Përrallat e bujtinës anës rrugës” (“Tales of an Innside Inn”, 1863), etj.

Vitet e para të fëmijërisë së Skënderbeut shoqëroheshin me lulëzimit e principatës së Kastriotëve. Mirëpo, pas rënies së Krujës nën osmanët (1415), ai qe detyruar të shkonte peng në oborrin e sulltanit. Çështja se kur u mor peng Skënderbeu, në historiografi përgjithësishtë ka disa pasaktësi; 9 vjeçar ose 18 vjeçar; dorëzimi ka mundur të ndodhë në vitin 1415 ose 1423. Atje, Gjergji ishte konvertuar në musliman dhe mori emrin Skënder (nga Aleksandër), si dhe u edukua në shkollën e iç-ogllanëve. Në kushte të reja, ai qe i detyruar të merrte pjesë në fushata ushtarake kundër të krishterëve, për ç’arsye babai tij ishte detyruar të kërkonte falje nga Senatit i Venedikut (1428). Për veprat e tij ushtarake, ai qe nderuar me titullin bej, dhe kështu emri Skënderbej (Scanderbeg), do të bëhej i njohur në gjithë botën.

Në vitin 1438, pasi që kishte fituar besimin e Muratit II (1421-1451), Skënderbeu qe emëruar për komandant ushtarak i kështjellës së Krujës, si dhe kishte vendosur kontakte me Venedikun (1438) dhe Raguzën (1439); Raguza më 1439 e kishte shpallur Skënderbeun për qytetar nderi, ndërsa një vit më parë këtë e kishte bërë edhe Venediku. Në një dokument osman nga vitet 1438-1443 ruhet ky njoftim: “Iskënderi [i biri Gjonit] kishte hyrë në [kuadrot] e timareve, duke dalë nga Porta e lartë”. Brenda viteve në fjalë e ndeshim për sanxhakbej në Dibër (1440). Pas Betejës së Nishit (nëntor 1443), kur trupat osmane kishin pësuar me rastin e një ofensive hungareze të Janosh Huniadit, Skënderbeu, dhe nipi i tij Hamza, si dhe 300 kalorës kishin braktisur forcat osmane, për tu drejtuar në Krujë, dhe atje më 28 nëntor 1443 u ngritë përsëri flamuri i Kastriotëve, që më pastaj do të ruante simbolikën historike në luftëra të popullit shqiptar për liri: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahnor, në ballë, në shpatë, në ushtat!”. Për të konsoliduar pushtetin e tij, Skënderbeu kishte formuar aleanca përmes martesës me pjesëtarët familjeve kryesore. Ai, u martua me Donikën, bijën e Gjergj Arianitit, ndërsa motra tij, Mamica, ndërkaq u martua me Karl Muzak Topinë, etj.

Ishte meritë e Skënderbeut, që mori përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbërorë në Lezhë më 2 mars 1444 (njoftimin për datën e ndeshim te, G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut). Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve; në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po nga kjo qendër, është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të Kosovës. Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore. Sipas Barlecit, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë. Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, kryezotërinjtë pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Barleci theksonte se Kuvendi, “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”. Gjithashtu, u vendos për formimin e një ushtrie të përbashkët (federale); sipas traditave të lashta qe themeluar Besëlidhja, që është konsideruar si një lloj federate me një kryetarë të vetëm, që ishte Skënderbeu i quajtur, “Primus inter pares” (“i pari ndër të barabartit”). Krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme. Në skënën europiane Skënderbeu kishte hyrë kur ajo ishte e përçarë, sikurse edhe Arbëria. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, kryesisht nga radhët e klerit katolik, siç ishte arqipeshkvi, Pal Engjëlli, abati Lazar, abati Gjergj Pelini i Novobërdës, e ndonjë tjetër. Rol kyç në diplomacinë skënderbejane kanë luajtur vëllezërit Gazulli (Gjini e Pali), të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë, që gjatë viteve 1443-1444, si dhe 1448-1456, Skënderbeu e kishte bërë shok Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë, si dhe në Beograd.

Rezultatet e para do të shprehen me rekrutimin e luftëtarëve; Skënderbeu ishte i zoti t’u vinte për ballë fuqive të sulltanit me një ushtri prej 15000-20000 vetash. Me këtë ushtri, vetëm në vitet 1444-1446 Skënderbeu i përmbysi 13 sulme osmane (Beteja e Torviollit, 1444). Gjatë viteve 1446-1448, 1450-1457, 1462-1465, u arritën suksese, në Dibër, Pollog, fushën e Domosdove, Fushë Kosovë, grykat e luginat e Drinit e Shkumbinit, Livadhi të Ohrit (1462), fusha e Vajkalit (1465), etj. Ka mbetur e pashlyeshme në dokumente relevante të kohës, disfata e Muratit II, të cilin e shoqëruan rreth 100.000 ushtarë, për t’i rrethuar fortifikatat e Dibrës, Sfetigradit (1448) dhe të Krujës (1450), por pasi që rrethimet nuk rezultuan me sukses, sulltani u detyrua të tërhiqej. Nga vargu i gjatë i fitoreve duhet veçuar, sidomos atë në Ujëbardhë (1457), ku sulltani për ta mundur Skënderbeun i kishte dërguar 20.000 kalorës. Përveç dhjetëra dokumenteve zyrtare për këtë ngjarje, është i njohur edhe vlerësimi i kalorësit anglez, John Newport, një pjesëmarrës vullnetar i betejës. Gjatë qëndrimit të tij në Romë (1458), ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella arbërore, pushtimi i Europës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bejë këtë rezistencë”.

Rezistenca e madhe në Krujë (1450), si dhe fitorët e mëparshe (1443-1450), mundësuan Arbërinë të rifillonte procesin historik, krijimin e shtetit të njësuar të Arbërit, që ishte ndërprerë nga pushtimet osmane. Pas Krujës, më 1451, Skënderbeu, zuri të quhet zyrtarisht “zot i Arbërisë” (“dominus Albaniae”). Në ndërkohë, marrëdhëniet e Skënderbeut me Venedikun ishin përkeqësuar për shkak të aspiratave venedikase ndaj krahinës së Dejës. Konflikti mes tyre është zgjedhur më një traktat paqeje (1448).

Në luftërat e tij, Skënderbeu kishte pasur mbështetjen e Shtetit të Papës, Republikës së Venedikut e të Raguzës, Mbretërisë së Napolit, si dhe të Mbretërisë së Hungarisë. Mbështetje, më të madhe e gjente te mbreti aragonez, Alfonsi V i Napolit, i cili sipas Traktatit të Gaetës (1451), Skënderbeun do ta kthente për vasal në ato toka, që do të çliroheshin me forca të përbashkëta. Pavarësisht nga kjo, osmanët arritën të ngadhnjejnë në Berat (1455), për ta detyruar më pastaj që Skënderbeu të transferohet në Napoli me 2.500 trupa për të përbushur detyrimin e tij sipas Traktatit. Ferdinand I (1458-1494), pasuesi i Alfonsit V (1458), kërkonte ndihmë për të mposhtur rivalin e tij, Dukën Anzhu, që aspironte ta sundonte Napolin. Në Barletta dhe Trani, ai arriti të mposhtë rivalin kryesor të Ferdinantit, Gian Antonio Orsini, princin e Tarantos. Pas fushatës, një pjesë e ushtrisë së Skënderbeut mbeti në Itali për ta themeluar koloninë e parë arbreshe në Kalabri. Më 1462, Skënderbeu u kthye në Arbëri. Në ndërkohë janë bërë përpjekje që të funksionalizohën luftërat e Skënderbeut edhe në planin europian. Së pari, në konferencën në Mantova (1458), si dhe më pastaj (1464), nga Papa Pius II.

Pas mbrojtjes heroike të Krujës gjatë rrethimeve II dhe III (1466/7), ku sulltani kishte angazhuar më se 150.000 ushtarë, Mehmeti II iu kishte drejtuar viseve tjera të lira arbërore për qëllime të shkatërrimit sistematik të vendit. Këtej, nuk u kursye askush. Për ta përballuar gjendjen, Skënderbeu u kishte kërkuar ndihmë shteve mike. Në Romë, popullata e të gjitha shtresave kishte vërshuar qytetin për ta parë Heroin e lavdishëm. Ndërsa, sipas një akti të Senatit të Republikës së Venedikut (1467), bëhet e njohur: “Nëse pushtohet bregdeti i Arbërisë, Ruajna o Zot!, armikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hidhet kur të dojë në Itali”. Skënderbeu, vdiq në Lezhë më 17 janar 1468.

Fëmijtë e Skënderbeut ishin Gjoni II (1454 – pas 1502) dhe Vojsava. Gjoni II, pas vdekjës së Skënderbeut (1468), qytetin e Krujës, iu kishte dhënë venedikasëve, dhe së bashku me nënën, Donika Kastrioti, bijë e Gjergj Arianit Komnenit (e martuar më Skënderbeun, 1451), ishin vendosur në feudet e Kastriotëve në Gargano të mbretërisë së Napolit (1474). Kishte tre fëmijë: Kostantini, Ferrante dhe Gjergji II Kastrioti i quajtur, Skënderbeu i Ri (1476-?), i cili doli në skenën historike gjatë kryengritjejës së vitit 1499, që kishte rezultuar me sukses. Pasardhësit e Gjonit II Kastrioti u shuan në brezin e dytë. E fundit, që i përkiste kësaj dinastie me siguri ishte princesha e Shën Pjetrit, Irena, bija e princ Ferrantit, e martuar me Pietrantonio Sanseverino (1539), princ nga Bisignano.(Kortezi:Koha)

Filed Under: Histori Tagged With: Decolli, Gjergj Kastrioti, Origin Hasiane, Skenderbeu

Gjergj Kastrioti Skenderbeu i lavdise se perjetshme

January 17, 2017 by dgreca

1 SkenderbeuReflektim ne pervjetorin e vdekjes se Heroit tone Kombetar, Gjergj Kastriot – Skenderbeut (1405 – 17 janar, 1468)/

Nga Sadik Elshani*/1-Sadik-ElshaniMe 17 janar te vitit te larget 1468, Skenderbeu, Heroi yne Kombetar i mbylli syte pergjithmone per te kaluar ne boten e lavdise se perjetshme. Historia e nje vendi, kombi eshte jeteshkrimi, bemat e njerezve te tij te medhenj. Skenderbeu me bemat e tij e shkroi kapitullin me te ndritur, me te lavdishem te historise sone kombetare. U hapi shqiptareve dyert e historise boterore, i futi ne faqet me te lavdishme te saj. Nga largesia shumeshekullore, ne ate erresire shumeshekullore, Skenderbeu perhere i ndricoi rrugen popullit tone. Ishte dhe gjithmone mbeti ylli yne polar qe na orientonte, na drejtonte, na tregonte rrugen e drejte. U be flamur, burim frymezimi per te gjitha brezat e shqiptareve, misherim, personifikim i vlerave tona te larta kombetare e njerezore: trimerise, burrerise, nderit, beses. Skenderbeu simbolizon bashkimin kombetar, synimet e popullit tone per liri e pavaresi. Hapi i pare i rendesishem qe Skenderbeu ndermori pasi y kthye ne Kruje me 28 nentor te vitit 1443, ishte perpjekja e tijper t’i bere se bashku te gjithe princat shqiptare ne Kuvendin e Lezhes me 2 mars te vitit1444, i njohur ne histori si Beselidhja e Lezhes. Ai si nje strateg ushtarak i pashoq, nga me te medhenjte qe ka njohur historia e njerezimit, e dinte mire se bashkimi ben fuqine. Tani jane bere legjendare shtate thuprat e Skenderbeut. Pastaj lidhi aleanca me shume vendet tjera, fuqi te asaj kohe.

Per 25 vite Skenderbeu i beri balle the e shpartalloi ushtrine turke qe ishte shume here me e madhe dhe me e pajisur se ushtria e Skenderbeut. Por Skenderbeu me shkathtesite luftarake perdorte taktika, bente  manovrime qe i fuste ushtaret turq ne kurthe per t’i shpartalluar me lehte. Qendresa e Skenderbeut ne Shqiperi ia ndali hovin pushtues ushtrise otomane dhe ne njefare menyre e shpetoi qyteterimin europian.

Poetet dhe shkrimtaret e Periudhes se Rilindjes sone Kombetare e ngriten lart figuren e Skenderbeut per t’ia ngjalle ndjenjat atdhetare shqiptareve, per t’iu dhene zemer per ta ringjallur kohen e lavdishme te Skenderbeut, per t’u treguar shqiptareve se edhe pse jemi popull i vogel, mund ta clirojme dhe ta mbrojme vendin tone. Dikur kete e ka bere Skendrbeu. Edhe nga varri Skenderbeu u printe shqiptareve: “Nje ze i larte qe dolli nga varri i Skenderbeut/Kerkoni ju shqiptare lirine e Memedheut”.

Dita e kthimit te Skenderbeut ne Kruje me 28 nentor te vitit 1443 u be nje dite qe e pershkoi tere historine tone, dite qe perkon edhe me shpalljen e pavaresise se Shqiperise, pikerisht me 28 nentor te vitit 1912. Edhe zgjimi, ringjallja atdhetare e shqiptareve te Kosoves lidhet me emrin e Skenderbeut. Ishte pikerisht manifestimi madheshtor i shenimit te 500 vjetorit te vdekjes se Skendrbeut ne Kosove qe i dha hov levizjes per liri e pavaresi. Keto ngjarje po ndodhnin vetem dy vite pas renjes se Rankoviqit, ministrit famekeq te Puneve te Brendshme te Jugosllavise. Ate vit mori hov edhe botimi i nje vargu te veprave letrare e historike, nder te tjera: “Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit, “Historia e Skenderbeut” e Nolit, “Bashkeluftetaret e Skenderbeut” e Ali Hashorves. Keto libra dhe shume te tjera ngjallnin ndjenjat, krenarine kombetare qe kulmuan me demonstratat e studenteve ne Prishtine ne nentor te viti 1968. Dhe 40 vite me vone, me 17 shkurt te vitit 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur.

Nuk ka shembull ne historine e kombeve tjera (me ndonje perjashtim te rralle) qe nje figure si Skenderbeu qe ka gati 550 e vite qe nuk eshte ne kete bote e te jete mjaft i pranishem edhe sot ne jeten tone te perditshme. Skenderbeu me teper se nje emer, nje njeri, eshte nje vizion, eshte nje epoke. Skenderbeu nuk simbolizon vetem forcen e muskujve, por edhe mencurine, zgjaresine, urtesine, intelektin. Ishte nje figure interesante qe ka gezuar adhurimin e figuarave te njohura jo vetem te kohes se tij, por edhe koherave te mevonshme dhe vazhdon edhe ne ditet tona. Shkrimtare e filozofe i kushtuan vepra, poetet i thuren vjersha e poema, piktoret ia pikturonin portretin, kompozitoret I thuren vepra muzikore, opera (Vivaldi)

Ne Kohen e Skendrbeut ishte Europa ajo qe i kishte drejtuar syte kah Shqiperia, shpresat per mbriojtjen e saj i kishte mbeshtetur te Skenderbeu. Shqiperia e kohes se Skenderbeut i ofronte Europes vlera te larta morale, qendrese, mbrojtje. Edhe sot Shqiperia duhet te shkoje ne Europe duke i ofruar asja vlerat tona kombetare e njerezore dhe jo duke iu lutur, duke iu perkulur asaj. Kjo eshte ajo porosia e madhe e Periudhes se Lavdishme te Skenderbeut qe vjen ne ditet tona. Kur shqiptaret e ndjekin shembullin, rrugen e Skenderbeut, atehere jane ne rruge te drejte, rruge te mbare. Skenderbeu na ka treguar se edhe nje vend sado i vogel qofte, kur udhehiuqet nga nje udheheqes kembengules, largepames me dinjitet e karakter te forte, atehere edhe ai vend mund te behet nje vend i rendesishem qe gezon autoritet ne arenen nderkombetare.

Kur e shoh gjithe kete anarki, plogeshti qe i ka kapluar dy shtetet shqiptare, udheheqesit e pavendosur e te korruptuar, me vjen te bertas deri ne kup te qiellit: Zgjohu, o Gjergji yne! Ku je, o Skenderbe?

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filadelfia, 16 janar, 2017

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gjergj Kastrioti, i lavdise se perjetshme, Sadik Elshani, Skenderbeu

Letërkëmbim i vitit 1461 mes Sulltan Mehmetit dhe Gjergj Kastriotit

August 14, 2016 by dgreca

1 Scanderbeg

Nga Aurenc Bebja, Francë /*

Në librin e autorit francez, Camille Paganel, me titullin « Histoire de Scanderbeg ou Turks et Chrétiens au XV siècle », të vitit 1855, gjejmë një letërkëmbim diplomatik ndërmjet sulltan Mehmetit dhe heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.

Sulltani, në pamundësi të mposhtë « vëllain » e tij, ashtu siç i thur lajka në letër, i propozon disa kushte në këmbim të paqes.

Gjergj Kastrioti, me zgjuarsi dhe kurajo, duke mos dyshuar aspak në dinakërinë e Mehmetit, i kthen atij përgjigjen e merituar, madje duke e trajtuar atë si princ dhe jo si sulltan dhe emir.

Letrat, të përkthyera më poshtë në gjuhën shqipe, gjenden në faqet 302 – 305 të librit, i shkruajtur në gjuhën frënge.

Letra e Sulltan Mehmetit, 6 maj 1461 :

« Unë, Sovrani i madh, Emiri i madh, Sulltan Mehmet Beu, i biri i Sovranit dhe Emirit të madh, Sulltan Murat Beu-t, për Skënderbeun, princin e Shqiptarëve dhe të Epiriotëve, përshëndetje.

I shtrenjtë Skënderbe, nuk njoh miqësi më të përzemërt se sa ajo e intimitetit (familjaritetit) të gjatë ; sidomos kur ajo lind që në rini, si në rastin tonë, atëherë kur ti mbaheshe peng tek babai im, dhe kur të dy jetonim bashkë vëllazërisht.

Kështu, kur mendoj për gëzimet e ëmbla të fëmijërisë sonë, kur kujtoj shkelqësinë e shërbimeve tuaja, gjithçka që ti ke bërë për lavdinë e Pallatit Osman, për madhështinë e Perandorisë sonë, të të pres dhe të dëshmoj këtë mirënjohje më duket një detyrë e domosdoshme.

Asgjë nuk mund të më sjellë më shumë kënaqësi, marr Zotin për dëshmitar, se sa të ritakoj më në fund, për të kaluar ca kohë në praninë tënde.

Nëse disa prej trupave të mia i kanë lejuar vetes të pushtojnë tokat tuaja duke shkaktuar përleshje, i abdikoj ato ; ato kanë vepruar pa urdhërin tim, dhe fitoret tuaja, ndëshkim i drejtë ndaj guximit të tyre, nuk më kanë inatosur.

Le ti harrojmë këto dhe të kthehemi në marrëdhëniet tona të vjetra, ku një bashkim i shenjtë dhe paqësor na pajton përgjithmonë.

Pra, ja se cilat mund të jenë bazat e aleancës sonë, po ti paraqes, duke e ditur fare mirë se nuk i përket aspak atij që kërkon paqen të vendosë kushtet.

Së pari, unë kërkoj lejekalim në tokat tuaja për trupat e mia, që të shkojnë për të luftuar venedikasit ; së dyti, që ti të më japësh si peng, Gjonin, djalin tënd, i cili do të trajtohet si djali im ; së treti dhe së fundmi, që popujt tanë të tregtojnë lirisht mes tyre.

Në qoftë se ti pranon, eja të më takosh në sigurinë më të plotë : pritja do të jetë dinjitoze e rangut tuaj. Po, mbi besën dhe fjalën e sovranit, do të mbaj besnikërisht me ty një paqe të pacënueshme ; tashmë vendi yt nuk do të shqetësohet as nga armët e mia as nga dikush tjetër.

Për më shumë, në qoftë se ke pyetje apo dyshime për të sqaruar, mund ti drejtohesh me besimin më të plotë, Mustafait, të dërguarit tim.

Letër e shkruar në qytetin tonë perandorak të Konstandinopojës, më 6 maj të vitit 1461, vit sipas lindjes së Jezu Krishtit. »

Letra e Gjergj Kastriotit, 1 Qershor 1461 :

« Gjerjg Kastrioti, i thirrur Skënderbe, princ i Epiriotëve dhe i Shqiptarëve, ushtar i Jezu Krishtit, për Mehmetin, sovranin e Turqve, përshëndetje.

Princ i dalluar, ne e kemi marrë letrën ku dallohen përshtypjet e miqësisë tënde. Të ndarë prej shumë kohësh nga njëri – tjetri, kjo miqësi reciproke, e thënë nga ti, ishte si e përgjumur, dhe ti dëshiron ta zgjosh atë nëpërmjet një aleance intime (të ngushtë).

E pranoj propozimin tënd me kënaqësi, por jo të gjitha kushtet.

Kështu, aleat dhe mik i venedikasve, nuk mundem, pa shkelur mbi betimin dhe dinjitetin tim, të të jap lejekalim për t’i sulmuar.

Përsa i përket dhënies peng të djalit tim, për ta pasur atë si nyje të një lidhje të re mes nesh, zemra e një babai dhe një nëne nuk mund të përballojë një sakrificë të tillë. Është fëmija i vetëm që Zoti na ka dhuruar, dhe është akoma i mitur ! Përveç kësaj, do t’i shkaktohej një dëm i pariparueshëm nëse nuk rritet me zakonet dhe fenë e vendit të tij.

Tani, mbetet çështja në lidhje me tregtinë e lirë mes dy vendeve ; këtë, i gjithë Këshilli im dhe unë, ne e mbështesim plotësisht, sepse të dy kombet gjejnë një përfitim të barabartë.

Ti më fton për vizitë, me besimin më të plotë, për të përforcuar mes palëve një miqësi prej kohësh në vuajtje : falenderime princ i shkëlqyer për mirësinë tënde. Fatkeqësisht për mua, ky udhëtim në Konstandinopojë, i cili më sjell ndër mend shumë kujtime, nuk është i mundur nga që përkujdesem për qeverinë time ; sepse po të vij, nuk mund të drejtoj si duhet këtë komb krenar shqiptar po aq të zjarrtë dhe të pathyeshëm, sa dhe të padurueshëm për pushim (paqe).

Por këtë vizitë e shtyjmë për një herë tjetër, do të mundohem kur të jetë e mundur.

Nga ana jonë, 1 qershor 1461. »

*Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/ Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

 

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Gjergj Kastrioti, i vitit 1961, Leterkembim, Sulltan Mehmeti

AKOMA I TREMBEN DHE E URREJNË GJERGJ KASTRIOTIN SKENDERBEUN!

July 16, 2016 by dgreca

NGA  KRISTO  ZHARKALLIU/ATHINE/

Para disa vitesh një intelektual grek deklaroi (dhe shkrojti)se Aleksandri i Madh nuk ishte  veçse një kriminel,  vrasës i popujve. Ai paraqiti në shkrimin e tij argumenta që në një rast tjetër edhe mund të diskutoheshin ose të krijonin  një  terren për t’u paraqitur kundërshtarët me tezat e tyre dhe ata që do ta përkrahnin të justifikonin mendimin e “intelektualit” anti aleksandër. Për çudi nuk ndodhi as u bë ndonjë debat në këtë drejtim: thjesht të gjithë u ngritën kundër mohuesit dhe akuzuesit të ish udhëheqësit maqedon duke e shpallur “tradhëtar” i kombit Helen. Askush  nuk i doli në mbrojtje, asnjë gazetë nuk pranoi të botonte më shkrime të tij-akoma dhe nga ato që nuk kishin lidhje me çështjen në fjalë- dhe ky “intelektual” që kishte krahasuar Lekën me Bonapartin dhe Hitlerin u zhduk nga faqia e dheut- nuk i u dëgjua më kurrë emri si studjues ose historian. Është më se e sigurtë se askush nuk ka guxuar as do të guxojë kurrë të “shajë” heronjtë e Greqisë-jo këta që lidhen drejt përdrejtë me ekzistencën e sotëm të Greqisë, por as të lashtësisë. Nuk mund të imagjinohet që një i huaj të guxojë të ofendojë figurat dhe ngjarjet e shënuara që ky popull i ka besuar si të shënjta. Akoma dhe ato që janë të sajuara dhe shtrrëmbëruar në mënyrë trrashanike.  P.sh. “shkolla e fshehtë” që gjoja bënin murgjit në kohën e sundimit turk,për të “shpëtuar gjuhën greke”. Të gjithë e dine-sidomos historianët – se kjo shkollë nuk ka ekzistuar dhe se është e sajuar nga kisha ortodokse për t’i dhënë asaj ngjyrën patriotike. Është e njohur historikisht se shkolla greke jo vetëm nuk u ndalua  gjatë sundimit ottoman, por u inkurajua që kjo shkollë t’u imponohej dhe popujve të tjerë ballkanaikë nëpërmjet besimit ortodoks që përfaqësohej zyrtarisht nga Patrikana e Stambollit. Megjithatë edhe sot e kësaj dite në shkollat greke u mësohet se …shkolla e fshehtë ka ekzistuar, madje kanë zbuluar dhe disa shpella ku murgjit gjoja u bënin mësim fëmijëve grekë në fshehtësi nga frika se mos zbuloheshin nga turqit! Me të drejtë është për t’u admiruar se sa “ fanatikë” janë grekët përsa i përket historisë. Edhe here të tjera e kam theksuar se shumë rrallë do të gjesh ngjarje negative por edhe kur këto paraqiten, gjithnjë gjejnë një justifikim që të mos njolloset patriotizmi i grekut. Një rast tjetër është lufta civile pasi kishte mbaruar khasapana e naziifashizmit. Greqia ishte vendi i vetëm në Europë që vazhdoi luftën vëllavrasëse deri në vitin 1949. Nga njëra anë ishin partizanët që drejtohehsin nga P. Komuniste dhe nga ana tjetët “nacionalistët’” që përkraheshin nga aleatët,kryesisht nga anglezët dhe më vonë nga amerikanët. Fituan nacionalistët. U mbajt një armiqësi rreth 25 vite. Edhe deri atëhere  thoshin se fajin e kishin aleatët se po të mos kishin ndërhyrë ata lufta civile nuk do të kishte shpërthyer. Pastaj erdhi pajtimi. Sot në Greqi konsiderohen veteran dhe luftëtarë të rezistencës të dy palët. Ekzekutimi ni udhëheqësve komunistë me në krye Nikos Bellojanis në vitin 1952,konsiderohet si një njollë e zezë në historinë greke nga  akoam dhe nga nacionalistët që aso kohe ishin në pushtet. Madje fajin për këtë u a hedhin amerrikanës-shi ambasadës amerikane- që në atë kohë  bashkë me pallatin mbretëror,urdhëruan pushkatimin e tyre  pa dijeninë e qeverisë Pllastira. Asakush nuk guxon sot ta quajë Bellojanin tradhëtar ose agjent i huaj. Kudo janë ngritur monumente përkujtimore si për nacionalistët ashtu dhe për komunistët. Në sheshin kryesor të Lamiës është ngritur statuja e kryepartizanit, Aris Vellohotis. Nga ana tjetër u morën masa që të silleshin në atdhe eshtrat e Zaharidhist, ish udhëheqës i komunistëve dhe të Ushtrisë Demokratike,(i cili kishte vdekur në ish Bashkimin Sovietik ku u internua nga Hrushovi si Stalinist) si u quajtën kryengritësit  antinacionalistë. Askush nuk guxon më të quajë tradhëtar njërin ose tjetrin….

Tani imagjnoni të vijë një turk në Greqi dhe të cilësojë Kollokotronin, Marko Boçarin, Bubulinën e shumë të tjerë që luftuan kundër pushtimit ottoman, terroristë! Merreni me mënd që një turk të vijë në Athinë dhe të deklarojë se ushtria greke në Azinë e vogël ishte një ushtri pushtuese të trevave turke…ose një turk të vinte në Selanik dhe të guxonte të thoshte se katedrali i Shën Sofisë nuk ka qënë askurrë në përbërjen e shtetit grek.  Jo vetëm do t’i dëbonin me shqelma por do të protestonin zyrtarisht tek qeveria trurke për “shtrrëmbërim” arbitrar të historisë…Por kemi dhe shëmbullin tipik të mosmarrëveshjeve Athinë- Shkup. A mund të besojë dikush se përsa kohë ky vend mban emrin ne pamerituar Maqedoni dhe përsa kohë konsideron Aleksandrin e Madh…”maqedon”(domethënë sllav),Greqia do të normalizojë marrëdhëniet me këtë vend …pa emër? Hidhni dhe një sy dhe politikës ndaj Shqipërisë. Sot këtu kemi një qeveri e majtë që pritej të ndryshonte nga e kaluara sepse kështu predikonte kur nuk ishte në pushtet. Keni pare ndonjë ndryshim? E kundërta ngjau me deklaratat e të dërguarit të SIRIZA në “kongresin” e pakicave greke në Tiranë. Ai jo vetëm vertetoi politikën e deritanishëm por u tregua më  “patriot”(që të mos themi arrogant) nga konservatorët e deridjeshëm. Shpalli zyrtarisht  qëndrimin grek ndaj Shqipërisë duke u a përplasur në fytyrë politikanëve shqiptarë ndër të cilëve dhe kryeministrit shqiptar, se pretendimet greke nuk janë harruar ose shuajtur,por hodhi poshtë dhe britmat e disa  “patriotëve shqiptarë” për kërkesat e tyre, ndaj Greqisë,duke i quajtur bashkëpunëtorë të nazifashizmit,(teori kjo që përkrahet përherë pas luftës)- dhe politikanët shqiptarë  nuk bënë zë por qëndruan në sallë si pula të lagura. Ç’ do të thotë kjo? Se një vend serioz ka politikë largpamëse, që nuk ndryshon sa here ndryshojnë partitë në pushtet. Në politikën e jashtme këtë Greqia e ka treguar përherë. Kurse Shqipëria? Si mund të krenohet Tirana për politikë të qëndrueshme dhe objektivat kombëtare ndaj fqinjëve në të ardhmen? Është me të vërtetë brengosëse politika  shqiptare e cila në fakt nuk ekziston për qëllimet dhe synimet e së ardhmes…

 

TURPI MË I MADH KOMBËTAR: SULMET KUNDËR GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

Vitet e fundit, sidomos këto 25 vite demokraci është vënë re se kushdo që merr pushtetin në Tiranë ka politikën e tij, padronin e tij ndaj të cilit duhet të jetë ngahera i bindur, kokulur. Ajo që brengos më tepër nuk është përulja ndaj fuqive të mëdha -në shumë raste nuk mund të veprohet ndryshe- por qëndrimi i gjynjëzuar edhe ndaj fqinjëve, sidomos ndaj vendit që e mbajti Shqipërinë pesë shekuj në errësirë. Shqipëria-kombi shqiptar se nuk duhet harruar se tani kemi dy shtete shqiptare-ofendohet dhe poshtërohet përditë akoma dhe nga Mali i zi dhe nga…”Maqedonia” (Sërbia nuk hyn në hesap se ajo konsiderohet “armike” pastaj ka fuqi që peshon më shumë nga vendet e tjera ballkanike!) Por vetë kryeministrat shqiptarë të demokracisë shqiptare kanë bërë ç’ishte e mundur që vendi të poshtërohet duke u dhënë shkas armiqve dhe shovinistëve të shpifin kundër kombit të Arbërit.Fillimisht ishte akti i marrë të Sali Berishës i cili vrapoi t’u lutejn vendeve islamike që të bënin dhe Shqipërinë antare e tyre, duke pranuar zyrtarisht se shqiptarët na qënkeshin myslimanë. Ky  akt i pamenduar nga një politikan diletant i bëri dëm të madh “demokracisë” shqiptare dhe,kryesisht kombit shqiptar. Ndërsa më pare, në kohën e diktaturës akuzonin Shqipërinë për vend ateist,ku njerëzve u mohoheshin të drejtat e besimit fetar,papritur po na shfaqej si vend islamik! Ishte koha kur shovinistët kishin filluar propagandën e “ harkut islamik” kundër vendeve të krishtera në Ballkan që po koordinohej nga Turqia, nëpërmjet Trakës, Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë dhe ky fare kryeministri u a jipte në  pjatë proven për propagandën e tyre,kur ishte koha që kishte filluar dhe shthurrja e ish Jugosllavisë dhe pritej dhe shkëputja e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare në këtë ish federate. Por askush nuk vuri mend. Nisën vajtjeardhjet në Turqi-asgjë për të share- por kur Erdogani erdhi në Tiranë dhe në prani të kryeministrit tjetër Fatos Nano, deklaronte se Skënderbeu ishte terrorist askush nuk reagoi dhe  ish kryeministri Nano u kufizua të fërkonte mjekrrënsi pa të keq. Dhe papritur Erdogani na u bë “vëlla” e ndiente veten  si në shtëpinë e tij dhe në prani të kryeministrit tjetët, Rama, një vajzë shqiptare e veshur me  çitjane e perçe recitoi pjesë të kuranit gjë që bëri të lotohej …nga mallëngjimi turku Rexhep Erdogan

Sulmet kundër Gjergj Kastriotit Sknderbeut u bënë pothuajse masive. Prej kohësh në disa shkrime të mia  jam përpjekur të demaskoja ata kalemxhinj shqiptarë-sidomos kosovarë (Ç’turp! Prisnim nga kosovarët ndienjë patriotike më të madhe për arsye se sapo ishin çliruar nga dinasti sllav dhe kjo për shkak të sundimit të egër dhe të gjatë turk!) se mos e mblidhnin veten por jo. Turkoshakët vitet e fundit janë shtuar dhe, duke pasur demokraci, gjejnë terren kudo, si në shtyp ashtu dhe në mjetet elektronike të informacionit të sulmojnë në mënyrë të poshtër figurën më  heroike të kombit shqiptar. Shkrimet e tyre antikombëtare botohen në të gjitha gazetat shqiptare  si pa të keq dhe aty këtu gjendet ndonjë zë që i kundërshton. Në këtë kuadër po bëhen sulme të shumta dhe të koordinuara dhe kundër Akademikut të shquar, Rexhep Qosja. Teoria më e re dhe gjoja bindëse, e këtyre shërbëtorëve të Ankarasë, është se gjoja Skenderbeu vrau dhe maskroi myslimanët shqiptarë! Mendim më absurd se ky nuk mund të gjenin? Dihet se shqiptarëi u islamizuan pasi ishte shojtur lufta legjendare 24 vjeçare të Skënderbeut. Më pare shqiptarë ishin si të gjithë europjanët,të krishterë dhe ata shaqiptarë që ishin islamizuar para Gjergj Kastriotit ishin një numër i papërfillëshëm. Ku i gjeti pra Skënderbeu myslimanët shqiptarë që t’i maskronte ? Këtë nuk na e sqarojnë turkoshakët!

Rasti më i fundit ishte poshtërsia e një pseudohistorianit turk i cili, i ftuar, ma merr mëndja, nga historianët e Tiranës, ofendoi në mënyrë të poshtër  kujtimin e Heroit Legjendar, Gjergj Kastriotin atje mbi varrin e tij të shënjtë,në Lezhë! Si reaguan shqiptarët-historianët shqiptarë? Nuk bënë zë…veçse ditët e tjera “opinionistët” dhe “analistët” e shumtë u ankuan dhe u përpoqën t’i “faktonin” turkut arrogant, se nuk kishte të drejtë! Çdo vend që respekton veten, gjënë e pare që do të bënte ishte ta dëbonte këtë provokator islamist me shqelma, madje të protestonte dhe në forumet përkatëse turke. Por shqiptarët janë njerëz të…sjellëshëm dhe “mikpritës” akoma dhe për armiqtë e tyre të urryer. Por pse të shajmë turkun,ose turqit në përgjithësi kur vetë shqiptarët shkruajnë akoma më keq për Gjergj Kastriotin? Nuk ishte tharë boja e shkrimeve kundër turkut kur ja një shqiptar (nga Kosova?) i quajtur Olsi Jazexhi mbron tezat turke, madje ja kalon akoma dhe turkut duke share Skënderbeun!    Shkrimi i këtij “çirakut nostalgjues të sulltanit”,këtij turkoshakut të paturpëshëm, u botua në faqe të pare të gazetave shqiptare të Tiranës!!! Si është e mundur?pyetëm veten! (Kjo do të thotë liri shtypi ashtu si dikur.kur UÇK-ëja luftonte kundër sërbomëdhenjve, një gazetë tiranase që drejtohet nga disa “katolikë”kishte denoncuar, se në  Durrës kishte mbërritur një anije me armë për UÇK-në dhe nuk i hyri gjëmbi në këmbë? A nuk duhej të quhej tradhëti kombëtare kjo? Sigurisht në Shqipëri tradhëtarët ishin vetëm gjatë kohës së diktaturës,pas kësaj të gjithë na qënkan…patriotë dhe  demokratë!) Por fjalën e kishim për Gjergj Kastriotin. Figura e tij për çdo shqiptar duhet të jetë e shënjtë, e paprekëshme sepse është pranuar si e tillë në të gjithë Europën. Mua nuk më erdhi mire që Pirro Prifti mori përsipër të mbronte Skënderbeun nga sharllatanë të tillë si Olsi i mësipërm. Këta plehra nuk meritojnë t’u përgjigjesh se zhurmë rreth vetes kërkojnë, por thjesht t’i përbuzësh ashtu si duhen përbuzur dhe ata që botojnë dhe publikojnë shkrime të tilla antikombëtare.

GJERGJ Kastrioti nderohet në të gjitha vendet, akoma dhe në Greqi, kur hyn në muzeun historik të Greqisë së re, portretin e pare që takojmë është ai i Gjergjit tone, ashtu si është nderuar në Itali, Francë, Amerikë e kudo gjetkë. Poeti i madh amerikan Longfellow (si shumë shkrimtarë dhe poetë europjanë) ka shkrojtur një poemë madhështore për të. Madje në Muzeunn e Luftës të Vjenës stenda më  e vizituar e e respektuar është ajo ku ruhen shpata dhe përkrenorja e “Mbretit të Arbërisë” si shkruhet. Sulmet e disa “turkoshakëve islamistë” nuk mund ta errësojnë figurën e tij,përkundrazi e ngrejnë akoma më lart në ndërgjegjen dhe mëndjen e shqiptarëve dhe të huajve përparimtarë. Prandaj besoj se këtyre “bij sulltanësh” të kohëve të fundit u mjafton t’i përbuzim dhe t’u tregojmë rrugën që u takon: drejt Anadollit të tyre që ka perënduar…

KRISTO  ZHARKALLI.     Athinë 12 korrik 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjergj Kastrioti, Kristo Zharakliu, urrejtja

Gjergj Kastrioti ose busullat u shpikën pas Yllit Polar -“Kryqtari i fundit” i Virgjil Kules

March 23, 2014 by dgreca

Nga Petraq Risto/New York/

Gjergj Kastrioti Skënderbeu i Virgjil Kules është tepër real dhe i prekshëm: burrë shteti, luftëtar, diplomat, i mençur, largpamës, dinak, stresant, i kthjellët, nuhatës, tinzar dhe mbase me shumë epitete të tjera të përshtatshme e të natyrshme për bashkëkohësinë. Ishte një kohë kur ai u kthye në simbol dhe falë këtij simboli populli ynë u frymëzua dhe arriti të mbijetoi… Edhe sikur Skënderbeu të ishte shpikur nga ndonjë shkrimtar anonim, për ne do të kishte vlerë të jashtëzakonshme, por kur ai është i vërtetë dhe tepër ndikues në historinë shqiptare, ballkanike dhe europiane, vlerat e Kryqtarit të Fundit e kapërcejnë forcën e simbolit. Busullat u shpikën pas Yllit Polar.

Në librin e Virgjil Kules, me një strukturë kronologjike, të krijohet ideja e një skele të madhe ngritur nga skulptori, brenda së cilës qëndron dhe blloku gjigant i mermerit nga ku gradualisht, daltë pas dalte, goditje pas goditjeje do të hiqet lëvozhga e mitit e do të zbulohet figura reale e një personaliteti historik,  që diti ta përballojë historinë me mjetet dhe ligjet e kohës. Marrëdhëniet e tij me Papën, Venedikun, Napolin, Portën e Lartë, Romën, Huniadin, Raguzën, Milanin, natyrisht edhe me  fqinjët; betejat e tij, fitoret dhe humbjet, “rrëshqitjet” politike e diplomatike, sherret dhe flirtet me fqinjët, rëniet dhe ngritjet, aleancat dhe krushqitë, e bëjnë atë tepër njerëzor dhe të vërtetë.

Autori i këtij libri është një hulumtues serioz, ai arrin të analizojë faktet historike nëpërmjet prerjeve vertikale dhe horizontale, së brendshmi dhe së jashtmi, pa rënë në përshkrim emocional, poetik e patetik, që siç shprehet ai mund të gjenden të përshkruara mrekullisht në vepra të tjera si te Barleti, Dhimitër Frangu, Noli,  etj. Virgjil Kule na krijon një mit duke hequr lëvozhgën e mitit, thënë më drejtpërdrejtë: krijon figurën e Gjergj Kastriotit jo duke patur parasysh modelin e Barletit për heroin etj., jo duke patur parasysh veprat e shumta letrare, muzikore, artistike, etj., por modelin e ftohtë të dokumenteve historike, të analeve, traktateve, letërkëmbimeve, etj. Skënderbeu ishte udhëheqës vizionar, burrë shteti, diplomat dhe ushtarak. Ai si njohës në thelb i synimeve të Perandorisë Osmane, nuk ishte një “i ngujuar në kështjellë”, por politikan e strateg tepër i lëvizshëm, manovrues e përfitues i situatave europiane, veçanërisht i marrëdhënieve me vendet italike; Gjergj Kastrioti ishte një njohës i mirë i situatës së brendshme, ai e dinte që Porta e Lartë do ta luftonte me një mijë mënyra, me armë dhe presion, me gjeneralë dhe tradhtarë, të huaj apo të brendshëm dhe si rrjedhojë Heroi do të dinte të orientohej, të reagonte, në shumicën e herëve të fitonte e natyrisht edhe të gabonte e të humbëte. Autori i përshkruan qartë marrëdhëniet e brendshme të Gjergj Kastriotit me të vetët si Muzakë Topinë, Moisi Golemin, Aranitin, Hamza Kastriotin, etj., marrëdhënie këto tepër komplekse të lidhura me baticë-zbaticat e kohës në një vend të vogël si Shqipëria, një nyje e rëndësishme midis Lindjes dhe Perëndimit, ku mplekseshin interesa të shumta të fuqive të mëdha në shekullin e XV.  Personaliteti i Kastriotit në Ballkan, veçanërisht pas vdekjes së Huniadit, merr një përmasë tjetër, përmasë që dalta e skulptorit e jep me “goditje” të sigurta duke na dhënë një Kastriot me autoritar në rrafsh ndërkombëtar e natyrisht edhe në marrëdhënie me princërit arbër, të cilët jo rrallë herë kishin një frikë se me absolutizmin e vet “atleti i krishtërimit” do “ti gëlltiste” principatat e tyre. Gjergj Kastrioti ishte një figurë komplekse, i kthjellët në qëllimet e tij, bashkëveprues, gjë që autori Virgjil Kule e jep me ngjyra të gjalla dokumentare duke iu referuar bashkëkohësve të heroit dhe duke bërë deduksionet e duhura në arritjen e përfundimeve të tij.

Libri “Kryqtari i fundit” i Virgjil Kules është një kontribut me vlerë për pasqyrimin e figurës së Heroit tonë Kombëtar, për të cilin në kohën e sotme disa përpiqen të hedhin një baltë të vjetër apo të re, por balta nuk mund të përlyej një simbol të madh gdhendur në mermerin e kohës. Balta nuk ngjit në mermer. Busulla u shpik duke patur parasysh Yllin Polar dhe në shekullin XV Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte një Yll Polar: zot i busullave, për të cilën Europa Perëndimore i ishte dhe i mbeti  mirënjohës.( Ne Foto: Nga promovimi i librit te Virgjil Kules te Shtunen me 22 Mars 2014 organizuar ne Prdouces Club, Manhattan, NY)

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Gjergj Kastrioti, i Virgjil Kules, Petraq Risto

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT