Arjeta Ferlushkaj
Promovim i librit:
“ARRITJE DHE PERSPEKTIVA TË MËSIMDHËNIES SË GJUHËS AMTARE NË SHKOLLAT SHQIPE TË DIASPORËS”
“KY LIBËR I KUSHTOHET TË GJITHË MËSUESVE DHE DASHAMIRËSVE TË GJUHËS E KULTURES SHQIPTARE, NË MËNYRË TË VEÇANTË ATYRE TË DIASPORËS, KUDO KU ATA JETOJNË E VEPROJNË.”
Kushtimi që hap librin e parë të botuar nga organizata AADLC na prezanton që në fillim me objektivin e saj (target-in) si dhe filozofinë e punës dhe qëllimet e dëshiruara.
Me këtë duam të theksojmë se nuk kemi synuar të bëjmë një libër-abetare, as nuk kemi pretenduar se libri do të shterronte të gjitha problematikat që ngërthen mësimi i një gjuhe amë në diasporë.
Por ama, ne kemi motivimin dhe pretendimin që kjo nismë e ky botim i parë të frymëzojë për atë librin-abetare shumë të dëshiruar për mësuesit në diasporë dhe aspirojmë e punojmë që të kontribuojmë në zvogëlimin e pengesave, vështirësive dhe problematikave që hasen gjatë mësimdhënies dhe mësimnxënies së gjuhës shqipe në diasporë, me fokus më të përqëndruar në diasporën e Amerikës.
Ky mision vihet në dukje edhe në parathënien e librit: “Ai (seminari-shën.im.-A.F.) ka hapur rrugën për një bashkërëndim të përpjekjeve të mësuesve, specialistëve, veprimtarëve të komunitetit, prindërve, etj., duke pasur si synim përsosjen e mëtejshme dhe rritjen e efektivitetit të punës në këtë fushë. Krahas analizave të thelluara të metodave bashkëkohore, pjesëmarrësit shkëmbejnë përvojat e tyre profesionale në mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe në diasporë.”
Në 220 faqet e këtij libri na ofrohet kjo strukturë me 5 kapituj:
- Kapitulli i parë: Seminari III
Përfshin seminarin e tretë, i zhvilluar me date 12 shtator 2020, në të cilin përfshihen 3 fjalë përshëndetëse, përkatësisht nga themeluesja dhe drejtuesja e AADLC-së znj. Drita Gjongecaj, nga z.Mal Berisha, studiues dhe ish-diplomat si dhe nga z. Frank Shkreli, ish-gazetar e redaktor i “Zërit të Amerikës” si dhe 17 referime, ku disa prej tyre kanë ilustrimet përkatëse e ndërsa referuesit, 9 janë mësues, 3 janë sipërmarrës, 3 janë studiues si dhe 1 gazetare dhe 1 prind.
Përmbajtja heterogjene e pjesëmarrësve ka qenë qëllim më vete e organizatorëve me synimin që secili të mund të sillte kontributin e vet dhe rrjedhimisht, sa më shumë këndvështrime dhe qasje të shpalosen, aq më pak cështje mbesin pa gjetur zgjidhje. Përpjekja për një këndvështrim sa më gjithëpërfshirës, çon në arritjen më të shpejtë të objektivave të paracaktuara.
Gjithashtu, duke sjellë secili përvojën e vet (jo domosdoshmërisht të gjithë me lidhje të drejtpërdrejta me mësimdhënien), kemi një pasurim informacioni që rrok fusha të ndryshme por që pulsojnë tek një drejtim: gjuha e kultura shqiptare.
Përmendim p.sh. rastin e studiuesit Mal Berisha, i cili jo vetëm jep sugjerime rreth website-ve ku mund të merren materiale shqip, apo kur informon mbi projektet e bëra në Londër për gjuhën shqipe (është gjithmonë mirë të dimë çfarë bëhet rreth nesh për këtë mision) por përmend edhe raste studiuesish të huaj, të cilët kanë punuar e studiuar shumë për gjuhën shqipe, për botimet e tyre dhe për dashurinë e pastër për gjuhën e kulturën shqiptare sic është rasti i albanologut kanadez Robert Elsie, i cili ka kërkuar dhe është varrosur në Theth.
Informacione të këtij lloji janë shumë të vlefshëm për të ngacmuar kuriozitetin për njohje më të thella, jo vetëm për nxënësit por edhe për prindërit sepse nuk duhet të harrojmë se jo çdo familje shqiptare në diasporë ka ardhur me formim universitar.
Një qasje që mund t’i vijë në ndihmë shumë prindërve dhe mësuesve është ajo e gazetarit Frank Shkreli, i cili thotë: “Jo se duam të krijojmë në Amerikë republikën tonë shqiptare, por gjuha dhe kultura janë të rëndësishme sepse sa më gjatë që të jetojmë larg gjuhës, traditave dhe kulturës tonë, aq më shpejt do të humbasë edhe gjuha edhe traditat, e si rrjedhim dhe përfundimisht, edhe lidhjet me atdheun”. Ide të tilla e ndihmojnë prindin dhe mësuesin se si duhet të punojnë me fëmijët sa i takon nxënies së gjuhës shqipe dhe njohjes së kulturës shqiptare, ndërkohë që fizikisht ndërveprojmë në një vend e kulturë tjetër, të cilën duhet ta mësojmë e respektojmë gjithashtu e të mos izolohemi duke e parë botën vetëm nga një dritare.
Themeluesja e AADLC-së, znj. Drita Gjongecaj e thekson pikërisht këtë ambicie: “ne punojmë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të kapërcejnë sa më shpejt fazën fillestare të njohjes së këtyre elementeve: gjuhë-kulturë dhe të arrijnë kompetencën e të njohurit, përdorimit të të dy gjuhëve dhe bashkëjetesës së natyrshme midis dy kulturave, duke i parë ato si një aset i çmueshëm në botën e sotme globale.”
- Kapitulli i dytë: Seminari I & II
Përfshin seminarin I & II, zhvilluar përkatësisht në datat 19 maj 2018 dhe 30 qershor 2019. Kemi vendosur që libri të hapej me seminarin më të fundit për të sjellë fillimisht tek lexuesi përvojat më të përditësuara rreth cështjes së bilinguizmit dhe problematikave të komunitetit tonë konkretisht.
Me përshëndetjen e rastit të bërë nga konsullja e Kosovës në New York në atë periudhë, znj. Teuta Sahatqija, ne gjithashtu informohemi prej saj edhe për angazhimet e bëra nga kjo konsullatë për t’i ardhur në ndihmë sa munden procesit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Pra kështu ne mësojmë se cfarë hapash janë ndjekur në mënyrë që të mësojmë se cfarë hapash të rinj duhet te hedhim dhe ku.
Sa i takon referuesve: Është bërë një përzgjedhje në kumtesat e përfshira nga këto dy seminare sepse organizatorët duan të përcjellin mesazhe sa më afatgjata dhe funksionale drejt lexuesit dhe janë lënë jashtë kumtesa që kanë pasur shtjellim jo rigoroz apo shtjellime të shkurtra, ose përshkrime private, për të cilat horizonti i pritjes i lexuesit nuk do të gjente informacionet që po kërkon tek lexon titullin e librit.
Nga këto dy seminare, kemi mundësinë të marrim këndvështrimin e 12 referuesve, nga të cilët: 7 janë mësues, 2 janë studiues, 2 janë gazetarë dhe një ish-nxënëse.
Është interesant dhe mjaft i vlefshëm prurja e këtij kapitulli pasi ka larmishmëri informimi në aspektin teorik dhe praktik, gjë që i vlen shumë mësuesve dhe nxënësve por edhe prindërve të angazhuar direkt me fëmijën e tyre në kushtet e shtëpisë.
- Kapitulli i tretë: Profile
Në këtë kapitull kemi ndërtuar profilet e të gjithë pjesëmarrësve në këtë seminar, përfshirë këtu edhe ata që ishin në cilësinë e të ftuarve të nderit që përshëndetën këtë aktivitet: në total mbërrijnë në 29 profile.
Rëndësia e këtij kapitulli qëndron, jo vetëm në njohjen më të thellë të seminaristëve, apo për vlerësimin e nderimin nga ana e organizatorëve por cfarë është më e rëndësishmja, për të hapur një rrugë komunikimi me secilin prej tyre.
Jo më kot, cdo seminaristi i është kërkuar të dërgojë të dhënat e veta, për formimin profesional që kanë në mënyrë që lexuesi, sipas interesit, të kërkojë informacion dhe sidomos të ndërtohen ura bashkëpunimi sepse, referuesit nuk janë vetëm shqiptarë të SHBA-ve por edhe nga Europa.
- Kapitulli i katërt: Media
Në këtë kapitull janë përfshirë 7 artikuj nga 3 burime informimi: gazeta “Illyria”, gazeta “Dielli” dhe portali “Diaspora shqiptare”.
Duke njohur raste që disa portale nuk janë të përhershëm, u mendua përfshirja e këtyre shkrimeve dhe rëndësia e tyre qëndron pikërisht në informimin dhe dokumentimin e të dhënave për aktivitetet e zhvilluara dhe lexuesi i interesuar, e ka më të lehtë t’i referohet librit në cdo kohë.
Një vlerë e shtuar e këtij kapitulli janë 3 artikujt e publikuar në portalin “Diaspora shqiptare” për konferencën-trajnim me temë: “Platforma të mësimdhënies së gjuhës shqipe online”, organizuar nga AADLC-ja, e cila u mbajt 3 të shtuna radhazi (17, 24 dhe 31 janar 2021). Nga ky kapitull lexuesi informohet më në detaje mbi këtë konferencë-trajnim, njihet me pjesëmarrësit dhe duke krijuar kontakte, pse jo, mund edhe të sigurojë disa nga materialet e prezantuara aty.
- Kapitulli i pestë: Album
Kapitulli i pestë dhe i fundit përfshin një galeri fotografish, të cilat nuk kufizohen vetëm nga ato të seminarit por gjithashtu, si botim i parë i AADLC-së, u pa e arsyeshme që lexuesi të ketë një tabllo më të plotë të punës së bërë, takimeve e bashkëpunimeve, pjesëmarrjeve të shkollës “Children of the Eagle” në konkurse e aktivitete dhe festa kombëtare. Gjithashtu, lexuesi mund të njihet me çmimet e vlerësimet që i janë bërë organizatës dhe shkollës, etj. Në këtë mënyrë ka mundësi të prezantohet me potencialin dhe ambiciet e stafit të AADLC-së dhe shkollës “Children of the Eagle”.
Si përfundim: Nëse i marrim në terësi, kapitull për kapitull, të dhënat përmbajtësore si dhe struktura e tekstit, mendojmë se informacione të këtij lloji janë shumë të vlefshëm për të ngacmuar kuriozitetin për njohje më të thella, jo vetëm për nxënësit e prindërit por edhe për mësuesit sa i takon metodologjisë.
Duke siguruar një tekst që rrok interesin e 3 instancave kryesore: nxënës-prind-mësues, kemi hartuar kështu një libër gjithnjë e më të hapur, gjithnjë e më të vlefshëm dhe funksional për lexuesin e vet.
Kjo është përgjigja që japim për pyetjen e shtruar: Pse duhet ta lexojmë e pse duhet ta kemi këtë libër.
Faleminderit!
Doktorante Arjeta Ferlushkaj
7 shtator 2021
“Vatra”, Bronx, NY