PODGORICË, 19 tetor – Millo Gjykanoviç e qeveris Malin e Zi si një shtet privat, thotë opozita. Protestat kritike ndaj qeverisë mposhten me forcë. Por rezistenca po rritet në shetin e vogël ballkanik.Në ditën e dytë radhazi protestat të dielën (18.10) në Mal të Zi u përshkallëzuan në konfrontime të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë. Mijëra vetë në mbrëmje dolën në rrugët e Podgoricës duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Millo Gjykanoviç dhe qeverisë së tij të majtë, siç njofton një gazetar i agjencisë së lajmeve AFP. Nga radhët e demonstruesve u hodhën gurë dhe flakhedhës në drejtim të policisë. Forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës.
Të shtunën policët kishin penguar marshimin e qindra njerëzve drejt parlamentit. Njësi të përforcuara policie rrethuan parlamentin dhe godinën qeveritare. Kur demonstruesit u përpoqën të çajnë bllokadat, policia përdori gazin lotsjellës.
Pak më parë policia kishte shpërndarë një kamping protestuesish të vendosur qysh përpara disa javësh para parlamentit. Shumë protestues u dëbuan nga ky shesh.
Opozita në Mal të Zi kërkon një qeveri tranzicioni dhe zgjedhje të reja. Qysh në fund të shtatorit mijëra vetë në Podgoricë kanë protestuar kundër Gjykanoviçit. 53-vjeçari është që nga fillimi i viteve 90-të në pushtet në ish-republikën jugosllave me rreth 630.000 banorë. Në këtë mënyrë ai është ndër politikanët me vjetërsinë më të lartë në Europën Juglindore.
Në qershor Gjykanoviç u rizgjodh në krye të partisë socialiste në pushtet në Mal të Zi me rezultat eksepsional prej njëqind për qind të votave. Kjo ndodh rrallë madje edhe tek udhëheqësit e fortë partiak në gadishullin e Ballkanit.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Mal të Zi zhvillohen në pranverë 2016. Për të shtunën (24.10) e ardhëshme opozita planifikon protesta masive.
GJUKANOVIÇI NUK MUND TË SHKULË RRËNJËT DHE KUJTESËN HISTORIKE TË SHQIPTARËVE
Deklaratë e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar-Tiranë/
Sjellja politike e Milo Gjukanoviçit, esktremizmi i tij ndaj shqiptarëve etnik që jetojnë në Mal të Zi, nacionalizmi donkishotesk e shovinist , tërësisht i papranueshëm në Evropën e shekullit të XXI e bëjnë liderin e Malit të Zi një figurë groteske e qesharake. Ai bëhet i tillë jo vetëm në sy të Brukselit, të Uashingtonit e Londrës, por akoma më shumë në sy të shqiptarëve nënshtetas të Malit të Zi dhe të mbarë kombit tonë, i cili i ndërgjegjshëm për të shkuarën e tij të lavdishme historike e ka të qartë e të sigurtë të ardhmen e tij si një komb që do të ketë një rol determinues për paqen, sigurinë e demokracinë në gadishullin tonë.
Meqenëse zoti Gjukanoviç është një nxënës mediokër i historisë së Ballkanit e të kombit shqiptar, në veçanti dëshiroj t’i kujtoj se aventura e tij për t’i përçarë shqiptarët në Malin e Zi, për t’iu mohuar atyre të drejtat që janë sanksionuar në Kartën e OKB dhe në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut, reprezaljet e shtetit të tij policor ndaj bashkëkombësave tanë me akuza absurde për terrorizëm e irredentizëm do të dështojnë me turp.
Shqiptarët janë trashëgimtarë të drejtëpërdrejtë të Ilirëve e Arbnorëve, banorë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre kur nuk kishte as Rusi, as Serbi e as Mal të Zi. Në antikitet ai që sot quhet Mali i Zi ishte Mbretëria Ilire e Ardianëve, e cila është qeverisur nga Agroni, Teuta dhe Genti.
Në këto troje lindi perandori i famshëm i Romës, Diokleciani. Ai pasi i dha shkëlqim dhe lavdi Perandorisë Romake dha dorëheqjen dhe i kaloi vitet e fundit të jetës në pallatin e tij në Dubrovnik. Shprehja e tij e famshme se “e gjeta Romën me baltë e qerpiç dhe e lashë atë të veshur me mermer” është treguesi sinjifikativ i dijenisë shqiptare dhe i aftësisë së tyre qytetare qeverisëse.
Shqiptarët e Malit të Zi janë të shquar historikisht për vokacionin e tyre perëndimor dhe kontributin e madh të dhënë në qytetrimin Europian. Që në shekullin e lll-të pas Krishtit, Shën Jeromini, i lindur në këto anë, u bë një ndër njerëzit më të famshëm e më të ditur të Perandorisë Romake, me përkthimin integral të Biblës nga greqishtja e vjetër, ai u bë një ndër intelektualët më të famshëm në histori.
Në Mesjetë, pas çlirimit nga pushtimi serb, dinastia e fuqishme arbërore e Balshajt sundonin jo vetëm Malin e Zi të sotëm, por shtriheshin në kufijtë e një perandorie dhe kontrollonin një territor njëqindmijë kilometër katrorë.
Pas rënjes së Balshajve principata e vogël e Zetës, siç quhej në atë kohë Mali i Zi i sotëm, u qeveris nga nipi i Gjergjit ll Balsha, nga Stefan Çernojeviçi. Nuk është rastësi që në Besëlidhjen e Princave Shqiptarë, që u mbajt në Lezhë më 2 mars 1444, Stefan Çernojeviçi erdhi në këtë Kuvend historik bashkë me dy djemtë e tij. Ai ishte martuar me princeshën Mara, motrën e Gjergj Kastriotit, por dhe vet ishte me gjuhë e gjak arbëror dhe pinjoll i dinastisë të ndritur të Balshajve.
Pas epopesë 25 vjeçare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e pushtimit turk të Ballkanit, shqiptarët e Malit të Zi përfaqësues të fiseve të fuqishme të Vasajoviçëve, Kelmendasve, Pipërit, Kuçit e Palabardhit e mbajtën të pashuar zjarrin e luftës për liri. Ata jo vetëm nuk i ulën armët, por u bënë inicijator të kuvendeve mbarëballkanike dhe hartuan strategjinë e luftës çlirimtare.
Nga korriku deri në shtator të vitit 1614 u mbajt në Kuçin shqiptar, që ndodhet në Mal të Zi, Kuvendi i Kuçit i kryesuar nga prijësi i kësaj treve, Lala Drekali. Në këtë aleancë ballkanike antiosmane pati përfaqësues edhe nga Bosnja, Hercegovina, Maqedonia e Serbia. Kuvendi vendosi për fillimin e luftës çlirimtare sipas modelit të strategjisë fitimtare të Skënderbeut e shqiptarëve në shekullin e XV dhe kërkoj ndihmën e Papatit e të Mbretërisë së Spanjës.
Edhe në Kuvendin Ballkanik të Prokopit të vitit 1615 e atë të Beligradit të vitit 1620 krerët shqiptarë Lala Drekali, Gjeç Bardhi, Gjon Renësi e prelati Pjetër Budi, ishin jo vetëm truri e shpirti i këtyre ngjarjeve të mëdha, por edhe të ngarkuar si ambasadorë në Vatikan, Venedik, Spanjë e Francë për të siguruar armë e aleatë për luftën çlirimtare.
Për disa dekada me rradhë, këtu në Mal të Zi, qeverisën Bushatllinjtë.
Stërgjyshërit e Gjukanoviçit, një pakicë sllave që u vendos në Mal të Zi, jo vetëm nuk u treguan mirënjohës ndaj të zotëve të shtëpisë, pra shqiptarëve etnikë, por që nga dalja në skenë e Rusisë si fuqi europiane në kohën e Pjetrit të Madh e të Katerinës së Madhe me anë të popëve malazezë, me agjentë, para e dhunë, u munduan të shkombëtarizojnë shqiptarët vendas e t’i kthenin në besimin ortodoks për t’i asimiluar. Me krijimin e Principatës së Malit të Zi oreksi i shovinistëve të Knjaz Nikollës erdhi duke u shtuar.
Në memorien historike të shqiptarëve dhe mbarë Europës kanë ngelur përjetë betejat legjendare të ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, të Hotit e Grudës, të Ulqinit e Tivarit, nga Gjukanoviçët e Malit të Zi të asaj kohe.
Nëse Ulqini i Agronit, Teutës e Balshajve më 25 nëntor 1880 ra në në kthetrat e përgjakshme malazeze kjo ndodhi jo për shkak të pazotësisë të tyre, të shqiptarëve, por u desh një ushtri turke prej 20.000 vetash dhe flota ushtarake e Fuqive të Mëdha për ta detyruar të dorëzohet qytetin krenar iliro–arbnor.
Gjatë një shekulli të pushtimit sllav shqiptarët pësuan një genocid e dhunë të egër, spastrim etnik dhe mohim të të drejtave elementare e njerëzore, mosnjohje të gjuhës e të kombësisë së tyre.
Në vitin 1913 në Plavë e Guci, në Tuz e Ulqin, me një akt të pashembullt barbarie çetnikët serbo–malazezë me bekimin e eprorëve të tyre, masakruan qindra burra shqiptarë pasi nuk pranuan të ktheheshin me forcë në besimin ortodoks sllav me qëllim për të fshirë nga kujtesa qëndresën heroike të shqiptarëve të udhëhequr nga Dedë Gjo’ Luli në vitin 1911 ku për herë të parë pas qindra vjetësh u ngrit flamuri i Skënderbeut në Deçiç.
Akoma më e tmerrshme ishte masakra që u projektua nga Beogradi e u zbatua jo rastësisht në Tivarin shqiptar kur brenda një nate u ekzekutuan me mijëra djemë të Kosovës . Kjo barbari të kujton kohën e Çengis Khanit e të Timur Lengut , Vlad Dragulës [hungulësi], Erik qimekuqit të Vikingëve, apo Ivanit të tmerrshëm të Rusisë.
Pas një gjysëm shekulli shqiptarët ranë nën diktaturën e Titos e të Millosheviçit, ku provuan genocid të paparë dhe torturat më çnjerëzore mesjetare duke iu vendosur kryqin e hekurt të skuqur në shpinë, fytyrë e zemër.
Shqiptarët e Malit të Zi janë qytetarët më të denjë në këtë republikë të vogël dhe artificiale. Ata me votën e tyre përcaktuan shkëputjen nga Serbia dhe i dhanë goditjen e fundit Sllobodan Millosheviçit. Falë lidhjeve të ngushta me SHBA-në për shkak të diasporës së madhe që kanë në këtë vend mik, janë faktorë themelor për të sotmen e të ardhmen e bashkimit të natyrshëm të trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. Në shekuj shqiptarët nuk luftuan që tokat e tyre të qeveriseshin nën emblemën serbo-malazeze, por që në qiellin e kaltër mbi fortesat e tyre të fluturojë e lirë e krenare shqiponja Iliro-Arbërore dhe të valvitet flamuri i kombit të tyre. Ky është flamuri i Lekës së Madh, Pirros, Teutës , Balshajve, Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Rugovës, Dedë Gjo’ Lulit e Ismail Qemalit, të cilin e mbrojtën simbolet e qëndresës shqiptare të shekullit të XX Adem Jashari, Ali Ahmeti e Ramush Haradinaj në betejat për liri në Kosovë e drejtësi në Hagë.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar , i bën thirrje Gjukanoviçit dhe frymëzuesëve të tij që të ndalë provokimet ndaj historisë dhe simboleve kombëtare shqiptare.
Të heqë dorë nga apartejdi, kolonizimi i trojeve shqiptare dhe përçarja e tyre.
Gjukanoviçi duhet ta mësojë mirë historinë e ta kuptojë se për shqiptarët nuk është më koha e Lidhjes së Prizrenit, e Luftës së Parë Ballkanike apo e diktaturës Titisto – Enveriane.
Kombi shqiptare prej 10 milionësh në Ballkan është i ndërgjegjshëm të kryejë mirë rolin që i ka caktuar historia e Mileniumit të ri (Mijëvjeçarit të Tretë) dhe të mbrojë me vendosmëri të drejtat e bashkatdhetarëve të tij e të zgjidhë përfundimisht çështjen shqiptare dhe bashkimin e tyre, atë që kombet tjera e kanë kryer me kohë.
Për Unionin Artistik të Kombit Shqiptar
Presidenti
Azgan HAKLAJ
GJUKANOVIÇI I MALIT TË ZI NUK MUND TA HEQIN FLAMURIN SHQIPTAR TË DEDË GJO’ LULIT
Nga Ramiz LUSHAJ/
1. “Ligji i Flamurit”, i paraqitur nga Qeveria e Gjukanoviçit në Parlament, është provokim diskriminues veçmas për Shqiptarët etnik nën Malin e Zi, pasi po akt-kryhet juridikisht e publikisht në prag të 6 prillit, 103 vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Deçiç të komunës urbane të Tuzit (Podgoricë) nga Dedë Gjo’ Luli me luftëtarët kryengritës të Malësisë së Madhe. Ky Flamur e mbështolli arkivolin e Homerit Shqiptar, Gjergj Fishta.
Kjo ngjarje historike panshqiptare skënderbegiane hyri përjetësisht në memorien e Kombit, në udhën e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare drejt Vlorës, në kangët e popullit:
Kruja e dytë, Vlora e par’
Dedë Gjo’ Luli Flamurtar.
Fluturo Flamur Shqiponjë
Nga Bratila për në Vlorë…
Gjithmonë kur shtetit, si ky i “gospedar” Gjukanoviçit, fillon me i ra takati politik, sidomos në kit’ mandatin e fundit, nis e mendon keq, ban keq, të gjuen keq. Errësimi shoven i arësyes, urrejtja bio-politike ndaj shqiptarëve etnik, e çon Gjukanoviçin të kryej ngucama të tilla politike e etnike, të cilat do të jenë objekt i protestës shqiptare të 6 prillit në Tuz e i 8 prillit në Plavë-Guci si dhe i Demonstratës të shqiptaro-amerikanëve më 8 prill 2014 në Uashington D.C. në ditëpritjen e Gjukanoviçit nga Zëvëndës Presidenti Amerikan Xhozef Bajden.
2. Para së gjithash, i ashtuquajturi “Ligji i Flamurit”, i përcjellë pardje në Podgoricë nga Komisioni Parlamentar për Të Drejtat e Njeriut e të Pakicave Etnike, bie ndesh me vet Kushtetutën gjukanoviçiane të Malit të Zi, kapitulli 5 i saj “Të drejtat e veçanta të pakicave”, neni 79 “Mbrojtja e identitetit”, ku pika 1 e kryesisht pika 2 sanksionon “zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare…”.
Njëherash, ky P/Ligj bie në kundërshti edhe me nenin 80 të Kushtetutës që është mburojë ligjore kundër asimilimit etnik, si ky rast me ushtrim force të shumicës gjukanoviçane ndaj shqiptarëve trojenik, të simboleve të tyre.
3. Askush nga Shqiptarët etnik, partitë e shoqatat e tyre, nuk i ka kërkue ndonjëherë Malit të Zi që ta vendosin e valëvitin Flamurin Kombëtar Shqiptar në dy kryeqytetet e tij: selinë e Presidencës në Çetinë dhe as në selinë e Kryeministrisë në Podgoricë, pavarësisht se kjo e fundit është tokë etnike shqiptare e Gentit dhe Teutës, (edhe e të parëve të mij, të Shipshanikut).
Në fakt, shtetit multietnik të Malit të Zi mund t’i kërkohet që krahas Flamurit të tij Shtetëror (që ka ndrrue disa herë heraldikën e tij) të vendosen edhe Flamuri i Kombit Shqiptar, për disa arsye:
Shqiptarët janë shumicë si tokëformues të shtetit të Malit të Zi, pasi nga mbi 13 mijë km. katërore të tij mbi 9 mijë km katërore janë toka etnike shqiptare të pushtuara e aneksuara prej tij, si Ulqini e Tivari, Podgorica, Plava e Gucia, Rozhaja, etj.
Shqiptarët për nga etnia, si autokton, në shtetin e sotëm të Malit të Zi janë të dytët, pas malazezëve të Çetinës. Serbët ortodoksë janë të ardhur në territore shqiptare e malazeze nga Berana e Andrejavica deri tek Herceg Novi e Tivati. Boshnjakët janë shqiptarë të asimiluar apo në raste të tjera të ardhur nga Bosnje-Hercegovina apo Sanxhaku shqiptar i Tregut të Ri. Muslimanët janë një populli e sajuar si term nga vet malazezët, pasi pjesa ma e madhe e tyre janë shqiptarë të asimiluar. Kroatët janë të ardhur në Tivat apo Kotorr.
Shqiptarët katolikë në Malin e Zi zenë vendin e parë, shqiptarët muslimanë de facto renditen të dytët. Shqiptarë të besimit ortodoksë janë deklaruar vetëm 27 vetë e si protestanë vetëm 2 prej tyre. Ky numër do të ishte ma i madh sikur të mos ishte asimilimi sllav ndaj tyre.
Shqiptarët janë shtetformues të Malit të Zi, pasi edhe me votat e tyre referendare arriti të jetë shtet i pavarur e sovran.
4.Ky “Ligj i Flamurit” e lejon përdorimin e Flamurit Kombëtar Shqiptar vetëm në ato komuna, forma themelore e qeverisjes vendore në Mal të Zi, ku janë shumicë apo kanë mbi 15 për qind popullsi etnike shqiptare. Shqiptarët, në rastin e parë si shumicë janë vetëm në komunën e Ulqinit (79 për qind) si dhe në komunën urbane të Tuzit (një nga dy nënkomunat e Podgoricës), të cilës nuk po i jepet statusi si komunë e plotë, më vete.
Shqiptarët, në rastin e dytë: mbi 15 për qind, janë vetëm në komunën e re të Gucisë e ndoshta edhe në komunën e re të Plavës, po ende nuk kemi të dhana të plota pasi rregjistrimi i popullsisë për të dyja përmbyllet këto ditë në prag të votimit të tyre komunar të 25 majit 2014.
Llogjika e thjeshtë e këtij ligji parathotë se në komunën e Podgoricës, ku shqiptarët etnik janë mbi 8 për qind (të tretët) nuk kanë të drejtë të përdorin lirisht Flamurin Kombëtar Shqiptar në territorin e tyre, veçse të ardhurit e atyshëm: malazezët (rreth 55 për qind) e serbët (rreth 26 për qind). Dikur shqiptarët ishin të parët për nga popullsia në komunën e Rozhajës, po tani kanë mbetë të dytët, kryesisht në Malësinë e Rozhajës, pasi janë asimilue në boshnjakë apo shpërngulë në dhera të tjera. Fakti që janë vetëm 5 për qind nuk mund t’i privojë ata nga e drejta e përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar në tokën e vet, në komunën e vet, në dasmat e tyre shqiptare.
Kuota ligjore 15 për qind është sanksionue vetëm për hatër të mos përjashtimit të komunitetit kroat të komunës së Tivatit, si popullsi e tretë (mbi 19 për qind) si vendi i selisë së partisë së tyre që qeverisë e privilegjuar në koalicion me Gjukanoviçin dhe kanë një ministër në qeverinë e tij. Për shembull: Në koftë se kuota do të ishte mbi 10 për qind do të përfitonin edhe shqiptarët e komunës së Tivarit fqinjë, tokë etnike shqiptare në shekuj, ku shqiptarët arrijnë në mbi 12 për qind. Në Tivar, realisht, ka rreth 6.000 shqiptarë etnik, ndërsa në Tivat, gjysma e tyre, rreth 3.000 kroatë – komunitet i ardhur. Faktikisht shqiptarët e kroatët janë etni e tretë në komunat e tyre.Veçse kanë ndryshim të madh ndërveti: së pari, kroatët, ndryshe nga shqiptarët, për padrejtësinë malazeze ma të vogël protestojnë në Malin e Zi, në Kroaci, në Bruksel e Nju Jork, në Uashington D.C., etj.; së dyti, për kroatët në Malin e Zi shteti Kroat (antar në NATO e BE) nuk lëshon asnjë hap, asnjë orë, asnjë element, ndërsa Shqipëria e Kosova duket se i kanë lanë disi “dorë të lirë” të Gjukanoviçit ma së shumti me fitue “pikë” në integrimin euro-atlantik e në pushtetin e vet politik.
“Ligji i Flamurit” me caktime përqindjesh të tilla nuk mund t’i përjashtojë nga përdorimi lirisht i Flamurit Kombëtar Shqiptar në komunat e tyre shqiptarët etnik në trojet e veta në Podgoricë, Tivar, Rozhajë, etj. po as në Kotorr, Budva, Çetinë, Nikshiq, Herceg Novi etj. ku shqiptarët janë në numër të pakët, ma pak se 100 banorë.
5.Fillim prilli 1907. Në Amerikë, në udhët e Bostonit, pranë Stars and Stripes, organizohet një Paradë e shqiptaro-amerikanëve me Flamurin Kombëtar Shqiptar. Ishin atdhetarë shqiptarë emigrantë, shtetas amerikanë, në tokën amerikane. Ishte koha e Presidentit Amerikan, Teodor Ruzveltit. Gazeta “Kombi” (Boston, 26 prill 1907, fq. 2) thotë se paradon “për të parën herë në mënyrë legale, në kohët moderne, Flamuri i Skënderbeut”.
Prapë prill. Mbi një shekull ma vonë. Në një mijëvjeçar tjetër. 8 prill 2014. Shqiptaro-amerikanët do të protestojnë në Uashington D.C. kundër kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç. Ata do të jenë në ballë të demonstratës me Flamur Kombëtar Shqiptar, me atë Flamur që Gjukanoviçi shoven don t’ua ndalin shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.
Simboli ynë Kombëtar, Flamuri Shqiptar i Skënderbeut, është i lidhur pazgjidhmërisht e pafundësisht me historinë e Shqiptarëve të trevave shqiptare nën Malin e Zi, me këtë pjesë të përjetshme të trungut e trollit shqiptar nga Ulqini e Tivari, në Tuz e Podgoricë e deri në Plavë-Guci e Rozhajë, etj.
Pranverë 1786. Karamahmud Bushati me krerët e Maleve shkoi “në betejë me Flamurin Kombëtar Shqiptar” (F. Lonermon: “Turcs et Montenegrins”) sikurse edhe më 1798 me kit’ Flamur luftoi për t’i shkëput nga ndikimi i Vladikës së Malit të Zi krahinat e Kuçit, Piprit e Palabardhit dhe, si flasin kronikat e kohës, u vra “Më i shkëlqyeshmi Kastriot”.
Ishte tjetër prill. Ai i vitit 1879, kur Ali Beg (Pashë) Gucia lëvizte nëpër “Arbninë e Vogël”, nga Gucia në Plavë e Murinë, i hypur mbi kalë e “mbante një flamur të vogël të kuq me shqiponjë dykrenore”. Në Luftën e Ultinës së Epërme të Limit (Lufta e Nokshiqit), në të dy betejat, 4 dhjetor 1879-11 janar 1881, forcat ushtarake të Lidhjes së Prizrenit e të Plavë-Gucisë kishin prijëtar në ballë Flamurin Kombëtar Shqiptar. Në një telegram të Dervish Pashës dërgue Portës së Lartë (1881) informon se “fjala është për flamujt shqiptarë, të cilët Lidhja i ka përdorur para dy vjetësh për ushtrinë shqiptare të cilët kanë shkuar për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga sulmet malazeze. Sikurse iu informova në atë kohë kishte afër 20-30 flamuj të tillë. Mirëpo flamujt shqiptarë, të cilët i ka përdorur ushtria e Lidhjes qysh atëherë kanë mbetur në Plavë e Guci” (Dok. 49 dhe 71). Lufta e Nokshiqit ishte “parathënia e Shpalljes së Pavarësisë” në Vlorën e 1912-tës, si e shprehin dhe vargjet:
Si dy male i rrijnë Historisë,
Nokshiqi dhe Vlora e Pavarësisë.
Koinçidencë e jashtëzakonshme: Prapë Prill. Ishte 19 prilli i vitit 1880. Në një miting të madh të organizuar në Shkodër me qytetarët e atyshëm, me malësorë nga të gjitha fiset e Malësisë së Madhe e nga të gjitha krahinat e Vilajetit të Shkodrës, në mbrojtje të Hotit e të Grudës nga pushtimi malazez, pas fjalës të Hodo Sokolit, hotjanët i japin zjarr vendit me veprimet e tyre: “Menjëherë doli në ballkonin e ndërtesës Ismail Marku i Hotit, trupmadh, me fytyrë të pjekur nga dielli, i cili me një të qëlluar të jataganit, e theu shtizën ku ishte varur flamuri i gjysmëhënës. Flamuri i Sulltanit ra përdhe, në pluhur. Pastaj, bajraktari i Hotit, Çun Mulaj, midis brohoritjeve të papërmbajtura valviti Flamurin e kuq Kombëtar”. E pikërisht në atë Tuzin e sotëm që Gjukanoviçi po don me ia pengue e përdredhue statusin si komunë më vete, u mblodhën krerët e LSHP të krahinës së Hotit (dy bajrakët e Hoti i Plavës) më 16 korrik 1880 e iu drejtuan të Mëdhenjëve të Kohës, ku mes tjerash, shprehen:”…ne shpallëm luftën për Pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën jemi të vendosur të sakrifikojmë edhe pikën e fundit të gjakut” (Akte të Rlindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912).
Shqiptarët etnik nën Malin e Zi janë fort të lidhur me Flamurin Kombëtar Shqiptar saqë Gjukanoviçit nuk mundet as ta kuptojë prej qëndrimeve të tij kundërshqiptare, nuk mundet ta heqin Flamurin e Skënderbeut, të Dedë Gjo’ Lulit, të Ismail Qemalit. Në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë kontributi i shqiptarëve etnik të Hotit e Grudës, të Plavës e Gucisë, të Ulqinit e Tivarit, të Kotorrit e Rozhajës, etj. është tejet i çmuar për fatet e kombit.
Në Kotorr, në vitin 1902, në shtëpinë e Pashko Shkjezit i çonte flamujt shqiptar nga deti princi Aladro Kastrioti, pasaardhës i Skënderbeut, që shpërndaheshin gjithandej nëpër Shqipëri (HD, Shkodër. 1937). Në vitin 1905 në shtëpinë e Filip Nogës në Tivarin bregdetar u punue një Flamur Kombëtar Shqiptar që u ruajt deri në vitin 1916 (J. Brahaj. Flamuri i Kombit Shqiptar. Tiranë, 2007). I pari që e përdori Flamurin Kombëtar Shqiptar në Shqipëri është prifti malësor dijetar Berndardin Shllaku, i cili e vendosi edhe në emblemën e ipeshkvisë së tij në Pult, në vula, etj.
Dedë Gjo’ Luli i Hotit, në vitin 1906 e mori dhuratë nga princi Aladro Kastrioti një flamur shqiptar të madh, dy metra e me tufa ari anash e ia besatoj prurësit dorazi, Preloc P. Kisit, që ta ngulte një Flamur Kombëtar Shqiptar përballë Tuzit. E duhet shtue edhe faktin tjetër: Po këtë vit (1906) edhe në Triepsh (nën Malin e Zi të sotëm) u ngrit një Flamur Kombëtar Shqiptar” (“Leka”. Shkodër, 1937).
Prapë koinçidencë: Prill tjetër. I përket vitit 1983 kur një grup nxënësish atdhetarë të gjimnazit të Plavës formuan grupin “Besa”. Ata ishin nga qyteti i Plavës, nga Hoti i Vendit mbi liqen të Plavës, Martinajt, etj. E donin vendlindjen e tyre ndryshe. Asokohe, në mbledhje partie u diskutua direktiva titiste e udbaiste se nuk guxohet të përdoret Flamuri Kombëtar Shqiptar. Po këta të rinj: Tahir S. Prelvukaj, Sadri Xhemë Mehaj (Hoti), Sadri A. Ahmetaj, Naim Selimaj, Burim U. Ahmetaj, Musa Selimaj që ”kanë dasht ta shpalosin Flamurin veç të ndaluar për festën e 1 Majit” (Historiani Rexhep Dedushaj: “Loja” e malazezëve me Flamurin Shqiptar”. Shkurt, 2014) u arrestuan më 29 prill 1983 dhe u dënuan me akuza të montuara e kohë të ndryshme në burgjet e Bijello Poles (Mali i Zi) e në Krushevac (Serbi).
Kur u ngrit Flamuri i Pavarësisë në Vlorë (1912), ku pati parfaqësues edhe nga treva e Plavë-Gucisë, etj. u festua si ngjarje madhore historike kombëtare edhe nga shqiptarët nën Malin e Zi. Kronikat e kohës dijenojnë se ulqinakët gjetën një mënyrë krejt të veten. Në anijet e varkat e tyre e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar. Kapiteni i një anije ulqinake, Ymer Fasllija, “e shpuri anijen e tij me flamur Shqiptar në portin e Tivarit. Për këtë u burgos dhe pagoi edhe një gjobë”. Sikur krajl Nikolla I në fillim shek. XX po vepron edhe Milo Gjukanoviçi, krajli i ri malazez në shek. XXI (!).