-Sot mblidhet qeveria, nesër Kuvendi/
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015-Qeveria e Kosovës mblidhet sot pasdite, ndërsa nesër Kuvendi në seancë plenare. Shtypi i sotëm në Prishtinë shkruan se, Kuvendi i Kosovës është duke pritur nga qeveria t’ia riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale, e i cili dy javë më parë nuk pati marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët. Procedura që do të ndiqet kërkon që amendamenti të marrë edhe një herë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese.
Tentativa e sërishme për ta kaluar amendamentin do të bëhet pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do ta themelojë një tribunal ndërkombëtar për Kosovën, në rast se Prishtina zyrtare nuk e krijon Specialen, shkruan sot “Koha Ditore” me titullin “Nuk do t’i preket përmbajtja amendamentit për Specialen”.
Opozita e ka konsideruar të jashtëligjshëm çfarëdo riprocedimi të mundshëm të amendamentit. Por juristët kanë thënë të mos ketë pengesë për përcjelljen e sërishme të tij, në rast se ndiqen të gjitha procedurat kushtetuese.
Juristi Dren Doli ka thënë të martën se pas votës së Kuvendit procedimi i sërishëm i amendamenteve kushtetuese konsiderohet propozim i ri dhe i cili duhet të ndjekë të gjitha fazat procedurale, duke përfshirë ato në qeveri, në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Mos i vini interesat personale para të Kosovës”, është keyetitull sot në gazetën “Zëri” intervista me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ku theksohet se “dështimi i miratimit të Speciales në Kuvendin e Kosovës, lejon që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit”.
“Kundërshtarët e Gjykatës Speciale kanë arsye të ndryshme; disa dyshojnë për vete, të tjerët kanë miq që ua merr mendja se mund të akuzohen, ka edhe prej atyre nga opozita të cilët, jo se kanë diçka kundër Speciales, por e bëjnë për të fituar poenë politikë kundër qeverisjes aktuale”, ka thënë ambasadorja e cituar nga gazeta.
Sipas saj, dështimi i miratimit të Speciales dhe lënia e mundësisë që kjo çështje të shkojë në OKB ku do të politizohej, e do të përdoret nga vendet që nuk e njohin Kosovën, për ta denigruar atë, bën që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit. “Kjo me të vërtetë është për të ardhur keq”, ka thënë Jacobson.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, kryeministri kosovar Isa Mustafa paralajmëroi riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me tre partitë opozitare që nuk i votuan në Kuvend ndryshimet kushtetuese.
“Ne mendojmë se në ditët në vijim qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë”, theksonte në mbledhje kryeministri Mustafa.
Në mbledhje u theksua se, qeveria dhe insititucionet tjera të Republikës së Kosovës angazhohen që në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë që çështja e Gjykatës Speciale të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Por, në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare së bashku deklaruan se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi”, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
Ndërsa, në lidhje me raportet e publikuara dje pasdite në mediat e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara, Misioni EULEX sqaronte atë që e ka thënë Shefi i Misionit në përgjigjen ndaj pyetjes së gazetarit nëse Misioni EULEX është i gatshëm që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara.
“Shefi i Misionit Meucci ka rikujtuar se, nëse Kuvendi i Kosovës i miraton ndryshimet kushtetuese, Dhomat e Specializuara dhe Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) do të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës. Nëse Kuvendi nuk i miraton ndryshimet kushtuese, atëherë struktura aktuale mbetet në kuadër të kornizës ligjore të EULEX-it, siç është tani. Pra çështja është nëse Kosova është e gatshme që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara, e jo EULEX-i. Dihet mirëfilli se mandati aktual i EULEX-it përfundon në qershor 2016”, thuhej në deklaratën e EULEX-it lidhur me themelimin e Dhomave të Specializuara.
Mosvotimi i Gjykatës Speciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme!
Opinion Nga Faik KRASNIQI/
Duke e parë se cilët deputetë të PDK-së votuan kundër, cilët deputetë nuk morën pjesë fare në votim dhe dy të tjerë që abstenuan, deputetë që janë besnikë të liderit të PDK-së, shihet qartë që votimi i Gjykatës Speciale nga ana e PDK-së, ka qenë e tëra teatër dhe e orkestruar që të dështojë që në fillim nga lidershipi i kësaj partie! Kjo e gjitha është një lojë e Hashim Thaçit, për qëllimet e tij madhore! Bashkësia Ndërkombëtare për shkak të numrave të nevojshme në Kuvend, e dha ”aminin” që të formohet ky koalicion, në mënyrë që të votohet Gjykata Speciale! Por edhe pse këto dy parti e morën përsipër dhe dhanë garanci Bashkësisë Ndërkombëtare që pa asnjë problem do ta votojnë Gjykatën Speciale, dështuan dhe i zhgënyen edhe miqtë tanë ndërkombëtare! Unë pres që do të votohet Gjykata Speciale edhe nga deputetët e PDK-së, sepse e gjitha kjo ka qenë lojë e kësaj partie, për qëllimet e tyre madhore karshi Bashkësisë Ndërkombëtare!
Këtë vit Kosova do të ketë zgjedhje të reja!
Ky koalicion i krijuar nga dy partitë më të urryera, prej pas luftës në Kosovë, prej fillimit ka qenë i zorit dhe i dështuar, sepse është krijuar nga njerëz të të dyja partive, që për interes kanë pasur jo qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e shtetit, por mbrojtjen e biznesve të tyre dhe përmes pushtetit ta zhvasin akoma më shumë shtetin dhe popullin, në mënyrë që ta mbajnë monopolin dhe zhvillimin e mëtujeshëm të aktiviteteve të tyre kriminale! Edhe LDK-ja e dinë që PDK-ja koalicionin me ta e ka bërë, për t’i shpëtuar shkuarjes në opozitë, sepse të gjithë e dimë që pas krijimit të koalicionit VLAN, PDK-ja u mbështet për muri dhe shpëtimi i vetëm i tyre ishte koalicioni me LDK-në! Prandaj edhe ky koalicion mori ”aminin” e Bashkësisë Ndërkombëtare, në mënyrë që ta votojnë Gjykatën Speciale, me që këto dy parti kishin shumicën parlamentare! Por pas dështimit të votimit të Gjykatës Speciale, llogaritë e ndërkombëtareve dolën të jenë të gabuara, sepse qëllimi i PDK-së që nga fillimi ka qenë prishja e këtij koalicioni dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja! Edhe kështu do të ndodhë! Gjatë vjeshtës PDK-ja do të jetë ajo që do ta prishë këtë koalicionin dhe do ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, koalicion që nuk po i sjell asgjë të mirë këtij vendi, por si gjithmonë vetëm pushtetarëve dhe bizneseve kriminale që janë të lidhura ngushtë me këta mafiozë të politikës! Padyshim që PDK-ja e shehë veten si fituese, sepse me një LDK që dy herë i dha goditje vetes dhe e humbi pjesën më të madhe të elektoratit të saj dhe me një opozitë të lodhur dhe pa alternativë, jo vetëm që do t’i fitojë zgjedhjet, por do t’i deklasoj të gjitha partitë aktuale, sepse PDK-ja ka arritur ta ruaj elektoratin e saj, madje edhe e ka rritur! Dhe kanë të drejtë që e prishin koalicionin, sepse janë bindshëm më të fortë se gjitha partitë aktuale në Kosovë! Duke e njohur karizmin dhe ambiciet e Hashim Thaçit, që nuk toleron gjatë të jetë i dyti, brenda këtyre 3-4 muajve më së largu, do ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, që të rikthehet prapë kryeministër i Kosovës, e me një fitore bindëse, tre postet kryesore shtetërore PDK-ja t’i mbaj për vete! Plus kur t’ia shtojmë këtu edhe ambiciet e mëdha të Kadri Veselit, atëherë këtë mundësi e bën akoma më të madhe! Kështu që shumë shpejt do të kemi zgjedhje të reja! Por edhe nëse PDK-ja brenda këtyre tre-katër muajve nuk e dërgon vendin në zgjedhje dhe e pret momentin akoma më të volitshëm për ta bërë një gjë të tillë, dhe pasi të votohet Gjykata Speciale, Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta pres PDK-në që ta prish këtë koalicion, e cila që nga fillimi ka qenë e përgatitur për këtë gjë, por gjatë vjeshtës vetë ndërkombëtarët do të jenë ata që do ta prishin koalicionin dhe vendin do ta dërgojë në zgjedhje, sepse këto dy parti ranë nga testi dhe e dëshmuan që nuk janë të afta të udhëheqin Qeverinë, e lëre më të votojnë ligje madhore, edhe pse kanë shumicën parlamentare për të qeverisur!
Kongresisti Engel: Krijimi i Speciales nga Kosova, zgjidhja më e mirë
Thaçi : Kosova do ta themelojë Gjykatën Speciale
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha për gazetën austriake Der Standard se institucionet e Kosovës edhe pas vendimit janë të përkushtuara që të themelojnë Gjykatën Speciale.“Ka pasur shumë akuza për situata të paqëna dhe shpifje kundër luftës së drejtë të popullit të Kosovës për pavarësi. Ne jemi të vendosur për të pastruar emrin dhe trashëgiminë tonë. Gjykata Speciale është instrumenti ynë për t’i mbyllur një herë e përgjithmonë të gjitha spekulimet dhe akuzat që janë drejtuar ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj atyre që na mbështetën”, ka thënë Thaçi për Der Standard.
Ai shpreh bindjen se Gjykata Speciale do të themelohet nga institucionet e Kosovës. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, sipas Thaçit, tani janë duke punuar për të tejkaluar këto detaje dhe për të miratuar draft-ligjin e prezantuar, i cili do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Kurse, i pyetur për mosvotimin e deputetëve të PDK-së herën e kaluar, Thaçi u shpreh se në PDK respektohet çdo opinion dhe vendim i deputetëve, por se do të vazhdojnë të flasin me deputetët për t’iu ofruar informacione dhe garanci shtesë në çështjet që ata po i kundërshtojnë.
“Ne do të sigurohemi që sa më shpejt projektligji të miratohet në Kuvend. Po ashtu do të evitojmë dhe parandalojmë çdo ndikim nga politika ditore”, tha Thaçi për Der Standard, transmeton KosovaPress.
E përditshmja austriake, Thaçin e ka pyetur edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin ai ka thënë se Kosova është një shembull i bashkëpunimit në një rajon që ka vuajtur mjaft gjatë nga luftërat dhe konfliktet.
“Në këtë raund të dialogut, ne presim që të nënshkruajmë marrëveshje për telekomin, energjinë dhe Asociacionin e Komunave”, nenvizoi Thaçi, duke shtuar se asociacioni do të mbështesë komunat me shumicë të komunitetit serb që të koordinohen dhe të bashkëpunojnë mes vete.
Thaçi tha se “asociacioni do të krijohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ligjet tona tashmë i refe rohen të gjitha dokumenteve kryesore, konventave, përfshirë edhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale”.
Për këtë të përditshme, ai është shprehur se interesi i Kosovës është përsëri i njëjtë me interesin e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje, e cila do të akomodojë komunitetet, por edhe për të siguruar, ruajtur dhe fuqizuar paqen dhe stabilitetin.
Ndërkaq, i pyetur për rolin e Austrisë në fushën e telekomunikacionit gjatë bisedimeve me palën serbe, zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se pret që të finalizohet tash kjo marrëveshje dhe më në fund Kosova të marr kodin e vet telefonik.
“Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm këtu, duke aplikuar në ITU për kod shtetëror, i cili do të përdoret nga Kosova. Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Thaçi, raporton Der Standard.
Këto marrëveshje, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, janë duke ndihmuar për të ndërtuar besimin dhe për të nxitur pajtimin mes dy shteteve dhe popujve, të Kosovës dhe Serbisë. /KosovaPress/
Hooper: Dështimi i votës për Gjykatën dëmton rëndë marrëdhëniet me SHBA
Nga Keida Kostreci/VOA/
Një ekspert i çështjeve të Ballkanit thotë se dështimi i miratimit të legjislacionit për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, dëmton rëndë marrëdhëniet dyplaëshe me Shetet e Bashkuara. James Hooper, Drejtor Menaxhues i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Politikat, i tha dje në një intervistë Zërit të Amerikës se hapat e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik rrezikohen nga ky dështim. Ai i tha koleges Keida Kostreci se shpreson që Kosova të gjejë një mënyrë për ta votuar përsëri legjislacionin, pasi sipas tij në të kundërt do të fillonte destabilizimi i Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, sot parlamenti i Kosovës nuk arriti të miratojë legjislacionin për ndryshimet kushtetuese që do të bënin të mundur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për Krimet e Luftës. Çfarë do të thotë kjo, sipas mendimit tuaj?
James Hooper: Kjo i dëmton rëndë marrëdhëniet dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Mendoj se kjo është shumë serioze dhe shpresoj që tani të mbizotërojnë mendjet më të ftohta. E kuptoj që ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë që u duhej të merrnin kosovarët dhe nuk dua ta minimizoj. Ishte një nga vendimet më të rëndësishme që u është dashur të merrnin që kur mbaroi lufta në vitin 1999, sepse gjykata është konsideruar nga shumë vetë në Kosovë si një proces që ngre pyetje për legjitimitetin e luftës, legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo ka shkaktuar një ankth dhe pakënaqësi të konsiderueshme mes ish-anëtarëve të UÇK-së dhe mes qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, të cilët e kanë parë këtë si një kërcënim për të ardhmen e tyre, që vë në pikëpytje legjitimitetin e të qenurit shtet. Ajo që mund të them është se Kosova ka ndërmarrë kaq shumë hapa pozitivë, si fitorja e luftës me NATO-n si partnere në vitin 1999, shpallja e pavarësisë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare. Gjatë gjithë këtyre hapave Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithnjë në krah të Kosovës. Është bindja ime që Kosova ka grunbulluar shumë kapital përsa i takon vullnetit të mirë nga komuniteti ndërkombëtar. Mund të thuhet që kjo u konsolidua nga marrëveshja e para dy viteve në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës që krijoi mundësinë për hedhjen e hapave përpara. E gjithë kjo e ka vënë Kosovën në një situatë që nuk i duhet të shqetësohet për lirinë e tyre, për pavarësinë e tyre, nuk kërcënohet nga ndonjë sulm, që mund të përqendrohen tani tek ndërtimi i vendit, i shoqërisë së tyre, zgjidhja e problemeve të shoqërisë. Por kjo (ky vendim) do të ishte një kthim prapa, sepse e kthen debatin – dhe mendoj në një mënyrë emocionale për Kosovën – tek legjitimiteti i saj si shtet tek pavarësia dhe (shqiptarët e Kosovës) do të kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në gjithë rajonin për këtë çështje.
Unë u befasova vërtet që me gjithë inkurajimin që Shtetet e Bashkuara i dhanë Kosovës për ta ndihmuar që të arrinte të merrte një vendim që gjithkush në Uashington e kuptonte sesa i vështirë ishte, pra pavarësisht nga kjo Asambleja nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej dy të tretash.
Zëri i Amerikës: Në këtë pikë, a mendoni se mund të bëhet diçka për të ndryshuar vendimin e sotëm dhe cili do të ishte sugjerimi juaj?
James Hooper: Nuk besoj se është vonë. Ky nuk duhet të jetë votimi i fundit dhe përfundimtar për këtë çështje i banorëve të Kosovës përmes deputetëve që i përfaqësojnë. Unë do t’u bëja thirrja autoriteteve të gjejnë një mënyrë për të patur një votim të ri. Të mos nxitohen, ta shqyrtojnë edhe një herë situatën, të analizojnë dëmin që do t’i shkatonin marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Ky votim në këtë formë, do t’u shkaktonte dëm serioz marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara në se nuk do të korrigjohej. Kosova duhet të gjejë një rrugë, të gjejë një zgjidhje që Gjykata të krijohet dhe në të njejtën kohë të ruhen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Nuk dua në asnjë mënyrë të minimizoj rrezikun që vendimi i së premtes përmban për marrëdhëniet e Shteteteve të Bashkuara me Kosovën. Ky ishte një vendim serioz që do të shkaktonte dëme të mëdha.
Zëri i Amerikës: Më konkretisht, cilat mendoni se do të jenë pasojat jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe me Uashingtonin, por edhe me kryeqytetet evropiane që e kanë mbështetur Kosovën dhe tek e ardhmja e saj?
James Hooper: Dhe sidomos Gjermania, mes vendeve mike evropiane. Gjermania ka ndërmarrë përpjekje serioze dhe të vazhdueshme, për të ndërmjetësuar marrëdhënie më të mira mes Serbisë dhe Kosovës, që marrëveshja për Veriun të zbatohet në mënyrë konstruktive dhe për të inkurajuar Serbinë të pranojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, gjë që unë mendoj se është diçka me rëndësi kritike që duhet të ndodhë. Nëse ky votim do të lejohet të qëndrojë në fuqi, kjo do të ishte një hap i madh prapa për marrëdhëniet me Evropën, pa folur për SHBA. Siç e kam përmendur, ky do të ishte një hap prapa në marrëdhëniet me SHBA, do të ishte një humbje e besimit në këto marrëdhënie dhe sidomos në Kongres. Do të ishte më e vështirë për miqtë e Kosovës në Kongres ta mbështesnin atë me të njëjtën forcë si në të kaluarën. Por në Evropë, kjo do të dëmtonte përpjekjet për ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe për të krijuar shtegun drejt anëtarësimit. Është gjithashtu një hap prapa për marrëdhëniet e Kosovës në përpjekjet për të hyrë në NATO, gjë që mendoj se ka rëndësi kritike. Prandaj mendoj se për hir të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA dhe me Evropën, për hir të së ardhmes së saj në NATO dhe në BE, është e nevojshme që ajo të ndërmarrë një votim të ri dhe ta miratojë ligjin.
Zëri i Amerikës: Alternativa tjetër, për të cilën Kosova ishte paralajmëruar që të mos ta lejonte të ndodhte, është ngritja e një gjykate të tillë nga Këshilli i Sigurimit, sipas një propozimi rus. Çfarë do të thoshte kjo – nëse nuk zgjidhet çështja e alternatives që dështoi dje – dhe alternativa e Këshillit të Sigurimit mbetet e vetmja mbi tryezë?
James Hooper: Ky do të ishte një skenar edhe më i keq se sa ta miratonin krijimin e gjykatës. Kjo do të thotë në fakt që Shtetet e Bashkuara të bëhen partnere me Rusinë për një Gjykatë të krijuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që nuk do të shihej si legjitim nga banorët e Kosovës. Ndërsa Gjykata që do të krijohej nga vetë parlamenti, do të gëzonte mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara duke u siguruar që ajo do të ishte një gjykatë e drejtë përsa u përket procedurave dhe jo një gjykatë politike. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të besohen për këtë. Ndërsa krijimi i gjykatës nga Këshilli i Sigurimit do të ishte fillimi i një procesi që shënon kthim pas, ku gjerat përkeqësoshen dhe alternativat për Kosovën do të keqësohen. Në se kjo Gjykatë, që mbështetet nga Shtetet e Bashskuara nuk pranohet, si do ta shikonin kosovarët gjykatën e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit….
Zëri i Amerikës: Ndoshta ata nuk duan krijimin e asnjë gjykate, por ç’do të ndodhte në se Gjykata krijohet pa dëshirën e tyre (Kosovës)?
James Hooper: Në se Gjykata nuk miratohet, në se kosovarët këmbëngulin që të mos pranojnë asnjë gjykatë, as atë të tanishmen, as atë të Këshillit të Sigurimit, e cila po ashtu do të mbështetej nga Shtetet e Bashkuara por në të cilion Shtetet e Bashkuara nuk do të luanin dot më një rol konstruktiv, pasi kur gjerat kalojnë në Këshillin e Sigurimit, ka edhe aktorë të tjerë të përfshirë, sidomos Rusia, kjo do të shënonte kthim pas për Kosovën dhe në vend që të gjendeshin forma për t’i çuar përpara marrëdhëniet me Evropën, me NATO-n, forcimin e ekonomisë, atëhere do të kishim një skenar kur lufta për pavarësinë do të hynte në kanale ligjore, emocionet do të shtoheshin, njerëzit do të kërkonin gjeste simbolike, vendime simbolike, do ta vishnin veten me flamur, nacionalizmi do të shtohej në Kosovë dhe në situata të tilla, nuk ka ecje përpara, ka kthim pas. Në se situata nuk ndryshon unë shoh fillimin e destabilizimit të Kosovës. Dhe kjo do të ishte një pasojë shumë serioze.