Haradinaj fton qytetarët e Kosovës që ta nënshkruajnë peticionin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka ftuar qytetarët e Kosovës që ta nënshkruajnë “peticionin kundër qeverisjes së keqe dhe marrëveshjeve të fundit që qeveria e Kosovës i ka bërë me Serbinë dhe me Malin e zi”. Ai tha se, “ky peticion është i të gjithë qytetarëe dhe jo i partive politike, kështuqe të gjithë ata që e konsiderojnë të nevojshme nënshkrimin e këtij peticioni, me këtë e forcojnë kundërshtimin e përbashkët të marrëveshjeve që po e dëmtojnë Kosovën”.
Haradinaj tha se, “këto marrëveshje nuk janë të dëmshme vetëm në fushën e rendit dhe të ligjit, por janë marrëveshje të dëmshme ekonomike dhe financiare, të cilat po e degradojnë Kosovën”.
“Peticioni që nisi të nënshkruhet sot është projekt i përbashkët i tre partive opozitare VV, AAK dhe Nisma”, ka thënë Haradinaj.(bJ)
Trepça, pasuri e një rëndësie të përjetshme për Kosovën
-Haradinaj: Është urgjente njohja e ndërjesllë e Kosovës dhe Serbisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Shtator 2015/ “Trepça është një pasuri e një rëndësie të përjetshme për Kosovën”, ka deklaruar sot Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai gjatë një vizite në Kombinatin Trepça, tha se Kosova në asnjë situatë nuk guxon ta humbas pronësinë mbi Trepçën, por se duhet të gjendet një partner publiko-privat, që do ta aktivizonte këtë gjigand të fjetur të ekonomisë kosovare.
“Administrimi i mëtutjeshëm i Trepçës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është zhvillim, as i Trepçës e as i ekonomisë së Kosovës përmes saj, por administrim i gjendjes së saj egzistuese, që është koncept i gabuar e i papranueshëm”, tha Haradinaj.
“Riaktivizimi i Trepçës në gjithë kapacitetin e saj, nënkupton zhvillim për tërë vendin, prandaj institucionet e Kosovës duhet të merren urgjentisht me këtë çështje. Situata siç është tani është e papranueshme”, u shpreh lideri i partisë opozitare AAK.
Po sot, Ramush Haradinaj, në një tryezë politike me temën “ndërtimi i raporteve shqiptaro-serbe” që u mbajt në Mitrovicë, e ku morën pjesë përsonalitete të rëndësishme nga jeta politike si përfaqësues diplomatikë nga shumë vende, tha se është urgjente njohja e ndërjesllë e Kosovës dhe Serbisë. Çdo vonesë në këtë proces, tha ai, po krijon vakum dhe keqkuptime të shumta. Haradinaj tha se në këtë proces rol vendimtarë mund të luaj faktori ndërkombëtar.
Duke folur për Bashkimin Evropian, ai tha se BE-ja po tregohet e pasuksesshme në Ballkan. “Rasti I Kosovës e cila vazhdon akoma të jetë në një fazë tranzicioni, rasti i moszgjidhjes së çështjës së emrit të Maqedonisë si dhe Greqia, janë vetëm disa shembuj mossuksesi të BE-së në Ballkan”, citohet Haradinaj në njoftimin e AAK-së.
Haradinaj tha se konferenca e sotme është një rast i mirë që të harrohen tabutë dhe gjërat të thuhen hapur.
“Kosova duhet ta përfundojë atë që quhet fazë e tranzicionit dhe të përfshihet seriozisht në të gjitha proceset integruese”, përfundoi ai.
Haradinaj: Qeveria e Kosovës ka miratuar një version të gabuar të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Gusht 2015/ Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot në një konferencë shtypi lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi shprehu shqetësimin e tij dhe të partisë që drejton lidhur me “verzionin e gabuar të propozuar dje nga Komisioni për demarkacion qeverisë së vendit”.
“Shqetësimi i Aleancës është në punën e Komisionit tonë për demarkacion, që mendojmë që i ka propozuar qeverisë së vendit. Pra, verzioni të cilin fatkeqësisht dje qeveria e Kosovës dhe kryeministri Mustafa e miratuan është i gabuar. Ne jemi të shqetësuar me këtë drejtim të qeverisë, e cila ka miratuar dje një verzion të gabuar të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, i cili nuk është në Qafën e Çakorrit, por është në brendi të Grykës së Rugovës dhe i cili nuk është në urën e Zhlebit, por është në brendi të territorit të Kosovës”, tha Haradinaj.
Tani, vijoi ai, këtë konferencë e kam thirrur, meqenëse nuk jam në Parlament, që t’i them kryeministrit, zëvendësit të tij dhe tërë qeverisë – ndaluni.
“Ndaluni, se jeni gabim. Ndaluni, se populli ju ndalë, por më mirë është të ndaleni vet. Pra, është bukur e thjeshtë porosia ime për ata. Në rast se ata vërtetë dëshirojnë ta dijnë të vërtetën, i ftoj që të shkojnë dhe ta shohin këtë të vërtetë. Të luhet fshehtas me kufirin ashtu siç është luajtur me Trepçën është e tepërt. Po bëhet një ofendim i intelektit të secilit prej nesh, por ka kaluar në abuzim kjo retorikë e tyre. Nuk po bëhet fjalë as për milimetra as për metra, por po bëhet fjalë për mbi 10 mijë hektarë territor të Kosovës. Po bëhet fjalë që dy milionë qytetarë të vendit do të jenë të varfëruar nga ky veprim i gabuar i qeverisë. Nuk është vetëm e Rugovës, as vetëm e Dukagjinit, por është edhe e Kosovës”, tha kryetari i AAK-së.
Kryetari Haradinaj tha se Aleanca dhe Kosova, në përgjithësi, e konsiderojnë Malin e Zi një fqinj të mirë, i cili na ka njohur dhe i cili ka bërë veprime të cilat janë në dobi të fqinjësisë dhe u shpreh se nuk mendon që ka dorë ose gisht asnjë qeveri e huaj, asnjë institucion relevant ndërkombëtar dhe madje as Podgorica zyrtare dhe se ky është problem i logjikave tona.
“Thirrja ime për t’u ndalur nuk është luftë për pushtet. Nuk ka të bëjë kjo me vota, por ka të bëjë me një testament të brezave për territorin që e kemi. Nuk kanë të drejtë këta njerëz të shkojnë në këtë drejtim. Pikërisht, në atë trevë për të cilën po flasim ka luftëra dhe luftëra, e legjenda e legjenda, është e larë me gjak dhe është testament. Qeveritarët gabojnë rëndë, nëse mendojnë se pushteti ua mundëson ta bëjnë këtë”, u shpreh Haradinaj duke përfunduar se si qytetar nuk e pranon këtë vijë kufitare.