Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Gusht 2015/ Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot në një konferencë shtypi lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi shprehu shqetësimin e tij dhe të partisë që drejton lidhur me “verzionin e gabuar të propozuar dje nga Komisioni për demarkacion qeverisë së vendit”.
“Shqetësimi i Aleancës është në punën e Komisionit tonë për demarkacion, që mendojmë që i ka propozuar qeverisë së vendit. Pra, verzioni të cilin fatkeqësisht dje qeveria e Kosovës dhe kryeministri Mustafa e miratuan është i gabuar. Ne jemi të shqetësuar me këtë drejtim të qeverisë, e cila ka miratuar dje një verzion të gabuar të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, i cili nuk është në Qafën e Çakorrit, por është në brendi të Grykës së Rugovës dhe i cili nuk është në urën e Zhlebit, por është në brendi të territorit të Kosovës”, tha Haradinaj.
Tani, vijoi ai, këtë konferencë e kam thirrur, meqenëse nuk jam në Parlament, që t’i them kryeministrit, zëvendësit të tij dhe tërë qeverisë – ndaluni.
“Ndaluni, se jeni gabim. Ndaluni, se populli ju ndalë, por më mirë është të ndaleni vet. Pra, është bukur e thjeshtë porosia ime për ata. Në rast se ata vërtetë dëshirojnë ta dijnë të vërtetën, i ftoj që të shkojnë dhe ta shohin këtë të vërtetë. Të luhet fshehtas me kufirin ashtu siç është luajtur me Trepçën është e tepërt. Po bëhet një ofendim i intelektit të secilit prej nesh, por ka kaluar në abuzim kjo retorikë e tyre. Nuk po bëhet fjalë as për milimetra as për metra, por po bëhet fjalë për mbi 10 mijë hektarë territor të Kosovës. Po bëhet fjalë që dy milionë qytetarë të vendit do të jenë të varfëruar nga ky veprim i gabuar i qeverisë. Nuk është vetëm e Rugovës, as vetëm e Dukagjinit, por është edhe e Kosovës”, tha kryetari i AAK-së.
Kryetari Haradinaj tha se Aleanca dhe Kosova, në përgjithësi, e konsiderojnë Malin e Zi një fqinj të mirë, i cili na ka njohur dhe i cili ka bërë veprime të cilat janë në dobi të fqinjësisë dhe u shpreh se nuk mendon që ka dorë ose gisht asnjë qeveri e huaj, asnjë institucion relevant ndërkombëtar dhe madje as Podgorica zyrtare dhe se ky është problem i logjikave tona.
“Thirrja ime për t’u ndalur nuk është luftë për pushtet. Nuk ka të bëjë kjo me vota, por ka të bëjë me një testament të brezave për territorin që e kemi. Nuk kanë të drejtë këta njerëz të shkojnë në këtë drejtim. Pikërisht, në atë trevë për të cilën po flasim ka luftëra dhe luftëra, e legjenda e legjenda, është e larë me gjak dhe është testament. Qeveritarët gabojnë rëndë, nëse mendojnë se pushteti ua mundëson ta bëjnë këtë”, u shpreh Haradinaj duke përfunduar se si qytetar nuk e pranon këtë vijë kufitare.