• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MALËSORË MË 3 MARS VOTONI PËR TË MARRË FATIN NË DUART TUAJA!

February 26, 2019 by dgreca

2Harry-Bajraktari-potret-240x300    Nga Harry Bajraktari*/

Më 3 Mars, të dielën, shqiptarët e Malësisë së Madhe në Mal të Zi do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim në komunën e Tuzit, e cila pas shumë përpjekjeve politike u themelua në Shtatorin e vitit të kaluar.

1-koalicioni-Tuz-291x300

Ne Foto:Koalicioni Shqiptar per Komunen e Tuzit/

Këto zgjedhje janë historike, duke marrë parasysh të kalurën e kësaj krahine, e cila është lënë anash nga pushteti, më herët në kohën e komunizmit dhe më vonë pas rënies së tij.

Partitë politike të Malësisë së Madhe të komunës Tuz: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve në këto zgjedhje për herë të parë po dalin në një listë të përbashkët (koalicion) për zgjedhjet lokale që do të mbahen të Dielën më 3 Mars. Ky është koalicion parazgjedhor dhe shumë i favorshëm për të marrë në duart e veta fatin e Malësisë së Madhe: zhvillimin ekonomik, ruajtjen e identitetit, zgjërimin e rrjetit shkollor dhe ndaljen e migrimit të shqiptarëve nga kjo krahinë e madhe, e cila përbëhet nga shumë fshatra, të cilat nga mos perspektiva me dekada të tëra braktisën trojet e tyre dhe dolën në botën perëndimore, sidomos në SHBA. Nga regjistrimi I vitit 1981 e deri në regjistrimin e fundit 2011 shihet rënie e numrit të banorëve jo vetëm në Malësinë e Madhe, por edhe në trevat tjera shqiptare siç janë Ulqini, Ana e Malit, Tivari, Plava e Gacia, Rozhaja e lokalitete të tjera shqiptare. Një numër mbi 5% e shqiptarëve është në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë.

Komuna e Tuzit përbëhet nga shumica shqiptare, që do të thotë se tani është rasti historik të udhëheqet nga vetë ata. Në vitin 1975 në Tuz u hap gjimnazi në gjuhën shqipe, ku pas kryerjes së tij, shumë malësorë u regjistruan në fakultete të ndryshme në Prishtinë dhe në shkollat e larta në Gjakovë, Prizren e Pejë. Këto kuadro të shkolluara nga Malësia e Madhe, për fat të keq nuk mundën të gjenin punë në trevën e tyre të varfër e të pazhvilluar, andaj u detyruan të emigronin jashtë krahinave të tyre. Malësia e Madhe ka dhënë shumë atdhetarë e personalitete të artit dhe kulturës shqiptare, si Dedë Gjo Lulin,  shkrimtarin Martin Camaj e piktorin Gjelosh Gjokaj, i njohur në përmasat evropiane e shumë personalitete të tjera.

Nga kjo anë shqiptare sot ka shumë malësorë të vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si në Detroit, New York dhe në shtetet tjera amerikane. Nga këtu, ata në forma të ndryshme kanë ndihmuar dhe mbështetur atdheun, si vendasit e tyre në Mal të Zi, e sidomos kanë ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, qoftë duke marrë pjesë në demonstrata në Washington dhe New York pranë OKB-se, qoftë materialisht dhe së fundmi duke marrë pjesë edhe në radhët e UÇK-së.

Pra, kur merret parasysh ndjenja e dashurisë ndaj trojeve tona etnike dhe kontributi i tyre që dhanë malësorët nga SHBA për kombin, një kthim borxhi për ta, do të ishte dalja masive e banorëve të Malësisë së Madhe në votimet e së dielës më 3 Mars. Kësaj thirrje, këtij obligimi, besoj se t’i bahkohen edhe malësorët në SHBA dhe ata që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, dhe që kanë të drejtë vote.

Malësorë, merreni si obligim moral e kombëtar, kudo që jetoni e keni të drejtë vote, të dilni masivisht dhe votën tuaj ta jipni për “Forumin Shqiptar”, përkatësisht për listën zgjedhore “Malësia na Bashkon”, për komunën tuaj Tuzin. Në këtë mënyrë ju votoni për perspektivën tuaj, për zhvillimin ekonomik të Malësisë së Madhe, për krijimin e vendeve të punës, shkollimin e fëmijëve, dhe së fundmi, për lumturinë e familjeve dhe fëmijëve tuaj.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

Filed Under: Politike Tagged With: 3 Mars, fati ne dura Tuaja, harry bajraktari, malesore, Votoni

KOSOVA, NJOHJE RECIPROKE BRENDA KUFIJVE TË SOTËM

January 15, 2019 by dgreca

PËR KOSOVËN NUK ËSHTË I PRANUESHËM ASNJË OPSION TJETËR PËRVEÇ NJOHJES RECIPROKE BRENDA KUFIJVE TE SOTËM/

1.-Harry-Bajraktari-potret-240x300

Nga  Harry Bajraktari*/

Gjatë këtij viti, edhe pse nuk ka një datë të caktuar, pritet të përfundojnë bisedimet e stërzgjatura mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve me ndërmjetësimin e Bashkësisë evropiane. Në këto bisedime ka nevojë për një qartësi strikte se çka mund të negociohet e çka jo me Serbinë. Delegacioni i Kosovës, i cili mori votat e parlamentit, ka obligim shtetëror të reagojë ashpër ndaj ideve dhe tezave të përfolura, ngado që vijnë ato, brenda apo jashtë, që janë në kundërshtim me Kushtetutën, si ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve, korrigjimi i kufijve dhe ndaj ndonjë ideje tjetër që dëmton pavarësinë dhe sovranitetin territorial të saj. Një veprim i tillë çon në destabilizim jo vetëm të vendit tonë, por edhe të rajonit. Ndarja e Kosovës, është tezë e vjetër serbe, që është përsëritur shumë herë dhe po tentohet të futet edhe në këto bisedime në Bruksel. Ekipi ynë negociues duhet të vendosë vijat e kuqe dhe nga tavolina e bisedimeve të përjashtojë të gjitha këto tendenca të rrezikshme për Kosovën.

Kosova me Serbinë mund të bisedojë vetëm për njohjet reciproke si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane. Vetëm në këtë mënyrë mund të vazhdohen bisedimet, ku në fund të tyre duhet të bëhet njohja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kosova ka kufijtë e vet të definuar dhe të njohur ndërkombtarisht prej shumicës së shteteve të botës, e në mesin e tyre të SHBA dhe të shumicës së vendeve të Bashkësisë Evropiane. Kufijtë e saj janë të përcaktuar me Kushtetutë dhe janë të paprekshëm. Nen 1 i Kushtetutës thotë: “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Çdo shtet në botë, i mbron kufijtë e vet në bazë të Kushtetutës dhe për ne kufijtë janë të shenjtë dhe të pacenueshëm.

Për këta kufij është bërë sakrificë e madhe e popullit tonë për shumë kohë, e sidomos në luftën e fundit, për të hequr zgjedhën robëruese serbe. Kanë rënë shumë dëshmorë, janë masakruar njerëz të pafajshëm të të gjitha moshave, një numër i madh i tyre edhe sot nuk dihet se ku i hodhi ushtria dhe policia serbe. Historia e këtyre kufijve është e dhimbshme dhe e prekshme, prandaj, askush nuk ka të drejtë të luajë me ta, kushdo qoftë ai, apo kushdo qofshin ata, jashtë apo brenda. Kjo çështje ka marrë fund në qershorin e vitit 1999.

Këta kufij sot i ruajnë forcat e NATO-s, aleatët tanë me të cilët e fituam lirinë dhe pavarësinë. Tash kemi edhe ushtrinë tonë, e cila gradualisht do të ngrisë kapacitetet e saj në mbrojtje dhe do të jetë faktor paqje në rajon.

Sa i përket problemit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, që kanë mbetur jashtë territorit të Kosovës, politika shqiptare duhet të angazhohet dhe të bëjë presion të vazhdueshëm te Bashkësia ndërkombëtare që ata t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që i kanë sot serbët dhe pakicat tjera që jetojnë në Kosovë.

Obligim i ynë shtetëror mbetet ta ruajmë vendin nga armiqtë tradicionalë, ta forcojmë demokracinë dhe, ajo çka është e rëndësishme, të bëhemi pjesë e NATO-s, të përqëndrohemi në zhvillimin ekonomik, të krijojmë kushte më të mira për jetë të qytetarëve dhe të ecim drejtë integrimit dhe bashkimit evropian.

Bisedimet në Bruksel kanë kuptim vetëm nëse ato përfundojnë me njohje mes Kosovës dhe Serbisë brenda këtyre kufijve dhe Kosova të marrë ulësen e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në të kundërtën do të jetë humbje kohe.

 

 

 

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

 

New York

14 Janar, 2019

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, kosova, NJOHJE RECIPROKE

NË BISEDIME ME SERBINË OSE BASHKË OSE TË DËMTUAR

November 15, 2018 by dgreca

1.-Harry-Bajraktari-potret-240x300  Nga Harry Bajraktari*/

Kosovën tash dhe në muajt e ardhshëm e presin ditë vendimtare rreth bisedimeve politike me Serbinë. Ne ende nuk e kemi një ekip të përbashkët dhe nuk e kemi të qartë se çka po duam me këto negociata para Bashkësisë Ndërkombtare. Duhet të veprojmë me një zë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe askush nuk ka të drejtë të bisedojë pa një vendim të Kuvendit. Këtë e kanë obligim ata që u zgjedhën me votën e popullit. Territori është e panegociueshëm dhe, gjthashtu, disa çështje të tjera që janë në interes jetik të shtetit dhe të qytetarëve tanë. Pra, duhet t’i thuhet qartë Brukselit dhe shteteve aleate të vendit tonë se çka mund e s’ mund të bisedohet me Beogradin. Të gjitha këto duhet të harmonizohen dhe ta kenë miratimin e Kuvendit, si institucion shtetëror i vendim marrjes.

Këto bisedime deri me tash, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane në Bruksel, nuk dhanë as për së afërmi rezultatet e pritura në zgjidhjen e mospajtimeve që ekzistojnë në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Me serbinë po negociohet më shumë se pesë vite, dhe për një numër çështjesh janë nënshkruar disa marrëveshje nga pala kosovare dhe ajo serbe. Problemi i këtyre marrëveshjeve të arritura, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane, është  se Beogradi nuk bën implementimin e tyre, përkundër zotimeve që ka dhënë në Bruksel. Në anën tjetër, Serbia edhe pse “bisedon” me Kosovën gjoja për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, ajo për asnjë çast nuk e ndal destukcionin kundër vendit tonë. Mu për këtë Qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje, këto ditë ndërmori një masë për rritjen e taksës ndaj mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia. Beogradi kur është në pyetje problematika e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, gjithnjë nxjerrë pretekse të reja, të pa qena për të gjetur diçka që të refuzojë implementimin e tyre, duke i kushtëzuar ato me çështje të tjera të inskenuara. Edhe tash pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës, thotë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut për derisa nuk tërhiqet Prishtina nga kjo masë.

Është pyetje e thjeshtë: a ka në këtë drejtim diçka që ne mund të kritikojmë vetveten? Mendoj se po. Po kalon një vit, duke pritur formimin e një këshilli apo ekipi të përbashkët negociues, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e të gjitha partive politike në këto bisedime. Kjo pritje duket e kotë, sepse subjektet politike në Kosovë, për fat të keq, zhvillojnë luftë mes veti, në vend se të jenë të bashkuar kundër pretendimeve, qëllimeve dhe djallëzive serbe. Pozitë dhe opozitë kundërshtojnë njëra tjetrën për interesa personale partiake, se sa që marrin në fokus çështjen madhore, siç janë bisedimet me palën serbe.

Për bisedimet me Serbinë duhet të jemi bashkë, ose në të kundërtën, me sy çelë, po shkojmë drejt një rruge qorre në dëm të shtetit dhe të popullit tonë. Por, për këtë çështje përgjegjësia nuk mund të jetë e njëanshme, ajo është e përbashkët, pra e të gjithë subjekteve politike dhe institucioneve shtetërore që morën votën e popullit, duke mos amnestuar askënd nga kreu deri tek i fundit.

Nëse negociatat do të duhej të përfundojnë në vitin e ardhshëm, siç është thënë mes Prishtinës dhe Beogradit, atëherë të ndalemi e të mendojmë, ku jemi ne?!

Në një shkrim të më hershëm kam shfaqur opinionin tim se është i domosdoshëm formimi i një Këshilli të përbashkët ku do të merrnin pjesë Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare që janë në parlament. Vetëm me një zë dhe pjesëmarrje të tillë do të jemi të fortë dhe të barabartë në bisedimet me Serbinë në Bruksel. Pra ekipi i Kosovës, i formuar sipas kësaj skeme të përbashkët,garanton siguri dhe besushmëri para qytetarëve të Kosovës, ku Beogradi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në fund të dialogut duhet ta njohë shtetin e Kosovës pa kushte.

Koha po ec e ne duhet të veprojmë, ta zhvillojmë Kosovën dhe, njëherësh, të garantojmë siguri e prosporitet për qytetarët tanë.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

New York, 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: bashke, bisedime me Serbinë, harry bajraktari

Miku i shqiptarëve, Eliot Engel, në krye të politikës së jashtme të Kongresit Amerikan

November 14, 2018 by dgreca

 

321

Nga Harry Bajraktari*/

Përmbysja më e madhe në zgjedhjet e 6 Nëntorit 2018 ishte vendosja përsëri nën kontrollin e Partisë Demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.

Tani pushteti legjislativ në Washington është ndarë. Republikanët kanë Senatin; Demokratët Dhomën e Përfaqësuesve. Presidenti Donald Trump ka premtuar se do të bashkëpunojë me shumicën e re demokrate në Kongres. Mirëpo, mbetet për t’u parë nëse ndarja e pushteteve do të krijojë më shumë bashkëpunim apo konflikt në Washington.

Për shqiptarët ky ndryshim shënon një moment tjetër historik. Me fitoren e Demokratëve, një figurë që shqiptarët e njohin shumë mirë, kongresisti Eliot Engel, do të bëhet kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës në Kongresin Amerikan.

Kjo do të vendosë në postin e fuqishëm të politikës së jashtme në Capitol Hill, një njeri i cili prej 30 vitesh punon pa u lodhur për çështjen shqiptare, për Shqipërinë, Kosovën, për shqiptarët kudo që jetojnë, për paqen dhe demokracinë në Ballkan.

Nga detyra e re, ai do të ketë më shumë fuqi e mundësi për të na ndihmuar në punën tonë.

Engel ka një përvojë të gjatë në këtë Komitet. Dikur, në vitet e 90-ta, në bashkëpunim me pararendësin e tij republikan nga Nju Jorku, në krye të këtij Komiteti, Ben Gilman, ai organizoi të parën seancë dëgjimore të Komitetit kushtuar tërësisht Kosovës.

Tani që do të jetë vetë kryetar i këtij Komiteti të fuqishëm, Engel nuk do të ketë nevojë t’i lutet dikujt tjetër për të vendosur temat shqiptare në kalendarin e punës të Komitetit.

Sigurisht, pjesa më e madhe e punës për një kauzë nuk bëhet në seanca dëgjimore. Nga posti i ri, Engel do të ketë fuqi më të madhe kur lobon për Shqipërinë, Kosovën e për shqiptarët. Që tani zyra e tij është angazhuar në lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Komiteti mund të kërkojë për shembull më shumë qartësi nga Departamenti i Shtetit për qendrimet amerikane lidhur me bisedimet e fundit Kosovë-Serbi etj.

Duhet të kuptojmë që SHBA ka shumë angazhime në botë. Komiteti i ri, me përbërjen e re, do të ketë prioritete të tjera më të mëdha, e globale. Marrëdhëniet me Kinën, me Rusinë, me Iranin, Korenë e Veriut e Lindjen e Mesme etj. Disa nga problemet e mëdha reflektohen edhe në Ballkan, po rajoni mbetet anësor në politikën e jashtme amerikane.

Të paktën, me Engelin në krye të Komitetit, ne sigurohemi se çështjet që u interesojnë shqiptarëve nuk do të lihen në harresë dhe që SHBA nuk do ta largojë vëmendjen nga rajoni ynë.

Në SHBA, sipas Kushtetutës, Presidenti merr vendimet, po kuletën e mban Kongresi. SHBA ka nismat dhe qendrimet e saj të politikës së jashtme, po financimi i tyre varet nga Kongresi dhe çdo gjë nis në Komitetin e Punëve të Jashtme.

Komiteti që do të drejtojë Engel është përgjegjës për kontrollin dhe legjislacionin për ndihmën e jashtme (përfshi edhe programin MCC ku me ndihmën e kongresistit Engel është përfshirë edhe Kosova si dhe dhjetëra programe të tjera ndihmëse).

Disa nga përgjegjësitë e Komitetit janë edhe financimi i operacioneve paqeruajtëse, përfshi edhe praninë ushtarake në Kosovë, projektet ushtarake në Shqipëri, financimet lidhur me dislokimin e trupave amerikane, agjensi të fuqishme si USAID, Akti për Eksportimin e Armëve, Akti për Ndihmën e Jashtme e legjislacione të tjera që kanë të bëjnë me promovimin e demokracisë, zbatimit të të drejtës ndërkombëtare, etj.

Marrëdhëniet me OKB-në dhe organizata e institucione të tjera ndërkombëtare, janë gjithashtu prerogativë të Kongresit si dhe komiteteve të punëve të jashtme në Dhomë dhe në Senat, ndonëse për shumë nga këto puna e kërkon bashkëpunimin me Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit.

Ne jemi me fat që në krye të këtij Komiteti me ndikim të madh tani do të jetë miku ynë, Eliot Engel.

Më kujtohet 30 vjet më parë, kur i mërzitur nga zhvillimet në Kosovë, trokita në derën e zyrës së tij në Nju Jork, për t’i folur për Kosovën. Eliot Engel sapo ishte zgjedhur në Kongres, nuk dinte asgjë për Kosovën dhe ishte anëtari më i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme, në krye të të cilit do të vihet tani.

Qysh atëhere nisi mes nesh një rrugë e gjatë bashkëpunimi po edhe miqësie personale.

Kosova në atë kohë sapo kishte humbur autonominë në kuadrin e Jugosllavisë. Por vetë Jugosllavia po shpërbëhej e bashkë me rënien e saj u ringrit shpresa jonë historike për liri e pavarësi.

Me Eliot Engelin kemi sjellë udhëheqësit e Kosovës në Washington, kemi bashkëpunuar për rezoluta në Kongres, kemi lobuar Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, zyrtarë jo vetëm amerikanë po të të gjitha vendeve të botës.

Ai hapi të ashtuquajturën Zyrën Amerikane në Prishtinë, duke ngritur flamurin amerikan, në 1996, në zemër të pushtimit serb duke u dhënë guxim dhe besim shqiptarëve të Kosovës. Ka ndikuar në vendimin e Presidentit Bill Clinton për të ndërhyrë ushtarakisht në krye të NATO-s duke çliruar Kosovën.

Bashkë kemi vizituar Kosovën menjëherë pas çlirimit duke parë me lot në sy tokën e të parëve të mi, për herë të parë të lirë. Me vete kishim një legjendë shqiptaro-amerikane, Anthony Athanas, e figura të tjera të komunitetit më të cilët kishim punuar së bashku. Shqiptarët e Amerikës meritojnë respektin e historisë kombëtare shqiptare për çfarë kanë bërë në këto vite.

Engel ishte lobuesi ynë më i madh për sigurimin e mbështetjes amerikane për pavarësinë e Kosovës. Ndonëse ai ishte demokrat dhe George W. Bush ishte republikan, ai la mënjanë ndarjet partiake për të na ndihmuar. Kështu ka vepruar e do të veprojë tani edhe në postin e ri.

Për mua është një nder e krenari që e kam njohur e punuar bashkë me të. Ashtu ndihen edhe shumë miq të mi shqiptaro-amerikanë. Le t’i urojmë mikut tonë një punë të mbarë në këtë post historik dhe urojmë që të shënojë një kapitull të ri të ndritur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Zoti e bekoftë kongresistin Engel! Zoti e bekoftë popullin shqiptar! Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

*Autori është veprimtar dhe bisnesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

 

New York, 2018

Filed Under: Featured Tagged With: Eliot Engel, harry bajraktari, MIKU I SHQIPTAREVE, në krye të politikës së jashtme, te Kongresit Amerikan

USHTRIA E KOSOVËS DO TË JETË FAKTOR I RËNDËSISHËM NË RAJON

October 18, 2018 by dgreca

1.-Harry-Bajraktari-potret-240x300

Nga Harry Bajraktari/

Nju Jork, 18 Tetor 2018/ Pas lirisë dhe pavarësisë, Kosova sot pati një ditë tejet të veçantë. Parlamenti i Kosovës në mënyrë unanime miratoi Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës, përkatësisht në ushtri të shtetit tonë. Miratimi i këtij Projektligji hap rrugën, ku në një të ardhshme të afërt Kosova të bëhet pjesë e NATOS.
Përpjekjet e Kosovës, më në fund, po realizohen që edhe kjo ta ketë ushtrinë e vet që do të ruajë me dinjitet dhe përgjegjësi kufijtë e saj në tërë territorin dhe njëkohësisht do të jetë forcë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Kosova ka bërë përgatitje të suksesshme që ta ketë ushtrinë e saj, duke dërguar vite me radhë pjestarët e FSK në shkollim dhe stërvitje në SHBA dhe në disa vende të tjera evropiane. Kjo forcë e Kosovës, oficerët dhe kadetët e saj, kanë zënë ndër vendet e para në gara të ndryshme, në shtetet ku ato janë organizuar. Ky sukses flet se do të kemi një ushtri profesionale, moderne dhe të përgjegjshme për t’ i dalë zot vendit në situata të ndryshme.
Me formimin e ushtrisë sonë, me hyrjen në NATO të Maqedonisë dhe pastaj të Kosovës në këtë Aleancë Veriatlantike, rajoni i Ballkanit do të përfitojë shumë në aspektin e paqes dhe të sigurisë.
Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e paqes. Ajo do të mbështes të gjithë qytetarët e saj, pa përjashtim, dhe do të ruajë ata nga të gjitha rreziqet e mundshme. Në ketë kontekst Kosova po realizon të drejtën e vet të patjetërsueshme, si çdo shtet tjetër në botë, që ta ketë forcën e vet të armatosur.

Jam shumë i lumtur që Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj t’ju uroj miratimin e Projektligjit për transformimin e FSK në Forcë të Armatosur të Kosovës – në ushtri.
Sot është një ditë e jashtëzakonshme për popullin tonë.

Urime për këtë fitore të madhe, Kosovë!
Harry Bajraktari

Filed Under: Politike Tagged With: faktor ne Rajon, harry bajraktari, Ushtria e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT