NGA HASAN KOSTRECI /DIELLI
Berta është një vajzë rreth njëzet e tetë, nëntë vjeçe, simpatike, me trup mezatar, por pak e shëndoshë. Flokët e zinj dhe të lidhur gërshet i shkojnë mjaft fytyrës së saj të mbushur dhe bardhoshe. Punon për një kompani të madhe në New York dhe jeton uptown sëbashku me një shoqe nga Amerika Latine. Ka ardhur në Amerikë qysh në nëntëdhjet e shtatën dhe fillimisht jetoi tek i vëllaji i gjyshit të saj, xha Safeti, të cilin kur i ati i saj e mori atë në telefon nga Shqipëria dhe i tha, se dëshirëronte që ta binte vajzën për t’u shkolluar aty, ai u tregua jo vetëm i gatshëm, por i doli e priti, bile edhe në Itali dhe tek ai ajo qëndroi deri para pak vitesh, kur mbas një sëmundje të rëndë e të gjatë, ndërroi jetë.
Por historia e xha Safetit, të cilën më saktë e mori vesh mbas disa vitesh të ardhjes së saj këtu, pati qëne pak e çuditëshme ; Gjatë Revolucionit në Hungari në pesëdhjet e gjashtën ai u ndodh atje si student dhe në atë rrëmujë e sipër arratiset e shkon në Gjermaninë Perëndimore dhe pastaj prej andej në Amerikë. Dha disa provime plotësuese të lëna përgjysëm në Europë dhe pranohet më mbas si pedagog në La Guardia University, ku qëndroi atje deri sa doli në pension. Gruan, e cila i kish vdekur një vit para ardhjes së saj këtu, kishte me origjine irlandeze dhe me të pati vetëm një djalë, por që jetonte në Kaliforni.
– Kam dhënë shkenca politike – i thoshte ai kur Berta e pyeste për jetën që ai kish bërë këtu, por amerikanët në përgjithësi dhe sidomos rinia, s’e njohin edhe aq mire komunizmin.
– Kurse ti xha Safet, po, sepse siç më ke thënë, e gjithë familja e juaj, komunistë keni qënë.
– Vëllaji ynë i madh, kryesisht, Rakipi, pra gjyshi yt, meqënëse pati dalë gjatë luftës ca kohë partizan dhe punonte në Ministrinë e Brendëshme dhe prej tij tij, sigurisht, u infektua edhe babaji yt.
– Po ti pse jo ?
– Isha ende i ri në atë kohë dhe vazhdoja vitin e të fundit të gjimnazit. Po atje u dashurova me një vajzë, por nga që prejardhjen e kishte nga një familje tregtarësh dhe prej regjimit nuk shihej me sy të mirë, të dy vëllezërit, po më shumë i madhi, u alarmuan, sa e morën vesh dhe nisën të më bënin presion që të ndahesha, por unë e doja dhe fshehurazi jo vetëm që takoheshim, por i pata shkuar disa herë, bile edhe në shtëpi dhe të them të drejtën, kur krahasoja nivelin e prindërve të saj me të mitë, më bënte mjaft përshtypje.
– Pse, ishin të ngritur ?
– Po, mjaft të ngritur dhe të edukuar gjithashtu, por me ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, asaj i arrestojnë të atin dhe meqënëse im vëlla, siç të thashë, qe me pozitë, iu luta që ta shpëtonte, të paktën, nga pushkatimi, por ai nuk pranoi dhe qysh nga ai moment, m’u krijua një urrejtje e madhe për atë regjim, për diktatorin, por dhe për klasën tonë dhe kur mbas një viti shkova për studime në Budapest, vendosa që të mos kthehesha më në Shqipëri.
– Por ata a patën ndonjë pasojë nga veprimi yt?
– Ndonjë gjë të madhe, jo, sepse më mohuan dhe lëshuan deklaratë që nuk isha më vëllaji i tyre.
– Po mbas nëntëdhjetës ?
– Si dhe shumë të tjerë nga sëra jonë, u bënë demokratë dhe yt vëlla arriti të bëhet, bile edhe deputet.
– Ua…si ka mundësi? – e pyeti Berta, por xha Safeti u ngrit të ndezi një cigare dhe nuk i ktheu pëegjigje.
– Dua një djalë, shqiptar nga Vlora – i tha ajo një ditë, kur i vajti për ta takuar në spital, sepse qe i sëmurë – punojmë sëbashku në « Goldman Sachs », por… na ndan një mur i madh, që është biografia. Ç’mund të më thuash?
– Kjo është një plagë e madhe për shoqërinë tonë dhe nëqoftëse ende nuk është kuruar, fajin e ka përsëri politika – iu përgjigj ai – sepse vetëm me disa deklarata që të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë bashkëvuejtës, ky problem nuk zgjidhej. Ndërsa sa për rastin tënd – vazhdoi ai, kur pa që Berta po priste – varet nga ju të dy.
Këto pikërisht ajo ishte duke menduar edhe këtë mbrëmje, kur sëbashku me shokun e vet, Edin hynë që të hanin darkë në një lokal në Tre Avenu, por si e djelë, kishte mjaft njerëz, prandaj ata vajtën e u ulën në një tavolinë andej nga fundi dhe pranë pianistit me syze të errta, që në atë moment po luante një tango të bukur spanjolle.
–Duhet të kishte ardhur, po pse u vonua? – pyeti ajo, që fjalën e kishte për të vëllanë, i cili si pjesë e një ekipi parlamentar, pati ardhur fillimisht në Washington dhe sot e priste që të vinte këtu.
– Ndofta nuk e di mirë lokalin ku ne jemi ulur? – iu përgjigj djali, por ajo në atë moment e pa që ai hyri tek dera, prandaj u ngrit, i doli përpara dhe mbasi u përqafuan, erdhën sëbashku me të në tavolinë.
– Ky është një shoku im, Edi – ia prezantoi ajo të vëllajit, dhe ndërsa ata i dhanë dorën njëri tjetrit, ajo e pyeti – si i kalove këto ditë në Washington?
– Është fat për ne shqiptarët që na u dha mundësia të lidhemi me një mik të madh siç është Amerika. Po juve djalë nga jeni? – iu drejtua ai Edit.
– Me origjinë jam nga Vlora, por kam pesëmbëdhjet vjet që sëbashku me nënën, jetojmë këtu në Queens – iu përgjegj ai dhe nga vera e kuqe “Kalifornia” që ua pruri kamarjeri, e zbrazi nëpër gota.
– Mirsejugjeta dhe gëzohem, që u njohëm! – i tha atij deputeti dhe për një moment vështrimin e hodhi nga pianisti që kishte në krah.
– Ju pëlqen interpretimi i tij? – u bë kurioz Edi.
– Artist me talent duket, por ja që ndonjëherë fati apo rrethanat të pengojnë dhe jo të gjitha dëshirat që mund të kesh, realizohen.
– Dhe sidomos, kur ato dëshira të pengohen nga shteti dhe qeveria – e plotësoi thënien e tij, Berta, e cila deri në atë moment kishte qëndruar në heshtje, por Ruzhdiu vetëm e vështroi dhe nga që kamarjeri u pruri në atë moment gjellët që ata kishin porositur, s’e pa të arësyeshme që ta pyeste me shumë.
– Enjoy! – u tha djali me përparse të bardhë dhe u largua.
Berta, duke ngrënë, hidhte herë pas here vështrimin edhe nga i vëllaji, i cili kish filluar jo vetëm të shëndoshej, por marë gjithashtu edhe pamjen e një zyrtari të lartë.
– Sikur deshët të thoshit diçka në lidhje me qeverinë dhe unë si deputet, ndjej, sigurisht, detyrën që t’u përgjigjem – u drejtua ai nga e motra.
– E kisha fjalën për shokun tim, Edin, i cili nga ai regjim ka qënë i diskriminuar dhe mohuar gjithashtu gjithçka.
– Po më vjen keq, që si dhe shumë familje të tjera të persekutuara, e paskeni ndjerë egërsinë e atij sistemi – u kthye ai nga i riu dhe deshi të vazhdonte akoma, por Edi e ndërpreu.
– Por as dënimi i krimeve të komunizmit nuk është bërë, as dosjet s’janë hapur dhe as pronarëve s’u është dhënë akoma prona e tyre dhe për të gjitha këto, juve politikanët u akuzojnë që pengoni, bile edhe futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Si i shpjegoni ju këto?
– Sot – iu përgjigj ai mbas një heshtje dhe fshiu njëkohësisht buzët me pecetë – gazetat, televizioni dhe mediat janë të lira që mund të denoncojnë gjithçka dhe qeveria jonë është e detyruar që jo vetëm t’i marë ato denoncime parasysh, por dhe t’u përgjigjet. por kjo temë do kohë që të shtjellohet, prandaj e lemë për në një rast tjetër.
– Dhe këtë rastin tjetër shqiptarët kanë njëzet e ca vjet që po e presin – ndërhyri Berta – por një denoncim është bërë edhe për gjyshin tonë, Rakipni, i cili në kohën që ka qënë në ministrinë e brendëshme, ka torturuar një person aq shumë, sa ai ka pësuar demtime të rënda psiqike dhe në këtë gjëndje, vazhdon që të jetë akoma edhe sot. Besoj që këtë informacion duhet që ta kesh parë apo lexuar edhe ti në internet – u drejtua ajo nga i vëllaji, i cili kish mbaruar së ngrëni dhe po bëhej gati që të ngrihej.
– Gjyshi ynë, sipas teje, paska bërë krim !? – e pyeti ai dhe vetulla e djathtë nisi që t’i lëvizë.
– Për fat të keq, po! – I tha Berta e vendosur.
Ambienti në tavolinë u tensionua dhe dora e djathtë e Ruzhdiut, nisi që t’i dridhej aq shumë, sa edhe gotën e verës, mezi po e mbante.
– Edhe mundet, edhe mundet – bëlbëzoi ai mbas një heshtje – po tani gjyshi ynë ka kohë që ka vdekur dhe ç’interes do kishte që të hapeshin edhe njëherë ato plagë.
– Më falni, po pikërisht për këto plagë folëm edhe pak më parë – I tha Edi, i cili ishte në dijeni që familja e Bertës patën qënë komunistë, por jo të përlyer edhe në krime.
-Meqënëse nesër kam një takim me komunitetin shqiptar në Bronx, dhe më duhet që të pergatitem pak, më falni, por duhet të ngrihem – u tha atyre Ruzhdiu dhe mbasi vajti e mori pallton që e kishte lënë në garderobë, u drejtua nga dera.
– Ndofta shihemi përsëri – i tha ai Edit dhe i zgjati dorën.
– Mundet – iu përgjigj djali dhe u largua, , ndërsa ata motër e vëlla nisën të ngjiten në tre Avenu, por nga që qe prag Viti i Ri dhe kishte mjaft lëvizje, mezi po çanin. Vitrinat e dyqaneve e sidomos ato të ‘Bloomingdales’, në krahun tjetër shëndrisnin nga dritat shumngjyrësh të neonëve, por ata po ecnin në heshtje dhe asnjëri s’po fliste.
“Edhe dikush tjetër e pati ngacmuar atë për të kaluarën familjes së tij, por sot qe e motra, që po e akuzonte”, po mendonte Ruzhdiu me vete.
– Vëlla i dashur! – e prishi atë heshtje, së fundi, Berta dhe i futi atij krahun – mendon që ti, apo dikush tjetër si ti, nuk jeni të denjë, për të përfaqësuar vullnetin e shqiptarëve në atë parlament? Dhe nëqoftëse jo, merre të lutem i pari ti këtë inisiativë dhe largohu. Më beso që kam për të dashur akoma edhe më shumë.
– Ç’farë? – e pyeti ai dhe zëri që i doli, nuk iu duk si i tija – po më kërkon që të largohem nga politika? Jemi në demokraci, motër e dashur, dhe unë nuk mbaj përgjigjësi për çka mund të ketë bërë gjyshi ynë para një gjysëm shekulli, sepse në këtë mënyrë veprohej vetëm në komunizëm.
– Po moralisht a mban? – e pyeti përsëri Berta – sepse ashtu siç trashëgohen veset, edukata e mirë apo e keqe, trashëgohen edhe bindjet politike dhe lindur e rritur në një familje komunistësh fanatikë, siç kanë qënë prindërit tanë dhe i gjithë rrethi ynë familjar, mendon se ti pasardhës i tyre, je demokrat?
Kishin mbërritur në 70 St, ku Ruzhdiu do merrte autobuzin për tek hoteli, ku ai sëbashku me ekipin e tij patën zënë dhe duke pritur për dritën jeshile që të kalonin në krahun tjetër, ai me bisht të syrit vështroi nga e motra, e cila këtë herë iu duk jo vetëm më ndryshe nga herët e tjera, por edhe sikur po i ndruhej vështrimit të saj.
– A do takohemi nesër përsëri? – e pyeti ajo, por ftohtë dhe jo me atë ngrohtësinë, që ajo shprehte ndaj tij zakonisht.
– Patjetër – iu përgjigj i vëllaji, por me ç’kuptoi ajo kishte akoma të tjera gjëra për t’i thënë……!
Hipi në autobuzin e linjës që erdhi mbas pak, por mendja i rrinte akoma tek diskutimi që bënë në tavolinë. Nxorri nga xhepi celularin dhe i ra numurit të saj, por nga që nuk mori përgjigje, i la mesazh; “Berta, dua që nesër të takohemi medoemos”. Zbriti në ndalesën e fundit dhe i qetë për vendimin që mori, për ç’ka do t’i thoshte të motrës nesër, fut në hollin e hotelit, përshëndeti djalin që rrinte në desk dhe u drejtua për nga ashensori….