• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INTERVISTA- Thaçi: Çështja e Kosovës, politikë zyrtare e SHBA

January 12, 2017 by dgreca

1 ThaciZëri i Amerikës: Zoti President, ju ndodheni në Washington në prag të ndërrimit të administratave. Cili është synimi i kësaj vizite?

Hashim Thaçi: Unë ndjehem tepër mirë që fillimin e këtij viti, të punës time si president e kam nisur në Uashington, ku kam ardhur fillimisht për të falenderuar administratën Obama, zëvendës-presidentin Joe Biden për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë Republikës së Kosovës, paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Në të njëjtën kohë, kam informuar për progresin që kemi shënuar në Kosovë, por edhe për të vazhduar me hapa të mëtutjeshëm me administratën e re të presidentit Trump. Në të gjitha takimet që kam zhvilluar, edhe me senatorë, kongresmenë, të të dyja kampeve politike, republikanë dhe demokratë, me njerëz të instituteve të ndryshme, është një konkludim se Kosova ka ecur shumë mirë, Kosova duhet të vazhdojë në rrugën e vet të drejtë, të integrimeve euro-atlantike, të reformave demokratike qoftë në politikë dhe ekonomi, apo në legjislacion, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, në luftën kundër fondamentalizmit islamik dhe terrorizmit, në zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të punës. Edhe një herë i jam shumë mirënjohës administratës së presidentit Obama dhe nënpresidentit Biden me të cilin diskutuam dje gjatë për zhvillimet në Kosovë, për hapat tonë të mëtutjeshëm, për progresin e arritur, por edhe për sfidat që mund të kemi në të ardhmen, kështu që mund të them lirisht se Uashingtoni do të vazhdojë të ruajë vëmendjen tek zhvillimet në Kosovë me një vëmendje dhe mbështetje të fuqishme.

Zëri i Amerikës: Ndryshimet në Washington pritet të jenë të mëdha, si në çdo ndryshim administrate, aq më tepër që kjo vjen pas 8 vjetësh të qëndrimit në pushtet të demokratëve dhe të fitores së zgjedhjeve nga zoti Trump, që pakush e kishte parashikuar. Cila është pritshmëria juaj për administratën e re në lidhje me Kosovën? A jeni takuar këto ditë me zyrtarë të ekipit të politikës së jashtme të zotit Trump?

Hashim Thaçi: Është fat që çështja e Kosovës nuk ka qënë e lidhur vetëm me një kamp politik në Uashington por ka qënë një politikë zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një mbështetje e dy kampeve politike edhe republikan edhe demokrat sepse në kohën e presidentit Clinton ne kemi fituar lirinë dhe jemi çliruar dhe në kohën e presidentit Bush kemi fituar pavarësinë ndërsa në kohën e presidentit Obama jemi konsoliduar si shtet. Unë pres që edhe administrata e re e presidentit të ri Trump të mbështesë Kosovën. Këto ditë kam patur kënaqësinë që të vë kontaktet e para me njerëzit e ri që mund të jenë në Departamentin e Shtetit, gjithashtu edhe në Departamentin e Mbrojtjes por edhe në departamentet e sigurisë që do të merren drejtpërdrejt me çështjet e Evropës, gjithashtu të Kosovës dhe të Ballkanit perendimor. Nuk mund të them se do të ketë vëmendje sikurse ka qenë më herët dhe është mirë pasi Kosova nuk është ndonjë vend i krizës, por jam i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e re e presidentit Trump do ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj për themelimin e ushtrisë së Kosovës, për futjen në partneritetin për paqe, dhe prespektivë të sigurtë për Nato. Kosova ka qënë, është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm dhe falenderues i përjetshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë mbështetje. Kështu që shoh edhe tek njerëzit e administratës së re vullnet dhe gatishmëri, por edhe vendosmëri që kauza e Kosovës të lëvizë në binarët e drejtë, në vlerat euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti president, ju erdhët në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Kosovë ka filluar një krizë e re pas arrestimit të ish kryeministrit Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze bazuar në një urdhër-arresti të qeverisë së Serbisë. Çfarë ndikimi do të ketë ky zhvillim për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe procesin e normalizimit të këtyre marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Besoj se ky akt arbitrar i ndalimit të zotit Haradinaj dhe ndalimet e mëhershme të miat, të zotit Nehat Thaçi, të kryeministrit Çeku dhe të luftëtarëve e komandantëve të tjerë të Ushtrisë së Kosovës paraqesin një akt ofendues për dinjitetin e shtetit tonë dhe për qytetarët tanë. Është një veprim i politikës së vjetër të Serbisë sikur në kohën e Sllobodan Milosheviçit. Serbia, pasi humbi betejat në luftën me Kosovën, pasi humbi betejën për të penguar pavarësinë e Kosovës, tani me çdo kusht përpiqet për t’i paraqitur si të kriminalizuar liderët politikë të Kosovës. Edhe kjo tendencë do të dështojë, prandaj lirimi me kusht i zotit Haradinaj më së pari është një veprim i mirë që ka ndodhur, në anën tjetër është i pamjaftueshëm dhe do të duhej që pa asnjë kusht të lirohej dhe të kthehej në shtëpinë e vet dhe në axhendën e tij politike. Në të njëjtën kohë vetë Bashkimi Evropian do të duhej të ishte shumë më i qartë në raport me Serbinë që gjërat të tilla të mos lejohet të bëjë, sepse po ato programe që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian e kanë luftuar regjimin e Sllobodan Milosheviçit dhe vetë liderët e atyre vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qënë akuzuar me akuza të njëjta nga regjimi i Sllobodan Milosheviçit, duke filluar nga presidenti Clinton, presidenti Jacque Shirac gjithashtu ministri i Jashtëm (Joshka) Fisher, Tony Blair. Të gjithë ata njerëz që kanë qënë në krye të përgjegjësive shtetërore, qoftë në SHBA, qoftë në vendet e Bashkimit Evropian apo në Nato, kanë qenë akuzuar me akuza të tilla fallco apo të rreme nga ana e regjimit të Milosheviçit dhe të vazhduar nga qeveritë aktuale. Prandaj është një veprim kriminal i shtetit të Serbisë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se gjatë viteve të kaluara, kur keni qenë ju në qeveri ose qeveria e tanishme duhet të kishte bërë më shumë në bisedimet me Beogradin që të ishte zgjidhur, të ishte kaluar çështja e urdhër-arresteve të Serbisë, të cilat janë të vjetra, kanë disa vite që janë në fuqi por nuk janë zgjidhur?

Hashim Thaçi: Kosova nuk e ka atë mundësi që ta bindë Serbinë për heqjen e këtyre fletë-arresteve, për arsye se, duhet të sqaroj, që të gjithë ne ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi në atë listë. Ndërsa ata që janë mbartës të institucioneve e fitojnë një lloj imuniteti nga vendet evropiane ku lëvizin, por nuk hiqen nga lista, por vetëm është një ngrirje e atyre fletë-arresteve. Unë kur kam qenë në opozitë, vetë jam ndaluar në Budapest dhe e ndiej edhe gjendjen e zotit Haradinaj, edhe bashkëluftëtarëve të tjerë, kur u ndodhin gjëra të tilla, por Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë, i saktë dhe i vendosur në presionin e drejtpërdrejtë ndaj Serbisë. Serbia nuk mund të lëvizë drejt Bashkimit Evropian me qasjen e mentalitetit të Sllobodan Millosheviçit, prandaj këtu faji kryesor për këtë ndalim është mospresioni i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë.

Institucionet e Kosovës kanë qenë të gjitha të mobilizuara dhe kanë kryer obligimin e vet kushtetues dhe ligjor ndaj këtyre çështjeve për aq sa kanë mundësi dhe kanë fuqinë e vet. Unë këtë çështje e kam ngritur edhe në Uashington dhe kam telefonuar përsëri edhe në Bruksel. Ne do ta diskutojmë edhe në ditët e ardhshme që njëherë e përgjithithmonë kjo çështje të mbyllet plotësisht. Është plotësisht e padrejtë dhe në të njëjtën kohë është qasje që e lëndon përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin Kosovë-Serbi.

Zëri i Amerikës: Një çështje tjetër që ka shkaktuar krizë politike në Kosovë ka qënë marrëveshja me Malin e Zi që nuk po ratifikohet dot nga parlamenti. A ka rrugëdalje për këtë çështje?

Hashim Thaçi: Kjo është një kauzë elektorale e panevojshme që është ngritur. Çështja e demarkacionit është përmbyllur njëherë. Është marrëveshje e drejtë, e saktë, e konfirmuar prej ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Po përse nuk po ratifikohet?

Hashim Thaçi: Ajo ështç e konfirmuar edhe prej hartave të Natos, prej ekspertëve të Natos, e vlerësuar prej presidentit Obama dhe vetë Shteteve të Bashkuara. Mendoj se mentaliteti lokal i ndikimit në votim në parlamentin e Kosovës i ka sjellë dëm shtetit të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe prespektivës së sigurtë evropiane. Kjo çështje nuk është e hapur mes Kosovës dhe Malit të Zi, është çështje e brendshme në parlamentin e Kosovës që padrejtësisht po i mban peng qytetarët e Kosovës me mosvotimin.

Zëri i Amerikës: Meqë është çështjae e brendshme e parlamentit të Kosovës, e politikanëve në Kosovë, a mendoni se ajo mund të bëhet shkak për zgjedhje të parakohshme?

Hashim Thaçi: Unë si president i vendit jam në kontakt të vazhdueshëm me liderët politikë. Nuk shoh ndonjë kërkesë që është ofruar për zgjedhje të parakohshme. Janë dy mundësi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. E para nëse kjo maxhorancë humb fuqinë e vet në parlamentin e Kosovës. E dyta janë marrëveshjet mes liderëve politikë. Nuk po shoh as njërën e as tjetrën të ndodhë, prandaj do të respektoj ligjet e vendit dhe do t’u jap mbështetje institucioneve në punën e tyre që e bëjnë sot dhe në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Pak më parë ju përmendët se një nga përparësi ose një nga sfidat me të cilat ndeshet Kosova është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka patur shumë vërejtje dhe një ndër to është se po futet një kulturë pandëshkueshmërie, pra nuk po ndëshkohen krerët, organizatorët e këtyre akteve të kësaj natyre. Përse nuk po luftohet më seriozisht krimi dhe korrupsioni?

Hashim Thaçi: Definitivisht, Kosova ka pas sukses në luftë kundër korrupsionit. Është vlerësuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe prej 95 kritereve që BE-ja i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave ne i kemi plotësuar 94 prej tyre edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyrisht kjo luftë nuk përmbyllet me veprime të shkëputura por është një proces që duhet të vazhdojë dhe duhet të jemi të vendosur. Nuk ka vend në rajonin e Ballkanit perendimor që ka goditur në nivele më të larta korrupsionin dhe krimin e organizuar sesa Kosova, qoftë në nivel të zëvendës-kryeministrave, të ministrave, të kryetarëve të komunave, të drejtorëve të agjencive të ndryshme, që kanë qënë edhe në procese të hetuesisë, edhe të ngritjes së akt-akuzave edhe në procese gjyqësore. Që në ditët e para të ardhjes sime si president ka filluar reforma në sistemin e drejtësisë që është në fazën përfundumtare dhe unë dua të besoj që atë vakum ligjor që është vërtetur që ekziston, apo të hapësirave që janë vërtetur që duhet të plotësohen me ekspertizë ligjore më të fuqishme, do të kalojë në parlamentin e Kosovës. Kosova, edhe pse ka kodin penal më të mirë në rajon, të konsultuar me Komisionin Evropian gjithashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të bëjë hapa të tjerë përpara në luftë edhe kundër korrupsionit edhe krimit të organizuar, edhe trafiqeve por në të njëjtën kohë e theksoj edhe në luftë të vendosur kundër fondamentalizmit islamik dhe terrorizmit. Kosova do të vazhdojë të mbetet kampion në rajon në luftë kundër të keqes.(Interviste: Arben Xhixho-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Interviste Tagged With: arben xhixho, Hashim Thaci, Interviste

Presidenti Thaçi shpërndanë ABETARE në Kanada

September 14, 2016 by dgreca

 

1-thaci-kanada-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Forumin e Torontos. Mbrëmë mori pjesë në pritjen e organizuar nga shoqatat e komunitetit shqiptar nga rajoni i Torontos në Kanada. Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, për brezat e rinj shpërndau edhe Abetaren tonë shqipe/

1-toronto-forum

  • Hashim Thaçi: Komunitetin tonë e garantova se do të kenë vëmendjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se ata do të jenë ura jonë lidhëse me Kanadanë. Gjithashtu, falënderova edhe qeverinë dhe popullin kanadez për mbështetjen e madhe gjatë periudhës së luftës më ‎1998 – 1999, për kontributin në kuadër të KFOR-it dhe për përkrahjen për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare./

3-thaci-kanada-1TORONTO,  14 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ishte panelist në edicionin e 10-të jubilar të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik “Toronto Global Forum”, që po i zhvillon punimet nën patronazhin e Forumit Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës (IEFA).

2-ok-thaci

4-thaci-kanada-4Njoftimi dërguar nga Toronto thekson se, në forumin e titulluar “Udhëheqja në kohë të pasigurta”, para mbi 100 folësve dhe 2600 delegatëve nga mbi 400 shtete, presidenti Thaçi ka thënë se rasti i Kosovës është shumë specifik për shkak se zhvillimi i shtresës së mesme është shoqëruar me sfida të shumta.Kreu i vendit ka folur për rrugëtimin e vështirë dhe rrethanat e pafavorshme nëpër të cilat kaloi Kosova që nga periudha e paraluftës, rindërtimin, sfidat e mëdha në procesin e shtet-ndërtimit, si dhe vështirësitë në zhvillimin ekonomik, posaçërisht në vitet e para të pavarësisë që përkuan me krizat më të mëdha në botë.

Presidenti Thaçi ka thënë se përkundër sfidave, Kosova ia doli që t’i tejkalojë të gjitha këto probleme të panumërta dhe shënoi rritjen më të shpejtë ekonomike në rajonin e Ballkanit, në shkallë prej 4 për qind të rritjes mesatare të Bruto Prodhimit Vendor.Ai ka thënë se ishte jetike që të investojmë në siguri për të siguruar investime.

“Pas luftës, strategjia jonë e parë e ekonomisë politike ishte të investojmë në siguri për të siguruar investime. Ndërkohë që shumicën e energjive dhe burimeve i kishim të orientuara në rindërtim dhe në fushën e sigurisë, ne u fokusuam edhe në reformat e ekonomisë së tregut me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, në reformat fiskale me uljen e tatimeve dhe heqjen e tyre për shtresat e varfra. Gjithashtu, u përqendruam edhe në reformat arsimore dhe edukative, me krijimin e kushteve për shkollim pa pagesë dhe libra falas, në reformat në shëndetësi dhe në rritjen e pagave për tërë sektorin publik”, ka thënë presidenti Thaçi.Njëkohësisht me këto reforma, presidenti Thaçi ka thënë se për zbutjen e diferencimeve sociale dhe zbutjen e papunësisë janë rritur investimet edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies për banorët e zonave rurale.“Kosova u bë prijëse në fushën e reformave dhe tani arritëm ta nënshkruajmë edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në”, ka thënë presidenti Thaçi, duke i ftuar investitorët e pranishëm që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.Ai ka theksuar se Kosova ka pasur një periudhë të rëndë tranzitore, por prej vitit 2008 janë shënuar hapa të mëdhenj për zhvillimin e shtresës së mesme, bën të ditur njoftimi i dërguar.

Ndërsa Presidenti Thaçi ka shkruar në ‘facebook’:Mbrëmë pata nderin të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga shoqatat e komunitetit shqiptar nga rajoni i Torontos në Kanada. I falënderova nga afër bashkatdhetarët tanë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndër vite dhe i përgëzova për integrimin e tyre në jetën sociale, ekonomike e politike të Kanadasë.U ndjeva krenar për të arriturat e tyre të cilat u konfirmuan edhe nga Ministrja e Ontarios për Shtetësi dhe Imigrim, znj. Laura Albanese, nga Kryetarja e Bashkisë së Mississaugas, znj. Bonnie Crombie, si dhe nga deputetë të Parlamentit të Ontarios.

Komunitetin tonë e garantova se do të kenë vëmendjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se ata do të jenë ura jonë lidhëse me Kanadanë. Gjithashtu, falënderova edhe qeverinë dhe popullin kanadez për mbështetjen e madhe gjatë periudhës së luftës më ‎1998 – 1999, për kontributin në kuadër të KFOR-it dhe për përkrahjen për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, për brezat e rinj shpërndamë edhe Abetaren tonë shqipe.

Me pjesëmarrësit e pritjes kalova çaste të këndshme./b.j/

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: Hashim Thaci, komuniteti shqiptar, ne Kanada, reformat e Kosoves

Thaçi në Gorazhdec: Askush nuk do të mund të vrasë të ardhmen

August 15, 2016 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Sot, kur po punojmë për të ndërtuar paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes popujve të rajonit, është e rëndësishme të theksojmë se për pajtim të sinqertë është e domosdoshme drejtësia. Pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të ndodhë/
PRISHTINË, 15 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur kurorë lulesh në pllakën përkujtimore në Gorazhdec të Pejës, në përkujtim të të rinjve serbë të vrarë në një sulm ende të pazbuluar, më 13 gusht 2003, dhe ka bërë thirrje që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.

“Sot vura kurorë lulesh në këtë memorial për të përkujtuar sulmin kriminal kundër të rinjve të fshatit Gorazhdec, 14 vite më parë, në të cilin u vranë dy të rinj e u plagosën katër të tjerë”, u shpreh presidenti Thaçi para gazetarëve të mbledhur dhe shtoi se “e drejta për jetë është e drejtë fondamentale për të gjithë”.
“E tillë do të duhej të ishte edhe për rreth 400 fëmijë shqiptarë nën moshën 15 vjeç që gjatë luftës u vranë nga shteti i Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi, cili theksoi se “ndërkaq, këta fëmijë këtu u vranë nga dora kriminale, e jo nga shteti”.
Por, tha presidenti Thaçi, “zotohem se nuk do të ketë forcë e as dorë kriminale që do të vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës. Kurrë më!”.
Presidenti Thaçi u zotua se “do të punojmë që çdo krim të zbardhet dhe të ndëshkohet” .

“Gjithashtu, edhe një herë këmbëngul që të zbardhet fati i të të gjithë të zhdukurve, qofshin shqiptarë, serbë, romë apo të çfarëdo komuniteti tjetër”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Sot, kur po punojmë për të ndërtuar paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes popujve të rajonit, është e rëndësishme të theksojmë se për pajtim të sinqertë është e domosdoshme drejtësia. Pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të ndodhë”.

“Ky hap do të thotë paqe për rajonin”, përfundoi Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Hashim Thaci, në Gorazhdec

Marrëveshja e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë

April 19, 2016 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar sot në ‘facebook’/

Tre vite më parë nisëm një kapitull të ri të komunikimit dhe bashkëpunimit në rajon. Pas një shekulli konflikt, arritëm marrëveshjen e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve, me udhëheqjen e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së.

Nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë për shtetin tonë dhe popujt e rajonit.

Por, ndonëse i kemi kthyer sytë nga e ardhmja më e mirë për popullin dhe shtetin, ne asnjëherë s’do të harrojmë sakrificën nëpër të cilën kemi kaluar. Për t’u siguruar që e ardhmja jonë nuk do të kërcënohet nga e kaluara, duhet që normalizimi dhe pajtimi të ndërtohen mbi drejtësi për të gjitha viktimat dhe të zbardhet fati i të pagjeturve.

Më e rëndësishmja është se jemi në rrugën e drejtë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për gjeneratat e ardhshme, çfarë të gjithë ne kemi ëndërruar.

Është koha që dialogu të bëhet më dinamik, të rritet efikasiteti në implementim dhe të kalojmë nga procesi i normalizimit të raporteve në pajtim mes shteteve dhe popujve.

Dialogu, normalizimi dhe pajtimi mes shteteve dhe popujve nuk ka alternativë. HTH

Filed Under: Komente Tagged With: 3 vjet nga marreveshja, e pare paqesore, Hashim Thaci, me Serbinë

Presidenti Thaci: Jam rritur me sfidat që ka kaluar populli i Kosovës

April 8, 2016 by dgreca

-Unë do të bëj gjithçka që t’i ndihmojë Kuvendit dhe Qeverisë që sa më shpejt t’i afrohemi ëndrrës sonë për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB./

-Fjalimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e inaugurimit/

 E dashura Lume, Endrit, nënë dhe baba,
Për mua kjo ditë është e veçantë, sepse shënon një moment të ri angazhimi politik në karrierën time prej tri dekadash.
Si e gjithë gjenerata ime, unë jam rritur me sfidat që ka kaluar populli i Kosovës.
Ndaj, kam emocione dhe kam nder që në këtë shesh të ju drejtohem si President i Republikës së Kosovës.
 Si student edhe në këtë shesh kam demonstruar për liri dhe të drejta demokratike. Për lirinë dhe çlirimin e Kosovës janë sakrifikuar shumë gjenerata. Ju ftoj si qytetarë të Republikës të lutemi dhe t’i falënderojmë të gjithë ata që dhanë jetën, që ne sot të jemi të lirë, sovran dhe të pavarur. Ju ftoj të mendojmë për një çast për sakrificat që çdo njëri nga ju keni dhënë, që sot të jemi bashkë në këtë ceremoni të tranzicionit të rregullt demokratik.  Sot jemi të bashkuar si vend dhe popull.
 Jemi këtu. Pjesëtarët e komuniteti shumicë, pjesëtarët e bashkësive etnike dhe fetare, por edhe pjesëtarët e LGBTI. Kemi qenë të bashkuar në kohë të mira dhe në situata të rënda. Në kohë hidhërimesh dhe gëzimesh. Bashkimi na ka ngritur si komb dhe si shtet.  Uniteti ynë ka qenë dëshmia më e madhe dhe më e fuqishme për botën se ne jemi një shoqëri e dedikuar për një sistem politik që garanton të drejtat më bazike individuale dhe kolektive. Një rend që buron nga proceset transparente të demokracisë me rrënjë që nuk çrrënjosen më nga askush.
Prandaj ju falënderoj të gjithëve.
 Me kontributin dhe sakrificën tuaj, me kohezionin qytetar, sot i tregojmë botës se kemi arritur pjekurinë e një demokracie evropiane në tetë vite të funksionimit si shtet demokratik.
 Sot, të nderuar mysafirë dhe të dashur qytetarë, po fillojmë një traditë të re.
Është vetëm edhe një gur në krijimin e një historie të përbashkët si shtet multietnik, sekular dhe përqafues të vlerave të familjes Euro-Atlantike.  Kjo ceremoni është një kapitull i ri në librin tonë të suksesit të përbashkët, ku zgjedhjet, ceremonitë, festat nacionale, dalëngadalë po e pasurojnë rrëfimin delikat për shtetin tonë. Janë ornamente të shtetësisë që po i qëndisim bashkë.
 Kjo ceremoni përfundon pas pak, por shteti ynë do të shkojë përpara. Edhe më shpejt, edhe më mirë. Ju siguroj se shteti ynë nuk do të ndalet. Nuk do të pauzojë.
Nuk kemi kohë për të humbur. Kemi humbur shekuj. Kemi humbur epoka. Kishim kaluar nga mesjeta në komunizëm. Nga komunizmi në luftë. Pa tranzicion demokratik. Tash e 17 vite jemi të lirë.
 Nuk kemi më asnjë vit, muaj e ditë për t’ia falur hidhërimit, urrejtjes dhe historisë së gjakut.
 Të nderuar qytetarë
Si President i Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju them se nuk dua që të marrë mantelin e një heroi. Sot dua t’ju them se jam shumë i nderuar se jam vetëm President i Heronjve.  Që të pamundurën e bënë të mundur. Ëndrrën, realitet.
 Hero është punëtori që ndan nga kafshata e gojës për ta shkolluar fëmijën.
Hero është ndërmarrësi që punëson familje të tëra dhe paguan tatime.
Hero është veterani që dha gjithçka për atdheun, pa pyetur për shpërblim, pa menduar për rrezik.
Invalidi që dha gjymtyrët e trupit për liri.
Familjet e dëshmorëve që dhanë më të dashurit për atdheun,
I burgosuri që kaloi shumë vite në burg për rend demokratik.
Hero është qytetari i diasporës, që nuk kurseu për të sotmen kosovare.
Heronj ishin edhe ata një milion refugjatë gjatë kohës së luftës.
Sot, hero është minoritari që ka vendosur të jetojë këtu në Kosovë, ku ka pasur rrënjët dhe ku është i gatshëm të përballet me sfidat e jetës.
Kosova nuk është e një bashkësie etnike më shumë e një tjetre më pak.
Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.
Hero është mësuesi që edukon brezat e rinj.
Hero është bujku që prodhon bukën tonë.
Hero është mjeku që shëron.
Hero është minatori.
Hero është ambientalisti që kujdeset për natyrën.
Hero është studenti, që ec me trendet e dijes botërore.
Heronj janë edhe fëmijët që shkojnë në shkolla të cilat i ndërtuam me mundin tonë.
Sot, hero është prokurori i mirë, e gjyqtari i drejtë.
Hero është polici që ruan rendin ditë e natë, hero është ushtari që garanton lirinë dhe paqen.
Qytetari i Kosovës është hero.
Ai kujton, por fal.
Ai nuk harron, por nuk hakmerret.
Ai është krenar, ngrihet mbi të kaluarën e pajtohet.
Heronj janë qytetarët e Republikës sonë.
Unë jam vetëm një President i thjeshtë i një populli heronjsh.
Ju premtoj se nuk ka fuqi, që mund t’i ndalë ëndrrat e heronjve.
Ëndrrat tuaja.
Pritjet tuaja.
E ju garantoj që shpresat, ëndrrat dhe pritjet tuaja do të jenë shpresat, pritjet dhe vendimet e mia..
 Të nderuar mysafirë,
Të dashur qytetarë,
Më lejoni që sot para jush t’i shpalos disa vija të përgjithshme të objektivave të mia si President i Republikës.
Janë katër çështje që do të doja t’i ofroja si një program fillestar, edhe pse që tash e di se do të dalin edhe shumë çështje tjera.
Do të dalin edhe shumë nevoja të tjera, sfida afatshkurtra dhe plane afatgjata, që duhet të futen në listën e gjatë të obligimeve.
 E para, ka të bëjë me Kushtetutën.
Në sistemin tonë demokratik, Presidenti është gardian i kushtetutshmërisë. Nga momenti kur e dhashë betimin dje në Kuvend, unë jam një roje, një mbrojtës i dokumentit tonë themeltar. Këto nuk janë vetëm fjalë dhe vetëm gjeste. Simbolet janë fuqi, sepse kanë domethënie dhe interpretim.
Do të punoj fortë për forcimin e identitetit shtetëror. Jam i vetëdijshëm se muajt e fundit kemi kaluar në debate të hapura dhe me tone divergjente politike.
 Si roje e Kushtetutës, unë do të jem i paanshëm politikisht. Do të ofroj agjendë dialogu aktiv në mes përfaqësuesve të popullit, pa dallime partiake.
Do të përdor instrumentet këshillëdhënëse që të kemi dialog aktiv edhe me komunitetet joshumicë. Tranzicioni presidencial nuk përbën ndryshim të sistemit, por është vetëm ndryshim personash të dedikuar që ta ruajnë sistemin. Këtë sistem e kemi krijuar ne vetë, gjeneratat e tëra të kosovarëve që luftuan fillimisht për liri, pastaj për pavarësi dhe që do të qëndrojnë së bashku në betejën epike që na pret për t’ju bashkuar komunitetit të kombeve euro-atlantike.
 Së dyti, do të luaj rol kushtetues në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në rrafshin politik, diplomatik dhe atë social.
 Duhet të jemi të vetëdijshëm se tundime të mëdha, ndryshime tektonike po përshkojnë kontinentin e Evropës dhe mbarë botën. Kosova duhet të luajë rol aktiv në çështje që kapërcejnë madhësinë tonë si shtet apo mundësitë tona si popull. Valët e refugjatëve nga zonat e luftës, radikalizmi dhe terrorizmi i bazuar në urrejtje dhe shkatërrim, si dhe erërat e ftohta që na vijnë nga Lindja, janë sfida që po e testojnë çdo shtet, që po e testojnë çdo aleancë. Aleatëve tanë të nderuar dhe miqve nga mbarë bota, Ju premtoj se Kosova do të jetë hallkë e fortë e zinxhirit antiterrorist.
Kosova do të jetë iniciues i nismave për paqe dhe dialog. Kosova po ndërton raporte të mira me fqinj. Kosova po kultivon frymën e dialogut. Kosova e njeh kulturën e negocimit. Për të gjitha çështjet që mund të merremi vesh i kemi dyert dhe zemrat e hapura.
 Por, le të jetë e qartë se me ata që kërcënojnë lirinë në botë, me ata që rrezikojnë dhe sulmojnë miqtë tanë, me ata që synojnë shkatërrimin e mënyrës tonë të jetës, liritë dhe të drejtat tona, nuk do të ketë asnjëherë kompromis.
 Jemi krenar që Kosova është pjesë e përpjekjeve globale në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm.
 Qytetarët e Kosovës masovisht, pa dallim etnie e besimi kanë orientim euroatlantik.
Unë jam i obliguar nga qytetarët tanë që ta ruajë si sytë e ballit miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.
 Unë do të bëj gjithçka që t’i ndihmojë Kuvendit dhe Qeverisë që sa më shpejt t’i afrohemi ëndrrës sonë për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.
 Qytetarë të nderuar,
Jemi këtu, para monumentit të Skënderbeut. Shumëkush e sheh si luftëtar në mes qytetërimeve, por unë sot e shoh si një njeri që preku dy botëra. Vendi ynë është i vëmendshëm për traditat fetare tradicionale islame dhe krenar për gjurmët e shenjtorëve të krishterë që nga koha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Dhe çmojmë margaritarët e Kishës Ortodokse Serbe. Vetëm pak metra nga këtu e ngrita monumentin e hebrenjve të Kosovës, edhe një dëshmi tjetër e diversitetit tonë.
 Vendi ynë është krenar që sivjet po bëhet e shenjtë një grua e bekuar, që para 90 viteve, si 17-vjeçare në Kishën e vogël të Letnicës, ndjeu urdhrin e Zotit dhe nga Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Terezë, humaniste me përmasa globale. A nuk jemi më të pasurit në Evropë që kemi kaq pasuri, kaq diversitet, kaq tolerancë shekullore? Por, të jemi të qartë – ky vend është sekular. Republika jonë bën dallimin midis rolit të shtetit dhe fesë.  Si gardian i Kushtetutës do të jem edhe gardian i kësaj ndarje të qartë.
 Të nderuar qytetarë,
 Pika e tretë ka të bëjë me dy të parat, por meriton kujdes dhe vëmendje të veçantë.
Fjala është për dialogun e dyfishtë në Kosovë me komunitetet jo-shumicë dhe me Serbinë.
 Ne duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë evropian dhe dialogun me Serbinë, sepse qytetarët na kanë obliguar ta anëtarësojmë Kosovën sa më shpejtë në BE dhe NATO.
Ky është një obligim dhe detyrim nacional që edhe në momentet më të vështira, edhe në bisedat më të rënda dhe në çastet më provokuese, mos t’i dorëzohemi dëshpërimit, mos të dorëzohemi para urrejtjes.
 Ne do të ndërtojmë fqinjësinë e mirë.  Dialogu nuk ka alternativë. Kosova dhe Serbia duhet të kalojnë nga faza e normalizimit të marrëdhënieve në procesin e pajtimit në mes të dy shteteve dhe dy popujve. Jam i bindur se pajtimi do të ndodh.
 Do ta përdori fanarin më të ndritshëm që edhe në errësirën më të thellë të gjejmë njerëz me të cilët mund të dialogojmë, me të cilët mund të ndërtojmë ura.  Marrëveshja e Brukselit nuk është një ishull. Ajo solli relaksim raportesh politike në gjithë rajonin tonë. Sot Ballkani dhe gjithë rajoni është ndryshe. Secili komunikon me secilin. Së bashku me Planin e Ahtisarit dhe Marrëveshjen e Rambujesë – ajo është edhe një pikë referuese e historisë sonë moderne, e arkitekturës së paqes në Ballkan.
 Të nderuar mysafirë,
Pika e katërt është e fundit, por jo më pak e rëndësishme.
 Duhet të jemi të qartë, për disa qytetarë politika është bërë një fushëbetejë monotone mes liderëve. Për ta ajo ende nuk sjell shpresën për vende të reja të punës, për progres ekonomik dhe mirëqenie sociale.  Qytetarët me të drejtë kanë kërkesa. Të rinjtë kanë nevojë për shpresë. Të diplomuarit kanë nevojë që dija e tyre të shpërblehet.  Pensionistët kanë nevojë jetike të sigurohen që kontributi i tyre nuk do të injorohet.
 Prandaj do të punojmë që tranzicioni ekonomik të shkojë me hapa po aq të shpejtë si tranzicioni politik, që e kemi përjetuar.  Ne – një popull që u ringritëm si feniksi, që rindërtuam shtëpitë tona, që zumë hapin me kohën dhe me botën, duhet të jemi në gjendje të krijojmë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë.
 Të dashur qytetarë,
Kam qenë dëshmitar kur shokët e mi më kanë vdekur para syve. Kam përjetuar edhe momente dëshpërimi në rrugëtimet e gjata për lirinë e vendit tonë. Por, kam qenë gjithmonë i bindur se një ditë ky popull do të dalë në dritë. Do ta fitojë lirinë. Beteja e sotme nuk është e tillë që kërkon sakrificën më sublime.  Nuk është e tillë që ngrit dyshime ekzistenciale.  Ato tashmë i kemi kapërcyer.
 Beteja e sotme është që t’i bëjmë krenar fëmijët tonë dhe fëmijët e fëmijëve tonë me shtetin e tyre, me kualitetin e tyre të jetës. Të sigurojmë që së shpejti të mund të lëvizin në Evropë. T’i bëjmë pjesë thelbësore të projektit demokratik, të shtetit të së drejtës. Edhe sot ndër betejat tona kryesore është fryma e dashurisë ndaj njëri – tjetrit. Prandaj, në këto përpjekje dhe synime unë do të jem pranë jush dhe nuk kam dyshim që së bashku se do të dalim faqebardhë.
 Si President i Republikës, si President i një populli heronjsh, unë besoj në shtetin tonë dhe në ardhmërinë e tij të sigurt.
 Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.
Ju faleminderit.
 
*****
Datë: 8 prill 2016
 

Filed Under: Editorial Tagged With: fjalimi i presidentit, Hashim Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT