Presidenti Barack Obama mbështeti zyrtarisht Hillary Clintonin vetëm dy ditë pasi ish Sekretarja e Shtetit u bë kandidatja e pritshme për presidente e partisë demokrate.
“E di sesa e vështirë mund të jetë kjo punë, por kjo është pikërisht arsyeja që e di se Hillary do të jetë shumë e mirë,” tha zoti Obama në një video të publikuar në faqen elektronike të fushatës së zonjës Clinton.
Mbështetja erdhi menjëherë pasi zoti Obama u takua me sfiduesin demokrat, senatorin e Vermontit Bernie Sanders. Sanders sinjalizoi pas një takimi që pati në Shtëpinë e Bardhë se do të qëndrojë në garë për kandidaturën të paktën deri në zgjedhjet e fundit paraprake që zhvillohen javën e ardhëshme në Distriktin e Kolumbias.
Sanders tha gjithashtu se ai do të takohet me zonjën Clinton gjatë ditëve në vazhdim dhe premtoi të punojë për të mposhtur kandidatin e pritshëm republikan Donald Trump në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
***
Takim Obama-Sanders në Shtëpinë e Bardhë
Kandidati demokrat për President Bernie Sanders u takua sot me Presidentin Barack Obama për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm në përpjekjet e demokratëve për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë.
Takimi privat ishte kërkuar nga senatori Sanders, i cili humbi ndaj rivales demokrate Hillary Clinton në garën për të siguruar numrin e nevojshëm të delegatëve në zgjedhjet paraprake.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, zoti Obama kishte në plan të bisedonte mbi mënyrat se si senatori Sanders të mund ta vazhdojë betejën për programin e tij politik, por jo përpjekjet për presidencën.
Pritet që, menjëherë pas takimit, Presidenti Obama të shprehë zyrtarisht mbështetjen për zonjën Clinton si kandidate e Partisë Demokrate për presidente.
Një numër në rritje udhëheqësit demokratë po i kërkojnë zotit Sanders të largohet nga gara, në mënyrë që partia të mund t’i përqendrojë përpjekjet tek mposhtja e kandidatit republikan Donald Trump.(VOA)