
NGA URAN BUTKA*/

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait. “Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë dhjetë vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe do ta lironin babanë. Bile, kishte parë edhe një ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjezin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar në Burrel. “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, po jepjau të burgosurve të tjerë”- më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit. Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe të birin, Xhelalin më vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë…U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, po ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata e të llustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve, e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është shumë i sëmurë dhe nuk mund ta takoj. Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!” .
Ai ngriti kokën dhe më këqyri me një vështrim të padeshifrueshëm, që edhe sot e kam të ngulitur në tru. Më përshkoi një drithërimë e akullt. Nuk do të më lejojë, mendova hidhur. Ai u kthye nga rojet dhe tha: “Lëreni!”. Desha ta falënderoja, po s’kisha pikë fuqie, më ishte tharë goja dhe më ishte mpirë mendja. Vetëm eca e përhumbur pas rojeve. U hap një derë dhe hyra në oborrin e dytë. U çel dhe dera tjetër, nëpërmes së cilës hyhej brenda në burg. Atje pashë Nesti Orolloganë, kushëririn e mamasë dhe Andon Frashërin, mikun e babait, që bënë të më afroheshin për të më thënë diçka, por rojet i shtynë tutje.
Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur. Dukej sikur më priste. Baba, jam Rina!- i thashë me zë të dridhur, po ai nuk m’u përgjigj. Baba, baba! – e shkunda, po ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lotë. Ai ishte gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë. Dhe unë e shkreta s’i jepja dot asgjë! Në infermieri nuk kishte njeri, veç rojes që heshtte. Dola te dera, pas së cilës ishin mbledhur disa të burgosur. Dallova Mihal Zallarin. Ku është doktori?- pyeta. A ka doktor këtu? Ai uli kokën dhe nuk m’u përgjegj. Atëherë, dola nga burgu, me mendimin që të gjeja një mjek në qytet. Në ambulancën e qytetit gjeta doktor Bakallin. E pyeta se ç’ kishte babai dhe se çfarë ilaçesh duheshin. Është në gjendje kome, më tha dhe u mundua të më mbushte mendjen se do ta kapërcente edhe këtë herë. Vrapova për te axhensia e kamionëve dhe atje gjeta nënën e Gjergj Kokoshit, që po kthehej për në Tiranë, edhe ajo tejet e mërzitur, se Gjergji ishte tuberkoloz në gradë të fundit, megjithatë e mbanin në një birucë të nbushur me ujë. I dhashë një letër për Nikon, ku i shkruaja: “Babai është shumë sëmurë. Të niset mamaja me ilaçet”.
Atë natë nuk vura gjumë në sy. I kisha humbur shpresat. Mendimi se në burgun e Burrelit i futin njerëzit për t’i vdekur, nuk më hiqej nga koka.Të nesërmen, më 28 prill, pa gëdhirë ende, shkova te burgu për të pyetur, po s’ma hapi njeri derën. Kur erdhi ora e takimit, roja më dha lajmin e kobshëm se babai kishte ndërruar jetë. E mblodha veten dhe kërkova të më dorëzohej trupi. Një oficer më tha se trupi mund të merrej pasi të mbushej afati i dënimit, domethënë pas 11 vjetësh të tjerë! I ktheva shpinën dhe ika nga sytë këmbët… Me zonjën Prodani dhe Xhelal Koprenckën, hipëm mbi një kamion për t’u kthyer. Rrugës, afër Milotit, ku kishim ndaluar, pashë nënën mbi një kamion tjetër, që shkonte për në Burrel. I thirra me sa fuqi që kisha dhe kamioni u ndal. Shkova për atje përhumbshëm. Ajo e kuptoi menjëherë se ç’kishte ndodhur. U zumë në grykë me njëra tjetrën dhe u shkrimë në vaj. “Nuk i gëzove fëmijët!”- i thoshte ajo nëpërmes ngashërimeve.
Pas 40 ditësh u kthyem sërish në Burrel, për të parë vendin ku e kishin varrosur dhe për t’i vënë një tufë me lule. Por rojet na sorrollatën dhe më në fund na treguan një vend me shkurre te Qershiza, ku kishte vetëm kocka… Edhe sot, nuk e dimë se ku i ka eshtrat…
Rrëfejnë bashkëvuajtësit
Osman Kazazi, që kishte kaluar plot 42 vjet në burgjet komuniste, fliste shpesh për Kristo Kirkën, që e kishte njohur në burgun e Burrelit. Osmani e përmendte Kriston si shembull të nacionalistit idealist. “ Vdekja e tij na pikëlloi të gjithëve. Ishte një ditë zije për të burgosurit” – thoshte Osman Kazazi.[1]
Fatbardh Kupi, djali i Abaz Kupit, i dënuar në një gjyq me Kriston, tregon:
“E kam takuar për herë të parë në burgun e Tiranës patriotin Kristo Kirka. ( Më vonë, mbas vitit 1992, kur nxorra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dokumentet e dosjes sime gjyqësore, u habita kur pashë që bashkë me mua, Lekë Dostin, Dedë Gjonmarkun, ishte “gjykuar e dënuar” edhe Kristo Kirka! E pamundur! Nuk e kisha parë as në hetuesi dhe as në gjyq. Madje nuk ia dëgjova emrin kërkund. Pyeta Lekën dhe Dedën , por edhe ata më thanë se Kristoja nuk ishte gjykuar bashkë me ta. As që e kishin njohur më parë. Atëherë e kuptova që ishte një proces gjyqësor i montuar. Kriston e kishin bashkuar me grupin tonë “armiqësor” vetëm me letra, formalisht, për ta implikuar në veprimtari grupazhi kundër pushtetit, sepse hetuesinë dhe gjyqin ia kishin bërë më vete). Me sa mbaj mend, ai erdhi nga burgu i Korçës në vitin 1946. Thoshin se ishte burgosur vetëm e vetëm se nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët. Kisha shumë respekt në burg për patriotët që nuk i ishin nënshtruar regjimit të Enver Hoxhës dhe njoha shumë karaktere të fortë e të papërkulur aty. Një ndër ata burra ishte edhe Kristo Kirka. Ishte burrë pa fjalë dhe të impononte respekt me sjelljen e tij. Kisha dëgjuar për aktivitetin e tij atdhetar dhe respekti që ndjeja për të ishte i veçantë. Ne të rinjtë flisnim shpesh herë për të dhe përpiqeshim që të përfitonim nga sjellja dhe qëndresa e tij. Edhe pse ishte me bindje dhe parime republikane dhe një ndër miqtë e afërt të Fan Nolit, Kristo Kirka kishte punuar me ndërgjegje atdhetarie për Mbretërinë, si nëpunës, veçanërisht kur kishte shërbyer si nënprefekt në Himarë dhe Bilisht. Mendoj se duhet të jetë një mësim për politikën e sotme trajtimi që i bënte Mbreti Zog kundërshtarëve politikë: i emëronte ata në administrate, madje edhe në detyra të rëndësishme. Kështu kishte vepruar edhe me Kristo Kirkën, duke e emëruar nënprefekt në Himarë, ai i besoi atij një pozicion tepër delikat, ndërkohë që tentohej për helenizimin e Himarës. Kujt më mirë se sa një atdhetari orthodoks të përmasave të Kristo Kirkës mund t’i besohej një mision aq delikat? Më ka mbetur në mendje një rast, kur komanda e burgut organizoi të ashtuqujturin “Front demokratik” brenda burgut, një farsë qesharake, që synonte krijimin e organizatës të të besuarve e të spiunëve. Disa u anëtarësuan në të, kryesisht tipa servilë e pa personalitet, me përjashtim të ne të rinjve antikomunistë. Krahas nesh, edhe Kristo Kirka nuk pranoi dhe nuk u bë pjesë e saj, duke e bojkotuar në mënyrën e tij autoritare, pa komente. Para syve të mi u rrit më shumë respekti ndaj atij atdhetari fjalëpakë. Ndjehem mirë që isha me të në një kohë aq të vështirë”. [2]
Abduraman Kreshpani, nacionalist dhe antifashist i njohur, i arrestuar nga italianët për pjesëmarrje në demonstratën e 28 nëntorit 1939 në Vlorë dhe i internuar në Ventotene, mandej i burgosur edhe nga komunistët në burgun e Burrelit, rrëfen: “Kisha dëgjuar për Kristo Kirkën se ishte një nga atdhetarët ortodoksë më të vendosur të Korçës, që kishte ardhur nga Amerika për të luftuar me pushkë kundër grekut më 1914-tën dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar, në vitet tridhjetë. Kështu, kisha formuar përfytyrimin e luftëtarit energjik dhe të politikanit fjalëzjarrtë. Por, kur e njoha në burgun e Burrelit, më la tjetër përshtypje. Ndoshta, kishte bërë të vetën mosha e thyer, por edhe kushtet e rënda të burgut të Burrelit. Xha Kristoja ishte i thinjur, i qetë, fliste ngadalë, por çdo fjalë i zinte vend. Fliste vetëm për të shkuarën, për tema historike. U shmangej bisedave aktuale. Shoqërohej me pak njerëz, por ama të gjithë e respektonin, bile edhe gardianët. Nuk kishte bërë vaki më parë, por edhe më pas, që të hynte brenda në burg ndonjë person i jashtëm, aq më pak një familjar i ndonjë të burgosuri. Komandanti i burgut e lejoi vajzën e xha Kristos, kur ky ishte në agoni të vdekjes, që të hynte dhe ta takonte të atin. Kjo përbënte një ngjarje në burg dhe ne bisedonim gjatë për të. Vajza e tij kaloi nëpërmes birucave tona tepër krenare, si të ishte një engjëll mbrojtës. E para gjë që më erdhi në mendje, ishte fakti që nënat, gratë dhe vajzat e të burgosurve, në ato kushte të skëterrshme, ditën të ruanin moralin e dinjitetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Dua të them, se përkushtimi, vuajtja dhe qëndresa madhështore e nënave, grave e motrave tona, ishin më të mëdha sesa vuajtjet dhe qëndresa jonë nëpër burgje. Nuk ka penë që t’i përshkruajë”.[3]
Leka Dosti, djali i Hasan Dostit, ish-i burgosur në Burrel, kujton:
“Tomorrin dhe mua na transferuan nga burgu i Tiranës në Burgun e Burrelit. Atje morrëm vesh nga të burgosurit se s’kishte veçse pak muaj që kishte vdekur Kristo Kirka nga një hemoragji cerebrale. Në atë burg-ferr, vdekjet nga torturat, sëmundjet dhe mungesa e ushqimit, ishin të zakonshme. E jashtëzakonshme ishte lejimi i vajzës së Kristos, që ta takonte të atin, që kishte rënë në koma. S’kishte ndodhur deri atëherë dhe as më pas ndonjë rast i tillë, sepse nevojitej autorizimi i Ministrisë së Brendshme. Mirëpo, mbas lutjeve të Katerinës, komandanti i burgut, me emrin Xhipe Mersini, lab nga Vlora, urdhëroi të hapeshin dyert e hekurta dhe ajo u ndodh pranë shtratit të të atit, që kishte humbur ndjenjat. Vajza e shkretë shpërtheu në vaj me zë të lartë, sa u dëgjua gjithandej. Kishte ardhur për të takuar babanë, por e gjeti thuajse të mbaruar. E mblodhi veten, e falënderoi me zonjëllëk komandantin, i la aty ushqimet për të burgosurit e tjerë dhe iku nga sytë këmbët… Në burgun e Burrelit ishte një ekonomi ndihmëse për nevojat e komandës. Atje punonin të burgosurit, ndër ta edhe Kudret Kokoshi, Engjëll Kokoshi, Ali Maliqi e të tjerë. Një ditë, kur po qarkonim nëpër oborr në orarin e “ajrosjes”, Ali Maliqi na tha: “Duke punuar në “çifligun” e burgut, kaloi aty pari komandanti. Gjeta rastin t’i them: “Më lejoni t’ju falënderoj për sjelljen tuaj fisnike ndaj vajzës së të ndjerit Kristo Kirka ”. Pa e kthyer kokën, ai tha” Ishte burrë i ndershëm”. U habita pa masë, që ndershmëria e Kristo Kirkës e kishte prekur edhe zëmrën e një gardiani të egër!”[4]
Ish-i burgosuri Beqir Ajazi, e kujton kështu Kristo Kirkën: “E kam njohur të
ndjerin Kristo në burgun e Burrelit. Në një kaush të madh, i cili nuk ishte më i gjerë se 10×8 metra, ku dergjeshin plot 72 të mjeruar, me qypin urinar prapa derës. U binda menjëherë se zoti Kirka spikaste dukshëm mbi gjithë të tjerët. Me një trup të madh, veshur me një pallto gub të zezë dhe me pamjen fisnike, të dukej fodull, por sa t’i afroheshe e të bisedoje më të , ndërroje mendim. Ishte njeri i mësuar dhe me përvojë të madhe, i dhimbsur dhe i gjindur, i dashur me të gjithë, por “sans façon” me askënd. Me qenë se kishte jetuar shumë vjet në Amerikë dhe kishte punuar te “Vatra”, ai ishte modeli i atdhetarit dhe i demokratit. E donte Shqipërinë me gjithë fuqinë e shpirtit. Përbuzjen më të madhe e kishte për politikën e shtetit grek, që pasi ishte rritur në dëm të Shqipërisë e të Maqedonisë, ishte përfshirë pas ëndrrës marroqe të megalo-idesë. Populli shqiptar don të ketë të ardhme, sepse është një popull paqesor dhe i zgjuar, që nuk mposhtet, thoshte Kristo Kirka. Tek e dëgjoja, mua më dukej se ai kishte lindur për të drejtuar, por drejtimin në atë kohë e kishin uzurpuar xhahilët”.[5]
Dhimbjen e thellë për vdekjen e Kristo Kirkës e ndieu edhe bashkëvuajtësi i Burrelit, intelektuali antikomunist, Arshi Pipa, i cili e shpreh me dy fjalë arsyen e dënimit dhe të vdekjes së xha Kristos, siç i thërrisnin në burg.
“I arrestuem për të vetmin faj se nuk kishte qenë i gatshëm me brohoritë regjimin komunist, ai u dënue të mos delte i gjallë nga burgu”[6]
Lajmi për vdekjen e Kristo Kirkës u përhap fshehtazi gojë më gojë nëpër Shqipëri, ndërsa në diasporë u dha gjerësisht nga shtypi shqiptar i atjeshëm.
Gazeta “The Albanian-American” botoi në maj të vitit 1955 një shkrim nekrologjik me rastin e vdekjes së Kristos, me titull “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë. Vazhdon pa mëshirë shfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e kuqe. Edhe Kristo Kirka vdiq në burg!”
“Pas Kol Rodhes, Bahri Omarit, Kolë Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut dhe shumë shqiptaro-amerikanëve të tjerë, që u vranë nga komunistët e Shqipërisë ose vdiqën nëpër burgjet e tyre të tmerrshëm, ja edhe lajmi i vdekjes së patriotit Kristo Kirka në burgun e “kryetrimave” të stalinizmës. Shqiptari i Amerikës sot ndien një dhembje të madhe në zemër, sidomos për ata burra me leshra të thinjura, që i kanë kushtuar çështjes shqiptare shumë nga mendja e djersa e tyre, për ta parë atë vend të dashur, të lirë, të vëllazëruar e të përparuar. Njeriu, pra, që këtu në Amerikë, i kushtoi tërë jetën e tij vendit të lindjes, ka qenë Kristo Kirka.
Hiqeni Kristo Kirkën nga historia e shqiptarëve të Amerikës dhe s’do të kini më një histori të shqiptarëve të Amerikës! Kronologjia e aktiviteteve patriotike të Kristo Kirkës, tretet me realizimet proshqiptare këtu në Amerikë: Gazeta “Kombi”, Shoqëria “Besa-Besën”, Kisha Kombëtare Ortodokse, federata “Vatra”, gazeta “Dielli”, të gjitha këto vepra të shqiptarëve të Amerikës. Kristo Kirka është një nga mjeshtrit e mëdhenj. Ata që u përpoqën, që vojtën dhe e bënë Shqipërinë, tani akuzohen nga komunistët si armiq e tradhtarë, vriten, burgosen e vdesin në tortura të llahtarshme. Burgu ku vdiq Kristo Kirka, është një fushë lufte, ku ai qëndroi dhe ra dëshmor për Shqipëri. Pse e vranë Kristo Kirkën, që ndihmoi në themelimin e asaj Shqipërie, ku sot sundojnë komunistët? E vdiqnë për të njëjtat arsye që vranë dhe vazhdojnë të vrasin gjithë shqiptarët mëmëdhetarë: Mihal Bellkamenin, Seid Kemalin, Vinçens Prenushin dhe lart nga 100.000 shqiptarë të tjerë!” [7]
Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 1955, luftëtari nacionalist dhe mërgimtari i shquar intelektual, Qazim Prodani, shkruante në gazetën “Besa”:
“Bir i Korçës, djep i shqiptarizmit, Kristo Kirka, burrë e shqiptar i madh, me virtyte morali e patriotizmi të lartë, mbylli sytë nën thonjtë e armiqve të kombit në burgun e Burrelit. Burrat e destinuar për histori, që shpirtëzojnë legjendën e krenarisë së një kombi, që “thyhen, por nuk përkulen”, rrojnë dhe vdesin të mëdhenj si Kristo Kirka. Kush e njohu Kristo Kirkën dhe nuk gjeti tek ai burrin shqiptar si në kohët e lashta, burrin-shkëmb, të patundur, fisnik, të urtë, të mënçur. Zot i këtyre cilësive, Kristoja ynë dhe i shqiptarizmit, e përjetësuan në botë emrin e kombit arbëror, e bënë të pavdekshëm për nder, trimëri, qendrueshmëri dhe shpirtmadhësi…Jeta e martirëve-misionarë të historisë kombëtare, me vrull e luftë fillon dhe me përpjekje e luftë sublime mbaron. Nuk prisnim që Kristoja të mbyllte sytë në shtëpi. Gjersa vendi nuk kishte liri, Kristoja do të vdiste ose në istikamin e lirisë ose në duart e armiqve të Shqipërisë. Por Kristoja nuk ka vdekur, pse kurrë nuk vdesin martirët dhe heronjtë e një kombi!” [8]
Po kurorën për vdekjen e Kristo Kirkës, e thuri me fjalë zemre e vargje të madhërishëm, poeti Arshi Pipa, bashkëvuajtës me të ndjerin Kirka. Poeti e shkroi elegjinë në burg, kur ndërroi jetë Kristo Kirka, i cili edhe në çastin e mbramë, tha: “Për flamur… për Atdhe!”. Ndaj edhe poeti klith: “Vdiq flamurtari i moçwm!”
ELEGJI PËR ATDHETARIN KRISTO KIRKA
Vdiq flamurtari i moçëm!
Si rrojti, vdiq: me nder.
I pastër , i devoçëm,
pa u përkulë nji herë.
Ndër qela u sos t’Burrelit’
me dhunën e tradhtarit,
më njoll’n e kriminelit
mbi ballin e atdhetarit.
A u pezmatue, a u lodh
Se ashtu u shpërblye i pafati?
Se fmija pran s’iu ndodh,
se vorr, as vorr, nuk pati!
Nuk fali, nuk mallkoi.
Po kur fjala iu pre
Ndigjuem qysh thellë ankoi:
“Për flamur!…Për Atdhe!”
O shok, o prind i shtrenjtë,
qi len familjen tonë,
kjo porosi e shenjtë
për ne do t’jetë gjithmonë!
Nga burrat qi themelin
Shqipnis i patën kallë
Sot ca të pakët ngelin:
Ti qe nga numri, i rrallë.
Me përnderim dashnuer
përkul’mi para teje.
Me flamur ti n’krahnuer
Sulmove n’ball beteje.
Besnik para çdo prove
sa pate frym s’e le.
Krenar për të luftove
dhe me të s’bashku re.
At flamur nji ndër shokë
E ngren ma nalt, e shtjell.
Pusho, kufomë nën tokë,
Ngushllou, o shpirt, ti n’qiell! [9]
“Martirin, që kishte tentuar të bëhej engjëlli mbrojtës i atdheut, e kryqëzuan komunistët, duke e lënë edhe pa varr. E shpirti? Doemos në qiell!”- shkruan editori i sotëm i “Diellit”, Dalip Greca.[10]
[1] U Butka: Intervistë me Osman Kazazin, v. 1991
[2] Fatbardh Kupi, E kam takuar në burg Kristo Kirkën, mbresa, 2011
[3] Abduraman Kreshpani, kujtime për Kristo Kirkën
[4] Leka Dosti, kujtime, 2011.
[5] Beqir Ajazi, kujtime për K.Kirkën, 4 mars 2012
[6] Arshi Pipa, libri i burgut
[7] The Albanian Amerikan, April-May, 1955
[8] Gazeta “Besa”, shtator 1955
[9] Arshi Pipa, Libri i Burgut, 1959
[10] D.Greca, Albania, 3 maj 2000
*Marre nga Libri i Uran Butkes”Kristo Kirka” , fitues i cmimit “Pena e argjendet”


![1 lirim-bicaku-c1200x600[1]](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2018/05/1-lirim-bicaku-c1200x6001.jpg)







Shkalla e Poezisë Zotëri, bujarisht, nga ai fron perëndie ku qëndroni Ju , më lëshuat një shkallë. Ngjitu, më thatë. Por a mundem? Tek ju shoh Ju aq lart, Ndjej të më merren mend. (2010) Si e njoha unë Ali Podrimjen… Ka qenë fund tetori i vitit 2009 kur mora mesazhin e parë elektronik nga Ali Podrimja ku më shkruante se kishte lexuar dy herë librin tim me poezi ”Dje preva flokët” dhe se përveç poezisë titullin e të cilës mban libri, i kishin pëlqyer mjaft poezitë e shkurtra. Por mesazhi nuk mbetej në kufijtë e një komplimenti, siç ndodh zakonisht, por sugjeronte që të ndiqja rrugën e poezisë eliptike. ” Unë e respektoj një artikulim të tillë dhe e përkrah sepse aty është edhe mëncuria krijuese si dhe bukuria e artikulimit. Mendoj se kësaj rruge duhet të ecni dhe këtë ta bëni për hir të vet poezisë, e cila duhet të jetë një filigranizëm. Ndiqni rrugën e poezisë eliptike, filigramit zonjë. E bëni këtë për hir të poezisë tuaj dhe letrave shqipe” Deri atë kohë kisha marrë komplimenta e urime nga lexues e kolegë, nga poetë të njohur e të respektuar, por askush si Podrimja deri atë kohë, s’ishte prononcuar në një mesazh privat në emër të letrave shqipe, duke ngacmuar ndjenjën e madhe të përgjegjsisë që duhet të kemi kur vëmë penën në letër. Në mesazhin e Poetit dërguar në postën time në e-mail, në 31 dhjetor 2009, lexova: “Ajo që më gëzon është se poezia juaj gjithnjë e më pak ka fjalë të tepërta. E shoh se Ti dallon shumë nga poetet e tjera të hapësirës shqiptare. Artikulimi yt poetik sa vjen e bëhet më interesant për lexuesit. Urime poeteshë dhe suksese gjatë vitit që po trokasim.” Mendoj që këshilla e tij “për të hedhur tej nga trupi i poezisë fjalët e tepërta” ishte një mesazh që i drejtohej të gjithë poetëve. Në faqet e Jetës së Re në 60 vjetorin e saj, në mbyllje të vitit, qenë botuar disa poezi të miat. Atë kohë jam frymëzuar e kam shkruar poezinë kushtuar Ali Podrimjes “Shkalla e poezisë”. Ai më dërgoi një mesazh falenderimi me mirënjohje ku shprehej se kishte mbetur ‘pa tekst’, “sepse lexoja një poezi të rallë”. Në letrën e 26 Janarit 2010, Ali Podrimja, më shkruante: “Pata fat ndoshta që i pari i lexova poezitë Tuaja të fundit. Keni arritur një shkallë të lartë të ekliptizmit dhe kjo më gëzon. Ju lutem filloni t’i sistemoni nëpër cikle dhe ta krijoni librin e ri të cilin do t’ma dërgoni para botimit.” Dhe kështu ndodhi që unë pata fatin që Ali Podrimja, Poeti ynë kombëtar, të përgatiste për botim vëllimin tim poetik “Ka gjithmonë diku” duke shkruar edhe parathënien e tij. Ndihesha sa e nderuar aq edhe e habitur njëkohësisht me thjeshtësinë, me sakrificën kohore që AI bënte për të inkurajuar poetët. Koha është e çmueshme për të gjithë, por edhe më e çmueshme për përfaqësuesit e vlerave tona kombëtare. Ne ua respektojmë kohën atyre. Por Ali Podrimja nuk e përdorte atë vetëm për poezine e tij . Ai jepte kohë nga koha e tij edhe për krijuesit e tjerë, të rinj apo të vjetër qofshin, dhe kënaqësia që i jepte kontributi për ta ishte e madhe. Kështu mund ta përjetojë vetëm ai që ka shpirt fisnik. Ali Podrimja ishte vazhdimisht në kërkim të së bukurës në letërsi duke e ndjerë si “obligim ndaj poetëve, por edhe si guxim moral” ndërkohë që na udhëhiqte si POET dhe si NJERI. Ali Podrimjen e njoha personalisht pas botimit të librit, kur shkova në Prishtinë për ta falenderuar e shprehur mirënjohjen time. Nuk e kisha parë asnjëherë. Më priste ne aeroport bashkë me kolegen e Radios Vera Pelaj. Kisha lexuar kryeveprën e tij Lum Lumin, dhe kisha mbetur sa e drithëruar aq edhe e mrekulluar. Kisha lexuar esetë tek “Sfida e harrimit “ kisha parë kulturën, artistin e fjalës dhe fisnikërinë e shpirtit. Duke përfunduar këtu, desha të citoj kritikun Bashkim Kuçuku kur tha:”Ali Podrimja, nuk jeton vetëm poezinë e tij, por me krejt poezinë shqipe. Për dhjetra vjet duke punuar si redaktor në Shtëpinë botuese ‘Rilindja’, Podrimja ka ndikuar ndjeshëm në përpunimin dhe ngritjen cilësore të saj….në vëllimet e shumtë që ka redaktuar, të disa brezave, është edhe inkurajimi, “ndërhyrja’ apo qortimi mjeshtëror i tij…. Me këto ndihmesa, krahas poezisë së vet është bërë poeti më autoritar dhe më i përkujdesshëm ndaj krijimtarisë së poetëve të tjerë, sidomos të rinjve. Nuk është e rastit që pikërisht Ali Podrimja, ka patur dhe vazhdon të ketë dishepuj, më tepër se çdo poet tjetër i ditëve të sotme.” Ali Podrimja u largua papritur nga ne tre vjet më parë, por Poeti i Madh vazhdon e do të vazhdojë të lëshojë shkallë inkurajimi për krijuesit ,siç shprehej ai ”për hir të poezisë , për hir të letrave shqipe”.