• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin

June 22, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në ditën e ikjes tënde, o Dardanesha e bukur shqiptare, ndjeva dallgët e oqeanit me krah pulëbardhash të rreshtuara njera pranë tjetrës të cilat dukeshin sikur bënin homazh për ty motra ime prej Kosove!

Ndërsa përgjatë Manhattanit në kerthizë të botës, një shatërvan në mes të OKB-s ndali rrjedhjen e ujit, aty ku mijëra shqiptare mblidheshin herë pas here për të denoncuar genocidin serb dhe për të demonstruar para botës kërkesat tona për Pavarësinë e Kosovës, që ju e donit aq shumë!

Por ju edhe pse po largoheshit nga kjo botë se ç’pata një ndjesi se po vazhdonit të na dhuronit buzëqeshje hyjnore, buzëqeshje që ta dhurojnë vetëm lulet bozhur si ty, që hapën petalet gjithë aromë vetëm në ditën e Lirisë së Kosovës.

Ju ishit e plagosur në shpirt, ende kishit pikla gjaku të pathara të bashkëshortit tënd, ish avokatit të mirënjohur Bajramit dhe djemve të tu Kushtrimit dhe Kastriotit të vrarë e masakruar nga kuçedra serbe.

Ata dhe gjithë martirët e Kombit si yje qielli spërkatin me pikëza drite Kosovën martire, e në këto pikëza u bashkove dhe ti sokoleshë Pejane, ndaj dhe unë më duket sikur i lexoj më qartë enigmat e shumta…ato duken të kthjellta në bebëzat e syrit tënd.

Ikja tënde e shpejtë la plagë të çelura ende të pashëruara, ndaj duke hyre në palcën e fjalës tënde në sa e sa mediume kombëtare dhe ndërkombëtare, më doli si feniks burri i madh shqiptar, IBRAHIM RUGOVA!

Brenda gjoksit tuaj dëgjova ca tinguj të përvajshëm që rënkonin tutje nëpër erën e Ilirisë. Rënkonin për bijtë e vrarë, për mijëra të zhdukur… Ishin trimat e Kosovës dhe ti Drenushë e Lirisë që mbollët ëndrrat me sythe shprese.

Edhe pse kujtimet e makthshme i përjetove kudo, dhe pe me sytë e tu fatin tragjik të familjes dhe të Kombit, ju përsëri nuk e shuajtët ëndrrën, ëndrrën e bukur të Lirisë. Ju u shkritë si qiriri i Naim Frashërit, si një zonjëz e rrallë e Kombit, për t’i dhënë atij pakëz dritë…

E kjo dritëz ndizet si pishtar e bëhet flakërrimë për Kosovën, ku zambakët e bardhë të Prizrenit pikojnë bukuri mëngjezore.

“Vizioni juaj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës NEKIBE KELMENDI dhe të të gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, ka thënë presidentja e Kosoves, zonja Jahjaga, sipas Kosovapress.

Ju ikët para kohe dhe në ikjen tuaj m’u duk sikur pëllumbat e Manhattanit më çukitnin në xhamin e dritares dhe sillnin pranë amanetin tënd të fundit: “M’i bëj të fala Kosovës”. Eshtë amaneti tënd që s’e tret as dheu, amanet që u dha në gjithë botën ku frymojnë shqiptarë, u tha me lot në sy nga bija juaj me emrin Kosovare, me emrin më të bukur në botë.

Amaneti tënd: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si në legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!

Ju tashme flini e qetë, sepse siç thotë poeti i madh Din Mehmet në poezinë e tij: Gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën/ dhe dashurinë tuaj e shënuat në çdo lule/ në çdo gur, në çdo rrugë…

Ju prehuni e qetë, o Teutë e bukur shqiptare. Ju jeni si një degë e blertë plot sythe në pemën e madhe të Lirisë!

Tani ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr…

21 Qershor, 2011

Staten Island, New York

Filed Under: Analiza Tagged With: homazhe, Keze Kozeta Zylo, Nekibe Kelmendi

Veseli bën nderime te varri i Adem Demaçit për 28 nëntor

November 28, 2018 by dgreca

1 Adem Demaci, Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e Festës së 28 Nëntorit, bëri homazhe te varri i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.Ai ishte bashkë me Familjen Demaçi. Në shenjë kujtimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e Demaçit, në shërbim të kombit dhe atdheut, Veseli vendosi lule pranë varrit të tij.

“Sot është një ditë e madhe për kombin tonë. Në këtë ditë, kemi për obligim të jemi pranë kujtimit të atyre që me jetën e tyre e nderuan kombin. I tillë ishte Adem Demaçi, simboli më unik i gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Gjithë jeta e Adem Demaçit ishte në shërbim të frymës së 28 Nëntorit, prandaj sot jemi këtu për të nderuar dhe për t’u përkulur para këtij burri të madh të kombit”, ka thënë me këtë rast Veseli.

Po ashtu, kreu i Kuvendit ka bërë sot homazhe edhe tek varret e Gjeneral Major Ilir Konushevci, Hero i Kombit dhe Dr. Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ademm Demaci, homazhe, Veseli

“Nderim dhe homazh- Mit’hat Frashëri kolos i historisë së Kombit tonë”

November 11, 2018 by dgreca

1 Mirakaj Viol

Nga Violeta Mirakaj/

Është një virtyt i madh të duam të jemi , ashtu si duam, të dukemi  ose të rrëfehemi  ashtu si jemi (Mit’hat Frashëri)…Vjeshta është ulur këmbëkryq në këto ditë nëntori këtu në New York, dhe ka krijuar një kurorë të stërmadhe shumëngjyrëshe e cila të duket dhe e plotëson më së miri nderimin dhe  homazhin për shqiptarin e madh, Mit’hat Frashëri. Do të përcillet nga varrezat e Ferneliff në Harstdale, të N.Y. në kodrat e Liqenit në Tiranë, pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës.  Kemi  ardhur për t’i bërë nderimin e duhur, kanë ardhur nga Washingtoni, Bostoni, Florida, New Jersy, Philadelphia Connecticut,  për  përcjelljen më së fundi në vendin e tij. Përcjellja bëhet dhe kuadrin e 110 – vjetorit të Kongresit të Manastirit, e cila ka lidhje me emrin e tij; dhe duket se na i kujton përsëri mos harroni – “Përpjekja e të gjithë delegatëve të Kongresit të Manastirit është për t’u ngritur mbi pikëpamjet e ngushta vetjake në të mirë të kërkimit të një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë.” Kjo është motoja që duhet të udhëheqë, të paraprijë jetën politike dhe shoqërore të vendit tonë. Ceremonia e zhvilluar në sallën “Nënë Tereza” qendër kulturore të kishës “Zonja e Shkodrës” është shumë emocionuese….Himnet kombëtare të dy shteteve, Amerikës “The star spangled banner” dhe i Shqipërisë, ”Hymni kombëtar” kënduar nga tenori i talentuar Riad Ymeri…. pasuar me nderimin dhe respektimin e merituar, arkivoli i Babait të Kombit mbartet me ceremoni nga skuadrilja e policisë së New York. Një organizim me detaje nga ambasada shqiptare në Washington dhe konsullata e saj këtu në New York, përfaqësuar nga Znj.Najada Sojli, e cila shprehet – është përgjegjësia e të zotit të shtëpisë të bëj të mundur ashtu si e meritonte figura e madhe poliedrike e Mit’hat Frashërit, ne jemi shtëpia përcjellëse. Bëhet nderimi dhe homazhi nga të pranishmit, si dhe i paraprirë nga nderimi prej të katër besimeve fetare në Shqipëri, komuniteti mysliman, kisha orthodokse, kisha katolike, si dhe nga komuniteti bektashian. Në filmin dokumentar u dhanë  momente nga jeta politike patriotike e Gjeniut të Kombit, Mit’hat Frashëri; realizuar nga Saimir Kumbaro dhe Uran Butka. Zëri origjinal i inçizuar nga radio Londra i Mit’hatit kumbon – “Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm……” Homazhi dhe nderimi i babait të kombit, është paraprirë në vite me rradhë, edhe ditë më parë nga shqiptarë të mirë atdhetarë dhe intelektual, si përfaqësues të “Vatrës” etj. Pëllumb Lamaj, intelektuali poeti dhe shkrimtari i lirisë si çdo vit  nuk mungoi pa e nderuar dhe këtë vit, me një kurorë të bukur në vendin ku politikani, atdhetari, intelektuali u preh për 69-të vite…. ai vetë thotë:— unë nderoj Korifeun atdhetar Mit’hat Frashëri, njëkohësisht nderoj fisin tim, fisin shqiptar, të gjithë ata që menduan dhe sakrifikuan për vendin tim…nderimi për të është nderimi i gjithë martirëve….”

Mit’hat Frashëri u lind më 25 Mars 1879, në Janinë. Ishte biri i rilindasit

patriotit të madh Abdyl Frashëri, nipi i enciklopedistit Sami Frashëri dhe poetit të mallit për vendlindjen, Naim Frashëri. Vdiq në New York më 3 Tetor 1949, jetoi 69 vjet. Jetoi në tre epoka, në periudha të ndryshme për fatet e kombit tonë, me problematika dhe zgjidhje nga më kontradiktore, të cilat ndryshojnë rrënjësisht njëra nga tjetra, për nga ngjarjet, për nga proçeset, për nga karakteret e tyre. Prandaj me të drejtë është cilësuar si një nga figurat më komplekse të këtij vendi, që, me kohën që ka ardhur pa paragjykime kërkon vemendje e rivlerësim, që me të drejtë është në rrugë të mbarë… Mit’hat Frashëri është figura që i ka munguar historisë, kulturës dhe letërsisë, politikës dhe diplomacisë i ka munguar brezave me radhë, i ka munguar enciklopedisë sonë. Në çdo faze të jetës politike, historike, letrare dhe shoqërore të vendit tonë, në periudhat më të qenësishme është Mit’hat Frashëri…Në rininë e herëshme punoi në administratën turke, aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit të XIX u bë një nga figurat më të spikatura në periudhën e Pavarësisë. Si një militant rilindës i orës së parë ai u shqua në luftën për të zbatuar programin kulturor të Rilindjes, ndoshta më tepër se çdo bashkëkohor i tij, si shkrimtar i flaktë i temave patriotike, si kryetar energjik i Kongresit të Manastirit dhe si veprimtar i palodhur i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Një aktivitet i gjithanshëm me patriotët shqiptarë të kryesuar nga Çerçiz Topulli dhe Adem Emini, që punonin për për përgatitjen e një kongresi dhe të një reviste të përjavshme. Mendimet e moderuara politike dominonin në rrjedhën e ngjarjeve që rrokulliseshin në shpinë të popullit, që ishte rrezik për të ardhmen e qenësisë si komb…Krijimtaria e tij letrare ishte bashkëudhëtare që në fillimet e saj, prej vitit 1897, me “Kalendarin Kombiar” në vijim vitesh deri më 1928.  Shkrimin e parë biografik , më 1901 ja kushtoi Naim Frashërit…. Vetë koha ka kontradiktat e veta, me mendime, opinione  të ndryshme, si çdo komb, si çdo histori të popujve të ndryshëm me korifenjtë e vet. i tillë ishte Mit’hati me energjinë, dashurinë, inteligjencën, kulturën enciklopediste dhe aftësitë praktike, bëhet dishepulli dhe mbështetësi kryesor. Nuk mund të ishte larg ngjarjeve të mëdha. Në kongresin e Alfabetit, në Kongresin e Manastirit, 14 nëntor- 22 nëntor 1908 , zgjidhet kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit të hartimit të alfabetit ( kryetar, At Gjergj Fishta). Në shpalljen e pavarësisë është një nga firmëtarët e saj, si dhe zgjidhet në qeverinë e Ismail Qemalit. Është shumë aktiv në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në vitet ’20. Ai ka qenë i papajtueshëm me Esad Toptanin dhe veprimtarisë së tij antishqiptare. Jeta e tij është dinamike, gërshetuar jeta politike, diplomatike dhe letrare. Në periudhën 1912 – 1939, Mit’hat Frashëri i shërbeu me sukses atdheut të vet si një militant i luftës diplomatike që zhvilloi shteti shqiptar për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare si shtet i pavarur. Si përkrahës i regjimit republikan që ishte, ai pati kujdes që të mos e përfshinte emrin e vet në jetën e brendshme politike të regjimit monarkik të Ahmet Zogut (1928- 1939). Me mbarimin e Luftës së Pare Botërore, 1918 ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo- Kroate- Sllovene. Deklaron se: “ Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”… vizioni dhe mendimi analitik i tij ka  vlerë dhe sot.. Më 1919 si kryetar i delegacionit shqiptar në Paris “ në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë”. Ku i është bërë thirrje nga nga kryesia e “Vatrës” të punojë “për bashkimin e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri independence pa asnjë protektorat”. Kur qe aty, me mision, shkroi: “ Indipendenca morale” si dhe punimin “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”…Aktiviteti diplomatik sa në Washington, më pas Athinë… Personaliteti i tij ishte i padiskutueshëm. Ai zhgënjehet nga zhvillimet politike në Shqipëri, jep dorëheqjen dhe deklaron largimin nga aktiviteti politik, i cili rikthehet përseri gjatë Luftës së Dytë botërore, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Por veprimtaria letrare studimore është në vazhdimësinë e saj. Boton revistën “Dituria”, dhe dimë se në këtë periudhë merr një zhvillim publicistika shqiptare.  Ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste. Mit’hat Frashëri është autori i “Dekalogut”, vlerësuar nga përkrahësit e tij si “kontribut i madh teoriko- politik” shkruar 1942, në Tiranë. Ai është mbajtur si nacionalist në politikënn shqiptare, duke pasur një korrespondencë të pasur, premorie, takime në konferenca apo takime me personalitete të politikës ndërkombëtare. Duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, u përpoq në fushën diplomatike, brenda dhe jashtë shqipërisë, për bashkimin në Shqipërinë etnike të ish – katër vilajeteve shqiptare, Janinës, Shkupit, Manastirit dhe Shkodrës…Mbas çlirimit të Shqipërisë iu sekuestrua pasuria e Mit’hat Bej Frashërit. Midis të tjerave ishte dhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke janë pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Mit’hat Frashëri, nga pasardhësit e tij politik ka vlerësimin: mendimtari illuminist i neoshqiptarizmës, të viteve ’30.

Në një shkrim, ese, Mit’hat frashëri, ka shpalosur idetë e tij përparimtare dhe nivelin e lartë intelektual, si shtetar,- se çfarë begatie ka trualli shqiptar, që ia shtojnë pozita gjeografike si vend mesdhetar dhe i bekuar nga perëndia, i ndodhur buzë detit e me plot fusha e male, me klimë të mrekullueshme, me njerëz të shquar, në udhëkryqin ku lidhen kombet.

Mit’hat Frashëri akumuloi një kapital të madh patriotik gjatë veprimtarisë së tij gati gjysmë shekullore para Luftës së Dytë Botërore; jetoi dhe veproi në tri periudha të historisë së shqipërisë, të cilat ndyshojnë rrënjësisht njera nga tjetra për nga ngjarjet, për nga proceset, për nga karakteret e tyre. Në emigracion, me ndihmën e aleatëve anglo- amerikanë, shpalli Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, më 26 gusht 1949, në Paris, Francë duke qenë kryetar i tij me anëtarë si Abaz Kupi, Zef Palin, Nuçi Koten, e Seit Kryeziun.  Ai ka vënë që në atë kohë në dukje se: – “Shqipëria është pjesë e vendeve të mëdha evropiane dhe zhvillimi i saj do të vijë pikërisht nga bashkëpunimi me vende evropiane dhe SHBA– -në; dhe këtu duket gjenialiteti i personalitetit të tij, që me te drejtë quhet Babai i Kombit Shqiptar….

New York/ 10 Nëntor 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: homazhe, Kolosit, Midhat Frasheri, Violeta Mirakaj

VARRI I MID’HAT FRASHËRIT MBULOHET ME LULE DHE FLAMUR KOMBËTAR

November 7, 2018 by dgreca

1 VATRANET TEK VARRI I MID'HAT FRASHERITIMG_62841 Hymni

–  VATRA DHE KOMUNITETI- HOMAZHE DHE KURORA PËR MID’HAT FRASHËRIN/

– Kryetari Dritan Mishto: Po e  nderojmë me homazhe të veçanta shërbestarin e Kombit, jo vetëm për ta nderuar personalitetin e tij, por edhe për ta përcjellë atë në Atdhe ashtu siç ishte; të kristaltë, të papërlyer dhe të pakeqpërdorur nga politika dhe qeveria.

– Pwllumb Lamaj: Qeveria nuk tregoi transparencë dhe e humbi shansin për ta bërë bashkë Kombin, duke shfrytëzuar emrin e Mid’hat Frashërit.

-Ambasadori Mal Berisha:MID’HAT FRASHWRI, IDEATORI MË I MADH I BASHKMIT TË TROJEVE SHQIPTARE…Edhe ky amanet i Tij, heret ose vonë, do të bëhët realitet siç u bë realitet kthimi i eshtrave të tij në Atdhe.

Nga Dalip GRECA/

Të Mërkurën në mesditën e 7 nëntorit 2018, tre ditë përpara se të përcillen për në Atdhe eshtrat e Mid’hat Frashërit, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra dhë përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju Jork, organizuan homazhe në varrezat Ferncliff në Hartsdale, Nju Jork. Kanë marrë pjesë përveç përfaqësuesëve të Vatrës edhe përfaqësues të komunitetit si dhe përfaqësues të familjeve nacionaliste.

Ceremonia ka nisë me Hymnin Kombëtar të kënduar nga këngëtari i mirënjohur, Frederik Ndoci,Mjeshtër i Madh, menaxher i përgjithshëm për veprimtaritë kulturore dhe artistike në Vatër.

Më pas , z. Dritan Mishto, kryetar i Vatrës, spjegoi përse Vatra kishte vendosur që ta nderonte Mid’hat Frashërin aty në varrezë. Ne tha z. Mishto, po e  nderojmë me homazhe të veçanta shërbestarin e Kombit, jo vetëm për ta nderuar personalitetin e tij, por edhe për ta përcjellë atë në Atdhe ashtu siç ishte; të kristaltë, të papërlyer dhe të pakeqpërdorur nga politika dhe qeveria. Vatra, shtoi kryetari Mishto, me kënaqesi do të përfshihej në organizimin e një ceremonie dinjitoze, me pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve të diasporës së vjetër dhe të re(siç i kemi disa prej tyre sot), me qëllim nderimin më të lartë për këtë figurë kombëtare, duke filluar që nga vendi, mënyra e procesionit, akademia shkencore, apo përbërës të tjerë protokollarë, por Vatra nuk mund të bëhet pjesë as fasadë në një ceremoni të cunguar të minutës së fundit.Ai falenderoi ata që ishin përgjigjur bashkëpunimit me Vatrën, veçanërisht z. Pëllumb Lamaj, familjen Lepenica, Karagjozi, vëllezërit Mujo, familjen Mrnaçaj, Cungu, ambasadorët Mal Berisha dhe Bujar Skendo, presidentin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan Haxhi Dauti etj.

Kryetari i Vatrës solli në kujtesë edhe një herë pikëtakimet e Mid’hat Frashërit me Vatrën: – Mid’hat Frashëri, tha ai, ishte ambasador në Zvicër i emëruar nga Vatra, në kohën kur Federata jonë  kryente rolin e shtetit të vdekur.

– Mid’hat Frashëri u thirr nga Kuvendi i Vatrës më 1919 që të drejtonte Federatën.

– Më 1920 Mid’hat Frashëri erdhi pranë Vatrës si i dërguar i Qeverisë Shqiptare për të organizuar Huan Kombëtare, kur Vatra mblodhi rreth 198 mijë dollarë për ti ardhë në ndihmë shtetit shqiptar që rrezikonte falimentimin etj.

  1. Pëllumb Lamaj, i cili kishte përgatitë dhe një Kurorë në emrin e tij, tha se atë ia kushtonte Mid’hat Frashërit, në emër të gjithë atyre që u dergjën burgjeve të diktaturës komuniste dhe që kishin mbajtur lart emrin, idealet dhe veprën Mid’hat Frashërit. Ai kritikoi ashpër qeverinë , e cila nuk tregoi transparencë dhe e humbi shansin për ta bërë bashkë Kombin, duke shfrytëzuar emrin e Mid’hat Frashërit.

Lamaj, që e përjësoi jetën dhe veprën e Mid’hat Frashërit edhe në dokumentarin kushtuar Babait të Kombit( gjithçka me shpenzimet e veta) recitoi poezinë e Kudret Kokoshit, kushtuar Mid’hat Frashërit, poezi që u shkrua në burgun e Burrelit, në kohëvdekejn e Babait të Kombit.

Ishte e habitshme se sa shpejt pat mbërrit’ lajmi i vdekjes në burgun famkeq të Burrelit.

Ja vargjet,që Lamaj i përcolli përmes emocioneve të thella:

 

Ne dhe` te huaj larg shqipes me gjak lyer

Qe ti me ankth aq shume e dashurove

Ne dhe` te huaj prej fatit te zi nderkryer

Atdheut te vuajtur jeten i dhurove

 

Babai kombit nder beteja plakur

Ti zemrat tona me ideal i ngrohe

Rrugen e jetes tone te perflakur

Hyjnor,promethe` ti na e ndriçove

 

Nder male e fusha nga veriu ne lindje

Gjemon jehona e thirrjes shpetimtare

Vrapo,vrapo Shqiperi per ne Rilindje

Therret Mit’hadi Shqiperia e Shqipetareve

 

BURG BURREL 1949 KUDRET KOKOSHI

 

Zuhdi Karagjozi, anëtar i Këshillit të Vatrës, tek u përul me nderim para varrit të Midhat Frashërit, në fjalën e tij vlerësoi emrin dhe veprën Kombëtare të Shërbestarit të Kombit. Karagjozi tregoi se familja e tij kishte qenë pjesë aktive e Ballit Kombëtar.

  1. Zudi Karagjozi falenderoi organizatorët që i dhanë mundësinë të fliste në këtë ceremoni në emër të babait Agim dhe nënës Roze Karagjozi. Fillimisht ai vlerësoi kontributin e madh për çështjen Kombëtare të Mid’hat Frashërit dhe babait e xhaxhallarëve të tij, të cilët ai i cilësoi si themelues të Shqipërisë moderne. Midhat Frashëri , tha ai, ishte themeluesi dhe udhëheqësi i Balli Kombetar, organizatë e krijuar për të luftuar për çështjen kombëtare dhe për të mbrojtur popullin shqiptar.Mid’hat Frashëri u largua nga Shqipëria në nëntor 1944 nga Ulqini me krerët dhe luftëtarët e Ballit Kombëtar dhe Legalitetin. Ata u arratisën në dy varka që e sollën grupin në Itali. Në këtë varkë, theksoi Zudi Karagjozi, ndodhej babai dhe nëna e tij. Grupi u vendos në kampet e refugjatëve 1944-1949. Gjatë kësaj kohe, Mid’hat Frasheri kishte një ndikim të thellë tek të gjithë në shqiptaret ne kampe, ishte si nje baba për të gjithë, edhe për Agimin.

Më pas z. Zudi Karagjozi komentoi se babai i tij kishte pasë fatin që të qëndronte pranë Mid’hat Frashërit dhe se ai i kishte folë për domosdoshmërinë e rrëzimit të komunizmit. Ai i shpjegoi Agimit rolin e rëndësishëm që kishte VATRA në botën shqiptare. Agimi e përqafoi filozofinë e Tij dhe se ishte si një dhuratë e madhe mundësia e marrëdhënieve të ngushta me Mid’hat Frashërin gjatë adoleshencës së vonë të Agimit deri në moshën e të njëzetave. Babai i tij, Agimi, u udhëhoq nga idealet Kombëtare dhe nuk hoqi dorë nga kjo kauzë. Ai e bëri të vetën filozofinë e Mid’hat Frashërit se “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri dhe pa Shqipëri nuk ka Kosovë”. Agim e vazhdoi filozofinë e Midhat Frashërit në Vatër për pothuajse 60 vjet anëtar dhe udhëheqës i organizatës…

Më pas  Zyhdi Karagjozi tregoi se gjatë kohës që ishte nëpër kampe Mid’hat Frashërit kaloi shumë kohë me familjen e nënës , Peshkëpia. Gjyshja dhe tezja shpesh do të gatuanin darkë për atë dhe do të lanin rrobat e tij. Rose dhe vëllezërit e motrat e saj ishin shumë afër Mid’hatit dhe me dashuri do ta quanin “xhaxha”.

Ambasadori Mal Berisha, tha se ndjehej i emocionuar që ishte pjesë e kësaj ceremonie nderimi për Mid’hat Frashërin, intelektualin, që punoi aq shumë për Kombin.MITHAT FRASHËRI – Patrioti, shkrimtari, diplomati, aktivisti më i shquar i zgjimit të ndërgjegjes tonë kombëtare, ideatori i bashkimit të trojeve shqiptare me çdo kusht, organizatori i Kongresit të Manastirit dhe nënshkruesi i Akti të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i biri i Rilindasit të Madh, Avdyl Frashëri, është prehur në këtë vend që në vitin 1949. Erdhi koha që eshtrat e tij të prehen në atdhe. Pavarësisht se si do të etiketojnë kthimin e Tij në atdhe palë të ndryshme midis shqiptarëve, ai mbetet IDEATORI MË I MADH I BASHKMIT TË TROJEVE SHQIPTARE…Edhe ky amanet i Tij, heret ose vonë, do të bëhët realitet siç u bë realitet kthimi i eshtrave të tij në atdhe.

Dr. Skënder Murtezani, i anëtarësuar në Vatër që në vitin 1990, kur kryetar ishte Profesor Arshi Pipa, tregoi se si që nga ditëthemelimi i degës së Vatrës së Queensit, Mid’hat Frashëri kishet qenë në qendër ët veprimtarivë të degës dhe ai në krye të degës që  para pesë vitesh kërkoi kthimin e eshtrave të Shqipëri, atje pranë atit të Tij. Për çdo vit dr. Murtezani dhe dega që ai drejton kanë nderuar veprën e Mid’hat Frashërit me sesione përkujtimore në hotelin ku u gjet i vdekur Mid’hat Frashëri, por edhe në auditore.

Mid’hat Frashëri, ky patriot i madhe e meritonte prej kohësh raitdhesimin, tha dr. Murtezani. Më pas e kanë nderuar jetën dhe veprën e Midhat Frashërit me mesazhe të shkurtra ambasadori Mal Berisha, Shkëlqim Lepenica, Eqerem Mujo, Pjetër Mrnaçaj, Presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan Haxhi Dauti, vatrani i vjetër Lumo Cungu, Marjan Cubi, Zef Balaj, Asllan Bushati e të tjerë. Editori i Diellit lexoi një letër Mid’hat Frashërit, e cila publikohet për të parën herë. Letra ëshët gjetur nga studiuesi Idriz Lamaj. Ajo mbanë datën 12 tetor 1937. Letra e shkruar me shkrim dore nga Mid’hat Frashëri i drejtohet ish kryetarit të Vatrës në Michigan, Fazlli Panariti, në përgjigje të letrës që kryetari vatran i dërgonte Mid’hat Frashërit. Vatra në Michigan i kishte propozuar Mid’hat Frashërin që të ishte delegat i saj në Shqipëri dhe ta përfaqësonte  Vatrën në festimet e 25 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si delegat i saj. Mid’hat Frashëri shkruan me fjalë ët zgjedhura:”Komisioni i Federatës me këtë vendim po më bën një nder të madh, dhe për mua është Jo vetëm nëj Lumturi, por një Detyrë që të jem përfaqësues i një Shoqërie nga e cila vendi dhe Kombi ynë ka pasë aq shumë shërbime…”. Po në këtë Letër Mid’hat Frashëri publikon faktin se ka hequr dorë nga jeta politike.

Më pas pjesmarrësit kanë kryer homazhe pranë Mid’hat Frashërit dhe kanë qëndruar pranë në heshtje pranë varrit të tij.

Pjesmarrësit në këtë nderim e kanë mbuluar varrin e Mithat Frashërit me kurora me lule dhe Flamurin kuq e zi. Administarta e Varrezave ka premtuar se nuk do t’i heqë ato nga varri deri në momentin që dot ë kryhet zhvarrimi.

Veprimtaria u filmua nga Adem Belliu, Televizioni Kultura Shqiptare në Nju Jork dhe nga Dritan Haxhia”EURO PHOTOGRAPHY & VIDIO”

 

Filed Under: Featured Tagged With: homazhe, Komuniteti, KURORA, Midhat Frasheri, Vatra

VATRA DHE KOMUNITETI, HOMAZHE TEK VARRI I MID’ HAT FRASHËRIT

November 4, 2018 by dgreca

– Me homazhet e veçanta, VATRA përveç nderimit për personalitetin e Tij, synon që figura e Mid’hat Frashërit të përcillet në atdhe e kristaltë, e papërlyer dhe e pakeqpërdorur nga Politika dhe Qeveria Shqiptare./

3 Frasheri Mithat

– VATRA me kënaqesi do të përfshihej në organizimin e një ceremonie dinjitoze, me pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve të diasporës së vjetër dhe të re, me qëllim nderimin më të lartë për këtë figurë kombëtare, duke filluar që nga vendi, mënyra e procesionit, akademia shkencore, apo përbërës të tjerë protokollarë, por nuk mund të bëhet as pjesë, as fasadë në një ceremoni të cunguar të minutës së fundit-

Rivarrosja në Shqipëri e trupit të Atdhetarit Mid’hat Frashëri është në parim një ngjarje madhore për rivlerësimin e figurës së Tij dhe duhet trajtuar me përgjegjshmëri si e tillë nga të gjithë aktorët pjesëmarrës në këtë proces.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka pasur vazhdimisht në programin e saj nderimin e kësaj figure gjigande të kombit tonë, si nëpërmjet akademive shkencore ashtu edhe në respektin e mirëfilltë duke vizituar varrin e Mid’hat Frashërit tre herë vetëm vitin e fundit. Ndërsa në përpjekjet tona për rivarrosjen e Tij në Shqipëri, duam të veçojmë dhe falenderojmë Dr. Skënder Murtezani, Kryetar i Degës së Vatrës në Queens, i cili ka qenë në krye të kësaj nisme duke mirëargumentuar rëndësinë e prehjes së trupit të Atdhetarit në vendin për të cilin Ai dhe Frashërllinjtë shkrinë tërë jetën.

Fatkeqësisht, rrjedha dhe mënyra e organizimit të homazheve qeveritare në Nju Jork ka ngritur disa pikëpyetje që për Federatën VATRA janë të rëndësishme, ndaj kemi pritur me durim dhe qetësi për të marre një qëndrim përfundimtar.

Dihet raporti i veçantë i Federatës VATRA me Mid’hat Frashërin:

– Mid’hat Frashëri ishte ambasador në Zvicër i emëruar nga Vatra, në kohën kur Vatra kryente rolin e shtetit të vdekur.
– Mid’hat Frashëri u thirr nga Kuvendi i Vatrës më 1919 që të drejtonte Federatën.
– Më 1920 Mid’hat Frashëri erdhi pranë Vatrës si i dërguar i Qeverisë Shqiptare për të organizuar Huan Kombëtare, kur Vatra mblodhi rreth 198 mijë dollarë për ti ardhë në ndihmë shtetit shqiptar që rrezikonte falimentimin.
– Më 1919 vatranët e Detroitit i kërkuan Mid’hat Frashërit që ti përfaqësonte në Konferencën e Paqes…

Pikërisht për këto e fakte të tjerë, duhet që Federata Vatra të ishte aktore e rëndesishme në këtë proces, dhe jo fasadë.(Padashur të largojmë vëmendjen, risjellim në kujtesë edhe faktin se si u tentua të keqpërdorej VATRA në Samitin e dështuar të Diasporës në Tiranë, dhe koha na dha plotësisht të drejtë në qëndrimin dhe largpamësinë tonë. Një pjesë e diasporës shqiptare të Amerikës u keqpërdor si fasadë në atë Samit dhe vazhdon të përdoret edhe sot për qëllime të qeverisë…)

Por, vlerësimi i cunguar i figurës së Mid’hat Frashërit nga Qeveria Shqiptare, vetëm si kryetar i Kongresit të Manastirit, duke lënë në hije tërë pjesën tjetër të aktivitetit të tij patriotik, diplomatik e kulturor nuk është në përputhje me vlerësimin e Federatës VATRA për këtë figurë kombëtare dhe VATRA nuk mund të pranojë të jetë pjesë, e përsërisim në gjykime të cunguara për qëllime politike.

Nga ana protokollare, ceremonia është akoma e paqartë dhe akoma nuk ka një program të shpallur publikisht, përveç një ftese me 5 radhë të shkruara, që mbanë firmën e ambasadores.

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, për shkak të seriozitetit të saj dhe profilit historik nuk mund të bëhet pjesë e programeve të minutës së fundit dhe të nxituara, ashtu siç në tërësi po zhvillohen këto ngjarje. Për shumë arsye të cituara në hyrje të këtij materiali, VATRA me kënaqesi do të përfshihej në organizimin e një ceremonie dinjitoze, me pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve të diasporës së vjetër dhe të re, me qëllim nderimin më të lartë për këtë figurë kombëtare, duke filluar që nga vendi, mënyra e procesionit, akademia shkencore, apo përbërës të tjerë protokollarë.

Ndonëse Federata VATRA është e paqartë për rolin e Organizatës Jofitimprurese, përfaqësues të së cilit janë mirëpritur disa herë  në zyrat tona,  duket sikur ata janë pajtuar me vlerësimin e cunguar qeveritar që po i bëhet figurës së Mid’hat Frashërit dhe nuk kanë gjetur kurajon të ngrihen në nivelin e duhur për përgatitjen e duhur ceremoniale dhe për vlerësimin shumëdimensional të Mid’hat Frashërit.

Natyrisht Vatra do ta nderojë Mid’hat Frashërin përpara se trupi i tij të niset drejt Shqipërisë. Drejtuesit zyrtarë të Federatës Panshqiptare Vatra do të kryejne homazhe të veçanta përcjelljeje tek varri i  Mid’hat Frashërit, duke shprehur respektin dhe nderimin më të thellë  për figurën shumëdimensionale të Gjeniut të Kombit dhe njërës prej vlerave më të mëdha edhe të vetë Fderatës VATRA. Me homazhet e veçanta, VATRA përveç nderimit për figurën e Tij, synon që figura e Mid’hat Frashërit të përcillet në atdhe e kristaltë, e papërlyer dhe e pakeqpërdorur nga Qeveria Shqiptare.

Federata VATRA, zyrtarisht nuk do të marrë pjesë në homazhet e cunguara qeveritare duke u distancuar nga çdo tendencë për përdorimin e figurës së Mid’hat Frashërit për qëllime politike dhe mosprezantimin e plotë të veprës e veprimtarisë së tij kombëtare. Nisur nga anëtarësia e saj e gjerë, VATRA mendon se ndjesitë për pjesëmarrje në këtë ceremoni janë tërësisht individuale dhe se askush nuk ka të drejtë të përmendë, përfaqësojë dhe abuzojë me emrin e Federatës VATRA.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA është e bindur se ashtu si edhe në raste të tjera të mëparshme, koha do t’i japë të drejtë qëndrimit tonë, thelbi i të cilit është moslejimi i përdorimit të emrit të Federatës VATRA në veprimtari ku ka qëllime të përfitimeve politike.

 

Filed Under: Featured Tagged With: homazhe, Mith'had Frasheri, tek varri, Vatra

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT