-Kryeministri Hoti priti në takim ambasadorët e QUINT-it – ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, e të tjerët, si dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog/
PRISHTINË, 24 Shtator 2020-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Koordinatori Shtetëror për Dialog, Skënder Hyseni, ka pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it, bashkë me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Prishtinë, z. Tomas Szunyog, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend, si dhe për luftën kundër COVID-19.
Kryeministri Hoti, i njoftoi të pranishmit për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, ku theksoi se ky proces duhet të përmbyllet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që përfundon me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Po ashtu, i njoftoi edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e cila ndodhi më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ku e cilësoi atë si një marrëveshje historike dhe me rezultate konkrete.
Më tej, kryeministri Hoti, iu bëri të ditur ambasadorëve masat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19, si dhe përkushtimin për gjendjen ekonomike, ku tha se Ligji për rimëkëmbje ekonomike mbetet të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilin e konsideroi si kontributin më të madh që do t’i bëhej qytetarëve dhe bizneseve në vend.
Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka vlerësuar maksimalisht rolin e shteteve të QUINT-it dhe të BE-së, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë shtetit të Kosovës, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe të shtetndërtimit.