• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHETIM MBI VETETIMA POETIKE

April 10, 2015 by dgreca

nga MSC Albert HABAZAJ/
Emri i autorit Idajet Jahaj është i dëgjuar nëpërmjet botimeve, qysh nga vitet 1975 e në vijim, në mënyrë ritmike deri më sot, si punëtor i palodhur i penës. Idajeti jep kontributin e vetë në pesë fusha të dijes: në letërsi, në gjuhësi, në biografi, në arsim dhe në gazetari, dhe ky kontribut shfaqet në horizontin e botës sonë si pesë gishtat e dorës, që kur i hap më ngjajnë si konstelacion yjor, si yll me pesë cepe e kur i mbledh bëhen një grusht, një bosht i diturisë dhe i kulturës në tërësi. Mësues në profesion, një jetë mik i krijimit, ndryshe nga kolegët e tij të penës, Idajet Jahaj operon në raportin krahasimtar ndërdisiplinor, sidomos në masën e krijimt letrar me prodhimin historik.
Profili krijues i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Idajet Jahaj dritëron edhe në punën kërkimore shkencore, ku harmonizohet fisnikërisht bukur fakti historik me rrafshin letrar. Ndër punimet historiko – letrare (me portrete, meditime etj.) të autorit Jahaj, sidomos me monografinë e veçantë historiko – kulturore “Flakadanët e historisë” për 15 figurat e ndritura të historisë së Lumit të Vlorës, me fokus gjeografik trekëndëshin Kuç – Velçë – Gjorm, në segmentin e stuhishëm kohor 1847 – 1920, kumbon qartë tingulli vetëtimtar i filozofisë historike (apo historisë filozofike), si thelb nga universi i emocionit historik. Trimat e kryengritjeve popullore nga Lumi i Vlorës me emër të rëndë në Historinë Shqiptare, me Gjolekën e Kuçit në ballë, me Lulo Habaz Mehmetin e Tërbaçit, me Cane Miftarin e Smokthinës, me Selam Hasanin e Velçës, me Mete Çobon, me Dule Zoton, me Shako Xhakën, me shtatë Leskodukajt e Bolenës, me Miro Tërbaçen legjendare, me Sali Vranishtin, Zigur Lelon, Selman Hysenin, Halim Xhelon e heronjtë e Luftës së Njëzetës me bijtë e tjerë të shpatës shqiptare të Lumit të Bardhë, pena e Idajet Jahos i shndërroi në monumente kombëtarë në lëvizje. Ata ploptësojnë portretin epik lab, himariot e vlonjat në rrjedhat e kohës, sikurse Çelo Picari Rrapo Hekali, Tafil Buzi, Sokrat Leka, Jani Rexho, Idriz Guri, Dervish Ali Dukati, Hodo Nivica, Maro (Mete) Kondi, Numan Bala, Kanan Maze, Sado Koshena, Avni Rustemi, Osman Haxhi Nuri, me ballin e yjeve Ismail Qemalin, që shkëlqejnë në qiellin e ndezur të lavdisë historike të kombit, krahas trimave dhe trimëreshave të tjera shqiptare, që kanë dalë e kanë bërë emër të lartë nga të gjitha krahinat e banuara me Shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë, që janë dhe e ndjejnë veten Shqiptarë, nga Çamëria në Kosovë, nga Ulqini në Shkup, nga Sazani në Dibër, nga Mitrovica në Prevezë, nga Janina në Tuz, nga Manastiri në Shkrel. Pena me firmën Idajet Jahaj i ka rrokur vezullueshëm këto treva shqiptare me kontribute për historinë, kulturën dhe arsimin kombëtar, ndërsa personazhet historikë, që lartpërmenda, qarkullojnë në trupin e tij me gjakun e tij, janë në palcën e tij kombëtare, janë musht i ndjenjës poetike dhe i forcojnë koherencën studimore.
Profili krijues i Idajetit shfaqet në katër drejtime. Së pari, si poet (me 8 libra poetikë të botuar plus 6 të tjera në proces) klasifikohet në poezinë e vargut të lirë, ku spikat simbolizmi metaforik. Në larminë tematike sundon motivi filozofik. Së dyti, në krijimtarinë e tij dallon mendimi letrar dhe tregimi i shkurtër, sidomos tek vëllimet “Në qiejt e këngëve”, “Kur çelin lulet e para” etj., ku larmia e motiveve, aspektet jetësore, dramat vetiake e sociale jepen të gjalla, me ngjyra artistike e lëng estetik. Së treti, punimet historiko – letrare (portrete, meditime etj.) vijnë për lexuesin në tingullin e historisë filozofike si universe të emocionit historik. Së katërti, proza e shkurtër “Loti i Diellit dhe hënëzat e limonit” lëvron një gjini të palëvruar gjer më sot, të paktën në Vlorë, me subsatncë liriko- filozofike – poetike (larg gjigandomanisë romaneske të sotme, që të gufos, sidomos nga shkëlqimi mediatik verbues, i ngritur mbi paterica tarafesh, miqësish të vogla në kurriz të shijes së qytetarit, që nuk i sjellin asnjë dobi lexuesit) krijimtaria e Idajet Jahos na jep mesazhin që të shikosh ylberin e lotit në qelizë, jo në paraqitjen e madhështisë e malicitetit, nga moli në mol.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, MBI VETETIMA POETIKE, UDHËTIM

Në gjurmët e miniaturave artistike të shkrimtarit të talentuar Idajet Jahaj

May 28, 2014 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/
Para pak ditësh më ra në dorë një vepër artistike e shkrimtarit vlonjat Idajet Jahaj që ma dërgoi me kushëririn tim Arshi Ymeri, një veprimtar i njohur ky i Shoqatës “Mesapliku”. Vepra titullohet: “Loti i diellit dhe hënëzat e limonit”. Është një përmbledhje me grimca lirizmi të artë, me 22 miniatura artistike në 67 faqe gjithë-gjithë.
Këtë shkrimtarë e kam bashkëpatriot. Të dy jemi nga Smokthina, nga fshati Mesaplik. Që në moshë të re, pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, ai filloi punë në shkollën 8-vjeçare të fshatit të tij të lindjes. Që asokohe, ai i hyri me shumë zell punës për hapjen e një muzeu të fshatit në mjediset e shkollës. Më pati lënë përshtypje të jashtëzakonshme puna e tij këmbëngulëse për pasurimin e muzeut me të dhëna interesante nga jeta e figurave historike të fshatit tonë.
Me kalimin e viteve, në personin e Idajetit erdhi e u kristalizua figura e një krijuesi të aftë në fushën e gazetarisë, të publicistikës, të memorialistikës historike dhe të letërsisë artistike. Prandaj sot, kur ai po i afrohet moshës së pensionit, në inventarin e krijimtarisë së tij në këto fusha, figurojnë 35 libra të botuar, 13 nga të cilat i përkasin artit poetik dhe prozës artistike.
Libri në fjalë është një perlë e vërtetë në botën e letrave shqipe. Ai të rrëmben me miniaturat tërheqëse që autori i ka qëndisur aq mjeshtërisht, saqë të befasojnë me larminë e figuracionit artistik.
Miniatura është një gjini mjaft interesante e letërsisë artistike. Ka mendime të ndryshme rreth vlerësimeve që i bëhen asaj në lëmin e kritikës letrare. Dikush mendon se ajo është një poezi në prozë, dikush tjetër thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me një tregimth të shkurtër apo thjesht me një formë të gjinisë letrare të përmasave tejet të rrëgjuara. Kësisoj miniatura përfaqëson një largim nga kornizat tradicionale të gjinive letrare.
Me këto miniatura, shkrimtari Idajet Jahaj ecën në gjurmët e shkrimtarëve të shquar të traditës sonë letrare, si Migjeni dhe Nonda Bulka, duke e pasuruar edhe më tej këtë traditë me larminë e figuracionit artistik.
Miniaturat e këtij shkrimtari të talentuar dhe të heshtur deri në thjeshtësi të admirueshme, bien në sy për pasurinë e mjeteve artistike, në të cilat krahasimi i lë vendin metaforës, metonimia zëvendëson sinekdokën., pas epitetit vjen personifikimi etj.
Fjala, në miniaturat artistike të shkrimtarit Idajet jahaj, përfaqëson në vetvete një botë origjinale. Fjala artistike në këto miniatura është pasqyrë e raportit të autorit me realitetin, e perceptimit të veçantë të botës që e rrethon. Në tekstet e tij artistike, saktësia e rrëfimit përcillet përmes larmive metaforike, të vërtetat jetësore përfaqësojnë zbulime artistike. Mënyra e rrëfimtarisë së autorit në këto miniatura, më sjell në kujtesë një dyvargësh të shkëlqyer të poetit të shquar gjerman Henrik Hajne (1797-1856):

Në një fjalë të vetmve do të doja
Ta shkrija brengën dhe trishtimin.

Arti i fjalës në këto miniatura është shprehje e individualitetit të autorit. Përmes metaforave, autori na përcjell thurimën letrare, e cila krijon figura që lexuesin e ngrejnë peshë, figura këto që ndikojnë mbi të me një forcë emocionale të jashtëzakonshme. Fjalët autori i pasuron me ngarkesa kuptimore mjaft domethënëse, duke i stërpikur ato me magjinë e ngjyrimeve stilistikore.
Figuracioni në miniaturat e këtij autori, vjen e shpërfaq gjallërinë, qartësinë, natyrën bukurimore të pasqyrimit artistik, që janë tipar i përhershëm i çdolloj arti, që janë forma të njohjes së realitetit nga pozitat e një ideali estetik.
Me stilistikën e vet krijuese, shkrimtari Idajet Jahaj, figuracionin e ligjërimit e trajton si një tipar të veçantë të rrëfimtarisë artistike, tipar ky që vjen e përfton shprehjen më të plotë në gjuhën e miniaturave të tij të magjishme. Prandaj, në kontekstin artistik, fjala e autorit në këto miniatura bëhet pjesë e pandashme e sistemit të mjeteve figurative dhe kryen domosdoshmërisht një funksion estetik.
Në ditët tona, miniatura është një gjini letrare mjaft e qëlluar. Prandaj edhe shkrimtari Idajet Jahaj, duke pasur parasysh ritmet e përshpejtuara të jetës bashkëkohore, kohën e racionuar për leximin e librave, morinë e reklamave me subjekte të shkurtra, del para lexuesve me këtë buqetë miniaturash që të emocionojnë jo vetëm me rrëfimtarinë fjalëkursyer, por edhe me natyrën e tyre poetike që herë-herë shoqërohet edhe me kadencën karakteristike të vargëzimit.

Tiranë, 28 maj 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: ESHREF YMERAJ, Idajet Jahaj, shkrimtari i talentuar

Porosi rilindase në pasaportën shqiptare

March 3, 2014 by dgreca

Nga Idajet  Jahaj &  Arshi  Ymeri?

Çdo qytetar i botës ka një dokument identifikues. Në çdo pikë të globit ku ai ndodhet, sa herë e shfleton këtë dokument, përndritet nga rrezet e vendlindjes, të atdheut. Ne në Shqipëri kemi edhe një emërtim me shumë për atdheun. Equajmë atë  edhe “mëmëdhe”. Pra emërtim i dyfishtë, dhe, rrjedhimisht, edhe dashuri e dyfishtë ndaj dheut- mëmë. Prandaj pretendojmë se e duam shumë vendin tonë. Sa herë leçitim këto emërtime për atdheun, na vijnë ndërmend vargjet e Sen- Poetit NAIM;                   

Shqipëri, o jetëgjatë,

Ty të kemi mëmë e atë…..

Dielli rilindas i ngrohu palcën këtij kombi. E jo vetëm palcën, por edhe idealet, fytyrat,  ballet e brezave të tij. Rilindja e ndriti këtë komb. I dha atij breroren etnike, kurorën e qetësisë, aurorën në këtë glob. E pajisën me krenarinë e ligjshme. Sa i zbatuan shtetet tona të shekullit XX këto mësime të rilindasve? Mirë apo keq, këta shtete kanë udhëtuar. Kanë lënë pas tyre edhe pjesë të mira, sikurse kanë lënë edhe fragmente blozë…..Pas ditës së Ismail  Qemalit, erdhi shteti monarkist i Zogut, më pas diktatura komuniste, e pas  saj- demokracia……

Sa rreze rilindase kanë  kanë pasqyruar ato?…..

….Në shtetin e Zogut, në vitet 30-të  të shekullit të kaluar, në pasaportën e qytetarve “ të MBRETËNISË’  në një faqe të sajë, shkruhen disa kujtesa. Ja ç`ishin ato;

Të jesh i sigurtë se fatbardhsia e lumturia e jetës gjendet në Shipëri, e cila të jep nder, të fal emrin shqipëtar.

Ruaje mirë karakterin kombëtar dhe kryelartësinë shqipëtare….. Bindju ligjeve dhe urdhrave të vendit kudo që të jesh.

Çdo shqiptar është vëllai  yt . Nderoje dhe ndihmoje kurdoherë që të ketë nevojë.

Mos e përbuz gjuhën e nënës. Mos folë në gjuhë të huaj kur s`është nevoja.

Kush nuk e nderon shenjën e atdheut- Flamurin, – ai tjetërson veten e vet.Dashuria për atdhe ndjehet më shumë në mërgim…..

A nuk janë këto disa nga rrezet e diellit rilindas.? Dh janë shprehur me vargjet e poetëve tanë – ikona;  Naimi, Fishtës, Konicës. Porositë vijojnë për karakterin, krenarinë, nderimin për flamurin. Pra ja një pasqyrë rilindasve – të shteti monarkist  { i paraçlirimit}.  Por, a nuk ka çdo shtet pasqyrza të tilla ? T`i bashkojmë ato e të formojmë diellin e traditës, për të na ndriçuar rrugën përpara.Vetëm kështu do të ndërtohet familja e madhe që quhet popull ose komb.Vetëm kështu do të çelim e lulëzojmë pemën e madhërishme të jetës që quhet ` Evropë` këtu në perifrinë e sajë. Dhe kënga “ Insieme” do tingëllojë më e bukur së bashku me tingujt e madhërishëm të hymnit tonë kombëtar. Atëherë ne do të  përndritemi siç e deshën rilindasit, si një gurë i çmuar, si një rubin me prizma…..Anuk ka mundësi që edhe në pasaportat tona të sotme të shkruhen këto porosi të arta, siç ishin në pasaportat e qytetarëve shqiptar në vitet  30-të të shekullit të kaluar? !

Vlorë , 1 mars  2014

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Arshi Ymeri, Idajet Jahaj, pasaporta, Porosi rilindase

IDAJET JAHAJ I FTUAR NE SOFREN E “DIELLIT”

November 21, 2013 by dgreca

PATI EDHE NJE KOMB TE VOOOGEL,TE VOGEL/

Cikel poetik nga Idajet JAHAJ/

Pati  edhe  kombe/

të mëdhenj, të mëdhenj/

plot diej e kaltërsi,/

plot rreze e stuhi,/

plot…shpirtësi./

Rreth e rreth planetit

në vijë.

Dhëmbi  i peshkut të madh

i çau më dy!

Pati edhe një komb

të voooogël,të vogël,

në një pikëz të planetit,

në një cep  të  tij,

si zemër e  tij,

thërrime, qiri,

dritë,pellazgji,…

 

E ndanë më katërsh,

e ndanë më tri !

Kaq gjak,

kaq  gjak të ëmbël

paske patur, Shqipëri ?!

 

SE  ESHTE METAFORA…

…Se është metafora-mbretëresha  e tropeve,

Se është poezia – princesha e letërsisë,

Se është Homeri – mbreti  i  poetëve,

 

Se është  zhgaba – mbretëresha e zogjve,

Se është luani – mbreti  i kafshëve,

Se është balena-mbretëresha e peshqve…

Se është  Amerika –mbretëresha e shteteve,

Se është njeriu-mbreti i planetit,

Se është dielli-mbreti i sistemit…

Se është Toka – diamanti i qiellit,

Se është shqipja-diamanti i gjuhëve,

Se është arësyeja – diamanti  i gjithësisë…

Se është metafora –mbretëresha e tropeve…

 

REXHEP QOSES

 

Fare rrallë

Për Naimët e gjallë.

Perëndia

s’e vdiq Naimin,

e hodhi farë

nën  dhe.

 

E prej tij

mbitë  Ju,-

o Rexhep Qose,

besnik-Naim.

O fjalë-lotuari

bubullim,

O mjekër -treturi

i vendit tim,

 

Që hedh firmën

yll-pranverë:

 

-Ti,Shqipëri

më jep nder,

 

Që skuq firmën

Zjarr  e valë:

 

-Shqipëri,

të qofsha falë !…

 

JETE E FLAKTE

 

Avduli  rrojti-

53 vjet,

Naimi  rrojti

54 vjet,

Samiu rrojti

54 vjet.

 

Nga një gjysmë jete,

nga një jetë e paktë,

etje-flaktë,

 

si ujët e paktë,

por i bekuar,

pi  i përrallës,

 

por që  i çeli sytë kombit…

 

F E N I K S …

 

…Copë dheu

ku,edhe eshtrat e tij

besojnë ende

nëringjallje.

 

Veshur me zjarre

shekujsh të  përzhitur.

 

Dhe lis

çarë nga vetëtimat

e qiellit ëgërsuar

 

Ku

nga kopaçi i kalbur

harbohet një filiz…

PERPARA PORTRETIT TE DE RADES

 

Sytë-të tretur

nga malli i Arbërisë,

 

Nofullat- të   futura

nga meraku i largësë,

 

Buzët-të mekura

nga loti i dashurisë,

 

Mishrat –të holluara

nga  erozioni i pleqërisë.

 

Dhe tani

duket sikur thotë:

-Sikur  edhe vetëm

kockat të më mbeten,

do  t’i zvarrit ato

drejt  Shqipërisë !…

 

VITI  -QEN

 

1913-ta  -qen!

Kafshoi kombin

në mes

Ndau :

Gjysmën e dheut,

gjysmën e gjuhës,

gjysmën e gjakut,

gjysmën e qiellit.

Prej  njëqind vjetësh-

borë urrejtjeje,

stuhi  vullkanesh,

stinë  tërmetesh.

Gjaku pikoi

nga thelbi i  qiellit,

loti valoi

nga syri i diellit,

Po shpresa ndriti

në kupë të qiellit,

E, pas 100 vjetësh

u ul  mes  nesh

në sofrën e diellit…

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, Idajet Jahaj, Pati dhe nej Komb te voogel

PLANETI KOMB-Sofra Poetike e Diellit

April 28, 2013 by dgreca

Poezi nga IDAJET JAHAJ, Vlorë/

 

MBIJETESE/

 

E shtypën shekujt, po s’u shua,/

E tkurrën kohrat, po s’u dha;/

I shkuan flakët, s’u shkrumbua,/

I fruy murlani, po s’u tha./

Në dimrat mijëravjeçarë/

Në palcën e thellë e ruajti farë,/

E si feniks i vërtet’

Bulëzoi nga palca e vet.

 

Komb-feniks i vërtetë

Që vetveten rilindi

Çdo pesëqind vjet…

 

 

KOHET E KOMBIT TIM

 

Si i ndau kështu

kohët e kombit tim

natyra mëmë –

kështu si?

 

Të shkuara në varg

pambarim

si sumbullat

në tepsi.

 

Më të shumtat – të zeza,

si dënesa

por me jetë –

shkurtësi.

 

Të bardhat – të pakta,

si urata,

po me pa –

vdekësi…

 

 

VITI QEN

 

1913-ta-qen!

Kafshoi kombin në mes.

Ndau:

gjysmën e dheut,

gjysmën e gjuhës,

gjysmën e gjakut,

gjysmën e qiellit.

 

Prej njëqind vjetësh –

borë urrejtjeje,

stuhi vullkanesh,

stinë tërmetesh;

 

Gjaku pikoi

nga thelbi i zemrës,

Loti pikoi

nga syri i diellit,

por, më në fund,

shpresa ndriti

në kupë të qiellit

e u ul

si diell i urtë

në sofrën e BASHKIMIT.

 

 

 

“KODRA E DIELLIT”

(Toponim, Kosovë)

 

Dielli aty

s’ perëndoi

e s’perëndon

kurrë.

 

Që tej –

në Pellazgji –

hijeshon

si burrë…

 

 

Ç’TË THEMI MË PËR SKËNDERBEUN?

 

Me shpatë cacu qiejt

e shkroi: ARBERI!

 

Pastaj shpatën e nguli

në dheun e ylltë

e gjëmoi:

– Mbillini ulli,

mbillini ulli,

mbillini ulli!

 

E gjëmimi jehoi

shpateve të shekujve,

në përjetësi.

 

 

 

MALI I SKËNDERBEUT

 

Nuk mjaftoi një varr

për emrin e tij,

u desh edhe një mal

për të rënduar

në përjetësi.

 

 

ISMAIL QEMALI

 

Ai erdhi në një çast

udhëkryq të kombit,

të qenies,

e të mosqenies

së tij.

 

Perëndia

me dorën e tij

në dritë të flamurit

i dha rrotullimin e përjetshëm

planetit SHQIPËRI.

 

 

PLANETI KOMB

 

Pati edhe kombe,

të mëdhenj, të mëdhenj,

plot diell e kaltërsi.

 

Dhëmbi i peshkut të madh

i cacu më dy!

 

Pati edhe një komb

të vooogël, të vogël,

plot rreze, yjësi,

në një pikëz të planetit,

si zemër e tij,

thërrime, qiri,

dritë, pellazgji.

 

E ndanë më katërsh,

e ndanë më tri!

 

Kaq gjak,

kaq gjak

të ëmbël

paske pasur

SHQIPËRI?!…

 

 

GONXHJA HYJNORE

– Nënë Terezës –

 

Fytyra – plot rrudha –

bukë hyjnore,

 

Flakë Jezusi,

Globi në shami.

 

Kurrizi-kërrusur

mbi shpirtësi,

 

Planetin e leu

me mirësi;

Dhe i thoshin GONXHE,

Dhe i thoshin BOJAXHI!

 

Dhe i thoshin GONXHE,

e lokes Shqipëri.

 

 

AKOMA, AKOMA

Ç’TI JAPESH BOTES?

 

I dhe botës,

Strategun e lashtësisë – Pirron,

Mburojën e Krishtërimit – Skënderbeun,

Mësuesin e Kopernikut – Tomeun.

 

… Shekspirianin tronditës – Moisiun,

Genin rrezatues – Migjenin,

Cilindrin e artë të mendjes – Çabejn,

Klasikun e gjallë – Kadarenë…

 

Akoma, akoma,

kombi im i vogël,

ç’ti japësh botës

si dritë, rreze?

 

Ah, po

edhe NËNËN e saj –

TEREZËN,

 

 

HYJNORE

Java ka shtatë ditë,

Ylberi ka shtatë ngjyra,

Pentagrami ka shtatë nota,

Bota ka shtatë mrekulli,

Arusha e madhe ka shtatë yje,

Arusha e vogël ka shtatë yje,

 

Shqipja ka shtatë zanore –

SHTATA – hyjnore.

 

 

ISMAIL KADARESË

 

Hamall i madh i halleve të Kombit,

Lavdi i jep e merr prej tij lavdi;

Dritë pikon art’ i tij nëpër mote

E si drita nëpër botë përhapet fjal’ e Tij.

 

Eskilët rrallë kanë ardhur në këtë botë

e kometat në qiell janë dukur gjithashtu,

Vepr’ e Ismailit këtë mesazh na thotë

për kombin e tokën që e lindi këtu.

 

Ky Eskil modern kudo ku shkoi e vete,

si Eskili i moçëm

Atdheun bart me vete.

 

 

 

ALITERACION YJESH

 

“Migjeni –

më gjeni

një tjetër fëmijë –

Mbigjenì –

si ky.

 

“Kadare, –

ka … darë e ar,

radar…

me fluturat fjali

e avionët-fjalë…

 

“Dritëro Agolli –

Dritë…

dhe “agoi”

dhe

“diellin” e mbolli”,

e që kurrë s’perëndon.

 

“Naimi” –

është yti,

është imi

i shqipes agimi,

i tokës gëzimi,

ndrudhëzë dielli

prej qielli.

 

“Nënë TEREZA” –

– ëndë

dhe rreze

e planetit –

beze…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Idajet Jahaj, Planeti Komb, poezi, Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT