• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Relievi Shqiptar – Toponimet dhe Emrat si pjesë e identitetit dhe lidhjeve me gjuhën dhe kulturën Shqiptare…

September 21, 2020 by dgreca

Nga Enela Markja *-

Mësimdhënia e gjuhës amtare në diasporë ka qenë dhe mbetet një ndër sfidat kryesore të Diasporës duke vënë në lëvizje dhe bashkëpunim aktorë dhe faktorë në Diasporë si dhe vendet mëmë Kosovë-Shqipëri.Përcjellja e njohurive nëpërmjet gjuhës dhe përdorimi i elementëve lidhës të historisë, gjeografisë, traditave, folkorin dhe shumë faktorëve  tjerë kulturorë është qëllimi i cdo mësimdhënësi.Që kjo gjë është e mundur  sot e faktojnë Arbereshët e Italisë dhe modeli i tyre kulturor.

Me zhvillimin e botës Digitale (jo vetëm për shkak të Pandemisë) dhe shtimin e rrjeteve sociale bëhet e mundur një bashkëpunim, shkëmbim e komunikim intensiv mbarë botëror mbi baza të shëndetshme tematike, siç është në këtë rast mësimdhënia e gjuhës shqipe, duke i dhënë diasporës nuanca dhe karakteristika tematike. 

Mësimi i gjuhës shqipe në Diasporë është i varur nga forca dhe përbërja e komunitetit shqiptar si dhe nga zhvillimi i tij social në vendin ku komuniteti jeton, por gjithashtu një rol të rëndësishëm luajnë dhe kornizat dhe kushtet të cilat vendi atij i ofron. 

Koha e mësimdhëniës është një tjetër problematikë me të cilën ndeshet cdo mësues në diasporë. Duke pasur parasysh që tek fëmijët detyrimet shkollore si dhe aktivitetet jashtë shkollore janë shumë të domosdoshëm për zhvillimin e tyre dhe integrimin e plotë të fëmijëve në shoqërinë ku ata jetojnë, janë dy orë mësim suplementar në javë; të realizuara në këtë format mësimor, vlerësoj se kjo përbën një ngarkesë për fëmijët, si dhe për mësuesin është një kohë shumë e shkurtër për ezaurimin e lëndës mësimore. 

Një rol shumë të rëndësishëm në mesimin dhe perdorimin e gjuhës luan dhe komunikimi ne familje dhe edukata familjare. 

Mësimi i gjuhës amtare nuk duhet parë si pengesë në integrimin e fëmijëve në shoqërinë ku jetojnë, përkundrazi, – nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare, arrihen të konsolidohen disa tipare shumë të rëndësishme të individit, si: 

  • Zhvillohet aftësia për të përvetësuar gjuhë të huaja dhe kombinuar kulturat përkatëse;
  • Shumëgjuhësia promovon mirëkuptimin brënda një shoqërie të karakterizuar nga diversiteti
    kulturor dhe gjuhesor;
  • Zotërimi i gjuhës amtare është kualifikim i vlefshëm për jetën shoqërore dhe zhvillimin ekonomik;
  • Ndërgjegjësimi për vlerën e kompetencës së gjuhës amtare shton motivimin dhe vetëbesimin e nxënësve dhe ndihmon integrimin e tyre; 

Mësimi i gjuhës amtare luan një rol jashtzakonisht të rëndësishëm në forcimin e personalitetit të fëmijëve dhe kështu ato pranojnë dhe kapërcejnë më lehte sfidën e adoleshencës duke ditur se kush janë dhe çfarë prejardhje kanë.  

Metodat e mësimdhënies në Diasporë kanë një diapazon të gjerë gjuhësor, kulturor dhe historik. Ndërthurja sa më e natyrshme e tyre, bën të arrihen nivele të larta në mësimdhënie duke rritur efektivitetin e të nxënit.

Në këtë aspekt, një histori mbreslënëse më shoqëron gati një vit dhe më bën të kërkoj vazhdimisht gjetjen e mënyrave të mësimdhënies sa më efektive me qëllim rruajtjen e gjuhës, traditave dhe kulturës. Gjatë pushimeve me familjen verës që kaloi në Sarandë (Gusht 2019), dëgjoj një bisedë në gjermanisht mes dy vajzave të reja rreth 20 vjeç. Kurioze, mbase dhe nga profesioni, i pyes gjithashtu në gjermanisht se cili ishte motivi i tyre për të vizituar Shqipërinë dhe konkretisht Sarandën.  Njëra nga vajzat m’u përgjigj që ka lindur dhe jeton në Frankfurt dhe i ati i saj shqiptar, i ka dhuruar emrin „Saranda“! Vajza ishte shumë kurioze të mbledhë sa më shumë informacione rreth emrit, rreth vendit, prejardhjes, kulturës; U ndjeva e gëzuar por ndërkohë evidentoja që po flisja me një vajzë me orgjinë nga Shqipëria të quajtur „Saranda“ në gjuhën Gjermane…. elementi lidhës shumë i rëndësishëm në këtë bashkëbisedim mungonte – Gjuha!  

Dhurimi i emrave të vendeve tek njerëzit është një karakteristikë e veçantë shqiptare, që për mendimin tim ka ndodhur për disa arsye: 

  • Shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë, mbartnin në këtë mënyre, si pjesë e qënies së tyre një copë Atdhe – duke pasur parasysh që toponimet janë tregues të denjë të autoktonisë shqiptare, dhe ruhen nga njeri brez në tjetrin pa asnjë ndikim fetar apo politik.
  • Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, për mendimin tim, me “dhurimin” e emrave të lumenjve (Drin, Erzen, Valbonë, Vjosë, etc), deteve (Jon dhe Adriatik), maleve (Korab, Tomorr, Jezerce, etc), krijuan një panvarësi nga feja (përmend këtu moton “Feja e shqiptarit është shqiptaria”) duke mbartur këto toponime që kanë një jetëgjatësi shekullore dhe tregojnë bukuritë të natyrës shqiptare.

Duke u nisur nga Emrat që ne mbartim, mendoj që trajtimi i toponimeve gjatë orës së mësimit është metoda për të lidhur gjuhen me gjeografinë, kulturën, traditat, veçoritë dhe karakteristikat e zonave. 

Si shembull mund të marr lumin e Valbonës dhe emrin e të cilit e mbartin shumë vajza shqiptare, – ku Valbona është një nga lumejntë më të rrëmbyeshëm të Alpeve shqiptare. Pjesa lindore e tyre me 12 maja mbi 2000 m ka një natyre dhe pamje solemne dhe mitologjike duke qenë kështu atdheu i eposit shqiptar. Nëse Jezerca do te ishte mbreti i Alpeve shqiptare, atëherë është Valbona që buron pikërisht nga kjo zonë, mbretëresha e tyre. Përbërja gëlqerore e shkëmbinjeve si dhe veprimtaria gryrëse e përrenjve dhe lumenjve, krijojnë lugina mjaft të thella dhe me pamje mahnitëse. Në pjesën e gjerë të luginës se Valbones gjenden fshatrat Dragobi, Shoshan, Bujan dhe më poshtë përshkon Valbona dhe qytetin e Bajram Currit para se të derdhet në liqenin e Fierzës. Karakteristikë e kësaj zone jane pyjet e dendura me gështenja dhe me një botë të pasur shtazore.

Duke shqyrtuar karakteristikat e zonës, traditat e historitë që mbartin ato treva, festat, këngët dhe vallet me kostumet e tyre shumëngjyrëshe, përcjellim tek nxënësit jo vetëm mësimin e gërmave, shkrimin dhe leximin, por për të mos e përsëritur të gjitha fjalët – përcjellim atë që ne na bën të ndjehemi shqiptar.

*Trajtesë për Seminarin e tretë arsimor “ Arritjedhe perspektiva të mësimit të gjuhës amtare në Diasporë “ – Nju Jork, 12 shtator 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Enelja Markja, IDENTITETI, Toponimet

Gjuha, tradita, identiteti dhe Shqiptarizmi

December 28, 2018 by dgreca

1-Filip-Guraziu-1Nga Filip GURAZIU/

Gjuhapa dyshim asht elementi kryesor bashkëformues  i nji  populli  dhe së bashku me sjelljet ose veprimet  që manifestohen  në mënyren e jetesës , kodin juridik dhe kulturën e nji populli formojnë ate që ne e quejmë  Traditë.

Dy konceptet, Gjuha dhe Tradita me kalimin e kohës zanë vend thellë në ndërgjegjën e individit ( i konsideruem qelizë formuese e ndërgjegjës së shoqnisë njerzore) dhe projektojnëe me kalimin e kohës…përcaktojnë  konceptin e Identitetit.

Tradita dhe identiteti  janë dy  koncepte juridike  që bashkëjetojnë të ndërthuruna ngusht njena me tjetrën gjatë evolucionit të  pa mbarim të nji shoqnije njerzore, tue qenë në të njajten kohë mjaft të ngjajshëm, por konceptualisht të ndryshëm.

Evolucioni i pashmangshëm, efekt magjik i kohës, ndikon pa paragjykim  në transformimin e “ mjedisit “ ku jeton shoqnia njerzore tue transformue edhe vetë njeriun. Ai (evolucioni ) nuk pyet për urdhna politikë, për dasi krahinore, për dëshira të “unit”, por vepron simbas nji logjike të imponueme prej  nji fuqie të padukshme e cila përjeton përmbrendë ndërgjegjes së  nji shoqnie njerzore dhe kushtëzohet prej  Identitetit.

Asht pikërisht ky identitet që imponon kodin specific  të skalitjes së ADN së individit  dhe që percakton dhe dallon nji popull me nji tjetër. Tue e shtri hapsinën e logjikës per të gjitha qeniet e gjalla,  lehtësisht konstatojmë  se sa fort dashunohet ruejtja e Identitetitne natyre; kaq e fuqishme paraqitet kjo “ lidhje “ me Identitetin , sa shpesh për me e ruejtë dhe trashigue sfidohet jeta në favor të vdekjës!

Diktatura në vitin 1972 i dha dënim maksimal Gegnishtes me pasojë eleminimin material të sajë, por anës shpirtnore të lidhun me Identitetin nuk pati se  ç’ka me i ba ! Gegnishtja jetoi për shumë vite  në letargji mbrenda ndërgjegjës popullore derisa shpertheu mbas viteve 90-të…

Sot Gegët vazhdojnë të komunikojnë në familje gegnisht ashtu si kanë folë prindt e tyne; sot “ paskajorja “ hap mbas hapi po gjenë terren në komunikim jo vetëm në veri; sot, shkruejnë gegnisht mbi 200 autorë; sot shkruhen artikuj në gegnisht në gazetat kryesore; sot këndohen kangë në gegnisht; sot nji masë e madhe njerzish të thjeshtë ( Gegë) shkruejnë poezi në gegnisht si forma ma e sinqertë dhe direkte e shprehjes së tyne emocionale ( Libri “ Antologji – Gegnishtja Poetike “ i publikuem kët vit përmblodhi poezi në gegnisht prej 35 autoreve të panjohun ma parë )

Pra, gegnishtja jeton fuqishëm në ADN e popullit shqiptar !

Mungesa e gjuhës së Nanës , hupja e gegnishtes  na transformon në  nji popull pa identitet, ‘ pa të kalueme dhe pa të ardhme ‘ dhe me të drejtë vijnë pyetjet: Kush do të ishim ne shqiptaret pa identitetin tone? Prej kah erdhëm  dhe ku do të shkojmë ? C’farë të drejte juridike do të kishim ne për mbrojtjën e interesave tona  kombëtare me qenë se pa Gegnishten mbesim me identitet anonim ?

Në kushtet e nji “ beteje të verbërt “ me fillesë  politike dhe  e nxitun prej nji smire me motive krahinore antishqiptare që sot mbahet në kambe artificialisht prej atyne akademikve të cilët vlersojnë ma teper “unin” e tyne se  sa interesat ‘ kuq e zi ‘ mbarëkombëtare, del si ‘ detyrë mbi detyrat’  jo vetem mbrojtja, por edhe rritja e fuqizimi i përdorimit  të gjuhës së Nanës, Gegnishtes.

POR KUJDES !!! Nuk kërkohet  përmbysje e “standartit “ në favor të Gegnishtes, por vetem rishikimi e tij për me mundësue ndërthurjën  sa ma të mire dhe mbi baza shkencore të Tosknishtes me Gegnishten ! Thirrjes tonë i vjen në ndihmë ‘ dialektika dhe evolucioni: gjuha si pasqyrim i pandashëm i evolucionit në mjedisin shoqnor kërkon domosdoshmënisht sot mbas 46 viteve studim dhe rishikim, vetëm akademikët marksistë të edukuem me filozofinë materialiste paraqiten dogmatikë spse për kët rast nuk i pranojne zhvillimet dialektike !!!

Nw kwto 30 vjet “ demokraci “ shqiptarët thyen ‘tabu’ qw nuk ja merrte mendja kuj; si heqia e vendimit me vdekje ose pranimi ligjor i martesave me të njajtin seks etj., por vetem rishikimi i vendimeve qe na la i “ashtuquejtuni kongres politik gjuhesor “ i 1972  vazhdon të konsiderohet TABU !  Dashakeqësi ?,   No coment !

A munden dhe a duhet të bashkohen Shqiptarët me kontributin e tyne modest në favor të gjuhes së Nanës ? Ç’ka nënkupton  ruejtjen dhe mos hupjen  e veprave madhore kulturore identitare për mbarëkombin shqiptar;  të Kristoforidhit, Fishtës, Shirokës, Vasës, Gjeçovit, Mjedës, Migjenit, Prennushit, Koliqit, Camës, Pipës, Rrepishtit , Shllakut, Dedës, Gjeçit e shume e shume te tjereve , në shërbim të edukimit të brezit të ri ! A duhet dhe a mund të jemi bashkë për ruejtjen e traditave tona, për ruejtjen e identitetit tonë ?

 

Jemi të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë ekonomike  dhe morale që po kalojnë  shqiptarët, por në të njajtën kohë jemi po aq të ndërgjegjësuem dhe të bindun se nuk duhet me hupë kohë, por me u  bashkue me kontributin tonë rreth nji ideali që  nuk lidhet me partitë politike, as me besimet fetare,  as me nacionalizmin agresiv dhe as me diskriminimin e pakicave etnike  etj., por që ka si objektiv  vetëm  ruejtjen e identitetit etnik, nderimin e flamurit kuq e zi, për nji kohezion sa ma të fortë ndërmjet shqiptarve kudo që ndodhen me qëllim respektimin e sakrificës së mijra shqiptarve që derdhën gjakun për atë flamur dhe nderimin e  të gjithë atyne që sakrifikuen çdo gja për kulturën dhe traditen tonë , për gjuhen Shqipe që nuk mund të kuptohet pa bashkimin dhe nderthurjen e  Gegnishtes me Tosknishten..

Vetëm kështu bashkohen shqiptarët rreth identitetit të tyne historik tue u radhitë me krenari si nji ndër popujt ma autokton tëBallkanit . Ky asht vizioni i së ardhmes  që i hapë rrugën Shqipes dykrenare drejtë naltësive hapsinore për  me fluturue “ la e më la “.   Te bashkohemi pra e mos tëpresim ma!

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Filip Guraziu, gjuha, IDENTITETI, shqiptarizmi, tradita

PRESIDENTI META: JU PËRGËZOJ PËR RUAJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR!

September 24, 2018 by dgreca

Presidenti Meta mori pjesë në meshën e mbajtur në kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”/*

2 Dom Pjetri e takon1 dom pjetri me salle1 Ilir1 flet1 Balaj Presid as1 shqoponja N Tereza4 salle1 prerja e Tortes

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi kishën katolike shqiptare të Hartsdale-t në Nju-Jork ‘Zoja e Shkodrës”, ku mori pjesë në meshën e shenjtë të së dielës, 23 Shtator 2018.

Ëshët pritur me duartrokitje prezantimi që i bëri presidentit të Republikës z. Ilir Meta dhe shoqëruesëve të tij, famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj.

Gjatë meshës famullitari Dom Pjetër Popaj tha se lutej për presidentin Meta, dhe për të gjithë udhëheqësit shqiptar, që ata t’i ndriçojnë rrugën dhe t’i shërbejnë me përkushtim Kombit tonë.

Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve dhe besimtarëve Presidenti Meta përshëndeti bashkatdhetarët e shumtë duke u shprehur: “Vetëm pak ditë më parë unë pata gjithashtu privilegjin dhe fatin të vizitoja Selinë e Shenjtë dhe të pritesha në një audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, pikërisht në prag të 4-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.

Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për t’u ritakuar me Atin e Shenjtë, por njëkohësisht edhe për të dëgjuar lutjet e tij, bekimet e tij për popullin tonë dhe për kombin tonë. Shenjtërimi i Nënë Terezës prej Atit të Shenjtë, lumturimi i 38 martirëve të kishës sonë katolike, lartësimi në dioqezë i Kishës Katolike të Kosovës pikërisht në ditën e Shën Terezës, emërimi i Dom Ernest Troshanit si Kardinal nderi i Selisë së Shenjtë dhe shumë vepra të tjera të jashtëzakonshme të Papa Françeskut kanë treguar vëmendjen dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të kombit tonë të popullit tonë në vlerësimin e figurave dhe personaliteteve tona ndër më të shquara të besimit katolik dhe jo vetëm.

Ashtu sikurse porosia e tij për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare, që është një shembull për të gjithë botën në këto kushte dhe në këto rrethana kur kjo harmoni është e domosdoshme për të forcuar paqen por edhe për të shmangur shumë konflikte, të cilat kanë në bazë spekulimin fetar dhe nxitjen e radikalizmit për qëllime politike.

Po ashtu porosia e tij e veçantë gjatë takimit, që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës, që t’i ruajmë të rinjtë, që t’i mbajmë në vendin tonë, që t’i edukojmë sa më mirë me vlerat më të mira të cilat forcojnë familjen, të cilat forcojnë komunitetin. Në mënyrë që të rinjtë tanë t’i mbrojmë duke i edukuar sa më mirë nga të gjitha ato varësi negative që i kërcënojnë ata, nga droga, nga alkooli dhe shumë vese të tjera. Në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë qëllime të larta në jetë dhe veset të mos ua humbasin këto qëllime dhe këto ambicie pozitive.”

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për gjithçka që shqiptarët në Amerikë kanë bërë në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar duke theksuar: “Në këtë drejtim, unë dua t’ju falënderoj edhe një herë për këtë punë të jashtëzakonshme që ju bëni këtu, duke i bashkuar të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata të besimit katolik, dhe duke u folur shqip, duke u lutur shqip, duke i mësuar edhe fëmijët me këtë edukatë të jashtëzakonshme, jo vetëm që i ndihmon për të krijuar besimin e tyre, por njëkohësisht edhe i ndihmon për t’i ruajtur gjithmonë të forta rrënjët e tyre shqiptare.

Në këtë kohë globalizimi vendet dhe kombet modeste siç jemi ne shqiptarët, kërcënohen në rast se nuk do t’i kushtojmë vëmendje forcimit të identitetit kombëtar, por njëkohësisht edhe nëse nuk do të forcojnë më tej bashkëpunimin me njëri-tjetrin, tolerancën ndaj njëri-tjetrit, për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë.

Ky është një vit shumë i rëndësishëm për ne shqiptarët, sepse është viti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i këtij personaliteti të jashtëzakonshëm, të cilit shekuj më parë i ka kënduar poeti amerikan Longfellou e shumë personalitete të tjera, por njëkohësisht Selia e Shenjtë e cilësoi në kohën e tij si ‘Atleti i Krishtit’, si një mbrojtës i qytetërimit europian.

Dhe falë kësaj figure ne ekzistojmë si komb, falë veprës së jashtëzakonshme që ai kreu duke na mbrojtur nga asimilimi, dhe duke iu rikthyer identitetit të tij, i ka dhënë identitet përmes veprës së tij një kombi të tërë, që është identiteti ynë shqiptar dhe europian.

Dëshiroj t’ju falënderoj edhe njëherë për gjithçka keni bërë dhe vazhdoni të bëni, për gjithë këto vepra të mira, sepse kështu ju keni bërë të mundur ato që na ka lënë porosi Shën Nënë Tereza, e cila na porosiste se ndoshta jo gjithsecili prej nesh në jetë mund të bëjë gjëra të mëdha, por secili mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ju keni bërë diçka të madhe me dashuri të madhe! Faleminderit!

“Dhe më këtë rast do të doja t’ju ftoja të gjithë këtu që të lutemi për Papa Françeskun, që të ketë jetë të gjatë dhe shëndet! Gjithashtu që bekimet dhe lutjet e tij për kombin shqiptar të na japin sa më shumë forcë, dashuri dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin.” – përfundoi fjalën e tij përshëndetëse Presidenti i Republikës.

* **

PRESIDENTI META META  NE QENDREN”NENE TEREZA”

Një pritje e veçantë i është rezervuar presidentit Meta në Qendrën Kulturore Nëna Terezë, ku është shtruar dreka e traditës e gatuar nga amvisat shqiptare. Presidenti ka qenë i hapur për t’iu përgjigjur pyetjeve nga salla.

Grupi i valleve i dekoruar nga presidenca shqiptare me medaljen “Mjeshtër i Madh”, i përgatitur nag koreografja Angjelina Nika(Mjeshtre e Madhe) ka interpretuar valle tradicionale nga trevat shqiptare.

Një tortë e gatuar enkas për këtë ngjarje, mbi të cilën ishte stampuar Flamuri Kuq e Zi, u servir gjatë drekës.

*Per me shume fotografi shkoni Facebook (dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, IDENTITETI, Kisha"Zoja e Shkodres", Presidenti Meta

IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR

August 29, 2014 by dgreca

Nga Nikë Gashaj/*
Një ndër faktorët më me rëndësi të përcaktimit të identitetit kombëtar është përdorimi i gjuhës amtare ( private, publike dhe zyrtare) dhe arsimimi kombëtar. Njohjet historike tregojnë se themelimi i shkollave në trojet shqiptare u bë gjatë mesjetës me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit dominikan. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek.XIV.
Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rendësi, të cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve të administratës shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek.XIV shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në mbledhjet të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.
Një ndryshim me rëndësi shumë të madhe për historië e kulturës shqiptare shfaqet në gjysmën e parë të shek.XIV, kur dokumentohet për herë të parë se shqipja, përdorej si gjuhë shkrimi. Ky ishte një hap i rëndësishëm për identitetin kombëtar shqiptar, sepse me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi, viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të saj si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë shqipe ( Historia e Popullit Shqiptar I, Akademia e Shkencave e Shqiprisë- Instituti i Historisë, f.354, Tiranë, 2002. ).
Institucionet kryesore arsimore që u ngritën në periudhën e sundimit osman në Shqipëri, ishin shkollat e komuniteteve myslimane, me mësim në gjuhë turko-osmane dhe arabe.
Shkollat e komunitetit ortodoks, që funkciononin në Shqipëri qysh nga shek.XVI-XVII ishin nën mbrojtjen Patrikanës së Stambollit. Mësime në këto shkolla jepej greqisht, në gjuhën e kishës.
Shkollat katolike ishin nën drejtimin e kishës së Romës dhe kishin si detyrë të përgatisnin mësues-klerikë. Kur misionarët e Romës vunë re se veprimtaria e tyre në Shqipëri nuk po jepte rezultatet që priteshin, për shkak se zhvillohej latinisht ose italisht dhe jo në gjuhën e popullit. Roma filloi të përdorte edhe gjuhën shqipe në shkollat fetare katolike. Në këto rrethana u hapën disa shkolla të tilla, ku mësohej edhe gjuha shqipe dhe ku shërbenin si tekste mësimore katekizmat e hartuar nga shkrimtarët klerikë si Pjetër Budi. Këto ishin ngritur kryesisht pranë famullive dhe manastireve. Një shkollë e tillë funksiononte në vitet 1628-1675 në Pedhanë dhe po në atë kohë edhe në Blinisht(të dyja në rrethin e Lezhës ), si dhe në Kurbin ( rrethi i Krujës ) . Në 1669-1670 funksiononte një shkollë katolike në gjuhën shqipe edhe në Himarë. Në Pedhanë e në Blinisht u krijuan më vonë edhe shkolla më të larta, gjimnaze, ku përdorej gjithashtu gjuha shqipe. Këto shkolla u ngritën nga murgjit françeskanë. Shkolla të mesme shqipe katolike u hapën edhe në Janievë të Kosovës (1671), në Velje të Mirditës (1699), në qytetin e Shkodrës(1699). Në këto shkolla të mesme nxënsit, që ishin destinuar për t’u bërë klerikë, studionin teologjinë, gjuhët latine e italiane dhe disa prej tyre dërgoheshin për studime më të larta në itali.

Mësimi i gjuhës shqipe në këto shkolla, ishte në interes të popullësisë vendase, që i përkrahte ato. Kështu gjimnazi i Blinshtit u ngrit me kërkesën e krerëve të vendit dhe kur në vitin 1648 shkolla e Pëdhanës u rrafshua nga një ekspeditë ndëshkimore osmane, banorët e fshatit e rindëruan atë përsëri.
Në vitin 1622 kisha katolike krijoi institucionin me emrin”De Propaganda Fide”me qendër në Romë. Ky ngriti disa shkolla për përgatitjen e klerikëve shqiptarë, si Kolegji ilirik i Femos(1633 ), që drejtohej nga misionarët jezuitë, shkolla e Montorinos në Romë, nën drejtimin e misionarëve françeskan etj.
Rrethana më e favorshme për arsimin shqip u krijuan, kur në fronin e papës hipi Klementi XI, me origjinë shqiptare. Me nismën e tij u mblodh më 1703 Koncili i peshkopëve të Shqipërisë, që njihet me emrin”Koncili i Arbërit”, i cili vendosi të përhapte letërsinë fetare në gjuhën shqipe. Tetë vjet më vonë, më 1711, në shkollën e Montorinos në Romë u hap katedra e gjuhës shqipe ( Historia e Popullit Shqiptar, tomi I, Akademia e shkencave e Shqipërisë- Instituti i Historisë, faqe, 704-706, Tiranë, 2002. ).
Në bazë të dhënave të lartpermendura, si dhe të njohjeve tjera historike mund të konstatohet se një rol të rëndësishëm në veprimtarin arsimore dhe kultuore në gjuhën shqipe në mesjetë tek shqiptarët e ka luajtur kisha katolike. Ajo pati në dorë përgatitjen e inteligjencës së kohës. Shumica e njerëzëve të kulturës, veçenarisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim klerikë. Në duarët e tyre ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret fetare. Në shkollat pranë manastirave, mësohej kursi tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë ) dhe cikli i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë ).
Në shek. XIV e në fillimin e shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë ishte mjaftë i madh. Ata gjenden të përhapur edhe jashtë Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh etj.
Po ashtu në atë kohë shënohej një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare. Megjithatë, që veprat letrare ishin të shkruara në një frymë teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë në trojet shqiptarte, sepse pikërisht një pjesë e këtyre është hartuar nga autorët shqiptarë.
Shkputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit, jashtë Shqipërisë.
Gjatë kohës së sundimit osman në trojet shqiptare shkollat ishin të ndara veç për popullsin myslimane dhe veç për atë të krishterë. Përveç shkollave turke, ishin hapur dhe në numer i madh i shkollave private: greke, serbe, bullgare, austriake e italiane. Në ato shkolla mësimi zhvillohej në gjuhë të huaja, ndërsa gjuha shqipe ishte e përjashtuar nga mësimdhënia, çka rrezikonte që të zhdukej pa nam e pa nishan me kalimin e kohës.
Perandaoria Osmane nuk njihte në zotërimet e veta kombësi, por vetëm komunitete fetare: myslimanë, ortodoksë dhe latinë (katolikë ). Rrjedhimisht edhe shqiptarët ishin grupuar në këtë tri komunitete fetare dhe nuk njiheshin si një njësi kombëtare më vete.
Përveç kësaj, komunitetet e tyre fetare ishin të varura nga tri qendra të ndryshme të huaja kishtare e kulturore. Sistemi arsimor i kohës ishte shëndërruar në një mjet të fuqishëm ndikimi politik e kulturor si të sundimit osman, ashtu edhe të shtetëve të tjera.

Një pjesë e atyre shkollave kishin një dimension të propagandave të shteteve të huaja për asimilimin e shqiptarëve. Prandaj rilindësit i trajtonin ato si një pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe kërkonin mbydhjen e tyre ose kthimin e tyre në shkolla shqipe.
Ndryshe nga autoritetet osmane që e përkufizonin kombin mbi bazën e fesë. Intelektualët e Rilindjes kombëtare shqiptare mendonin se kombi ishte në radhë të parë gjuha. Në themel të kombit shqiptar ishte gjuha. Ajo u kishte bërë ballë të gjitha përpjekjeve për asimilim, që nga koha e pushtimit romak. Ajo duhej të ishte njëzëri gjuhë letërsie të shkruar dhe gjuhë arsimi.
Duhet thënë se, deri në mesin e shekullit XIX, librat në shqip ishin shumë të rrallë dhe se nuk kishte normë shkrimi mbi bazën e një alfabeti të veçantë. Tekstet e botura ishin nxjerrë pikësëpari për qëllime fetare dhe alfabetet e përdorura ishin grek, por edhe arab. Mungesa e një drejtshkrimi të njësuar dhe numri i paktë i botimeve në shqip shpjegohen me faktin se, qysh nga koha e pushtimit romak në shekullin e II para erës sonë, shqiptarët
(ose paraardhësit e tyre ilirët, dardanë apo epirotë ) nuk kanë qenë kurrë përnjëmend zot të vetes. Po të veçohet mënjëanë episodi i Principatës shqiptare të Gjergj Kastriotit Skënderbegut në shekullin XV, ata kanë qenë gjithmon të sunduar: nga romakët, bizantinët, sllavët dhe osmanët. Natyrisht, as që kanë mundur për t’iu kundërvu fuqive të mëdha. Andaj dhe gjuha administrative ishte një gjuhë e huaj, por edhe shqipja e përjashtuar nga liturgjia. Tek Shqiptarët qe i ngadalshëm e i vonë ndërgjegjësimi se përbëjnë një komb. Ai zuri fill nga mesi i shekullit XIX me shenjat e para të një lëvizje kulturore që u quajt Rilindja Kombëtare. Lindja e vetëdijes kombëtare lidhej me idenë se gjuha shqipe ishte një pasuri, në trashigimi prej të parëve, që ishte e udhës të mbrohej.
Rrahja e mendimeve për një normë shkrimi të shqipes, beteja për arsimin në këtë gjuhë, shpinin në një kërkim identiteti. Ndjesia e shqiptarëve se i përkisnin një populli shumë të lashtë, u përforcua nëpërmjet përcjelljes së miteve dhe kultit të heronjeve.
Patriotët e Rilindjes kombëtare punuan me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar. Mirëpo, në atë drejtim krahas pengesave të regjiimit osman, i cili ishte përpjekur gjithë një t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri, si dhe faktorvë të jashtëm, ata hasën dhe në pengesa dhe për shkak të përçarjes së shqiptarëve nga pikëpamja fetare.
Karakteri i përçarë i fesë në tri besime kryesore: islame, katolike e ortodokse, si dhe i tri shkollave fetare me ndikim financiar dhe programor nga të huajit vuri në rrezik veprimin e bashkuar të shqiptarëve në luftën e tyre për liri. Mu për këtë arsye patriotët e parë nisën të nxisnin shqiptarinë mbi të gjitha fetë. Gjatë luftës për pavarësi nga Turqia Pashko Vasa një patriot dhe poet kombëtar nga Shkodra, shkruente:”Çoniu, o shqiptarë, prej gjumi çoniu, /të gjithë si vllazën në një besë shtrëngoniu, /edhe mos shikoni kisha e xhamia, /fe e shqyptarit asht shqypria….”.
Një nga udhëheqësit e shquar të Rilindjes kombëtare, Sami Frashëri, kishte shkruar më 1899: “Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i kreshtenë. Besa s’e ka ndruarë fare edhe kurrë, se kombësia ashtë përpara besës…”.
Një vazhdim të së njëjtës ide, një vjershator popullor thoshte: “Besa juaj sot/ s’është as kishë as xhami / por Nëna Shqipëri ! / Kur të fitojmë lirinë / do të kujdesi për kishën e xhaminë. Nëse kisha ka një këmbanë / njëqind të varni anembanë. / Nëse kini në fshat vetëm një xhami / ndëtoni edhe njëzet e tri. / Por feja jonë tani / është Nëna Shqipëri”.

Edhe pas fitores së pavarësisë së Shqipërisë, patriotët shqiptar kishin bindjen se e vetmja zgjidhje për dyzimin e përçarë midis islamizmit dhe krishterimit ishte zëvendësimi i tyre me shqiptarinë. Kështu, Andon Zako Çajupi në librin e tij Mëmdheu, përfshiu në të një poemë për Malin e Tomorit. Në majën e malit ndodhej një faltore, ku shqiptarët e lashtë shkonin të këshilloheshin me orakullin për të ardhmen e tyre. Poti shkruente:”Baba Tomor, kishë e Shqipërisë, /mal kryelartë, fron i Perëdisë, / tek ti kanë ardhur njerëzia që në lashtësi, /për të mësuar atë që urdhëronte Zoti”. Më tej shtonte:”… kombi juaj s’vete mbarë, / se betë u kanë ndarë. / … të krishterë e myslimanë, / gjithë një perendi kanë; / jini një gjak mor të mjerë, / se një vend kini lerë, / jini gjithë shqiptarë”.
Në pajtim me këtë atmosferë mbizotëruese elita politike e shtetit shqiptarë të kohës vëndosi që shteti të ishte asnjanës, pa fe zyrtare, dhe që ushtrimin e lirë të besimit duhet ta gëzonin të gjitha fetë. Ata vun si fe shqiptarinë, duke i quejtur nëpunësit dhe mësuesit”apostuj” dhe “misionarë”. Në tëra aktivitete shoqërore publike, si dhe në fushën e arsimit dhe kulturës shprehej një shqiptari e zjarrtë që kishte për qellim të eklipsonte dasitë fetare dhe të bashkonte popullin shqiptar.
Shqiptarët kanë pasur një vonesë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare e cila ishte kryesisht pasojë e përçarjes fetare: nën sundimin osman, dy të tretat e popullsisë shqiptare ishin kthyer në fenë islame, ndërkohë që një e treta që mbetej ishte edhe ajo e ndarë në të krishterë katolik në Veri dhe ortodoksë të ritit grek, në Jug. Të mbëshetur në këtë përçarje autoritetet osmane e mohonin ekzistencën e një kombi shqiptar. Ata e pëkufizonin kombin në bazë të fesë – parimi i miletit ( Studiuesi Serge Metais, Histori e Shqiptarëve- nga Ilirët deri te Pavarësia e Kosovës, f. 16, Tiranë, 2006.).
Si pasojë e zgjimit të vonë të vetëdijes kombëtare te shqiptarët dhe të mungesës së përkrahësëve të tyre jashtë Perandorisë Osmane, Bismarku tha në Kongresin e Berlinit më 1878 se Shqipëria nuk ishte veçëse një shprehje gjeografike dhe se nuk ekziston kurrëfarë kombi shqiptar. Dhe jo vetëm Bismaku si kryesues i Kongresit por asnjë prej fuqive të mëdha nuk i njishin shqiptarë si kombë, e kjo ka qenë fatale për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Sepse si parim i njohjes dhe i formimit të shteteve europiane dhe ballkanike ishte parimi kombëtar. Shqiptarët me vonesë të madhe bëjnë përpjeke që prej horizonteve politike osmane të dalin në horizonte evropiane. Në lidhje me këtë çështje profesor Rexhep Qosja, ndër të tjerat shprehet:”Në Kongresin e Berlinit përfaqësuesëve shqiptarë nuk u lëjohet në marrin pjesë në cilësi zyrtare në punimet e tij, sepse në Kongresin e Berlinit trojet shqiptare trajtohen”zotërime turke”, kurse shqiptarët nënshtetas të Turqisë”! Vetëm pse rreth dy të tretat e tij e kishin pranuar fenë myslimane, shpallej kështu popullë i paqenë ! Më tutje Qosja shton:”Shqiptarët kanë pësuar dëmtim të rëndë, tragjik, prej politikës së Fuqive të Mëdha evropiane… për arësye se dy të tretat e tij i takonin fesë myslimane dhe pse ishin nën pushtimet e një perandorie që këtë fe e kishte përhapur me shpatë dhe zjarr. Në kohën kur për Evropën e krishterë feja dhe kombësia ishin njësh, shqiptarët e gjetur në gjirin e një perandorie, pothuaj, islamike, s’kishin se si të shikoheshin veçse si dikush që nuk i takon Evropës as me fenë, as me etninë, prandaj as me fatin, si dikush që prej Evropës trajtohej i përjashtuari i Evropës!”
( Rexhep Qosja, Studimi: Çështja Shqiptare-Historia dhe politika, faq. 8 dhe 47, Instituti albanologjik, Prishtinë, 1994 ).
*( Autori është politikolog, kryeredaktor i revistës për kulturë, )
shkencë e çështje shoqërore “Malësia”dhe Këshilltar i
Avokatit të Popullit në Mal të Zi

Filed Under: ESSE Tagged With: IDENTITETI, KOMBËTAR SHQIPTAR, Nike Gashaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT