• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISA BOLETINI,”GJENERALI I KRYENGRITJEVE MBARËSHQIPTARE

June 9, 2015 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/
Kryetrimi shqiptar, “Heroi i Popullit” Isa Boletini ka thënë: “Njëqind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin e Atdheun tim!”/
Lumenj gjaku u derdhën nga populli trim e liridashës shqiptar, deri sa u kurorëzua akti i madh historik i 28 Nëntorit 1912, kur Shqipëria u shpall shtet i lirë dhe i pavarur. Në ballë të sa e sa kryengritjeve masive të shqiptarëve, kundër pushtuesve otomanë, qendruan shumë trima të ditur e luftëtarë. Me armë e me penë, me guxim e dituri, ata nuk kursyen asgjë, që të realizohej ideali ynë i lartë kombëtar.
Kur kujtojmë figurat e shquara të Kombit tonë, menjëherë mendja na shkon edhe te biri i thjeshtë i Boletinit të Shalës, në Mitrovicë të Kosovës, Isa Boletini ose, siç e thërrisnin malësorët “Isa Begi”, për të shprehur kështu nderimin dhe respektin e veçantë për të.
x x x
Lindi më 15 janar 1864, në një familje me tradita atdhetare. Kushtrimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për luftë kundër armikut, çoi në këmbë edhe Isën 17-vjeçar.Kudo, u dallua shpejt për trimëri dhe guxim, zgjuarësi e urtësi. Armiku pushtues e shprehu urrejtjen e madhe për të edhe kur i dogji kullën e tij, gjashtë herë dhe gjashtë herë e rindërtoi. Nuk u mposht ndaj përndjekjeve e presioneve dhe gjurmimeve, që i bëheshin nga pushtuesit gjakatarë. Ka mbetur në kujtesën e brezave shprehja e tij e njohur: “Unë jam mirë, kur asht mirë Shqipnia”. Ndërsa nuk e zinte gjumi, kur shihte padrejtësitë dhe synimet grabitqare të otomanëve pushtues dhe të monarkive shoviniste fqinje.
Në fillim të shekullit të kaluar, Isa Boletini u vu në krye të Malësisë së Shalës dhe bashkë me Idriz Seferin u dallua në udhëheqje të kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Veçanërisht, spikati trimëria e luftëtarëve shqiptarë në grykat e Kaçanikut e Cerralevës. Shumë domethënës është epiteti, që i vuri shtypi i kohës, i cili e quajti Isa Boletinin: “Gjenerali i kryengritjeve shqiptare”.
Ai udhëhoqi me trimëri luftëtarët shqiptarë edhe për të kundërshtuar synimet anaksioniste të shteteve shoviniste fqinje serbo-malazeze etj., që kërkonin t’i copëtonin trojet shqiptare. Qëllimi i lartë, që i vuri vetes, e afroi atë me atdhetarë të shquar e udhëheqës popullorë, ndër të cilët ishte dhe Ismail Qemal Vlora. Biri trim i Kosovës, Isa Boletini ishte në mbështetje të Kuvendit të Vlorëss e përkrah tij dhe delegatëve të tjerë shqiptarë, si: Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Vehbi Agolli, Babë Dudë Karbunara, Nikollë Kaçorri, Dervish Hima, Rexhep Mitriovica, Myfit Libohova, Jani Minga, Bedri Pejani, Ilias Vrioni, Dhimitër Zografi etj.. Njëzëri, ata nënshkruan Aktin e madh historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe valvitën lart Flamurin tonë Kombëtar, pas 500 vjet robërie, nën sundimin otoman. Prijësi i betejave legjendare kundër pushtuesve armiq, Isa Boletini, në krye të mbi 300 luftëtarëve të armatosur kosovarë, u bë mburojë e çeliktë për zhvillimin dhe suksesin e atij Kuvendi të madh historik. Ndër të tjerët, aty mori pjesë aktive dhe “Mësuesi i Popullit” Sali Gjukë Dukagjini, delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë. Shtypi i kohës e përshkruante kështu ndihmesën, që ky dha, në ato ditë:
“Vetë Ismail Qemali, kur e pa të ndezur, duke folur për rëndësinë e asaj nate, e afroi afër dhe e puthi në të dyja faqet, me lotë ndër sy. Sali Gjuka kishte ndërgjegje me të vërtetë kombëtare. Kur ky pa se delegatët e Korçës mungonin në atë mbledhje, e qau fatin e zi të atij qyteti dhe propozoi që të zgjidheshin delegatë të tjerë, duke qenë se Korça ishte e pushtuar prej armikut”.
x x x
Isa Boletini është i njohur edhe për udhëtimin, që bëri më 1913, nëpër disa shtete të Europës, për të mbrojtur me çdo kusht të drejtat legjitime tëë popullit shqiptar, të cilat donin t’i nëpërkëmbnin armiqtë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.
Shovinistët serbomëdhenj kërkonin ta largonin trimin atdhetar nga rruga e tij e luftës për të drejtat kombëtare. Prandaj u përpoqën, me dinakëri e me të holla, i propozuan poste e detyra, që ta afronin të bashkëpunonte me pushtuesit e rinj ose, të paktën, të hiqte dorë nga lufta e tij e vendosur. Por Isa Boletini trashëgonte cilësitë më të mira të shqiptarit, si krenarinë, besën e burrërinë etj. Prandaj, i përçmoi të gjitha ofertat e përpjekjet e armiqve dhe, si kurdoherë, mbeti luftëtar i papërkulur, i vendosur deri në fund, që populli shqiptar të ishte i lirë dhe i pavarur. Ai i qëndroi besnik idealit të tij, betimit që kishte bërë një herë: “Unë, njëqind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!”

Pasi ushtritë austro-hungareze pushtuan Cetinën, Isa Boletini kaloi në Podgoricë. Gjenerali gjakatar, Vashoviqi bëri plane për të organizuar një kurth. E lajmëroi të shkonte tek ai, por Isa e mori vesh qëllimin e vërtetë e djallëzor dhe nuk u bind. Në këto rrethana, forcat malazeze organizuan një pritë tjetër, në befasi. Ndërkaq, I.Boletini qëlloi me kobure, duke dhënë kështu sinjalin e luftës. Beteja ishte e përgjakshme dhe ai qëndroi si u ka hije trimave, deri sa u nda përgjithnjë nga jeta. Pranë mbetën dhe djemtë e tij, nipat e disa bashkëluftëtarë. Aty, te Ura e Ribnicës, përherë u çimentuan themelet e një lapidari trimërie e burrërie, në shërbim të çështjes së madhe mbarëkombëtare. Kjo ngjau më 23 janar të vitit 1916.
x x x
Tashmë, është e njohur një histori, nga jeta e këtij kryetrimi shqiptar, që po e ripërsëritim më poshtë. Më 1913, atdhetarët Ismail Qemali e Isa Boletini shkuan bashkë në Londër, përfaqësues të denjë të popullit tonë. Aty do të takonin kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve, për t’i shprehur protestën e vendosur ndaj padrejtësive të mëdha, që po i bëheshin Shqipërisë. Gjithashtu, do t’i çonin atij betimin solemn dhe të njëzëshëm të mbarë shqiptarëve, se ata ishin të vendosur deri në fund për t’i bashkuar trojet tona amtare, të cilat na i kishin lënë të parët tanë trashëgim, brez pas brezi.
Ishte një rregull i caktuar që, para se të hynin në zyrën e sër Eduard Greit, duhej t’i lenin armët në garderobë. Këtë kërkesë ia përsëritën edhe rojet Isa Boletinit, i cili veproi po ashtu: la koburën në garderobën e duhur. Pas bisedimeve zyrtare, Grei iu drejtua Isës me të qeshur: “Më në fund, zotëri Boletini, atë që nuk e kanë bërë dot pashallarët turq, e bëmë ne, në Londër!” Kreshniku i Kosovës martire e mori vesh mirë se diplomati europian e kishte fjalën që, gjoja, ata e paskëshin çarmatosur!? Ndërkaq, Isa Boletini e shikoi drejt e në sy ministrin e lartë dhe, po me buzëqeshjen dhe krenarinë e ligjeshme të shqiptarit, trim e të zgjuar, të paçarmatosur kurrë, iu përgjigj shkurt e prerë: “Jo, besa, kurrë, as në Londër!” Aty për aty, nga gjiri nxori një kobure tjetër, me fishekët në gojë…
Marrim, kështu, nga jeta heroike e këtij luftëtari të shquar të lirisë e Pavarësisë, mesazhin e madh që ka përcjellur historia për shqiptarët: Ata kurrë nuk do të durojnë t’i shtypin, t’i çarmatosin as t’i nënshtrojnë armiqtë, sado të fortë e dinakë të jenë. Shqiptarët “e bëjnë dekën si me le”, kur i thërret zëri i tokës amtare, kur rrezikohen seriozisht liria dhe pavarësia e tyre. Për këtë gjë, flasin qartë sakrificat e shumta, që provoi në luftën kundër pushtuesve serbë, deri sa u çlirua, populli martir i Kosovës, vendlindja e kryetrimit Isa Boletini, “gjeneralit të kryengritjeve shqiptare”. Gjeneralë të tillë të shquar, si Adem Jashari me bashkëluftëtarët, bënë që andej të largohen të mundur pushtuesit serbë dhe Kosova të hyjë e sigurtë në rrugën e lirisë dhe pavarësisë, që e meriton.
Tiranë, më 9 qershor 2015
Shënim:
Megjithëse nuk jam poet, figura e ndritur e Isa Boletinit më ka frymëzuar që, kohë më pare, t’i shkruaja pak radhë, në vjershën, që po e paraqes më poshtë…Ju falënderoj për mirëkuptimin!

DY KOBURET E ISË BOLETINIT…
Kur Isa para Lordit Grei qendronte
dhe misërin kokoshka e bëri,
anglezi shumë gjëra mendonte
e me “dredhinë” u ngazëllye i tëri:

“Këtu nuk lejohet, zotëri, me armë,
prandaj hiqe shpejt koburen nga brezi!”
Ndërsa, sakaq, Isa diku atë e vari,
por në kokë një mendim i erdhi.

Ai një kobure tjetër me vete kishte marrë.
“Ja, u çarmatose sot,o trimi Isë!”-
foli Lordi me qesëndi dhe në sy e vështroi,
se si do të vepronte bir’ i Shqipërisë.

Pa iu dridhur qerpiku Isës-burrë,
nga xhepi nxori koburen, të re flakë:
“Mua nuk më çarmatosë kush, kurrë!”,
tha ai, si t’i kish rënë Lordit shuplakë!

Filed Under: Histori Tagged With: gjenerali mbareshqiptar, Isa Boletini, Murat Gecaj

Rivarrimi i Isa Boletinit, Kosova “vishet” me flamuj për Heroin Kombëtar

June 3, 2015 by dgreca

Ministri i FSK-së, Haki Demolli ka thënë se me rastin e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini më 10 qershor të gjitha qytetet e Kosovës do të dekorohen me flamuj kombëtar dhe ata shtetërorë.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli, gjatë mbledhjes së sotme të ekzekutivit ka shpjeguar në detaje se si do të bëhet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini në Boletin të Zveçanit duke thënë se pjesa kryesore e saj do të bëhet në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Sipas Demollit, më 10 qershor të gjitha qytetet e Kosovës do të dekorohen me flamuj kombëtar dhe ata shtetërorë,
Ministri i FSK-së ka bërë me dije se për sigurinë e ceremonisë do të përkujdeset policia e Kosovës dhe KFOR.
Ndërkohë qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka akorduar 50 mijë euro për rivarrimin e heroit kombëtar Isa Boletini.

Filed Under: Kronike Tagged With: Isa Boletini, kosova, Rivarrimi

Ja pse Eshtrat e Isa Boletinit duhet te rivarrosen ne Boletin!

May 16, 2015 by dgreca

Nga Sadik Elshani/
Ne muajin tetor te vitit te kaluar, zyrtarisht, me analizat e ADN-se me ne fund u identifikuan pozitivisht mbetjet mortore te Heroit Kombetar, Trimit te Kosoves dhe te gjithe shqiptarise, Isa Boletini. Padyshim, ky ishte nje lajm shume i mire per te gjithe shqiptaret, se me ne fund ky Burre i Madh i kombit tone do te kete vendin e perhershem ku do te prehen eshtrat e tij ne token e lire shqiptare, per lirine e se ciles ai kishte luftuar tere jeten dhe ne fund kishte flijuar edhe vete jeten e tij. Po ato dite u njoftua se do te fillojne edhe pergatitjet per rivarrimin madheshtor te eshtrave te Isa Boletinit dhe se rivarrimi do te behet ne fshatin Boletin, vendlindjen e tij dhe te shume trimave te tij qe gjithmone iu ndodhen prane.
Per habine tone, dje lexuam ne shtypin shqiptar se me vendimin e qeverive te Shqiperise dhe te Kosoves, rivarrimi i eshtrave te Isa Boletinit nuk do te behet ne Boletin, sic ishte njoftuar me heret, por ne Vlore. Ky vendim nuk me duket i drejte per kete cast, shfaq haptas papjekurine e te dy qeverive, tregon qartas shkurtpamesine e te dy qeverive dhe po ashtu tregon se te dy qeverite nuk kane vizion, program kombetar, platforme, strategji kombetare. Sikur e sjell nje porosi ogurzeze, sikur u tregon serbeve dhe gjithe botes se ne nuk jemi te sigurt nese do ta kontrollojme ndonjehere ne jeten tone veriun e Kosoves. Kjo eshte nje porosi e kobshme per te gjithe shqiptaret. Vlora, qyteti ku u ngrit Flamuri i Skenderbeut dhe u shpall Pavaresia e Shqiperise eshte qyteti shume i dashur per te gjithe shqiptaret. Ne Vlore ato dite u ndodh edhe Isa Boletini me trimat e tij dhe ata ishin ushtria e pare e Shqiperise se pavarur. Te gjitheve na jane ngulitur ne koken tone skenat e fundit te filmit “Nentori i dyte” kur Isai vjen ne Vlore, bie ne gjunj dhe e puth flamurin Kuq e Zi, flamurin e lirise. Dhe nuk ka asgje per t’u kundershtuar se, perse eshtrat e ketij burri te rralle te kombit tone te varrosen ne Vlore, ose ne cilindo skaj te tokes shqiptare, sepse ai luftoi per lirine e cdo pellembe te truallit arberor.
Ndodhemi ne rrethana te caktuara historike. Vertet Kosova eshte shtet i pavarur, por veriu i saj ku ndodhet edhe fshati Boletin, per fat te keq nuk eshte nen kontrollin e qeverise se Kosoves. Ngjarje te tilla te medha kombetare, si rivarrimi i eshtrave te nje Heroi Kombetar, duhet te sjellin nje porosi te madhe, nje mesazh te prere e te qarte per te gjithe, se Kosova nuk ka hequr dore dhe kurre nuk do te heq dore nga pjesa veriore e saj. Rretanat e tanishme ne Kosove dhe gjendja ne Veriun e Kosoves, kerkojne, diktojne qe eshtrat e Isa Boletinit duhet te rivarrosen ne Boletin dhe jo ne Vlore dhe na asnje vend tjeter. Gati pas njeqind vjetesh nga vrasja e tij, eshte koha qe ai te prehet i qete ne vendlindjen e tij. Kosova sot me shume se kurre ka nevoje qe ne gjirin e saj ta kete birin e saj te madh, Isa Boletinin, ta ndiej nga afer pranine e tij. Ceremonia madheshtore e rivarrimit te eshtrave te Isa Boletinit le te filloje ne Vlore, te vazhdoje ne te gjitha qytetet shqiptare dhe me ne fund te perfundoje ne Boletin. Me kete me siguri do te pajtohej edhe vete Baca Ise. Kryetari i Kuvendit Komunal te Mitrovices, Zoti Agim Bahtiri dhe gjithe mitrovicasit kane te drejte qe kembengulin qe rivarrimi i eshtrave te Isa Boletinit te behet ne Boletin ose Mitrovice dhe jo ne Vlore. Qeveria e Shqiperise dhe ajo e Kosoves nuk duhet te luajne lojera te tilla me mbetjet mortore te njerit nga burrat me te medhenj te kombit tone, por te respektojne kerkesen e bashkevendasve te tij dhe shumices se shqiptareve.
“Une jam mire kur asht mire Shqypnia” – ka thene dikur Isa Boletini. Ne sot duhet te njdjehemi mire kur ai prehet i qete me tere lavdine e tij, ne vendlindjen e tij, ne Kosoven e lire. Dhe neve nuk na mbetet tjeter, vecse te perkulemi me nderim perpara figures se tij, te vazhdojme rrugen e tij, te ndjekim shembullin e tij, te jemi te bashkuar e te punojme me perekushtim per ceshtjet madhore te kombit tone.
* Philadelphia, 14 maj, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eshtrat, Isa Boletini, Mitrovice, Sadik Elshani

RIVARRIMI I ESHTRAVE TË HEROIT KOMBËTAR ISA BOLETINIT

April 29, 2015 by dgreca

“Një komb që nuk nderon heronjtë e vet, do të zhduket” (Abraham Linkolni)/
Nga Frank Shkreli/
Komuna e Mitrovicës njoftoi më heret këtë muaj se është vendosur që rivarrimi i eshtrave të heroit të Kombit Shqiptar, Isa Boletinit të bëhet me 10 qershor të këtij viti. Pas shtyrjeve të herë pas hershme të rivarrimit të eshtrave të këtij heroi të kombit, njoftohet se më në fund Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri ka zhvilluar mbledhjet paraprake të kabinetit të tij dhe në lidhje me organizimin e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, ai ka takuar gjithashtu edhe Gjeneral-Brigade, Zymber Halimin, Drejtorin e Policisë rajonale në Mitrovicë, Nehat Thaçin si edhe përfaqsuesin e familjes së Isa Boletinit, Gazmend Boletinin. Në njoftim thuhet gjithashtu se Mitrovica po bën përgatitjet e nevojshme për rivarrimin sa më dinjitoz të eshtrave të këtij burri të madh të Kombit Shqiptar.
Natyrisht se organeve kompetente të Mitrovicës u takon organizimi dhe përgatitjet e nevojshme për këtë ngjarje historike por ky është një moment në historinë shqiptare, i cili duhet të tërheq vëmendjen jo vetëm të Mitrovicës dhe Kosovës, por duhet të nxitë interesimin dhe pjesëmarrjen zyrtare dhe jo zyrtare të autoriteteve shtetërore dhe qeveritare nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, përfshirë Shqipërnë, sepse Isa Boletini jetoi, veproi dhe u vra për idealet dhe të drejtat mbarë kombëtare të shqiptarëve.

Në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës që u mbajtë më heret këtë muaj, Kryetari Agim Bahtiri ka shpallur se duke filluar nga 6 Qershori Mitrovica do të ketë festë, duke kërkuar njëkohsisht edhe angazhimin e plotë të të gjitha strukturave të komunës që rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit të dalë sa më me sukses dhe të bëhet në mënyrën sa më dinjitoze që meriton ky burr-shteti shqiptar i të gjitha kohërave dhe ashtu siç i ka hije kombit për të nderuar herojë të dalluar të tij, si Isa Boletini. Ndoshta, si rrallë nga figurat më të ndritura të historisë së Shqiptarëve, Isa Boletini — dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit — me dorë në pushkë dhe me pushkë në dorë gjithmonë në mbrojtje të interesave territoriale kombëtare, në thjeshtësinë e tij posedonte vlerat më të mira të kombit shqiptar, vlerat fisnore të tij — siç janë nderi dhe burrënia, por mbi të gjitha atdhedashurinë – të jetuara, të zbatuara dhe të mishëruara në qënjen e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë trashëgimi e shënjët e patriotëve dhe herojve të kombit shqiptar, si Isa Boletini. Ai jo vetëm ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer për bashkatdhetarët e vet, por megjithëse i pa shkollë, Isa Boletini ka lënë një përshtypje mbresëlënse edhe në fushën e diplomacisë ndërkombëtare dhe në radhët e të huajve me të cilët ai ishte takuar, si pjesë e delegacioneve të ndryshme. Aubrey Herbert, një diplomat anglez i asaj kohe me përvojë ballkanike, kishte lidhje të ngushta me Shqiptarët, por veçanërisht me Isa Boletinin i cili, sipas tij, ”kalonte orë të tëra në shtëpinë time” gjatë qendrimit të tij në Londër — shkruan në kujtimet e tija se ” Shqiptarët që erdhën në Angli lanë një përshtypje të shkëlqyer”. Ai e përshkruan Isa Boletinin si “më të pashmin dhe më i shprehuri i delegacionit’’. Ai shton se megjithëse Boletini ”ishte i pa shkollë, ai gëzonte një reputacion që e dallonte atë për kurajon dhe trimërinë për të cilat ishte i njohur. Veprat e tija ishin madhështore dhe arratisjet e tija nga serbët dhe turqit ishin këthyer në legjendë.” Gjatë takimit me përfaqsuesin e lartë britanik, Z. Lloyd George, sipas kujtimeve të Aubrey Herbert, Isa Boletini iu drejtua përkëthyesit të delegacionit shqiptar, Tonin Prekës duke i thënë: “Thuaji atij, (Lloyd George) se unë jam malësor, ashtu si është ai dhe se unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi atyre që vuajnë.”

Po, Isa Boletini ishte dëshmitar i vuajtjeve të popullit të tij, por jo vetëm dëshmitar, ai bëri ç’mos gjatë gjithë jetës së tij, si në fushën ushtarake ashtu edhe atë diplomatike , në përpjekje që vuajtjet e popullit të tij të lehtësoheshin sadopak ose të zhdukeshin duke u përpjekur që kombit të vet — të njërit prej popujve më të vjetër të Europës — t’ia siguronte lirinë dhe pavarësinë e mohuar prej shekujsh.

Jeta, sakrificat dhe veprimtaria e tij ushtarake dhe diplomatike, në mbështetje të lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta, duhet të jetë shembull për të gjithë ata që ia duan të mirën këtij kombi të vogël në Ballkan, por mbi të gjitha, Isa Boletini duhet të jetë frymëzim për ata që sot janë vënë në krye të kombit shqiptar dhe të cilët në dorë të tyre kanë fatin e shqiptarëve sot. Deklarata e Isa Boletinit edhe sot, pas pothuaj 100 vjetë ç’prej vrasjes së tij nga serbo-malazezët se, “Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për lirinë e popullit tim”, duhet të tingëllojë aq aktuale sa edhe i denjë për tu kopjuar. Cili prej politikanëve të sotëm që i janë futur politikës këto 25-vitet e fundit anë e mbanë trojeve shqiptare, mund të pohojë me Isa Boletinin se, “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqypnia?”

Rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit në Mitrovicë me 8 qershor, është një ngjarje historike jo vetëm për Mitrovcën dhe për Kosovën, por për mbarë Kombin Shqiptar, pasi atij ai i përket. Ai punoi, luftoi dhe u vra për lirinë dhe pavarësinë e kombit të vet. Për të, ai flijoi gjithçka, përfshirë edhe familjen. Mbarë kombi i ka borxh këtij heroi një rivarrim të suksesshëm dhe të denjë, me një pjesëmarrje sa më të madhe mbarë kombëtare, ashtu si i ka hije kombit dhe vlerave për të cilat dallohej Isa Boletini: nderi dhe burrënia, atdhedashuria dhe vetflijimi për të mirën e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve. Jam i sigurt se shqiptarët nga të gjitha trojet e veta autoktone në Ballkan, në mënyrë të oganizuar dhe në nivelet më të larta, do të jenë të pranishëm në Mitrovicë me 10 qershor për të rivarrosur eshtrat e njërit prej bijve më të mirë të tij, duke treguar, siç ka thënë ish-presidenti amerikan Xhon F. Kennedy, “Se një komb e dallon veten jo vetëm nga burrat që dalin prej tij, por e dallon vetën edhe nga burrat që ai nderon, si dhe nga burrat që ai kujton…..”. Burra më të mëdhej se sa Isa Boletini, rrallëherë ka lindur kombi shqiptar! Si i tillë, ai duhet të nderohet dhe të kujtohet nga të gjithë qershorin që vjen në Mitrovicë.

Le të shërbejë rivarrimi i eshtrave të këtij burri të madh të historisë shqiptare si një frymëzim edhe për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm të udhëheqsve shqiptarë për të ndjekur shembullin e jetës dhe të veprimtarisë së Isa Boletinit, të nderit e të burrënisë, të atdhedashurisë, të vetmohimit dhe të vëllazërimit shqiptar. Ashtuqë më në fund — duke u zhveshur nga interesat e tyre politike, personale dhe partiake,dhe si përfaqsues të zgjedhur të jenë dëshmitarë dhe lehtësues të vuajtjeve të popullit të vet, duke shpresuar se zemërat e tyre, sipas Isa Boletinit, “të jenë të sjellshme karshi atyre që vuajnë.” Po, ai me të vërtetë ishte dëshmitar i vuajtjeve të popullit të tij dhe bëri ç’mos që t’ia lehtësonte ato vuajtje, por a janë të aftë përfaqsuesitpolitikë të sotëm të shqiptarëve kudo në trojet e veta, të pohojnë së bashku me Isa Boletinin, se ata janë mirë, “Kur ashtë mirë Shqipënia”. A është mirë sot Shqipëria dhe a janë mirë shqiptarët? Është në dorë të tyre, si asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët, t’a ndjejnë sot veten mirë në trojet e veta autoktone! Rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit, është një rast i mirë reflektimi serioz mbi vlerat që përfaqëson ky burr i denjë i kombit shqiptar dhe njëkohësisht duhet të jetë edhe një rast solidarizimi mbarë kombëtar rreth këtyre vlerave!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, Isa Boletini, rivarrimi i eshtrave

ISA BOLETINI,SIMBOL I QËNDRESËS ANTISERBE

October 31, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/
Unë e kërkova Is Boletinin,në fshatin e tij të lindjes në Boletin.Zëri im jehoi majëmaleve ,i fortë.Unë thërisja,jehonës së zërit tim,iu përgjigjën gurët e Sokolicës.Tek shpirti i ftohtë i tyre jehonte troku i kalit të Isës.Mu përgjigjën dallgët e bardha të Ibrit,në rreptësinë e tyre jetonte ajo vrazhdësi emblematike e Isës kur bëhej fjalë për armiqtë tanë shekullorë,shkijet.Mu përgjigjën me një zë gati ledhatues pyjet me qar e blinë.Brenda fëshfërimës së tyre ishte ajo dashuri madhore e Isës për tokën tonë që e lindi dhe e rriti.
Isa lindi në Boletin në mesin e janarit të vitit 1864.Lindi në ate kullë të cilat pas shumë vitesh do të futeshin në legjendat shqiptare.Ishte vetëm njëmbëdhjet vjeç kur i vrasin të jatin,Ademin i cili kish luftuar me armë në dorë,për vite me rradhë kundra ushtrisë të Mehmet Reshit Pashës i cili kishte ardhur në Kosovë si “dorë e fortë” e Sulltanit.Trupi i drejtë dhe i gjatë i Isës njëmbëdhjet vjeçar,u mbështet paskëtej në gjoks të vëllait më të madh të Ahmetit i cili anipse vetëm tri vjet më i madh do të ndikonte së tepërmi në karakterin e vëllaut.Duhet thënë se Rexhep Pasha,i cili sundoi pas Mehmet Reshit Pashës, ia kish ndjerë zërin fort larg për trimëri bijëve të Adem Boletinit.Në një rast ai e provoi sidomos trimërinë gati legjendare të Ahmetit dhe pas kësaj ai do ta linte krejt Boletinin të kalonte në rrjedhën e qetë të jetës së vet.Por marëdhënie të tilla me malësorët shqiptarë nuk do të shiheshin me sy të mirë në Stamboll.Kësisoj,me dekret të veçantë,Sulltani e dërgon Rexhep Pashën,gjysëm të internuar në Tripoli (Libi),ndërsa nis drejt viseve të Kosovës ekspeditë ndëshkimore. Kështu në vjeshtën e vitit 1892,pas disa jave luftimesh të paprera,kullat në Boletin u mbuluan prej flakëve.Porta e lartë donte të shkrumbonte krejt këtë ndjenjë atdhetarie duke u vënë zjarrin gurëve e drurëve.Po Shqipëria,Kosova e Dibra kishin zënë vend në dashurinë e madhe të bijëve të Boletinit.Ajo nuk do të fikej askurrë,ajo vetëm do të rritej e rritej ashtu siç rritej shtrati i Ibrit në mars,prej dëborërave që vinin nga Bajgora e Llapit. Në pranverën e vitit 1894,një pushkë i ze pusi Ahmet Boletinit.Ate çka s’mundën ta bënin turqit e jeniçerët me topa,u përpoqën ta bëjnë me tradhëti.Dora vrastare qëllon mbi gjoksin e burrit i cili kish qenë shembull qëndrese në Boletinin e ashpër.Tregojnë pas kësaj,se me të marë lajmin e vrasjes së vëllaut të madh,Isa rrëmben pushkën dhe shkon drejt e në fshatin Zhazhë ku u vra tradhëtisht Ahmeti.Brenda pak orëve ai merr gjakun e vëllait dhe në varrin e tij ai betohet se do të luftojë deri në frymën e fundit ndaj Portës së Lartë dhe shqiptarëve të mjerë që me veprime i shkojnë pas asaj.Pikërisht në këto momente,i rrethuar prej armiqve dhe pabesive,Isa Bolentini nuk mund të japi vetvehten.Ai fillon ti ringrejë nga e para kullat në Boletin,merr pjesë në kuvende miqësh dhe porta e tij rri e çelur për çdo dashamirës.Në vitin 1897,ate e viziton në kullën e tij pranë Sokolicës,gazetari gjerman Karl Estrajher i cili më pas në librin e tij me përshtypje udhëtimi,do ta krahasonte Isën me Gec fon Berlihingen,udhëheqësin e lavdishëm të revoltave të fshatarëve gjerman,shekuj më parë.Duke e vizatuar mjeshtërisht karakterin e Isës,Estrajer thotë ;
“Këtu lart,në bregun e Sokolicës,përballë armiqve të tij,Isai na e çeli zemrën.Është mërzitur nga kjo ndjekje që po i bëjnë dhe dëshironte të jetonte i qetë në rrethin e familjes,në shtëpinë e vet,dhe jo në dyshime të përhershme,në pusi të ngrehura… E ka kundërshtuar qeverinë dhe tani rron i kërcënuar nga të katër anët prej saj,prej armiqve,ndërsa vet është i rrethuar nga një grusht shokësh besnik,vetëm nga tridhjetë vetë,që mund ta lënë kokën për të”.
Fundi i shekullit të kaluar,veçanërisht vitet pas Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,kishin sjellë ndryshime në vetëdijen nacionale të Shqiptarëve.Kishin filluar gati në të gjitha vilajetet të shkonin disa libra shqip që,ndonëse të paktë,ngjallnin shpresa për një rilindje kombëtare. Këta libra ishin si ato zogjtë e shkurtit që çajnë qiejt e dimrit për të lajmëruar pranverën që vjen sipër krahëve të tyre. Gjithsesi kësaj ndjenje në zgjim të shqiptarëve,Perandoria Osmane iu përgjigj me një valë ekspeditash të rrepta ku shtëpia edhe mund të digjej nëse gjendej në te ndonjë kartë e shkruar në gjuhën shqipe.Në këto kushte atdhetari Haxhi Zeka u vu në krye të Lidhjes së Pejës, e quajtur ndrushe “Besa – Besë”.Përpos të tjerave,ky kuvend burrash vendosi që nëse një krahinë ose fshat i Kosovës sulmohej prej forcave qeveritare,krejt Kosova do të ngritej për ti bërë ballë valës shkatërimtare osmane.Për zonën e Drenicës,Bajgorës e Llapit,Isa Boletini dha besën se do të ishte së bashku me trimat e kësaj treve,ushtari besnik i Lidhjes së Pejës.Dhe sprova më e madhe ishte arrestimi i mikut të tij të ngushtë dhe një prej udhëheqësve të Lidhjes së Pejës,Aqif Pazarit. Me të marrë vesh se ky u arestua dhe u dërgua në Stamboll,Isa Bolentini jep kushtrimin ndër miq e shokë brenda tri ditësh niset për në Pazarin e Ri. Është interesant të mendosh se ai u nis prej kullave të tij,në krye të 500 kalorësve,ndërsa kur mbëriti në Pazarin e Ri,telegramet e Shemsi Pashës drejtuar Stambollit,bëjnë fjalë për 10 mijë burra të gatshëm për të luftuar e vdekur nën urdhërat e Isa Boletinit.Me të arritur në Pazarin e Ri,Isai organizon disa trupa dhe pa hedhur shumë pushkë merr në dorë qytetin duke lajmëruar Shemsi Pashën që brenda dy tri ditëve,Aqif Pazarin e duan të lirohet prej burgut.Regjimentet turke të Shemsi Pashës u vunë përballë një revolte që priste të shpërthente nga çasti në çast.Ky lum i madh trimash prej mijëra vetësh,kuptohet se kishte brenda gjoksit të tij,më tepër se merakun për jetën e një njeriu.Pikërisht këtë kuptuan pashallarët e Stambollit që ulën kryet me turp dhe lanë të lirë mikun e ngushtë të Isa Boletinit.
E ndërsa Shemsi Pasha,nuk le gurë pa lëvizur për të shtënë në dorë Isain,ky i fundit i rrethuar prej një grushti trimash,shkon shpesh në Mitrovicë dhe enkas del rrugëve si për t’iu kujtuar regjimenteve osmane se ky vend është shqiptar dhe këta janë gjallë,e s’mund të frigohen prej askërkujt.Edhe pse Turqia dhe Rusia e fillimshekullit vinin pas një lufte të gjatë me njera tjetrën,ato përsëri nuk do t’i rreshtenin pazaret në kuriz të tokave shqiptare.Një ndër këto pazare është padyshim,dërgimi i konsullit rus në Mitrovicë,me dekret të Portës së Lartë.Lajmi për këtë ra si rrufe në atdhetarët shqiptarë të cilët parashihnin një kujdes të madh të qeverisë osmane për elementët serb në Mitrovicë.Kështu në ditët e para të gushtit 1902,ndërsa ish hapur lajmi se në qytet do të vinte konsulli rus, zbret Isa Bolentini në qytet me ate hapin e madh e vështrimin krenar,me kuburen e qëndisur me serm dhe vështrimin prej shqiponje. Me të marr vesh për zymtinë e bashkëkombasve të vet,energjik siç ishte,krejt i qetë dhe i vendosur ai thërret tellallin dhe diçka i shpjegon në pazar.Ky pas kësaj,nën tingujt monoton të goditjes së daulles thërret me zë të lartë ; “Asht urdhër i prerë i Isa Boletinit.Kena lidh nji besë e duhet me iu përmbajtë asaj.Kush bën konak për konsullin e Rusisë,në hotel,në shtëpi e kudo qoftë,ta dij fort mirë se neseret i del tymi !”.
Mund të tinullojë edhe si humor por me të dëgjuar tellallin,një hotelxhi i mjerë që pati strehuar konsullin rus,duke mos ditur as të komunikojë me të,vrapon në dhomë,i merr bagazhet dhe ja nxjerr jasht në rrugë.Më pas aty vinë disa autoritete të divizionit osman dhe i shpjegojnë gjithshka konsullit që habitej.Pastaj këto autoritete e marrin mikun e ardhur prej moske dhe duke e shoqëruar me dhjetra vetë e strehojnë në një gazermë të sigurtë për ta nisur të nesërmen me tren për në Shkup. Sipas gazetës “Zastava” datë 20 mars 1903,lidhur me këtë “incindent” të rëndë mësohet që Isa Bolentini të ketë thënë ; “Kjo është thjesht çështje politike.Shqiptarët nuk mund të pajtohen që në zemër të atdheut të tyre,ku nuk ka asnjë rus,të durojnë votrën e sllavizmit”.
E ndërsa shqiptarët kishin filluar të mbureshin me emrin e Isa Boletinit,të tjerë, ata që shihnin tek ai mitin e rezistencës shqiptare nuk mund të pranonin kësisoj realitetin..Vetë Cari i Rusisë i kërkon Sulltanit që pas asaj që ndodhi në Mitrovicë ku duhet të bëjë çështë e mundur që Isa Boletini të largohet prej andej qoftë edhe për pak kohë që të vihet në vend nderi i Perandorisë së Lindjes.Disa biseda me Shemsi Pashën nuk mund të ndryshpjnë asgjë në rrjedhën e jetës së Isa Boletinit. Madje në një rast,kur Shemsi Pasha i kujtoi shpërblimet e mëdha që i ofronte Porta e Lartë , biri i Boletinit iu përgjigj se as gjyshi e as babai i tij por as ai e nip e stërnipërit e Boletinit,nuk do të vraponin pas kockave,por vetëm pas Shqipërisë.Sultani,duke parrë reputacionin në rritje të Isa Boletinit mendon ta mbaje me të mirë ate pasi çdo lloj lufte që mund ti hapte e parashihte të humbur.Bile ai nuk vonon edhe ta ftoje në Stamboll duke i premtuar se do të jetë në shtëpinë e tij dhe do të bisedojë shtruar për fatin e Shqipërisë.Mjeshtër i këtyre makinacioneve politike,Sulltani dërgon deri në kullën e Isait në Boletin,dy njerëzit e tij që sidoqoftë ishin edhe në miqësi të ngushtë me familjen e Isës. Këta ishin Adem Nikshiqi dhe Sulejman Begçegiçi të cilët kishin në zotërim pasuri të mëdha në Turqi dhe Kosovë.Ata gjithashtu i dhanë besën trimit të Boletinit se jeta e tij ishte e siguruar dhe pos të mirave për Kosovën asgjë nuk kish për të ndodhur.Ky i fundit,i prerë si gjithmonë në gjykimet dhe fjalët e veta,mbasi i pret miqtë me gjitha të mirat i thotë se mund të shkojë në Stamboll nëse në Mitrovicë,Shemsi Pasha rri urtë me shqiptarët dhe këtu nuk shkel asnjë këmbë, konsulli sllav të huaj. Sulltani pranon kushtet e Isës dhe ky i shoqëruar nga një grusht trimash niset për në Stamboll i përcjellë prej qindra bashkë atdhetarëve që ndërsa ndaheshin e porosisnin të kujdesej për vehten e të kthehej sa ma parë në Boletin.E vërteta është se në Stamboll,biri i Boletinit, fillimisht pritet me nderime e respekte të veçanta.Atij i sigurohen kushte të mira jetese madje i jepet një shumë mujore edhe për shpenzime të tjera që mund të përdoreshin për pritjen e miqve. Por qëllimi i vërtetë i vizitës,ai i një bashkëbisedimi lidhur me problemet e Kosovës nën Perandorinë e Osmane,nuk u arrit asnjëherë. Madje miqësia midis Sulltanit dhe Isa Boletinit erdhi duke u ftohur ngase padyshim ata mbronin të dy aspiratat e qëllimeve të kundërta. E thënë troç,këta të dy kishin shumë pak gjëra që i bashkonin dhe një mal të tjera,që jo vetëm i ndanin por nga çasti në çast mund t’i hidhnin në krahët e luftës.Sidoqoftë,Isa Boletini gjatë kësaj periudhe ka mbajtur një qëndrim disi miqësor ndaj Portës së Lartë.Por ai,ashtu si atdhetarë të tjerë shqiptarë,parashihnin tek qëndrimi i tyre,i butë ndaj Perandorisë një lloj ekulibri të domosdoshëm që i kërkonte në çdo kohë rreziku prej bishës serbosllave.Ndaj edhe Isa Boletini,intuitivisht e kuptonte se marëdhëniet e tij me Portën e Lartë nuk do të mund të kishin një përfundim të gëzuar,por sidoqoftë këto mardhënie nuk do të hidheshin poshtë asnjëherë duke u zbuluar nga të dy krahët.Anipse koha e qëndrimit të tij në Stamboll ishte e gjatë,reputacioni i birit të Boletinit askurrë s’u përfol.Ishin qindra shqiptarë që shkonin në shtëpinë e tij,bisedonin e qanin hallet e Kosovës dhe merrnin zemër prej burrit të paepur e plot shpresa.Por edhe propaganda s’mund ta linte në periferi këtë trim të mbyllur prej Sulltanit në Stamboll.”Shkruajnë nga Shqipëria e sipërme se shqiptarët janë mjaft të turbulluar që s’u kthye kryetari i tyre,Isa Boletini,nga Stambolli.Kanë frikë se mos çohet syrgjyn në Anadoll e nuk kthehet më kurrë në atdheun e vet”.(“Le Temps” e Parisit, më 25 dhjetor 1902 ).
Duke parë se durimi i Isa Boletinit po mbarohej,me urdhër të Sulltanit,atij iu propozua të merrte titullin Pasha.Biri i Boletinit duke e kuptuar fort mirë “nderin” që po i bëhej nuk e pranon këtë titull por përkundrazi,i bën me dije njerëzit e oborrit se ai do të largohet sa ma shpejtë për në atdheun e vet.Madje,në një moment nervozizmi,kur i dërguari i Sulltanit,Tahsim Pasha po i thoshte se do të shohim punën e kthimit në Shqipëri,Boletini i tha prerë ;”Sote dy javë me kini në stacion trenit. Ose i hypi trenit i gjallë ose më zvarrisni të vdekur në Stamboll !”.Duke njohur karakterin e tij,pas disa ditësh,njerëz të oborit erdhën dhe i thanë se mund të largohej pasi kish urdhëruar mbi këtë çështje edhe Sulltani. Lajmi u hap si rrufe dhe ende pa shkelur këmba e tij në Mitrovicë,qindra shqiptarë u grumbulluan aty.Thirjet majëkrahi gjëmuan në Llap e Bajgorë,në Gjakovë e Vuçitërn duke dashur që gëzimi të ndahet në çdo vatër të Kosovës.
Po Ibri ? Ah Ibri,që vuan dhimbje edhe sot, edhe ai i përplasur i ka valët nëpër gurrë e shkrepa duke iu gëzuar kthimit të birit të Boletinit por edhe burrit të Shqipërisë.
“Vitin 1907,Isai e shkoi në qytetin e Mitrovicës duke u marrë me disa ngatërresa të vogla midis qeverisë dhe popullit… ose mosmarrjen rekrutëve që ishin të thirrur të shkonin në ushtri,të rinj që ishin pa ndihmes të tjerë në shtëpi dhe ishin mbledhur përdhunisht nga zyrat e rekrutimit.Kjo e rekrutëve bëri shumë bujë.Prindërit e të afërmit e tyre erdhën në Boletin dhe ju lutën Isait t’ua shpëtonte djemt.Ai hyri në zyrën e rekrutimit dhe u bind se qenë mbledhur djem të varfur,ligje e pa ligje,për të mushur si bedelë numërin e bijve të të pasurve dhe të bejlerëve.Ata i nxori nga zyra dhe i ktheu në shtëpi”.(S.Lucrasi,”Jetëshkrimi i shkurtër i Isa Boletinit,Rilindja 1972,Prishtin,fq 57
Më pas trimin dhe të mençurin Isa Boletinin,do ta shohim jo vetëm si pjesmarës por edhe si burrë që i dëgjohet fjala,në kuvendin e korrikut,në Ferizaj më 1908..Ishte koha kur shqiptarët fillimisht e përkrahën vendosmërisht lëvizjen e Turqve të Rinj.Por më pas,ata e kuptuan se nëse faktor të tij,nuk shfrytëzohen për interessa kombëtare,asgjë s’do të buzëqeshe në fatin e Shqipërisë. Isa Boletini,duke njohur nga afër sëmundjen e Perandorisë,duke ndjekur zhvillimet e falë miqsisë me Ismail Qemalin do të mund të krijonte një barazpeshë në qëndrimet e tij si udhëheqës popullor,ndaj Portës së Lartë.Në kuvendin e Ferizajit,korrik 1908,trimi i Boletinit,së bashku me Bajram Currin,Sulejman Batushën,Idriz Seferin,Ramadan Zaskocin,Musa Miftarin e dhjetra burra të tjerë lidhën besën për të luftuar deri në fund kundra çdokujt “që donin me coptue Shqypninë !” .
Pos të tjerave në këtë kuvend historik u nënshkrua prej trimave shqiptarë një besë e cila kërkonte të ndalohej hakmarrja për gjashtë muaj dhe të luftohej pa dallim si kundër armiqve të huaj, ashtu edhe kundër tradhëtarëve të vendit.Por në të njejtën kohë,firma e Isa Boletinit është edhe në telegramin e datës 21 korrik 1908 që Kuvendi i Ferizajit i dërgoi Sulltan Hamitit, e në të cilën pos të tjerave i kërkohej këtij të fundit të vendosë regjimin kushtetues.Lidhur me këtë telegram,në kujtimet e tij,plaku Ismail Temali shkruan : “Ky telegram në mendjen e Sulltanit mbeti një mbresë me të të madhe se vetë protesta e Fuqive të Mëdha”.(“Rilindja” – Prishtinë,19 janar 1971 ).
Duke qenë ndër ideatorët dhe mbështetësit kryesorë të kuvendit të Ferizajit i cili me sa duket kërkonte të konkuronte të ardhmen e pavarur kosovare,Isa Boletini tanimë viret në shënjestër edhe të turqve të rinj.Ata e dënojnë me vdekje dhe janë vetë gazetarët e Beogradit që e deklarojnë hapur këtë.Por plumbi s’mund ta zinte kurrë trimin e maleve që mbante kurdoherë në shpirt vizionin e një Shqipërie të pavarur.E nisur në kuvendin e Ferizajit,besa shqiptare për ndalimin e gjakmarjes po kthehej në një besë potenciale për të bashkuar gjokset dhe armët kundër armikut.Kjo tek e mbramja shuante shpresat e Portës së Lartë për qetsi në Shqipëri.Madje jo vetëm kaq,por fjalën e Haki Pashës në këshillin ministror,xhonturqit reaguan hapur dhe egërsisht.Vetë Haki Pasha Sedrazemi tha ;”Rreziku më i madh i Turqisë,nga gjithë kombet që jetojnë nën perandorinë tonë, janë shqiptarët.
Po fara ishte hedhur.Në shpërthim të çeljes së saj nuk ishte kujdesi i pakët i një kopshtari por aspirata e një populli të tërë,i cili duke parandjerë zgjimin e vet bashkoi mendjet dhe zemrat për të flakur tej një sundim.Beteja e Grykës së Caralevës,do të ishte një provë tjetër e besnikërisë së Isa Boletinit ndaj idealit madhor të lirisë së vendit të vet.Kështu në prillin e vitit 1910,kur sapo kishte nisur kryengritja e kosovës,Mahmut Shefqet Pasha,në krye të dhjetë mijë turqve vjen në Shqipëri.Tashmë për çdo Pashë të ardhur në Kosovë,ishte e qartë si pika e lotit që s’mund të bëjë kompromis me Isa Boletinin.Mahmut Shefqet Pasha,u kish deklaruar deputetëve të Stambollit se Isa Boletinin do ta sillte të lidhur tek Ura e Gallatës (Stamboll).Duke ditur vendqëndrimin e trimit shqiptar,pashai urdhëroi të kalonin forcat më të mëdha në Grykën e Caralevës dhe vetë, në krye të shtabit madhor drejtoi luftimet në këtë zonë.Beteja në Carralevë zgjati pak më tepër se dy javë.Ajo ishte e egër dhe në mjaft vende u zhvillua trup me trup.Mbase nuk duhet harruar se në disa çaste kritike,Isa Boletini ndërsa priste ndihma u tradhëtua prej Rustem Kabashit.Por edhe në këto çaste kaq të vështira,burri i Boletinit nuk u trondit aspak.Ai dijti të udhëheqe formacionet e luftëtarëve popullorë nën një strategji që e kish bazën tek mençuria shekullore shqiptare.Kjo u duk sidomos në fshehjen e trupave dhe të qëllimeve gjatë goditjes me artileri të Mahmut Pashës e mandej në goditjet e befta e plot sukses të trimave të kosovës.Ndërkaq këmbëngulja e shtabit ushtarak për mos ta lënë grykën e Caralevës,ishte mjaft e madhe.Pikërisht në këtë front dërgoheshin trupa të freskëta dhe me gjithë humbjet e mëdha Mahmut Pasha nuk rreshte së hedhuri në sulm kontigjente të armatosura ushtarësh.Gazeta “Cetinjski Vjesnik” e atyre ditëve,e analizonte gjërësisht situatën në Grykën e Caralevës dhe duke u ndalur në vetitë e Isa Boletinit shkruante ; “Kundër kryengritësve shqiptarë,Porta u detyrua të dërgonte forca të reja,më të mirat e Perandorisë.Komandant supremi i Ushtrisë Turke ishte emëruar Mahmut Shefqet Pasha.Ai deklaronte se shpirti i tërë kryengritjes ishte Isa Boletini,dhe se vetëm kur të mposhtet ai,situata mund të jetë në duart e turqve.Taman për këtë arsye ushtria turke u vërsul si e marrë në Grykën e Caralevës.Nën kushtrimin e Isa Boletinit së shpejti në Caralevë u tubuan 15-20 mijë kryengritës…”.
E vërteta është se pas disa ditë luftimesh,kryengritësit shqiptarë u detyruan të tërhiqen nga Carraleva e megjithatë,për nga trimëria e tyre,për nga betejat ku mbetën të vrarë me qindra ushtarë e oficerë turq,Carraleva do të shërbente si nji gurë prove i qëndresës madhore shqiptare.Kjo grykë do të hynte në këngë së bashku me legjendën e gjallë Isa Boletinin.Vitet që rrodhën më pas e gjejnë Isain në ballë të përpjekjeve popullore për pavarsi të Shqipërisë.Djegja e shtëpive,përndjekja e egër që Porta i bëri Isës,e detyroi këtë të largohet prej vendlindjes e të vendoset në Mal të Zi.Autoritetet sllavo-malazeze,u përpoqën disa herë ta marrin me të mirë trimin e Boletinit,ata nuk harruan ti premtojnë çifligje e tituj,vetëm e vetëm për ta vënë në shërbim të tyre.I mençur prej natyre,Isa Boletini i pat kuptuar qëllimet e tyre të kahershme por zakonisht përgjigjet i jepte të prera,pa lejuar komente mbi to.Nënteksti ishte i qartë : jeta e tij ishte vetëm në shërbim të Kosovës.
Ai ka filluar tashmë të mbajë lidhje të ngushta me Ismail Qemalin,Bajram Currin,Hasan Prishtinën dhe Hasan Ferrin.Më tepër se lidhje miqësh,këto ishin lidhje trimash që parashihnin se vetëm duke qenë të bashkuar,si një trup i vetëm,do të mund t’i bënin ballë sundimit osman si edhe lakmive shovene të fqinjëve sllav.Një e tillë,ku u lidh besa për t’u ngritur në luftë krejt Kosova me gjith Shqipërinë,ishte kuvendi i Junikut.Në te muarrën pjesë ; Isa Boletini,Hasan Prishtina,Hasan Ferri,Xhemal Begu,Qerim Begolli,Niman Bala,Ibrahim Bajaraktari,Idriz Zeqo,Ibrahim Hoxha, Bajaram Mani,Bajram Curri,Sadri Azemi, etj.Tani në Besëlidhjen e Junikut merrnin pjesë pothuajse udhëheqës të kryengritjes popullore nga krejt trevat verilindore të Shqipërisë.Juniku u pasua me një veprimtari të ethshme mbarëkombëtare.Forcat kryengritëse të udhëhequra prej Isa Boletinit zhvilluan disa luftime në Prishtinë,Llap,Podujevë dhe Karadak të Gjilanit.Kudo,uragani i revoltës popullore shqiptare,mirrte përpara batalione e regjimente osmane të cilët duhet thënë se po parashihnin fundin e tyre pa lavdi.Gjithashtu falë organizimit ushtarak të Isa Boletinit e Bajram Currit,me 14 gusht 1912 edhe qyteti i Shkupit (kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës) ra në duart e kryengritësve.Me datën 15 gusht,Idriz Seferi,Isa Boletini e Bajram Curri e dhjetra udhëheqës të tjerë,në krye të 3000 burrave të armatosur hynë triumfalisht në Shkup përmes një hareje të pazakontë.Me radhë pas Shkupit,pothuaj krejt trevat shqiptare të Kosovës u gjendën edhe përmes rrëmujës të krijuar prej paktit ballkanik por edhe nën ndikimin e një shprese që po lindëte.
Midis aleancës ballkanike dhe Turqisë,prijësit popullorë shqiptarë zgjodhën luftën e armatosur për pavarsinë e trojeve etnike shqiptare.Mdje ata nuk nguruan të deklarojnë hapur qëllimin e tyre madhorë. Kështu me 14 tetor 1912,patriotët Nexhip Draga,Sali Gjuka dhe Bedri Pejani,në një telegram që u dërgonin Fuqive të Mëdha,shpreheshin qartë se shqiptarët kishin rrëmbyer armët jo për të përforcuar pushtetin e Turqisë në ballkan,por për tu dalë zot trojeve shqiptare.Mbase nuk duhet haruar se pikërisht në këto momente,janë dy-tri përpjekje të autoriteteve të larta serbe të cilat duan të kompromentojnë karierën patriotike të Isa Boletinit.Por në asnjë prej bisedimeve ata nuk mundën t’ia arrijnë qëllimit.
Kësisoj për të ardhur në ditën fatlume të Shqipërisë ,më 28 nëntorin e vitit 1912.Plaku i urtë Ismail Qemali,duke ngritur flamurin në vlorë mes peripecive,kreu ndër aktet e rrallë të atdhedashurisë.
“Flamuri i kuq me shqiponjën dy krerëshe u ngrit në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës,ku u zhvillua
Kuvendi,i cili zgjodhi Ismail Qemalin si kryetar të tij.Turma që priste në oborr dhe mbushte rrugët,këndonte këngë patriotike,valëviste flamuj të vegjël të përgaditur më parë dhe grumbullohej përpara konsullatave të Italisë dhe Austrisë.Zoti Defacendis,konsull i mbretërisë dhe konsulli Leihanetz,kolegu i tij imperial,dualën në ballkon.Megjith shiun e imët që binte dhe pothuajse në erësirë ato u shprehën me fjalë të mira dhe inkurajuese”.
(Mid’hat Frashëri – “burimet e konfliktit italo-shqiptar”– “Mercyre De France , 1-VIII-1920)
Me 100 trima të Kosovës,Isa Boletini vjen në Vlorë një ditë pas ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarsisë.Megjithatë nderet që i bëhen atij janë të mëdha.Ate e presin në hyrje të qytetit dhe ndërsa Isa ulet në gjujnë e puth flamurin,plaku Ismail Qemali i drejtohet njerëzve duke iu thënë : “Ky bir i Kosovës më dha krahun dhe fuqinë!”. Një thënie sa profetike aq edhe e sinqertë.Më pas kur formohej kabineti i parë,në ditët e para të dhjetorit 1912,Ismail Qemali i propozon Isës,detyrën e Ministrit të Luftës.Por ky me ate autoritet dhe thjeshtësi i thotë se ndofta këto grada mund t’i shkojnë më tepër Mehmet Pashë Derallës.Biri i Boletinit e kishte gjetur përfundimisht vendin e vet. Ai ishte midis bashkëkombasve,në flakët e luftërave për pavarsi.
Më 1 prill 1913,kryetari i qeverisë provizore Ismail Qemali,niset për në Konferencën e Paqës,në Londër.Me vehte ai merr edhe Isa Boletinin,këtë hero të kryengritjeve të kosovës.A mund të merret ky fakt për rastësi ? Natyrisht që jo ! Me këtë akt,Ismail Qemali donte t’u tregonte Fuqive të Mëdha se Shqipëria s’mund të ndahej,se ajo ishte një, e tërë.Në këtë udhëtim dy burrave trima u pret rrugën në Milano,emisari serb Zhirojen Ballukçiç i dërguari i posaçëm i Pashiçit.Pos të tjerave,Ballukçiç u kërkon prijësve shqiptarë që në Londër ata të pranonin propozimin serb për kufijtë mes tyre dhe të shihnin mundësinë e zgjedhjes së një princi serb si monark të Shqipërisë.Pasi Ismail Qemali I dha emisarit serb përgjigjen e duhur diplomatike,ishte Isa Boletini që me ate lakomizmin karakteristik e përfundoi bisedën : “Serbia do të pendohej keq,po të këmbëngulte të pushtonte Kosovën,sepse ajo popullsi nuk do të pushojë kurrë luftën e saj për liri “.
Në londër,dy burrat shqiptarë u përpoqën të sensibilizonin sa ma shumë opinjonin botëror për kufijtë dhe fatin e Shqipërisë.Ata u pritën prej personaliteteve të shumta deri tek sir.Eduard Grej, ministër i punëve të jashtme i Britanisë dhe kryetar I Konferencës së paqës,pas luftës Ballkanike.Tafil Boletini e përshkruan kështu takimin ;
“Deri të lirohet nga armiqtë grabitqare,Kosova s’ka me ndejet e qetë”kish thënë axha Is. Dhe ser.Eduard Grej,ju ka përgjigjur kështu ; “Për fat të keq,na nuk kemi pas njoftime të duhura për kufijtë e Shqipërisë.Por nëqoftëse këtej e mbrapa viren në diskutim këta,ju,duke pas miq si Herbertin me shokë,keni me pa se kush janë anglezët”.Më në fund e pyet axhën Isë.; Nga ç’vendi i kosovës jeni ju ? “Jam nga Mitrovica “ i përgjigjet ky. Grej e shikon hartën dhe thotë ;” sikur të kishte qenë Mitrovica afër vijës së kufirit me çdo përgjegjsi do t’ia vija një vijë,por qenka shumë thellë,bash në periferi ekstreme”.Axha i thotë ; “Nuk jam ardhur këtu vetëm për Mitrovicën,por për çdo pëllëmbë toke Shqiptare”.(Tafil Boletini “Pranë Isa Boletinit” kujtime faqe 161 – 162 ).
Po në Londër,isa Boletini do t’u deklarojë disa gazetarëve të huaj se “Nëse Evropa nuk do ta zgjedhë drejt çështjen e kufijve të Shqipërisë,ballkani nuk do të ketë kurë qetësi.Ne shqiptarët nuk marrim asnjë barë përsipër për luftërat që do të shkaktohen në të ardhmen,në saje të zgjidhjes jo të drejtë të kësaj çështje “.
Fundi i vitit 1913 dhe fillimi i vitit 1914-ës,do të turbullonte keqaz varkën shqiptare e cila notonte,në një det plot dallgë e rreziqe.Grekët në jug,digjnin Korçën e Gjirokastrën,serbët kishin ardhur në Librazhd,ndërsa Malazezët synonin të zbrisnin në Shkodër.Sikur të mos mjaftonin këto, të ardhmes shqiptare i bënin prita për ta vrarë edhe tradhëtarë të tipit Esat pashë.Ky zhvilloi disa biseda për të bindur Isa Boletinin që të braktiste Ismail Qemalin,por pa dobi.Më pas,Esati u lidh me serbët e malazezët të cilët pa dyshim i premtuan një Shqipëri të vogël për të kënaqur oreksin e tradhëtarit të vendit të vet. Në bazë të një plani të fshehtë me gjeneralin Veshoviq,forcat esadiste dhe ato serbe sulmuan Morinën.Të mbështetur prej artilerisë serbe,këto forca filluan një masakër të pashembullt duke djegur shtëpi e vrarë njerëz të pafajshëm.Sërish Isa Boletini jep kushtrimin dhe duke bashkëvepruar me Bajram Currin,bëjnë ç’është e mundur që të ndalet mizoria serbe.Ata janë gjithashtu në mbrojtje të forcave demokratike në Shqipërinë e mesme e cila u kërcënua realisht prej lëvizjes së Haxhi Qamilit. Kësisoj për të ardhiur deri në vitin 1915,kur Isa Boletini gjendet në Shkodër i lodhur luftërash dhe i dërmuar fizikisht e moralisht.Shkodra aso kohe ishte gati e pushtuar prej malazezëve.Isa duke kujtuar armiqsitë e vjetra të tij me krajlët serb e malazez,duke menduar edhe për fatin e rreth 100 trimave që i rrinin pranë,mendon të kërkojë ndihmën e qeverisë Franceze.Menjëherë sapo kërkon takim me konsullin frances në Shkodër,Bikok,ky e pret dhe i premton se diçka do të bëjë.Pas disa ditësh,Bikok, e nis Isa Boletinin me disa të afërm (djem e nipër të tij) për në Cetinjë duke pretenduar se më pas qeveria franceze do t’i stabilizoj në një vend neutral.
Po këtu kishte filluar odiseja e një udhëtimi që padyshim do të përfundonte tragjikisht.Prej Cetinje,ku malazezët u orvatën dy herë për ti bërë atentat,Isa Boletinin e çuan në Danilograd.Edhe këtu masat e sigurisë ishin tepër të rrepta.trimi i Boletinit ishte gati i burgosur megjithëse në kohën më të madhe,i sëmurë në shtrat.me 23 janar 1916,në derën e shtëpisë ku dergjej i shtrirë Isa , troket fort. Dy xhandarë kërkojnë që Isa të paraqitet në prefekturë pasi e kërkojnë autoritetet e vendit.Ndërsa ishte duke kaluar mbi urën e lumit Ribnice,Isa Boletini vështron lëvizje të mëdha xhandarësh.Me sa duket diç parandjen por tashmë ura mbahet e rrethuar dhe aty nuk lënë njerëz të tjerë të kalojnë.Thirjes së xhandarëve për të dorëzuar armët,biri i Boletinit i përgjigjet me zjarr. Kënga thotë : Krisi pushka në pazar
Lufton Isai si Shqiptar
Se ç’u bë ky nam beteri,
Podgoric të mloi jezeri
U ba pushk e gjimon prroni
Po lufton Isa dragoni,
Lufton rreptë e lufton randë
Mbet dëshmor,po vet i nandë…
Isa Boletini ra me dhjetra plagë në trup.Kaq e egër kish qenë urrejtja për te.Ky bir e udhëheqës i madh i Kosovës martire,po rrëzohej qindra kilometra larg vendlindjes së tij ashtu si ai lisi me degë mbi të cilën rrënon bora e fortuna.Lajmi u përhap menjëherë.Në Boletin në kullat e djegura,dhimbja endej si një zog malli i përjetshëm.Në Vlorë labërit u mblodhën dhe e vendosën ate në këngë.Në Shkup e Shkodër,mbajtën zi për birin e tyre.Emri i Isa Boletinit endet sot në çdo kujtesë guri e bari të vatrave shqiptare.Ajo kujtesë ende valvitet në shpirtin e shqiptarit,si pallët e flamurit në frontin e Lirisë.Këtë përvjetor Isa Boletini kthehet nga legjenda që sdihej se ku prehej nën dheun dhe tokën e vet nga dhe mori shpirt që më pas të kaluar në legjendë,dhe po aq na jep shpirtë dhe një herë forcon kullat dhe themelet e pamposhtura kundra hordhive serbosllave,jo vetëm të Kosovës por të mbarë kombit shqiptar kudo ku ai shtrihet në hapsirat e Shqipërisë Etnike.
Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: antiserbe, Eugen Shehu, Isa Boletini, simbol i qendreses

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Aleksandër Xhuvani drejtor dhe autori i teksteve në Normalen e Elbasanit
  • Shqiptarët në New York kryen homazhe në nderim të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku
  • NY Vigil Tribute to Officer Bunjaku
  • 150 VJETORI I LINDJES SË HASAN PRISHTINËS, NJË NGJARJE QË TEJKALON KUFIJTË KOHORË E HAPËSINORË
  • KALENDAR Kur Papa Pali III merrte nën juridiksion papal, Urdhrin e Jezuitëve
  • SHKOLLA SHQIPE E MICHIGANIT, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
  • Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier
  • Shtatori është dhembja dhe krenaria jonë, kujtimi për masakrën e Deliajve në Abri
  • KLARA  KODRA,  STUDIUESE  E  LETËRSISË  ARBËRESHE
  • Pyetje
  • Shqipëria po shitet, shqiptarët  rrijnë e vështrojnë
  • SERBIA – PROBLEM I BALLKANIT DHE JO ZGJIDHJE E TIJ
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1912) / FALË MARK KAKARRIQIT ARRITËM TË INTERVISTONIM NË QYTETIN TONË ISMAIL BEJ QEMALIN, PARA SE KY I FUNDIT TË NISEJ PËR TË SHPALLUR PAVARËSINË E SHQIPËRISË
  • Afrim Bunjaku, in memoriam…
  • Shkollat Shqipe Alba Life në NY e hapën vitin e ri akademik 2023-2024 me fidanishten e parë të saj në Staten Island

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT