• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çetnike të Ushtrisë së Mbretërisë Jugosllave kryen gjenocid ndaj 9200 të pafajshmëve

March 1, 2015 by dgreca

Masakra e Biohorit gjatë natës së Bozhiqëve të vitit 1943 (pjesa e IV-të)/
Qetnikët ekzekutuan aksionet e planifikuara për vrasjen masive të shqiptarëve të Bihorit. Ky akt gjenocidal krijoi një gejndje tmerri: “Nëna s’e di ku i ka fëmijt. Baba s’e njef djalin e vet e nusja burrin”./
Nga Ismet Azizi/
Gjenocidi serbomadh mori formë të organizuar shtetërore qysh në vitin 1844, me programin “Naçertanija” të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Principatës së Serbisë, për të vazhduar me projektin e Vlladan Gjeorgjeviqit, më 1908. Pas reformës agrare, vazhdohet me programin kolonizimit i cili paraqitet në parlament në Beograd në formë memorandumi me titull “Shpërngulja e Arnautëve”, më 7 mars 1937, nga Vaso Çubrilloviç, ku tregoheshin mënyrat çnjerëzore që duhej të përdorte shteti serb për zhdukjen e shqiptarëve. Elaborati i titulluar “Projekt-raport për Shqipërinë”, i cili u promovua nga nobelisti i mëvonshëm Ivo Andriq, më 30 janar 1939, paraqet planet për zhdukjen e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Ndërsa projekti i Stefan Moleviçit, i 30 qershorit të vitit 1941, parasheh fshirjen e Shqipërisë nga harta ballkanike dhe zhdukjen totale të shqiptarëve. Këtë program u mundua ta realizoj edhe Drazha Mihailloviq gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në viset veriore të trojeve Shqiptare.
Sipas raportit dërguar qeverisë së Libohovës në Tiranë, bilansi i ditëve tragjike të Bihorit, shkurtimisht, është me sa vijon:
“Shtëpi të djegura 1763, burra të vrarë 590; të therun 185, gra të vrarë 340; gra të therura 285, fëmijë të therur 701; të djegun 705, të grirë nga të ftohtit: fëmijë 447, gra 266, burra 119. Të vdekur nga uriadhe nga plagët: burra 359, gra 275. Të marrun rob (gra e vajza) 251. Pra, gjithsej, si mpas hetimeve të bëra në shpejtësi, del se të vdekur janë 3741 dhe të plagosur 634. Ndërsa për 251 shpirtëra që mungojnë, shumica e madhe e të cilave janë gra e vajza, këto do të jenë marrë rob për t’u shërbyer çetnikëve për plotësimin e epsheve të tyre. Ndërsa sipas raportit të komandantit çetnik Pavle Gjurishiq, gjeneralit Drazha Mihajlloviq, në gjysmën e dytë të muajit shkurt të vitit 1943. në Luginën e lumit Lim njësitë çetnike të Ushtrisë së Mbretërisë Jugosllave kryen gjenocid ndaj 9200 sanxhaklinjëve të pafajshëm. Në raport theksohet se 1200 të vrarët ishin të aftë për ushtri, ndërsa 8000 të tjerë ishin gra, fëmijë dhe pleq“.
Në raportin e komisionit thuhet: “Botës së qytetëruar i takon t’i vlerësoj dhe t’i gjykojë këto mizorina. Mallkimi i Zotit le të bien pa mëshirë mbi ata që lejuan dhe ata që i kryen; dënimi i drejtësisë njerëzore le t’i ndëshkojë shkaktarët e kësaj kërdie që u treguan se janë bisha të pashpirt“.
Në vazhdim po ofrojmë dokumentet e fundit, gjegjësisht, dokumentin e gashtë dhe të shtatë, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në fondin arkivor të viti 1943 (janar – korrik), në dosjen me nr. 5, me 57 fletë. Ekzistojnë disa dokumente origjinale që i janë dërguar kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë, Ekrem Bej Libohovës, nga Komisioni i zgjedhur enkas për konstatimin e gjendjes faktike. Ky raport, në mënyrë të pakontestueshme, dëshmon krimin dhe gjenocidin serbo-malazias ndaj banorëve shqiptarë të zonës së Bihorit. Dokumentet në fjalë po i paraqesim në formë origjinale. Qeveria e Mbretërisë Shqiptare e dërgoi në Bihor një komision shtetëror në krye me Nënministrin e Tokave të Lirueme, juristin Qazim Bllaca. Në komision ishte edhe Thoma Luarasi, me karrierë politike në këtë ministri dhe tre ushtarakë të lartë italianë së bashku me një numër të parisë shqiptare të Dukagjinit me Demë Ali Pozharin, Emrush Miftrain, Bajram Gashin dhe disa të tjerë. Komisionin e shoqëroi një delegacion i Sanxhakut në krye me patriotin e zjarrtë shqiptar Mulla Osmanin e Petnicën.
Dokumenti i VI -të
Na shpëto Zot
Asht natë kallëndori. Qetësi e madhe. Bora bjen me fjoka shllungë. Disa të lehme qejsh thyejn qetsin e mortshme. Gjatë rrugës së Lumit potera shurdhuese e ndoj autokolone që i afrohet urës, zgjon interesin e shum kuej. Në këtë të ftoftë, kaq vonë, ku shkon kjo autokolon? Prap heshtje. Autokolona asht ndalë. Të lehmet e qejve bahen shurdhoje, tek tuk fillojnë me u – cijatë sikurse t’u bij kush. Çdo kush dyshon mos të jetë afrue ndoj hajn, e pra nga frëngjitë e kullave zani i burrave kah i ndërsejnë qejt. Terri i natë s’len të shifet gja jashtë, por nga lehja e qejve merret vesht se nuk asht puna e vetëm nji hajdutit. Ka dishka ma tepër. S’vonon e nji krizëm e madhe dridhë tokën.
Zgjohen edhe fëmijt që gjumi i mesit të natës i përkëdhelte me andra të shijshme e të hidhta, lojna e përplasje ditet. Një bombë! Ç’do të jetë? Askush s’e merr me mend. Lehje dhe gërthitje e çejvet bahet bahet gjithnji ma kërcënues. Dy tri të shtima pushkësh dhe urdhëni i Komandës: Napred! Napred! (përpara, përpara) zbulon misterin e natës së kobshme për at zonë abnore, për Bihorin e famshëm në blegtori. Çetnikët! Çetnikët serb e malazez fillon me u shtua britma e grave e e fëmijve. Pushka kërset në të katër anët. Topa e mitraloza iu përgjigjen të shtimeve të mbrojtësve. Qielli skuqet dhe re tymi ngrihen shllungë përpjetë. Tmeri dhe paniku i ka kapë banorët. Ata dy, tre fishekë kush i pat i harxhoj, e tash s’mbetet tjetër veçse me iu çel shteg grave e fëmijve, që të pshtojnë kryet! Por kot. Çetnikët kanë vendosë mos me lanë krye shqiptari të gjallë n’at krahinë; prandaj kur fillojn me u vue zjarrin shpive, zanë derën dhe presin e vrasin cilindo që don me hikë vdekjes së zjarrmit. Britma e nanave kah shofin fëmijn tue u – përplasë në mes flakësh të qethë misht e shtatit. Lotët dhe mallkimi i burrave kah shofin të iu shndërrohen gra e vajza ndër sy, ban m’u dridh toka.
Vikamet, afshet dhe përplasjet e nuseve që kërkojnë vdekjen por jo t’a lëshojnë nderin ndër duer të çetnikëve, kalojnë çdo kufi. Pushkë, bumbe e mitraloza dridhin tokën. Shpijat digjen njana mbas tjetrës. Kufomat shtohen orë e ças. Bajonetat pa pikë mëshiret ngulen ndër trupna si në kasaphane e përlyhen me gjak fëmijsh, pleqsh e plakash, që s’iu punojnë këmbët me i hikë kobit të zi. Tmeri dhe paniku i kësaj befasije ka humbë fillin çdo banori. Nëna s’e di ku i ka fëmijt. Baba s’e njef djalin e vet e nusja burrin. Se ç’kob i zi! Pushka, mitralozi s’prajnë.
Gjamët e të plagosunëve kërkojnë, ndihmë, vaji i fëmijve të hudhun nëpër borë, si kunguj, dihatja e pleqve dhe i plakave, që të shtrimë mbi borë në mes të rrugës në këmishë e tlinta, ashtu siç kishin ndodhë në shtrat, përforcojnë vullnetin e çetnikve me veprat e tyne barbare. Në ç’do skaj shifen kufoma, të plagosun e të mërdhimë që i kanë drejtue sytë kah qielli në shenj lutjeje. Na shpëto o Zot nga barbarizma sllave.

Dokumenmti i VII-të
Disa pika të veçanta mbi ngjarjen e Bihorit
1.- Ngjarja e tmerrshme e Bihorit i ka kallun në dishprim të gjithë banorët shqiptarë të zonës neutrale dhe ka ba nji përshtypje të thellë ndër krahinat shqiptare t’afërme, këtij kufini. Ndjenja e tyne ma e dukshme asht përshtypja që gjinden të pambrojtur kundrejt armiqve të fisit shqiptar. Shumkush mendon se, si Qeverija shqiptare ashtu dhe Qeverija italiane nuk i kushtojnë rëndësinë qi meriton së mbrojtjes t’atyne viseve, ose nuk e kanë fuqin që nevojitet për këtë qëllim. Sido që të merret, kjo ndjenjë shkakton nji pakësim të fortë të prestizhit të Qeveris në sy të popullit.
2. Popullsija e Zonës neutrale, në thjeshtësinë e mendimeve të veta, gjithë fajin e prishjes dhe të kërdis q’u ba në Bihor, i-a ngarkon autoriteteve shqiptare, si dhe autoriteteve ushtarake italiane të Malitzi, për moskujdesjen e tyne. Ajo gjykon kështu “Në mos ishte e mujtun të bashkohemi me Shqipni, përse nuk na lanë me Malin e Zi? T’u pranue provizorisht forma e veçantë e Zonës neutrale, përse nuk u vendosën masat e nevojshme për mbrojtjen e saj? Në mos mund të sigurohej kjo mbrojtje me fuqi zyrtare, përse nuk u sigurue me anë të popullit tue i dhanë armët që ka kërkue dhe i janë premtue ma herë? Në mos mund të bahej edhe kjo, përse të mos na thuhet qartas që t’i bajmë çajre vetes s’onë?…
3.- Çetnikët që prishën katundet e Bihorit dhe masakruen banorët ishin veshun disa me petka ushtarake italiane dhe mbajshin të gjitha shenjat dalluese të çetnikëve që gjoja janë në bashkëpunim me autoritetet ushtarake italiane. Me këto fjalë nuk duam të themi kurrsesi se mund të ketë ndonjë lidhje midis bandave italiane dhe veprimeve kriminale të çetnikëve kundër popullsisë shqiptare. Duem vetëm të theksojmë se çetnikët, tue ditun të përfitojnë nga përkrahja e autoriteteve italiane – me armë, ushqim e rrogë – dhe tue mos qenë nën kontrollin e plotë të tyne, kanë fitue shumë kuxim në lëvizjet qi bëjnë dhe veprojnë shpesh herë si u leverdis, sikurse u provue me ngjarjen e Bihorit, tue e shpërdorur besimin q’u asht dhanë.
4.- Çetnikët masakrues kanë qenë ata që ndodhen nën komandë të Vojvodës Pavle Gjurishiqit. Ky e ka qendrën në Beranë dhe gëzon mjaft autoritet ndaj kuadrave italiane të qarkut. Nga fakte të përshkrueme në relacionin përkatës, provohet se ky Vojvodë asht fajtori kryesor për ngjarjet e tmerrshme të Bihorit dhe këtë e din gjith populli. Prandaj duhet të kërkohet ndëshkimi i tij dhe i shokëve të tij për masakrimin dhe mjerimin e tmershëm që shkaktuen. Vetëm nji ndëshkim shembulluer i këtyne mundët të bjerë pakë qetësi ndër shpirtrat e dishprueme të popullit shqiptar t’atyne viseve. Mos-ndëshkimi ka me u a thye krejt zemërën e kurimin e shqiptarëve dhe m’anë tjetër, ka me qenë nji inkurajim për çetat e Gjurishiçit për t’a vazhdue ndër krahinat e tjera shqiptare veprën që filluan në Bihor, për shfarosjen e fisit t’anë ndër ato vise, sikurse e ka shpallun Drazha Mihajlloviçi. Nuk duhet harrue se Pavle Gjurishiçi asht major n’organizatën e Mihajloviçit. Komandanti italian dhe bindja e shqiptarëve
5.-Tragjedija e Bihorit ndodhi në ditët 5 e 6 të Kallnorit. Në ditën “Koloneli i ushtrisë së Bjelopoles kishte shkue për ziaret ke Osman Pastoderi në katundin Getmicë dhe u kthye po atë ditë në Bjelopole. Osmanit nuk i zuni në gojë kurgja mbi lëvizjet e çetnikëve, domethënë se vet nuk dinte gja mbi çka ata përgatitnin. Në ditën 4, u duk në katundin Gubavaç në breg të Limit, një çetë 500 vetësh, e cila e kaloi Limin përkëtej, tue marrë drejtimin e Koritës. Fshati i alarmuem, i çoi menjëherë haber Komandantit në Bjelopolë dhe ky çoi një tog ushtarësh në Gubavac. Ushtarët e prijsi i tyne paskan dashun t’a qetësojnë popullin tue thanë se “këta janë njerëzit t’anë, pra nuk duhet çitun pushkë kundër tyne”. Por, kompania a togu ushtarësh nuk qëndroi në katund, por u kthye mbrapa ditës në Bjelople dhe nuk dihet nëse mori kontakt me çetnikët në katund. Relatohet (konstatohet –I. A.) fakti i pabesueshëm, se disa nga ata ushtarë, në të kthyem, paskan grabit të gjith qilimat e xhamis së katundit. Duket se fjalët e ushtarëve nuk e qetësuen popullatën. Kështu, gratë, vajzat, pleqt dhe fëmijs u ranë pas ushtarve dhe shkuan në qytet. Në katundin Gubavec mbetën vetëm burrat. Më vonë, po n’atë ditë dhe gjithë natën, çeta të tjera paskan kalue lumin në Velevac. Ora në dy të mëngjesit, të ditës 5 Kallnuer, paskan krisë tre bomba. Kjo krisje paska qenë shenja e fillimit të prishjes e të kërdisë ndër të gjitha katundet ku çetnikët shpërnda dhe afrue gjatë natës. Mitralozat dhe pushkët hynë në veprim me njiherë. Çetnikët i kishin organizue pritat në mënyrë që kush të dali prej shtëpije, të bjerë nën plumbat e armëve të zjarit. Për gra dhe fëmij ata përdorën ma fort thikat e shpatat.
6.- Komanda ushtarake e Cetinjës, si duket, nuk u ka dhënë edhe kaq rëndësi këtyne ngjarjeve. Kryeparë, flitet në popull, pse nuk mori ndonjë masë të dukëshme kundër fajtorëve; nuk dërgoi menjëherë në vendin e ngjarjes ndonjë forcë ushtarake a të karabinierëve që të ndjekin fajtorët, të ndalojnë grabitjet nga ana e malaziasve dhe të hetojnë shkaqet. Pas dy a tre ditë, Komanda në fjalë paska lajmrue autoriteteve në Tiranë “se nuk ka kurrgja”, dhe Legatës Italiane në Belgrad – sepse kjo paska pyetun e ftueme prej “Lidhjes Popullore” të Mitrovicës (Organizatë Shqiptare e cila u themelua nga Ali Ferat Draga menjëherë pas kapitullimit të Mbretërisë jugosllave, e cila angazhohej që Mitrovica dhe viset tjera shqiptare nën pushtimin serb, ti bashkëngjiten Shqipërisë – I. A.) – i thotë me 9. I. “mbretnon qetësi e plotë ndër ato vise”. Kurse edhe një javë mbas kësaj date, thuhet në popull, këmbë shqiptari nuk guxonte të shkeli prap në katundin e vet të shkatruem, se pritej me pushkë nga malaziasit q’ishin turrun të grabisin çka kishte mbetë.
7.- Popullsija shqiptare e Zonës Neutrale ka vue re me shumë keqardhje se ka oficera t’Ushtrisë italiane, si Koloneli i Baranës dhe sy që asht në Rozhaj, qi nuk tregojnë për popullin shqiptar në kuptim të gjanë, as ndonjë simpatie, as edhe frymë drejtësije. Nji katundari të dishpruem q’i tregoji njanit prej këtyne nji fëmijë të vogël të therrun prej çetnikëve, si e dëboi tue i u kërcnue me revole në dorë. Popullsija shqiptare, për kundra, në çdo rast ka tregue simpati, mirpritje, bashkëpunim dhe mirënjohje të dukëshme ndaj ushtarëve italian.
8.- Asht për t’u habitun se shpesh herë, zyrat ushtarake italiane, kur flasin a shkruajnë për popullsin e Zonës neutrale, nuk përdorin fjalën “shqiptar”, por gjithmonë thonë “mysliman” simbas zakonit serb e malazias.
9.- Ka ba shumë përshtypje të keqe në popull fakti se, kur u hap lajmi i veprës mizore të çetnikëve, një grumbull burrash shqiptar të Pejës e Rozhajt u bënë gati të shkojnë në ndihmë të vëllaznëve të tyne. Ata, gjithmonë të bindun e t’urtë ndaj autoriteteve, i kërkuan leje Komandantit italian që të hyjnë në zonën neutrale, Komandanti nuk u dha leje dhe ata u bindën. Komandanti bani ndofta detyrën e tij, se nuk ishte i autorizuem me e dhanë lejen dhe prandaj nuk e dha. Në këtë, ay, pa dyshim, u ka ba nji shërbim të madh malaziasve, pa dashun. Por e keqja qendron këtu çetat shqiptare edhe kur asht fjala për mprojtje jo për mësymje, kërkojnë leje, nuk u epet, binden e tërhiqen. Por çetnikët e Gjurishiçit nuk kërkojnë leje, sigurisht, për të djegun katunde shqiptare dhe për t’i masakrue banorët, domethënë se punojnë mbas qejfit të vet. Përfundimi asht se në Zonën neutrale malaziasit janë më të mprojtun se shqiptarët. Në mos u epet shqiptarve mundësija të mprohen vetë, le t’i mprojnë ata qi e kanë për detyrë. (fund)

Filed Under: Histori Tagged With: Ismet Azizi, kryen gjenocid, ndaj 9200, të pafajshmëve

Tutini i Sanxhakut është vendstrehimi i Mbretëreshës Teutë?

February 22, 2015 by dgreca

A do të ndriçohet historia deri më tani e fshehur e Sanxhakut dhe a do të argumentohet se rrënjët e këtij populli nuk janë aq të cekëta siç janë paraqitur deri më tani? Falsifikatorët e historisë së Sanxhakut me dekada të tëra kanë falsifikuar dhe i kanë fshehur faktet historike. Megjithatë, historia për këtë rajon dhe njerëzit do të ndriçohet nëpërmjet të punimeve të hulumtuesve siç janë: Alia Xhogoviqi, Ibrahim Pashiqi dhe Sulejman Aliqkoviqi./
Nga Ismet Azizi/
Dëshmitë të panumërta për shtrirjen e fiseve ilire në Sanxhakun e sotshëm na bëjnë të kuptojmë se jo rastësisht Sanxhaku gjatë gjithë historisë ka qenë i banuar nga ilirët e mandej në vazhdimësi nga shqiptarët. Në fshatin Pruzhanj në Rrafshnaltën e Peshterit, në Sanxhak, arkeologët kanë zbuluar prushin (nga edhe e ka marrë emrin ky vendbanim) e trupave të vdekurve të djegur, i cilit datojnë mijëra vjet para Krishtit, që me siguri u përkasin ilirëve. Ky fakt dëshmon për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të kësaj popullate .
T’i kthehemi onomastikës dhe historisë të cilat disa historianë të caktuara nuk i kanë shfrytëzuar në punimet e tyre. Nga të parët që janë bazuar në të dhënat e onomastikës dhe historisë janë Alia Xhogoviqi dhe Ibrahim Pashiqi. Xhogoviqi dhe Passhiqi tregojnë se si t’i qasemi materialeve onomastike, si t’i regjistrojmë ato gjatë punës në terren dhe se si të jemi të guximshëm në marrjen e konkluzioneve gjuhësore në mënyrë që të arrijmë rezultate të mira, shkruan etnologu nga Tutini, Sulejman Aliqkoviqi.
T’i kthehem hulumtimeve të Sulejman Aliqkoviqit të bëra në rrethinën e Tutinit. Sipas tij në këtë territor janë ruajtur toponimet e shumta me origjinë ilire, si dhe të kulteve të sistemit mitik ilir: për shembull ato nga kulti i diellit, mitrizmit, nga disa kulte kozmike. Përmbajtja onomastike e këtij toponimi jep të dhëna të besueshme se në relievin alpin të kësaj treve ka jetuar një popull i cili ka kultivuar kultin e Mitrës, pra në radhë të parë kultin e diellit, dhe në këtë rast edhe kultin e hapësirës kozmike. Dëshmi për kultin e Mitrës në Dardaninë antike kemi të konsiderueshme.

Sipas Aliqkoviqit në rrethinën e Tutinit gjithashtu gjejmë vende interesante si: Gradina – afër Tutinit, ku janë gjetur mbetjet e një qyteti të vjetër. Gjithashtu Bander i cili na asocon me zotin ilir Bando. Velepole (nga greq. Velepo = pamje, pikëpamja.), Biohane, Jelicë, Dedilovë – fshatrave në komunën e Tutin, pastaj emrat e shumë orononimeve (maleve, kodrave) dhe emër vendeve në Peshter. Aliqkoviqi habitet me falsifikimet e tipit si në rastin e vendbanimit Sjenica, kinse e ka marrë emrin nga fjala sena (sana) e cila, sipas tij, është jo vetëm një falsifikim laik por synim perfid me aspirata politike dhe të përfitimit me qëllime nacionaliste. Një absurd onomastik është se emri i vendit Misa kinse është krijuar nga Stefan Nemanja kur ia kishte përkëdhelur flokët vogëlushit Rastka, duke i thënë “Muskuli im” ( Misicu moj). Këto falsifikime paralajmërojnë historianët e sotëm, arkeologë, etnologë dhe gjuhëtarë që nën llupë t’iu qasen studimeve të reja në rajonin e Sanxhakut dhe më gjerë.
Në popull ekziston një besim që Tutin është emëruar sipas onomatopesë së gjëmimit të kuajve. Kinse Husein Gradashqeviq kishte “hipur” në Peshter duke shkuar drejt Tutinit, për të vazhduar për Kosovë, është dëgjuar gjëmimi i kuajve të kalorësve të tij aq larg sa që ka arrit deri te lugina e Ibrit.
Sigurisht se rajoni Tutin dhe rrethina, që është gjeografikisht i përshtatshëm për strehim, mund të jetë argument sigurt se ka qenë vendqëndrimi i Mbretëreshës Teutë. Mandej, mbretëresha Teutë, mund të jetë varrosur fshehurazi diku në këto troje (siç ka qenë rasti edhe me varrimin e fshehtë të Atil-ës, – që është e zakonshme te disa popuj të lashtë dhe të disa qytetërimeve ). Arkeologëve iu mbetet për të hulumtuar këto lokalitete dhe literaturën e mundshme.
Etnologu Sulejman Aliqkoviq shpreson që supozimi i tij, se ky vend ka qenë vendqëndrim i mbretëreshës ilire Teuta, të argumentohet në tëardhmen. Në lidhje me emërtimet ai k adeklaruar se nuk është e pamundur që disa kujtime të tjera si Baton, bir i Mbretëreshës Teuta t’i hasim në disa toponime në territorin e Sanxhakut dhe më gjerë si: Batinci (pranë Shkupit), Batusha ( fshat afër Gjakovës) Batrage (fshat pranë Tutin), Batun (mbi fshatin Ribariq në rrugën për në Novi Pazar), Batnjik, Batinci (në Vushtrri), Batoçina, Batajnicë. “Mendoj se boshnjakët duhet të fillojnë të merren me studimin e kulturës, historisë së tyre dhe nuk guxojnë të ndahen nga kultura evropiane. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në trashëgiminë e të gjithë popujve dhe kulturave evropiane”, thotë etnologu Sulejman Aliqkoviq.

Rrafshnalta e Peshterit, (njihet edhe si vetëm Peshter), është rrafshnaltë karstike me një lartësi mbidetare prej 1250 m në veriperëndim të Kosovës, gjegjësisht në veriun e trojeve shqiptare. Rrafshnalta e Peshterit është e pasur me kullosa kurse popullsia kryesisht merret me blegtori. Janë të njohura prodhimet e qumështit, sidomos djathi i Sjenicës, si dhe të mishit të terur. Në kuadër të Rrafshnaltës së Peshterit është edhe Fusha e Peshterit (lartësia mbidetare e së cilës është 1150 m), me një sipërfaqe prej 65 kilometra katrorë.
Popullsinë e Peshterrit, në lashtësi e banuar nga Dardanët, e përbëjnë kryesisht boshnjakët që janë pasardhës të shqiptarëve, por shumica prej tyre jozrtarisht deklarohen shqiptarë. Emri Peshter rrjedh nga fjala shqipe peshë – rëndë, ter – thatësi, tersi, tersi e rëndë.
Lugina e lumit Rashka me rrethinën e vet, e cila i takon komunës së Pazarit të Ri, paraqet njërën ndër hapësirat më interesante ballkanike për shkencën e historisë së mesjetës. Procesi i kolonizimit të sllavëve në këtë hapësirë nuk është hulumtuar sa duhet nga historianët tanë. Kolonizimi është bërë në etapa. Por, kolonozimi kryesor është bërë përgjatë luginave të lumenjve. Në fillim të shek. të VII-të sllavët depërtuan në këto vise, pasi që sundimi i Bizantit gati nuk ekzistonte.
Para ardhjes së sllavëve këto vise kanë qenë të populluara nga ilirët për çka flasin hulumtimet e shumta arkelogjike: Në Pazarin e Ri në vendin e tanishëm të kombinatit të Tekstilit “Rashka” si dhe të mbeturat nga ari dhe qelibari të gjetura para shumë viteve te Kisha e Petrovës. Kjo e fundit na jep njohuri për mundësinë e ekzistimit të një lidhjeje të fiseve ilire, selia e secilës ka qenë në vendin e kishës së përmendur.
Toponimet e shumta në këto vise ruajnë kujtimet për ilirët. Emrat: Ras, Ibër, Peshter, Bishevë,Vapa, Lim etj. janë me prejardhje nga gjuha shqipe (ras-rrasë, lim-Lumi; Ibër- i bardhë; Vapë – vapa,-ë; Peshter: Pesh- peshë; ter- terr (terësi), ter – thatësi).
Kur serbët u vendosën në luginën e lumit Rashka, e detyruan popullsinë vendase të tërhiqen në male dhe ua morën tokat. Natyrisht, vendasit nuk janë tërhequr të gjithë po një numër i tyre kanë mbetur në viset malore përreth duke vazhduar të merren me blegtori. Në vazhdimësi ata jetuan në këto vise dhe kjo gjë na bënë me dije edhe për prezencën e tyre të sotshme në këto vise.
Ndërsa, për ekzistencën e Stari Rasit serb, gjegjësisht për Arsën, qytetin e vjetër të mbretërisë ilire, Myftiu i Madh i Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukorliq, në një konferencë, kishte deklaruar: “Ne boshnjakët jemi me prejardhje ilire. Dhe ajo kalaja mbi Novi Pazar, për të cilat ata (serbët) pretendojnë se ishte selia dhe djepi i shtetit serb, në fakt është Arsa, kryeqyteti i vjetër i ilir dhe nuk ka asnjë lidhje të vetme me Ras-in dhe me shtetit e vjetër serb Rashka.

Filed Under: Histori Tagged With: i Sanxhakut është, Ismet Azizi, Mbretëreshës Teutë?, Tutini, vendstrehimi i

Masakra e Biohorit në Natën e Bozhiqëve të 43-tës (pjesa e III-të)

February 18, 2015 by dgreca

“Në Rozhajë, pas veprimeve gjakatare mbas veprës gjakësore e çnjerëzore në zonë neutrale, janë grumbullue afro 5.000 frymë refugjatësh janë shtrëngue të ikin nga tokat e tyne dhe të shpëtojnë shpirtin lakuriq nëpër akull, borë dhe furtunë tue ikë nëpër bjeshkë, për shkak të cilës gjë burra gra e sidomos fëmijë janë fare lakuriq ose veshun me rroba rrecka rrecka. Ndër ta ka shumë të plagosun. Deri tash s’janë hetue sëmundje infektive, por të sëmurit e ngrirë nëpër artikulacione me zgjebe, me bronhit dhe me të tjera sëmundje lëkure ka shumë. Të gjithë refugjatët janë me morra dhe qëndron rreziku i ç’faqjes së tifos axantematicus, dhe shtoj se në disa prej katundarëve të djegum sështë çfaqë tifoja në fjalë. Mbas kësaj Zone rreziku i kërcënohet popullatës Shqiptare Petnicë, Peshter, Senicë, Suidoll e Delimegjë, në qoftë se Qeverija Shqiptare nuk do u vijë në ndihmë, sigurisht edhe këta kanë me pësue atë që pësuan vllaznit e Bihorit dhe nuk asht çudi që këtë më vonë të pësojë dhe Kosova”, janë vetëm disa detale nga raportet e komisionit të cilat i kanë arritur në janar të viti 1943, Drejtorisë së përgjithshme të Kryqit të Kuq dhe Shkëlqesisë Ekrem bej Libohova, Kryetar i Këshillit të Ministrave në Tiranë./
Shkruan: Ismet Azizi/
Në vazhdim po ofrojmë vazdhimin nga pika e 9-të e dokumentit të dytë të gjetura në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në fondin arkivor të viti 1943 (janar – korrik), gjendet dosja nr. 5, me 57 fletë. Ekzistojnë disa dokumente origjinale, dërguar kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë Ekrem Bej Libohovës, nga Komisioni i zgjedhur enkas për konstatimin e gjendjes faktike, të cilat në mënyrë të pakontestueshme dëshmojnë krimin dhe gjenocidin serbo-malazias ndaj banorëve shqiptarë të zonës së Bihorit. Dokumentet në fjalë po vazhdojmë t‘i paraqesim në formë origjinale.
( Në vazhdim po japim nga pika 9 e dokumentit të Dytë në formë origjinale. I . A)
9.- Duhet theksuar se zgjidhja e plotë e çashtjes qëndron vetëm në rivendosjen e banorëve nëpër shtëpijat e vet. Por këto u dogjën e u shkatruan, sikundër edhe e gjithë pasunija e tyne e lujtëshme .Prandaj duhet mendua dhe vendosun mënyrat se qysh këta njerëz mundin të rivendosen nëpër plangjet e veta e t’a rifillojnë jetën e parë. Duhet theksue gjithashtu se n’atë vend nuk ka aspak siguri. Me kot thënkan autoritetet e Cetinës se mbretnon qetësija. Mbasi ikën çetnikët, si me thanë “zyrtarë”, u sulen (vërsulën –I . A)për grabitje banorë e bashibozuk të tjerë nëpër të gjitha katundet e prishuna. Këta janë t’armatosun thuhet se kanë edhe mitraloza. Asht fakt se banorët shqiptarë qi kanë dashun të kthehen në shtëpi të vet, si dhe ata qi kanë shkue për t’i varrue të vramit e të therunit, janë pritë me pushka dhe disa prej tyne kanë mbetë të vramë.
10.- Tue marrë parasysh se çka ndodhi në Bihor, si duket, vetëm fillimi i një prodroni kundër popullsis shqiptare, dhe ma për së shpejti ka me u ardhur siraja (radha – I.A.) krahinave të tjera, asht e domosdoshme dhe e ngutshme të mendohet dhe të zbatohen qysh tash masa të dobishme e të forta për t’a sigurue e për t’a shpëtue popullsin shqiptare të zonës neutrale. Shumë masa të përshtatshme mund të gjenden, por kryepari vijnë në mendje këto: a) Armatimi i popullsis shqiptare; b) Garantimi i kufinit të zonës neutrale me Malinezi nga ana e ushtris italiane të Malitzi; c) Organizimi i përshtatshëm i vullnetarëve shqiptarë të vendit; d) Vendosja në zonë ose aty pranë i autoriteteve eprore të Zonës. Këto masa mund të zbatohen sikundër tregohet ma poshtë:
11. Për t’a zbatue rifillimin e armatimit, duhet marrun ngutshëm masat që vijojnë:
a) Në popullin e Sienicës i aftë për të mbajtun armë, duhen dërguar së paku 6.000 pushka me municione të mjaftueshme dhe 3.000 pushka të tjara për Tutin e Rozhajë. Në këtë hesap nuk përfshihen nevoja për Plavë e Gusinë dhe që kapin 2.000 pushkë të tjera;
b) Do t’ishte gja e domosdoshme që, përveç pushkëve, të vihen në dispozitë të popullit shqiptar të Zonës neutrale një sasi mitralozash, të mëdha e të vogla. Për përdorimin e tyne ka mjaft njerëz të stërvitun.
c) Nënkuptohet se këto armë nuk do të ndahen të gjitha në popull, por vetëm një pjesë e vogël, ndër ata burra të njoftun e të besueshëm, që do të përbajnë si me thanë “Rojen Civile të Vendit”. Parija e çdo vendi mund të bahet dorëzanëse për njerëzit që do të marrin armët në dorëzim;
d) Sa për pjesën e madhe e këtyre armëve, dhe sidomos të municioneve, ato kanë me u vendue ndër depo të posaçme, të zgjedhuna simbas situatës së vendit dhe me të gjitha sigurimet që kërkon mirmbajtja dhe ruajtja e këtyne depove;
e) Shpërndarja e armëve nga depot e paramendume, do të bahet vetëm në rast reziku, domethënë kur të vërtetohen sheja të dukshme nga ana e çetnikëve për të mësye katundet e zonave në fjalë.
12. Që shpërndarja e armëve, në raste të tilla, të bahet e rregulltë dhe me të gjitha garancinat e duhuna, nevojitet nji organizim paraprak ndër çeta vullnetarësh, të mëdhaja e të vogla, simbas nevojave të vendeve të ndryshme. Këto çeta do të kenë në krye të tyne njerëz të njoftun që do të mundin me garantue për vullnetarët qi ata kanë me pasë nën urdhën të vet. Ky organizim mund të kryhet mirëfilli tue shënue, së pakut, tre oficera të stërvitun e t’aftë, si organizues të vullnetarëve ndër zonat e përmenduna, dome thanë nji në Senicë, nji në Rozhaj e nji në Plavë e Gusinë.
13. Duhet pohue për, se sa vullnetarët, sa armët që do të kenë ata, nuk do të mjaftojnë për mbrojtjen e vendit, kur ky të mësyhet nga çeta të mëdhaja, me armatim e organizim të përsosun, si ata të Pavle Gjurishiqit që kanë ba kërdin në Bihor dhe që përbahen nga mija shpirta. Prandaj zonave neutrale të përmenduna, u duhet me doemos një vërejtje e posaçme nga ana e fuqive t’armatosuna italiane të Malitzi. Ato duhet t’organizojnë një rjetë postësh për t’a vërejtun lëvizjen e çetave të mëdhaja e, në rast nevoje, për me ndalue të msymit e tyne, ose për ta ndihmue përpjekjet e vullnetarëve shqiptarë.
14. Për të pasun populli shqiptar nji provë të dukëshme interesimi t’autoriteteve eprore italiane e shqiptare, do t’ishte mirë që Komisari i Naltë, Shkëlqesa Umilta, sidhe një nëpunës shqiptar me autoritet, t’a vendosin qendrën e veprimtaris së tyne në Senicë, ose aty pranë.
15. Populli shqiptar i zonës neutrale e kupton me zor situatën e sotme, që sy duhet të vazhdojë me ndejtun i ndamë prej Shtetit shqiptar. Dëshira e tij ma e flaktë dhe shpëtimi i tij i sigurtë do t’ishte aneksimi i menjëhershëm. Ay e din boll mirë dhe nuk dyshon se ky përfundim dëshirohet prej Qeverisë shqiptare dhe gjen përkrahje pranë Qeverisë italiane, si edhe se ky bashkim do të kryhet në çastin e volitshëm. Por, për t’i dhënë atij fuçinë shpirtërore dhe durimin me prit, duhet qi, interesimi i Qeveris dhe përkrahja e Qeveris italiane të marrin një formë të gjallë, për t’a rivendosun atë popull të mjeruam ndjenjën e sigurisë dhe për t’a forcuen shpresën e tij. Masat q’u përmenden ma nalt, dhe të tjerat që Qeverija Mbretnore nund t’i gjejë vetë, duhen zbatue ngutësisht e në mënyrë sa ma të dukëshme, që populli t’a rifitojë besimin në mbrojtjen e saktë të Qeverisë shqiptare dhe që, n’anën tjetër, të mund të mënjanohen ato të këqija për ahmarrje e të tjera që mund të lindin nga dishprimi i popullit.
16. Autoritetet shqiptare të njanës anë dhe ato italiane n’anën tjetër duhet të kenë besim te mendarija (te të mençurit –I. A.) e popullsis shqiptare. Ajo e kupton vleftën e urtësis dhe të durimit në këto çaste. Pra, jo vetëm se nuk kërkon të nxjerë ngatrime, por do të mundohet të gjith krenat e saj të ndalohen e të prevenojnë çdo akt e vendim të papëlqyeshëm.
I bashkohen këtij relacioni nji sasi dokumenta – radhoj e qartësisë fiktive të cilat epen hollësinat dhe provohen çka u tha ma nalt mbi mizerinat e kryme prej Malazezve ndër katundet e Bihorit. Tiranë, me 30 Kallnuer 1943-XXI.

Dokumenti i III -të
Drejtoris së përgjithshme të Kryqit të Kuq
Me anë të ngarkuesit t’onë zotni Emrush Myftarit po ju dërgojmë nji kuti me raportin mjekues ku gjinden të mbylluna nji pjesë të masakrimevet që kanë bërë çetnikët Malazez kundra popullatës Shqiptare të Bihorit që gjinden gjatë bregut të lumit, në anë të këtyne dokumenteve mundë të marrë vesh gjithë bota mbarë se këto janë veprimet e shekullit 20 që kanë adaptue çetnikët Malazez kundra nji zone thjesht Shqiptare dhe që në dejt e banorve të tyne vlon gjaku Shqiptar. Këta vllazën masakrue nga anmiku pse pakë në numër në proporcion me ata të anmikut që i ka sulmuar dhe pa mjete luftarake. Këta vllazën me gjith se janë Shqiptarë fatkeqësisht kanë ngelë provizorisht jashtë vijës së demarkasjonit si zonë neutrale dhe me gjith kërkesat e tyne qi t’i lidhen nënës Shqipni, fatkeqësisht dëshira e tyne nuk mbriti të realizohesh deri sa anmiku i zhduki nji herë e përgjithmonë. Mbas kësaj Zone rreziku i kërcënohet popullatës Shqiptare Petnicë, Peshter, Senicë, Suidoll e Delimegjë, në qoftë se Qeverija Shqiptare nuk do u vijë në ndihmë, sigurisht edhe këta kanë me pësue atë që pësuan vllaznit e Bihorit dhe nuk asht çudi që këtë më vonë të pësojë dhe Kosova. Rrozhajë, me 23-I-1943

Dokumenti i IV-të
1.- Kokë djali rreth 13- 15 vjeç e preme me anë të nji arme të bardhë (shpatë- thikë)dhe këtë me nji të sjellme nga e cila shihet se anët e plagës janë krejtësisht të rrafshëta, kështu qi skajet e ashtit të nofullës të poshtme janë krejt të rrafshëta.
2.- Kokë gruje rreth 22-26 vjetshe e preme me anë të nji arme të bardhë e cila shihet në skajet e plagës janë krejt të rrafshëta. Flokët e kokës djegun dhe lëkura karbonizua, nga e cila shihet se koka i është premun grues së gjallë dhe masandej hjedhun në zjarë.
3.- Shuplakë djaloçi rreth 10 vjetësh e preme me nji të sjellme me nji armë të bardhë nga e cila shihet se skajet e plagës në asht (koc) e mish janë të rrafshëta.
4.- Këmba e burrit të pjekun, e preme me armë prefëse me nji të sjellme si kur duket nga skajet e rrafshëta të plagës në asht e mish.
5.- Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se dora e fatkeqit ka qenë premun për së gjalli dhe masandej hjedhun në zjarr. Dora ësht e nji djali.
6.- Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se asht premun për së gjalli të viktimës dhe masandej hjedhun në zjarë. Dora i ka përkitun nji persone të rritun.
7.- Dora e majtë e preme pak nën bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se ka qenë e preme për së gjalli të viktimës dhe masandej hjedhun në zjarë. Dora ka qenë e nji persone të rritun.
8.- Veshi i djathtë dhe i majtë të njeriut pjekun. Tu dy veshtë kanë qenë të premë në nji të sjellme e me anë të nji arme prefse, nga duken skajet e së premes plotësisht të rrafshëta. Të dy veshët janë të preme më parë.
9.- Veshi i djathtë i premë në bazë të nji të sjellme e me anë të nji arme të preftë, nga duken skajet e së premes plotësisht të rafshëta.
10.- Hundë me buzën e sipërme me gjithë mustakët të preme mbi kocin e hundës. Skajet e plagës janë të rrafshëta.
11.- Syni i djathtë dhe i majtë, të nxjerrun me kapak nga gropa e syvet. (Rozhajë, 23 I 1943)
Dokumenti i V-të
Kryesis Komitetit të Kryqit të Kuq Shqiptar
Në Rozhajë mbas veprës gjakësore e çnjerëzore në zonë neutrale, janë grumbullue afro 5.000 frymë refugjatësh janë shtrëngue të ikin nga tokat e tyne dhe të shpëtojnë shpirtin lakuriq nëpër akull, borë dhe furtunë tue ikë nëpër bjeshkë, për shkak të cilës gjë burra gra e sidomos fëmijë janë fare lakuriq ose veshun me rroba rrecka rrecka. Ndër ta ka shumë të plagosun. Deri tash s’janë hetue sëmundje efektive, por të sëmurit e ngrirë nëpër artikulacione me zgjebe, me bronshit dhe me të tjera sëmundje lëkure ka shumë. Të gjithë refugjatët janë me morra dhe qëndron rreziku i ç’faqjes së tifos axantematicus, dhe shtoj se në disa prej katundarëve të djegum sështë çfaqë tifoja në fjalë.
Nëpër disa gra e djelm asht dukun në disa raste avitaminoza dhe këtë “D” “B” C”. Ka fillue organizimi i banjës primitive dhe spitalit prej 15-20 shtretë. Prandaj i lutemi Kryesis Kryqit të Kuq Shqiptar, t’udhëzon dërgimin sa më të shpejtë të ndihmës në roba djemsh, grash dhe burrash, dhe po qe e e mundun dhe me rrobat për fëmijët në moshë të ndryshme, e për foshnjët e vogla në gji, pelena (shperra) gjithashtu të keni mirësinë me dërgue ndihmë të shpejtë në medikamente për të cilat ndihet nji mungesë e madhe sidomos në materialin mbështjellës dhe në specialitetet e vitaminave (C, A, B dhe D) me të cilat aspak s’disponohet në këto vise.
Lusim ma tepër t’urdhënoni dërgimin e nji mjekut, e në qoftë se Kryqi i Kuq Shqiptar nuk disponon nji mjek, të përpiqeni pranë Ministrisë përkatëse se të dërgojnë me urgjencë së paku nji mjek, dhe së fundit drejtohuni patriotizmës së mjekëve të Tiranës që të vijnë në ndihmë ndonji prej tyne si vullnetarë në këtë anë të masakrueme. Rozhajë, më 23-I-1943 Kandidat Medicine – Hasan Llukaqi.(vijon)

Filed Under: Histori Tagged With: (pjesa e III-të), e Biohorit, Ismet Azizi, Masakra, në Natën e Bozhiqëve të 43-tës

Aqif Blyta – 70 Vjet nga vrasja

January 20, 2015 by dgreca

Janari është muaji që na bënë ti hedhim një sy të kaluarës, për të parë nga erdhëm, ku jemi dhe kah po shkojmë, çfarë rruge kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Por, janari, gjithashtu, për ne shqiptarët është shumë i veçantë. Eshtë muaj i dhimbjeve dhe i krenarisë, poashtu edhe i vendimeve historike. Në shenjë të përkujtimit të shumë vdekjeve jo të natyrshme që i kryen armiqtë e kombit tonë, është pa mëdyshje edhe Aqif Blyta me bashkëpunëtorë, për të cilin do të orvatemi t’i shkruajmë disa rreshta në shenjë përkujtimi.
Nga Ismet Azizi/
Aqif Blyta është nipi i Haxhi Bulës, i cili 60 vjet më parë kishte shkuar në Pazarin e Ri që të merrej me tregti. Më vonë me vete kishte marrë edhe familjen. Në vitin 1894, djalit të tij të vogël, Eminit, i kishte lindë një djalë të cilin e pagëzoi me emrin Aqif.
Emini, babai i Aqifit, u kujdes qysh herët që i biri të vazhdojë mësimet në ndonjë shkollë, ngase shihte tek ai një lloj pjekurie e talenti të veçantë, një lloj ngazëllimi të madh përpara librave. Por, Pazarit të Ri gjatë viteve 1902-1903, i mungonin shkollat dhe sidomos ato shqipe. Është kjo arsyeja që Emin Blyta i jep disa mësime privatisht të birit duke e përgatitur për të vazhduar tutje shkollimin, larg shtëpisë. Aqifi dhjetëvjeçar u përball me një qytet të madh siç ishte Izmiri i Turqisë. Në Seneixhe të Izmirit ai vazhdoi shkollimin në Gjimnaz. I ngazëllyer me shqiptarët e shumtë që komandonin në ushtrinë turke, u regjistrua në shkollën ushtarake në Stamboll, mandej në Manastir, ku morri gradën nëntoger.
Në vitet 1915-1918, Aqif Blyta komandoi disa reparte të ushtrisë turke. Lufta e Parë Botërore do të sillte pështjellime të mëdha jo vetëm për Ballkanin por edhe për Evropën, andaj formacionet luftarake osmane do të përballeshin me situata e detyra të vështira taktike e strategjike. Aqifi, tashmë me gradën e kapedanit,do të udhëhiqte disa luftime të reparteve të tij duke u bërë shembull i trimërisë dhe pjekurisë në marrjen e vendimeve luftarake.
Pranvera e vitit 1919, solli ndryshime të mëdha në jetën e Aqif Blutës. I plagosur dy herë në luftë, i graduar dhe i propozuar për të marrë gradime të reja, Aqif Bluta e kupton se rruga e tij tani ishte vetëm ajo që po e çonte në Pazarin e Ri. Miqve të vet në prag të kthimit ju thotë ;
“Shkolla e burrnija s’na ka mungue askurrë na shqyptarvet të ardhun këtu në Stamboll. Por per mue,ajo çka i dhash Turqisë asht e mjaftueshme. Hije s’po me ka me mbush gjoksin me dekorata kur kufinin e Shqypnisë e kërcnon serbi e greku natë me natë. Po iki e po ju tham edhe ju që të hidhni dyfekët e turkut për me mbrojt votrat tona “.
Me tu kthyer në verën e viti 1919 te prindërit në Pazarin e Ri, menjëherë u martua me Mahijen të bijën e Halit Komanit nga Gjakova.
Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 i ndalohet veprimtaria. Duhet theksuar se që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë jo serb nuk kanë pasur parti të tyre politike.
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Jusuf Popllata nga Pazari i Ri, i cili më vonë qe shpërngulur në Turqi, ngjarjen e ekzekutimit e përshkruan në këtë menyrë:
“Në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të ekzekutohet Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medo Rozhajën. Trashësia e borës kishte arritur deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotshëm. Dikur aty ka qenë një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qene të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për të me zinxhir me duar mbrapa. U dha urdhri që të bëhet ekzekutimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha urdhrin që të kryhet ekzekutimi. U dëgjuan refalet dhe që të dyve iu lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën për të vërtetuar pulsin dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë dhe i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori hoqi pushkën automatike gjermane dhe e qëlloi në kokë Ahmet Dacën. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapët e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk dinim”.
Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momente të caktuara nga e kaluara me njeriun më të çmuar të kësaj treve. Përveç të moshuarve, edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.
Aqif Blyta dhe bashkshortja Mahijen nuk kanë lënë pasardhës. Megjithatë, ata birësuan dy fëmijë jetim që i sollën nga Gjakova, Qamilin dhe Mejremen. Përndryshe i vetmi pasardhës i gjallë ende është mbesa e tij nga motra.
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, poashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therrur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arrinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga rradhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës.

Filed Under: Histori Tagged With: - 70 Vjet, Aqif Blyta, Ismet Azizi, nga vrasja

Serbët i vret murtaja e bardhë, çdo vit për 35.000 më pak

January 14, 2015 by dgreca

Sipas të dhënave të fundit mbi popullsinë të Institutit Republikan të Statistikave, në Serbi në vitin 2013 kanë shkuar nga kjo botë 100,000 njerëz, ndërsa vetëm 65.540 foshnje janë lindur. Kjo do të thotë se shteti për çdo vit mbetet pa një qyteti të madhësisë së Kovinit, Pozhegës apo Nova Varoshit. Është tashmë e qartë se lajme të mira për një të ardhme të afërme nuk do të ketë. Të dhënat demografike për 2014, të cilat do të përpunohen dhe publikohen në fillim të këtij viti do ta dëshmojnë një gjë të tillë./
NGA ISMET AZIZI/
Ekspertët e statistikës kanë llogaritur se në fillim të viti 2014 në Serbi kanë jetuar saktësisht 7 146 759 njerëz. Kjo tashmë seriozisht ka lëkundë rezultatet e regjistrimit të cilat janë ende taze, të cilat tregojnë një shifër prej 7.2 milionë.
Në hartën e Republikës së Serbisë janë 1458 vendbanimeve në të cilat nuk është lindur asnjë fëmijë. Në dhjetë vitet e fundit kanë shkuar jashtë Serbisë për të jetuar dhe punuar 146,500 njerëz të arsimuar, të cilët kanë qenë në kulmin e pjekurisë riprodhuese, shkruan portali sandzakonline.
Masat e mëparshme të politikës popullative, të cilat me më shumë ose më pak entuziazëm zbatohen për më shumë se një dekadë nuk kanë dhënë pothuajse asnjë rezultat. Situata veçanërisht është alarmante sidomos në zonat rurale, ku vaji i foshnjës –është një mrekulli. Ekonomisti Mirosllav Zdravkoviq thotë se fshati është qelës për stabilitet demografik të Serbisë.
Lufta për natalitet, tashmë është e qartë, nuk do të jetë e lehtë edhe në qoftë se shteti del shpejt nga kriza ekonomike. Arsyet për rënien e numrit të fëmijëve janë të shumtë, dhe do të duhet bërë shumë përpjekje dhe agjitacion që situata të kthehet për të mirë.

Mosha mesatare e popullsisë
Viti Meshkuj Femra gjithsej
1953 28.4 29.9 29.4
1961 29.6 31.4 30.5
1971 31.5 33.3 32.4
1981 32.8 34.6 33.7
1991 33.9 36.0 34.9
2002 39.0 41.5 40.2
2005 39.3 41.8 40.6
2009 39.9 42.5 41.2

Si është zvogëluar numri i popullsisë
Viti Nr. i pop. kah mesi i vitit Të vdekur Të lindur
1999. 7.540.401 101.444 72.222
2000. 7.516.346 104.042 73.764
2001. 7.503.433 99.008 78.435
2002. 7.500.031 102.785 78.101
2003. 7.480.591 103.946 78.101
2004. 7.463.157 104.320 78.186
2005. 7.440.769 106.771 72.180
2006. 7.411.569 102.805 70.997
2007. 7.381.579 102.805 68.102
2008. 7.350.222 102.711 69.083
2009. 7.320.807 104.000 70.299
Burimi: Enti i Statistikave të Serbisë
Me këtë qëndrim të një numri të madh të ekspertëve të statistikës dhe të demografëve pajtohet edhe Jelena Zharoviq, sociologe dhe studiuese e trendëve demografike. Ajo vë në dukje se në politikën popullative ndikojnë një numër faktorësh të cilët janë të sferës së vlerave sociale.
– Përvojat e ndryshme nga bota tregojnë se stabiliteti ekonomik dhe standard i lartë i një vend nuk do të thotë domosdoshmërish që ndikon në rritjen e popullsisë – shpjegon Zharoviq.- Shembulli më i mirë është ai i vendeve skandinave dhe shteteve tjera evropiane, gjithashtu shënojnë rënie të popullsisë. Nxitja e lindshmërisë patjetër duhet të ndiqet edhe modeli i caktuar kulturor, i cili duhet të korrespondojë me kushtet në të cilat jetojmë. Vetëm me ndërtimin e saj mund të priten rezultate pozitive, përfundon sandzakonline.

Filed Under: Analiza Tagged With: çdo vit, Ismet Azizi, murtaja e bardhë, për 35.000 më pak, Serbët i vret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT