Me ftesë të Presidentit të Federatës për Paqe Universale, Thomas G. Walsh, ish- kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, mori pjesë në Samitin e Katërt Botëror për “Paqe, Siguri dhe Zhvillim Njerëzor“, i cili u mbajt në Seul të Koresë Jugore, nga 1 deri më 5 shkurt 2017, nën organizimin e Federatës së Paqes Universale.Me këtë rast, u mbajt edhe Kuvendi i parë Global i Shoqatës Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe.Konferenca punimet i zhvilloi në më shumë se tetë sesione, duke prekur një numër çështjesh me rëndësi për paqen, sigurinë dhe zhvillimin njerëzor. Prezantimet dhe diskutimet e pjesëmarrësve nga shumë vende të botës nxorën reflektimet duke u bazuar në përvojat e vendeve dhe rajoneve të tyre, së bashku me hapat e mundshëm të veprimit për ndërgjegjësim, vizion të ri dhe udhëheqje të guximshme për të zgjidhur çështjet kritike të kohë sonë.Në këtë konferencë, pjesëmarrës nga Kosova ishin edhe deputetët Visar Ymeri dhe Flora Brovina.
Nisma: Opozita mbron sovranitetin e cënuar të Kosovës
PRISHTINË, 23 Tetor 2015/ “Opozita është duke e mbrojtur sovranitetin e cënuar të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar kryeparlamentari kosovar i mandatit të kaluar, Jakup Krasniqi, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nisma-s, subjektit të tretë opozitar kosovar.
“Të gjitha marrëveshjet e bëra deri më tani me Serbinë janë të dëmshme”, ka vlerësuar ai.
“Marrëveshja me Serbinë, Zajednica (Bashkësia e komunave serbe), është sikur me vendos “mina” (bomba) nëpër Kosovë, që kur të dëshiron pastaj Serbia mund ta çajë Kosovën”, është shprehur kryetari i Nisma, Fatmir Limaj.
Këto deklarata drejtuesit e Nisma për Kosovën i bënë në një takim me strukturat e NISMA-s në Prishtinë, derisa opozita e bashkuar, ku bëjnë pjesë edhe LVV e AAK, në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka paralajmëruar edhe sot bllokim të seancës së Kuvendit të thirrur për pasdite./b.j/
ZGJIDHJA ËSHTË JASHTË KUVENDIT
Nga Jakup Krasniqi/
Nëse Bisedimet e Brukselit kanë qenë politike, nëse atje është folur për çështjet e brendshme të Kosovës, me një palë jashtë Kosovës, në rastin tonë me Serbinë, atëherë pjesë e bisedimeve është dashur të jetë domosdo edhe opozita në mënyrë që opinioni të ishte i informuar më kohë. Nuk ka asnjë dyshim, bisedimet e zhvilluara në mes qeverisë së Serbisë dhe të Kosovës me ndërmjetësimin e BE-së të zhvilluara në Bruksel, nuk kanë qenë të përgatitura, nuk kanë qenë transparente, nuk janë brenda Dokumentit te Presidentit Ahtisari, janë tepër të dëmshme për funksionimin e shtetit të Kosovës, krijojnë një Bashkësi etnike politike e cila është në kundërshtim flagrant me përmbajtjen dhe frymën e përfundimeve te Konferencës se Vjenës të përmbledhura në Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Politik të Kosovës. Të gjitha këto janë dëshmi se Kryeministri i Kosovës që i ka nënshkruar këto marrëveshje, ai ka qenë jashtë mandatit të tij kushtetues, mbase edhe politik. Pasi është jashtë mandatit të tij kushtetues, ai duhet ta dorëzoj mandatin për t’ju hapur udhë zgjedhjeve të parakohshme. Ndoshta ka pasur mundësi t’i ikej zgjedhjeve të parakohshme sikur të kishim Ligjin për Referendumin, ku qytetarët e Kosovës ta shprehnin mendimin e tyre për këto marrëveshje.
Ne një situatë të tillë, zgjidhja e problemit të krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjeve, duhet kërkuar jashtë Kuvendit, ne një marrëveshje të liderëve politik të pozitës e të opozitës, të cilët duhet ta gjejnë daljen nga ky ngërç politik. Zgjedhja ndoshta duhet kërkuar në krijimin e një qeverie teknike e cila në një periudhë prej gjashtë muajve duhet të krijonte një ambient të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të fshehta, të rregullta e demokratike. Zgjedhje të cilat duheshin ta garantonin në plotëni vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në kutitë e votimit. Ndërsa për marrëveshjet e arritura më 25 gusht 2015 duhet të shpallet një moratorium deri në krijimin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet e reja. Këto zgjedhje do të kishin dy funksione, përveç zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës do të ishin edhe një lloj Referendumi qytetarëve për marrëveshjet e arritura më 25 gusht 2015. Nëse qytetarët ua dhënë besimin, këtyre që i kanë nënshkruar këto marrëveshje të dëmshme për Kosovën, le ti vazhdojnë. Opozita e bashkuar, sigurisht që nuk do të luftoj kundër vullnetit të shumicës qytetare.
Është e qartë se nga ky ngërç apo nga kjo krizë politike nuk mund të dilet me kryeneçësi politike, por dalja duhet të gjendet në urtinë politike. Po kjo kërkon pjekurinë dhe vullnetin e partive të koalicionit qeverisës, pasi këto institucione që nga fillimi i kanë përcjellë dobësi të shumta, dobësi që po reflektojnë më të madhe edhe në formën e qeverisjes. Natyrisht që për ketë zgjidhje duhet të deklarohet dhe të ndihmojnë partnerët e perëndimit si SHBA-të e BE-ja, të cilët e kishin një rol edhe në krijimin e këtij koalicioni jo parimor. Ky koalicion qeverisës me urtësi politike duhet ta shkurtoj qeverisjen e keqe për ti dhënë udhë zgjedhjeve të parakohshme dhe përfundimin e kësaj krize.
Jakup Krasniqi:JAM GATI PER DOREHEQJE
Kryeparlamentari: Dorëhiqem nga posti i Kryetarit të Kuvendit, me kërkesë të PDK-së/
Nga B.Jashari/.-Pas themelit të subjektit politik Nisma për Kosovën, Kryesia e saj në mbledhjen e mbajtur sot, shqyrtoj pozitën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Sipas njoftimit të sapo dërguar, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasnqi në mbledhjen e parë të Kryesisë pas themelimit të saj u deklarua se është i gatshëm të jap dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.Kryesia e Nisma për Kosovën pas diskutimeve erdhi në përfundim se dorheqja e Kryetarit të Kuvendit në situatën në të cilën gjendet vendi, sidomos faktit që kemi hyrë në vitin zgjedhor nuk do t’i kontribonte stabilitetit institucional dhe politik në Kosovë.
Kryesia është e vetëdijshme që posti i Kryetarit të Kuvendit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës i takon partisë që ka dalë forca e parë politike, në këtë rast PDK-së, prandaj Kryetari i Këshillit Komëbtar të Nisma për Kosovën dhe Kryesia e saj janë plotësisht dakord që në rast se PDK parshtron një kërkese të tillë zyrtare, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është i gatshëm të dorëhiqet nga posti i Kryetarit të Kuvendit.
Dje, Këshilli themelues i Nisma për Kosovën zgjodhi Jakup Krasniqin kryetar të Këshillit Kombëtar dhe kryesinë.Kryesia e Nisma Për Kosovën zgjodhi Fatmir Limajn kryetar të Kryesisë të Nisma për Kosovën.Krasniqi dhe Limaj ishin pjesë e PDK-së.
JAKUP KRASNIQI, takim me Presidentin Nishani e kryeparlamentarin Meta
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në vendet respektive, për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësitë për avancimin e tyre cilësor dhe përmbajtësor, situatën dhe bashkëpunimin në rajon, përpjekjet diplomatike për mbështetjen e njohjeve të mëtejshme të Kosovës, të integrimit evropian dhe përfshirjes së saj në nismat rajonale dhe më gjerë.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Krasniqi u prit në një takim dhe nga homologu i tij shqiptar Ilir Meta, me të cilin diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar, proceseve respektive integruese dhe zhvillimeve të fundit në rajon.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, pasi bëri një vlerësim të veçantë për stadin strategjik ku kanë kaluar marrëdhëniet dypalëshe sot, rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj në avancimin e axhendës euro-atlantike të Republikës së Kosovës duke theksuar se institucionet dhe eksperienca shqiptare do të jenë gjithnjë një shërbim të shtetit të Kosovës, në funksion të forcimit të institucioneve demokratike në vend dhe rrugëtimit të saj evropian.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme vllazërore të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve tona.
Meta dhe Krasniqi ndanë bindjen në përfundim se intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet, i shërben forcimit të stabilitetit dhe paqes të të gjithë rajonit, dhe se të dy Parlamentet do t’a rrisin kontributin e tyre në këtë drejtim.