Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në vendet respektive, për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësitë për avancimin e tyre cilësor dhe përmbajtësor, situatën dhe bashkëpunimin në rajon, përpjekjet diplomatike për mbështetjen e njohjeve të mëtejshme të Kosovës, të integrimit evropian dhe përfshirjes së saj në nismat rajonale dhe më gjerë.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Krasniqi u prit në një takim dhe nga homologu i tij shqiptar Ilir Meta, me të cilin diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar, proceseve respektive integruese dhe zhvillimeve të fundit në rajon.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, pasi bëri një vlerësim të veçantë për stadin strategjik ku kanë kaluar marrëdhëniet dypalëshe sot, rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj në avancimin e axhendës euro-atlantike të Republikës së Kosovës duke theksuar se institucionet dhe eksperienca shqiptare do të jenë gjithnjë një shërbim të shtetit të Kosovës, në funksion të forcimit të institucioneve demokratike në vend dhe rrugëtimit të saj evropian.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme vllazërore të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve tona.
Meta dhe Krasniqi ndanë bindjen në përfundim se intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet, i shërben forcimit të stabilitetit dhe paqes të të gjithë rajonit, dhe se të dy Parlamentet do t’a rrisin kontributin e tyre në këtë drejtim.