Nga Rasim Bebo/ Çikago/
Gjatë dy dekadave të fundit, ne shqiptarët, kemi shkelur amanetin kryesor të Fan Nolit: “Ruhuni nga kisha greke, në qoftë se nuk doni t’u bëjë gjëmën”. Dhe prandaj na ka zënë mallkimi i tij. Qeveritarёt tanë ende nuk mbledhin mendjen, por vazhdojnë ti krehin mjekrën e Janullatosit me përkëdheli dhe atij i shtohet oreksi pafundësisht.
Janullatosit i duhet sqaruar, se fondacionet, si Onasis, Niarko, Lacis, Asarqi, Kokalis etj., janë fondacione të kolauduara mirë me institucionet e shtetit grek, të cilët kanë kontribuar gjithmonë në përhapjen e helenizimit. (kutia postare 7456).
Janillatosi është i vetëshpallur dhe qarkullon si një nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë, duke e dokumentuar këtë, jo vetëm në botimet kishtare, por duke e gdhendur veten edhe nëpër muret e kishave shqiptare, me pllaka të gurta, gjë e pangjarë kjo në të gjallë. Qarkullon me makinat e blinduara të kryepeshkopit, tok me luksin skandaloz, ku jetojnë e hijeshohen misionarët grekë në Shqipëri… Ky njeri është më i rrezikshëm nga sa e pandehim ne. (Foti Cici, 2006 “Ethet e Janullatosit”).
Prof. Dr. Eshref Ymeri e ka përcaktuar: “Shqipëria ka në krye një kastë tradhtarësh në pushtet dhe në opozitë… Janullatosi është guvernatori faktik në Shqipëri i shovinizmit grekokaragjoz”… Atij nuk i thotë askush ndal, kur do të ngrejë në piedestal armiqtë e Shqipërisë, si shenjtorë dhe heronj të grekut, në tokën Shqiptare.
Këto ditët e fundit është hapur fjala, për ngritjen prej tij, të një monumenti për peshkop Fotin në Korçë. Kur dihet historikisht se peshkop Foti, në bashkëpunim me peshkop Karavangjelin e Kosturit, vranë Papa Kristo Negovanin më 12 shkurt 1905, duke dërguar një bandë për ta masakruar në mes të fshatit bashkë me të vëllanë dhe tre bashkëfshatarë të tjerë. Papa Kristo ishte patrioti i kthyer në symbol të Atdheut, Kombit dhe Gjuhës së tij shqipe. Luftëtari Bajo Topulli, sipas të cilit: “Gjaku i Papa Kristo Negovanit, duhej të merrej me nder e për fitim të gjithë Kombit”. Dhe për këtë i derdhi plumbin peshkop Fotit.
Zhan Klod Faveirial thotë: “…Murgu Kozma, roli i të cilit ka qenë tepër rrënimtar për kombin shqiptar … ky ishte një agjent politik, i cili, duke shkuar nga fshati në fshat, nuk predikonte ungjillin, por kërcënonte me shkishërim nga Patriarkati grek, të gjithë shqiptarët që nuk flisnin vetëm greqisht. Më 24 gusht 1779 me urdhër të Kurt Pashë Beratit ai ekzekutohet, (Historia e Shqipërisë. Bot. 2004, f. 389).
Sot pas 235 vjetëve, Kur qeveria dhe Akademia e shkencave heshtin, Janullatosi kërkon të shpallë luftën e shenjtë për Vorio-Epirin nën flamurin e Shën Kozmait. Historianët e sotëm grek e quajnë atë “Flamurtarë i flakët i helenizmit”.
Kohën e fundit Janullatosi shoqëroi të ftuarin Vasili Gjokatas, prefekt i Thesprotisë, për të parë kishat e reja kushtuar Murgut Shën Kozma. Të dy personalitetet bënë lutje për shpirtin e Shën Kozmait në kishat e ndërtuara për nder të tij në Mursi, Aliko, Livadhja, Vrisera, Himarë, Çarçovë. Këto janë gurë themeli, për të shkruar historinë greke. (Gazeta “BOTA SOT” 12-12-2013). Ndërsa ish kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, e shpalli Janullatosin “Qytetar Nderi”. Mëso z. Edi Rama se, “armiku i vjeter mik nuk bëhet.” Kurse ju, Janullatos, duhet të dini mirë, se për Shqipërinë jeni i huaj dhe si i tille ua kaloni tërë helenistëve të parë, Kozmait dhe Fotit, etj. që luftonin kundra gjuhës dhe kombit shqiptar. Për këtë mision antishqiptar, këtu tek ky vend, ata gjetën vdekjen. Ju nuk e analizoni këtë ?… Kur ende mbani në fuqi “ligjin e luftës” si “vend armik” dhe shtetasit shqiptar si “armiq”, duhet ta merrni me mend edhe përfundimin tuaj.
Në debatin aktual, ndërmjet Sinodit të Shenjtë dhe ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosit, del në sipërfaqe se bashkohen të gjithë në një pikë: “Çdo istitucion fetar që del nga linja kombëtare, përbën rrezik për një komb. Mirë zotërinj, po kur ka shkelje, ku është shteti, ligji për t’i ndaluar dhe arrestuar shkelësit, por bëni debat, ndërsa qeveria me heshtje mënjanohet, nga eprori i saj Janullatos. Në formimin e statusit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse përcaktohet se Hierarkia Kishtare, duhet të jetë e gjitha shqiptare dhe ky është një element themelor. Ky është kushti themelor, për ekzistencën e shteteve kombëtare. Në momentin që është cenuar kjo, sigurisht që përbën një rrezik shumë të madh. Pra, Sinodi i shenjtë është i paligjshëm. Ai është ndërtuar sipas udhëheqësit, Janullatos dhe jo sipas ligjit. Janullatosi i ka zgjedhur vetë këta njerëz dhe i ka vënë në detyra të rëndësishme si në Gjirokastër, Berat e Korçë, që të zbatojnë planin e Helenizimit grek në Shqipëri. Qe te krijosh një sinod të shenjtë, duhet që kryepeshkopi, i cili e drejton, të jetë i aprovuar si nga Patrikana edhe nga shteti. Janullatosi, me sinodin e shenjte ka krijuar një gardë, që i shërben interesave personale të kryepeshkopit. “ (“Dielli”,” Historianët…” pril 2014, f. 25. )
Si përfundim çfarë nxorët ju me këtë debat?! Asgjë. Vazhdon po ajo statukuo. Në statutin e vitit 1950, me 92 nene, i votuar e i nënshkruar nga delegatët e atëhershëm dhe miratuar nga kuvendi popullor, në vitin 1993 u shtua pika “2”. Kuvendi Kleriko Laik (21 janarit 1993), ku kryepeshkopi bëri centralizimin e administratës së të gjithë kishave të Shqipërisë nën komandën e tij. Në kuvendin Kleriko Laik të datës 9 maj 1996, statutit iu shtua pika “3” dhe iu shtuan tre nene të reja. Neni 93, i cili shfuqizoi nënshtetësinë shqiptare të kryepeshkopit, neni 94 i cili vinte peshkopatat e Korçës, Beratit dhe të Gjirokastrës nën pushtetin e kryepeshkopit, dhe neni 95, i cili nisi themelimin e shoqatave të rinisë dhe të gruas brenda KOASH-it. Ishin këto shkelje, që shkaktuan reagime të ashpra nga bota ortodokse, me në krye Patrikanën. (Foti Cici korik 2005).
Janullatosi, asnjëherë nuk ka qenë i ekuilibruar ose i balancuar në Shqipëri, për të ndaluar gjakrat e për të dhënë mesazhe paqeje në momente kyçe të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në rastin e vrasjes së të riut Aristotel Guma, ai ngriti gjithë njerëzit në këmbë, ngriti meshë për shpirtin e tij. Tani pyesim: Pse nuk pati asnjë reagim nga ana e tij për masakrimin e tmerrshëm që i bënë në burgjet greke të ndjerit Kudret Kume. Por nuk tha asnjë fjalë keqardhje, kur tri gra me mbiemrin guma gjithashtu, të besimit mysliman, u hodhën në greminë nga një shofer grek me sjellje kriminale. Bëhet pyetja: kujt i shërbejnë të gjitha këto?… (Kutia postare 7456).
Më 1 qershor 2014, në Tiranë, u përurua Kisha-Katedrale e re ortodokse shqiptare, “Ngjallja e Krishtit”. Për këtë ngjarje Janullatosi kishte ftuar figurat kryesore të kishave ortodokse si Patriarku Vartelomeo i Stambollit, Patriarku i Jeruzalemit, i Serbisë, i Rumanisë, i Qipros, i Athinës, i Varshavës si dhe vetë Janullatosi. Në këtë ceremoni morën pjese personalitetet e larta të vendit, Bujar Nishani, Edi Rama , Ilir Meta, Lulzim Basha etj.
Një njohje të këtillë masive, e kemi përjetuar në prill 1937 me marrjen e TOMOS-it nga Patrikana e Stambollit, që e zyrtarizoi kishën e ngritur në Tiranë, më 1922, nga mendja e ndritur e Imzot Fan S. Nolit dhe e mbretit Ahmet Zog.
Fatkeqësisht, atmosfera e këtij tubimi u dëmtua rëndë nga i “ftuari” Patriarku Irenej, i Kishës Ortodokse Serbe. Ky, mohoi humbjen e jetës së mijëra shqiptarëve – kryesisht të Kosovës – nga duart e xhelatëve serbë.
Nga znj. Vilhelme Vranari: “Sa e hidhur është kur të nxjerr gjuhën e këlthet si zot vatani, shovinisti i kishës greke dhe asaj serbë, i cili duke na përqeshur thotë “Kosova është zëmra e Serbisë”. … dhe disa e quajnë “fat të madh praninë e këtyre të ashtuquajturve apostuj, a të dërguar të Zotit”. Shqiptari i sinqertë, vë duart në kokë dhe këlthet:” Përse ndodh ky absurditet? Si e pranojnë këtë fyerje e cenim të dinjitetit e të indentiteti kombëtar vallë? Nga ç’baltë janë gatuar këta njerëz mendjemykur e shpirtkalbur që pranojnë “Apologjinë e Djallit?” Turp, turp për të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë dhe janë të lumtur, që një klerik i huaj drejton kishën shqiptare dhe meshën e mbanë në gjuhën greke! O Zot ç’farë mban mbi tokë. Janullatosit po i bie shtëpia e tij dhe kërkon të ngrejë shtëpinë tonë … Kjo është Shqipëria e paradokseve. Pse ia lëndoni kockat Nolit dhe Visarion Xhuvanit? Atë kohë kur Shqipëria nuk ishte ende shtet dhe ata, jo vetëm themeluan Kishën Autoqefale Shqiptare me 1922, por nuk pranuan vartësin e saj nga kisha greke, kundërshtuan Patrikanën e Kostandinopojës dhe shërbesat fetare bëheshin në gjuhën shqipe”. (Kamillafi i “Hirësisë” si …“Tribuna Shqiptare” 10-6-2014).
Irenej, në Tirane na kujton Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, që sollën “Bratsvo-jedinstfo” (vllazërim- bashkim) me thikë pas shpine. Me urdhër të Titos krijuan degën e PKJ ne Tiranë duke marrë nga rruga Enver Hoxhën, qe bridhte natën klubeve te Parisit. Ndërsa gjeniu Dhori Pano, i futi dy tre tulla në çantë që e mbante për t’u dukur. (Dodona, f. 689). Ai u kthy në Shqipëri pa diplome ne xhep. Miladini e caktoi ne krye të PKSH. Kështu vazhdoi platforma e miqësisë sllavo-greke, që kaloi nga Enveri te Ramis Alia, Fatos Nano, Sali Berisha, Edi Rama, duke u drejtuar nga kupola Nexhmije me suiten e saj. Nexhmija nuk ka faj, kur kolegu i Ramis Alisë, Ten Siao Pini, të shoqen e Maocedunit, me gjithë besniket e saj e çoi nga burgu në pushkatim. Ndërsa Ramizi e çoi ne burg për ta mbrojtur.
Irenej komentoi se: “… sërbët asnjehere nuk kanë qënë armiqësuar në raport me shqiptarët”. Jo, z. Irenej! Ju dolët nga moçalet e Vollgës, si njerëz të egër, që jetonit duke gjuajtur peshk dhe kafshë të egra. Bashkë me një turmë të madhe të kombinuar sllavësh, avarësh, të racës mongole, filluat invazionin prej viteve 580-617. Vratë, plaçkitët, rrëmbyet, dogjët, Ilirinë, Epirin, Thrakën, Greqinë. Më vonë kulmin e arriti në vendin tonë Serbia, me pushtimin e Stefan Dushanit 1308-1355, një ndjekje e tmerrshme kundër katolikëve. Vazhduan reprezaljet, sidomos nga vitet 1840 me daljen e Naçertanies të kryeministrit serb Gerashanin. E pabesueshme dhe e rrezikshme: mohimi i krimit te kryer, rrezikon përsëritjen në rastin më të parë. Ai duhet demaskuar. Urrejtjen turke, e zbrazën mbi kokat e myslimanëve shqiptarë, që shpërtheu 1877-1878 kundër banorëve shqiptarë të Nishit, Leskovaçit, Kurshumlisë, Preshevës, kur mbi 250.000 kaluan në Kosovë, që njihen edhe sot si “Muhaxhirë”. Serbët kërkojnë një Kosovë pa shqiptarë. V. Gjorgjeviçi, i përshkruan: “…kafshë të egra me bisht që kalojnë natën të varur nga pemët e pyllit. Jo z. Gjorgjeviç. “Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët kishin kryer ciklin dy mijëvjeçarë të qytetërimit të lashtë” (At jergj Fishta). Më aktualia, është hyrja me forcë e armatës serbe në Kosovë më 1998-1999, që shkaktoi vdekje, dhunim, djegie, plaçkitje, dëbim, katastrofe të lemerishme… U.Ç.K. dhe NATO i vunë vulën pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Irenej dhe Janullatosi Shqipërinë e kanë halë në sy, synojnë ta ndajnë bashkë te lumi Shkumbin. Për këtë Janullatosi po e godit djepin kombit shqiptar dhe e kthen Shqipërinë në helenizëm, duke e qëndisur me kisha te stilit grek, me disa kisha në emër të Shën Kozmait, po ngrenë shkolla greke dhe varreza të ushtarëve grekë të vrarë para më tepër se 70 vjetëve e të lënë të pa varrosur që nga 28 tetori i 1940 deri më 15 prill të 1941. Dhe u kujtuan tani duke mbushur sarkofagët me kufoma shqiptarësh. Çfarë absurditeti?!… Taciti romak thoshte: “Humbi turpi , sundon poshtërsia, zanati i shpifjes nuk e njeh turpin. Shpifja, gjithmonë kërkon të vrasë të vërtetën… të vrasë historinë”. Këtu ndodh akoma më poshtë se kaq!
Janullatosi ka deklaruar në gazetën “Kathemerini”: “Nuk e kuptoj idenë e Shqiptarëve, se feja e shqiptarëve është shqiptaria. Këtë tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundra Rilindjes Kombëtare.” Janullatosi në vazhdim nuk do të njohë as ligjin e gjuhës shqipe në kishat tona. Në artikullin nr. 3 të Statutit të KOASH, përpiluar në Korçë më 29-6-1929 thuhet se: “Gjuha zyrtare e kishës është shqipja”. Kur ju, Janullatos, mohoni të meshoni në gjuhën shqipe të ligjëruar, dhe merrni guximin të meshoni në gjuhën greke, do të thotë të atakoni djepin e kombit, të qënësisë dhe formimit shqiptar. Është një revoltë e madhe për çdo shqiptar, Janullatosi po e armatos trurin, por duhet të armatosni duart kundra këtij helenizimi të pështirë. Shqiptarët janë në vendin e tyre, dhe kur i huaji që vjen, e prek në dinjitetin e tij, si komb atij, i digjet toka nën këmbë, ashtu si ju dogj murgut Kozma dhe peshkop Fotit.
Prof. Arben Llalla thotë: “Anastas Janullatosi valëvit flamurin Vorio-Epirit. Zbardhen faktet që kompromentojnë rëndë pozitat e kryepeshkopit të Shqipërisë, Janullatos, i cili duket se fshihet pas shumë aktivitetesh antishqiptare. Para tij është valëvitur flamuri i aneksimit të Jugut të Shqipërisë, më 15 gusht 2013 në Derviçan, ku dhjetëra të rinj kishin veshur bluza me simbole të ushtrisë së andartëve grekë, që kanë kryer masakra mbi popullsinë shqiptare në vitet 1913-1914, duke shpallur shkëputjen e Jugut të Shqipërisë.” Zoti Arben, ju bëni mirë që shkruani dhe flisni, por qeveria dhe akademikët shqiptarë janë bërë një me grekun, ata po prishin imazhin e Shqipërisë në botë për të penguar hyrjen në BE. Ata nuk çajnë kokë që historiani grekë Nikollas Stavros thotë: “Futja në dorë të kishës shqiptare është fitoria më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”. Kjo deklarate e lëshuar më 22-10-2013, tingëllon tepër poshtëruese për nderin dhe dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, të cilën e ka nëpërkëmbur Greqia shoviniste.
Ka akoma më keq, kur ministri grek i tund shkopin qeveris shqiptare. Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI: “Me 14-10-2013 ministri i jashtëm grek u shfaq para shqiptarëve duke i puthur dorën më parë Janullatosit… Venizellosi: “Dëgjoni, ju, shqiptarë! … kujdes: Kjo varet nga Greqia, se rruga për në Evropë kalon nga Athina. Prandaj mos bëni naze për plotësimin e kërkesave të Athinës, siç janë kufiri detar, mohimi I çështjes çame, mosprekja e çështjes së ligjit të luftës, heshtja për mosnjohjen e kufirit tokësor me Shqipërinë nga ana e Greqisë, krijimi i komisionit të varrezave për ushtarët grekë, ngritja e varrezave të reja, përvetësimi i pushtimit të kishës ortodokse, avancimi i të drejtave të minoritetit grek e kështu me radhë”. Dhe qeveria hesht në dëm të Kombit shqiptar, si e përcakton Mit’hat Frashëri: “Rrëmbejnë kazmën e i bien themelit, për të shkatërruar këtë ndërtesë që mezi e ngritën Rilindësit”. Jemi të bindur që juve z. Janullatos u vret sytë pallati i kulturës në Përmet me emrin e rilindësit të madh “Naim Frashëri”, po kështu edhe pallati muze i Themistokli Gërmenjit dhe i flamurit në Korçë. Për Kishën e Përmetit i kërkove ndihmë Athinës, për eleminimin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, duke dalë mbi legjislacionin shqiptar. Ndërsa për monumentin muze të patriotit të madh Themistokli Gërmenji, bëtë që ai u gjet në mëngjesin e 11 gushtit 2012 gurë mbi gurë e shkatërruar me buldozerë.
Të kuptojmë shtetin. Zonja Magdalena Ollbrajt, në mars të vitit 1997, kur renegati Kiço Mustaqi, ish ministri i mbrojtjes shqiptare, kishte ardhur nga Greqia me 400 andartë grekë dhe piketonte flamurët grekë në Shqipërinë Jugore, Sekretaria Amerikane e pyeti ministrin grek, “Ju doni të pushtoni Shqipërinë e Jugut, por edhe ne nuk do ta ndalojmë Turqinë që t’u bjerë juve.” Fill pas kësaj deklarate, Kryeministria turke, Tansu Çilleri, i dha ultimatumin grekut, për t’u kthyer mbrapsht dhe ata u tërhoq menjëherë. Katrahura e vitit 1997 dhe e janarit të vitit 2011, u përgatit dhe u drejtua nga grekët me qeverinë tradhtare shqiptare, që kaloi mbi pellgjet e gjakut të 3500 të vrarëve dhe 11000 të plagosurve dhe se fundi grabitën firmat piramidale që përfunduan në Athinë.
Tani të kuptohemi, Janullatos, se keni prekur tabanin e këtij kombi, që është shumë më i vjetër se kombi i juaj grek. Buldozeri është aty, dhe në vend të shoferit grek do ta marrë një shofer shqiptar, që do të prishë të gjitha ato që keni bërë të stilit grek si dhe ato monumente që keni bërë dhe mund të bëni si atë të peshkop Fotit. Por duhet të dini dhe kuptimin e mbiemrit tuaj: Jani-llathos që do thote greqisht “Jani i gabuar”. Pra, jeni i gabuar, në qëllim të gabuar, në vend të gabuar. Këto që po të them, o greku Janullatos, mbaji në mendje, dhe i lini pas të shkruara, se jeni plak !…
Rasim Bebo Addison Çikago qershor 2014
SPECIALE E DIELLIT: KRYEPESHKOPI GREK I SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS
Nga Dalip GRECA/
Të hënën në mbrëmje të datës 27 Janar 2014 u bë një takim në zyrën e ansambelistit të shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullatos. Ky takim ishte propozuar nga z. L Fundos gjatë takimit të së shtunës të zhvilluar në Shtëpinë e Vatrës. Kishte ardhë në këtë takim Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korçës bishop Joan Pelushi si dhe shoqëruesit e tyre. Drejtues i këtij takimi ishte asambleisti Mark Gjonaj, i cili prezantoi disa nga shqetësimet e komunitetit shqiptar dhe protestën e tyre.Takimi vazhdoi qetë me pyetje dhe përgjigje nga të dy palët. Bishop Nikoni bëri një ekspoze të Kishës Orthodokse Shqiptare dhe punët lavdëruese që ka bërë Kryepeshkopi Janullatos në ngritjen e Kishës ortodokse shqiptare. Ai argumentoi se Hirësia e Tij është tashmë i pranuar nga besimtarët ortodoks të gjithë Shqipërisë dhe këtu nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës dhe ortodoksit shqiptarë. Hirësia është një personalitet i njohur dhe ka bërë shumë për Kishën Ortodokse shqiptare dhe është i vlerësuar në botë. Ai tha se e shihte të pavend protesën që bëjnë shqiptarët e Nju Jorkut dhe kërkoi të dinte arsye: Përse po protestoni?- pyeti ai. Nuk na nderoni kështu! Ja unë që përfaqësoj ortodoksët shqiptarë të Amerikës jam këtu. Atëhere në emër të kujt protestoni ju? Të ortodoksëve jo. Ai këshilloi që të hiqnin dorë nga kjo pretestë sepse bëhet në kohë të papërshtatshme dhe në vend të gabuar.Presidenti i Shoqatës Rinore”Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi parashtroi shqetësimet që i kanë detyruar disa nga organizatat që t’i bashkohen kësaj proteste. Ai rënditi probleme të tilla si: Fortulumturia e tij erdhi si eksark për rorganizimin e Kishës ortodokse jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i kishës Autoqefale të Shqipërisë e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e Kombësi shqiptare. Po ashtu ai ngriti problemin e ndryshimit të arkitekturës së Kishave të ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit,krejtësisht me stilin e kishave greke, kritikoi qëndrimin e Hirësisë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për mospërkrahjen e popullsisë çame dhe refuzimin e Lutjes për viktimat; nuk njeh genocidin grek mbi Çamërinë etj.
Metropoliti i Korçës Joan Pelushi mbajti pjesën kryesore të debatit. Me njohuri të thella teologjike ai u përpoq të sillte informacion të gjërë rreth funksionimit të Kishës Ortodokse, të konceptit të Autoqefalisë, solli shembuj, fakte, shifra nga puna e madhe e Kryepeshkopit Janullatos në Krye të Kishës etj. Sa për nenin 16 të Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare të vitit 1929, ai mbrojti pikëpamjen se Statuti nuk është i pandryshueshëm. Ai i këshlloi përfaqsuesit e protestës që ajo të mos bëhet dhe ajo nuk i nderon shqiptarët e Amerikës. Kryepeshkopi , tha se me këtë vlerësim që i bëhet Hirësisë së Tij, nderohet Kisha shqiptare, ortodoksizmi në Shqipëri. Ne duhet të krenohemi me këtë, jo të protestojmë. Mitropoliti Pelushi tregoji dhe vështirësitë e Kishës , mungesën e prifëtrinjëve, mundimin që duhet për të përgatitur një peshkop etj.Ai solli fakte dhe detaje nga gjendja e sotme që ka Kisha Ortodkse Shqiptare dhe bëri krahasime edhe me fetë e tjera.
Puna që ka bërë Hirësia e Tij Janullatos është e jashtëzakonshme, tha Mitropoliti. Pse po protestoni- shfaqi ai habinë e tij dhe shtoi: Aty do të ngrihet flamuri shqiptar, ai amerikan dhe i Universitetit Fordham. Ju jeni kundër? Pse?
Zef Balaj shfaqi opinionin e tij dhe argumentoi pse janë të pakënaqur shqiptarët me Janullatosin në Krye të Kishës Autoqefale Shqiptare.Ai përmendi Kombësinë e Kryepeshkopit, përkohshmërinë e misionit të Tij dhe të tjera shqetësime që janë objekt i protestës.
Nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, tha se Vatra e mbështet protestën. Pasi vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse krahas besimeve të tjera, ai shfaqi rezervat e Vatrës për qëndrimin e Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës Autoqefale. Kur statuti e kërkon prerazi se në krye duhet të jetë një Kryepeshkop me gjuhë, nënshtetësi e Kombësi shqiptare, ai duhej të kishte kryer misionin që mori përsipër në ringritjen e kishës dhe të shkonte. Edhe mënyra se si e mori e fronin me kundërshtime gjatë ceremonisë, Vatra mendon se ishte një arsye që ai nuk duhej të bëhej Krypeshkop, përderisa kishte zëra kundërshtues. Vidio me pamje nga marrja e fronit vazhdon e qarkullon në internet. Hirësia e Tij ka bërë pak për përgatitjen e kuadrit drejtues të Kishës. Janë 22 vjet dhe Kisha Ortodokse mbanë sërish në krye një njeri që nuk është me Kombësi shqiptare. Ai erdhi nga Kisha Greke, ku kisha dhe shteti janë bashkë, ndërsa në Shqipëri jo. Përderisa ka mospajtime të Kishës Greke me atë shqiptare dhe e djeshmja e tyre ka qenë një luftë e ashpër, në fronin e Kishës shqiptare duhej të ishte një shqiptar. Nuk pati kohë Hirësia të përgatiste një pasues shqiptar? Ishte ironike e tallëse përgjigja e tij për përkohshmërinë e Misionit: Ne të gjithë jemi të përkohshëm në këtë Botë?
Vatra nuk mund të pajtohet me faktin e injorimit të Ikonës së Kishës Autoqefale ortodokse Shqiptare, Imzot Fan S Noli, edhe pse Mitropoliti tha se ai kishte bërë shumë për Imzot Nolin.
z. Bushati tha se Vatra është për harmoninë fetare dhe e vlerëson këtë si faktor kryesor në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë.
Nuk dukej se pozicionet mes dy palëve ndryshuan edhe pas 2 orë e gjysëm debat. Takimi përfundoi në orën 10 e 30 të darkës. Përfundimisht Marko Kepi, drejtuesi i protestës falenderoi për takimin, por nuk u tërhoq nga organizimi i kësaj proteste për të cilën të Hënën ishte marrë edhe leja nga Policia dhe Autoritetet e Sigurimit të Universitetit.Ai e uroi Metropolitin e Korçes Joan Pelushin. Ndersa per gazeten Dielli, Kepi, u shpreh: Ne protestojmë që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë , të vijë një Kryepeshkop, ja psh si Joan Pelushi, me gjak, gjuhë, nënshtetësi e Kombësi Shqiptare! Uroj që kjo ditë të vijë shpejt!
TAKIMI TEK VATRA
Takimit të së hënës i pat parapri një tjetër takim, ai së shtunës me 26 Janar 2014, në mbrëmje në mjediset e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në Bronx.Takimin e ka drejtuar presidenti i shoqatës rinore shqiptaro-amerikane ”Rrënjët Shqiptare”, Marko Kepi. Gjatë takimit u diskutuan modalitetet e protestës, parullat në pankarta, argumentet se përse bëhet kjo protestë, pyetjet që mund t’i bëhen nëse realizohej një takim me Kryepeshkopin etj. Në takim, pasi kishte një orë që kishin filluar diskutimet, erdhi me dëshirën e tij, një nga mbështetësit e Hirësisë së Tij Janullatos z. L Fundos. Ai kërkoi mirëkuptim dhe u tregoi organizatorëve se Fortlumturia e tij ka bërë shumë për Kishën shqiptare, e ngriti atë prej rrënimit të diktaturës, u tregoi se ai ka ndërtuar shumë kisha të reja dhe ka rinovuar të tjerat, se ai nuk e ka cënuar Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare, se nuk është antishqiptar etj etj.
Z. Fundos u propozoi një takim organizatorëve me Kryepeshkopin para se të organizohet protesta, pra të Hënën, pas marrjes se lejes nga Policia,( për lejen ofroi ndihmën e tij ish kongresisti Republikan, Presidenti vullnetar i Liges Shqiptaro-Amerikane Joe DioGuardi).
Vatra gjykoi se ky takim nuk zgjidh problemin, për arsyen e thjeshtë se Janullatos do të mbrojë pikëpamjet e veta dhe komuniteti ka qëndrimet e veta në favor të Kishës Autoqefale, vepër e patriotëve shqiptarë ortodoksë.
Në thelb të protestës ishte kundërshtimi i komunitetit shqiptar të Amerikës ndaj Kryepeshkopit grek të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili në kundërshtim me Statusin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë e ka uzurpuar atë. Për organizatorët Janullatos ka punuar për helenizimin e Kishës Autoqefale dhe në kundërshtim me nderimin, që i bëhet në Fordham University, nuk i ka shërbyer afrimit të dy popujve, përkundrazi. Ai ishte kundër intervenimit të NATOS në Kosovë gjatë gjenocidit Serb( për sqarim të lexuesit: Janullatos ka dalë publikisht kundër ndërhyrjes ushtarake/ humanitare të NATO-s për shpëtimin e popullsisë së Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimi etnik serb,- edhe pse propoganduesit e tij kanë shkruar edhe në shtypin amerikan se ai udhëhoqi fushatën e ndihmave për kosovarët që erdhën në Shqipëri gjatë spastrimit etnik të Millosheviçit), se ai e injoron dhe nuk e njeh çështjen çame, në kundërshtim me klerikët e besimeve të tjera- nuk pranoi të ngrejë meshë për viktimat e genocidit grek kundër çamëve (e thënë shqip: ka refuzuar që të bashkohet me krerët shqiptarë të besimeve të tjera në lutje për shpirtrat e viktimave çame të gjenocidit grek), shpesh është parë më ultranacionalistë grekë që kanë ardhur në Shqipëri(shtypi i Tiranes), duke dhënë shenja se është për Vorio-Epirin. Po ashtu ai duke sponsorizuar ndërtimin e Kishave ortodokse i ka larguar ato nga trashëgimia e Kishës tradicionale Ortodokse Shqiptare, duke sjellë arkitektuarë bizantine dhe ikonografi helene. Mjafton krahasimi i dy kishave ortodokse të sotme në Korçë me fotografitë e ndërtesave të para viteve 1967, dhe shihet ndryshimi. Po ashtu meshimi në shumicë në gjuhën greke, përbën një tjetër shqetësim të komunitetit shqiptar. Injorimi i figurës së arkitetktit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Imzot Nolit është një tjetër pakënaqësi që komuniteti shqiptar i Amerikës ka ndaj Janullatosit.
LETRAT PUBLIKE PËR PRESIDENTIN JOSEPH McSHANE
Shqiptarët e këtushëm paralajmëruan mospajtim me vendimin e Universitetit për ta nderuar kreun grek të Kishës Shqiptare me një titull honorifik. Të parët që paralajmëruan protestë kanë qenë anëtarët e organizatës rinore “Rrënjët Shqiptare”, të cilët i kanë dërguar edhe një letër të hapur z. Joseph McShane, S.J., Presidentit të Universitetit Fordham (Shih në faqen 7). Përmes Letrës publike , Rrënjët Shqiptare, kanë shprehë pakënaqësinë e komunitetit shqiptar dhe shfaqin habinë se si universiteti ka rezervuar çmimin e lartë për një njeri që nuk i shërben paqes dhe harmonisë, përkundrazi ai nën postin e lartë të kryepeshkopit i ka shërbyer helenizimit të Shqipërisë dhe veçanërisht asaj të Jugut, duke punuar nën rrogoz për Vorio-Epirin. Sipas letërshkruesëve, ai meshon në gjuhën greke duke diskrimuar gjuhën shqipe.Sipas Rrënjëve Shqiptare, kreu grek i KishësOrtodokse Shqiptare nuk ka bërë asgjë për të afruar marrdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Greqisë, përkundrazi dy vendet duket se janë më larg se kurrë,- ku si mur ndarës qëndron hija e Ligjit famkeq të Luftës, që nuk është aministuar nga parlamenti Grek. Asnjë kontribut nuk ka dhënë në këtë drejtim Hirësia e tij, që ka mbrojtjen, përkrahjen e Kishës dhe Qeverisë Greke. Më pas në letrën e Albanian Roots tregohen detaje nga gjenocidi i ushtruar nga shteti grek ndaj çamëve, të cilët edhe pse dikur ishin shtetas grek, janë të zhveshur nga e drejta e pronës dhe e kthimit në shtëpitë e tyre, ku kanë varret e prindërve, gjyshërve, dhe Janullatos nuk e njeh këtë gjenocid.Të rinjët shqiptarë në letrën e tyre e cilësojnë kryepeshkopin grek të Shqipërisë një ”Kalë Troje”.
Edhe studentët shqiptarë që studiojnë në Fordham University, dhe ata që kanë studiuar atje, kanë reaguar përmes një letre që i dërguan presidentit të këtij universiteti, z. Joseph McShane, S.J(Shih Dielli online). Studentët me prejardhje shqiptare të këtij universiteti shkruajnë se përfaqësojnë katër besime fetare kryesore në Shqipëri; katolik, Kristian ortodoks, sunitë dhe shiitë, dhe janë për marrdhënie miqësie mes dy popujve të lashtë të Ballkanit, shqiptarëve dhe grekëve. Por, siç shprehen ata, Kryepeshkopi Janullatos, nuk mëshiron vlerat më të çmuara të Shqipërisë, sidomos harmoninë ndërfetare.
Ata rëndisin një sërë faktesh që tregojnë se në misionin e tij në Shqipëri, Kryeposhkopi, po e largon Kishën Ortodokse Shqiptare nga të qënurit Autoqefale, e pavarur dhe po e orienton drejt armikes së saj shekullore, Kishës Greke.
Edhe Federata panshqiptare e Amerikës VATRA, është pozicionuar në kundërshtim të hapur me Kryepeshkopin me origjinë e kombësi greke, Anastas Janullatos. Ky pozicion i Vatrës buron nga Shkelja e Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, miratuar nga Kongresi i Beratit , që zhvilloi punimet nga 10 deri më 19 shtator 1922, Kongres që njihet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Pikërisht në nenin 16 të Statutit të miratuar më 1929, është sanksionuar kërkesa themelore, ku udhëheqësi i Kishës duhet të jetë , prej gjaku, gjuhe, kombësie dhe nënshtetësie- shqiptare”. Ky statut ka marrë edhe miratimin e Patriarkanës së Stambollit më 1937(Në ballafaqimin e dytë Mitropoliti Pelushi e quajti gjë të vjetër Statutin) . Pikërisht kjo kërkesë është shkelur nga Janullatos dhe prej atyre që e sollën atë në fron, duke shkelur mbi gjakun e prelatëve të Kishës Ortodokse Shqiptare të masakruar nga Kisha Ortodokse Greke. Vatra që në krye të ardhjes së Janullatosit ka qenë kundër dhe e ka shprehur publikisht mospajtimin e saj. Madje edhe 13 vite të shkuara ishte Vatra ajo që organizoi një protestë të ashpër ndaj dekorimit të Janullatosit në New York. Protesta u organizuar me 17 shkurt 2001 përballë Hotelit Hilton. Me parulla të hapura” Janullatos, uzurpator i Kishës Autoqefale shqiptare”, “primat i kishës shqiptar duhet të jetë me gjuhë e gjak Shqiptar”, “Janullatos go Home”!- u shoqërua banketi i shtruar për Janullatosin në Hilton Hotel, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Kishës shqiptare të Amerikës, që ngritën dolli me Hirësinë!Vatra ka kritika të ashpra ndaj mohimit të rolit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Hirësia e Tij e ka injoruar Nolin, simbolin e Kishës Autoqefale.
KRYEPESHKOPI, FERRA QË LA PAS RAMIZ ALIA-JA SI ERDHI
Ardhja e Anasatas Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare është plotësisht vepër e Ramiz Alisë, e pasuar nga pasardhësit e tij. Ai erdhi në Shqipëri me 16 korrik 1991 si eksark, me rol provizor për riorganizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, të shkatërruar nga komunizmi. Vënia e tij në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare është produkt i asaj që quhet “Kompromisi i Korfuzit”, ku u takuan me 2 korrik 1991 Ministri i Jashtëm Shqiptar Muhamet Kapllani me homologun grek Antonios Samaras. Kompromisi u arrit duke shkelur pikërisht nenin 16 të Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, ku Janullatosit iu besua drejtimi i përkohshëm (eksark) i Kishës Ortodokse Shqiptare ( shumica e shqiptarëve e ka dëgjuar shprehjen ironike të Fortlumturisë së Tij Janullatos: ”Të gjithë të përkohshëm jemi në këtë Botë”!).
Në ndihmë të rrethanave se si erdhi Janullatos në krye të Kishës Ortodokse na vjen edhe dëshmia e ish kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Ylli Popa, dhënë revistës “Klan”. Ai tregon se si në rrethana të çuditshme vizitoi Janullatosin në shtëpinë e tij në Athinë. Atë kohë Prof. Popa shkonte për takim me refugjatët shqiptarë si pjestar i Forumit për të Drejtat e Njeriut. Bashkë me të ishin edhe Prof. Spiro Qirko, Kosta Makariadhi (deputet i minoritetit grek), Niko Bello (arsimtar ne Korçe dheTahir Novi (jurist ne Gjirokaster). Për takimin ai jep pak informacion, ndërkohë që flet për një takim të dytë në Tiranë në Hotel Dajti, ku kishte thirrë edhe Kryekancelarin e Kishës së Nolit, At Arthur Liolinin(nuk kam lexuar ndonjë pronocim të Atë Liolinit për këtë intervistë të publikuar më 2003). Sipas Prof. Popës, ai e ka pyetur At Liolinin se çfarë dinte për eksarkun:”At Liolini me tha se ai nuk e njihte personalisht Peshkopin, por dinte se ai ishte personalitet i njohur i Kishes greke, kishte botuar disa studime te rendesishme edhe se kishte punuar disa vjet ne Afrike.”…Më pas At Arthuri ka bërë dy sygjerime për t’i vënë kushte Janullatosit:” E para, të mos vihej në diskutim Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare, edhe e dyta, të respektohej kontributi i Fan Nolit në ndërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.”(dëshmi e Y. Popës)
LETRA E JANULLATOS PËR RAMIZ ALINË: JAM I PËRKOHSHËM!
Në shtyp është publikuar edhe një letër, që i pat dërguar eksarku Janullatos presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë , para ardhjes në Shqipëri, me 3 qershor 1991.
Në letër ai shkruante se Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare është një institucion në shkallë botërore me traditën dhe rregullat e saj të pranuara universialisht, dhe asnjë kishë ortodokse nuk mund të ekzistojë, dhe më tepër të organizohet, pa një peshkop, që të ketë pasues apostolik. Përderisa në të gjithë botën sot nuk ka një peshkop ortodoks për të marrë përgjegjësinë e riorganizimit të kishës në Shqipëri, Patiarkana Ekumenike e Kostandinopojës, që është froni i parë i njohur zyrtarisht nga të gjitha kishat ortodokse, që i përkasin institucionit në shkallë botërore të ortodoksisë (ruse, serbe, rumune, bullgare, greke, shqiptare), mori iniciativën e emërimit tim për të ardhur në vendin tuaj të dashur si një patriark eksark,- shkruante Hirësia e Tij.
Më pas eksarku tregon se Patriarkana i kishte dhënë për detyrë: Të komunikonte me qeverinë shqiptare për të hyrë në kontakt me priftërinjtë ortodoksë ekzistues dhe besimtarët ortodoksë, pavarësisht nga origjina dhe gjuha amtare. Ai zotohej dhe premtonte se do të merrej me punën organizative kishtare në nivelin primar, mbas zhvillimeve të fundit dhe vendimit për t`i dhënë liri fetare Shqipërisë, do të krijonte kushte në një kohë sa më të shpejtë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të vetëdrejtohet; me bindjen se riorganizimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duhej të përfundohet në bashkëpunim me ortodoksët e interesuar.
Ai i shkruante kreut komunist të shtetit shqiptar se kishte takuar me Lartësinë e tij Metropolitanin Theudosiun, Primati i Kishës Ortodokse në Amerikë dhe me rev. Artur Liolin, kancelar i kryedioqezës shqiptare në Amerikë, dhe kishin rënë dakort plotësisht që të bashkëpunonin për të mirën e ortodoksisë në Shqipëri dhe të gjithë qytetarëve të saj. Eksarku zotohej:”Si një peshkop ortodoks, dua t`ju siguroj ju shkëlqesi, në mënyrën më të dukshme, se misioni i patriarkut- eksark në Shqipëri kërkon ekskluzivisht t`i shërbesh me sinqeritet popullit të dashur shqiptar në këtë kohë kritike dhe të ndihmohet për të çuar përpara çështjen e paqës dhe të mirëkuptimit vëllazëror në Evropë dhe në botë”. Fjalë të ëmbla!
Po a, i mbajti premtimet fortlumturia e Tij? Kundërshtarët thonë jo. Ai nuk e pa misionin e tij vetëm si ringritje të Kishës së rrëzuar ortodokse, por edhe uzurpim të saj.Në kundështim me premtimin në letrën dërguar Ramiz Alisë, Janullatos vazhdoi të qëndrojë në Shqipëri dhe gjasat janë se do të qëndrojë sa të ketë jetë, madje edhe pasi të ndërrojë jetë. Jo vetëm pse ka përcaktuar vendvarrimin, por edhe pse ka përgatitur një pasardhës të besuar të frymës së vet, të cilin e ka shpallë Peshkop, pa ceremoni publike,larg syve të medias, por para të tjerëve!.
KUNDËRSHTIMET NË ÇASTIN E MARRJES SË FRONIT
Më 2 gusht 1992 eksarku u shpall kryepeshkop i KOASH-it, dhe mori miratimin e shtetit shqiptar. Vidio e fronëzimit të Tij, vazhdon të qarkullojë në internet, ku shquhet dhe një flamur grek gjatë asaj ceremonie. Qartazi dëgjohen në kor zërat e ortodoksëve patriotë, që thërrasin emrat e martirëve ortodoksë shqiptarë si Papa Kristo Negovani dhe Petro Nini Luarasi të masakruar nga Kisha Greke, dhe “besnikët” që brohorasin për Janullatosin. Më pas dëgjohen dhe këngë patriotike” Për Mëmëdhenë”!. Kjo është fshehur deri tani nga përkrahësit e Janullatosit dhe nuk është komentuar as nga fanatikët e tij.
Ramzi Alia dhe ata që erdhën pas tij e nënvleftësuan ose e harruan të djeshmen e marrdhënieve të Kishës Ortodokse greke me Kishën Ortodokse Shqiptare. Kisha Ortodokse shqiptare në fakt e shpalli autoqefalinë në luftë me kishën Greke! Kjo është ironia, që në krye të Autoqefalisë të sjellin pikërisht një grek!
Ata që e vendosën Janullatosin në krye harruan që Kisha greke pat mallkuar gjuhën shqipe dhe masakroi e helmoi, a vrau patriotët shqiptar. Politika naïve shqiptare harroi masakrimin e prelatëve të Kishës Ortodokse Shqiptare nga andartët grekë si: Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, apo të martirit Petro Nini Luarasi. Gjaku i prelatëve-martirë i parapriu Kishës Autoqefale Shqiptare, por që nuk u respektua nga ata që sollën peshkopin grek në krye.
Në fakt edhe pas fronëzimit të Janullatos, shqetësimi për presion të kishës greke endej nëpër Shqipëri. U konstatua kjo edhe në simpoziumin kushtuar 70 vjetorit të Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare mbajtur nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë më 19 shtator 1992. Që në fjalën hyrëse të simpoziumit konstatohej një presion dhe trysni e Patriarkanës greke ndaj Kishës ortodokse shqiptare që ende nuk ishte ngritur në këmbë dhe nuk kishte dalë nga agonia ku e kishte përpalsë shteti ateist komunist. Në simpozium u denoncua me forcë ky shantazh. Simpoziumi konstatonte:”Përpjekjet që po bëhen kohët e fundit nga Patriarkana për t’i shfrytëzuar vështirësitë në të cilat ndodhet sot Kisha Ortodokse Shqiptare dhe për të vendosur kontrollin administrative mbi të, për të vënë në krye të saj një peshkop grek, janë krejt të paligjshme, në kundërshtim me Statutin e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe me vendimin e vetë Patriarkanës, të vitit 1937.”
KUNDËSHRTIMI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
Shqiptarët patriotë të Amerikës kanë qenë përherë në vijën e parë të kundërshtimit të Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare. Një delegacion i Komunitetit shqiptar të Amerikës shkoi në Shqipëri në vitin 1992 dhe shprehu shqetësim për vënien e një të huaji në postin e Kryepeshkopit. Ata shkuan në Shqipëri për të mbrojtur veprën e Imzot Nolit, i cili pat hedhur bazat e Autoqefalisë dhe shkëputjes nga hija e Patriarkanës Greke.Ata kërkuan nga organet përkatëse të mos shkelej “testament” i Autoqefalisë, Statuti i Kishës Ortodokse Autoqefale i vitit 1929, ku në nenin historik 16, i mbyllej përgjithëmonë dera ndikimit të të huajëve në KOASH . Në një intervistë dhënë gazetës “Liria” në Tiranë në shtator 1992, e njerit prej pjestarëve të komisionit, Niko Kirka, i biri i Kristo Kirkës ,bashkëthemeluesit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, pjestar i delegacionit të Kishës Autoqefale Shqiptare, që shkuan në Patriarkanën e Stambollit për të mbrojtur vendimin e Kongresit të Beratit të shtatorit 1922, që shpalli Autoqefalinë, dhe statutin e 29-ës, denoncon dhe kundërshton me forcë vendosjen e një të huaji në krye të Kishës.Misioni i z. Niko Kirka dhe të tjerëve që shkuan nga Amerika vazhdoi edhe më vonë. Në një intervistë dhënë gazetës “Republika” më 23 prill 1993, ai sërish denoncon uzurpimin e Kishës Ortodokse në emër të Komitetit të tri besimeve fetare të shqiptarve të Amerikës. Ai përcolli idenë e Nolit se humbaj e Autoqefalisë dhe e pavarësisë së Kishës ortodokse rrezikon pavarësinë e Shqipërisë.
Komiteti i Autoqefalisë kishte dhe gazetën e vet që e denoncoi ashpër uzurpimin e fronit të kishës Ortodokse. Moto e saj ishte:”Është gënjeshtër dhe hipokrizi “autoqefalia” me ju në krye si Peshkop, zoti Anastas Janullatos”.
Humbja e Kushtetutës të vitit 1994, ku kërkohej, që krerët fetarë të ishin me Kombësi shqiptare, ishte varka e shpëtimit të Janullatosit.
Lufta vazhdoi deri nga viti 1995 , ku u ngrit sërish zëri i Shqiptarëve të Amerikës në simpoziumin e organizuar me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Imzot Nolit. Moto e atij simpoziumi ishte:” Të mbrojmë Kishën e Imzot Nolit!”.
Më pas duket se tonet u ulën. ’97 e rebelimit me ndihmën e grekëve, i vuri vulën heshtjes.Deri sa vijmë në ditët e sotme, kur politika, kryeshtetarët, nga presidentët, kryeministrat, Kryetarët e Parlamentit, sipas rotacionit, e deri tek kryetarët e partive, pozojnë dhe buzëqeshin pranë Hirësisë së Tij!Gati kamera!
Po atëherë ç’duan shqiptarët e Amerikës?-dëgjohen zëra dhe bëhen komente në rrjetet sociale dhe website gazetash. Mos duhet që edhe shqiptarët e Amerikës të pajtohen me qenien e Janullatos Kryepeshkop të Shqipërisë?
Në fakt edhe vetë Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës e ka pranuar Hirësinë e Tij, siç e ka pranuar edhe ortodoksia në Shqipëri me përjashtim të At Nikollë Markut dhe besimtarëve që ai ka rreth vetes dhe disa patriotëve nacionalistë. Zërat që e kundërshtojnë Kryepeshkopin që nuk ka ndërmend të vetëlargohet, të dorëhiqet, po vijnë duke u ulur. Ç’duhet bërë në këto rrethana? Të heshtin shqiptarët e Amerikës?Amaneti Nolit nuk i lë të qetë vatranët dhe shqiptarët e Amerikës. Shpirti i Noli, i At Vasil Markut dhe të tjerëve, rënkojnë nga shkelja e Testamentit, Nenit 16 të Statutit(që Janullatos dhe gjakshprishurit nn shërbimin e tij e cilëlsojnë të vjetruar) :”… prej gjaku, gjuhe, kombësie dhe nënshtetësie- shqiptare”! (Jo po do t’i bëjmë AND-, tha me ironi në ballafaqim Mitropoliti i Korçes, ( Bishop Joan Pelushi- Fatmiri i dikurshëm!)
Kryepeshkopi, ferra që la jashtë varrit Ramiz Alia, erdhi këtë herë për t’u nderuar nga Universiteti i njohur Fordham në Bronx. Kryepeshkop i Durrësit, Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, u nderua si Doktor Nderi për Letrat Humane.
KUSH THA SE NE PROTESTE NUK KISHTE ORTODOSE?
Pas dështimit të dy takimeve të organizatorëve me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullats, protesta e iniciuar nga Rrënjët Shqiptare dhe e përkrahur fuqimisht nga Vatra dhe komuniteti shqiptar,u zhvillua ashtu siç ishte paralajmëruar, në mbrëmjën e ditës së Martë me 28 janar, në portën hyrëse të Universitetit Fordham, në adresën 2900 Southern BLVD. Ishte një natë e ftohtë polare me temperatura nën zero. Megjithatë Shkrimtari i mirënjohur Naum Prifti, nuk ka munguar, por ka ardhur nga Queensi dhe qëndroi deri në fund të protestës, ashtu siç kishin ardhë edhe Zef Përndocaj nga White Planes, Sali Bollati e Uke Gjonbalaj nga Staten Island, Hakik Mena e Çezar Ndreu nga New Jersey, apo të tjerë edhe nga më larg. Të ftohtit nuk i kishte penguar pjesmarrësit e shumtë që t’i mbushnin të dy anët e rrugës plot dhe në duar mbanin pankarta ku kërkohej çlirimi i Kishës Ortodokse Shqiptare nga Kryepeshkopi grek Anastas Janullatos. Ata kërkuan dorëheqjen e tij dhe zëvendësimin me një peshkop shqiptar.
E gjithë kryesia e Vatrës dhe një pjesë e Këshillit ishte në protestë, me përjashtim të kryetarit, që nuk ndodhej në New York, por dy vajzat e tij ishin aty mes demonstruesëve; nëkryetari Asllan Bushati kishte ardhë me gjithë familjen, zv/Kryetari Agim Rexhaj me gjithë zonjën, sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu me origjinë nga Çamëria, e shoqëruar nga Majlinda Deli, Besa Belliu e Kamila Veliu, Marjan Cubi, Sejdi Hysenaj, Zef Balaj me gjithe djalin Josephin,Mithat Gashi , Bashkim Musabelliu, Halit Shpuza, Besim Malota, Nick Markola, Danny Blloshmi, Ahmet Hoti, Çezar Ndreu, Naser Çobaj e të tjerë. Ka ardhur nga Buffalo kandidati për Kongresin amerikan Eddie Egriu e shumë të tjerë.
Me protestën ishin solidarizuar, përveç Rrënjëve Shqiptare, që u përfaqësuan aty edhe me degët e Chikagos dhe Teksasit, Federatës Vatra, Lëvizja e Legalitetit për Amerikë, Shoqata Çamëria, Liga Shqiptaro-Amerikane, Oragnizata “Djemtë e Gjirokastrës, Përmetit dhe Sarandës”, Shoqata Ana e Malit, Kombi, Plavë-Guci, Uskana në Illinois, Bashkimi Kombëtar, Grupi i studentëve shqiptarë në Fordham University, Shqiptaro-Amerikanët e Chikagos e të tjerë.
Thelbi i protestës ishte mospajtimi i shqiptarëve me nderimin që po i bëhej kryepeshkopit grek, që ka uzurpuar Kishën Ortodokse Shqiptare.
Disa herë, udhëheqësi i protestës, Marko Kep, përmes megafonit , i sqaroi pjesmarrësit dhe kalimtarët, se kjo nuk është protestë kundër vëllezërve tanë orthodox, por protestë që kërkon çlirimin e fronit të Kryepeshkopit nga Kisha Greke! Ne aspirojmë, tha ai, që amaneti i Imzot Fan Noli, për ruajtjen e pavarësisë së Kishës Autoqefale Orthodokse shqiptare, si kusht për Pavarësinë e Shqipërisë-, të mos shkelet me këmbë ! Ne duam një kryepeshkop shqiptar!
Për Vatrën dhe organizatat e tjera pjesmarrëse në protestë është i papranushëm fakti, që një grek të qëndrojë në krye të Kishës Shqiptare, e cila ende prêt një”Ndjesë” nga Kisha greke(nga vjen Hiresia e Tij Janullatos, për mallkimin që i ka bërë gjuhës shqipe-Kisha greke, por që dhe Janullatos nuk e ka fort për zemër, mallkimit që u ka bërë patriotëve ortodoks, për jetët që u ka marrë priftërinjëve shqiptarë, që kanë predikuar shqip: Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, apo të martirit Petro Nini Luarasi, që të vetmin “krim” kishin gjuhën shqipe, për nxitjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve , përfshi edhe në kohëmasakrash, siç ishte ajo kundër çamëve, për nxitjen ëndrrës së çmendur vorioepirote….Për 22 vjet, a nuk kishte mundësi Janullatosi të përcillte një “pardon” në emër të Kishë Greke nga vinte?!
Në duart e protestuesëve qëndronin pankarta, banderola të shkruara në dy gjuhë shqip dhe anglisht:”Albanian Orthodoks not Greek Orthodox”, “Albanian Orthodox not for Sale”; “Religion free of foreing Influence!”, “We want an albanian Archbishop”; Albanian Archbishop-This Shud be the Albanian Churche; Albanian deserve an Independent Albanian Orthodox Churche, Protect the Albanian orthodox”…
Nën fotografinë e Prelatëve të Kishës Orthodokse Shqiptare, të martirve Papa Kristo Negovani dhe Papa Stathi Melani, shkruhej:”Kush e vrau?”; nën fotografinë e arkitektit të Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare shkruhej”Ky është Ati i Kishës Orthodokse Shqiptare”, Ky është Ati i Kombit”!
Gjatë protestës që u ruajt me korrektesë nga forcat e policisë, u hodhën parulla kundër Kryepeshkopit grek, kundër konvertimit të Kishës Orthodokse Shqiptare në Kishë Greke, kundër importimit të arkitekturës greke në ndërtimin e kishave shqiptare dhe përdorimit të ikonografisë greke, dhe u bënë thirrje të hapura për dorëheqje të Janullatosit.
Protesta kishte marrë mbështetje nga prifti arbëresh në Argjentinë Alexander, Reverent i Buenos Aires dhe Amerikës së Jugut, si dhe nga Prifti i Kishës së pavarur të Shën Mërisë në Elbasan, Nikolla Marku. Përshëndetjen e Hirësisë së tij Alexander e lexoi në gjuhën angleze kandidati për Kongresin Amerikan Emin Eddie Egriu, ndërsa mesazhin e Atë Nikollë Markut, e lexoi sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu.
Përshëndetja e at Nikolla Markut ishte e mbushur me thirrje të hapura kundër Kryepeshkopit greke, të cilin ai identifikonte me qarqet vorioepirote dhe e cilësonte antishqiptar. Ai përcillte kërkesën ultimative për lëshimin e fronit të uzurpuar me kurth dhe shkelje të statutit të Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare. Ndërsa përshëndetja e priftit arbëresh Alexander përcillte dashuri për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe, thirrje për bashkim kombëtar. Ai e cilësonte Shqipërinë e dashur si nënën e tij dhe nënë për çdo shqiptar. Ai shkrunte ndër të tjera se”Unë lutem për ju; unë lutem çdo natë për fëmijët tuaj, për gjithë shqiptarët. Unë lutem për vëllezërit e mi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, në Serbi dhe kudo ku ka shqiptarë.”
Duke iu drejtua të rinëjve protestues ai shkruante”Ju jeni e ardhmja jonë. Ju jeni fëmijët tanë. Unë lutem për ju. Unë lutëm për çdo gjë shqiptare. Ju dua me gjithë zemër! Rroftë Shqipëria! Zoti i bekoftë shqiptarët!
Përshëndetën protestën, Joe DioGuardi, nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, Kryetari i Lëvizjes së Legalitetit për Amerikën Hakik Mena, zv/presidenti i Shoqatës Rrënjët Shqiptare, Dorjan Nasto etj. Përmes megafonit përcolli zërin e protestës çame veprimtari Sali Bollati, Endri Merxhushi, Nazo Veliu e shumë çamë të tjerë të pranishëm në protestë.
Nëpër rrjete sociale dhe website gazetash, protesta u akuzua se nuk kishte përfaqësues nga besimtarët orthodoksë. Natyrisht që kjo nuk qëndron, jo vetëm se aty kishte të atillë, madje përfaqësues dinjitoz si shkrimtari Naum Prifti, regjisori Dhimitër Ismaili, zv/Presidenti i Rrënjëve Shqiptare Dorian Nasto e të tjerë, por edhe për faktin se aty ishte edhe kryepeshop Noli me shiqptarët e Amerikës në çastkrijimin e Kishës Ortodkse, shiheni fotografinë grupore, aty ishte dhe bashkthemeluesi i kishës Orthodokse Kristo Kirka (dhe bashkëthemelues të Vatrës), aty ishin edhe Kristo Dako, Kristo Floqi, Kolë Tromara, aty ishte edhe i pavdekshmi Petro Nini Luarasi, shpirti i të cilit ende thërret:”Vramëni, po mblidhmani gjakun se do tu duhet fëmijëve të shkruajnë gjuhën shqipe”!- aty ishte Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, aty ishte,… aty ishin të gjithë martirët e helmuar nga Kisha Greke (Lumë martirët, na mëson Ungjilli(Citim: A Shehu). Aty ishin…Nuk i patë? Aty ishin edhe ata….! Kush nuk i pa, e ka fajin vetë!
Një kujtesë për kritizerët e kësaj protestë: A mund të më sqarojë ndokush prej tyre se çfarë ka dashë Numri 1 I Federatës Panhelenike të Amerikës, antishqiptari I deklaruar, Nikolas Geijxh në ceremonitë e tre nga katër nderimet , që i janë bërë Hirësisë së Tij Janullatos?(Botuar ne Diellin e printuar, Janar 2014)
PËRFUNDOI NE NJU JORK TAKIMI MES ORGANIZATORËVE TË PROTESTËS ME PËRFAQËSUESIT E KRYEPESHKOPIT JANULLATOS
* PROTESTA ZHVILLOHET SONTE, 28 JANAR 2014, NE OREN 5 e 30 /
* Takimi u organizua në zyrat e ansambleistit të shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj. Në takim kishin ardhë Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korcës Joan Pelushi, Jim Liolin, Lu Fundos, Tom Beno etj./
*Marko Kepi per DIELLIN: Ne protestojme qe ne krye te Kishes Ortodokse Autoqefale te Shqiperise, te vije nje Kryepeshkop si Joan Pelushi, me gjak, gjuhe, nenshtetesi e Kombesi Shqiptare! Uroj qe kjo dite dite te vije shpejt!/
Nga Dalip GRECA/
Të hënën në mbrëmje të datës 27 Janar 2014 u bë një takim në zyrën e ansambelistit të shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullatos. Ky takim ishte propozuar nga z. L Fundos gjatë takimit të së shtunës të zhvilluar në Shtëpinë e Vatrës. Kishte ardhë në këtë takim Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korcës bishop Joan Pelushi si dhe shoqëruesit e tyre. Drejtues i këtij takimi ishte asambleisti Mark Gjonaj, i cili prezantoi disa nga shqetësimet e komunitetit shqiptar dhe protestën e tyre.Takimi vazhdoi qetë me pyetje dhe përgjigje nga të dy palët. Bishop Nikoni bëri një ekspoze të Kishës Orthodokse Shqiptare dhe punët lavdëruese që ka bërë Kryepeshkopi Janullatos në ngritjen e Kishës ortodokse shqiptare. Ai argumentoi se Hirësia e Tij është tashmë i pranuar nga besimtarët ortodoks të gjithë Shqipërisë dhe këtu nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës dhe ortodoksit shqiptarë. Hirësia është një personalitet i njohur dhe ka bërë shumë për Kishën Ortodokse shqiptare dhe është i vlerësuar në botë. Ai tha se e shihte të pavend protesën që bëjnë shqiptarët e Nju Jorkut dhe kërkoi të dinte arsye: Përse po protestoni?- pyeti ai. Nuk na nderoni kështu! Ja unë që përfaqësoj ortodoksët shqiptarë të Amerikës jam këtu. Atëhere në emër të kujt protestoni ju? Të ortodoksëve jo. Ai këshilloi që të hiqnin dorë nga kjo pretestë sepse bëhet në kohë të papërshtatshme dhe në vend të gabuar.
Presidenti i Shoqatës Rinore”Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi parashtroi shqetësimet që i kanë detyruar disa nga organizatat që t’i bashkohen kësaj proteste. Ai rënditi probleme të tilla si: Fortulumturia e tij erdhi si eksark për rorganizimin e Kishës ortodokse jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i kishës Autoqefale të Shqipërisë e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e Kombësi shqiptare. Po ashtu ai ngriti problemin e ndryshimit të arkitekturës së Kishave të ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit,krejtësisht me stilin e kishave greke, kritikoi qëndrimin e Hirësisë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për mospërkrahjen e popullsisë came dhe refuzimin e Lutjes për viktimat; nuk njeh genocidin grek mbi Camërinë etj.
Metropoliti i Korcës Joan Pelushi mbajti pjesën kryesore të debatit. Me njohuri të thella teologjike ai u përpoq të sillte informacion të gjërë rreth funksionimit të Kishës Ortodokse, të konceptit të Autoqefalisë, solli shembuj, fakte, shifra nga puna e madhe e Kryepeshkopit Janullatos në Krye të Kishës etj. Sa për nenin 16 të Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare të vitit 1929, ai mbrojti pikëpamjen se Statuti nuk është i pandryshueshëm. Ai i këshlloi përfaqsuesit e protestës që ajo të mos bëhet dhe ajo nuk i nderon shqiptarët e Amerikës. Kryepeshkopi , tha se me këtë vlerësim që i bëhet Hirësisë së Tij, nderohet Kisha shqiptare, ortodoksizmi në Shqipëri. Ne duhet të krenohemi me këtë, jo të protestojmë. Mitropoliti Pelushi tregoji dhe vështirësitë e Kishës , mungesën e prifëtrinjëve, mundimin që duhet për të përgatitur një peshkop etj.Ai solli fakte dhe detaje nga gjendja e sotme që ka Kisha Ortodkse Shqiptare dhe bëri krahasime edhe me fetë e tjera.
Puna që ka bërë Hirësia e Tij Janullatos është e jashtëzakonshme, tha Mitropoliti. Pse po protestoni- shfaqi ai habinë e tij dhe shtoi: Aty do të ngrihet flamuri shqiptar, ai amerikan dhe i Universitetit Fordham. Ju jeni kundër? Pse?
Zef Balaj shfaqi opinionin e tij dhe argumentoi pse janë të pakënaqur shqiptarët me Janullatosin në Krye të Kishës Autoqefale Shqiptare.Ai përmendi Kombësinë e Kryepeshkopit, përkohshmërinë e misionit të Tij dhe të tjera shqetësime që janë objekt i protestës.
Nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, tha se Vatra e mbështet protestën. Pasi vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse krahas besimeve të tjera, ai shfaqi rezervat e Vatrës për qëndrimin e Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës Autoqefale. Kur statuti e kërkon prerazi se në krye duhet të jetë një Kryepeshkop me gjuhë, nënshtetësi e Kombësi shqiptare, ai duhej të kishte kryer misionin që mori përsipër në ringritjen e kishës dhe të shkonte. Edhe mënyra se si e mori e fronin me kundërshtime gjatë ceremonisë, Vatra mendon se ishte një arsye që ai nuk duhej të bëhej Krypeshkop, përderisa kishte zëra kundërshtues. Vidio me pamje nga marrja e fronit vazhdon e qarkullon në internet. Hirësia e Tij ka bërë pak për përgatitjen e kuadrit drejtues të Kishës. Janë 22 vjet dhe Kisha Ortodokse mbanë sërish në krye një njeri që nuk është me Kombësi shqiptare. Ai erdhi nga Kisha Greke, ku kisha dhe shteti janë bashkë, ndërsa në Shqipëri jo. Përderisa ka mospajtime të Kishës Greke me atë shqiptare dhe e djeshmja e tyre ka qenë një luftë e ashpër, në fronin e Kishës shqiptare duhej të ishte një shqiptar. Nuk pati kohë Hirësia të përgatiste një pasues shqiptar? Ishte ironike e tallëse përgjigja e tij për përkohshmërinë e Misionit: Ne të gjithë jemi të përkohshëm në këtë Botë?
Vatra nuk mund të pajtohet me faktin e injorimit të Ikonës së Kishës Autoqefale ortodokse Shqiptare, Imzot Fan S Noli, edhe pse Mitropoliti tha se ai kishte bërë shumë për Imzot Nolin.
z. Bushati tha se Vatra është për harmoninë fetare dhe e vlerëson këtë si faktor kryesor në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë.
Nuk dukej se pozicionet mes dy palëve ndryshuan edhe pas 2 orë e gjysëm debat. Takimi përfundoi në orën 10 e 30 të darkës. Përfundimisht Marko Kepi, drejtuesi i protestës falenderoi për takimin, por nuk u tërhoq nga organizimi i kësaj proteste për të cilën të Hënën ishte marrë edhe leja nga Policia dhe Autoritetet e Sigurimit të Universitetit.Ai e uroi Metropolitin e Korces Joan Pelushin. Ndersa per gazeten Dielli, Kepi, u shpreh: Ne protestojmë që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë , të vijë një Kryepeshkop, ja psh si Joan Pelushi, me gjak, gjuhë, nënshtetësi e Kombësi Shqiptare! Uroj që kjo ditë të vijë shpejt!
U MBLODH KOMISIONI I ORGANIZIMIT TË PROTESTËS KUNDËR KRYEPESHKOPIT JANULLATOS
Nga Dalip GRECA/
New York, 26 Janar 2014.
Të shtunën me 26 Janar 2014, në mbrëmje në mjediset e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në Bronx.Takimin e ka drejtuar presidenti i shoqatës rinore shqiptaro-amerikane ”Rrënjët Shqiptare”, Marko Kepi. Gjatë takimit u diskutuan modalitetet e protestës, parullat në pankarta, argumentet se përse bëhet kjo protestë, pyetjet që mund t’i bëhen nëse realizohej një takim me Kryepeshkopin etj. Në takim, pasi kishte një orë që kishin filluar diskutimet, erdhi me dëshirën e tij, një nga mbështetësit e Hirësisë së Tij Janullatos z. L Fundos. Ai kërkoi mirëkuptim dhe u tregoi organizatorëve se Fortlumturia e tij ka bërë shumë për Kishën shqiptare, e ngriti atë prej rrënimit të diktaturës, u tregoi se ai ka ndërtuar shumë kisha të reja dhe ka rinovuar të tjerat, se ai nuk e ka cënuar Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare, se nuk është antishqiptar etj etj. Z. Fundos u propozoi një takim organizatorëve me Kryepeshkopin para se të organizohet protesta, pra të Hënën, pas marrjes se lejes nga Policia,( për lejen ofroi ndihmën e tij ish kongresisti Republikan, Presidenti vullnetar i Liges Shqiptaro-Amerikane Joe DioGuardi).
Vatra gjykoi se ky takim nuk zgjidh problemin, për arsyen e thjeshtë se Janullatos do të mbrojë pikëpamjet e veta dhe komuniteti ka qëndrimet e veta në favor të Kishës Autoqefale, vepër e patriotëve shqiptarë ortodoksë.
Në thelb të protestës ishte kundërshtimi i komunitetit shqiptar të Amerikës ndaj Kryepeshkopit grek të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili në kundërshtim me Statusin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë e ka uzurpuar atë. Për organizatorët Janullatos ka punuar për helenizimin e Kishës Autoqefale dhe në kundërshtim me nderimin, që i bëhet në Fordham University, nuk i ka shërbyer afrimit të dy popujve, përkundrazi. Ai ishte kundër intervenimit të NATOS në Kosovë gjatë gjenocidit Serb( për sqarim të lexuesit: Janullatos ka dalë publikisht kundër ndërhyrjes ushtarake/ humanitare të NATO-s për shpëtimin e popullsisë së Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimi etnik serb,- edhe pse propoganduesit e tij kanë shkruar edhe në shtypin amerikan se ai udhëhoqi fushatën e ndihmave për kosovarët që erdhën në Shqipëri gjatë spastrimit etnik të Millosheviçit), se ai e injoron dhe nuk e njeh çështjen çame, në kundërshtim me klerikët e besimeve të tjera- nuk pranoi të ngrejë meshë për viktimat e genocidit grek kundër çamëve (e thënë shqip: ka refuzuar që të bashkohet me krerët shqiptarë të besimeve të tjera në lutje për shpirtrat e viktimave çame të gjenocidit grek), shpesh është parë më ultranacionalistë grekë që kanë ardhur në Shqipëri(shtypi i Tiranes), duke dhënë shenja se është për Vorio-Epirin. Po ashtu ai duke sponsorizuar ndërtimin e Kishave ortodokse i ka larguar ato nga trashëgimia e Kishës tradicionale Ortodokse Shqiptare, duke sjellë arkitektuarë bizantine dhe ikonografi helene. Mjafton krahasimi i dy kishave ortodokse të sotme në Korçë me fotografitë e ndërtesave të para viteve 1967, dhe shihet ndryshimi. Po ashtu meshimi në shumicë në gjuhën greke, përbën një tjetër shqetësim të komunitetit shqiptar. Injorimi i figurës së arkitetktit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Imzot Nolit është një tjetër pakënaqësi që komuniteti shqiptar i Amerikës ka ndaj Janullatosit.
LETRAT PUBLIKE PËR PRESIDENTIN JOSEPH McSHANE
Shqiptarët e këtushëm paralajmëruan mospajtim me vendimin e Universitetit për ta nderuar kreun grek të Kishës Shqiptare me një titull honorifik. Të parët që paralajmëruan protestë kanë qenë anëtarët e organizatës rinore “Rrënjët Shqiptare”, të cilët i kanë dërguar edhe një letër të hapur z. Joseph McShane, S.J., Presidentit të Universitetit Fordham (Shih në faqen 7). Përmes Letrës publike , Rrënjët Shqiptare, kanë shprehë pakënaqësinë e komunitetit shqiptar dhe shfaqin habinë se si universiteti ka rezervuar çmimin e lartë për një njeri që nuk i shërben paqes dhe harmonisë, përkundrazi ai nën postin e lartë të kryepeshkopit i ka shërbyer helenizimit të Shqipërisë dhe veçanërisht asaj të Jugut, duke punuar nën rrogoz për Vorio-Epirin. Sipas letërshkruesëve, ai meshon në gjuhën greke duke diskrimuar gjuhën shqipe.Sipas Rrënjëve Shqiptare, kreu grek i KishësOrtodokse Shqiptare nuk ka bërë asgjë për të afruar marrdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Greqisë, përkundrazi dy vendet duket se janë më larg se kurrë,- ku si mur ndarës qëndron hija e Ligjit famkeq të Luftës, që nuk është aministuar nga parlamenti Grek. Asnjë kontribut nuk ka dhënë në këtë drejtim Hirësia e tij, që ka mbrojtjen, përkrahjen e Kishës dhe Qeverisë Greke. Më pas në letrën e Albanian Roots tregohen detaje nga gjenocidi i ushtruar nga shteti grek ndaj çamëve, të cilët edhe pse dikur ishin shtetas grek, janë të zhveshur nga e drejta e pronës dhe e kthimit në shtëpitë e tyre, ku kanë varret e prindërve, gjyshërve, dhe Janullatos nuk e njeh këtë gjenocid.Të rinjët shqiptarë në letrën e tyre e cilësojnë kryepeshkopin grek të Shqipërisë një ”Kalë Troje”.
Edhe studentët shqiptarë që studiojnë në Fordham University, dhe ata që kanë studiuar atje, kanë reaguar përmes një letre që i dërguan presidentit të këtij universiteti, z. Joseph McShane, S.J(Shih Dielli online). Studentët me prejardhje shqiptare të këtij universiteti shkruajnë se përfaqësojnë katër besime fetare kryesore në Shqipëri; katolik, Kristian ortodoks, sunitë dhe shiitë, dhe janë për marrdhënie miqësie mes dy popujve të lashtë të Ballkanit, shqiptarëve dhe grekëve. Por, siç shprehen ata, Kryepeshkopi Janullatos, nuk mëshiron vlerat më të çmuara të Shqipërisë, sidomos harmoninë ndërfetare.
Ata rëndisin një sërë faktesh që tregojnë se në misionin e tij në Shqipëri, Kryeposhkopi, po e largon Kishën Ortodokse Shqiptare nga të qënurit Autoqefale, e pavarur dhe po e orienton drejt armikes së saj shekullore, Kishës Greke.
Edhe Federata panshqiptare e Amerikës VATRA, është pozicionuar në kundërshtim të hapur me Kryepeshkopin me origjinë e kombësi greke, Anastas Janullatos. Ky pozicion i Vatrës buron nga Shkelja e Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, miratuar nga Kongresi i Beratit , që zhvilloi punimet nga 10 deri më 19 shtator 1922, Kongres që njihet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Pikërisht në nenin 16 të Statutit të miratuar më 1929, është sanksionuar kërkesa themelore, ku udhëheqësi i Kishës duhet të jetë , prej gjaku, gjuhe, kombësie dhe nënshtetësie- shqiptare”. Ky statut ka marrë edhe miratimin e Patriarkanës së Stambollit më 1937(Në ballafaqimin e dytë Mitropoliti Pelushi e quajti gjë të vjetër Statutin) . Pikërisht kjo kërkesë është shkelur nga Janullatos dhe prej atyre që e sollën atë në fron, duke shkelur mbi gjakun e prelatëve të Kishës Ortodokse Shqiptare të masakruar nga Kisha Ortodokse Greke. Vatra që në krye të ardhjes së Janullatosit ka qenë kundër dhe e ka shprehur publikisht mospajtimin e saj. Madje edhe 13 vite të shkuara ishte Vatra ajo që organizoi një protestë të ashpër ndaj dekorimit të Janullatosit në New York. Protesta u organizuar me 17 shkurt 2001 përballë Hotelit Hilton. Me parulla të hapura” Janullatos, uzurpator i Kishës Autoqefale shqiptare”, “primat i kishës shqiptar duhet të jetë me gjuhë e gjak Shqiptar”, “Janullatos go Home”!- u shoqërua banketi i shtruar për Janullatosin në Hilton Hotel, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Kishës shqiptare të Amerikës, që ngritën dolli me Hirësinë!Vatra ka kritika të ashpra ndaj mohimit të rolit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Hirësia e Tij e ka injoruar Nolin, simbolin e Kishës Autoqefale.
Flamuri i aneksimit te Shqiperise ne Dervican ne prani te Janullatosit
Në Derviçan shpaloset Flamuri i Aneksimit të Jugut të Shqipërisë, i pranishëm edhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos/
Nga Arben LLALLA/
Kur ofrova për lexuesit të dhëna rreth origjinës nga Çamëria të kryepeshkopit të Shqipërisë z.Anastas Janullatosit kisha parasysh rrënjët e tij të gjakut shqiptar, por jo ndërgjegjen e tij kombëtare.
Sot do të sjellim fotografitë ku shihen qartë ngritja e flamurit për Aneksimin e Jugut të Shqipërisë (Autonomis së Vorio Epriti) në Derviçan më 15 Gusht 2013, në festën e Zonjës së Madhe (Panagias) ku i pranishëm ishte edhe kryepeshkopi i Shqipërisë z.Anasasios. Besoj se hirësia e tij Anastasios nuk do të mohojë pjesëmarrjen e tij gjatë shpalosjeve të simboleve antishqiptare që provokojnë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë.
Më 15 Gusht 2013 në sheshin e fshatit Derviçan gjatë festës fetare dhjetra të rinjë kishin veshur bluze me simbolet të ushtrisë së andartëve grek që kanë kryer masakra mbi popullsinë shqiptare në vitin 1914 dhe shpallën shkëputjen e jugut të Shqipërisë duke krijuar një qeveri fantazmë me ministra të ardhur nga Athina.
Tolerimi i shtetit shqiptar ka bërë që në fshatrat ku jeton minoriteti grek të zhvillohen aktivitete antishqiptare që bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe nëse ne reagojmë grekët do na të ngrenë akuza pa argumenta si nacionalistë. Kjo është metodë klasike për tu kyçur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.
Siç duket afrimi i 100 vjetorit të shpalljes së Auronomisë së Vorio Epirit (17 Shkurt 19142014), ka ndezur zemrat dhe shpirtrat e disa minoritarëve grek që nuk duan fqinjësinë e dy vendeve por acarimin e tyre duke zhvilluar aktivitete të ndryshme antishqiptare në territorit e Shqipërisë. Nuk është hera e parë që grekët e sotëm i çojnë të vdekurit e mëdhenj prej varrit që ti shfrytëzojnë për nevojat e veta, duke i treguar kështu në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë. Sëmundja greke për një aneksim të jugut të Shqipërisë, për një autonomi politike nuk janë ndjenjat anë të jashtme të tyre. Ato i kanë rrënjët në vetëdije dhe në nënvedije, në mentalitet, në dëshira e pasione, ku të shprehura, ku të pashprehura, të realizueshme e të parealizueshme, ato vijnë prej thellësive të historisë njerëzore për të dalë në sipërfaqe në momente të caktuara.
Vërej: Pas botimeve të dy studimeve të mia në lidhje për origjinën shqiptare të kryetarit të Greqisë z.Karlos Papulia dhe të kryepeshkopit të Shqipërisë z.Anastas Janullatosit, ka patur disa reagime të publicistëve grek në gazetat e printuara dhe elektronike, por unë do ti këshilloja që të reagonin me kundër argumenta dy personalitetet me ndërgjegje kombëtare greke z.Papulia dhe z.Janullatos për origjinat e tyre shqiptare, pra atë të gjakut dhe jo të reagojnë disa papagaj që vetëm çirren me akuza politike.
(Ne Foto: Te rinjte ne Dervican me flamurin e pavaresise se jugut te shqiperise, 15 gusht)