
Përmes një shkrimi autorial, patrioti i njohur shqiptaro – amerikan Jim Xhema ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin tij të lartë për angazhimin për më shumë se tri dekada të Senatorit Bob Dole, për çështjen e shqiptarëve të Kosovës. ‘’Senatori Dole është një patriot amerikan i cili ka fituar respektin më të madh nga shqiptarët në të gjithë botën, në veçanti nga shqiptarët e Kosovës. Pa Senatorin Dole, Kosova nuk do të ishte e pavarur sot’’ ka theksuar Xhema.

Kjo mirënjohje për kontributin e senatorit Dole, vjen në datëlindjen e tij të 98-të. Xhema në këtë shkrim autorial kujton angazhimin e senatorit Dole për të parandaluar agresionin serb, duke i dhënë drejtim ndërtimit të paqes dhe pavarësisë për Kosovën si një shtet sovran. Ai ka përmendur tri veprime kryesore, të cilat e bëjnë të veçantë kontributin e Senatorit Dole për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

- Vizita e tij në gusht të vitit 1990, i hapi sytë e bashkësisë ndërkombëtare për abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit duke sjellë edhe ‘’Vërejtjen e Krishtlindjes’’ të Presidentit George W. Bush më 1992.
- Mbështetja që Dole siguroi në Senat për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s
- Kundërshtimi i fuqishëm i Senatorit Dole, për ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve dhe kërcënimet për tërheqjen e forcave ushtarake të SHBA-ve nga Bondsteel.