• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROFESOR AGANI, AKADEMIK GAZMEND ZAJMI DHE ZEKERIA CANA…

December 22, 2022 by s p

Nga Jusuf BUXHOVI/

Rruga e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe dokumentet partiake (nga idetë e deri te formulimet programore) pa mëdyshje lidhet edhe me rolin e disa personaliteteve të kohës, ndër të cilët gjithsesi duhet përmendur profesor Fehmi Aganin, akademik Gazmend Zajmin dhe historianin Zekeria Cana.

Kjo treshe intelektuale, u kyç në nismën për hartimin e programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përputhje me konceptin e kërkesave: liri, demokraci dhe barazi, që njëherësh shfaqej edhe platformë e ndryshimeve që kishin përfshirë vendet e ish diktaturës komuniste në rrugën e tyre kah bota perëndimore. Në rrethanat e ish Jugosllavisë, kur tranzicioni, nga udhëheqja e Beogradit kamuflohej me pretendimet që Jugosllavia e Titos të transformohej në një shtet unitar nën mbikëqyrjen e Serbisë, që praktikisht ia hapte rrugën afrisë kah Lindja, formulimet për liri, demokraci dhe barazi nga një parti politike nga shqiptarët e Kosovës, që kishin humbur autonominë dhe statusin e njësisë federative që e kishin me kushtetutën e vitit 1974, kishin rëndësi të veçantë. Meqë me anën e tyre mund të arriheshin dy parametra historik: shkëputja nga ideologjia komuniste, ku ata ishin futur me dhunë nga viti 1944 e këndej, si dhe çlirimi nga tutela e Serbisë, ku ishin rikthyer dhunshëm më 23 mars 1989, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, që nga shqiptarët, me të drejtë, përjetohej një ripushtim tjetër mbas atij të vitit 1944.

Kështu, në parametrat e këtij misioni historik, akademik Gazmend Zajmi, ishte referencë e çfarëdo formulimi të kërkesave kushtetuese, siç ishte formula se “Kosova duhet të ketë statusin e subjektit të barabartë në federatën e Jugosllavisë”, që do të zërë vendin në programin e LDK-së. Sepse, sipas akademik Zajmit avansimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë, pra barazimi i plotë me njësitë tjera jashtë statutit dual që e kishte, përjashtonte çfarëdo lidhjeje me Serbinë, siç linte të hapur mundësinë që juridikisht pozita e subjektit të barabartë të fitonte edhe legjitimitet politik dhe ndërkombëtar njëherësh, jashtë anatemës së “rrënimit të Jugosllavisë”, që e lansonte Serbia. Mbi këtë koncept akademik Zajmi u angazhua që këtij procesi t’i përgatitej edhe infrastruktura e legjitimitetit demokratik siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për Pavarësi i shtatorit 1991.

Profesor Fehmi Agani, nuk ishte i druajtur si akademik Gazmend Zajmi, që kërkonte të mbetje përherë i pavërejtur. Përkundrazi, “profesori” siç e thërrisnin të gjithë, gëzonte një autorit thuajse në të gjitha qarqet intelektuale dhe shkencore. Afërsia e tij që të bashkëbisedojë me të gjithë, prirja që të dëgjojë me vëmendje dhe të këshillojë me mençuri, ia kishin krijuar oreolin e një autoriteti, që ishte i pakapërcyeshëm në rrethanat kur nga sjellja intelektuale dhe mençuria varej ajo me qenë ose mos me qenë. Andaj, ishte e natyrshme që edhe themelimi i partisë së re ta përfshinte profesor Aganin, ku ai punoi me përkushtim jo vetëm në fazën e themelimit të “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, por edhe në atë transformimit të saj nga një parti në Lëvizje Kombëtare, çfarë në të vërtetë do të bëhet pas dy-tre muajve me mbi 700 mijë anëtarë. Me mençurinë që t’u qaset problemeve edhe më të rënda, me aftësinë politike që t’i bashkojë të gjithë, madje edhe kundërshtarët e deridjeshëm, me durimin që të majtën ekstreme ta inkorporojë në lëvizje si dhe këshillat “rebeluesve” që kërkonin me çdo kusht luftë të parakohshme për t’iu kundërvënë represionit serb, që do të kishte pasoja fatale në ato rrethana pa miq nga jashtë dhe mbështetje ndërkombëtare, profesor Agani u bë dorë e djathtë e presidentit Rugova. Përkundër përpjekjeve të grupeve të ndryshme që nuk e donin këtë nga shkaku i fuqisë dhe shkathtësisë së tij politike, Agani mori përsipër çështjet kyçe politike dhe diplomatike, nga shteti paralel e deri te misionet diplomatike çfarë ishin bisedimet për arsimin me Beogradin dhe të tjerat që dolën në pah pas Dejtonit dhe daljes në skenë të UÇK-së në vitin 1997, kur rezistenca e armatosur duhej të kthehej në mjet të politikës , siç ndodhi në Rambuje.

Natyrisht se profesor Agani, nuk ia doli të përjetojë çlirimin e Kosovës. U vra nga forcat serbe gjatë kohës së fushatës së bombardimeve. Me siguri se me profesor Aganin, rrjedha e shumë ngjarjeve politike gjatë protektoratit dhe veçmas procesi i shpalljes së shtetit të pavarur do të ishte edhe më i kompletuar. Madje, edhe LDK-ja në rrethanat e pluralizmit politik çarë solli protektorati ndërkombëtar, do ta ruante kursin dhe drejtpeshimin politik, që e humbi mbas vdekjes së Rugovës. Por, puna dhe vepra e tij, mbesin në oltarin e historisë së LDK-së, po edhe të shtetformimit në përgjithësi si vlera të përhershme.

Edhe profesor Zekeria Cana pati merita të mëdha për themelimin e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Si pjesëtar i grupit nismëtar, profesor Cana, u angazhua me përkushtim që të jetë sa më përfshirës në planin intelektual, ndonëse në të njëjtën kohë kryente edhe punën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore që ishte themeluar kohë më parë dhe po vepronte me të madhe për mbledhjen e të dhënave që regjimi serb ushtronte ndaj shqiptarëve, jo vetëm me masat e aparhejdit, po edhe me instalimin e regjimit policor-ushtarak në Kosovës, që po ia përgatiste hapësirën fushatës së spastrimit etnik të Kosovës në përputhje me programet hegjemoniste të së kaluarës, që Millosheviqi kishte filluar t’i jetësonte.

Filed Under: Kronike Tagged With: Jusuf Buxhovi

DINASTIA E NEMANJAJVE DHE RASHA – PJESË E TRASHËGIMISË ILIRE-DARDANE

September 11, 2022 by s p

Jusuf Buxhovi/

Përqendrimi te Dardanët si popull – shtrirja e të cilëve vërehet në kohën parahistorike dhe vazhdon në atë historike në një hapësirën euro-aziatike (nga Iliriku në Trojë e deri te mbretëria Hitite dhe Bryge), dhe te Dardania – si mbretëri nga shekulli IV para erës sonë deri te shekulli I i erës sonë, ka për qëllim që korniza e deritanishme historike të thellohet pikërisht mbi faktorët që pamjen e saj e plotësojnë duke e nxjerrë në një dritë të re në përputhje me rolin dhe rëndësinë që kishte në kuadër të zhvillimeve shoqërore, politike dhe kulturore. Ky kundrim, në njërën anë, dimensionit të faktorit dardan në antikitet ia rikthen rëndësinë që kishte në kuadër të asaj që nga autorët antikë shihej “Illyrii ethnoi”(etnia ilire – si një etni e përbashkët e fiseve të ndryshme) dhe në tjetrën anë, konfirmon rolin e Mbretërisë së Dardanisë, në kuadër të mbretërive të kohës (Maqedonisë, Pajonisë, të Taulantëve, Molosëve e të tjerave ilire) që luftonin mes vete për hegjemoni. Ndër këto lufta të ndërsjella, pa përjashtuar këtu edhe aleancat me kundërshtarin e tyre kryesor – Romën, gjithsesi ato midis Mbretërisë së Dardanisë dhe të Mbretërisë së Maqedonisë janë më të gjatat dhe më domethënëse, ngaqë shpalosin raportet midis fiseve-mbretëri që ishin model i botës ilire-trake dhe të helenizmit, që për pak kohë e jetësoi Aleksandri i Madh në nivelin e një perandorie botërore. Ndonëse kjo e dyta ishte jetëshkurtër, megjithatë la gjurmë të thella në konceptin e perandorisë së Romës dhe të asaj të Bizantit, në të cilën, nga mesi i shekullit të dytë para erës sonë e deri në mesjetën e vonshme, në kuadër të “Illyrii proprie ditci” (Provinsës së Ilirikut), u përfshi edhe Dardania.

Në përputhje me këtë realitet, faktori dardan në kuadër të “Illyri proprie dicti”, edhe në rrethanat e statusit të qytetarisë romane dhe atij bizantin (romaios), vazhdoi njësoj të jetë i pranishëm në dinamikën e ngjarjeve dhe të proceseve shoqërore edhe politike, ndonëse në role të ndryshme. Me statusin e qytetarisë romane dhe më vonë me atë të qytetarisë bizantine (romaias), Dardanët përfshihen në strukturat qeverisëse dhe vetëqeverisëse, në ato administrative dhe ato ushtarake deri në nivelet më të larta, prej nga edhe si cesarë do të drejtojnë Perandorinë.

Natyrisht se i ashtuquajturi “akomodim” tejet i suksesshëm në Perandorinë Romake, shpeshherë i shpjeguar njëanshëm, nuk do të ishte i tillë pa faktorët që e kushtëzuan atë, në radhë të parë ai etnik, që u pasqyrua nëpërmes strukturave administrative autonome në të cilat u përfshi provinca e Ilirikut me rëndësinë e saj tepër të madhe për mbajtjen e baraspeshës Lindje-Perëndim, ku do të përqendrohet i gjithë sistemi ushtarak i Perandorisë bashkë me konceptin mbrojtës kundër depërtimeve të barbarëve nga lindja (Hunëve, Avarëve dhe Sllavëve).

Identiteti autonom administrativ dhe fuqia ushtarake në rrethanat e “pax romanum” dhe ato kur nga shekulli III pas erës sonë me dekretin e perandorit Karakalla do të fitohet statusi i qytetarisë romake (civius romanus), qenë faktorët kryesor që Perandorisë i mundësuan përballimin e krizave me të cilat ajo u ndesh nga shekulli II e këndej pas erës sonë. Në këtë vorbull ngjarjesh Ilirikut do t’i shtohet rëndësia, madje edhe atëherë, kur në shekullin V të erës sonë, nga sulmet e barbarëve (paganëve), rrënohet pjesa Perëndimore e Perandorisë (Roma), në themelet e saj do të qëndrojë Perandoria Lindore – Bizanti. Do të jenë peran-dorët ilir-dardanë (Teodosi dhe veçmas Diokleciani, Kostandini i Madh dhe Justiniani), të cilët, duke u mbështetur te Iliriku dhe faktori ushtarak dhe te ai shoqëror e politik, në përballje me krizat dhe sfidat e vazhdueshme nga sulmet e barbarëve (paganëve) nga veri-lindja dhe ato arabe dhe turke nga jug-lindja, ia hapën rrugën kapitullit të ri perandorak – Bizantit, që edhe për dhjetë shekujt e ardhshëm e mbajtën atë gjallë.

Këtu dhe te kjo çështje ka mbështetjen qëndrimi se për Dardanët dhe në përgjithësi Ilirët, Bizanti nuk ishte i huaj, siç shihet nga klishetë e njohura historiografike të shekullit të kaluar dhe ato të tanishme me ngjyrime ideologjike. Por, Bizanti ishte edhe pjesë e mendësisë së tyre, e vullnetit për ngritje në përputhje me fuqinë që kishin nga koha e faktorizimit në Perandorinë e Romës kur ia dolën që ta qeverisin dhe madje edhe ta drejtojnë atë. Pra, në këto rrethana të identifikimit me të dhe fuqinë e saj, Dardanët si gjithë Ilirët, morën pjesë aktive në të gjitha zhvillimet që sollën këtë proces historik deri te pika më e lartë, realitet ky që do të bëjë që Perandoria Lindore të quhet edhe “Bizanti ilir”.

Ndaj, me të drejtë mund të thuhet se në Bizant, edhe në kuadër të statusit të qytetarisë bizantine, ku shkrihej identiteti gjuhësor i popujve të saj shtetformues (latinëve, helenëve dhe ilirëve), kanë burimin tre faktorët me të cilat lidhet identiteti historik ilir-dardan, si bazë e atij Arbëror dhe shqiptar:

– identiteti i vetëqeverisjes vendore,

– identiteti administrativ dhe

– identiteti kishtar.

Identiteti i qeverisjes autonome – ka të bëjë me njësitë e veçanta – civitates, të përhapura në të gjitha qendrat e njohura në Dardani, Maqedoni dhe Epir.

Identiteti administrativ – mbështetet mbi statusin e njësive të veçanta autonome – civitates, të cilat i shërbyen perandorit ilir Dioklecian, që me anën e reformave administrative, Iliriku të kthehet në provincën kryesore lindore mbi të cilën do të mbështetet baraspesha lindje-perëndim e Perandorisë. Kjo rrugë do të vazhdohet nga perandori Konstantin dhe nga Justiniani.

Dhe identiteti kishtar, i ka fillet me pranimin e krishterimit religjion zyrtar nga perandori dardan Konstandini i Madh. Kjo do t’ia ndryshojë karakterin edhe Perandorisë, ngaqë religjioni kthehet në bashkëpjesëmarrës në drejtimin e saj. Ekumenizmi kishtar forconte fuqinë ekumenike në të dy krahët e saj (lindje-perëndim), me ç’rast Iliriku, ndonëse administrativisht i takonte Bizantit, nga pikëpamja kishtare vazhdon të mbetet nën juridiksionin e Selisë së Shenjtë. Perandori Justinian I, me një vendim të veçantë perandorak, lidhi vikariatin e Dardanisë drejtpërdrejt me Selinë e Shenjtë. Qendra e vikariatit u bart nga Thesaloniku në Prima Jusitniana, ku do të qëndrojë gjatë tre shekujve të ardhshëm. Me këtë Dardania u kthye në një qendër shpirtërore, ku lulëzuan artet, kultura dhe krijimtaria e gjerë shpirtërore me një shtrirje të gjerë perandorake.

Këto identitete, në kuadër të konceptit të qytetarisë bizantine, me të cilin doemos se lidhet identiteti i mëtejshëm historik deri te ai arbëror nga shekulli XI e këndej, nuk duhet të shihen të shkëputura nga ideja e Perandorisë së universalizmit botëror, e pasqyrua te Troja, ku Dardanët, nga shumë burime antike, shfaqen si themelues të saj, prej nga pastaj, pas rrënimit të saj, nga fiset dardane Galabrët, Thunatët dhe të tjerët, ajo u bart në Perëndim, me ç’rast u themelua edhe Perandoria e Romës, vizioni i së cilës e udhëhoqi atë për shumë shekuj.

Mund të thuhet se ishte po ky vizion që udhëhoqi edhe Aleksandrin e Maqedonisë deri në Indi. Do të jetë po ky vizion që drejtoi edhe Pirro Molosin drejt Romës. Dhe, sigurisht se i njëjti vizion do t’i shfaqet edhe perandorit Konstandini i Madh, i cili pas njëzet shekujsh, kur ideja e universalizmit botëror do të fillojë të shuhet në Romë, kryeqendrën e vet do ta bartë në Lindje, në Kostandinopojë, afër Trojës, aty ku edhe dikur kishte lindur kjo ide botërore.

Nëse mund të thuhet se Konstandini i Madh me vendosjen e kryeqendrës së Perandorisë në Bizant si dhe me pranimin e krishterimit si një mjet që këtë ide ta fuqizojë me besimin monoteist i cili pas shpërbërjes së sistemit skllavopronar paraqiste mundësinë e fundit dhe të vetme që masat e gjera me iluzionin e botës së përshpirtshme të përfshiheshin në këtë ide botërore, krijoi rrethanat për një kthesë të madhe historike. Megjithatë, do të jetë pikërisht ideja e bizantinizmit, pra fuqizimi jashtë mase i religjionit (ndarja e pushtetit me krishterimin), që do ta rrënojë atë e me këtë do t’u hapë rrugë proceseve të njohura që Perandoria në vend se të ketë një qendër drejtuese botërore, të ndahet në dy sosh: në atë lin-dore dhe perëndimore, e ku ritet (ai katolik dhe ortodoks) do t’ia përcaktojnë karakterin kësaj ndarjeje, që si do të shihet, do të kthehet në një luftë qytetërimesh, të shumtën me pasoja tragjike edhe deri te koha jonë.

Natyrisht se edhe në këtë zhvillim të njohur historik, që nisi në shekullin IV, në kohën e Perandorit Teodosi, me ndarjen administrative të Perandorisë dhe do të legjitimohet në shekullin XI me ndarjen përfundimtare të kishave në atë të ritit lindor (ortodoksisë) me qendër në Kostandinopojës dhe atë të ritit perëndimor (katolicizmit) me Selinë e Shenjtë në Romë, prapë do të jetë Iliriku arenë e drejtpërdrejtë e kësaj ndarjeje, që për aktorë kryesorë dhe aktivë do të ketë barbarët e Lindjes (fillimisht Hunët, pastaj Avarët bashkë me Sllavët dhe së fundit vetëm Sllavët), të cilët ndikuan ndryshimet shoqërore dhe politike që përfshinë Perandorinë nga të dy krahët.

Ndër këto ndryshime, të një natyre që vunë në lëvizje proceset e gjithëmbarshme, gjithsesi janë ato që kanë të bëjnë me përfshirjen e kolonëve të rinj në kuadër të strukturave të qeverisjes vendore (feudeve dhe zhupanive), që zunë të kthehen në bashkësi autonome paralele, një asimetri pushtetesh, që më vonë, ndikuan edhe në dobësimin e Perandorisë dhe edhe në rënien e saj.

Këto zhvillime, të cilat janë të ndërlidhura edhe me procesin e krishterimit të paganëve, në formën e zhupanive, filluan diku nga shek. X, nga pjesa qendrore dhe ajo jugore e Ilirikut (në Zakhumle, Bosnje dhe deri në Diokle), në mënyrë që nga fundi i shekullit XII dhe ai XIII për të vazhduar pastaj me dinasti thuajse të pavarura.

Në këtë konfigurim të rëndësishëm historik, me një pamje dhe rol të veçantë, siç u pa, shfaqet zhupania e Rashës (Rasia) nga dinastia e Nemanjajve, e cila, nga fundi i shekullit XII dhe fillimet e shekullit XIII e deri nga mesi i shekullit XIV shtrihet në pjesën më të madhe të Dardanisë antike, në Maqedoni, Epir si dhe në bregdetin verior të Adriatikut.

Roli dhe pamja e veçantë e Rashës del në pah po qe se nxirret nga kundrimet e deritanishme të historiografisë serbe dhe asaj ruse si “qendër e shtetit mesjetar serb” dhe njëherësh “si qendër e krishterimit ortodoks serb” për t’u bartur te faktori dominues, i cili në Ilirik shfaqet pas rrënimit të mbretërisë bullgare, në vitin 1018 dhe dominimit të saj në pjesën më të madhe të gadishullit nga viti 860. Ndonëse me reformat administrative dhe ato kishtare të perandorit Bazil II (Vasil) në Ilirik,vëmendja e forcimit të pushtetit qendror u përqendrua te krijimi i tri themave të reja (të Nishit, të Dalmacisë dhe Adriatikut, praktikisht, zhupania e Rashës, si strukturë autonome, i hapi rrugë asimetrisë së pushteteve me çka shpejtë u kthye në faktor të rëndësishëm shoqëror dhe politik në qendrën e gadishullit). Kësaj asimetrie i ndihmoi pozicionimi gjeografik (rihapja e rrugës Diokle-Rashë që shpinte nga bregdeti, për në Lindje), si dhe të roli kyç në garën e dy kishave (lindore dhe perëndimore) për ndikim në pjesën, të cilën Kostandinopoja e shihte si “fillim të Lindjes dhe fund të Perëndimit”, ndërsa Roma “si fillim të Perëndimit dhe fund të Lindjes.

Në këtë ndeshje të ashpër disa shekullore për hapësira dhe ndikim shpirtëror dhe politik, Sllavët dhe Bullgarët në njërën anë dhe Rasianët tribalë në anën tjetër, nga çastet e para të krishterimit, do të shfrytëzohen me të madhe nga Kostandinopoja dhe Vatikani për qëllimet e tyre dominuese. Veçimi i Rasianëve nga Sllavët si entitet shoqëror-politik edhe nga perandori Porfyrogenit dhe Oribini madje, nuk është i rastësishëm, por në përputhje me realitetet mesjetare, me ç’rast ata trajtohen si Tribalë – fis ky , që sipas shumë burimeve antike i takojnë botës ilire. Kjo pohohet edhe nga shumë dokumentet të rëndësishme bizantine, veçmas në veprën e perandorit Kantakuzini “Historia e Bizantit”, ku Nemanjajt quhen Tribalë, ndërsa Rasha – Tribalia. Por, Nemanjajt me origjinë Tribalë, ndërsa Rasha si Rascciene, jashtë çfarëdo lidhjeje me me shtetin e imagjinuar serb mesjetar, shihen edhe nga Vatikani, Hungaria dhe pjesa tjetër e botës katolike, dallimin ky që përshkon edhe një pjesë të historiografisë serbe.

Pavarësisht pamjes së Rasianëve si Tribalë nga shumë autorë bizantinë, apo si serb, siç konvertohen nga historiografia serbe nga shekulli XIX e këndej, megjithatë, Rasha dhe Nemanjajt, bazuar në dokumentet që u morën në shqyrtim, do të jenë pranishëm në Dardani, pas ndarjes përfundimtare të kishave, më 1054, me çka si hapësira e gjithmbarshme e Ilirikut, edhe ajo e Dardanisë, u kthye në një arenë të ashpër të ndeshjeve të kryqit kundër kryqit, që si u pa Nemanjajt e shfrytëzuan për shtrirjen e tyre hegjemone deri në Epir.

Por, rivaliteti i kishave në Ilirik midis ritit lindor dhe atij perëndimor dhe anasjelltas,që vazhdimisht u përqendrua të faktorët shoqërorë dhe politikë të kohës, ku Nemanjajt ishin ndër protagonistët kryesorë të saj, krahas dimensionit global, kishte edhe dimensionin e rivalitetit brenda vetë ritit lindor, ngaqë kisha ortodokse, ndonëse nën ombrellën e Patrikanës së Kostandinopojës dhe vizionit të shpallur ekumenik, meshën e drejtonte në gjuhën greke dhe në sllavishten e vjetër kishtare (një amallgam i të folmeve të vjetra të mbështetura mbi dialektin e sllavëve të Moravisë, rusishtes dhe bullgarishtes), të drejtuara nga disa kisha (greke, bullgare, ruse dhe së voni edhe ajo rasiane) me qendra të ndryshme, të cilat rëndom u nënshtroheshin rrethanave shoqërore dhe politike, që dilnin nga raportet e luftërave të brendshme ose të jashtme.

Natyrisht se identitetet kishtare lindore ose perëndimore përcaktonin edhe identitetet shoqërore dhe politike, qoftë edhe si të përkohshme si dhe pamjen kulturore brenda tyre, ngaqë kishat, në garën dhe rivalitetin e tyre të vazhdueshëm për hapësirë dhe besimtarë, luanin me kartën e “kurorëzimit”, me ç’rast një zhupani, feudali vendor ose princi, që pretendonte pushtet edhe më të madh, ato i jepeshin sapo të pranonte legjitimitetin e kishës (Selisë së Shenjtë ose Patrikanës së Kostandinopojës). Ky “legjitimitet” kishtar doemos, në planin shoqëror dhe politik kishte pasoja, ngaqë kartat kishtare dhe titujt e tyre u shërbenin si alibi pushtimeve në emër të njërit kryq ndaj tjetrit.

Kështu, nga shekulli X e këndej, në hapësirën dardane të Ilirikut, si më të rëndësishmen e provincës, Selia e Shenjtë, ishte shumë e interesuar që me anën e afrisë dhe lidhjes për vete të formacioneve shoqërore autonome, si formë e asimetrisë së pushteteve, të depërtonte sa më thellë në hapësirën e Bizantit.

Me bula (karta) të tilla do të stolisen edhe disa nga feudalët dhe princat arbërorë nga shekulli X, pikërisht atëherë kur fillojnë shkëputjet e para nga statusi i qytetarisë bizantine romaios i shpërfillur nga të gjithë, zhvillime këto që pamjes shoqërore dhe politike i dhanë pamjen e një mozaiku të çrregulluar që i hapi rrugë procesit të shthurjes së Bizantit.

Gara kishtare për sa më shumë fuqi si dhe rivaliteti shoqëror-politik që u ngrit mbi sfondin e saj, mori përmasat e një lufte të hapur çastin që fryma e ndarjes u kthye në platformë të kryqëzatave të krishtera (tetë sosh nga fundi i shekullit XI deri te XIV), ku si dihet, ajo e katërta, e vitit 1204, kur katolikët pushtuan kryeqendrën e Bizantit dhe shpallën Perandorinë Katolike të Kostandinopojës ndërsa Bizanti deri në vitin 1261 u strehua në Nike. Kjo përmbysje Ilirikun dhe në veçanti hapësirën e Dardanisë, Maqedonisë dhe të Epirit, e ktheu në një arenë ku formacionet autonome shoqërore-politike, që drejtoheshin drejtpërdrejt nga Vatikani ose Kostandinopoja të marrin formën e shteteve autonome. Ndër të tilla, në njërën anë, ishte “Despotati i Epirit” (1204-1262), dhe në tjetrën “Mbretëria e Arbrit” (Regnum Albaniae) e Anzhuve (1272-1286).

Edhe pse këto të dy formacione shoqërore-politike do të përfundojnë si pre e konfrontimeve midis Bizantit dhe Perëndimit, nga shembja e të cilave, si dihet do të përfitojë Rasha Nemanjane që në kohën e Stefan Dushanit (1332-1355) zhupania e saj të krijojë pamjen e një “Ilyirikum Magnum”, megjithatë, u hapën rrugë zhvillimeve që çuan te depërtimet e osmanëve në Ilirik dhe tutje në Perëndim, me çka rivaliteti ndërkishtar, fillimisht legjitimoi logjikën e vasaliteteve të feudeve të krishtera, po edhe të Bizantit (gjatë Paleologëve), për të përfunduar me luftërat e osmanëve me të krishterët, të cilat, në vitin 1453, me rënien e Kostandinopojës,ia hapën rrugën pushtimit gjashtë shekullor osman.

Në këtë zhvillim historik, bota e Arbnit, hyri si edhe të tjerët. Por, me luftërat e Skënderbeut (1444-1468), shteti i Arbrit ishte i vetmi ndër të krishterët e Europës, që për një çerek shekulli, në luftë kundër osmanëve, u rikthye në skenën historike. Fundi i tij i përgjakshëm, megjithatë, nuk i dha fund identitetit historik të atyre që nga robëria gjashtë shekullore dolën si shqiptarë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Jusuf Buxhovi

KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…

August 16, 2022 by s p

-Një përkujtesë e shkurtër nga bisedas e Ibrahim Rugovës me shkrimtarin Kapllan Kallushi gjatë pritjes në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në shtatorin e vitit 1990, me ç’rast Rugova i sugjeroi që 33 vitet e burgut në Jugosllavi dhe Shqipëri t’i shfrytëzojë për të pasqyruar dhunën e diktaturave komuniste në të dy anët si dhe bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy shteteve për ndjekjen e shkrimtarëve nacionalistë shqiptarë dhe të patriotëve të tjerë antikomunistë dhe jo për ngritjen e akuzave ndaj shkrimtarëve, ngaqë amnestohen shkaktarët e vërtetë të tragjedisë personale dhe kolektive!

Jusuf BUXHOVI

Në njërën ndër ditët e nxehta të atij shtatori, në rrugë e sipër për të barakat e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku kishim edhe qendrën e LDK-së, te kafe “Elida” ku rëndom pinim kafen e mëngjesit, Xhemail Mustafa dhe Ramadan Musliu, kishin zënë këndin me një mesoburrë. Sapo u afrova, Xhema me tha se ishte shkrimtari Kapllan Kallushi. Kishte ardhur për ta takuar Ibrahim Rugovën dhe, po ashtu, interesohej për një intervistë në gazetën “Rilindja”.

Takimi i papritur me Kallushin më gëzoi për dy arsye.

E para kishte të bënte me atë se Kallushin e kisha lexuar nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta, kur interesimi im për letërsinë ishte thuajse ushqim i përditshëm shpirtëror. Asokohe, në “Jetën e re”, novelat e Kallushit “Fanola” më kishte fascinuar. Bashkë me të tjerat (Trubadura) ma kishte krijuar përshtypjen e prozatorit më të mirë shqiptarë të kohës. Me tregimet dhe novelat e Demaçit, R. Kelmendit, A. Pashkut, R. Rexhepit, “Jeta e re” ishte kthyer në një mësonjëtore të letërsisë shqipe prej nga shkrimtarët e rinjë (T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramdani, Y. Shkreli e të tjerë), po krijonin modelet e tyre të brendshme, parakusht ky për ngritje letrare.

Arsyeja e dytë, kishte të bënte me atë se, pas gjithë asaj që dihej për ndjekjet dhe përndjekjet e gjata, vitet e burgjeve në Jugosllavi dhe në Shqipëri ( ndonëse në vitin 1965, romanit “Tradhtia”, nga Enver Hoxha në “Zërin e Popullit” ishte auajtur “vepër madhështore”, ndërsa Shoqata e Shkrimtarëve të Shqipërisë e kishte shpallë vepra më e mirë e vitit), rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri, në vitin 1990 ia kishte hapur “dyert e lirisë”, të cilën ai në disa prononcime të shkëputura e quante “vazhdim i diktaturës në rrethanat e reja”, pra “një mashtrim, ku xhelatët e deridjeshëm vazhdojnë t’i ndëshkojnë viktimat e tyre”!

Në të vëretë, takimi i parë dhe i vetëm i Dr. Rugovës me Kapllan Kallushin, u nis dhe u sos te kjo çështje, që Kallushi e shtronte me shumë ngërç, me emocionalitet të mundimshëm, ndërkohë që Rugova përpiqej ta lironte nga ajo që atij i kishte kaluar në fiksim ngulfatës, që si do të shihet do ta kthejë në viktimë të saj, prej nga shkrimtari ndër më të talentuarit e kohës, do t’ia lëshojë vendin hakmarrësit të pandreçshëm që do ta çojë edhe deri te “tradhtia” ndaj vetvetes dhe kauzës mbi të cilën kishte filluar rrugëtimi i tij si shkrimtari shqiptar ndër më premtuesit.

“Është mirë që kohën e burgjeve jugosllave dhe atyre shqiptare ta trajtosh në një vepër letrare gjithëpërfshirëse. Veçmas bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy vendeve kundër ndërgjegjes kombëtare shqiptare… Meqë jeni mjeshtër i pendës, një prozë e tillë do të nxjerrë në pah Gulagun shqiptar… Një vepër e tillë do të arrinte përmasat edhe të veprës së Solzhenjicinit…”

Rugova, disa herë ia përsëriti këto fjalë Kallushit. Po ai, nuk ndalej që nuk ndalej, me akuzat ndaj shkrimtarëve shqiptarë që thoshte se nga xhelozia kishin shpifur dhe e kishin çuar në burg!

“Dua të tregoj se si shkrimtari për shkrimtarin është ujk…”

Rugova i tha se kjo mund të ishte e vërtetë, por gishtin duhej drejtuar nga shkaktarët e zezonës shqiptare dhe njerëzore në pëprgjithësi (diktatura komuniste, ideologjia e saj) dhe jo te viktimat.

“Nuk ishin ata viktima. Ishin pjesë e aparatit policor”, zuri të çirrej Kallushi.

Rugova prapë e ruajti qetësin edhe kur Kallushi ia lëshoi përpara një manuskript, ku tha se gjenden akuzat e shkrimtarit Ismail Kadare kundër tij.

“Bota duhet ta dijë këtë”, tha Kallushi, kur Rugovës iu sosën fjalët dhe e pa se Kallushi ishte në një gjendje të rëndë, që duhej ndihmuar disi.

Në këtë mënyrë përfundoi edhe takimi i parë dhe i vetëm i Kapllan Kallushit me Rugovën. Ky takim, si duket i kishte lënë shije të hidhur, ngaqë e kishte kuptuar se shkrimtari i talentuar Kapllan Kallushi nuk ekzistonte më. Burgjet e gjata, mundimet dhe gjithë ato që e kishin përcjellur, e kishin shndërruar në një urrejtës, mohues dhe vetëmohues…

Po atë ditë, Xhemail Mustafën e këshilloi që bisedën eventuale me Kallushin, për të cilën ai edhe kishte ardhur në Prishtinë, ta lironte nga mllefet dhe traumat e rënda psikike që ia kishin lënë atij vitet e gjata të burgjeve dhe përjetimet e tmerrshme në to…

“Përpiqu që Kallushi të flasë për Gullagun shqiptar… Të tjerat janë të dëmshme për ne dhe për të…”

Intervista e Xhemail Mustafës me Kapllan Kallushin kishte dështuar, pikërisht te kjo çështje, ngaqë Kallushi nuk kishte pranuar të fliste për tjetër pos për “shkrimtarët që e kishin çuar në burg” dhe për të njëjtit “që edhe pas lirimit nga burgu “po e ndiqnin pamëshirshëm me ndihmën e hetuesve të deridjeshëm, prokurorëve dhe gjithë infrastrukturës së dhunës”, të cilët “me rrëfimet e tyre si sigurimca, gjoja rreth bashkëpunëtorëve të sigurimit nga radhët e intelektualëve, ishin kthyer në “vrasëse të lirisë mashtruese”!

….

Filed Under: Opinion Tagged With: Jusuf Buxhovi

RIPUSHTIMI JUGOSLLAV I KOSOVËS DHE REZISTENCA KOMBËTARE

November 9, 2021 by s p

Rishqyrtime historiografike (2)

JUSUF BUXHOVI

Me futjen e brigadave partizane nga Shqipëria në Kosovë, iu hap rruga brigadave partizane jugosllave për ripushtimin e saj. Kjo u kundërshtua nga lëvizja e Rezistencës Kombëtare Shqiptare. – Gjatë shtatorit dhe tetorit, brigadave partizane iu bë rezistencë e fortë nga Ushtria Shqiptare si dhe forcat e tjera patriotike, të cilat vazhduan luftimet edhe pas largimit të Qeverisë së Xhafer Devës nga vendi, më 26 tetor 1944. – Regjimenti IV i Kosovës nga Prishtina nën komandën e kolonel Fuat Dibrës për një muaj iu kundërvu par-tizanëve serbë dhe bullgarë në pjesën lindore. – Njësive të shkëputura të Ushtrisë Shqiptare filluan t’u bashkohen vullnetarët nga radhët e patriotëve të shumtë kundër ripushtimit serb me ç’rast në pjesën e Anamoravës u themelua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar. – Rezistenca Kombëtare Shqiptare kualifikohet “lëvizje e armatosur e reaksionit” dhe “kundërrevolucion”).Jusuf BUXHOVINë Kosovë, në vitet e kthesave të mëdha 1943-1944, krahas realitetit antifashist dhe të shtrirjes së organizimit të tij në vend me anën e Këshillave Nacionalçlirimtare, i cili, pa ndonjë ndikim dhe herë-herë i pavërejtur fare shtrihej jashtë sferave urbane dhe të shumtën ishte i natyrës ilegale, ekzistonte pushteti real i Shtetit Shqiptar. Në planin institucional ai përfshinte jetën shoqërore, administrative, ushtarak dhe politike të vendit në formën e një mekanizmi të përbashkët. Ishte vendosur nga shtatori i vitit 1943, i dalë nga Asambleja Kombëtare, në të cilën pasi ishte shpallur ndarja e Shqipërisë nga Italia, ishte caktuar Këshilli i Lartë i Regjencës me Mehdi Frashërin në krye, që më 5 nëntor kishte emëruar edhe qeverinë shqiptare me kryetar Rexhep Mitrovicën. Në spektrin politik të vendit përfshiheshin forca të ndryshme, të shfaqura gjatë kohës së regjimit të qeverisë së Mustafa Krujës, por aktiviteti i tyre ishte intensifikuar në prag të kapitullimit fashist, në verën e vitit 1943, ku më i fuqishmi shfaqej “Balli Kombëtar”, i ndjekur edhe nga “Legaliteti”. Meqë ballistët si forca më e përhapur dhe më e konsoliduar politike në Kosovë dhe pjesët e Maqedonisë që luftonin për një Shqipëri Etnike, ishin futur në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ishte e natyrshme që ata, si forcë kryesore politike që kishte qeverisur vendin për më shumë se një vit, ta merrnin përgjegjësinë kryesore të mbrojtjes së vendit. Mund të thuhet se në kuadër të kësaj përgjegjësie Ballistët, të cilët ishin forca kryesore në xhandarmëri, bashkë me njësitë e tjera mbrojtëse që i drejtonte Lidhja II e Prizrenit (numri i të cilave vlerësohej se kalonte dhjetë mijë dhe nga pikëpamja e organizimit ushtarak dhe pajisjes mbikëqyreshin nga Vermahti), nga fillimi ishin vënë në ballë të detyrës, në mbrojtje të kufijve veriorë të vendit (në drejtim të Saxhakut dhe në lindje, në drejtim të Serbisë), duke u ndeshur me forcat çetnike të Drazha Mihajloviqit, i cili synonte që të depërtonte në pjesët veriore të Kosovës. Ngjashëm kishin vepruar edhe në Maqedoninë Perëndimore, kur, pak më vonë, pas kapitullimit të forcave bullgare kishin pushtuar hapësirën që ata mbanin (në Shkup dhe Dibër), duke zgjeruar kështu hapësirën e shtetit shqiptar në ato pjesë për të cilat pretendonin edhe partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë, me të cilët ata do të zhvillojnë luftime të ashpra gjatë gjithë kohës. Luftimet e para me çetnikët serbë u bënë nga fundi i nëntorit të vitit 1943 me rastin e sulmit që ata ua bënë disa katundeve të Pejës dhe tutje Rugovës. Luftimet, që shkuan deri në Kollashin, zgjatën mbi tri javë, që ndonëse me humbje të shumta për të dy palët, përfunduan me disfatën e çetnikëve. Në janar të vitit 1944 çeta e Pavle Gjurishiqit bëri një sulm të papritur në Morinë të Malit të Zi dhe në Çakorr, por u zmbraps me humbje të ndjeshme nga forcat e Lidhjes. Po në atë kohë, pati sulme çetnike dhe në Shekullarë, ku forcat shqiptare kaluan në kundërsulm dhe pushtuan Shekullarën. Sulmet çetnike do të shpërthejnë edhe në anën e Tutinit dhe të Pazarit të Ri. Ato u thyen nga mbrojtësit nën drejtimin e Aqif Blytës, të cilit i erdhën në ndihmë vullnetarët e Ukë Gjurgjevikut, i vëllai i të cilit, Sadiku, me forcat e tij mbronte kufirin në drejtim të Kollashinit. Forcat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për t’u konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë e mbrojtjes së kufirit në verilindje në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në Karadak, fillimisht kundër forcave çetnike e më vonë kundër atyre partizane, të cilat u intensifikuan në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 pasi që ushtria sovjetike të ketë depërtuar në Bullgari dhe po bëhej gati të kalonte edhe në pjesën e Jugosllavisë. Ndërkohë edhe ushtria gjermane “F” kishte filluar tërheqjen nga jugu (nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia) drejt veriut, në mënyrë që të shpërthente linjën e frontin të aleatëve, që kishte filluar të vendosej në Srem për ta penguar grupimin e tyre në hapësirën Danub-Elbë, prej nga Gjermanët planifikonin “stabilizimin dhe rikthimin” në luftë kundër Sovjetikëve dhe forcave aleate në pjesën qendrore të Europës dhe hapësirën gjermane. Në përputhje me këto zhvillime, edhe forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të regjimentit IV të Prishtinës të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuat Xhaferraj), ishin përqendruar në pjesën e kufirit nga Mitrovica deri te Gjilani dhe Karadaku, të cilat do të ndeshen me brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944 dhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të atij viti. Në fillim të shtatorit forcat shqiptare të Regjimentit IV të Prishtinës, patën një përleshje të ashpër në pjesët e skajshme të Podujevës me partizanët jugosllavë dhe disa njësi bullgare, të cilat përpiqeshin të depërtonin në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri divizione bullgare të motorizuara, që tashmë udhëhiqeshin nga komunistët. Në këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vuçitërna “Hasan Prishtina”, i cili pati humbje të mëdha. Forcat mbrojtëse të Lidhjes bashkë me ato të tjerat patriotike (të shumtën vullnetarë), gjatë gjithë muajit shtator, përkundër humbjeve të mëdha, ndalën depërtimin e aradheve partizaneve jugosllave, të cilat ia kishin mësyrë Kosovës nga verilindja dhe jugu. Por ato nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të tyre të vazhdueshme më gjatë, meqë ishin më të paktë, të papërgatitur si duhet ushtarakisht, dhe ç’ishte edhe më keq, pas fillimit të tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut, me anatemën e “bashkëpunëtorëve fashistë” dhe të “kuislingëve,” në Kosovë dhe Shqipëri, forca nacionaliste dhe patriotike, kishin mbetur pa furnizim dhe të vetmuara. Në këtë rrethana, të përballuara me formacione të rregullta ushtarake jugosllave, të cilat ndihmoheshin nga partizanët sovjetikë, forcat e shkapërderdhura patriotike, humbjen e përbashkët e kishin të pashmangshme. Edhe si të tilla, pra të shkëputura dhe në atë gjendje, forcat nacionaliste dhe patriotike, në luftë kundër pushtuesve sllavo-komunistë, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor-popullor, që lidhej me mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të vatanit. Te disa grupe dhe formacione të shkapërderdhura ushtarake (të Ballit, Legalitetit, Lidhjes e të tjera) mbretëronte shpresa se rezis-tenca edhe si e tillë ja vlente të vazhdohej deri në pikën e fundit. Meqë një ditë, si e tillë, do të përfillej nga aleatët anglo-amerikanë, të cilët përkundër marrëveshje që kishin me Sovjetikët rreth ndarjeve të sferave të interesit Lindje-Perëndim, rezistencën shqiptare mund ta shfrytëzonin në dobi të zgjerimit të sferës së tyre. Si do të shihet, ky iluzion do ta mbajë të gjallë rezistencën e disa grupeve të shkëputur edhe për dy vitet e ardhshme, me të cilin ata edhe do të largohen për në Greqi me shpresën se një ditë do të kthehen në atdheun e tyre të lirë.Por, me fillimin e fundit të Gjermanëve në Shqipëri, do të vijë edhe fundi i Qeverisë Shqiptare, e cila para një viti pati edhe miratimin e Vermahtit gjerman dhe madje edhe të vetë Hitlerit, i cili në Berlin priti Xhafer Devën, në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me ç’rast u morën vesh edhe për “aftësimin ushtarak të Kosovës për t’u vetëmbrojtur”, gjë që në të edhe filloi të punohet. Por, ishte koha tepër e shkurtë si dhe fatet e luftës që po shkonin në dëm të Fuqive të Boshtit, që pas pak atë do ta ballafaqojnë me disfatën, që e pamundësuan të ngrihet në nivel të përgjegjësisë së duhur. Në këto rrethana, ishte e natyrshme që edhe qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe së fundit ajo e Xhafer Devës, me hapësirë të kufizuar veprimit dhe të varur nga raportet e luftës botërore, të përjetonin fatin e mbështetësve të tyre kryesorë. Kjo do të shihet çastet që Gjermanët do të përgatiten të largohen nga Shqipëria, nuk iu mbetej tjetër pos që më 26 tetor, të shpallnin botërisht se i jepnin fund çdo veprimtarie të tyre qeveritare dhe, me ndihmën e Gjermanëve, nga ana e detit, do të largohen në drejtim të Vjenës dhe Berlinit. Largimi i qeverisë së Xhafer Devës si dhe udhëheqjes së ngushtë të saj në drejtim të Perëndimit i hapi rrugën triumfit partizan si dhe vendosjes së pushtetit të tyre. Në Kosovë, vendosja e pushtetit partizan njëherësh do të thoshte ripushtim i Kosovës nga sllavo-komunistët, që për uverturë pati futjen e njësive partizane nga Shqipëria (Brigada V dhe III), të cilat pas pak atë do t’ua dorëzojnë partizanëve jugosllavë. Brigadat e tyre (të shumtën çetnikë të konvertuar në partizanë), me mbi 30 mijë forca të organizuara ushtarake, depërtuan nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe pas pak edhe nga Çakorri, në drejtim të Pejës, duke ripushtuar pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e saj. Sidoqoftë, edhe në atë gjendje të rëndë të okupimit të Kosovës nga ana e forcave partizane jugosllave, që ua kishin hapur rrugën partizanët e Shqipërisë, do të fillojë të funksionojë betimi i mbrojtjes së vatanit në formën e shprehjes së rezistencës së armatosur, e cila ndonëse nuk do të ketë një koncept gjithë-përfshirës dhe as një qendër të përbashkët veprimi, megjithatë riaktivizoi gjuhën e mospajtimit me pushtimin sllavo-komunist, e cila u pasqyrua me shfaqjen e rezistencës së armatosur ndaj një gjenocid tashmë të paralajmëruar që vendit po i përgatitej nga komunistët. Ai bëhej edhe më ogurzi kur lidhej me programet e kahershme hegjemoniste të Beogradit ndaj Shqiptarëve dhe hapësirës së tyre jetësore, të cilave rrethanat e reja ua krijonin këtë mundësi. Edhe pse propaganda jugosllave menjëherë rezistencën e forcave të shkapërderdhura balliste dhe të grupimeve të tjera nacionaliste dhe patriotike kundër ripushtimit sllavo-komunsit të Kosovës (fillimisht në Ferizaj dhe pastaj në Gjilan, e cila do të jetë më e theksuar nga fillimi i dhjetorit), ku në shumë prej tyre edhe më tutje kishte flakëruar shpresa e zbarkimit të premtuar anglo-amerikan, do ta cilësojë “fillim i kundërrevolucionit shqiptar të përmasave të mëdha”, që udhëhiqej drejtpërdrejt nga “shtabi i fshehur i Xhafer Devës” e të ngjashme – ajo nuk kishte qenë e tillë dhe as që kishte pasur mundësi të ishte e tillë. Meqë në Kosovë nuk kishte ngadhënjyer kurrfarë revolucioni, siç quhej, por kishte ndodhur ripushtimi i saj nga aradhet partizane jugosllave, të cilat kishin rrënuar një pushtet legjitim shqiptar, të shpallur në tetorin e vitit 1943 nga përfaqësuesit e vet legjitim, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Fakti se shteti i pavarur shqiptar kishte lindur në rrethanat e pushtimit gjerman që kishte zëvendësuar atë italian dhe si i tillë ishte pranuar prej tij madje duke iu garantuar edhe neutraliteti dhe se forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe gjetiu ishin vënë në mbrojtje të tij dhe kundër ripushtimit jugosllav, ata nuk mund t’i kthente në “kuislingë” dhe “shërbëtorë të okupatorit” me të cilët duhej qëruar hesapet me mjete revolucionare pasi që të jenë shpallur “kundërrevolucionarë”, por në viktima të një terrori të ri shtetëror-ideologjik, që po vendosej për të lansuar një diktaturë të re komuniste. Andaj, nga kjo pikëpamje, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë kundër ripushtimit të saj nga partizanët jugosllavë dhe aleatët e tyre shqiptarë, njëherësh paraqiste rezistencën e parë të armatosur antikomuniste në Europë në vigjilje të fitores së komunizmit në lindje të saj dhe të lansimit të socializmit si model shtetëror në përputhje me ideologjinë e bolshevizmit sovjetik. Lëvizja antikomuniste shqiptare, e fokusuar të shumtën në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, mbeti “e shkëputur” dhe e pa përkrahur dhe me anatemën “e kundërrevolucionit” që ia vunë jugosllavët, ngaqë, si u pa në Konferencën e Jaltës, Anglo-Amerikanët nuk ishin në gjendje për një konfrontim me Sovjetikët – aleatin e tyre të fuqishëm kundër fashizmit.Në këto rrethana, alarmi i shpërthimit të “kundërrevolucionit”, i shpallur me të gjitha kambanat, jugosllavëve do t’u konvenojë që atë ta shfrytëzojnë shumanshëm për t’i realizuar qëllimet sa më parë, dhe kjo ishte në përputhje me qortimet dhe kërcënimet që i vinin Kosovës që nga Konferenca e Bujanit, sipas të cilave hyrja në Kosovë e njësive partizane jugosllave duhej të sillte: a) rrënimin e strukturave të pushtetit vendor, të dala nga Konferenca Nacionalçlirimtare e Bujanit b) rrënimin e strukturave ushtarake të Shqiptarëve si dhe shkrirjen e mbetjeve të tyre në përbërje të ushtrisë jugosllave c) anulimin e vendimeve të Bujanit rreth vetëvendosjes së Shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë si të drejtë që u takonte në përputhje me Kartën e Atlantikut dhe krahas kësaj të krijohen rrethanat për një “deklarim tjetër vullnetar” të bashkimit të Kosovës me Serbinë nga i njëjti forum si dhed) qërimin e hesapeve me nacionalistët dhe patriotët shqiptarë, në emër të “bashkëpunëtorëve të fashizmit”, me çka mund të hiqej qafe secili shqiptar që nuk i përkiste lëvizjes nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët.Kështu, pa dimensionin e “kundërrevolucionit” dhe alarmin e tij, Jugosllavët nuk do të mund të shpallnin vendosjen e gjendjes ushtarake, siç do të veprohet më 8 shkurt 1945, dhe pa këtë “alarm”, nuk do të mund të krijonin rrethanat për ripushtimin faktik të Kosovës dhe aneksimin e saj nga Serbia, duke përfshirë këtu Kuvendin e Prizrenit mbajtur nga 8-10 korrik1945, edhe pse për këtë ata kishin miratimin e Konferencës së Jaltës.(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 336-341)

Filed Under: Histori Tagged With: Jusuf Buxhovi

“ÇLIRIMI” I KOSOVËS NGA PARTIZANËT SHQIPTARË DHE JUGOSLLAVË DHE RIPUSHTIMI SLLAVO-KOMUNSIT (1)

November 8, 2021 by s p

Rishqyrtim historik.

Jusuf BUXHOVI

Diskursi i “çlirimit” të Kosovës nga nazi-fashizmi, siç po shënohet edhe këto ditë në disa qytete, duhet të rishqyrtohet nga historiografia institucionale në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Meqë faktet historike flasin qartë se koniza globale antifashiste jo vetëm që injoroi realitetet e kohës nga shpërbërja e Jugosllavisë së Versajes siç ishin ato të çlirimit të një pjese të madhe të shqiptarëve nga pushtimet serbo-jugosllave (1912-1941), por njëherësh të drjetën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, që u pasqyruan me shtetin e parë shqiptar nga nëntori i vitit 1943 deri në nëntor të vitit 1994 në përmasat e përafërta të shtrirjes etnike, e anatemoi me hipotekën e “shtetit kuisling”. Kjo i hapi rrugën hakmarrjes komuniste në përmasa tragjike në Kosovë me mbi 50 mijë viktima. Nga këndvështrimi historik, futja e aradhave partizane shqiptare-jugosllave në Kosovë, anulimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit në Konferencën e Prizrenit në korriku të vitit 1945, duhet të kualifikohen si ripushtim i Kosovës nga Beogradi.Nga Jusuf BUXHOVISkenari për t’u ripushtuar Kosova nga forcat jugosllave duhej të fillonte doemos edhe me “pajtimin” e partizanëve shqiptarë “në kuadër të bashkëveprimit ndërmjet Ushtrisë së NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku reaksionin e atjeshëm”. Sipas këtij skenari, futja e njësive jugosllave në Kosovë, duhej të bëhej, sipas një kërkese të ardhur nga UNÇ e Shqipërisë, pasi që atje paraprakisht të jenë futur njësitë partizane nga Shqipëria, të cilat do t’ua hapnin rrugën atyre. Kjo jo vetëm që do të përjashtonte çfarëdo dyshimi se në Kosovë partizanët jugosllavë kishin hyrë jashtë vullnetit të Shqiptarëve, por këtë e kishin bërë bashkërisht me partizanët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të bashkuar mbi parimet e vëllazërim-bashkimit. Ndonëse, formale, kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, për t’u arsyetuar dredhitë që komunistët jugosllavë kishin paraparë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që ato të mbeteshin nën tutelën e Beogradit “me dëshirë” dhe në kuadër të luftës së përbashkët antifashiste si ombrellë. Edhe pse në përvijimet midis aleatëve rreth ndarjes së sferave të interesit, veçmas midis Britanikëve dhe Sovjetikëve (në konferencën e Teheranit dhe takime të tjera) mbretëronte qëndrimi se Jugosllavia duhej të ruante kufijtë e Versajë dhe këtë do ta konfirmojë edhe Jalta, megjithatë ishte fundi i luftës si dhe realitetet e krijuara në të, ato që do të përcaktonin pamjen përfundimtare shtetërore në Ballkan. Andaj, pasi që trupat sovjetike në lindje, me hyrjen në hapësirën jugo-sllave, kishin hapur çështjen e rivalitetit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, që do të mund të pasqyrohej me ndonjë kompromis në Shqipëri dhe Greqi në dobi të Britanikëve, të cilët nuk do të pajtoheshin që gjithë hapësirën strategjike të juglindjes ta mbikëqyrnin sovjetikët, ku sipas Stalinit “sferat e reja të interesit njëherësh paraqitnin sistemin shoqëror të atij që fiton”. Pra, duke i ditur këto, Tito kërkonte që në Kosovë sa më parë të futeshin njësitë partizane jugosllave në mënyrë që të eliminonte çfarëdo “befasie” të pazarllëqeve të mundshme midis aleatëve, veçmas pas vendimeve të Bujanit kur edhe Nacionalçlirimtarja e Kosovës, që rreth çështjes së bashkimit kombëtar mendonte ndryshe nga komunistët e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë rezolutën për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës që lidhej me të drejtën e Shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.Kështu, “bashkëveprimi”, futja e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë, me të cilin do t’u ndërpriteshin që të gjitha rrugët “të papriturave” të mundshme në Kosovë, nga ana e jugosllavëve do të kërkohet qysh në muajin mars 1944. Komandanti i Korpusit II sulmues, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviq, në një letër të gjatë dërguar Shtabit të Përgjithshëm Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, pos të tjerash qahet sesi “reaksioni prej Shqipërisë së Veriut, i udhëhequr prej Komitetit Kosovar, u kishte krijuar vështirësi të mëdha, ku prej më se një gjysmë viti mbahet fronti kundrejt kufirit të ri, të krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe”. Me këtë rast Dapçeviq, thotë se “na marrim çdo gjë nga ana jonë, së bashku me shokët nga Kosmeti, që të thyejmë atë bllok, por armiku është i fortë, ngaqë atje ata binden me propagandën se ne jemi ushtri serbe dhe komunistë që vijnë si pushtuese…” Që të realizohen, si thotë ai, “objektivat për t’u spastruar edhe më tutje kjo pjesë nga armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre”, gjenerali Dapçeviq parashtron tri kërkesa: – së pari – futjen e njësive partizane shqiptare në Veri dhe në Kosovë;- pastaj – popullit t’i shpjegohen qëllimet e njëmendta, pra ato çlirimtare, në mënyrë që të shmangët ndërhyrja kundër partizanëve jugosllavë dhe, – së fundi – që njësitë e përbashkëta partizane të lidhen mirë e mirë mes veti në një miqësi të përhershme. Kjo mund të arrihej vetëm nëpërmes një lufte të përbashkët, me çka hapej edhe çështja e komandës së përbashkët të luftës antifashiste, që duhej të çonte te projektet për shkrirjen e shtetit shqiptar te ai jugosllav. Por, kërkesa e “spastrimit të kësaj pjese nga armiqtë dhe bashkëpuno-torët e tyre”, në të vërtetë, shfaqej si pretekst i pavërejtur dhe me dinakëri për ripushtimin e Kosovës nga ushtria jugosllave në përputhje me qëndrimet e mëhershëm që organizimi partiak i Kosovës dhe veprimet tjera në kuadër të Frontit Antifashist që do të pasonin (ai ushtarak dhe i këshillave nacional-çlirimtare si formë e pushtetit popullor), ndonëse ajo gjendej në përbërje të shtetit shqiptar, të bëhej nga komunistët jugosllavë dhe nën drejtimi e tyre në kuadër të skemës organizative të shtetit të përbashkët jugosllav. Edhe pse dihej se nga prilli i vitit 1941 Jugosllavia e Versajës nuk ekzistonte më. Kështu dhe në këtë mënyrë, “veprimi i përbashkët” i partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë shfaqej si një mashtrim tepër i përshtatshëm, prapa të cilit, partizanët shqiptarë nën parullat se “në Kosovë ishin në ndjekje të gjermanëve”, jo vetëm që mund t’ua hapnin rrugën partizanëve jugosllavë të futeshin në Kosovë, por edhe të kryenin veprime të shpejta operative strategjike në përputhje me planet për ripushtimin e saj të plotë, me të cilin forcave nacionaliste shqiptare do t’u pamundësohej çfarëdo konsolidimi që ishte i pritshëm të pasonte me rastin e tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut. Gjenerali Dapçeviq, i cili kishte një përvojë të hidhur në luftë me forcat nacionaliste të Kosovës në pjesën e veriut në Sanxhak, Plavë, Guci dhe në veri të Mitrovicës, (i kishte humbur tri prej tyre radhas gjatë përpjekjeve që të depërtonte në këto vise, ku kishte lënë shumë të vrarë) , ishte i bindur se me pararojën e aradheve partizane shqiptare, pasi që Shqiptarët t’i kenë qëruar hesapet mes veti, përballja me forcat ushtarake të nacionalistëve shqiptarë në veri, e cila ishte e pashmangshme dhe paraqiste vështirësinë e fundit për t’i arritur qëllimet e parashtruara, do të ishte shumë më e lehtë. Sipas jugosllavëve, të cilët e dinin mirë rëndësinë e Kosovës si dhe strumbullarit të interesave strategjike që thyheshin por edhe lidheshin me të dhe për të, veçmas nga Kriza Lindore e këndej, prej nga çështja shqiptare përherë mbushej me impulse lëvizëse nga brenda e nga jashtë, në ato rrethana, që t’i shuheshin ato që kishte lëshuar rezoluta e Bujanit madje nën anatemën se fjala ishte për “një projekt shqiptaromadh të fashizmit” (ndonëse Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë menjëherë kishin pranuar kritikat e Titos se fjala ishte “për një vendim të ngutshëm”, që duhej lënë pasi të përfundojë lufta antifashiste), nevojitej që të alarmoheshin edhe aleatët anglo-amerikan, që e gjitha të bëhej në atë mënyrë që mishi të piqej e helli të mos digjej. Prandaj, një valë bom-bardimesh nga ajri e Kosovës do të ishte e mirëseardhur dhe në funksion të planeve jugosllave për t’u futur në Kosovë. Jugosllavët, pra, në përputhje me këtë strategji, duke pasur njohuri për rrezikun që i vinte nga Kosova dhe nyja gjermane aty, kishin kërkuar edhe nga aleatët anglo-amerikanë që në njëfarë mënyre (me bombardime nga ajri), të merrnin pjesë në pamundësimin e “planeve nazifashiste” në Kosovë, duke zënë në gojë potencialin e madh ushtarak dhe njerëzor “të reaksionit” dhe “kuislingëve”, në mënyrë që armatës “F” të Vermahtit, t’i pamundësohej tërheqja e fuqisë së saj ushtarake drejt veriut.Aleatët kishin pranuar kërkesën e partizanëve jugosllavë që të ndërmerren sulme ajrore ndaj forcave gjermane në Kosovë. Sulmi i parë dhe më i dëmshmi për nga pasojat që përjetoi popullata shqiptare dhe infrastruktura urbane u bë me bombardimin ndaj Pejës, më 14 gusht 1944. Bombardimi anglo-amerikan nga ajri, që zgjati disa orë, qëlloi infrastruk-turën urbane të Pejës, duke e kthyer pjesën më të madhe të saj në gërmadha. Me këtë rast gjetën vdekjen 1970 qytetarë të pafajshëm: kryesisht burra, gra dhe fëmijë, të cilët u gjenden nëpër shtëpitë e tyre, por nuk u dëmtua asgjë nga infrastruktura ushtarake gjermane, që ishte vendosur në periferi të qytetit. Po ashtu, të paprekura mbetën edhe njësitë e motorizuara gjermane si dhe pajisjet tjera të strehuara në Grykën e Rugovës dhe pjesët përreth. Sulmi ajror anglo-amerikan ndaj Pejës dhe disa qendrave urbane në Kosovë gjatë gushtit, që la pas veti shumë viktima të pafajshme nga radhët e popullatës së pambrojtur dhe rrënoi pjesën më të madhe të shtëpive të tyre, në të vërtetë për jugosllavët dhe pasuesit e tyre në Shqipëri, ishte një ndihmesë e dyfishtë: pse rrënoi bazën materiale të një pjese të madhe të popullatës së Kosovës dhe pse ia kishte dalë që nëpërmes “vërejtjes së ndëshkimit”, siç ishte ai i gushtit, të shkëpusë lidhjet e mundshme të popullatës me frontin e rezistencës kombëtare në luftë kundër forcave partizane jugosllave që mund të hynin pas largimit të atyre gjermane. Edhe përkundër bombardimit të Pejës dhe të vendbanimeve të tjera në Dukagjin nga aeroplanët anglo-amerikanë si dhe involvimit të tyre në një operacion të përmasave të mëdha kundër ushtrisë gjermane në këto pjesë, partizanët jugosllavë edhe më tutje i mbetën besnikë ndaj qëndrimit se në Kosovë së pari duhej të hynin partizanët nga Shqipëria, të cilët do të bashkoheshin me dy-tri çetat e partizanëve kosovarë të strehuara në Malësi të Gjakovës në mënyrë që pas tyre të depërtonin aradhet partizane nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.Kërkesave paraprake për “bashkëveprim” luftarak në Kosovë iu bashkëngjit ajo e nivelit më të lartë nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë Tito, e cila Enverit iu bë nga koloneli V. Stojniç, kryesues i Misioni Ushtarak jugosllav në Shqipëri, në cilësinë e bashkërenditësit të veprimeve të të dyja palëve, i cili pasi që të jenë kryer “formalitetet e kërkesave paraprake” (gjatë majit dhe gushtit), takoi nergut Enver Hoxhën, me ç’rast Komandës së Përgjithshme të UNÇSH ia përcolli kërkesën e Shtabit Suprem të UNÇJ. Sipas burimeve jugosllave, V. Stojniq kërkoi nga Enver Hoxha që brigadat partizane shqiptare të futeshin në Kosovë, për të luftuar kundër Gjermanëve. Me këtë rast nuk do të përmendej çështja “e reaksionit të brendshëm dhe përkrahësve”, që ishin të shumtë dhe të organizuar mirë në kuadër të formacioneve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe se, partizanët shqiptarë do të mirëpriteshin nga popullata shqiptare e Kosovës. Që të mos dukej se fjala mund të ishte për ndonjë kurdisje kundër Kosovës dhe popullatës së saj e aq më pak që ky veprim do të pasohej me “ndonjë hakmarrje” ndaj popullatës pse kishte qenë e përfshirë “në planet e reaksionit fashist”, gjë që kjo mund të nxiste “zbarkimi e forcave të caktuara anglo-amerikane në këto pjesë për të parandaluar ndonjë konfrontim të mundshëm nderetnik” për të cilin ishte bërë fjalë në qarqet perëndimore, Stojniq, në emër të Titos, kërkoi që partizanët shqiptarë të ndihmonin në luftë kundër gjermanëve edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni. E gjitha do të ishte në përputhje me frymën e marrëveshjeve të Frontit të përbashkët Antifashist për luftë të përbashkët kundër forcave fashiste, kudo qofshin ato, deri në fitoren e plotë. Që kërkesa për hyrjen e partizanëve shqiptare të dukej “sa më autentike”, u plotësua edhe me kërkesën e Shtabit të UNÇJ për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari, Boshko Çakiq, më 26 gusht 1944. Pala shqiptare u tregua e gatshme për këtë veprim dhe më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatisë dhe të nis menjëherë dy brigada për në Kosovë. Po në këtë ditë, M. Popoviqi i shkruan L. Gegës se duhej lajmëruar Palo-kën (Pavle Joviqeviqin) se dy brigada shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Por, kjo duhej të mbetej fshehtësi, veçmas nga Britanikët. “Të mos tregohet objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”, porosiste Enveri komandantin e Korparmatës I, Dali Ndreun. Kjo kërkesë, e cila me të shpejt u mor vesh nga Britanikët dhe misioni i tyre në Veri, u përcoll me dyshimin e hapur të kurthit nëpër të cilin do të futej Kosova së shpejti. “Është për t’u çuditur sesi mund të pranohet që forcat jugosllave të kishin nevojë për përforcime nga UNÇ e Shqipërisë, që ishte shumë më e vogël dhe më e dobët në këtë fazë të luftës”. Si do të shihet, “habia” e misionit britanik në veri të Shqipërisë, nuk kishte të bënte gjithaq me natyrën ushtarake të çështjes, ngaqë në Kosovë gjendeshin forca të pakta gjermane, të cilat edhe ashtu ishin tepër pasive në tërheqje e sipër. Por ajo kishte të bënte me faktin e pranisë së madhe të forcave nacionaliste shqiptare. Ato, pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943 dhe krijimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar në nëntor të vitit 1943, ushtarakisht të konsoliduara, ishin në gjendje të organizonin një rezistencë të fuqishme kundër depërtimit të aradheve sllavo-komuniste. Kjo çështje, si u pa, te Britanikët, por edhe Amerikanët, tashmë kishte filluar të trajtohej si mundësi e krijimit të një bërthame për zbarkim eventual anglo-amerikan, po qe se do të ndërlikoheshin raportet me forcat sovjetike në këtë pjesë.Mundësinë e “konsolidimit të forcave të reaksionit shqiptar” si dhe organizimit të një kryengritje të madhe në Kosovë kundër forcave partizane, Dapçeviq, por edhe Tempo dhe misionarët e tjerë jugosllavë pranë Everit, e shihnin si rrezik të madh dhe të dyfishtë si për pengimin e ripushtimit të Kosovës dhe, për më tepër, për krijimin e një zone për ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, të cilët mund të mos pajtoheshin me një gjakderdhje të madhe atje që do të shpërthente me rastin e kryengritjes së Shqiptarëve kundër pushtimit komunist. Këto dhe kalkulime të tjera bënë që komunistët shqiptarë dhe ata jugo-sllavë të pajtoheshin, që të vepronin bashkë në Kosovë “për shpartallimin e armikut dhe të reaksionit të çdo ngjyre” si dhe “për ngritjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, për mobilizimin e popullsisë në luftë dhe formimin e formacioneve të reja e më të mëdha partizane”. Kështu, Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipëri-së, më 18 shtator 1944, dha urdhrin që Brigada III dhe V shqiptare të hidheshin në Kosovë. Së pari në Malësinë e Gjakovës, mandej në atë të Pejës dhe prej nga duhej të merrnin kontakt me forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Sipas urdhër-operacionit, objektivat e të dy brigadave , që do të kishin një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, ishin: – sulmet ndaj forcave gjermane dhe çlirimi i tokave përtej Drinit të Bardhë deri në Gjakovë e Pejë; – shkatërrimi i të gjitha çetave tradhtare, balliste, zogiste e të SS-ve kosovare; – të detyrohet Gani Kryeziu të hidhet me Frontin NÇ. Në rast se ky nuk e pranon këtë ose provokon, të likuidohet. Të veprohet si me Muharrem Bajraktarin; – organizimi i pushtetit nacionalçlirimtar në gjithë krahinat që lirohen, ku do të bëhet mobilizimi dhe çarmatimi. Mobilizimi i kosovarëve do të bëhet si për ushtrinë shqiptare, ashtu edhe për ushtrinë e Titos, pa asnjë dallim. Mundësisë së pjekjes me forcat partizane jugosllave si dhe bashkëpuni-mit me to do t’i gëzohet komandanti i Brigadës V, Shefqet Peçi, i cili në një letër të nisjes, i shkruante Hysni Kapos se “ne na ngushëllon kjo që do të piqemi me ushtrinë e Titos dhe ishallah edhe me atë të Baba Stalinit e kjo na kënaq shumë, por të mos harrojmë që edhe na vjen keq që nuk do të mundemi të shohim me sytë tanë reaksionarët tash që dorëzohen, vetëm kisha qejf t’u ndriçja dhëmbët njëherë”. Përleshja e parë me Gjermanët filloi po atë ditë në Dukagjin, në Jug-perëndim të Prizrenit. Të ndihmuara edhe nga brigada e parë dhe e katërt e Kosovës, aradhet partizane nga Shqipëria dhe Kosova, bashkërisht hynë në zonën midis Drinit dhe Ribnikut. Më 16 tetor partizanët shqiptarë bashkërisht sulmuan Gjermanët në Gjakovë. Përreth Gjakovës pati luftime për disa ditë me radhë për deri sa më 7 nëntor partizanët shqiptarë dhe ata nga Kosova hynë në qytet dhe bashkërisht kremtuan fitoren. Në Gjakovë partizanët shqiptarë hynë me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pa kurrfarë paralajmërimesh se pas tyre do të vinin aradhet partizane jugosllave. Pastaj veprimet e përbashkëta të partizanëve vazhduan në dy drejtime: kah Prizrenit dhe Peja. Prizrenin e morën me 16 nëntor, ndërsa Pejën një ditë më vonë. Krahasuar me Pejën dhe Prizrenin, ku u ndeshën me disa njësi gjermane në tërheqje e sipër, të cilat të shumtën e mbrojtën me vullnetarët shqiptarë që kishin në radhët e tyre, partizanëve shqiptarë iu bë një rezistencë e fuqishme në Junik. Në këtë pjesë, partizanët shqiptarë (Brigada III e UNÇSH si dhe Briga-da I kosovare) sulmuan pas Gjakovën me urdhrin “e spastrimit nga forcat balliste dhe kuislinge” që mbanin nyjen rrugore Gjakovë-Pejë. Luftimet e ashpra filluan më 20 tetor. Partizanët me humbje të mëdha iu afruan Junikut, por nuk ia dolën ta marrin, ngaqë forcat nacionaliste i sulmonin ato nga të gjitha anët. Vetëm pas tri ditësh mundën të hynin në Junik, ndërsa më 26 tetor dhe në Batushë e në Deçan. Nga fundi i nëntorit i gjithë rrafshi i Dukagjinit u mor nga forcat partizane, duke ua zënë vendin atyre gjermane, të cilat filluan tërheqjen në drejtim të Veriut. Pas hyrjes së brigadave të Shqipërisë në Kosovë dhe në Dukagjin, nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe Gjilanit, në Kosovë filluan të depërtojnë edhe brigadat jugosllave (Divizioni 46-të i Korparmatës XIII serbe) si dhe Armata II bullgare, të cilat u shoqëruan edhe nga Brigada V kosovare. Partizanët serbë, bullgarë të shoqëruar edhe me një njësit partizanësh kosovarë hynë në Prishtinë më 19 nëntor 1944.Të njëjtat, një ditë më vonë hynë në Vuçitërnë prej nga luftuan në Trepçë dhe Zveçan. Brigadat partizane, sikurse në Dukagjin, futeshin me flamurin shqiptar dhe atë jugosllav me yllin pesëcepësh në mes. Sapo hynin, nëpër sheshe të qyteteve, spikatnin bashkërisht fotografitë e Titos dhe të Enverit, të shoqëruara me parulla shqip dhe serbisht për vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë shqiptaro-jugosllave të kalitur në luftën e përbashkët antifashiste. Nuk do të vonojë dhe sapo populli të jetë mësuar paksa me atmosferën e “triumfalizmit çlirimtar”, që sillnin partizanët e përqafuar shqiptarë dhe jugosllavë gjatë demonstrimeve të përbashkëta, ashtu siç ishte paraparë, në heshtje dhe pa ndonjë bujë, do të fillojë marrja në mbikëqyrje e pushtetit vendor, të drejtuar nga këshillat nacionalçlirimtare, kryesisht prej Shqiptarëve, nga ana e ushtarakëve jugosllavë, të cilët praktikisht filluan vendosjen e mbikëqyrjes ushtarake, e cila bëhej në emër të vendosjes së pushtetit të përbashkët popullor në rrethanat e çlirimit. Shërbimi informativ ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, i cili prej kohësh ishte vendosur në Shkup dhe kishte filluar përgatitjet për kohën që do të futej në Kosovë, shpërndau ngado bashkëpunëtorët e vet dhe zuri të xhirojë situatën në kërkim të intelektualëve, patriotëve dhe gjithë atyre që tashmë ishin futur në defterin e kolaboracionistëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë të okupatorit, ku përfshiheshin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe forcat e tjera politike, sidomos ato që ishin të lidhura me Komitetin Kombëtar Demokratik Shqiptare (i cili nga prilli i vitit 1945 do të kthehet në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare) dhe frymën e saj që kishte shtrirje të gjerë në Kosovë. Për Jugosllavët vlente qëndrimi i njohur: kush nuk është me ne është kundër nesh.(Shkëptje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 332-337).

Filed Under: Komente Tagged With: Jusuf Buxhovi

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT