• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA OLIMPIKE NË QYTETIN E DURRËSIT

May 21, 2015 by dgreca

Dita e premte datë 15 Maj 2015, përbën një ngjarje të bukur për jetën shkollore e sportive të fëmijëve durrsak. Buzë detit në shëtitoren “Taulantia”, QKF e Durrësit në bashkëpunim me shkollat e qytetit, zhvilloi një veprimtari të bukur të quajtur “Dita olimpike”, e cila është kurora e “Javës Olimpike” të zhvilluar në të gjitha shkollat 9-vjeçare të Qarkut të Durrësit. Është viti i katërt që durrsakët e vegjël festojnë këtë ditë të shënuar, që nuk ka të krahasuar për nga bukuria e ngjyrave, veshjeve, gjallërisë dhe çiltërsisë të shkollarëve të vegjël.
Duke biseduar me z. Avni Çuni, drejtor i QKF-së së Durrësit, mësojmë se për këtë festë të vërtetë, argëtuese e sportive, ësht menduar e planifikuar me kohë: – “Janë njoftuar e porositur të gjitha shkollat 9-vjeçare për të organizuar “Javën Olimpike”. Jemi të kënaqur që kemi gjetur gatishmëri e mirëkuptim me drejtoritë dhe mësuesit e edukimit fizik”. – Më tej vazhdon: Tashmë është formuar edhe një lloj tradite, pavarësisht se është fare e re, vetëm katër vjet, por vemë re seriozitetin e organizimit të kësaj veprimtarie nëpër të gjitha shkollat, njëkohësisht dëshirën dhe fantazinë e tyre për të gjetur forma të bukura lëvizore e sportive, aq të shëndetëshme, të pëlqyera dhe të kërkuara nga fëmijët tanë. Ne e çmojmë shumë, ndaj falënderojmë Komitetin Olimpik Shqiptar, që e nxiti dhe e shtriu këtë veprimtari edhe nëpër shkolla, pasi është me mjaft vlera të dobishme edukative, sepse fëmijët kanë nevojëtë njihen me njëri-tjetrin, të shohin se ç`bëjnë të tjerët dhe më së shumti, të duan dhe të merren me sport e ta ushtrojnë atë gjatë gjithë jetës”.
Organizatorët Arian Plaku, Çlirim Kume dhe Enid Furxhi, pjestarë të stafit të QKF-së, ishin kujdesur për gjithçka, që të realizohej mësëmiri i gjithë programi i parashikuar. Të shumtë ishin qytetarët e rastit që shijuan këtë ditë sportive me shumë gjallëri e ngjyra. Ata duartrokitën ndeshjet e volejbollit, garën me patina, nisjen e biçikletave, lojën e bukur popullore “Tërheqje litari”, që shkaktoi nxitje, brohoritje dhe të qeshura te pjesmërrësit dhe spektatorët e shumtë. Me mjaft interes u ndoq dhe u përshëndet koncerti artistike me numra aerobik të balerinave të vogla, të cilat dhuruan kënaqësi te të gjithë bashkëmoshatarët, të cilët në fund u bashkuan dhe vallëzuan të gjithë së bashku. Pa komandë e dirigjent, i gjithë sheshi u përfshi në vallëzim. U krijua një mjedis i magjishëm kënaqësie e argëtimi.
Falënderim për organizatorët dhe pjesëmarrësit, që i dhuruan Durrësit dhe dursakëve këtë festë sportive e artistike.

Përgatiti për DIELLIN:
Kadri Tarelli
Durres 19 Maj

Filed Under: Kronike Tagged With: Dita olimpike, Durrës, Kadri Tarelli

DURRËSI NË PRANVERËN E OLIMPIADAVE

May 14, 2015 by dgreca

Nga Kadri TARELLI/
Në fundjavën e parë të muajit Maj 2015, QKF e Durrësit organizoi olimpiadën mbarëshqiptare të matematikës për klasënë 7, të ciklit 9-vjeçar, e njohur me emrin “Fest matematika 7”. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e kolegjit “T. Ozal” të Durrësit. Njëkohësisht po në këtë ditë dhe po në këto mjedise u zhvillua edhe kampinati kombetar i shahut, për djem e vajza për klasat (4 – 5) – (6 – 7) – (8 – 9).
Avni Çuni, drejtori i QKF-së së durrësit përshëndeti pjesëmarrësit, duke uruar për suksese në këto veprimtari, ku çdonjëri ka mundësi të shprehë njohuritë dhe talentin e tij. Natyrisht secili e krahason veten me më të mirët nga të gjithë trojet shqiptare. Kjo ësht forma më e bukur për të nxitur dëshirën dhe kalitur vullnetin për t`u marrë me matematikën dhe sportin e shahut dhe për të arritur suksese dhe rezultate të larta. Ai falënderoi drejtuesti e Bashkisë së Durrësit dhe të DAR-së, për bashkëpunimin dhe ndihmën që i japin Qendërs Kulturore të Fëmijëve të Durrësit, duke i mbështetur të gjitha veprimtaritë letrare, artistike, shkencore e sportive, me shtrirje lokale, kombëtare e mbarëshqiptare. Njëkohësisht falënderoi drejtoritë e shkollave dhe mësuesit, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë mundur të zbulojnë, nxisin dhe ndihmojnë talentet. Një falënderim i veçantë u drejtohet fëmijeve të ardhur nga trevat shqiptare, nga Gjilani dhe Presheva. Janë fëmijët ata që krijojnë dhe forcojnë lidhjet e bashkëpunimin më të mirë mes shqiptarëve.
Në fjalën e saj të pëshëndetjes, znj. Lindita Muka, Drejtore e DAR-së së Durrësit, si kurdoherë e pranishme në veprimtaritë shkencore, artistike e sportive të QKF-së, uroi fëmijët pjesëmarrës, duke vënë theksin tek dobia e këtyre aktiviteteve të përvitëshme, të cilat janë një provë e bukur e ballafaqimit dhe krahasimit me bashkëmoshatarët. – “Është bukur kur njeh vetveten, dhe askund më mirë se nëpër të tilla festa. Të gjithë ju jeni të fituar, pavarësisht se dikush mund të dallohet diçka më shumë. Kjo veprimtari nuk ka për qëllim të nxjerrë më të mirin, por t`u heqë juve emocionet e garës, t`u bindë se jeni të zotë dhe t`u nxisë për të punuar më shumë”. – Me këto fjalë drejtuar fëmijëve, shtroi edhe një kërkesë për kolegët e DAR-ve, DAZ-ve dhe QKF-ve për një bashkëpunim më të mirë mes njëri – tjetrit, sepse jo të gjithë konkurentët u paraqitën. Shprehu bindjen, se duhet më shumë mirëkuptim, përkushtim dhe vlerësim të veprimtarive të tilla mbarëshqiptare, të cilat kurdoherë janë në shërbim dhe dobi të nxënësve tanë.
Agron Xhyra, përgjegjës i sektorit shkencor në QKF e Durrësit, në fjalën e tij theksoi: – Me të drejtë dikush i ka quajtur muajt, mars, prill dhe maj, “Pranvera e olimpiadave”, sepse nuk ka shumë dit që përfunduam fazën e tretë të olimpiadës së matëmatikës për shkollat 9-vjeçare. Edhe kjo e sotmja është veprimtari në vazhdim të tarditës, sepse mbushi plot 16 vjet. Ne jemi përpjekur të ruajmë vazhdimësinë edhe cilësinë në shkallën e vështirësisë së ushtrimive e problemave, duke u mbështetur në pjesën më të madhe tek revisat “plus”, e cila përgatitet nga një grup matematikanësh në Tetovë, por edhe tek mësuesit tanë me përvojë shumëvjeçare, siç është Z. Agim Shehu.
Ndërsa Enid Furxhi, përgjegjës i sektorit të sportit pranë QKF së Durrësit, u shpreh me fjalë optimiste për garën e bukur në kampionatin e shahut, i cili këtë vit mbush katër vjet, me synim për t` i kthyer Durrësit traditën e dikurshme të shahut.
Në bisedë me z. Naim Kërçuku, ish drejtori i QKF për shumë vite me rradhë, sot i ftuar në ceremoninë e hapjes, tregon me një lloj krenarie e gëzimi të përmbajtur se kjo veprimtari e zhvilluar në vititn 2000, u pagëzua që në ditën e parë me emrin “Fest matematika 7”. Qëllimisht për të zbutur trysninë dhe emocionet që krijohen në një garë matematike, të cilat janë të pa shmangëshme. Duke i vënë këtë emër çdo nxënës pjesëmarrës, e ndjejë veten se po merr pjesë në një festë mes shokësh e shoqesh nga të gjithë trojet shqiptare. Pavarësisht se është garë dhe në fund ka edhe fitues, ballafaqimi me më të mirët është i bukur dhe i dobishëm, kur kemi të bëjmë me talente që duan të hapin shtegun në rrugën e mundimëshme të shkencës.
Në fund: Për “fest matematika 7” u dhanë këto vlerësime:
Çmimi i I. Megi Reka. Nxënëse e kolegjit “Turgut Ozal”. Durrës, e cila mori maksimumin e pikëve, plot 100 pik.
Çmimi i II-të. Mjoneza Isufi, nxënëse nga Presheva
Çmimi i III-të. Mateo Selfo, nxënës nga Vlora

KAMPIONATI I SHAHUT
Djem
Vajza
Kategoria e I
Skerdi Cacaj. Gjirokastër
Dejan Neziri. Shkodër
Glen Kasa. Durrës

Kategoria e II
Erion Vogli. Shkodër
Xhulio Albroini. Kurbin
Klejdi Xhaferri. Lushnjë

Kategoria e III
Sidi Beca. Shkodër
Alket Caushi. Durrës
Franci Mihani. Kavajë

Kategoria I
Elisa Isufi. Durrës.
Eklea Omeri. Sarandë
Gentiana Peca. Durrës.

Kategoria e II
Xhoana Precaj. Shkodër
Rozana Mustafa. Durrës.
Diana Kenek. Sarandë

Kategoria e III
Pamela Linatopi. Lushnjë
Erisa Alipa. Durrës
Sara Bushi. Shkodër.

Duke përshëndetur organizatorët dhe pjesëmarrësit, urojmë sukse në takime të tjera kaq të bukur.

Përgatit
Kadri Tarelli

Filed Under: Sport Tagged With: Duerresi i olimpiadave, Kadri Tarelli

NA PRIT EDHE NË 100-VJETOR!

March 27, 2015 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
Në këto ditë të bukura fillimpranvere, duke u bashkuar në varganin pambarim të “marsianëve”, Profesor-doktor Murat Gecaj festoi përvjetorin e lindjes. Miq e shokë, dashamirë e kolegë të letrave, gazetarë e shkrimtarë, të vjetër e të rinj, u mblodhën së bashku për të festuar e uruar:
Bardhyl Xhama, “Mësues i Merituar”, shkrimtar e publicist.
Arif Hasko. Vëllai i Skënder Haskos.
Avokat Gjin Nikaj, kryetar i shoqatës atdhetare-kulturore: Nikaj–Mertur”
Lumturi Vladi, ish drejtore shkolle në Tiranë.
Isa Halilaj, “Mësues i Merituar”, studjues e autor i disa librave.
Vjollca Spaho, redaktore e revistës “Mësuesi”, autore librash.
Xhavit Mëzezi, shok shkolle, mësues e autor librash.
Gjelosh Gecaj, kushri nga Tropoja, banues në Tiranë
Kadri Tarelli, ish drejtor shkolle në Durrës, publicist e autor libri.
Viron Kona, studjues, shkrimtar e publicist i njohur.
Sejdo Harka, ish kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”, publicist.
Shpëtim Agolli, mik i familjes.
Gëzim Steaj, fotograf, kameraman, bashkëkrahinar, sot banon nëTiranë
Nik Neçaj, ekonomist.
Katrina Gecaj, bashkëshorte dhe kundërshare e përhershme e qëndrimeve të gjata në kompjuter, lexuese e parë dhe kritike e korrektore e librave të pofesor Muratit.
Dhe vetë Murat Gecaj, nikoqiri i festës.
Ishin të ftuar, por munguan në këtë festë kaq të bukur:
Alketa, vajza e Skënder Haskos.
Gafurr Brahimi
Yllka Beçi, kryetare Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipqrisë.
Andon Andoni, ish kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”. Shkrimtar.
Kozeta Hoxha, gazetare dhe moderatore në “Radio Tirana”.
Fran Gjoka, mësues e publicist.
Dava Marku, ish drejtore shkolle, sot mësuese
Përparim Hysi, ose Papi, ish mësues, poet e autor librash.
Porsa u rehatuam të gjithë, profesori i nderuar z. Bardhyl Xhama, u ngrit plot fisnikëri dhe si më i vjetri në këtë takim festiv i dhuroi z. Murat një tufë me lule, duke uruar: – Ta gëzosh “57-vjetorin” nga unë 28-vjeçari. Të gjithë qeshëm me këtë këmbim të numrave, një lojë matematike që i pëlqen shumë vetë “heroit” të festës dhe që na shkon përshtat edhe ne “të rinjëve” mbi 60 vjeç. E qeshura nuk pushoi se dikush shtoi: Më i humburi në këtë mesele mbetet Sejdo, i cili para pak kohësh ishte me dy 66. Kështu ai del 99 vjeç. Po në këtë hulli shakaje, një tjetër ia priti: Profesor Murati mos u mburr kot, sepse për mot bëhesh 67 vjeç, e pas dy vjetësh s`ke nga luan, se bëhesh aq sa je, plot 77. Gjithsesi kur filloi rakia e u nxeh muhabeti, vazhduan urimet kush e kush më bukur, ashtu siç rrjedh lumi Valbonës. Secili shprehte atë që ndjente, dashurinë dhe nderimin për shokun, mikun, kolegun mësues, gazetar e shkrimtar dhe bashkëkrahinarin fjalë-ëmbël e penështruar, të cilin Fatmir Terziu e quan “Lis i madh” i malësisë së Gjakovës (Tropojës). Këtu u desh ndërhyrja e kreut të kuvendit z. Bardhyl, i cili me seriozitet shtetari na thotë”:
– Fjalën mund ta mërrë kush të dëshirojë, por koha është e kufizuar, se po filloi Murati të ligjërojë, do të në zerë darka. – Të gjithë qeshëm, por edhe e zbatuam “Urdhërin” e tij
Murat Gecaj lindi në fshatin Bujan të Tropojës, më 23 të marsit 1940. U shkollua në Tiranë, e pjesërisht në universitetin “Zhdanov” në Shën Petërburg (Ish Leningrad), për dialektollogji. Provoi mësuesinë, por u dashurua me gazetarinë, duke “bredhur” në disa organe shtypi, deri sa u ngul për disa vjet me rradhë, tek gazeta “Mësuesi”, për të cilën flet me adhurim. Veprimtar i palodhur e stdjues i aftë, që në rini i mirëpritur nëpër forume shkencore. Referon kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit. (Tiranë 1972). Është autor i disa zërave për arsimin në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. (Tiranë 1985), bashkëautor i veprës “Historia e Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar”. (Tiranë 2002). Kohët e fundit ka botuar “Me zemrë në vendlindje” Shënime nga Suedia”. (Tiranë 2012) dhe “Dorela”, librin më të dashur për të, kushtuar mbesës së tij. Një libër disi i veçantë në letërsinë tonë, ku secili gjysh ka ç`të mësojë nga “Babushi” Murat.
Thonë se mosha të venit, të mpakt trupin e zbeh dëshirën për punë, por me “Heroin” tonë, duket se vitet kanë ngecur në vend, sepse profesori ynë vazhdon të jetë i pranishëm në shumë veprimtari, aq sa siç thotë vetë. “Jam në pension, kohë kam me bollëk, por s`më mjafton. S`më zenë këmbët dhe, sa në Kosovë, Maqedoni, Mal të ZI, Itali e Suedi dhe nëpër qytetet e Shqipërisë. Aq shumë i ngarkuar jam, sa edhe vetë çuditem, ku e gjej energjinë për t`i përballuar të gjitha. Ndoshta, shton duke qeshur, është dëshira që të mbetem përherë i ri”.
Ai vazhdon të shkruajë e të botojë. Mjafton të përmend, se këto dit nxorri nga shtypi librin “Me shpirt atdhedashurie”, i mundësuar nga dy kolegë e miq të tij, me banim në Boras të Suedisë, Sokol Demaku e Bahtir Latifi. Me nderim e mirënjohje, një kopje të të cilit na e dhuroi të gjithëve.
Bëmë shumë fotografi dhe uruam: “Mbaje fjalën, se kështu do të jemi edhe në 100-vjetorin tënd”. Mbasi u largunan pjesa më e madhe e pjesëmarrësve, Murati, Sejdo Vironi dhe unë, u ulëm të pimë një kafe sa për t`u çlodhur. E shikoja Muratin vërtet të qeshur. Nuk e fshihte lumturinë:
– “Vërtet ishte diçka, që mu kushtua mua, – e shtyn fjalën, – por sot u ndjeva mjaft i gëzuar e i lumtur, sepse u rrethova nga qindra kolegë e miq, familjarë e dashamirë të mi. Përmes udhëve të ndryshme, pra gojarisht, me telefona e celularë, me anën e faqeve të shumta të internetit etj, ata më uruan me sinqeritet dhe me fjalë mjaft dashamirëse e vlerësuese. Ndjehem tepër i emocionuar dhe i privilegjuar, që mora mesazhe të tilla urimi nga bashkatdhetarë, që jetojnë në shtete të ndryshme të Europës e botës. Po e filloj nga më afër: Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva; Greqia, Italia, Franca, Anglia, Belgjika e Spanja, por dhe nga Nju Jorku, Bostoni, Kalifornia, Virxhina e Filadelfia të SHBA-ve, nga Kanadaja e deri nga Australia e largët.
Nuk dua të zgjatem këtu, por dëshiroj të veçoj katër miq të mi, të cilët publikuan artikuj të veçantë për mua: Fatmir Terziu (Londër), Përparim Hysi (Tiranë, Bahtir Latifi (Suedi). Po kështu, gazetarja dhe moderatorja e njohur, Kozeta Hoxha, përgatiti e transmetoi një emsion të posaçëm për jetën e botimet e mia, në valët e Radio-Tiranës.
Posaçërisht, me mirënjohje ju falënderoj nga zemra, ju kolegët e mi të afërm: Bardhyl Xhama, Viron Kona e Sejdo Harka, sepse m`u ndodhët pranë e me përkushtim e organizuat këtë ceremoni mbresëlënëse, që s`do ta karroj kurrë”.
Nga qindra urime po veçoj disa:
“O babush, babush Murati
Nga larg të uron Fuati:
Të festosh dhe shumë pranvera,
Buzëqeshur si përhera”. Fuat Memeli. Boston-Amerikë
Ndërsa Xheladin Mjeku nga prishtina uron:
“Me dashuri të përzemërta, për shëndet, harmoni e suksese në ët gjitha veprimtaritë…..”
Po e mbyll shkrimin me fjalët e shkruara me frymëzim nga Sejdo Harka:
“Murat Gecaj nga Tropoja
Burim pena e mjaltë goja”
U ndamë duke i kujtuar Muratit, mikut tonë të lumtur:
“Mos harro të na ftosh në 100-vjetor”.

Shkroi :
Kadri Tarelli
Durrës më 26. 03. 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Kadri Tarelli, Murat Gecaj, NA PRIT EDHE NË 100-VJETOR!

MËSUESI QË KËMBEU PENËN ME PUSHKË PËR LIRI

March 15, 2015 by dgreca

Mars 2015, fillim pranvere në fshatin Fllakë, komuna e Karundit të Ri në rrethin e Durrësit. Si kudo në mbarë vendin, “Dita e mësuesit” u festua si rrallë herë edhe në shkollën e re të fshatit Fllakë, që mban emrin e mësuesit, dhe luftëtarit Bajram Gashi, “Deshmor i kombit”. Ndryshe nga motet e tjerë, në këtë ditë të shënuar, veç mësuesve, nxënësve dhe prindërve, erdhën edhe plot mysafirë të ftuar nga fshatrat përrreth, nga Durrësi, Tirana dhe më tej akoma nga komuna e Istogut në Kosovë. Të gjithë së bashku i dhanë festës bukuri e gjallëri, lezet dhe seriozitet. Të pranishëm ishin drejtuesit e Komunës së Katundit të ri, Kryetari z. Hil Priska, kryetari këshillit të komunës z. Sadik LLulla dhe ish drejtori i shkollës së Mesme, tani në pension z. Jusuf Hoti.
Ndoshta kjo festë nuk do të merrte shtrirje e përmasa kaq të mëdha, në qoftë se nuk do të kishte pasur një ngacmim dhe ndihmë nga Bajram Halil Gashi, deri pak vite më parë mësues e drejtor i shkollës së Mesme të bashkuar “Besnik Hidri” në Shënavlash, sot pensionist, studjues dhe botues i librit “Një shekull në udhën e dijes”. Libër kushtuar historikut të shkollës së Shënavlashit, ku një vend të veçantë zenë portretet e heronjëve Bajram Gashi dhe Haki Taha, dy figura të ndritura që i bëjnë nder Shënavlashit dhe Kosovës.
Në një vizitë rastësore në shkollën e Fllakës, në bisedë me drejtoren znj. Tina, duke i dhuruar edhe një kopje të librit të tij, Bajrami i kujton, se ky vit përkon me 70-vjetorin e rënies, (Shkurt 1945), së mësuesit e luftëtarit Bajram Sali Gashi, i cili në krye të çetës me 300 – 400 luftëtarë, u ngrit në luftë kundër forcave serbe që ripushtuan Istogun e Kosovën. U theksuan fjalët e tij: “Ndigjoni vllazën! Unë gjakun tem ja kam fal Kosovës!”, më tej thënien e tij profetike: “Kosova do të çlirohet kur fëmijët tanë do t`i kenë 30 vjet shkollë”. Kaq mjaftoi në këtë bisedë dhe mendimi mori udhë.
Drejtorja e shkollës znj. Tina Gjoka, e cila gjeti mbështetje të admirueshme te kolektivi i mësuesve, u kujdes që për këtë dite të madhe e të bukur të kishte diçka të veçantë. Veç koncertit, fjalimeve dhe organizimit të festës, si fillim kërkoi ndihmë për zbukurimin e shkollës, duke vendosur emrin në krye, më pas flamuj dhe stenda në holl, ku me dokumenta dhe foto të paqyrohej jeta dhe vepra e Bajram Gashit. Agim Kabashi, nip i heroit të këtij shkrimi, u tregua i gatshëm dhe i përgatiti të gjitha me shpenzimet e veta. Më pas u përgatitën ftesat, ku të ishin pjesëmarrës familjarë e të afërm të mësuesit dhe heroit tonë Bajram Sali Gashi, që të kujtonin dhe gëzonin së bashku.
Diçka e mirë dhe e bukur lind e piqet, kur detyra dhe nderi bashkohen në një, ndaj dhe të gjitha problemet u zgjidhën si me magji. U mirëprit me nderime znj. Liri Kabashi, vajza e mësuesit, emrin e të cilit po mban shkolla. Ajo sot është e moshuar dhe me zor mban gëzimin, krenarinë, lotët dhe emocionet, pasi në heshtje, ka një jetë që ka pritur këtë ditë. Ishte veç një ëndërr e kyçur në mendje e në zemër, që të shikojë emrin e babës së vet në ballë të shkollës së re, pikërisht në tokën që ai bleu këtu e 75 vjet më parë dhe e dhuroi për shkollë. Ndër familjarët e mirëseardhur ishin znj. Albana Vokshi, mbesa e Bajram Gashit, sot deputete në kuvendin e Shqipërisë. Mes familjarëve dhe miqve ishte edhe akademiku i nderuar z. Fadil Kepi.
“7 Marsi”, ose “Dita e mësuesit”, pararendëse e pavarësisë, është festë kombëtare tradicionale. S`ka pse harxhohen shumë fjalë, për të thënë se ç`bëhet në çdo shkollë, apo qelizë arsimi. Kudo organizohen veprimtari të gëzueshme, ku marrin pjesë mësues, nxënës dhe prindër. Dekori dhe përmbajtja janë të përafërta, meqënëse bëhet fjalë për shkollë: këngë, valle, recitime, lojra, ndonjëherë të ftuar mësues të vjetër, apo ish nxënës, të cilët rrëfejnë kujtimet dhe mbresat e tyre. Në pamje të parë, të gjitha këto na duken sikur janë pjesë të detyruara të programit të festave dhe në shumicën e rasteve nuk tingëllojnë as si lajm, ndaj edhe kalojnë pa u vënë re, pavarësisht se shpesh herë, disa nga pjesëmarrësit janë njerëz të veçantë e shumë prej tyre drejtues e personalitete me zë në jetën shoqërore, arsimore, shkencore e politike të vendit. Megjithatë edhe kaq do të mjaftonte për një reportazh të bukur, për të përgjithsuar këtë veprimtari në shkollën e Fllakës, që i bën jehonë mësimit, edukimit, vazhdimësisë dhe shenjërimit të figurës së mësuesit e të shkollës. Dhe në fund, e gjitha do të kundrohet si një fotografi e bërë nga një njeshtër arti, që fikson njerëzit dhe kohën.
Këtu nuk duhet ngutur, pasi kjo veprimtari është një ngjarje që nuk mbaron me kaq, sepse të ftuar nderi ishin katër përfaqësues të arsimit e medias nga komuna e Istogut, zotërinjtë: Agim Haxhiu, drejtori i Arsimit për komunën e Istogut, Nuredin Ymeraj, koordinator i disa shkollave, Beqir Ibrahimaj, drejtor i shkollës “Tre Dëshmorët” në fshatin Uçë dhe Zeqir Ahmetaj, drejtor i Radios “Fontana”. Të katër këta mysafirë kishin mbi vete dy përgjegjësi ndaj vetes dhe detyrës:
Së pari, nderuan figurën dhe emrin e Bajram Sali Gashit, si mësues dhe luftëtar, që penën e këmbeu në pushkë për liri, duke dhënë jetën si deshmor e martir për Kosovën e lirë. Veç kësaj, Bajram Gashi vërtet ka qënë mësues e drejtor shkolle në Shënavlash të Durrësit, në vitet 1938 – 1941, por rrënjët i ka në Kosovë, pasi vendlindja e tij ëshë në fshatin Uçë, në komunën e Istogut. Ç`duhet shtuar tjetër fjalë, për të thënë se ai është hero me të cilin kanë të drejtë të krenohen, pasi ka dalë nga dheu, vatra dhe gjaku i tyre. Heronjtë kurdoherë meritojnë nderim. Jeta dhe vepra e tyre frymëzojnë brezat ndër shekuj.
Së dyti, me rastin e këtij takimi festiv, mysafirët bënë me dije dëshirën e mësuesve dhe nxënësve të shkollës “Tre deshmorët” në fshatin Uçë, për binjakëzim me shkollën “Bajram Gashi” të fshatit Fllakë. Ashtu siç u shpreh në fjalën e tij edhe Z. Agim Haxhiu: “Sapo i njoftuam për ftesën, na porositën që bashkë me urimin festiv, “Ta gëzojmë 7 Marsin”, t`u përcjellim dëshirën për t`u lidhur mes nesh, sepse vepra dhe gjaku i Bajram Gashit na përket të gjithëve ne shqiptarëve. Jemi të vetëdijshëm, se me ardhjen dhe fjalën tonë, shprehim një ide dhe veprim mjaft i dobishëm. Nxënës e mësues të dy shkollave, njihemi e afrohemi me njëri – tjetrin, formojmë miqësi, shkëmbejmë vlera, ide dhe përvojë në fushën e edukimit dhe mësimit, për të cilën kemi nevojë të gjithë, duke i shërbyer zhvillimit të arsimit tonë mbarëshqiptar”.
Ky është lajmi dhe mesazhi më i bukur që u soll e u përcoll nga ky tubim gazmor e miqësor, në këtë 7 Mars, për t`u dëgjuar e vlerësuar nga prindërit, nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave, mbase edhe më përtej, nga të gjitha institucionet arsimore, që të nxisin e mbështesin lidhjet e vizitat e ndërsjellta. Trojet tona këtej e andej kufirit janë të bukur e duhen parë e prekur, sidomos nga të rinjtë. Jemi një komb e kemi shumë ç`t`i themi e ç`t`i japim njëri – tjetrit.
Drejtore Tina, që në hapje të veprimtarisë, me emocionet e nikoqires së festës, falënderoi në emër të kolektivit mësimor, nxënësit, prindërit miqtë e të ftuarit, që erdhën të festojnë së bashku. Njëkohësisht premtoi, punë të pareshtur në mësimdhënie dhe edukim, për të ngritur vlerat e shkollës dhe emrin që ajo mban. Në fund të fjalës së saj, shprehu gëzimin dhe urimin:
“Le të festohetë kjo ditë e shenjtë, për mijëra vite të tjerë!”.
Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës më 10. 03. 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: BAJRAM GASHI, Kadri Tarelli, mësuesi, PENËN ME, PUSHKË PËR LIRI, QË KËMBEU

FRAN GJOKA,MËSUESI DHE GAZETARI

February 13, 2015 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
Fran Gjoka! Si mik i vjetër po ju pyes: a ka kohë pushimi për gazetarin dhe krijuesin? E ndjej përgjigjen që e ke në majë të gjuhës: “Jam në pension. Kohën e kam me bollëk, por s`më tepron, pasi ajo ikën si pa u ndjerë, ngase s`më le “sevdaja” për gazetarinë”.
Kisha deshirë t`i thosha e të dëgjoja këto fjalë, pasi ka mbi 40 vjet, që në shtypin e përditshëm nuk pushojnë shkrimet që mbajnë emrin dhe firmën e gazetarit të njohur Fran Gjoka. Pa të keq, madje po e them me admirim, se vitet shkojnë, flokët t`u thinjën e rrudhat u`u shtuan e ti mbete po ai Frani energjik, që nuk t`u zbeh deshira e nuk t`u thye pena për të shkruar? Pas pyetjes së parë, tjetra që më shkon në mendje është: Po kohë të pushosh, a gjen o koleg i hershëm? S`ka nevojë për përgjigje, pasi e gjen vetë secili, mjafton ta njohësh fare pak natyrën, vullnetin dhe këmbënguljen e mikut tonë penështruar.
Kam përshtypjen se shumë nga kolegët mësues e drejtues, kanë menduar e besuar se, kur ai të dalë në pension, vetvetiu do ta braktisë edhe gazetarinë e do t`i bashkohet grupit të dominove në lulishte, apo kafesë, ku duke përtypur kujtimet, i shtyn me përtesë orët e ditës, aq sa do të bezdiset bufisti dhe kamarjeri i lokalit. Ja që nuk ndodhi kështu. Me Franin gabojnë. Zëri i tij përsëri vazhdon të dëgjohet në faqet e shtypit të ditës, sepse natyra e tij e gjallë e dinamike, nuk e pranon të qendrojë me orë të tëra kot, aqsa e ka të vështirë të rrijë pa u marrë me asgjë. Mbase kolegët nuk e dinë sekretin që e mbart në shpirt çdo krijues, në këtë rast edhe heroi ynë Frani, që për gazetarin, studjuesin dhe krijuesin nuk ka as moshë pensioni, po as edhe kufinj vitesh. Është kjo e fshehtë e pashkruar dhe e pashpallur, që nuk e le t`i plaket trupi dhe mendja, ndaj për të mos u shkëputur nga veprimtaritë shoqërore, kërkon të jetë përherë i pranishëm dhe i dobishëm. Shtojmë këtu, se edhe zemra i rreh vetëm për punë, që e shtyn të jetë i papërtuar për të gjetur e bërë intervista me kolegë dhe përsonalitete të arsimit dhe shkencës, njëkohësisht për t`u ndjerë i palodhur në pjesëmarrje veprimtarish, ku nuk harrojnë ta thërrasin e t`i kërkojnë fjalë e mend.
Duhet ta pranojmë se Frani është intelektual që vepron dhe që nuk i ndahet edhe librit e bibliotekës, sepse vendosmëria dhe detyra i kërkon me doemos kohën, për lexime e studime të vazhdueshme. Ky është ushqim mendor e shpirtëror, për t`u thelluar e përfshirë në përplasjet, lidhur me problemet që dalin e dukuritë që hasen nëpër shkolla, gjuhësi, letërsi e ndërvarësi shoqërore, duke kërkuar shtigje për rrugët e zgjidhjes së tyre. Është një debat i vazhdueshëm, në të cilin Frani, gazetari ynë fjalë bukur, nuk shmanget e as i bën dredha. Kurdoherë kërkon ta thotë fjalën e tij, duke menduar e shpresuar se njohja, kultura dhe përvoja shumë-vjeçare, ndihmon sado pak. Për të vazhduar më tej akoma, Frani me kurajo ngacmon e thërret në diskutim mësuesit, drejtorët, komunitetin, të mençurit e të diturit, më tej akoma, edhe ideatorët e vendimarrësit, në bazë e dikaster, duke shtruar me llogjikë të fortë mendimet dhe shqetsimet, lidhur me reformat në arsim dhe zbatimi i tyre në praktikë, në jetën e përditshme të çdo institucioni.
Me emrin e Franit jam njohur shumë herët nëpërmjet gazetës “Mësuesi”, ku shkrimet e tij i gjeja, gati në çdo numër. Ndërsa u bëmë miq këtu e njëzet vjet më parë, kur edhe unë nisa të shkruaj po në këtë gazetë. Me një fjalë, na lidhi gazeta “Mësuesi”. Frani nga Lezha dhe unë nga Durrësi, meqë ishim më pranë Tiranës, shkrimet tona, të shkruara së shumti me dorë e makinë shkrimi, për më kollaj i sillnim vetë në redaksi, për të shmangur vonesat dhe burokacinë e postës. Na pëlqeu muhabeti dhe u miqësuam shpejt, pasi të dy ishim mësues, si të thuash zanatçinj në një “ndërmarrje”, kështu natyrisht edhe problematika e bisedave dhe shkrimeve përqëndrohej tek mësimi, nxënësi, mësuesi, prindi, drejtori, shkolla, tekstet, metodat dhe figurat e shquara që e shkrinë jetën në arsim. Harroheshim në bisedë, pavarësisht se koha shkonte dhe duhet të vraponim tek furgonët apo tek autobusi, për t`u kthyer në qytetet tanë. Kënaqeshim kur kryeredaktori i gazetës Z. Viron Kona, na ftonte për kafe në lokalin brenda oborrit të Ministrisë, dhe me atë natyrën e tij bujare e gazmore, si vlonjat që ishte, na mburrej: “Jam i nderuar se kam dy miq nga dy qytete nga më të vjetërit; njëri nga Dyrrahu e tjetri nga Lisus”. Këto fjalë i thoshte me zë të lartë, sidomos kur ishe mes shokësh, sepse meqë ra fjala, çuditërisht asnjëherë nuk e gjenim vetëm dhe ne na vinte mirë ky lloj perzantimi.
Duke shkruar këto pak radhë për Franin, i them se ka dy privilegje që s`i gëzojnë të tjerët, por që i lakmojnë me tepri :
Së pari, është mësues dhe si i tillë është një misionar në udhën e vështirë të mësimit dhe edukimit, sepse përhap e ushqen dije në mendjen dhe shpirtin e të rinjëve, që të bëhen të dobishëm dhe kështu të kërkojnë e luftojnë për më të mirën për vete dhe shoqërinë.
Së dyti: Frani njëherazi është edhe gazetar, kështu i jep mundësi vetes të shprehë mendimin, të nisë e të nxisë diskutime, të përhapë përvojën pozitive të vetes dhe kolegëve, njëkohësisht të mbajë qendrim ndaj problemeve të shumta që ka shkolla dhe arsimi. Natyrisht këto janë pjesë e deshirës, pasionit, talentit dhe intelektit të tij, që e shtynë drejt gazetarisë, pa më të voglin interes vetiak e pasuror. Thjesht të pasqyronte atë që ndjente, për vete dhe kolegët.
Këtu nuk mbaron historia, pasi pa dashje, ai u “pasurua”, sepse njohu aq shumë miq e shokë, mësues, drejtorë shkollash dhe gazetarë, sa që vështirë t`ua kujtojë emrin të gjithëve. Ata janë jo vetëm në rrethin e Lezhës, por në të gjithë vendin. Frani me të drejtë thotë, se ky është thesari më i çmuar në gjithë veprimtarinë e tij. Askush nuk e ve në mëdyshje fjalën e tij. Me të padrejtë dikush që njeh vetëm botën e parasë, do të shprehet: Kujt i vlen gjithë kjo punë e ky mund?
Unë dhe mijëra kolegë, mësues e gazeatrë e përbuzim këtë lloj pyetje, që tundon dhe thyen njeriun. Më bukur përgjigjen e jep vetë Frani, me mbi 2000 artikujt e shkruar prej tij, që kanë brenda frymëzimin dhe idealizmin e njeriut fisnik. Çdo artikull është një lloj fotografie që fikson kohën, jetën shoqërore, ngjarjet dhe veprimtaritë, problemet dhe shqetësimet me të cilat ndeshemi përdit. Të gjitha këto përbëjnë në vetvete një arkivë dokumentash, që mund të shfletohen bukur për historinë e zhvillimin e arsimit në Lezhë e më gjërë. A nuk është edhe kjo një “pasuri” shpirtërore për Franin? Në fund të fundit, ç`e dallon intelekualin nga zanatçiu, veçse puna krijuese që u mbetet trashëgim brezave?
I urojmë Franit shëndet e jetë të gjatë mes miqëve dhe shokëve, njëkohësisht edhe sa më shumë shkrime nëpër gazetat tona.

Filed Under: ESSE Tagged With: FRAN GJOKA, Kadri Tarelli, MËSUESI DHE GAZETARI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT