• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çfarë ishte Kampi i Tepelenës?

March 29, 2018 by dgreca

1 Te dhena Tepelene

nga Qendra e Sudimeve Albanologjike/

Në maj 1949 filloi të funksionojë kampi i Tepelenës, në të cilin u dërguan të gjithë të internuarit e kampit të Beratit. Arsyeja që u zgjodh Tepelena si vend internimi, mendoj se ka të bëje me disa lehtësi praktike. Tepelena ishte nën juridiksionin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Beratit dhe aty gjendeshin disa kabina të mbetura nga koha e pushtimit italian, të cilat u përshtatën si vendbanime për të internuarit. Kampi i Tepelenës u drejtua nga dy komandantë: Bektash Pogaçe (1949 –1952) dhe Haki Ibrahimi (1952-1953), të dy me arsimim të papërfunduar. Organizimi i Tepelenës vazhdoi të ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba, në të cilët të internuarit i cili kontrollohej nga ushtarë të armatosur. Gjatë viteve 1949-1953, në Tepelenë u vendosën rreth 1500 familje: burra, gra, të moshuar dhe fëmijë.

Tepelena nuk ishte i vetmi vend internimi në Shqipëri, as në këtë kohë dhe as gjatë gjithë viteve të regjimit komunist. Shumë krahina të tjera në Shqipëri shërbyen si vende për të internuar njerëz, faji i vetëm i të cilëve ishte se ishin të afërm të individëve që regjimi i konsideronte të rrezikshëm. Por, Tepelena është kampi i cili mbeti në mendjen e atyre që patën fatkeqësinë për të jetuar në të. Tepelena mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e theksuar të higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin.
Tepelena mbeti në kujtesën e njerëzve, pasi për shkak të këtyre kushteve të vështira, pati raste të shumta vdekjesh, sidomos në mosha të reja. Ndonëse dokumentet janë të pakta, ato tregojnë që gjatë viteve 1949-1950, lajmërohet për raste vdekjesh nga dizenteria. Ndërkohë që nga muaji tetor 1950 deri në dhjetor të po atij viti numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë, fenomen i cili nuk haset në kampe të tjera të ngjashme.
Disa studiues mendojnë se ishte pikërisht vdekshmëria e lartë e fëmijëve në kampin e Tepelenës dhe nevoja për të konsoliduar sistemin e internim-dëbimeve, që i detyroi drejtuesit e lartë komunistë të merrnin vendimin në fund të viti 1953 për ta mbyllur kampin e Tepelenës dhe në përgjithësi kampet e rrethuara me tela me gjemba.
Brezi më i ri i shqiptarëve ka pak njohuri për çfarë kanë ndodhur gjatë regjimit komunist dhe mekanizmat e përdorura prej tij për të mohuar të drejtat më elementare njerëzore për kundërshtarët realë apo imagjinarë. Dokumentet arkivore për vitet e para të regjimit mungojnë, apo janë shumë të pakta. Kjo për shkak të nivelit shumë të ulët të edukimit të nëpunësve të administratës së asaj kohe. Në kushtet kur po humbasin, për shkak të moshës, edhe dëshmitë e personave që e kanë jetuar atë kohë, shumë shpejt nuk do të kemi mundësi të gjejmë të dhëna mbi këto aspekte të Shqipërisë komuniste.
Në mënyrë që e kaluara të mos harrohet dhe të shërbejë për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar në baza më solide të ardhmen, shqiptarët kanë nevojë për të pasur disa vende të kujtesës, si: institucione burgimesh, internimesh etj. Sa i takon sistemit të internim-dëbimeve, kampi i Tepelenës do të ishte ideal si vend kujtese për disa arsye:
1. Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës në Kampin e Tepelenës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.
2. Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.
3. Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto – Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës etj., nuk na kanë mbetur objekte kujtese, për kampin e Tepelenës këto ekzistojnë. Disa nga barakat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Previzit na japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit.
Pergatitur nga Qendra e Sudimeve Albanologjike, date 13 mars 2018, per te paraprire punen projektuese te memorialit te Tepelenes.

* Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991

Filed Under: Opinion Tagged With: Cfare ishte, Gentiana Sula, Kampi i Tepelenes

Historiani i oborrit të Enver Hoxhës mohon krimet në kampin e Tepelenës

March 29, 2018 by dgreca

1 Tomorr Alizoti

Nga Tomorr ALIZOTI/

Në një studio televizive një historian i oborrit familjar të Enver Hoxhës,(Pellumb Xhufi) paska mohuar vuajtjet në kampin famëkeq të Tepelenës duke thënë se aty nuk ka pasur kushte të këqija, se nuk paskan vdekur fëmijë dhe se të burgosurit paskan qenë familje armiqsh të vendit, të arratisur në Jugosllavi, të cilët ktheheshin dhe në Shqipëri fshehtas për të bërë atentate ndaj njerëzve të shtetit.
Unë i përkas një familjeje që ka vuajtur në atë kamp. Babai im ka qenë një prej fëmijëve të burgosur aty, bashkë me gjyshërit. Në familjen time nuk kemi pasur të arratisur, siç shprehet historiani në fjalë. Ai ka qenë një kamp ku grumbulloheshin kryesisht pleqtë dhe fëmijët, ndërsa të rriturit e aftë për punë i dërgonin në fabrikën e Nish Tullës duke i ndarë nga familja. Nëse regjimi do ta kish ngritur këtë kamp si një masë mbrojtëse nga të arratisurit, nuk do burgoste aty fëmijë e pleq.
Është e turpshme që ka njerëz që kërkojnë të mohojnë vuajtjet dhe tmerret e atij regjimi, duke synuar të mbrojnë kriminelët që vranë e prenë elitën e këtij vendi. Dëshmitë e njerëzve që janë ngujuar aty janë nga më tronditëset. Unë ruaj dëshmitë e të afërmve të mij që më tregonin sesi im atë, fëmijë i vogël, kërkonte bukë, i dërrmuar nga uria, dhe gjyshërit e mi nuk kishin ç’ti jepnin. Im atë mbijetoi, por shumë fëmijë të tjerë, si dhe të rritur, nuk ia dolën. Të dëgjosh sot përralla të tilla që mohojnë kalvarin e vuajtjeve dhe tmerreve që kanë pësuar ata njerëz është një dënim për së dyti.
Është e trishtë të dëgjosh se, akoma pas 27 vjetësh, ka historianë që mbrojnë atë regjim. Akoma ka njerëz që duan të bëjnë avokaturën e krimit duke mohuar gjakun dhe vuajtjen e viktimave! Dhe më e ndyra është kur shikon që këtë e bëjnë njerëz të lidhur me atë regjim e bij hetuesish të makinerisë së krimit, të cilët nuk u penduan e nuk shfaqën kurrë keqardhje për atë që kanë bërë ata dhe etërit e tyre.
Një vend normal nuk mund të lejojë që të artikulohen pikëpamje të tilla që mbrojnë krimin dhe dënojnë viktimat. Nëse kjo do të ndodhte në një vend si Gjermania apo Anglia ata sot do të ishin ishin përpara gjykatës. Por në një vend ku e vërteta nuk u zbardh kurrë e ku përgjegjësit nuk u vunë përballë përgjegjësisë, është e kuptueshme që poshtërsia të mos ketë kufinj, dhe natyrisht ajo do të mbajë peng vendin në çdo aspekt.
Mos prisni që ky vend të ecë përpara kur fle dhe ushqehet mbi një të kaluar kriminale të panjohur e dënuar në asnjë moment! E kaluara nuk mund të shlyhet me harresë, e as me apologjetët e krimit!

***

 

Filed Under: Politike Tagged With: Kampi i Tepelenes, Tomorr Alizoti

PERKUJTIMI I VIKTIMAVE TE KAMPIT TE TEPELENES

September 2, 2015 by dgreca

Nga Gjon Kadeli/
Sot, ne vendin ku ishte Kampi i Perqendrimit, u perkujtuen viktimat e atij kampi. Ne ceremonine ne fjale, pervec pjestareve te familjeve te viktimave, moren pjese zyrtare shqiptare, Ambasadori i Polonise, si edhe perfaqesuese te OSBEse. Me kete rast te pranishemve iu tregue pllaka perkujtimore e viktimave.
Kampi i Tepelen u hap ne fillim te 1949 dhe vazhdoi veprimin deri me 1954.Ne ate kamp u interrnuen ma shume se 3 mije vete. Kampi ne fjale u pagezue “Kampi Famekeq i Tepelenes”. Arsyeja per kete ishte se ne ate kamp, nga torturat vdiqen 500 vete dhe 300 femije vdiqen nga uria dhe nga semundjet e ndryshme.
Pervec atyne qe i torturuen e si rrjedhim vdiqen dhe punes se rand te detyrueshme te te internuemve, u dhunue ne menyren ma skajore edhe dinjiteti njerezor. Vorret e te vdekunve u zhvendosen tri here, dhe si rrjedhim, u zhduken edhe eshnat e te vdekunve. Shpeh here kane shkue njerez e te gjetun vorret e pjestareve te familjeve te tyne, e nuk kane mujtun te gjejne as shej as duk. Numri i njerezve qe jane zhduk ne Shqipni gjate rregjimit komunist kalon 6 mijshen.
Si bashkfamiljaret e te vdekunve dhe te zhdukunve, si edhe shoqnia ne pergjithsi, duhet te dine dhe te kuptojne plotsisht dhunen barbare te rregjimit komunist.

Filed Under: Histori Tagged With: Gjon kadeli, Kampi i Tepelenes

Në kampin e Tepelenës,komunistët lanë të vdisnin nga uria më shumë 300 fëmijë

November 8, 2014 by dgreca

Bisedoi : Nebil CIKA
Agim Musta rrëfen për shfarosjet në kampet e internimit në diktaturën komuniste
Në emisionin “Rrno për me tregue” këtë javë ka qenë i ftuar studiuesi dhe ish-i përndjekuri i regjimit komunist Agim Musta. “Ngjarja që do të trajtojmë është shumë e dhimbshme për historinë e vendit. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri, madje mund të jetë e vetmja diktaturë komuniste në Europën Lindore që ka kryer të tilla krime: internimi, vrasja e fëmijëve dhe moshave të vjetra. Unë do ta përkufizoja si “holokausti shqiptar”. Krimet që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri mund të quhen të barasvlershme me krimet që ka kryer nazizmi në Gjermani. Në kampet e internimit si ai i Tepelenës dhe i Porto-Palermos kanë ndodhur vrasje makabre. Treqind fëmijë të vrarë, shumë djem të moshës së re të verbuar dhe varrosje e kufomave të të dënuarve politikë. Për të trajtuar këtë ngjarje tragjike që i ka ndodhur kombit, kam të ftuar zotin Agim Musta, një studiues i krimeve të komunizmit dhe një ish-i burgosur politik”, – tha në hyrjen e emisionit gazetari Çika.
– Zoti Musta, ç’mund të na thoni për këtë ngjarje të rëndë që i ka ndodhur vendit?
– Internimet e diktaturës në Shqipëri filluan në 22 dhjetorin e vitit 1944, sidomos në pjesën veriore të Shqipërisë. Me qindra familje nga Veriu i vendit u dhunuan dhe u plaçkitën. Komunistët u vodhën atyre çdo gjë, deri te pulat që kishin në kotec. Mundën të shpëtonin vetëm disa para që kishin fshehur në pjesët intime të trupit. Këtë gjë e pohon edhe ish-oficeri i Sigurimit Lekë Mëlyshi, vëllai i Pal Mëlyshit, Heroi i Popullit në diktaturën komuniste. Familja e Abaz Kupit ka bërë 51 vjet internim. Këto familje meritojnë të futen në librin “Gines”. Vajza e tij, Lirie Kupi, ka vuajtur 51 vjet internim: 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.
– Nuk është vetëm familja Kupi, ka edhe shumë familje të tjera që janë internuar në këto kampe përqendrimi, të cilat i kanë përjetuar të dyja llojet e internimit: ato të fashizmit dhe të komunizmit. Në librin tuaj ju keni trajtuar disa lloje internimesh që janë bërë në Shqipëri. Flisni për Perandorinë Otomane, kohën e Zogut, pushtimin e Italisë dhe komunizmin. Cili është ndryshimi ndërmjet këtyre?
– Kampet italiane dhe komuniste ndryshojnë si nata me ditën. Ali Kelmendi, ish-kapter, agjent i KOMINTERN-it, që nisej me shërbim. Ai kishte ardhur në Shqipëri për misionet e tij dhe u diktua nga forcat e Sigurimit. Atë e çuan në internim në Gjirokastër. Po çfarë internimi ishte ai i Ali Kelmendit? Atë e caktuan nga prefektura e Gjirokastrës që të ushqehej në një restorant të klasit të mirë dhe të rrinte në një dhomë komode, të flinte aty. I vetmi kusht që i vunë ishte të paraqitej një herë në dit në komandën ushtarake të Gjirokastrës. Kjo gjë i bën shumë historianë dhe studiues të çuditen nga toleranca që kishte regjimi i Zogut. Në kohën e Zogut ishte me rregull që personat internoheshin vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, duke bërë një analizë shumë të thellë. Dhe jo si në kohën e diktaturës, që edhe një kapter i thjesht i policisë kishte të drejtë të internonte njerëz. I tillë ka qenë përfaqësuesi i minoritetit grek Vasil Shahini, që e vranë komunistët në Gjirokastër më 1943. As në sasi nuk mund të krahasohet periudha e Zogut me atë komuniste. Në kohë e mbretërisë të internuarit numëroheshin më gishta, ndërsa në periudhën komuniste ishin me shumicë njerëzit e internuar. Gjithashtu kishte ndryshim rrënjësor edhe në trajtimin që u bëhej të internuarve. Trajtimi komunist ishte për shfarosje, gjë që e pohon Kadri Hazbiu në gjyqin që iu bë më 1983-shin. “Në mënyrë të paligjshme ne sekuestruam dhe përvetësuam së bashku me pushtetin lokal pasurinë e personave”, -thotë ai
– Zoti Agim, të qëndrojmë në kampet e përqendrimit. Sipas librit tuaj, por dhe sipas dokumenteve të arkivave të komunizmit, në shumë fshatra të thella të Shqipërisë kishte njerëz të internuar, por ju keni veçuar disa kampe, që mund të quhen “kampe të shfarosjes”. Bëhet fjalë për kampin e Tepelenës dhe kampin e Porto-Palermos. Më kanë bërë përshtypje një shifër që ju keni publikuar: 400 persona të vdekur, 300 prej tyre ishin fëmijë. Cilat ishin arsyet që kanë ndodhur këto vdekje? Cilat ishin shkaqet?
– Unë do t’ju tregoj një fakt, të cilin ma kanë thënë në burg. Vetë djali i Qazim Mulletit, të cilit i bëhej parodi, më ka thënë se brenda një periudhe 6-mujore ka varrosur dhe shfarosur rreth 350 fëmijë. Shumica e fëmijëve kanë vdekur nga uria. Gratë që ishin të internuara i çonin në malin e Luzatit për të prerë dru ose për të mbledhur gurë dhe i linin fëmijët pa ngrënë. Edhe ndërkombëtarët habiten tej mase kur dëgjojnë këto gjëra. As në Rusinë staliniste, që është pjella e komunizmit botëror, nuk kanë ndodhur të tilla krime makabre.
– Në libër thuhet se kampi ishte i ndërtuar në një fushë të minuar he shumë fëmijë kanë vdekur duke luajtur në fushat e minuara. Ishte e qëllimshme ngritja kampit në këtë fushë të minuar?
– Gjatë luftës italo-greke, që filloi në tetor të vitit 1940 dhe përfundoi në maj të vitit 1941, këto fusha u minuan ngaqë aty ishte një repart i madh ushtarak. Kazermat e repartit u përdorën për internimin e njerëzve nga komunistët. Pikërisht me tërheqjen italiane kishin mbetur shumë municione ushtarake të paplasura.
– Një nga detajet për kampin e Tepelenës ishte dhe zhvarrosja e kufomave të fëmijëve, të cilët i varrosën në breg të lumit. A gjenden sot gjurmë të këtyre krimeve?
– Kjo ishte metodë e komunistëve. Këtë në burg ma ka thënë vetë gjenerali i sigurimit. Në fillim kufomat i varrosnim me gëlqere të pashuar, më pas i varrosnin buzë lumenjve dhe përrenjve, me qëllim që, kur ata të vërshonin, t’i merrnin kufomat dhe t’i çonin në det. Nga këto metoda nuk janë gjetur as 20% e kufomave, pasi pjesa tjetër ka përfunduar në det.

Filed Under: Interviste Tagged With: 300 femije te vdekur, Agim Musta, Bisede, Kampi i Tepelenes, Nebil Cika, shteti komunist

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT