• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KELMENDËT E SREMIT – NJË DIASPORË E ZHDUKUR DHE HARRUAR

April 13, 2020 by dgreca

NGA ADIL FETAHU/ Kelmendi është një prej  dymbëdhjetë fiseve shqiptare që jetojnë në Veriun e Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe Dardaninë (Kosovën).  Fisi i Kelmendit shtrihet në Malësinë e Madhe, që i takonte Sanxhakut të Shkodrës, në pjesën më veriore dhe më të izoluar të Shqipërisë, me ngulimet kryesore në Vermosh, Tomara, Selca, Lepusha, Vukli dhe Nikçi.  Për shkak të afërsisë  dhe kontakteve me Shkodrën, ku  kishte klerikë nga Vatikani dhe Republika e Venedikut, Kelmendasit e Malësisë së Madhe i përkisnin besimit katolik. Nahija  e Kelmendit (Klementi) përmendet edhe në regjistrat e vitit 1497, kur ishte bërë regjistrimi i popullsisë për t’i paguar taksat shetit Otoman, por kelmendasit me forcë e refuzonin pagimin e taksave dhe sundimin otoman. Për shkak të kundërvënies dhe luftërave të pandërpera kundër pushtetit otoman, kelmendasit, sikur edhe arbëreshë të fiseve tjera, prej vitit 1437 deri më 1744, u detyruan të lëvizin nga trojet e tyre autoktone, të shpërngulën  dhe të emigrojnë në Itali, Dalmaci dhe në drejtime tjera deri në Srem e Hungari dhe në Bullgari.Dom Frrok Zefi,  në studimet dhe në librin  e tij “Shqiptarët Kelmendas në Hrtkovc e Nikincë (1737-1997)”, Zagreb 1997; mbështetur në burime arkivore, kryesisht kishtare, tregon se dyndjet e shqiptarëve nga trojet e tyre janë zhvilluar nga viti 1437 deri më 1747, se  një grup Kelmendas u shpërngulën në Bullgari, në Çiporovac, Kopillovac e Zhelezna, famullitar i të cilëve ishte françeskani Nikoll Kabashi, të cilin e quanin At Nikoll Shqiptari; një grup tjetër u shpërngul në Hungari në vitin 1690; në Zarë të Dalmacisë janë shpërngulur në vitet 1723-1727. Kronikat e Arqipeshkvisë së Shkupit (1629) bëjnë të ditur se në Malësinë e Madhe Kelmendasit katolikë nuk pranojnë pushtetin turk. Në bashkëpunim me Malazezët, Kelmendasit dekada me radhë luftuan kundër ushtrisë Osmane. Udhëtari i njohur turk, Evlia Qelebia, kur e kishte vizituar Shqiperinë e Veriut (1662), e ka përmendur fisin e Kelmendit, si popullsi   pa fe, që nuk e pranon pushtetin turk.  Në tetor të vitit 1680, imz.Pjetër Bogdani  vizitoi fshatrat rrreth Drinit të Bardhë, kur Kelmendasit kishin vrarë 120 turqë dhe kishin marrë  200 kuaj e kafshë tjera. Pas kësaj filloi përndjekja e Kelmendasve të Rugovës, të cilët u vendosën në Peshter të Jeni Pazarit, prej nga (në vitin 1739) kanë shkuar në viset nën pushtetin e Austrisë (në Srem). Më 19 korrik 1737, nga Shtabi i Teshnicës (afër Nishit) feldmarshali austriak Sekendorf, i ftoi të gjithë të krishterët, katolikë dhe ortodoksë,  të çohen në kryengritje kundër turqëve. Nga katolikët, atypëraty iu përgjegjën udhëheqësit  kelmendas  Bic Vata (i Shpajes), Gjon Pjetri (i Hotit) dhe Gjon Martini (i Grudës). Ftesën kelmendasve për kryengritje kundër pushtetit otoman ua bëri edhe  arqipeshkvi i Shkupit Mihajlo Suma dhe patriarku ortodoks Shakabenda, me prijësit e fiseve Vasojeviqi, Kuqi, Piperi  dhe Bratonozhiqi.  Në luftën e zhvilluar kundër ushtrisë turke,  kryengritja u thye dhe kelmendasit e të tjerët u detyruan të tërhiqen, bashkë me ushtrinë austriake. Gjatë tërheqjes, disa kryengritës kelmendas, ortodoksë, u vendosën në rranzat e Malit Rudnik dhe Avalla, ndërsa të tjerët, katolikë,  të udhëhequr nga kapedanët  e tyre, Dede  dhe Vata, bashkë me ushtrinë austriake kaluan lumin Sava dhe u vendosën në fshatrat e Sremit:  Hrtkovci, Nikinci, Shashinci, Bernandina, Mishkovci, Kereshinci, Jurjevci. Wikipedia kroate shënon se me atë rast, në Nikinci të Sremit ishin vendosur 1600 shqiptarë katolikë. Një degë e kelmendasve  shkuan në Bullgari. Sipas një raporti të arqipeshkvit të Shkupit, Matej Mazreku, në kohën e luftës austro-turke (1737), më se 20 shtëpi shqiptare të fisit të Kemendit janë shpërngulur në Hungari, ndërsa 30 shtëpi kishin mbetur në Serbi, të cilët ose u turqizuan ose u serbizuan. Me qenë se kelmendasit ishin vendosur vet në fshatrat e Sremit, administrata austriake e Osjekut, në vitin 1740 iu jep lejen që kelmendasit (e Rugovës, nga Peshteri) të vendosen në fshatin Nikinci. Fillimisht, kelmendasit ishin vendsour në brezin kufitar, për të ruajtur kufirin  e Monarkisë Habsburge ndaj Turqisë. Vendosjen e kelmendasve tjerë në Hrtkovci e ka bërë mbretëresha Marija Tereza, si shpërblim për besueshmërinë e tyre si roje  e kufirit.  Pas pushimit  të rrezikut dhe nevojës për roje të kufirit, që ka zgjatur deri në vitin1881, kelmendasit gjetën qetësinë në tokën e mirë  të Sremit dhe iu përveshën punës  në bujqësi e blegtori. Sipas ndarjes administrative, zhupania e Sremit,  ku ishin të vendosur  kelmendasit, kishte selinë në Vukovar, të banovinës Kroate, në kuadër të Mbretërisë së Hungarisë. Djemtë e kelmendasve të Sremit më të shumtën u shkolluan në Osjek për prftërinjë, por kishte edhe asi që shkolloheshin  edhe në qendra tjera, për profesione tjera dhe për oficerë ushtarakë e që arritën grada të larta. Nga kelmendasit e Hrtkovcit e Nikincit, përveç prelatëve të shquar katolikë: Antun Maletiq, Simon Deda, Karlo Gega, Jakob Losh, Augustin Prentiq, Andrija Marash, Gjelosh Pali, etj,  kanë dalë edhe personalitete tjerë të shquar, si avokati dr.Nika Nikiq, ministër në Mbretërinë e Jugosllavisë; shkrimtarët Mirosllav dhe Sllavko Magjer; profesori Gjon Losh-Marashi-q, gjenerali dhe heroji Nikolla Nikiq-Peko, etj.

Gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, ushtria serbe ka granatuar e bombarduar Kishën  dhe selitë e misioneve  katolike në Hrtkovci dhe Nikinci, ka djegur e shkatërruar objektet dhe dokumentacionin e famullisë, ashtu që është vështirë të gjendet dokumentacion autentik të vendit për rrjedhat historike të atyre banorëve.

Megjithëse shumica  dërmuese e shqiptarëve të Sremit ishin shpërngulur prej andej, në qershor të vitit 1971, Famullinë e kelmendasve në Hrtkovci e Nikinci e vizitoi ipeshki i Shkupit e Prizrenit,imz. Nik Prela, me dom.Gasper Gjini dhe profesor Zekeria Cana, të cilët i priti famullitari dom.Ilia Martinoviq dhe vajza e tij kelmendase Tereza Loshi, ndërsa në Nikinci iu shtroi darkë  Milo Pakiq e Manda Mançeta-Mishkoviq. Gjatë asaj vizite, imz. Nik Prela mbajti një meshë në kishën e Hrtkovcit, ku një pjesë të meshës mbajti edhe në gjuhën shqipe.

Asimilimi  i kelmendasve të Sremit

Për shkak të ardhjes së vazhdueshme të Kroatëve, Hungarezëve dhe Gjermanëve në tokën e plleshme të Sremit, me kohë ndodhi edhe asimilimi i kelmendasve të vendosur atje. Ata më së tepërmi u afruan me Kroatët, për shkak të përkatësisë së besimit katolik,  dhe erdhi deri te martesat e përziera midis tyre, por edhe me Hungarezë e Gjermanë, të të dy gjinive. Kjo ndikoi që kelmendasit e Hrtkovcit dhe Nikincit të asimilohen e të shkrihen  kryesisht në popullsi kroate. Qysh në regjistrimin e vitit 1890,  prej 2253 banorëve të Hrtkovcit, pjesa më e madhe e kelmendasve ishin deklaruar si Kroatë. Ndërkaq, në regjistrimin e bërë në vitin 1910, prej 2518 banorëve të Hrtkovcit, 1144 ishin deklaruar Kroatë, 644 Gjermanë, 619 Hungarezë, 70 Serbë, 20 Sllovakë dhe 21 të tjerë, dhe  përkah përkatësia fetare 2381 ishin romakokatolikë e 71 ortodoksë, pravosllavë. Kelmendasit e Hrtkovcit dhe vendeve tjera të Sremit, në ndërkohë janë shpërngulur  nëpër qendrat  të Kroacisë e më larg. Vetëm mbiemrat e disa familjeve: Nikiq, Vuksaniq, Cakiq, Losh-iq, Marash-iq, Pepiq, Koliq, Ivaniq dhe Pakiq asociojnë dhe mund t’ua kujtojnë prejardhjen  e dikurshme kelmendase. Profesori  i historisë, tash në pension, Marko Losh Marash-iq, që jeton në Rumë, tregon se edhe pse askush më nuk deklarohet si kelmendas, në shtëpinë e tij akoma i ruajnë disa tradita të këtij fisi kur është fjala për festat fetare. Në një bisedë në shtëpinë e tij, të cilën e kishte zhvilluar gazetarja Vanja Ratkoviq (më 20 janar 2020), profesori Losh-iq i kishte shpjeguar  asaj historinë e kelmendasve të Sremit dhe i kishte folur për personalitete të shquara  të asaj loze. Ndër të tjerë, i shquan dy sish, të dy me emra e mbiemra Nikolla Nikiq, por që njeni prej tyre, me pseduonimin Peko, ishte një kalorës  i shquar ushtarak dhe i shkolluar në Rusi,  ishte aleat i drejtpërdrejtë i Karagjorgjes dhe fitues i disa beteja në Kryengritjen e Parë Serbe, të cilit më 13 dhjetor 1810 iu organizua pritje soleme në Beograd, si  heroit dhe njenit nga bashëpunëtorët më të afërt të Karagjorgjes.  Pas vitit 1811  Peko është kthye në Rusi,ku ka marrë pjesë në luftën ruse kundër Napoleonit. Ka vdekë si general i ushtrisë ruse. Nikiqi tjetër, më i ri se i pari, ishte ministër i xehëtarisë  dhe besnik i Mbretërisë së Jugosllavisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mos dashur të bashkëpuojë as me okupatorin as me NDH,  ka ikur në Argjentinë (Buenos Aires). Vajza e tij Sinka Nikiq i është bashkuar të jatit në Argjentinë, në vitin 1947,dhe atje u martua me një milioner pronar i anijendërtimtarisë. Pasi Senka nuk kishte fëmijë,  për pas vdekjes tërë pasurinë ia kishte lënë kishës katolike të Argjentinës. I ati i saj, Nikolla ka vdekur në vitin1958. 

Origjina kelmendase e Karagjorgjes (?)

 Në fshatrat Shashinci, Jarkovci e Mishkovci, në të cilat struktura e popullsisë u dominua nga Serbët ortodoksë, kelmendasit u sërbizuan. Në shkrime e botime të ndryshme pohohet se udhëheqësi i kryengitjes së parë serbe (1804), Gjorgje Petroviq – Karagjorgje, ishte me prejardhje  shqiptare, nga Kelmendët të cilët ishin vendosur rrënzë Malit Rudnik në vitin 1737, në Serbi, asokohe nën pushtimin Osman (libri: “Karadjordjeviqi – sakrivena istina”; Karagjorgjeviqët – e vërteta e fshehur; bashkautorë: Millorad Boshnjak e Sllobodan Jakovleviq). Këtë e pohon edhe  profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Sarajevë, Besim Spahiq, që thotë se dinastika e Karagjogjeviqëve janë me prejardhje shqiptare, të fisit Kelmend (“Sputnjik”, 30 janar 2017), sikurse që e pohon edhe Jovan Mrshin Klimenti. Ithtarët e kësaj teorie thonë se fisi i Kelmendit në Shqipëri ishte ai që i garantone ushtrisë serbe tërheqjen nëpër Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore. Rajko Veselinoviq në librin e tij “Istorija srpskog naroda, Cetvrta knjiga, tom I”, Beograd, 1986, fq.160; Historia e Popullit serb, Libri IV,bleni I), thotë: “Gjorgje Petroviqi, udhëheqësi i Kryengritjes së Parë Serbe është me prejardhje romako-katolike shqiptare, nga fisi i Kelmendit (shih: “Analitika”, 26 gusht 2017).

Krimi i Sheshelit ndaj banorëve të Hrtkovcit

Në luftën e fundit midis Serbisë e Kroacisë (1992-93), banorët kroatë të Hrtkovcit dhe Nikincit, shumë prej të cilëve kishin origjinën nga fisi i Kelmendit, për të shpëtuar nga masakrat serbe, u detyruan të shpërngulën  në Kroaci. Ata i përndoqi  krimineli i njohur serb, Vojisllav Sheshel, me çetnikët e tij. Në një miting të Partisë  Radikale, që mbajti në Hrktovci më 6 maj 1992, lexoi emrat e kroatëve “jolojal”, të cilët duhet të shpërngulen prej aty, ose do të zhduken me gjithë familjet e tyre. Në fjalimin e tij në miting, ditën e Shëngjergjit, ai i porositi Kroatët: “Në këtë fshat, Hrtkovci, në këtë trevë të Sremit serb, nuk ka vend për Kroatët…Edhe këta që i kanë mbyllë shtëpitë e kanë ikur, ndoshta duke shpresuar se një ditë do të kthehen, ne i porosisim – nuk kanë ku të kthehen më. Në shtëpitë e tyre do të vendosen refugjatët serbë. Vëllezër e motra serb-e, pasi që Tugjmani i ka ndjekur më se dyqintmijë serbë, një pjesë e tyre do të kthehen në Krajinën Serbe, por një pjesë  tjetër nuk do të mund të kthehen e të vendosen atje. Atyre serbëve ne duhet t’iu sigurojmë kulm mbi kokë dhe gojët e uritura t’i ushqejmë. Ne nuk kemi para t’iu ndërtojmë shtëpi e banesa, as të hapim vende të reja pune për ta. E buur, pasi nuk kemi (këto) mundësi, atëherë secilit refugjat serb duhet t’ia japim adresën e një familje kroate. Do t’ua jep milicia; milicia do të punojë ashtu qysh vendosë pushteti, e ne së shpejti do të jemi pushteti. Bukur, të gjitha familjet  refugjate serbe do të vijnë në dyertë serbe dhe Kroatëve që i gjejnë këtu, do t’ua japin adresat e tyre që i kishin në Zagreb ose në vendet tjera kroate. Po, po. Do të kemi mjaft autubusë që t’i përcjellim deri në kufi të Serbisë, e prej aty le të vazhdojnë në këmbë, poqese nuk shkojnë vet.”  Pas atij mitingu, filluan rrahjet, plagosjet e maltretimet e banorëve kroatë, ashtuqë  shumica u detyruan të shpërngulën. Për këtë krim të kryer ndaj banorëve kroatë të Hrtkovcit, Shesheli u gjykua me 10 vjet burgim ngaTribunali i Hagës dhe mu fjalimi i cituar më sipër ishte provë për Tribunalin që vërtetonte fajin e Sheshelit për shpërnguljen e dhunshme të Kroatëve.

Tash poullsinë e atyre vendeve e përbëjnë shumica serbe. Sipas regjistrimit të vitit 2002, popullsinë e Nikincit e përbënin: Serbë (69,22%), Hungarezë (11,31%), Kroatë (9,47%), etj.  Natyrisht, Kelmendasit nuk përmendën më, përveç në kronikat  kishtare dhe në ndonjë libër të historisë,të shkruara nga autorë të huaj. Ata janë zhdukur, por historia shqiptare nuk duhet t’i harrojë. Librat e Don Frrok Zefiq, dhe ai i Marko Losh – Marashit, janë lëndë e mirë për mbamendje për kelmendasit e Sremit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adeil Fetahu, Kelmendi

Majlinda Kelmendi,tjetër Medalje të Artë

October 31, 2014 by dgreca

PRISHTINË, 31 Tetor/- Sportistja shqiptare nga Kosova, kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, pozicionohet e para në klasifikimin botëror të xhudos për femra.
Në tabelën e publikuar së fundmi në faqen zyrtare të xhudos, krenaria e sportit kosovar dhe në përgjithësi e sportit shqiptar, është e para në klasifikim me 3730 pikë, 300 më shumë sesa konkurrentja në pozitën e dytë, raporton Koha.net.
Në vendin e dytë gjendet holandezja Kim Polling me 3360 pikë, ndërsa në vendin e tretë pozicionohet Clarisse Agbegnenou e Francës me 3330 pikë.
Kelmendi që është në finale të “Grand Slamit” në Abu Dhabi është lidere edhe në kategorinë 52 kilogramë me po aq pikë.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e vlerësoi Mbretëreshë e sportit kosovar dhe evropian.”10 medale të arta për 2 vite”, shprehet sonte kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi xhudistja shqiptare nga Peja, fitoi edhe medaljen e artë në turneun prestigjioz “Grand Slam” në Abu Dhabi.(Kortezi-Maela Martini)

Filed Under: Featured Tagged With: Kelmendi, Majlinda Kelmendi, tjetër Medalje të Artë

Zëri i qytetarisë gjakovare

August 29, 2013 by dgreca

Ky shkrimi i kushtohet shpirtbardhësisë së familjeve Rizvanolli dhe Kusari që   e mundësuan ndërtimin  e Shkollës fillore ”Këlmend Rizvanolli ” në Gjakovë, me pasurinë e familjes se shuar të  Fatmir,Fakete dhe Këlmend Rizvanollit/

Nga Fahri XHARRA/

 ”Nuk mund të ketë atdhetari pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetar; Krijoni qytetarinë dhe keni çdo gjë që iu nevojitet; Pa atë ju keni asgjë, përveçse skllevër që nga sundimtari e deri poshtë. (-Jean-Jacques Rousseau)”.

Përbrenda nesh, aq sa po na shohin sytë tonë, mbretëron një errësirë. Si jetohet vetëm me errësirën? Përbrenda errësirë, përjashta  nesh errësirë, në jetë errësirë, në fjalë errësirë? Lehtë e kemi , po duam që ashtu siçna ka lindur nëna, të jetojmë e të vdesim shqiptar, njeri! Të dalim nga vetvetja  e jonë e errësirës, të ecim, marshojmë, nxitojmë, sakrifikojmë , punojmë, guxojmë..Të ngisim  kokën lart. T´i shtrëngojmë grushtet.  Të hapim zemrën. T´mos harrojmë çdo mëngjes të pijmë nga një gotë dashuri! Në mos për asgjë tjetër,të besojmë, dashuria  na i  hapë portat e fatit, të besimit, të vullneteve, të shpresës…(R.Greicevci)

:”Kujt i pakësohet turpi, i është pakësuar ndërgjegjja; kujt i pakësohet ndërgjegjja, i vdes zemra”.thot libri . Secili njeri e ka hijen e vet. Edhe një fije kashte e ka hijen e vet. Por, halli tjetër na ka pllakosur neve: Hija e jonë, fjala dhe morali ynë, puna dhe synimi ynë, shpesh nuk shëmbëllen në veten tonë. Na vërtet po nxitojmë, po na ngutet diçka në jetë, po shihet,deri me sot kemi kaluar shumë shtigje, por, mjerisht nuk  nuk po e dijmë cakun për ku jemi nisur. Dhe, neve, o shpëtimtar mëkatar tëkombit, shpeshnaka rënë të këndojmë nëpër terr, të ecim  nëpër terr të flasim nëpër terr, e besa edhe të punojmë do “punë” nëpër terr. O boll ma se u bëmë horr, duke kërkuar veten tonë, identitetin, dashurinë, pasurinë, kolltukun nëpër hijet e vetvetes sonë.

Mjerë na që s’po i përngjajmë hijes sonë !

Nuk mund të ketë atdhetari pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetar- thoshte  J.J.Rousseau.

E fituam lirinë , por e fituam lirinë pa virtyt e në mungesë të virtytit mbetem pa qytetari.

Qytetaria është shkalla më e lartë e moralit, më e vlefshmja prej tyre dhe që më së shumti sjell dobi. Ajo është veçori që e dallon njeriun nga shtazët. Kush nuk ka qytetari, tek ai nuk gjendet ndonjë veçori e njeriut përveç mishit dhe gjakut, ngase ky njeri, vetëm me këtë pamje të jashtme të njerëzimit, është i humbur dhe i zhveshur nga koka e mirësive dhe e moralit.

Mendjemadhesia (lakmia) nuk ndjen kenaqësi në pervetësimin e dickaje, por në përvetësimin më shumë të shumëdickaje ne krahasim me nje person tjeter. Ne themi që njerëzit janë mendjemëdhenj (lakmitar) kur janë te pasur ,ose të zgjuar, ose të pashëm por nuk është kështu. Lakmia  është kënaqesia e të qenit mbi të gjithë të tjerët – pa marrë parasyshë mjetet ,mënyrën dhe rrugën.. Kur gara mbaron, lakmia ulet gjithashtu. Por ,gara nuk mbaron kurrë !

Mospasja e lakmisë është argument për besnikëri, besnikëria është argument për falënderimin, falënderimi është argument për përmendjen e qytetarisë , përmendja e qytetarisëështë argument për shtimin e mirësive,

Në kohërat mitike, individualiteti njerëzor nuk ka egzistuar sepse nuk kishte kulturë-gjuhë , aftësi dhe atribute tjera që e dallojnë nga njeriu i sotit. Se cka donte Prometheu nuk ishin individët njerëzor apo grupet e individëve por njerëzishmëria(humaniteti) si një potencial njerëzor – ajo që protonjerëzit e arrijnë me ”zjarr” dhe ”shpresë të verbuar”.

“Fytyra e mbrojtur me krenari është sikurse margaritari i mbrojtur në guacën e vet”.- më tha dikush, por ”A-huuu! Ditë s’je! Natë s’je! Diell s’je! As vetvetja jote s’je, o mëkatar. (R.Greicevci)”

Grykësia nuk është kategori ekonomike , nuk është normë e kodit etik që përfaqëson një individ grup apo krah politik .Ajo  vjen e shfaqet nga njerëz injorantë e të pa kulturë , pa vizion dhe pa virtytete qytetarie .. Me çdo kusht pasurimi . Pa regulla , te pa ndalshëm , perfshi krimin .! Ka shumë  thënje per grykësinë edhe në dashuri, por edhe ajo sjellë aliena.

Është lakmia- dëshira për të qenë më i pasur se një person tjetër, dhe edhe më shumë, deshira për të qenë në pushtet. Sepse fuqi/pushtet është ajo që i pelqen mendjemadhësisë: s’ka gjë tjetër që e bën njeriun te ndihet superior dhe dëshira për ti levizur te tjerët si lodra . Sa me shume  lakmitar dhe grykës të jetë një person është aq më shumë e urren lakminë dhe grykësinë tek te tjerët.

Por llojllojshmëria  është një pasuri natyrore falë së cilës ne ecim , ballafaqohemi ,dallohemi ,përmbarohemi dhe pastaj lindë virtyti , lindë qytetari  ,lindë qytetaria.

Shpirtbardhësia është pasuri vetjake për të bër mirë për të ndarë të mirën me të tjerët, për dashurinë ndaj njerëzishmërisë. Njerëzit që bëjnë diçka të mirë për të tjerët quhen shpirtbardhë. Shpirtbardhësia  është veti , është virtytë i njerëzve të ndryshëm  ” që nga padogogu  Basedow , Nënë Tereza e deri te Bill Gatesi.”Shpirtbardhësia e vën qenjen e njeriut dhe veprimet e tij  në qendër të të gjitha virtyteve qytetare.
´Në një Kosovë të molepsur nga individualizmi , shpirtbardhi apo shpirtbardhët i përgjigjen pyetjes se si funkcionon kjo dëshirë për t´i ndihmuar të tjerët.Shpirtbardhësia  shprehet me vlera dhe në kuptim më të gjerë përkufizohet si tendencë e vazhdueshme për të bër mirë (rasti i Gjakovës). ”Shpirt bardhësia është virtyt i shprehive të edukuara që burojnë nga dashuria për njeriun.” thonë librat e shenjt. ”Nuk mund të ketë atdhetari pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetar; Krijoni qytetarinë dhe keni çdo gjë që iu nevojitet; Pa atë ju keni asgjë, përveçse skllevër që nga sundimtari e deri poshtë. (-Jean-Jacques Rousseau)”.

( Shkrimi i kushtohet shpirtbardhësisë së familjeve Rizvanolli dhe Kusari që   e mundësuan ndërtimin  e Shkollës fillore ”Këlmend Rizvanolli ” në Gjakovë, me pasurinë e familjes se shuar të  Fatmir,Fakete dhe Këlmend Rizvanollit)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Fahri Xharra, familjet Rizvanolli, Kelmendi

KËLMENDI, NDERI I KOMBIT

August 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Nga portali i Presidencës së Republikës së Shqipërisë me kënaqsi mësova se të shtunën më 10 gusht, Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani mori pjesë në “Logun e Bjeshkëve”,  një aktivitet ky që mbahet pë çdo vit në Këlmend të Malësisë së Madhe.  Përveçse njoftohet se Presidenti Nishani i dorëzoi Komunës së Këlmendit dekoratën e lartë,”Nderi i Kombit”, një vlersim i lartë ky për Këlmendin dhe mbarë Malësinë e Madhe,  thuhet se ai ishte presidenti i parë shqiptar në histori që vizitoi  Këlmendin, ku u prit me entuziazëm të madh nga banorët e Malësisë së Madhe.

Presidenti Nishani ia dorëzoi Këlmendit – fisit të luftëtarit legjendar, Prek Calit — dekoratën, ”Nderi i Kombit” gjatë aktivitetit artistik dhe kulturor, “Logu i Bjeshkëve”, që mbahet çdo vit në atë trevë, me qëllim për të ruajtur dhe kultivuar tiparet kulturore eksklusive të Këlmendit dhe Malësisë së Madhe, si pjesë e pa ndarë e kulturës dhe etnografisë së vjetër dhe moderne të Kombit shqiptar.  Kreu i shtetit shqiptar dekoroi fisin e Këlmendit, duke e dalluar,

“Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorje dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.

Është tepër me vend, vlerësimi dhe nderi që Presidenti Nishani i bëri luftës dhe qëndresës së Këlmendasve gjatë shekujve, të cilët gjithëmonë i treguan kombit dhe botës, përballë luftërave e shtypjeve, dhe pushtimeve të huaja që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare si plaçkë nga fqinjtë shovinistë, se është, “Ma mirë dekun me nderë se gjallë  e për mënderë!”.   Këlmendasit, gjatë gjithë historisë së qëndresës së tyre ndaj pushtuesve të huaj otomanë e sllavë, si dhe ndaj komunizmit, si rradhë ndonjë krahinë tjetër, ata gjithmonë ishin një shembëll bashkimi, të lidhur në besë, për t’i treguar mbarë kombit se ishte më mirë, “me vdekë se sa me jetue në robëni”, ashtu siç këndon edhe malësori lahutar, “

“O ti kangtari i kangve kreshnike,

Merre lahuten tashti nji herë,

Na i thuej trimnitë e doket fisnike,

Na i kujto të parët si e kishin për nder:

deken m’e ba sikur me le.”

Ndoc Vulaj, nga Libri, Lufta e Kelmendit

Sipas portalit të presidencës,  në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”,  Kreu i Shtetit, përmendi një prej karakteristakave të kësaj treve, respektin që gëzon femra duke u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare, duke thënë se, “Trashëgimnia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte.  Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.    Në një gjest tepër fisnik, kryetari i shtetit paraqiti para këlmendasve të bijën e tij Fiona, e cila në shënjë respekti dhe admirimi për këtë zonë ishte veshur me kostumin popullor të kësaj krahine.

Presidenti Nishani me akordimin e dekoratës “Nderi i Kombit”, komunës së Kelmëndit, nderoi pasardhësit të gjithë atyre kreshnikëve, që gjatë shekujve ia kushtuan jetën, sakrificat, vuatjet dhe mundimet, lirisë dhe përparimit të kombit shqiptar, duke venë në vend të drejtën dhe të vërtetën.

Sot, është detyrë e jona, që atyre kreshnikëve që luftuan për lirinë dhe që mbrojtën terësinë territoriale  kundër armiqve shekullorë të kombit dhe atyre që gjatë gjithë historisë u përpoqën të ruajnë identitetin e fisit shqiptar, t’ua këthejmë lavdinë dhe nderin e kombit që e vërtetë u takojnë.  Unë si njëri me origjinë nga  ato treva, por për më tepër, si nip i Këlmendit, i jam mirënjohës Presidentit Nishani për njohjen e kontributit që ka dhënë treva e Këlmendit ndajë lirisë, përparimit dhe ruajtjes së bashkimit të kombit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli, Kelmendi, Nderi i Kombit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT