Nga Keze Kozeta Zylo/
Historia amerikane si të gjitha historitë e vërteta në botë është tejet impresionuese, befasuese dhe frymëzuese.Duke jetuar përreth dy dekada në New York plus duke i shtuar dhe vitet e gjyshërve që ishin në Amerikë në fillim të shekullit të kaluar bëhemi një gjysmë shekulli në këtë tokë të bekuar, për rrjedhojë ja vlen të vizitosh dhe të mësosh historinë e vendit ku po punojmë dhe jetojmë. Fundjava e Ditës së të dashuruarve e Shën Valentinit më 14 shkurt dhe e ditës së Presidentit na gjeti në krahët e Williamsburg në shtetin e Virginias, nje ndër vendet më historike të Amerikës, por dhe në Virginian në vendin e të dashuruarve siç dhe shkruhet kudo se Virxhinia është për të dashuruarit, është rreth dashurisë, e pastër e thjeshtë.
Kjo ndërthurrje e historive duket gati si diçka hyjnore, sikur krijojnë një fushë magnetike dhe nuk të lenë pa vajtur t’i vizitosh ndonëse ishte hera e dytë për ne që shkonim së bashku me miqtë tanë që e dashurojnë artin, kulturën, historinë me çiftet Likollari dhe Pira. Edhe pse një e dielë e acartë me temperatura nën zero vetë Williamsburgu të krijon imazhin se s’pyet nga ngricat, bora, akulli, por ruan ate ngrohtësi dhe dashuri si në shekullin e 18 -te, ndryshe nuk ka se si shpjegohet që vizitorët nuk ndaleshin së shkuari për të mësuar rreth historisë dhe revolucionit amerikan.
Në të gjitha shtëpitë historike që i vizituam njohëm dhe prekëm nga afër historinë dhe njerëzit e shquar që punuan me aq përkushtim në Williamsburg të themeluar në vitin 1632, e cila ishte qendër e ngjarjeve politike që udhëhoqi drejt revolucionit amerikan. Williamsburgu ishte kryeqendra e të gjitha kolonive që u krijuan në atë kohë. Shtëpitë e ndërtuara qysh nga viti 1699 -1780 të cilat ruhen me fanatizëm janë një pasuri jo vetëm e Amerikës, por edhe e botës. Ato janë shtëpi dhe histori… Shumë prej ndërtesave si Gjykata e lartë, taverna Wetherburn e të tjera janë qysh prej shekullit 18-të, të tjerat si pallati kryesor, pallati i qeverisë, janë ndërtuar mbi themelet e tyre origjinale. Disa shtëpi janë përdorur si banesa private dhe zyrat. Flamujt që janë vendosur përballë shtëpive tregojnë se janë të hapura dhe të mirëpritura për vizitorët e ndryshëm.
Kolegji i William dhe Mary, themeluar më 1693, është institucioni i dytë më i vjetër-i arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në të kanë studjuar tre presidentë amerikanë si dhe shumë figura të tjera të rëndësishme në historinë e hershme të kombit.
Gjithë shërbimi dhe veshja ishte si në shekullin e 18-të çka është tejet impresionuese dhe frymëzuese… Rrobat ishin punuar në tekstile dhe në mëndafsh në tezgjah, argjendi. Veshjet e shtrenjta të grave për raste ceremoniale ishin në funde të gjata të plota në formë koni tek beli, Kurse për burrat ishin kostume të qëndisura me kilota gjer në gju pastaj u zëvendësuan me pantallona të gjata.
Shume takime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare janë mbajtur në këtë vend si dhe personalitete të shquara vazhdojne ta vizitojnë Williamsburgun. Kështu në vitin 1983 ësthë mbajtur Samiti 9 i G7. Pjesëmarrësit e samitit diskutuan krizën e borxhit në rritje, kontrollin e armëve dhe bashkëpunim më të madh midis Bashkimit Sovjetik dhe G7 ( tani G8 ). Në fund të takimit, Sekretari i Shtetit George P. Shultz lexoi për shtypin një deklaratë që konfirmon dislokimin e raketave amerikane Pershing II – bërthamore në Gjermaninë Perëndimore.
Pallati qeveritar në Williamsburg
“Give me liberty, or give me the death” Patrick Henry
Pallati qeveritar në Williamsburg, Virginia ishte qëndrimi zyrtar i Guvernatorëve Mbretërore të Kolonive të Virxhinias, ndërtuar në vitin 1699.
Pallati ishte gjithashtu një shtëpi për dy postet e guvernatorëve te Virxhinias, Patrick Henry dhe Thomas Jefferson, derisa kryeqyteti u zhvendos në Richmond në 1780. Ciceronja e veshur me kostumin e shekullit të tetëmbëdhjetë filloi të fliste për historinë amerikane në Williamsburg se: “Në krye të revolucionit amerikan qëndronte gjenerali George Washington i cili vinte nga prindër latifondistë shumë të pasur, ai mjeshtërisht dhe me shpirtin patriotik udhëhoqi popullin amerikan drejt fitores dhe shpalljes së Pavarësisë nga Anglia”.
Të trembedhjetë kolonitë që u bënë aq të rëndësishme për Pavarësinë e Amerikës ishin: Delaware, Pennsylvania, New Jersey, Georgia, Connecticut, Massachusetts Bay, Maryland, South Carolina, New Hampshire, Virginia, New York, North Carolina, dhe Rhode Island. Ato u krijuan ndërmjet viteve 1607-1733 në Virxhinia dhe Georgia.
Nëpërmjet debateve të shumta dhe të ashpra midis ligjvënësve të kolonive amerikane ata
kërkonin një qeverisje të të gjithë Amerikës. Organizatorët kryresorë ishin George Washingtoni, Medison, Aleksander Hamilton etj…, ndersa Patrick Henry që u bë i famshëm me fjalimin e tij i cili kundërshtoi forcimin e qeverisë qendrore pasi siç thotë ai, ne e pamë dhe e hoqëm në kurriz shtypjen angleze që udhëhiqej nga mbreti i cili kishte shumë të drejta për të vepruar si tiran.
Kolonitë po luftonin të shkëputeshin njëherë e përgjithmonë nga Anglia. Mbreti i Anglisë George i Tretë, kishte një ndikim të jashtëzakonshëm dhe akoma ishte në fuqi duke i detyruar kolonistët të paguanin taksat. Kolonistë quheshin të gjithë anëtarët e 13 kolonive. Udhëheqësit e kolonive dhe politikanë të shquar si George Washingtoni, Thomas Jefferson, John Adams, Samuel Adams dhe Patrik Henry po i çonin kolonitë drejt një bashkimi dhe kundërshtim të hapur me qeverisjen dhe tiraninë angleze.
Por në dy grupet e ndara në të cilat njeri grup kërkonte që Kombi të udhëhiqej nga qendra dhe një grup tjetër të forconte qeverisjen e shteteve të ndryshme bëri që të ketë debate dhe mospërputhje në mendimet e tyre.
Kështu një nga kundërshtarët e fortë federale ishte Patrick Henry që do të ngelet përjetësisht në kujtesën historike amerikane i cili përpara përfaqsuesve në Virxhinia do të deklaronte: “Give me liberty, or give me the death” Më jepni lirinë ose më jepni vdekjen! Patrick Henry me profesion avokat ashtu si dhe shumë patriotë të tjerë që kryen revolucionin amerikan kishte lindur në Virxhinia si dhe presidenti i parë amerikan George Washington. Ai ka thënë se: “Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të limituar të drejtat e popullit, por është një instrument i popullit për të limituar veprimtarinë e qeverisë, përndryshe ajo do të sundojë jetën dhe të drejtat tona”.
Interesante ishte dhe jeta private e Henrit i cili nga martesa e parë kishte 6 fëmijë dhe nga martesa e dytë 11 fëmijë.
Ajo që do më bënte më shumë përshtypje ishte se pas shumë debatesh të ashpra ata kishin gjetur gjuhën e përbashkët kishin rënë në kompromis për t’u përfaqsuar në Kongres në mënyrë krejtësisht të barabartë. Ndërsa cicëronja fliste mua si shqiptare gjithmonë më shkonte mendja tek Kombi im që udhëhiqet nga politikanë që grinden dhe që njohin vetëm gjuhën e helmit, duke përfunduar në interesa të ngushta meskine dhe që mëria e tyre shkon për dekada të tëra për mos thënë gjithë jetën pa folur, pa i hapur rrugë njeri-tjetrit, ndaj dhe mjerimi dhe problemet politike janë të pandara për popullin shqiptar.
Kur dëgjon dhe lexon historinë amerikane dhe se si ka qëndruar kaq gjatë kushtetuta e saj si kushtetuta më e vjetër në botë medoemos që mendon se Amerika u udhëhoq nga një grup burrash të ndritur, shumë prej tyre nga Virxhinia, udhëheqës të kolonive që e çuan Amerikën drejt fitoreve të panumërta.
Politikanë si George Uashington, presidenti i Kongresit që firmosi Kushetutën, John Adams presidenti i dytë, Aleksander Hamilton, Franklin, John Jay, Thomas Jefferson hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë dhe president i tretë, u bënë promotor të Lirisë dhe ëndrrës amerikane. Më 4 korrik, 1776 ato nënshkruan Deklaraten e Pavarësisë që shpalli përgjithmonë pavarësinë e tyre nga Britania e Madhe. Kjo datë festohet si Dita e Pavarësisë amerikane dhe sivjet populli amerikan feston 239 vjetorin e saj.
Në vitin 1789 u miratua kushtetuta e re me 10 amedamentet bazë që janë dhe të pandryshueshme gjer tani, si liria e fjalës, e fesë, e shtypit. Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në revolucionin amerikan nga lufta e kolonive për Pavarësi.
Ndonëse vizituam shumë ndërtesa si të parukeve, të qymyrit, të armëve, të librave, të këpucëve, etj është e pamundur ta përshkruash historinë e mahnitshme të Williamsburgut brenda pak ditësh, por sidoqoftë historia e saj është siç shkruan kryeministri anglez dhe nobelisti në letërsi Winston Churchill se: History will be kind to me for I intend to write it.” që do të thotë se: “Historia do të jetë e sjellshme me mua sepse kam ndërmend ta shkruaj atë”.
Burgu në Williamsburg
Midis të gjitha ndërtesave të shekullit 18 ishte dhe shtëpia burg, e ndërtuar me urdhër të Ansamblesë së përgjithshme publike në gusht 1701, kur Williamsburgu u bë kryeqyteti i kolonive. Gjatë revolucionit, spiunët, dezertorët ushtarakë, tradhtarët ishin të burgosurit politik. Ata qëndronin atje vetëm 90 ditë të cilët ose dilnin të gjallë dhe liroheshin ose dilnin të vdekur, kjo varej nga gjykimi i Gjykatës së përgjithshme dhe nga masa e dënimit që ata vendosnin si gjykatë supreme. Zinxhirët e rëndë me peshë të madhe, si dhe zinxhirët rreth qafës, ishin disa nga pajisjet që ju vihej të burgosurve politikë.
Burgu shërbeu si ndërtesë deri në vitin 1910 dhe në vitin 1936 përfundoi së rindërtuari. Dhoma e burgut që vizituam ishte me një dritare me dyfish hekurash pa xhama, përballë kishte një oxhak, ndërsa batanijet që hidhnin nga të ftohtit ishin përtokë.
Në cep tek dritarja ndodhej një sunduk druri që ngjiteshe me 3-4 shkallë të ulta për të shkuar mbi sunduk që kishte formën e nje tasi tualeti, për të kryer nevojat personale. Duke u hedhur përsëri në ndjenjat si shqiptare të gjithe ne thamë se nuk dukeshin keq dy dhomat e burgut që vizituam të cilat çuditerisht kishin oxhak që ngroheshin të burgosurit. Ato ishin të gjitha të veshura me dru dhe me dysheme me dërrasa, ndërkohë nga intervistat që kam marrë prej shumë të dënuarve politikë në Shqipëri ata tregojnë me tmerr dhomat e territ në burgjet si gogol, muret e akullta dhe të mykëta, mbipopullimin, minjtë përreth, lagështirën, ferrin e vërtetë, që mjerisht disa prej burgjeve politike, godinat e tyre si Ferr i shkatërruan dhe nuk iu gjendet nami e nishani.
Kur ne u larguam nga godina e burgut i thamë cicerones se burgjet shqiptare ishin më të tmerrshme se burgu që pamë këtu, ato ishin si gropa të zeza gëlltitëse që s’mund të krahasohen me këtë burg edhe pse ky është një burg i shekullit të 18-të ndërsa ata ishin burgje të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ciceronja edhe pse nuk dinte ku binte Shqipëria ngeli e shtangur përballë kushteve cnjerëzore të burgjeve shqiptare.
Taverna King’s Arms e preferuara e George Washingtonit
Tavernat ishin tejet karakteristike dhe servirej me po atë ushqim, pjata dhe veshje si në shekullin e 18-të. Ne shkuam në njeren prej tyre që quhej “King’s Arms”.
Një ndjenjë e bukur shpirtërore të krijohej kur hyje brenda tavernës. Të gjithë kamarjerët me nje ngrohtësi mirësardhje të ftonin të uleshe në tryezë që ishin me punime druri. Kamarjeri ynë i veshur me rrobat e shekullit të 18-të ku më bënë përshtypje më shumë këpucët, çorapet dhe gravata filloi të na pyeste se a kishim ardhur më parë në Williamsburg? Ai kishte 30 vjet që shërbente në këtë tavernë me të njejtën veshje të cilën e dashuronte dhe e kishte pjesën e jetës së tij. Elekuenca dhe mirësjellja e tij në të folur ja shtonin dhe më shumë bukurinë lokalit. Llambushkat e vogla përreth me një dritë të zbehtë, pjatat e dekoruara, pecetat, lugët, ibriku, gotat e verës ishin një pjesë e përvojës së bukur për atë ditë në këtë tavernë rrethuar nga miq të fjalës së bukur dhe të sinqertë çka e bënte atmosfterën dhe më të bukur dhe më tërheqëse. Kamarjeri tha se ju keni ardhur në tavernën më të preferuar të presidentit të parë të Amerikës George Washington, i cili kishte shumë të preferuar gatimet e detit. Unë ju kam ulur në tavolinë vazhdoi ai ku para disa kohësh u ul komedianja e famshme botërore Joan Rivers, njëkohësisht aktore, shkrimtare, producente dhe prezantuese Televizioni. Unë do t’ju shërbej vazhdoi kamarjeri me të njejtën dashuri dhe zell si për Joan River, por jo vetëm për atë, por për të gjithë njerëzit që vijnë këtu dhe respektojnë historinë amerikane. Për vizitën e Joan Rivers në këtë tavernë shkruajtën shumë gazeta ku ajo falënderonte të gjithë stafin për krijimin e një mjedisi magjik i cili ta çonte imagjinatën në tre shekuj të kaluar. Fatkeqësisht ajo ndërroi jetë në shtator 2014 në Manhattan gjatë një analize mjekësore që e çoi drejt një cardiaku arrest. Pas fjalës së kamarjerit erdhi pronarja e tavernës Christiana nje grua fisnike me moshë 75 vjeçe. Ajo foli për historinë e tavernës, jetën e saj që e kishte lënë burri në moshë shumë të re me dy vajza një 3 vjeçe dhe një në bark të saj të palindur. Ajo me guxim pasi bleu këtë tavernë pronësoi dhe 4 taverna të tjera dhe vetëm puna dhe durimi ndryshuan jetën time dhe të fëmijëve të mi, vazhdoi pronarja e cila fliste me një zë delikat dhe konfident. King’s Arms tavern është hapur në 1772 dhe filloi të jetë më e populluara ku zakonisht vinin njerezit me influencë të lartë politike. Taverna është hapur nga Jane Vobe. Në këtë tavernë shërbehet në mënyrë mjaft të kulturuar dhe me ushqime super të shijshme. Fotografitë me pronaren e tavernës ishin shumë të këndshme dhe ajo na ftoi për të ardhur përsëri në fund të marsit pasi do të kishte hapjen e një taverne të re. Le të shpresojmë.
Vizitën në Colonial Williamsburg e mbyllëm duke parë paradën madhështore tradicionale ushtarake me ushtarët të veshur si me rrobat e George Washington dhe komandantët që urdhëronin ushtarët të qëllonin me topa në nderim të të gjithë presidentëve të 13 kolonive që ëuan Amerikën drejt Pavarësisë nga Anglia.
Virxhinia, vendi i të dashuruarve
Ndonëse lindim vetëm dhe vdesim vetëm dashuria e vërtetë krijon magjinë që nuk të lë vetëm por të shoqëron gjer në momentet e fundit të jetës edhe pse shpesh herë mund të mendosh se do t’i mbyllësh sytë në vetmi, atëhere mbi qepalla si frymë e shenjtë të ulet dashuria si një ëngjëll i zbritur nga qielli. Secila pikënisje e një dashurie ka historinë e saj, të bukur apo të dhimbshme, por që nuk harrohet lehtë, se të harrosh dashurinë e vërtetë është njëlloj sikur të kujtosh një njeri që s’e ke takuar kurrë. Pikërisht në ditën e të dashuruarve ne zgjodhëm Virxhinian.
Historia e Vixhinias është tejet e pasur ku midis shumë historish nuk mungon dhe ajo e dashurisë. Gjysma e Amerikës gjer në vitin 1967 kishte ligjin kundër martesave të përziera çka do të thotë se dënoheshin kush do të thyente ligjin martesor.
Dashuria e pastër e dy të rinjve me ngjyrë si e Richard Loving i cili ishte i bardhë dhe Mildred Jeter e cila ishte me ngjyrë të zezë, një afrikano amerikane bënë që të ndryshonin ligjin martesor në vitin 1967 nga Gjykata e Lartë. Ata u lindën dhe u rritën në Virxhinia. Ata u dashuruan kur Mildred ishte 18 vjeçe ndërsa Richard ishte 24. Ata hoqën shumë peripecira së bashku pasi shikoheshin dhe përbuzeshin nga njerëz të shumtë dhe për më tepër fshiheshin nga policia se mos i arrestonte. Një natë në orën 2 të mëngjesit polici më tmerroi kur e pashë pranë shtratit tonë baskëshortor dhe na arrestoi të dyve pasi kishim thyer ligjin në shtetin e Virxhinias. Policët iu bastisën shtepinë gjatë natës. Më 6 janar, 1959, Lovings u deklarua fajtor dhe u dënua me një vit burgim, me dënim me kusht për 25 vjet, që çifti të linte shtetin e Virxhinias. Ata e bënë këtë , duke lëvizur në District e Columbias.
Së bashku linden 3 fëmijë, Donald, Peggy, dhe Sidney. Richard Loving vdiq në moshën 41 në 1975, kur një shofer i dehur goditi makinën e tij në Caroline County, Virginia. Mildred Loving humbi syrin e saj të djathte në të njëjtin aksident. Ajo vdiq nga pneumonia më 2 maj 2008, në Milford, Virxhinia, në moshën 68.
Ndonëse ata ikën shumë të rinj dashuria e pastër e tyre ngeli e përjetshme, në nderim të tyre jane ndërtuar skulptura ku shkruhet me shkronja të mëdha LOVE dhe ku vizitorët e shumtë pozojnë brenda dashurisë së tyre. Vetëm dashuria e çliron botën nga urrejtja, çka të kujton thënien e Martin Luther King Jr. i cili thotë se: “Hatred paralyzes life, love releases it. Hatred confuses life, love harmonizes it. Hatred darkens life, love illuminates it, që përkthehet: Urrejtja paralizon jetën, dashuria e çliron atë, urrejtja confuzon jetën, dashuria e harmonizon atë, urrejtja e errëson jetën, dashuria e ndriëon atë”.
Për rrjedhojë dashuria e zjarrtë e Richard dhe Mildred e çliroi ligjin e urrejtjes raciste që pengonte martesat me raca të ndryshme.
Shkurt, 2015
Colonial Williamsburg, Virginia