• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gratë e Anës së Malit u mblodhën së bashku në ditën e Nënave

May 9, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Një e dielë e bukur me diell që të lëbyrte sytë mblodhi si një tufë lulesh shumëngjyreshe gratë dhe bijat e Anës së Malit në restorantin “Grand Plaza” në Staten Island, New York.

Bukurinë, elegancën, gjatësinë qe u ka dhënë Perëndia dhe mirësinë nga tradita e tyre e mrekullueshme i bënte ato të dukeshin si shtojzovalle në mjedisin ku u mblodhën të rregulluar gjithë shije dhe aromë gruaje.

Sot të gjithë amerikanët në këtë ditë urojnë me plot dashuri nënat e tyre të mrekullueshme dhe shprehin mirënjohjen e tyre ë pakufishme për gjithcka që ato kanë dhënë dhe bërë për fëmijët e tyre.

Kjo festë e bukur e nënave u zyrtarizua për herë të parë në Amerikë në vitin 1914 me vendim të Kongresit Amerikan nën udhëheqjen e presidentit Wilson Woodrow.

Amerikanja Anna Jarvis nga West Virginia zhvilloi një ceremoni në kishë për të nderuar nënën e saj ne 1 vjetorin e vdekjes.  Ajo sensibilizoi së bashku me shumë amerikanë të tjerë publikun e gjerë për ta shpallur një ditë në Maj, ditën e nënave.

Festa e nënave këtë radhë në shoqatën e mirënjohur “Ana e Malit” kishte veçanti sepse për here të parë kjo shoqatë drejtohej nga një grua, zonja Emmie Salaj.

Gratë me fëmijët dhe disa prej tyre dhe me bashkëshortët e bënë dhe më interesante këtë festë të bukur dhe nga më të dashurat për nënat.

Festa ishte përgatitur plot bukuri nga zonjat Mina Salaj, Bajaze Llolla dhe Suada Ceka.

Fjalën e rastit e mbajti kryetarja e shoqatës “Ana e Malit” zonja Emmie Salaj e cila iu uroi gjithë pjesëmarrësve mirëseardhjen dhe “Gëzuar Festën e nënave”!

Zonja Selaj tha se Dita e nënave është një ditë speciale sepse u përket gjithë nënave në botë.  Të gjitha nënat sakrifikojnë për të rritur fëmijët e tyre, por vetëm emocionet, shtatzania dhe rritja e bebeve duke ndenjur për 24 orë rresht pranë tyre është tejet e mjaftueshme për të shprehur respektin dhe mirënjohjen e pakuifshme për nënat.

Ne si kryesi nuk menduam që të vleresonim ndonje nënë të vecantë sot per ta dalluar nga të tjerat sepse ishim të sigurta që secila prej jush e meriton vlerëimin maksimal se çfarë bëni ju për rritjen e fëmijëve.  Sot u çova në mëngjes dhe bëra pak matematikë për sakrificën e nënave dhe ja disa prej tyre:

49 orë punë, 1350 orë të munguara gjumi, 7 vizita tek emergjenca, 2030 herë të ndërrosh pelenat, 4120 pjata me ushqime të përgatitura etj, vazhdoi me humor znj.Salaj…

Ajo falënderoi midis nënave dhe nënen e saj e cila ishte për të një grua e jashtëzakonshme për kurajon që i ka dhënë dhe dëshirën pozitive që ka pasur gjithmonë për fëmijët.

Fjala e znj.Salaj u mirëprit me duartrokitje dhe plot dashuri.  Pastaj u organizua dhe loja e fitimit ku gratë provuan shansin e dhuratave të bukura që ishin vendosur në sfond, si: Bulgari Bag, Bulgari scarf, Hermes His and Her, cologne dh parfum, Hermes Le Jardian Perfumes nga Emmie Salaj.  Tumi Bag nga Deshira Gjeloshi.  Brian Atwood Wristlet dhe Card Case nga Mina Salaj.  Coach IPad Case dhe Sling Bag nga Bajame Llolla.  Produkt për flokët nga Sulejman Pali.

Pjesëmarrësit kërcyen dhe kënduan së bashku nën tingujt e DJ. Fati.

Të gjithë së bashku shprehën dashurinë e tyre për nënat në forma të ndryshme më të mundshme, por urimet e tyre kishin një emërues të përbashket: “Nënat janë lulet me aromë të ëmbël dashurie”.

Aktiviteti u filmua nga z.Fatmir Sella dhe së shpejti do të transmetohet në TV “Alba Life”.

 8 Maj, 2016-Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: festuan, Grate e nga Ana e Malit, Keze Kozeta Zylo

Një shqiptar në Maratonën e çiklistëve në New York me Flamurin Kombëtar

May 4, 2016 by dgreca

Imer Laçaj , Shqiptari që  mori pjesë në  maratonën e çiklistëve në  New York me Flamurin shqiptar dhe logon e TV/ Shkollës Shqipe Alba Life/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Është shumë  interesant dhe krenari se si bashkatdhetarët tanë  në  Diasporë me mënyra nga më nga më  ndryshmet prezantojnë vehten në publik plot kulturë dhe profesionalizëm duke filluar nga vendet më  të  thjeshta deri në  Shtëpinë e Bardhë.  Shembujt janë nga më të hatashmit çka e bën dhe më të  larmishme gjithçka që ata i japin vendit ku janë integruar denjësisht.Këtë radhë  e kam fjalën për shqiptarin Imer Laçaj që  mori pjesë  në Maratonën me biçikleta në metropolin botëror të  Nju Jorkut.

Organizimi  i këtij aktiviteti me biçikleta ka filluar qysh në  vitin 1977, më 12 qershor me rreth 250 pjesëmarrës.Më  vonë  kryetari i Bashkisë  së  Nju Jorkut i ndjeri Ed Koch ka promovuar idenë  e një  turneu më  të  gjerë  me biçikleta.

Nga viti 1979 deri më 1990 sponsori kryesor i Marathonës me biçikleta ka qenë Citi Bank.  Nga viti 1992 këtë  aktivitet e sponsorizon TD Bank, ku për policinë  e

shë rbimit u harxhua 1 milion dollarë .

Z.Laçaj kishte kohë  që  përgatitej për të  marrë  pjesë  në  maratonën me biçikleta, ka qenë  një  passion i hershëm i tij.  Në  fakt me të  drejtë  tha se vetë  shkuarja në  punë  kur ishja në  Shqipëri me biçikletë ishte një  lloj shkolle dhe praktike e cila më  nxiti për të  marrë  pjesë me shumë  dëshirë  dhe kënaqësi.  Ciklizimi ka qenë pasioni im, që më shtyu se kur të krijohen kushtet pse të  mos e realizosh atë , për më  tepër këtu në New York që gjithçka kryhet në mënyrë  perfekte.

Z.Laçaj ka gati dy dekada që  jeton dhe punon në  Staten Island, por për të shkuar në  Manhattan iu desh që  të  merrte Ferrin, pasi atje bëhet nisja.  Në  jug të  Manhattanit filloi përgjatë  rrugës Greenwhich/ Church Trinity, rrotullohesh

përmes 6 avenue, në  Harlem, në  një pjesë të Bronxit, pastej në  Queens, në Brooklyn dhe perfundoje te pika e mbarimit duke ecur drejt urës së  famshme “Verrazano Bridge” për të  ndaluar në Staten Island.

Z.Lacaj ishte shqiptari që iu bashkua 32 mije çiklistëve të tjerë të Marathonës, nuk i dihet në se kishte shqiptarë të tjerë dhe pse u munduam që  të  gjenim dhe të  tjerë …

Shumë  njerëz i marrin me qira biçikletat për të hyrë në  udhëtim, pasi janë  dyqane të veçanta për t’ju shërbyer çiklistëve në  këtë  ditë  të shënuar.

Policia ishte tejet e gatshme dhe ndihmonte mbarëvajtjen me përsosmëri të  Marathonës, e cila i drejtonte të  gjithë  ciklistët me mjetet elektronike si dhe qentë  e policisë  nuhasnin çantat dhe çdo gjë  që  mbanin çiklistët.

Edhe pse organizuesit i kishin lajmëruar një ditë  më  parë se koha do të  jetë  me shi ata nuk u penguan pasi motoja e tyre ishte “rain or shine” ne do të shkojmë  dhe nuk do të  dështojmë .

Z.Imer Laçaj na tha se nuk u pengova aspak nga shiu, por i veshur me bluzën e zgjedhur me logon “Alba Life” TV/Albanian School, dhe në  gjoks me Flamurin Shqiptar, i dukej sikur fluturonte me biçikletë .  I vesha për të  sensibilizuar opinionin mbarë shqiptar dhe për të  respektuar bashkatdhetarët e mi që punojnë me aq përkushtim për mësimin e Gjuhës Shqipe në Diasporë tha Lacaj.  Vlen të përmend këtu se bashkëshortja e tij mësuese Adelina Laçaj ka kontributin e saj në mësimdhënien e Gjuhës Shqipe pranë kësaj shkolle.

Para se të  niseshin maratonisteve iu lexua përshëndetja e Kryetarit të  Bashkisë  së  Nju Jorkut Bill De Blasio i cili ndër të tjera tha se: “Ky aktivitet i rëndësishëm me pjesëmarrjen e 32 mijë  çiklistëve, nga 30 vende të  botës që do të  udhetojnë  40 miles” na bën të  ndihemi krenar”.

Ne këtë  aktivitet përshëndeti dhe Presidenti I Çiklizmit të  New Yorkut Ken Podziba I cili tha se: “Çiklizmi është një motivim për më  shumë  pjesëmarrje jo vetëm në  Maraton por edhe në  përdorimin e biçikletës si mjet i mirë  sportiv:

”It’s like one big Family.”

Në  këtë  aktivitet të rëndësishëm përshëndeti dhe përfaqsuesi i TD Bank si sponsor kryesor i Maratonës.

Së bashku me bekimin e Kryetarit të Bashkisë, ata kishin mbështetjen e agjencive të tilla si Shërbimeve Mjekësore Emergjente te qytetit, Departamentin e zjarrit New York.  Departamenti i Transportit kishte koordinuar përfshirjen e agjencive të qytetit qe kishin punuar me NYPD për t’i bërë rrugët e trafikut sa me të lira.

Në  këtë  të dielë  çikliste kishin dalë  shumë  njerëz për gjatë  avenuve duke përshëndetur, brohoritur, ndonjëherë  dhe me muzikë, ose duke i shoqëruar:Go, Go!

Z.Laçaj tregoi emocionet e rrugës, por ajo që i kishte bërë përshtypje ishte udhëtimi i një gjyshi me mbesën e tij të  bukur në një biçikletë me tri rrota.Rrugës kishte parë  dhe çiklista që  u rrëzuan, por pa dëme.

Në pika të veçanta kishte çadra ku mund të  riparoje biçikletën ose të bleje pjesë këmbimi.Shiu ua vështirësonte lëvizjen, por të  papriturat kishin kënaqësinë e tyre.

Kështu “Verrazano Bridge” ishte pjesa më  e vështirë  e udhëtimit prej 4-5 orësh, malorja shumë e madhe dhe distanca e madhe dukej sikur nuk mbaronte kurrë,  por nga ana tjetër ndjeu kënaqësinë duke udhëtuar mbi këtë vepër madhështore me biçikletë .  Pastaj arritën në zonën destinacionit në “Fort Wadsworth” in Staten Island ku do bëhej dhe festivali i finalizimit me sukses.  Banda dhe këngëtarët interpretuan këngën “You survived”, ju mbijetuat.

Ishte një  përvojë shumë pozitive duke kaluar në 5 lagjet e NYC bashkë me 32 mijë të  tjerë çiklista, ku treguan solidaritet për të ndihmuar njeri tjetrin,por ndërkohë sodita natyrën, rrugët dhe ndërtesat tregoi Lacaj.

Shpresoj se vitin tjetër vazhdoi Laçaj natyra do të  derdhë gjithë  rrezet e arta të  diellit duke sjellë  dhe më shumë pjesëmarrës, pse jo dhe shqiptarë midis tyre.Z.Laçaj ishte ndjehet i gëzuar që arriti ta përfundojë me sukses, ndërsa vitin tjetër vazhdoi ai dua që  të ketë prindër dhe mësues nga Shkolla Shqipe “Alba Life” për ta suportuar punën fisnike të  mësimdhënies në  gjuhën shqipe.

Maj, 2016

Staten Island, New York

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Imer Lacaj, Keze Kozeta Zylo, në Maratonën e çiklistëve

Karateistët e Ulqinit shënojnë sukses në turneun ndërkombëtar në Nju Jork

April 28, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Klubi i Karatesë “Ulqini” u paraqit denjësisht dhe profesionalisht në turneun ndërkombëtar të 21-të.  Ata jo vetëm që kanë vite që sterviten në këtë sport kaq të dashur dhe të vështirë, por ndërkohë dhe trainimi në Amerikë këto ditë nga kampionët kombëtarë amerkanë Ariel David dhe legjenda amerikane Hanshi Bernard Scarda ishin frytdhënëse.

Klubi i famshëm i Karatesë “Ulqini” ka për kryetar z.Gjergj Daboviq, menaxher z.Skender Tahiri dhe kryetrainer Z.Ruzhdi Rama, të cilët erdhën në Amerikë nën kujdesin e trainerit të ekipit të karatesë në Staten Island nga z.Safet Tahiri.  Z.Tahiri me banim në Staten Island është mik i afërt me legjendën e Shatokan, z.Hanshi Bernard Scarda i cili ka praktikuar artet marciale mbi 50 vjet.

Të gjithë garuesit kur i takuam para kampionatit ishin shumë optimist për fitore dhe përfundimisht ia arritën qëllimit.  Përgatitja e tyre fizike detyrimisht i përgatit dhe shpirtërisht, ata luftojnë me mendje dhe me zemër, sepse nje pjesëmarrje e një garuesi në gara pa zemër do të ishte thjesht një kufomë.

Në datën 24 Prill Klubi I Karatesë “Ulqini” mori pjesë në turneun ndëkombëtar të 21-t.Hiraldo’s Kai Shobukan në Queens, New York.

Në këtë turne morën pjesë 14 shtete me rreth 500 garues.

Shtetet qe moren pjese ishin: Dominican Republic, Puerto Rico, Canada, Colombia, Texas,

Boston, Rhode Island, Pensylvania, New York, New Jersey, Venezuela, Panama, Haiti.

Klubi i karatesë “Ulqini” u paraqit me 9 garues në Kata dhe luftra individuale të cilët korën një sukses të jashtëzakonshëm. Ata morën gjithsej 13 medalje, prej të cilave 3 të arta, 2 të argjendta dhe 8 të bronxta.

Medaljet e arta i morën Marko Daboviq dhe Hantija Ibroci, në Luftra, ndërsa Seida Suma në Kata individuale.

Medalje të argjendtë fituan Antigona Ranoviq dhe Ronald Jacoviq në luftra individuale.

Medaljen e bronxtë e fituan këta garues:  Dardan Ceka 2 të bronxta, një në kata dhe një në luftra, Antigona Rama një të bronxtë në kata individuale, Adnan Kuqi një të bronxtë në luftra individuale, Diellëza Rama 2 të bronxta, një në kata dhe një në luftra.  Edin Kraja 1 të bronxtë në luftra individuale dhe Marko Daboviq një të bronxtë në kata Individuale.

Fitoren e tyre të merituar e përshëndetën mijëra shqiptarë anë e mbanë si dhe spektatorët shqiptarë dhe amerikanë që morën pjesë në këtë aktivitet ndërkombëtar.  Tek karateistët e Ulqinit, pashë trimërinë në sytë e tyre, guximin kur luajtën me kundërshtarin dhe thjeshtësinë kur morën 13 medalje të njëpasnjëshme, një sukses i madh për Kombin dhe për Klubin e Karatesë “Ulqini” në turneun ndërkombëtar.

27 prill, 2016

New York

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: KARATEISTET E ULQINIT, Keze Kozeta Zylo, nderkombetar, ne Nju Jork, në turneun, shënojnë sukses

Dr. Valbona Karanxha, një nga “Zonjat Shqiptare në Nju Jork”

March 14, 2016 by dgreca

-Bisedë me Dr.Valbona Karanxha/*

– Me dashuri për dijen: Nga bangat e fëmijërisë në auditoret e Yale University/

– Ambicja ime nuk është të angazhohem si zyrtare politike, por të lehtësoj me sa të kem mudësi proçeset demokratike në Shqipëri. Dr.Karanxha/

Dr. Valbona Karanxha ka lindur në Vlorë. Është Yale University research fellow për vitet 2009, 2014, 2015, 2016. Është autore e publikuar tri herë nga Yale University për kërkimet e saj në degët shoqërore si histori dhe letërsi e Amerikës Latine, histori e Amerikës në shekujt 20 – 21, Lëvizjen për të Drejtat Civile në vitet 1960, dhe gjithashtu Kushtetutën dhe Demokracinë Amerikane. Studimet dhe kërkimet e saj përqëndrohen në fusha të ndryshme si ato politike, udhëheqësi, organizata, të lidhura me zbatimin e politikave publike. Valbona Karanxha është gjithashtu autore e botuar në gjuhen shqipe.

Punon në sistemin e shkollave publike amerikane. Ka kryer Masterin në Arte në degën e Gjuhëve Romane (latine), në Southern Connecticut State University (2003 – 2007), dhe mban gradën Doktoreshë Shkencash në Udhëheqësi dhe Politika Publike, po nga Southern Connecticut State University (2009 – 2014).

-Le ta fillojmë me fëmijërinë tuaj, mbresa dhe kujtime të fëmijërisë, ku e keni kaluar atë?

-Kam lindur në Vlorë. Nga fëmijëria mbaj mënd qytetin e bukur të Vlorës, gjyshërit e mi të cilët më jepnin shumë dashuri sepse isha mbesa e madhe. Më kujtohen mbrëmjet e bukura nga Uji i Ftohtë kur shëtisnim natën vonë dhe shikonim dallgët tek përplaseshin në shkëmbinjte poshtë Belvederes. Ishte magjepsese, dhe një lumturi fëminore në pafundësi kur vraponim të kapnim autobusin e fundit nga Uji i Ftohtë për në Vlorë. Çerdhen e kam pasur midis portokalleve, paçka se nuk e mbaj mënd kur kam qënë në çerdhe, por kopshtin dhe shkollën “15 Tetori” i mbaj mend shumë mirë. Jam rritur me dashuri dhe përkujdesje nga të dy prinderit e mi të cilët kanë bërë ç’është e mundur të shkëlqeja në shkollë dhe të isha model. Mamanë e kam pasur mësuese, por babai ka qënë ai që më edukoi me ambicien dhe dëshirën për të mësuar, dhe për të qënë një nxënese e përjetshme me dashuri të pareshtur për dijen.

-Çfarë do të kujtonit nga shkolla në Shqipëri, dhe a mund të bëni krahasimin midis edukimit këtu dhe në Shqiperi në disa drejtime?

-Shkolla në Shqipëri, pavarësisht sistemit na ka mundësuar të krijojmë një bazë të fortë mbi të cilën ndërtuam profesionalizëm në karierën tonë si edukues të brezit të ri. Kjo nuk mund të mohohet. Dija është e vyer në të gjitha sistemet, dhe pavarësisht nga metodikat e ndjekura. Përsa i përket diferencës në metodikë, shkolla në Shqipëri ndiqte një metodë që unë e quaj “Behavioral theory”, dhe bazohet në atë që mësuesit mendojnë se është e rëndësishme të jepet si lëndë, ose brënda saj, ndërsa në Shtetet e Bashkuara mësimdhënia në përgjithsi bazohet në “Constructivist theory”. Kjo është metodë empirikale, ka të bëj me ndërtimin e dijes nga eksperiencat paraprake, të jetuara ose të mësuara. Ky sistem i përdorur në arsimin amerikan bazohet në teoritë e postuluara nga psikologët Vygotsky dhe Piaget, dhe nxit fëmijët ose studentët të arrijnë në konkluzionet e tyre nga praktikat dhe arsyetimi llogjik. Është metodikë frutdhënëse dhe pergatit studentin për kërkime shkencore të pavarura në të ardhmen, gjithashtu fokusohet në eksperimente dhe projekte.

-Kur erdhët në Amerikë, si arritët të keni këto rezultate të shkëlqyera në edukimimin post-universitar?

-Nuk ka qënë e lehtë të përballosh jetën, të punosh, të kontribuosh në familje, dhe të ndjekësh shkollën. Por unë kam dëshirë që të jem gjithmonë në avancim të njohurive të mia, jo vetëm ato që kam marrë në programet e Masterit dhe të Doktoraturës, por edhe në mënyrë individuale. Sot, unë ende ndjek studime dhe jam bashkëpuntore në shkencat shoqërore pranë Yale University. Këto studime më kanë mundësuar të krijoj një bagazh i cili më ndihmon si edukuese e brezit te ri. Dija nuk ka kufi, dhe sa më shumë lexoj aq më shumë dëshirë kam të zgjeroj njohuritë. Për këtë arsye, unë nuk shikoj asnjë shfaqje ose program në televizion. Koha ime e lirë mbas punës i përkushtohet studimit në fusha të ndryshme sidomos ato politike, psikologjike, dhe të ekonomisë politike.

-Ju jeni integruar intelektualisht në botën amerikane. Cilat janë disa nga vështirsitë tuaja dhe rrugët që ju arritët deri në ketë stad?

-Unë e konsideroj si një normalitet integrimin. Vështirësitë janë profesionale dhe varen nga fusha. Përshëmbull, po të isha në degë finance apo ekonomike do kisha veshtirësi të tjera. Personaliteti gjithashtu ka të bëjë në integrimin e sukseshëm shoqëror dhe atë profesional. Njeriu i vë vetes disa objektiva dhe perpiqet t’i arrij. Por në të njejten kohe, fleksibiliteti dhe përshtatja ndaj kulturës janë të domosdoshme, por kuptohet pa harruar rrënjet e tua dhe pa u asimiluar.

-Cili është studimi juaj shkencor, në universitetet që ju kanë ftuar në programet e ndryshme si studente, apo si arsimtare?

-Studimet e mia janë në fushat shoqërore dhe të edukimit. Perkatsisht, në Southern Connecticut State University kam punuar në fushën e Lidershipit dhe Politikave Publike. Studimi im ka qënë mbi impaktin që lidërshipi shkollor ka në implementimin e reformave dygjuhësore dhe çfarë rekomandimesh duhen bërë në fushën e politikave arsimore për të përmbushur nevojat e studentëve dygjuhësh mbas tranzicionit në klasë të rregullt.

-Në Yale University për vitin 2016 studimet e mia janë në Demokracinë Amerikane dhe Kushetutën e saj. Fokusi i kërkimit tim do jetë gjithashtu mbi statusin politik të Puerto Rico-s dhe implikimet në praktikë te demokracisë përfaqsuese. Në 2015, studimi im në Yale Univeristy u fokusua në Lëvizjen për të Drejtat Civile dhe pikërisht ne Identitetin Latin gjatë Lëvizjes për të Drejtat Civile Në 2014, po në Yale University studimi ishte në fushën e krijimtarisë nga imazhet. Fokusi ishte në simbolikën e imazheve në Historinë e Amerikës Latine.

-Në 2009 në Yale University, studimi im ishte në Letërsinë Botërore me fokus në Realizmin Magjik si rrymë e pasqyruar në “Tregimet e Eva Lunës” nga Isabelle Allende.

-Kohët e fundit ju keni botuar librin “Politikat dhe Strukturat e Rrethit të Ferrit”, do të vazhdoni të merreni me politike?

-Ambicja ime nuk është të angazhohem si zyrtare politike, por të lehtësoj me sa të kem mudësi proçeset demokratike në Shqipëri. Unë besoj se vëndi ka nevojë për politikanë të cilët do punojnë në favor të popullit, kombit dhe shtetit shqiptar. Deri tani ndryshimet “demokratike” që kanë ndodhur kanë qënë një përpjekje për të instaluar një sistem i cili do funksionoj në favor të një shtrese politikanësh të korruptuar. Kjo është në kundërshtim me çdo parim demokratik, prandaj, përderisa kjo klasë të jetë në pushtet unë do jem aktive në jetën politike të vendit.

-Ju jeni një kundërshtare e fortë e sistemit në Shqipëri, mendoni se do të ndikoni për ta ndryshuar atë sistem?

-Sistemi në Shqipëri është ndërtuar në baza klanore, partitë janë struktura klienteliste dhe kolapsi do jetë i paevitueshëm në se vazhdohet në këtë rrugë. Përpjekjet tona konsistojnë në nxjerrjen e sistemit nga kaosi në rrugë demokratike duke ndërgjegjsuar qytetarin e thjeshtë, dhe duke ofruar alternativa të tjera si alterniativën e ndarjes nga e keqja dhe ndërtimin e një shteti komb i cili do punojë për shqiptarët.

-Cilat janë projektet tuaja?

-Projektet e mia janë më tepër në fushën studimore. Në planin afat-shkurtër do vazhdoj të punoj në arsim. Më pëlqen lënda që jap (Histori dhe Civilizim i Amerikës Latine për studentë të cilët janë folës të lindur të Spanjishtes) dhe them se i shërbej një shtrese demografike në SHBA e cila ka nevojë për mbështetje gjuhësorë dhe kulturore. Në planin afatgjatë dua të kompletoj disa studime në shkencat shoqërore, por gjithmonë duke qëndruar në nivel akademik, dhe të vazhdoj të jem studjuese dhe autore e publikuar në fushën time.

-Sot çfarë është për ju Amerika?

-Amerika për mua është atdheu im i dytë, shtëpia ime. Është model shtetëror, demokratik të cilin unë e konsideroj si shembull të mirëfilltë për Shqipërinë dhe vende të tjera në rrugën e demokracisë. Pa dyshim është vënd i mundësive, i të qënit të lirë në kuptimin politik, ekonomik dhe personal.

– Ju keni vite në Amerikë, keni menduar se një ditë mund të ktheheni në Shqipëri dhe te sillni gjithë përvojën tuaj maksimale që morët në shtetin më demokratik të botës?

-Unë kam deshirë të punoj për njerëzimin kudo që ndodhem. Do më pëlqente të krijoja programe edukimi dhe teknologjie në vëndet në zhvillim, dhe jo vetëm në Shqipëri (po të më jepeshe mundësia më e afërt dhe të siguroj fonde të mjaftueshme). Mendoj se bota ka nevojë për individë të cilët kanë një vizion të qartë dhe investojnë përpjekjet e tyre në fushën e arsimit. Edukimi është arma më e fuqishme për të fituar lirinë e mendimit, pavarësinë ekonomike, dhe për t’i ardhur në ndihmë kombit tënd.

– Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellence”, libër që do të botohet për herë të parë për gratë e suksesshme pertej oqeanit, si ndiheni për këtë?

– Ndihem mjaft e privilegjuar dhe është nder për mua. Jam e bindur që shëmbujt e gruas të sukseshme shqiptare janë të panumërta dhe falënderoj inisiatorët e kësaj nisme. Jam mjaft mirënjohse për respektin. Ka gra shumë herë më të sukseshme se unë, por më bëhet qejfi që jam një pikë uji e vogël në oqeanin e arritjeve të grave tona. Jam mirënjohse për mundësinë, por në veçanti falënderoj Znj. Kozeta Zylo për rekomandimin.

– Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

-Shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka një imazh, apo konsideratë pozitive për gruan dhe figurën e saj. Kjo ka të bëjë me kulturën e përgjithshme. Por kuptohet, ky cilësim nuk është absolut. Ka raste pozitive për imazhin e femrës sonë dhe për ato që janë të sukseshme sidomos në fushat akademike, ose edhe femrat të cilat janë nëna të përkushtuara dhe model.Me ndryshimet demokratike, femrës sonë ju paraqitën modele të gabuara, sipërfaqsorja u vu mbi cilësoren. Kjo po vazhdon të bëhet me fanatizëm nga mediat tona të cilat i kushtojnë vëmëndje simbolizmit seksual duke ushtruar një presion psikologjik ndaj femrës tonë dhe vajzave tona të reja. Pa u ndalur shumë në këtë problem i cili do kujdes të vëmëndshëm, them se edukimi prindëror, dhe kultivimi i dijes duhet të jetë shoqëruesi i formimit të femrës sonë. Imazhi i femrës sonë duhet të restaurohet dhe na takon të gjithve të japim kontributin tonë.

-Ju faleminderit e nderuar Dr.Karanxha!

Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

New York, 2016

* Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

 

Filed Under: Interviste Tagged With: "Zonjat Shqiptare në Nju Jork", Dr. Valbona Karanxha, Keze Kozeta Zylo, një nga

Në Ditën e shenjtë të Mësuesit me Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”

March 6, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera/ ku e shkoj jetën tash sa mot, veç për ty m’rreh zemra e mjera/ e prej mallit derdhi lot. – Mjeda/

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” ecin në traditën e të parëve duke e festuar 7 Marsin, Ditën e Shenjtë të Mësuesit me një program të pasur artistik dhe sjellin në shenjë mirënjohjeje për mësueset e tyre buqeta të bukura lulesh.

Edhe natyra dukej sikur mori pjesë në këtë ditë shqiptare në New York, rrezet e ngrohta të diellit, cicërima e zogjve që bashkohej me fëshfërimen e lehtë të gjetheve të pemëve e bënin dhe më festive dhe më harmonike këtë ditë të shënuar.

Në mjediset e ngrohta dhe tejet komode të shkollës publikike amerikane PS 9, në ishullin e bukur Staten Island, prindër, nxënës dhe mësues të Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të Nju Jorkut si: në Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan u mblodhën së bashku për të festuar 7 Marsin.  Nxënësit gjithë nur dhe me dashurinë e madhe për shkollën vinin me tufa lulesh në duar duke iu uruar mësueseve të tyre të dashura gëzuar ditën e 7 Marsit.

Ajo që ngelet dhe më impresionuese është kur disa nxënës shoqërohen dhe nga vëllezërit dhe motrat e tyre që fillojne qysh bebe të cilët i mbajnë prindërit në krah apo ulur në karrocat fëminore dhe deri më të rritur se vetë ata dhe gëzohen për të ardhur në raste festash që nuk janë të pakta për Shkollën Shqipe “Alba Life”.

Nxënësit takohen, përqafohen dhe flasin shqip me njeri tjetrin, çka është dhe misioni kryesor i programit të shkollës.

Ardhja e tyre pranë shkollës shqipe është frymëzim, është shpresë për të ardhmen e fëmijëve në Diasporë, ndonëse na mbetet një punë dhe më e madhe për të bërë, pasi mijëra fëmijë me prindër shqiptarë në botë nuk flasin dhe shkruajnë shqip dhe kjo përbën një shqetësim real për cilindo prej nesh.

Mësuesit dhe prindërit kishin kohë që përgatisnin nxënësit dhe fëmijët e tyre për këtë ditë dhe kjo përgatitje serioze u kurorëzua me sukses në programin spektakolar që u dha në këtë ditë të shenjtë.

Se Gjuhë e Shqipërisë është Gjuhë e Perëndisë

Këto vargje të poetit kombëtar Naim Frashëri u recituan plot dashuri dhe zë kulluar nga nxënësja e shkollës shqipe Melinda Djenovic që ka vite që e ndjek rregullisht shkollën dhe ka rezultate të dukshme duke arritur që të jetë dhe prezantuese në programe të ndryshme.

Programin e ka hapur sopranoja e mirënjohur Deshira Ahmeti Kërliu e cila ka kohë që i është bashkuar programit serioz të Shkollës Shqipe “Alba Life”.  Znj.Kerliu iu uroi gjithë mësueseve festën e 7 Marsit dhe tha se ndihej krenare që bashkëpunonte me stafin e shkollës dhe me nxënësit.  Festa e 7 Marsit vazhdoi Kërliu në këtë shkollë festohet realisht si festë shqipe, si ditë mësimi pasi mësuesët martirë që luftuan për të hapur shkollat shqipe dhe derdhën gjakun në mbrojtje të alfabetit shqip lanë amanetin që fëmijët shqiptarë të flasin shqip kudo ku janë.

Znj.Kërliu ka ftuar në skenë nxënësit e shkollës shqipe të Manhattanit të shoqëruara nga mësueset e tyre Liza Pllumi, Mane Hasanaj dhe Anila Syka.

Programi filloi me poezinë “Gjuha Jonë” të Naim Frashërit recituar nga Nora Hysa.  Lendina Jahmurataj ka recituar poezinë “Nënës”.  Vëllezërit Flaton dhe Gentian Hulaj interpretuan “Shkolla ime”.  Edona Hasanaj “Festa jonë”.

Kevin Predlukaj interpretoi “Gjuha Shqipe” të Ndre Mjedës.

E dua shkollën time nga Simon Syku.

Programin, nxënësit e Manhattanit e mbyllën me vallen aq të njohur të Rugovës, pergatitur nga mësuesja Mane Hasanaj, valle që u shoqërua me duartrokitje të nxehta nga publiku.

Programi i pasur artistik vazhdoi me nxënësit e shkollës shqipe në Brooklyn.

Edhe pse  disa nxënës munguan pasi kishin ELA test në shkollë publike përsëri programi ka vazhduar me plot sukses dhe dinjitet.  Nxënësit e mësuese Raimonda Hysollit interpretuan poezi dhe këngë të ndryshme.  Kelvin Rustani interpretoi “Mësuesja”, Bjarni Brluku “Nëna”, Diola Dacaj “Mësuesja ime”, Dorentina Dacaj “Nëna”, Arjon Mazda “Nëna”, Ledion Xhoi, “Nëna”, Eneo Rustani “Nëna”.

Kelvin dhe Enea Bulku me zërat e tyre të magjishëm kanë rrëmbyer zemrat e prindërve në sallë dhe janë shoqëruar me duartrokitje kur kanë kënduar këngën e Nënës të shoqëruar nga shokët dhe shoqet e klasës.

Ndërsa nxënësit e mësuese Gladiola Bakos si Oresti Salillari interpretuan plot konfidencë dhe dashuri “Dy festa të bukura” 7-8 Marsi, Rafal dhe Andri Gjonaj interpretuan nga Ali Podrimja “Zilja e shtatorit”.

Programin e shkollës shqipe në Staten Island e ka prezantuar mësuese Entela Muda së bashku me Melinda Djenovic.

Mësuese Entela ka ftuar nxënësen Dea Watkins e cila ka recituar vjershën “Zogu dhe djali”.  Brendon Doda “Quhem shqiptar”.

Elira Xhemali “Festa e Mësuesit”.  Rilind Bardhi “Ylli i vogël lart në qiell”. Ndërsa Dea Kerliu befasoi me vjershën që kishte krijuar vetë plot dashuri dhe ëmbëlsi fëminore.

Jaedin Doci “Libri”, Ariela Gashi “Dy festa të bukura” dhe Brian Muda “8 Marsi” nga shkrimtarja Adelina Mamaqi.

Programi ka vazhduar me nxënësit më të rritur duke filluar me Melinda Djenovic “Gjuha Shqipe”, Naim Frasheri, Arsi Muda me poezinë “Atdheu” nga shkrimtarja Laureta Petoshati.  Olivia Verteniku nga Filip Shiroka “Shko Dallandyshe”.  Denis Doda “Mësueses”. Alba Ujkashi “Epika” nga Ali Podrimja dhe Alisa Pocesta: “Unë jam shqiptare”.

Të gjithë nxënësit kanë kënduar së bashku këngën: “Mësuese e dashur” interpretuar nga Dea Kerliu dhe Dea Watkins.

Mjaft spektakolare ishte kërcimi i valles së Napolonit nga nxënësit në Staten Island udhëhequr nga mësuese Entela Muda dhe Dëshira Kerliu.  Shamitë kuq e zi përgatitur nga duartë e arta të gjyshes së Elira Xhemalit valëviteshin në ajër mjeshtërisht nga duartë e vogëlusheve.

Në fund të koncertit spektakolar nga nxënësit e shkollës shqipe z.Qemal Zylo themelues i shkollës Shqipe dhe drejtues i saj i ka dhuruar buqeta me lule të freskëta gjithë mësueseve si Liza Pllumit, Mane Hasanj, Anila Syka, Aferdita Kacupaj, Gladiola Bako, Raimonda Hysolli, Entela Muda, asistenteve si Gela Bulku etj, dy artisteve shqiptare Dëshira Kërliut dhe Lindita Mezini Loles si dhe ish mësuese Adelina Lacaj, Ornela Melo, Mimoza Salillari anëtare e Bordit, Mizi Tutovic Doda, dr.Valbona Zylo Watkins, etj, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për punën e tyre të përkushtuar.

Pjesëmarrësit së bashku me nxënësit pasi drekuan sponsorizuar nga z.Harry Ujkashi vallëzuan dorë për dore dhe u argëtuan me valle dhe këngë të ndryshme nën tingujt e

DJ drejtuar nga Odise Salillari dhe Andrea Lole.

Ishte një ditë shqiptare midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” në New York, ishte një ditë që edhe pse të ikur larg Mëmëdheut zemra jonë rreh për të, rreh siç thotë Mjeda 124 vjet më parë: “Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera/ ku e shkoj jetën tash sa mot, veç për ty m’rreh zemra e mjera/ e prej mallit derdhi lot.”

Të gjithë kaluam një 7 Mars të bukur me një ditë të dielltë si shkronjat e Gjuhës Shqipe, Gjuhës sonë Hyjnore!

6 Mars, 2016

Staten Island, New York

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Keze Kozeta Zylo, ne Diten e mesuesit, shkolla Alba Life

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FAIK KONICA, SHKRIMTARIT GUILLAUME APOLLINAIRE : “KAM VETËM KËTË GJË TË PËRBASHKËT ME STENDALIN…” (LETRA ORIGJINALE E 20 NËNTORIT 1904)
  • “Lübecker Volksbote”: SHQIPËRIA
  • PORTRETI I HARRUAR I YMER ELSHANIT, APO PAQJA TRAGJIKE E TIJ
  • NGA DEBATI REPUBLIKAN- DEMOKRAT NË FOX NEWS
  • Kalendar: 79 vjetori i lindjes së Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova
  • Epoka e artë
  • Festa e Flamurit 2023 – Washington DC
  • Baza gjeopolitike e aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Turqisë – Libri i ri i Shaban Muratit
  • “THE INTERNATIONAL BEST POETSAND TRANSLATORS PRIZES 2023…”
  • Shqipëria, disa muaj pas pavarësisë, sipas një gazetari italian të kohës
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË ATHINË, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË GREQI
  • Me ceremoni solemne shqiptarët e ngritën flamurin kuqezi në Bashkinë e Filadelfia
  • “Kosova në dokumentet amerikane 1945-1999”
  • PORTUGALIA SHTET MIK I KOSOVËS DHE SHQIPTARËVE, SHËN NËNË TEREZA  “NJË URË QË NA LIDHË”
  • GËZUAR 111- VJETORIN E PAVARËSISË, SHQIPËRIA E MADHE ETNIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT